ATV

Category: Lajme

  • Roma – Napoli dhe Milan – Lazio, dy përballjet e zjarrta të Serie A këtë fundjavë

    Roma – Napoli dhe Milan – Lazio, dy përballjet e zjarrta të Serie A këtë fundjavë

    Roma – Napoli dhe Milan – Lazio janë dy përballjet më të pritura të kampionatit italian të futbollit këtë fundjavë.

    Derbi i zjarrtë mes Romës dhe Napolit luhet të dielën nga ora 20:45 dhe i takon javës së 13-të të Serie A. Do të përballen dy skuadra që luftojnë për titullin e kampionit.

    Roma renditet në vendin e parë me 27 pikë, ndërsa Napoli është në vendin e tretë me dy pikë më pak. Napolitanët janë kampionë në fuqi të elitës italiane të futbollit.

    Napoli është i pamposhtur në dhjetë nga 11 ndeshjet e fundit kundër Romës në të gjitha garat. Roma dhe Napoli janë përballur në total në 178 ndeshje, ku Roma prin me 66 fitore, Napoli ka 54, ndërsa 58 ndeshje kanë përfunduar baras.

    Roma ka regjistruar gjashtë fitore në shtatë ndeshjet e fundit, ndërsa Napoli ka katër fitore, dy barazime dhe një humbje në shtatë ndeshjet e fundit.

    Këtë edicion, Roma ka mbrojtjen më të mirë, me vetëm gjashtë gola të pësuar pas 12 xhirove, ndërsa sulmin më të mirë e ka Interi, me 26 gola të shënuar.

    Derbi tjetër mes Milanit dhe Lazios luhet të shtunën nga ora 20:45. “Kuqezinjtë” kanë 25 pikë dhe renditen në vendin e dytë. Milani nuk di për humbje në 12 ndeshjet e fundit, me tetë fitore dhe katër barazime.

    Lazio ka vetëm një humbje në tetë ndeshjet e fundit dhe ka 18 pikë në vendin e tetë të tabelës.

    Xhiroja e 13-të përfundon të hënën me ndeshjen Bologna – Cremonese, e cila nis po ashtu nga ora 20:45.

  • Aksident me fatalitet në Gjermani, kamioni përplaset me veturën – tre të vdekur

    Aksident me fatalitet në Gjermani, kamioni përplaset me veturën – tre të vdekur

    Një aksident tragjik ka ndodhur në autostradën pranë Drochtersen në Saksoni të Poshtme, ku një BMW u përplas me trafikun që vinte përballë, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe lëndimin e rëndë të një tjetri.

    Viktimat janë një shofer 24-vjeçar dhe dy gra, 26 dhe 62 vjeç, të gjithë nga Ukraina.

    Sipas raportimit të gazetës Bild, makina po lëvizte në një rrugë rurale rreth orës 14:10 të së premtes, kur papritmas përshpejtoi dhe u përplas me një kamion.

    “Në një rrugë të drejtë midis dy kthesave, në një kthesë djathtas, ai u përpoq të parakalonte një makinë tjetër,” tha Matthias Bekermann, zëdhënës i policisë, për Bild.

    Pas parakalimit, pjesa e pasme e BMW-së u shkëput në rrugën e lagësht. Makina doli në trafikun që vinte përballë dhe u përplas me një kamion. Forca e impaktit shkëputi rimorkion e kamionit, të ngarkuar me një ekskavator, nga rruga dhe e hodhi midis kamionit dhe rimorkios së furgonit që BMW sapo kishte parakaluar.

    Policia po heton rrethanat e aksidentit.

  • Dy vjet nga vrasja, vëllai i Liridona Ademajt: Nuk pajtohemi me faktin që nuk je, do të luftojmë deri në frymën e fundit për të kërkuar drejtësi

    Dy vjet nga vrasja, vëllai i Liridona Ademajt: Nuk pajtohemi me faktin që nuk je, do të luftojmë deri në frymën e fundit për të kërkuar drejtësi

    Janë bërë dy vjet prej vrasjes së Liridona Ademajt që ndodhi në sy të fëmijëve të saj e me porosinë e bashkëshortit të saj Naim Murseli për të cilin tashmë ka edhe një aktakuzë e po gjykohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

    Në këtë përvjetor e ndjera është kujtuar nga vëllai i saj Leonard Ademaj, i cili thotë se malli për të shtohet çdo ditë e nuk mund të pajtohet me faktin që më nuk është në mesin e tyre, duke theksuar se mungesa e saj vërehet në çdo kohë.

    “Sot bëhen 2 vite që nga ikja jote Motër. Malli për ty shtohet çdo ditë, mungesa jote vërehet në çdo kohë. Këto 2 vite nuk ishin të lehta për ne si familje nuk mundemi asesi të pajtohemi me faktin qe ti nuk je më ne mesin tonë. Na ka marrë malli shumë për prezencën tënde asgjë më nuk është e njejtë”, ka shkruar Leonardi.

    Teksa shkruan për mungesën e saj, Leonard Ademaj thotë se do të luftojnë deri në frymën e fundit për të kërkuar drejtësi, duke shtuar se vitet po ecin e akoma po përballen me kriminelët që padrejtësisht ia morën jetën.

    “Vitet po ecin shpejtë e ne akoma po ballafaqohemi me kriminelët të cilët padrejtësisht të morën nga ne. Do të luftojmë deri në frymën e fundit duke kërkuar drejtësi për ty Motër. Kriminelët duhet të marrin dënimin e merituar. Të kujtojmë me mallë e shumë dashuri Familja Ademaj dhe djemtë Diar&Dion”, ka shkruar vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi.

  • ShBA-ja ndalon përkohësisht shqyrtimin e të gjitha kërkesave për azil

    ShBA-ja ndalon përkohësisht shqyrtimin e të gjitha kërkesave për azil

    Administrata e presidentit Donald Trump ka pezulluar të gjitha vendimet për kërkesat e azilit, pas sulmit në Washington ku u qëlluan dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare, ka bërë të ditur drejtori i Shërbimit të Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së (USCIS), Joseph Edlow.

    Në një postim në X të premten, Edlow ka thënë se ky pezullim do të qëndrojë në fuqi “derisa të sigurohemi se çdo i huaj është kontrolluar dhe verifikuar në shkallën maksimale të mundshme”.

    Njoftimi erdhi pak orë pasi presidenti Trump premtoi se do ta pezullojë përgjithmonë migrimin drejt SHBA-së nga të gjitha vendet e botës së tretë.

    Të enjten, Trumpi njoftoi se një pjesëtare e Gardës Kombëtare kishte vdekur nga plagët e marra në sulmin e së mërkurës, për të cilin fajësohet një shtetas afgan.

    Zyrtarët e USCIS-it, që funksionon nën Departamentin e Sigurisë së Brendshme, janë urdhëruar të mos aprovojnë, refuzojnë apo mbyllin asnjë kërkesë për azil të paraqitur nga cilido nacionalitet, shkruan BBC.

    Punonjësit mund të vazhdojnë shqyrtimin teknik të aplikimeve, por pa marrë vendim përfundimtar.

    “Pasi të arrini në fazën e vendimmarrjes, ndaloni dhe mbani dosjen”, thuhej në udhëzimin e brendshëm.

    Ende ka pak detaje për pezullimin e vendimeve dhe deklaratat e mëhershme të Trumpit. Presidenti nuk ka specifikuar se cilat vende (të botës së tretë) mund të preken nga ky vendim, i cili pritet të përballet me sfida ligjore dhe tashmë ka ngjallur reagime nga agjencitë e OKB-së.

  • Edi Rama e nis ditën me urimin për festën kombëtare të çlirimit

    Edi Rama e nis ditën me urimin për festën kombëtare të çlirimit

    Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka nisur mëngjesin e kësaj të shtunë me urimin për festën kombëtare të çlirimit.

    “MIRËMENGJES dhe me urimin për festën kombëtare të çlirimit, ju uroj të gjithëve një fundjavë të paqtë”, ka uruar Rama.

    Shqiptarët festojnë sot 29 Nëntorin, Ditën e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë.

    Mijëra dëshmorë do të kujtohen si çlirimtarët e vendit pasi ata sakrifikuan gjithçka për lirinë e Shqipërisë.

    Politika shqiptare e feston sërish e ndarë Ditën e Çlirimit të vendit, edhe pse 29 Nëntori është data zyrtare e kujtimit të kësaj dite.

    Të majtët respektojnë 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë dhe 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit, ndërkohë që të djathtët i përkujtojnë të dy festat më 28 Nëntor.

    Debati për Festën e Çlirimit mbetet ende i ndezur në politikën shqiptare, ku e djathta ndjek të njëjtin model si gjatë mandatit të saj të parë qeverisës, kur ndryshoi datën e Çlirimit, nga 29 Nëntori më 28 Nëntor, pasi sipas saj, kjo e fundit ishte zgjedhur nga regjimi komunist duke falsifikuar historinë.

    Por 29 Nëntori e fitoi sërish statusin e Ditës së Çlirimit kur e majta erdhi në pushtet, në verën e vitit 1997, kur me një ligj të posaçëm u kthye në festë zyrtare.

    Shqipëria në Luftën e Dytë Botërore ishte një nga vendet e pushtuara nga blloku nazifashist. Në fund të nëntorit 1944, pas çlirimit të Tiranës dhe shumë qyteteve të tjera, më 29 nëntor u arrit që të çlirohej edhe Shkodra që njihet në histori si qyteti i fundit që ka fituar betejën me armikun.

  • Një vit nga shpërthimi në Ibër Lepenc, askush nuk u vë para përgjegjësisë

    Një vit nga shpërthimi në Ibër Lepenc, askush nuk u vë para përgjegjësisë

    Sot është bërë një vit nga shpërthimi terrorist serb që ndodhi në kanalin Ibër-Lepenc, në fshatin Varagë në Zubin Potok. Aty ku ishte përdorur rreth 20 kilogramë eksplozivë, me qëllimin për ta hedhur në erë kanalin, e që paraqiti sulmin më të rëndë ndaj infrastrukturës kritike që ka ndodhur që nga paslufta.

    E dëmi i shkaktuar është vlerësuar në rreth 400 mijë euro.

    Derisa Serbia u akuzua për akt terrorist, ata mohuan akuzat.

    Mirëpo as kur ka kaluar një vit nga sulmi rrethanat e ngjarjes ende janë të paqarta, madje për këtë nuk ka as aktakuzë e as përgjegjësi.

    Megjithatë në hetim për ta zbardhur rastin janë përfshirë edhe agjentë të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI).

    Derisa edhe ndërkombëtarët heshtin për të dhënë informacione, janë institucionet e Kosovës ato të cilat kanë arrestuar dhjetëra persona nën dyshimin se janë të përfshirë në shpërthim dhe kanë sekuestruar armë dhe eksplozivë.

    Në paraburgim u dërgua  Dragisha dhe Jovan Viçentijeviq janë dërguar në paraburgim.

    SERBIA PËRGJEGJËSE

    Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë më herët se pas sulmit qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

    Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023, kur u vra një polic i Kosovës, ndërsa në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – tani në detyrë – tha se ka informacione të inteligjencës se shteti i Serbisë ishte përgjegjës për financimin, planifikimin dhe logjistikën e sulmit në Ibër-Lepenc.

    Por, ambasadori i atëhershëm amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se SHBA-ja “nuk sheh asnjë provë që çon drejt Beogradit” lidhur me këtë rast.

  • Gjueti e paligjshme në Koshare – pesë persona kapen nga Policia, sekuestrohen armë dhe derri i vrarë

    Gjueti e paligjshme në Koshare – pesë persona kapen nga Policia, sekuestrohen armë dhe derri i vrarë

    Një rast i rëndë i gjuetisë së kundërligjshme është regjistruar paraditen e së premtes në fshatin Koshare të Gjakovës, ku pesë persona dyshohet se janë kapur duke gjuajtur brenda zonës së parkut nacional.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:54, kur Policia ka marrë informacion nga një burim i besueshëm, nga struktura të afërta me hetimin, se disa persona po lëviznin me armë gjuetie dhe qen gjuetie, duke ushtruar aktivitet të ndaluar në territor të mbrojtur.

    Patrulla ka shkuar menjëherë në lokacion, ku ka lokalizuar dhe ndaluar pesë personat e dyshuar dhe sipas të dhënave që ka mësuar Sinjali, të dyshuarit ishin duke kryer gjueti të kundërligjshme dhe kishin vrarë një derr të egër, i cili është gjetur në vendngjarje.

    Policua tha se gjatë kontrollit dhe bastisjeve janë gjetur dhe konfiskuar armë ilegale, fishekë, tre radiolidhje, një thikë, një pushkë gjahu kal. 12 mm, një pushkë gjysmë automatike, një pushkë karabinë gjuetie.

    Ndërkohë, armët e sekuestruara janë dërguar për procedura të mëtejme, ndërsa derri i vrarë është groposur në një vend të sigurt në koordinim me Drejtorinë Komunale të Bujqësisë.

    Pesë personat janë arrestuar, intervistuar dhe me urdhër të Prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Hetimet për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Gjuetia e kundërligjshme” po vazhdojnë.

  • Gjendet pa shenja jete një i mitur në Prizren

    Gjendet pa shenja jete një i mitur në Prizren

    Një i mitur është gjetur pa shenja jete nga familjarët e tij të premten në Prizren.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës thuhet se i mituri u dërgua në Spitalin e Prizrenit e ku aty iu konstatua vdekja.

    “Fsh.Reqan, Prizren 28.11.2025-20:30. Raportohet se nga familjaret është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar, i mitur. Viktima është dërguar në Spitalin e Prizrenit, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

  • Vasfije Krasniqi lë amanet: S’dua të pame, as varrim tradicional, s’dua…!

    Vasfije Krasniqi lë amanet: S’dua të pame, as varrim tradicional, s’dua…!

    Ish-deputetja, Vasfije Krasniqi, ka ndarë një mesazh emocional në llogarinë e saj në Facebook.

    E njohur si gruaja që doli publikisht për të rrëfyer tmerrin e përjetuar nga dhuna seksuale gjatë luftë së fundit në Kosovë, Vasfija ka një mesazh për të gjithë: s’dëshiron varrim tradicional e as të pame, në ditën kur të vdesë.

    “Nuk dua foto nëpër rrjete sociale, statuse dramatike, intervista familjarësh, as “klikime” me emrin tim.

    Nëse s’ke qenë pjesë e jetës sime, s’ke nevojë të jesh as pjesë e kujtimit tim” shkroi ajo.

    Ky është postimi i saj:

    Një ditë, kur të mos jem më,

    Nuk dua varrim tradicional. Nuk dua të pame. Nuk dua vizita, ngushëllime, radhë njerëzish as ceremoni që bëhen nga zakoni e jo nga zemra.

    Dua kremacion, dhe vetëm një memorial të vogël, me më pak se 10 persona — njerëzit që vërtet kanë qenë pranë meje gjatë jetës, jo ata që kujtohen vetëm kur vjen koha për t’u dukur.

    Nuk dua foto nëpër rrjete sociale, statuse dramatike, intervista familjarësh, as “klikime” me emrin tim.

    Nëse s’ke qenë pjesë e jetës sime, s’ke nevojë të jesh as pjesë e kujtimit tim.

  • Gjermania ka një plan sekret lufte – përmban 1200 faqe dhe përfshin 800 mijë ushtarë

    Gjermania ka një plan sekret lufte – përmban 1200 faqe dhe përfshin 800 mijë ushtarë

    Deri kohët e fundit, e ashtuquajtura Plani Operativ i Gjermanisë ishte i klasifikuar, tani është e qartë se në rast të një konflikti të armatosur, Gjermania do të shërbente si një nyje kyçe për mbrojtjen e NATO-s, në një qasje që kujton epokën e Luftës së Ftohtë.

    Gjermania po zbatojnë një plan masiv mbrojtjeje për t’u përgatitur për një luftë të mundshme me Rusinë, që përfshin lëvizjen e deri në 800 mij trupave të NATO-s përmes territorit të saj, sipas një dokumenti të rrjedhur prej 1200 faqesh të Bundeswehr-it.

    Plani Operativ i Gjermanisë (OPLAN DEU), hartuar rreth dy e gjysmë vjet më parë, tani po zbatohet “me shpejtësi të plotë”, ndërsa zyrtarët gjermanë paralajmërojnë se Rusia mund të jetë e gatshme të sulmojë një vend të NATO-s që nga viti 2028, raportoi Wall Street Journal.

    Ky plan synon të sigurojë që vendimet politike gjatë një krize ose konflikti të merren shpejt, në përputhje me kushtetutën, dhe në mënyrë të koordinuar që lejon veprime të shpejta.

    Sipas dokumentit të Bundeswehr-it, OPLAN DEU është projektuar për të përputhur kapacitetin e fillimit të ftohtë të Gjermanisë, gatishmërinë për luftë dhe qëndrueshmërinë me sfidat aktuale të sigurisë.

    Sipas raporteve, plani merr një qasje gjithëpërfshirëse, duke integruar ngushtë funksionet civile dhe ushtarake.

    Ndërsa koncepti i tij kujton strategjitë e epokës së Luftës së Ftohtë, ai është përditësuar për të pasqyruar sfidat moderne si infrastruktura e vjetruar, pengesat burokratike dhe mungesat e personelit.

    Zbatimi i planit mund të rezultojë sfidues për shkak të infrastrukturës së vjetruar si ura të shembura, tunele të ngushta dhe porte në gjendje të keqe, si dhe pengesave burokratike, kapaciteteve të kufizuara ushtarake dhe koordinimit të dobët me agjencitë civile, sipas raporteve.

    “Red Storm Bravo”

    Në fund të muajit shtator, Komanda Shtetërore e Hamburgut zhvilloi stërvitjen “Red Storm Bravo” për të praktikuar vendosjen e trupave. Një zëdhënës i tha Euronews se ushtrimi do të përfshinte mbërritjen e simuluar të forcave të NATO-s, duke u lëvizur së bashku në një kolonë drejt lindjes.

    Konvoja e stërvitjes, që ishte planifikuar të udhëtonte pa ndalim, u vonua nga hapësirat e gjata midis automjeteve, një dron i simuluar dhe një protestë e inskenuar, duke përshkuar më pak se dhjetë kilometra në dy orë.

    Plani i rrjedhur operativ vëren se stërvitje të tilla tregojnë se edhe operacionet më bazike – kalimi i kryqëzimeve, menaxhimi i protestave ose mbrojtja nga dronët – mund të bllokohen lehtësisht në një krizë të vërtetë.

    Kompani private janë qendrore për kapërcimin e këtyre sfidave brenda OPLAN DEU. Për shembull, Rheinmetall ofron kampe të përkohshme, furnizon trupat dhe instalon infrastrukturë kyçe, si dushe, stacione karburanti dhe kuzhina fushore.

    Përfshirja e sektorit privat

    Plani kërkon përdorimin e dronëve për të zbuluar dhe kundërshtuar sabotimet. Aeronavet pa pilot kanë për detyrë të mbrojnë infrastrukturën kritike – duke përfshirë portet, rrugët dhe hekurudhat – dhe të identifikojnë kërcënimet e mundshme herët.

    Edhe pse konsiderohen thelbësorë për logjistikën dhe sigurinë në kohë lufte, sfida teknike, ligjore dhe organizative vazhdojnë të mbeten.

    Paul Strobel, zëdhënës i kompanisë gjermane të dronëve Quantum Systems, tha se dronët e shitur Bundeswehr-it nuk lejohen të fluturojnë mbi zona të banuara dhe duhet të pajisen ligjërisht me drita pozicionimi.

    Në vijim të incidenteve me dronë rusë në Poloni, BE-ja propozoi të ashtuquajturin “mur dronësh” për të mbrojtur krahun lindor të NATO-s. Strobel i tha Euronews se si një sistem i tillë mund të funksionojë në praktikë.

    OPLAN DEU liston sabotimin si një nga kërcënimet më të mëdha, duke synuar infrastrukturën kritike si hekurudhat dhe rrugët. Këto sulme ndonjëherë kryhen nga të ashtuquajturit “agjentë të nivelit të ulët”.

    Vera e fundit e paqes?

    Zyrtarët gjermanë sugjerojnë se Rusia mund të jetë gati të sulmojë një vend të NATO-s që nga viti 2029, ndërsa aktet e sabotimit, spiunazhi dhe incidente të tjera shihen si shenja paralajmëruese të mundshme.

    Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, i tha së fundmi gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung se Rusia është “duke rindërtuar shpejt arsenalet e saj, pavarësisht luftës në Ukrainë”.

    Ai gjithashtu ngriti mundësinë që një sulm ndaj aleancës mund të vijë edhe më herët.

    “Ekspertët ushtarakë dhe shërbimet e inteligjencës mund të vlerësojnë përafërsisht se kur Rusia do t’i ketë rindërtuar forcat e saj të armatosura mjaftueshëm për të goditur një vend të NATO-s në lindje”, tha Pistorius.

    “Ne gjithmonë kemi thënë se kjo mund të ndodhë nga viti 2029. Tani, disa sugjerojnë se mund të ndodhë që në vitin 2028, dhe disa historianë ushtarakë madje argumentojnë se vera e kaluar mund të ketë qenë e fundit e paqes”, shtoi ai.