ATV

Category: Lajme

  • Festa e Flamurit, Rama e cilëson kuptimplotë pjesëmarrjen e Presidentes Osmani

    Festa e Flamurit, Rama e cilëson kuptimplotë pjesëmarrjen e Presidentes Osmani

    Kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar disa fotografi nga Mbrëmja Tradicionale për nder të Ditës së Pavarësisë që është organizuar në Tiranë.

    Në përshkrimin që Rama ka vendosur në profilin e tij në “facebook”, ka veçuar pjesëmarrjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e quajtur “prani kuptimplotë”.

    “Mbrëmja Tradicionale Kuqezi e Ditës së Pavarësisë, organizuar sonte bukur si asnjëherë nën kujdesin e Presidentit të Republikës, me praninë kuptimplotë të Presidentes së Kosovës”, ka shkruar Rama.

  • Pal Lekaj i bindur që Kurti s’do të jetë më në pushtet: AAK synon 10–12 deputetë

    Pal Lekaj i bindur që Kurti s’do të jetë më në pushtet: AAK synon 10–12 deputetë

    Ish-deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se Aleanca në zgjedhjet e ardhshme pret të marrë 10 deri në 12 deputetë, rreth 100 mijë vota.

    Ai njoftoi se lista zgjedhore do të përfshijë kandidatë të suksesshëm nga niveli lokal dhe se fushata do të zhvillohet “derë më derë”.

    “Në këto zgjedhje, Aleanca mund t’i ketë 10 deri në 12 deputetë, që i bjen diku afër 100 mijë votave. Kësaj here, ne do ta mbushim listën me atë që kanë qenë të suksesshëm në votë, kandidatët për këshilltar komunal do t’i vendosim në listë”, tha Lekaj.

    Lekaj konfirmoi se Ramush Haradinaj do ta udhëheqë listën dhe është kandidat për kryeministër.

    “Kësaj here do të shkojë derë më derë, jo me tubime të mëdha, por dorë më dorë me çdo qytetar.Ramush Haradinaj i prin listës dhe është kandidat për kryeministër të Kosovës”.

    AAK do të garojë e vetme, por pas zgjedhjeve, sipas Lekajt, nuk do të ketë vija të kuqe për koalicione. Ai u shpreh i sigurt se pas zgjedhjeve “në qeverisje nuk do të jetë Albin Kurti, por ish-partitë opozitare”.

    “Ne do të garojmë të vetëm, por pas zgjedhjeve nuk mendoj se duhet të ketë vija të kuqe. Sidoqoftë, unë mendoj se kësaj here, jam i bindur, që në qeverisje nuk do të jetë Albin Kurti, por qeverisjen do ta bëjnë ish-partitë opozitare dhe janë të gjitha kushtet që të ndodhë diçka e tillë në Kosovë”, tha Lekaj për Blic Interview me Astrit Gashin.

  • Policia malazeze arreston mercenarin që luftoi për Rusinë kundër Ukrainës, kapin edhe një sasi armatimi

    Policia malazeze arreston mercenarin që luftoi për Rusinë kundër Ukrainës, kapin edhe një sasi armatimi

    Policia malazeze ka goditur një rrjet mercenarësh që kishin luftuar për Rusinë në Ukrainë.Sipas raporteve nga mediat lokale në Podgoricë, është arrestuar Danko Saviq, një shtetas i Bosnjës dhe Hercegovinës me banim të përhershëm në Mal të Zi, i cili kishte një milion e gjysmë euro në llogarinë e tij, të cilat, sipas policisë, i kishte fituar gjatë shërbimit në forcat ruse.

    Saviq u arrestua si pjesë e operacionit të koduar “Lugansk”. Gjatë kontrollit në banesën dhe ambientet e tjera që përdorte, policia sekuestronte 12.2 kilogramë eksplozivë. Operacioni ka përfshirë deri tani 12 persona dhe 13 kontrollime në lokacione në Danilovgrad, Nikshiq dhe Podgoricë.

    Policia njoftoi se janë sekuestruar gjithsej 24 armë zjarri, mbi 1000 fishekë, disa korniza, nëntë thika, shpata dhe bajoneta, si dhe uniforma, flamuj dhe shenja të tjera dalluese të grupeve kriminale dhe organizatave.

    Midis sendeve të konfiskuara ishin edhe jelekë antiplumb, helmeta, pajisje komunikimi, karta SIM dhe karta identiteti të “Vëllazërisë Kozake Malazeze”, shpesh me emra të ndryshëm.

    Sipas policisë, provat tregojnë se Saviq kishte shërbyer në strukturat ushtarake të huaja të Federatës Ruse në Luhansk nga fillimi i vitit 2023 deri në fillim të vitit 2025. Dyshohet se ai ishte motivuar kryesisht nga përfitimi financiar dhe gjatë kësaj periudhe fitoi 1.5 milion euro.

    “Provat materiale të mbledhura në periudhën e mëparshme tregojnë dyshime se Savić, në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka marrë pjesë në një formacion të armatosur të huaj të Federatës Ruse, përfshirë Luganskun, në luftën që Rusia po zhvillon kundër Ukrainës në territorin ukrainas, në periudhën nga fillimi i vitit 2023 deri në fillim të vitit 2025, dhe se bazuar në pjesëmarrjen e tij në një luftë të huaj dhe në lidhje me kryerjen e kësaj vepre penale, ai ka fituar dhe poseduar në mënyrë të paligjshme shuma të mëdha parash, nga të cilat 1.500.000 euro (një milion e pesëqind mijë euro) ishin në llogarinë rrjedhëse të këtij personi”, pohon policia.

  • Emaile të rreme në emër të institucioneve: Policia del me njoftim dhe thirrje për qytetarët

    Emaile të rreme në emër të institucioneve: Policia del me njoftim dhe thirrje për qytetarët

    Policia e Kosovës ka dalur me komunikatë për emailet e rreme që po shkojnë në adresë të qytetarëve.

    Policia ka theksuar se po i hetojnë ato.

    Komunikata:

    Njoftim zyrtar lidhur me qarkullimin e e-mailave të rreme/false

    Prishtinë, më 28 nëntor 2025

    Policia e Kosovës (PK), njofton opinionin publik lidhur me qarkullimin dhe shpërndarjen nëpër e-maile të ndryshme, të disa informacioneve jozyrtare (false/rreme), që kinse i përkasin Policisë së Kosovës dhe organizatave të ndryshme, informacione këto kinse janë lëshuar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovs, andaj sqaron se:

    Këto informacione të dërguara nga kinse zyrtarë të lartë të PK-së, të emërtuara si “THIRRJE GJYQËSORE”, me numër referues të dosjeve të lëshuara kinse siç potencohen në e-maile nga stafi i lartë menaxhues i PK-së, Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovës, Byroja Federale e Hetimeve, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale etj., NUK janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara.

    Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth përsëritjes së qarkullimit të e-mail-eve të tilla, po kryen hetime intensive, duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale.

    Policia e Kosovës njofton dhe njëherit fton qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave/mashtrimeve të tilla dhe kushdo që mund të pranojë ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së [email protected] për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.

  • Faqja nacionaliste serbe publikon pamje nga djegia e flamurit kombëtar në Mitrovicë

    Faqja nacionaliste serbe publikon pamje nga djegia e flamurit kombëtar në Mitrovicë

    Faqja nacionaliste serbe “Bunker” ka publikuar disa pamje nga Mitrovica ku shihet djegia e flamurit kombëtar.

    Nuk dihet se kush e ka bërë këtë veprim teksa as videot nuk kanë ndonjë mbishkrim.

    Kjo video u publikua më 28 nëntor, në ditën e 113 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

  • Në Garanë të Kërçovës përurohet shtatorja e Skënderbeut

    Në Garanë të Kërçovës përurohet shtatorja e Skënderbeut

    Në 28 nëntor, në fshatin Garanë, të Kërçovës, në Ditën e Flamurit Kombëtar, është përuruar shtatorja e Skënderbeut

    “Simbol i përjetshëm i lirisë, qëndresës dhe krenarisë sonë kombëtare. Ky moment i rëndësishëm vjen pikërisht në ditën kur zemrat tona rrahin më fort për kuq e zinë, duke na kujtuar rrugën e sakrificës që na solli deri këtu”, njofton kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

    Ai po ashtu njoftoi se u bënë homazhe edhe pranë monumentit të Nënës Shqiptare në Zajaz.

    “Gjatë ditës, u bënë edhe homazhe pranë monumentit të Nënës Shqiptare në Zajaz, një monument që mishëron përkushtimin, sakrificën dhe dashurinë e pakushtëzuar që ka mbajtur gjallë familjen dhe kombin ndër shekuj. Ky nderim i dyfishtë, për heroin dhe për nënën, na rikujton se liria dhe identiteti ynë janë trashëgimi e përbashkët e burrave dhe grave që dhanë gjithçka për të ardhmen tonë”, përfundon Ahmeti.

  • Nxiti ndarje dhe urrejtje me postime fyese për flamurin në Facebook, Gjykata në Tiranë dënon me dy vjet burg kosovarin

    Nxiti ndarje dhe urrejtje me postime fyese për flamurin në Facebook, Gjykata në Tiranë dënon me dy vjet burg kosovarin

    Postimet e flamurit kombëtar më kryqe apo simbole të tjera përmbi dhe me shënime të papërshtatshme në rrjetin social Facebook i ka kushtuar një dënim me 2 vite burg një 33-vjeçari nga Kosova.

    Dënimi ndaj të pandehurit Alban Bibaj është dhënë pak ditë më parë nga Gjykata e Tiranës, në përfundim të një gjykimi të zhvilluar në mungesë të tij. Bibaj është shpallur fajtor për veprën penale të “thirrjes për urrejtje nacionale”.

    Sipas vendimit të gjykatës,33-vjeçari ka tërhequr vëmendjen e Drejtorisë së Anti-terrorit në Policinë e Shtetit prej disa postimeve në llogarinë me emrin “Ubejdullah E. Subejla” në Facebook, pas tërmetit të nëntorit 2019. Në një nga postimet ai thoshte ndër të tjera se “Hoxhallarët dhe xhematlit që festojnë ditën e flamurit të fesë së demokracisë, nuk kanë lidhje me Teuhidini (njehsimi i Allahut)”. Sipas gjykatës, ai ka vijuar me postime të tjera me thënie të shkëputura nga hadithe fetare.

    Postimet ka shoqëruar me foto të flamurit kombëtar shqiptar, në të cilën kishte mbishkrimin “Kufr shirk”, që nënkupton mohues të Zotit dhe një kryq mbi flamur.

    Për llogari të hetimit, prokuroria e Tiranës ka bashkëpunuar me autoritetet kosovare të drejtësisë. I pyetur në Prokurorinë e Pejës, në prani të avokatit, për hetimi ndaj tij në Shqipëri, Alban Bibaj ka deklaruar se ka 15 vjet që praktikon fenë islame dhe asnjëherë nuk e ka mësuar nga ndonjë predikues i fesë dhe as nuk e ka lexuar në librat fetarë se duhet ta urrejë ndokënd apo të bëjë thirrje për urrejtje nacionale.

    Por sipas vlerësimit të gjyqtarit Edvan Veçani, postimet e të pandehurit përmbajnë elementë të qartë që cenojnë rendin dhe paqen publike përmes nxitjes së përçarjes mbi baza kombëtare e fetare.

    “Nëpërmjet përdorimit të gjuhës fyese ndaj simboleve kombëtare, si flamuri shqiptar, dhe deklarimeve se ‘nacionalizmi është kufr’ apo se ‘flamujt janë shpikje të zionistëve’, ai ka shprehur qëndrime që synojnë përbuzjen e vlerave kombëtare dhe krijimin e antagonizmit ndërmjet identitetit fetar dhe atij kombëtar. Përmbajtja e postimeve, e shoqëruar me imazhe fyese ndaj flamurit, përbën një akt publik komunikimi që objektivisht është i aftë të nxisë ndarje, urrejtje apo armiqësi ndërmjet qytetarëve mbi baza të përkatësisë kombëtare”, arsyetonte gjykata, raporton a2 CNN.

    Sipas gjykatës, qëllimi i të pandehurit nuk ka qenë vetëm shprehja e një opinioni fetar, por nxitje e përçarjes dhe kundërvënies mes qytetarëve në bazë të identitetit të tyre kombëtar. I pandehuri Bibaj është hetuar dhe gjykuar pamasës sigurie, ndërsa dënimi me 2 vite burg, sipas gjykatës, duhet të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

  • BE: Në Kosovë investuam 3.7 miliardë euro që nga viti 1999, jemi partneri më i fortë i juaji

    BE: Në Kosovë investuam 3.7 miliardë euro që nga viti 1999, jemi partneri më i fortë i juaji

    Zyra e BE-së në Kosovë ka bërë të ditur se Bashkimi Europian ka investuar 3.7 miliardë euro në Kosovë që nga viti 1999.

    BE-ja tha se është në krah të Kosovës dhe mbetet partneri më i fortë dhe më i besueshëm i saj.

    “Me 3.7 miliardë euro të investuara në Kosovë që nga viti 1999, BE-ja është ofruesi më i madh i ndihmës financiare dhe partneri juaj më i fortë dhe më i besueshëm. BE-ja po ndihmon në zhvillimin e ekonomisë, forcimin e sundimit të ligjit, përmirësimin e cilësisë së arsimit, kujdesit shëndetësor dhe infrastrukturës, avancimin e mbrojtjes së mjedisit dhe energjisë së qëndrueshme dhe promovimin e kulturës”, thuhet në njoftimin e BE-së.

    Zyra e BE-së theksoi se mbështetja e saj po sjell ndryshime të vërteta në jetën e qytetarëve, duke kontribuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë.

    “Në çdo hap, BE-ja është në krahun tuaj, duke mbështetur progresin dhe duke ofruar mundësi”, thuhet tutje në reagim.

  • Shefi i kabinetit të Zelenskyt jep dorëheqje pas bastisjes së antikorrupsionit

    Shefi i kabinetit të Zelenskyt jep dorëheqje pas bastisjes së antikorrupsionit

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se shefi i kabinetit të tij, Andriy Yermak, ka dhënë dorëheqjen pas një bastisjeje të agjencisë antikorrupsion në apartamentin e tij.

    Yermak, 54 vjeç, ka qenë këshilltari më i afërt i Zelenskyt gjatë gjithë luftës kundër Rusisë, por së fundi është përballur me presion për shkak të një skandali korrupsioni – megjithëse ai nuk është akuzuar për ndonjë shkelje.

    Agjencitë antikorrupsion të Ukrainës bastisën apartamentin e Yermakut në selinë qeveritare në Kiev herët të premten, ndërsa ai ka deklaruar se ka bashkëpunim të plotë nga ana e tij në kuadër të hetimeve.

    Yermak ka qenë gjithashtu lideri negociues i Ukrainës në bisedimet e paqes me Rusinë.

    Bastisjet ndodhën në një moment vendimtar për të ardhmen e Ukrainës, teksa po diskutohet plani i paqes i hartuar nga administrata Trump.

    Skandali i korrupsionit ka tronditur Ukrainën këtë muaj, pasi hetuesit kanë lidhur disa figura të njohura politike me skandalin e dyshuar për përvetësim prej 100 milionë dollarësh në sektorin e energjisë. Kjo ka dobësuar pozitën e Zelenskyt, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin e ka shfrytëzuar situatën për të vënë në pikëpyetje legjitimitetin e presidentit ukrainas.

  • Rama: Atmosferë kuqezi në çdo hyrje të Shqipërisë – publikohen pamjet

    Rama: Atmosferë kuqezi në çdo hyrje të Shqipërisë – publikohen pamjet

    Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka shpërndarë një video në të cilën shihet atmosfera e festës në çdo pikë kufitare të Shqipërisë.

    Për nder të Ditës së Flamurit e Pavarësisë së Shqipërisë, dhjetëra qytetarë shihen në video duke vallëzuar dhe shënuar këtë datë.

    “Atmosferë kuqezi në çdo hyrje të Shqipërisë, nga Morina në Kakavijë”, ka shkruar ai.