ATV

Category: Lajme

  • Kosova shpallet zyrtarisht vend i sigurt për azil nga BE-ja

    Kosova shpallet zyrtarisht vend i sigurt për azil nga BE-ja

    Bashkimi Evropian ka shpallur Kosovën dhe 7 vende të tjera si “të sigurta” për azil. BE ka miratuar vendet e treta të sigurta, në mesin e të cilave përfshihet edhe Kosova.

    Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të lëshuar nga Këshilli Evropian.

    “Sot, Këshilli ka miratuar qëndrimin e tij mbi dy aktet ligjore të BE-së, të cilat do të forcojnë zbatimin praktik të koncepteve kryesore mbi vendet e sigurta në rregullat e azilit të BE-së. Këto ligje të reja për migracionin synojnë të vendosin procedura më të shpejta dhe më efektive të azilit për ata që nuk duhet të marrin mbrojtje brenda BE-së”, thuhet në komunikatë.

    Kosova në listën e vendeve të sigurta të origjinës

    Sipas vendimit të Këshillit, Kosova është përfshirë si vend i sigurt i origjinës. Kjo do të thotë se aplikimet për azil nga qytetarët kosovarë mund të trajtohen në mënyrë të përshpejtuar. Vendosja e Kosovës në listë bazohet në vlerësimin se vendi ofron mbrojtje të mjaftueshme kundër persekutimit dhe shkeljeve të rënda të të drejtave themelore.

    Megjithatë, kjo nuk do të thotë se çdo kërkesë azili nga Kosova do të refuzohet automatikisht — çdo aplikim individual mund të shqyrtohet nëse ekzistojnë arsye specifike për mbrojtje.

    Në njoftim sqarohet se rregullorja e re, që rishikon konceptin e vendit të sigurt të tretë, do të zgjerojë rrethanat në të cilat një kërkesë për azil mund të refuzohet si e papranueshme.

    “Këshilli gjithashtu ka përfunduar një pjesë të rëndësishme të Pakos për Migracion dhe Azil 2024, duke miratuar për herë të parë listën e përbashkët të BE-së të vendeve të sigurta të origjinës, e cila do t’u mundësojë shteteve anëtare të përpunojnë kërkesat për mbrojtje ndërkombëtare në mënyrë të përshpejtuar”.

    Pas Kosovës, si vende zyrtarisht të sigurta janë cilësuar edhe Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia.

    “Për qytetarët që vijnë nga këto shtete do të aplikohen procedura të përshpejtuara, të cilat në shumicën e rasteve pritet të përfundojnë me refuzim të kërkesës për azil ose me zhvendosjen e shqyrtimit të saj në një vend të tretë të sigurt, nga i cili kanë kaluar”.

    Koncepti i vendit të sigurt të tretë u mundëson shteteve anëtare të refuzojnë kërkesat për azil kur aplikantët mund të kenë kërkuar mbrojtje në një vend jo-BE të konsideruar të sigurt. Rregullorja e re zgjeron rrethanat në të cilat një kërkesë mund të refuzohet si e papranueshme dhe parashikon që shqyrtimi i kërkesave të mund të kryhet edhe në vende të treta të sigurta.

  • Hysen Sali Cekaj tërhiqet nga gara për deputet për t’u kujdesur për nënën

    Hysen Sali Cekaj tërhiqet nga gara për deputet për t’u kujdesur për nënën

    Hysen Sali Cekaj, anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka njoftuar sot se nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme. Në një komunikim drejtuar familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve, ai tha se vendimi vjen për shkak të përgjegjësive familjare, veçanërisht përkujdesjes ndaj nënës së tij, e cila ka nevojë për praninë e tij më shumë se kurrë.

    “Siç e keni parë, kësaj radhe nuk do të jem kandidat për Kuvendin e Kosovës. Vullnetin, energjinë dhe bindjen për fitoren tonë të përbashkët i kam të plota. Por, përballë përgjegjësive që kam ndaj familjes sime, e sidomos ndaj nënës time, me keqardhje ju njoftoj se nuk do të jem pjesë e listës,” ka deklaruar Cekaj.

    Ai theksoi se përkundër moskandidimit, angazhimi i tij politik nuk do të ndalet. Cekaj tha se do të vazhdojë të jetë aktiv në organizimin e mërgatës, duke apeluar që bashkatdhetarët të përkrahin Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe ndryshimin që, sipas tij, vendi ka nevojë urgjente.

    “Ky vendim nuk e ndalon angazhimin tim. Përkundrazi — mbetem plotësisht aktiv në organizimin e mërgatës sonë të mrekullueshme. I ftoj të gjithë bashkatdhetarët e mi në përkrahje të LDK-së dhe të ndryshimit të domosdoshëm për Kosovën,” u shpreh ai.

    Cekaj u shpreh i bindur se në zgjedhjet e ardhshme do të rikthehet edhe më fuqishëm në garë dhe në angazhimet e tij për LDK-në dhe vendin. Ai falënderoi të gjithë ata që e kanë kontaktuar pas marrjes së lajmit, duke kujtuar se mbështetja e mërgatës e kishte bërë atë kandidatin më të votuar në zgjedhjet e kaluara.

  • Mbretëria e Bashkuar vendos dronë nënujore për të monitoruar anijet spiune ruse

    Mbretëria e Bashkuar vendos dronë nënujore për të monitoruar anijet spiune ruse

    Londra po teston një flotë dronësh nënujore për të ndjekur anijet spiune ruse pranë brigjeve britanike, si pjesë e strategjisë së re të Marinës Mbretërore për të mbrojtur bregdetet dhe infrastrukturat kritike. Dronët, të njohur si SG Fathom ose “glidera nënujore”, janë si torpedo të pilotuara nga distanca dhe mund të patrullojnë nën ujë për ditë të tëra, duke lëvizur në heshtje.

    Katie Raine, përgjegjëse e programit Fathom, tha për BBC-në se dronët monitorojnë thellësitë e oqeanit dhe identifikojnë kërcënimet më shpejt se më parë.

    Nëse provat rezultojnë të suksesshme, Fathom mund të integrohet në Atlantic Bastion, një rrjet dronësh, anijesh luftarake dhe avionësh survejimi për të mbrojtur infrastrukturat nënujore.

    Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar për një rritje të aktivitetit nënujor rus, me një shtim prej 30% të anijeve që kërcënojnë ujërat britanike në dy vitet e fundit.

    Strategjia britanike synon jo vetëm mbrojtjen e Marinës Mbretërore, por edhe sigurinë e kabllove nënujore dhe objektivave të tjerë jetikë, pas incidenteve si ai i muajit të kaluar me anijen ruse Yantar, e cila përdori lazer kundër pilotëve të RAF-it që e monitoronin.

  • Osmani uron Sirinë për Ditën e Çlirimit: Të dy vendet tona kanë njohur kapitujt më të errët të shtypjes

    Osmani uron Sirinë për Ditën e Çlirimit: Të dy vendet tona kanë njohur kapitujt më të errët të shtypjes

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dërguar një mesazh urimi për Ditën e Çlirimit të Sirisë, në përvjetorin e parë historik të këtij momenti, duke theksuar lidhjet e thella mes dy popujve që kanë kaluar nëpër dekada shtypjeje, dhimbjeje dhe luftë për liri.

    Në fjalimin e saj në “X”, Osmani u shpreh se kjo ditë nuk simbolizon vetëm rikthimin e lirisë, por edhe “rilindjen e shpresës së popullit”.,

    Presidentja kujtoi se viti 2025 shënoi një kapitull të ri historik me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Sirisë.

    “Gëzuar Ditën e Çlirimit të gjithë popullit të Sirisë. Me nder të thellë ju drejtohem sot në emër të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, ndërsa shënoni këtë përvjetor historik të parë të çlirimit tuaj. Kjo është një ditë që simbolizon jo vetëm lirinë e rifituar, por edhe rilindjen e shpresës së popullit. Të dy vendet tona, Kosova dhe Siria, kanë njohur kapitujt më të errët të shtypjes, padrejtësisë dhe vuajtjeve të paimagjinueshme. Por ne gjithashtu kemi ditur se çfarë do të thotë të ngrihesh, të transformosh dhimbjen në qëllim dhe forcë. Ne kemi qëndruar të vendosur në besimin tonë se asnjë forcë nuk mund ta shuajë dëshirën e një populli për liri dhe kemi mësuar se drejtësia, megjithëse e vonuar, gjithmonë gjen një zë. Për popullin e Kosovës, liria u fitua përmes kaq shumë sakrificash dhe guximi dhe ne e dimë se i njëjti shpirt përcakton popullin e Sirisë, i cili ka duruar kaq shumë, por kurrë nuk e ka hequr dorë nga besimi i tij në një të nesërme më të mirë. Është ky shpirt i përbashkët i qëndrueshmërisë, dinjitetit dhe shpresës që i lidh dy vendet tona së bashku.

    Këtë vit, filloi një kapitull i ri midis Republikës së Kosovës dhe Republikës Arabe Siriane me një njohje të ndërsjellë midis dy vendeve tona. Kjo njohje është një lidhje morale midis dy popujve që e kuptojnë koston e lirisë dhe vlerën e të qëndruarit krah për krah për një botë më të drejtë. Jemi të entuziazmuar nga ajo që na pret në partneritetin tonë. Republika e Kosovës është e përkushtuar të punojë ngushtë me ju në vitet që vijnë, duke i afruar dy kombet tona edhe më shumë në miqësi dhe bashkëpunim. Të dashur miq në Siri, ju lutem dijeni se Kosova është me ju. Ne do të jemi partneri juaj, miku juaj dhe aleati juaj në çdo hap të rrugës. Nga Prishtina në Damask, zemrat tona rrahin si një e vetme, për liri, për dinjitet dhe për miqësinë e qëndrueshme midis dy vendeve tona. Gëzuar Ditën e Çlirimit”, ka thënë Osmani.

  • “Kujdes nga lajmet e rreme!”: Ambasada zvicerane reagon ndaj lajmit se “Zvicra ‘hap dyert’ për 85 mijë vende pune për të huajt”

    “Kujdes nga lajmet e rreme!”: Ambasada zvicerane reagon ndaj lajmit se “Zvicra ‘hap dyert’ për 85 mijë vende pune për të huajt”

    Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka reaguar pas publikimit të një lajmi edhe në mediat në Kosovë ku pretendohej se “Zvicra ‘hap dyert’ për 85 mijë vende pune për të huajt – me paga deri në 6.500 euro”.

    Dhe sipas reagimit të ambasadës zvicerane, ky informacion është i rremë dhe kuotat për shtetasit e vendeve të treta (shtetet jo-Shengen) mbeten të pandryshuara për vitin 2026.

    “Kujdes nga lajmet e rreme! Kohët e fundit, mediat sociale dhe gazetat online kanë përhapur pretendime se Zvicra po hap tregun e saj të punës për 85,000 punëtorë të huaj. Këto raportime janë të rreme!”, është thënë në fillim të reagimit të ambasadës zvicerane.

    Më pas theksohet se “siç thuhet në njoftimin zyrtar për shtyp të 19 nëntorit 2025, Këshilli Federal Zviceran ka vendosur të ruajë kuotat ekzistuese për shtetasit e vendeve të treta (shtetet jo-Shengen) për vitin 2026”.

    “Një maksimum prej 8,500 punëtorësh dhe specialistësh të kualifikuar nga vendet e treta mund të rekrutohen në Zvicër vitin e ardhshëm. Kjo përfshin 4,500 leje qëndrimi (B) dhe 4,000 leje afatshkurtra (L)”, ka shtuar reagimi i Ambasadës së Zvicrës në Kosovë.

  • Jetonte e vetme, e moshuara gjendet e pajetë në banesën e saj në Korçë

    Jetonte e vetme, e moshuara gjendet e pajetë në banesën e saj në Korçë

    Një 70-vjeçare është gjetur e pajetë në banesën e saj në Korçë.

    Sipas informacioneve paraprake, mësohet se e moshuara jetonte e vetme në një pallat në lagjen nr 17.

    Ka qenë fëmija i saj që ka lajmëruar policinë pasi prej disa ditësh nuk e kishte parë të moshuarën.

    Dyshohet që e moshuara të ketë disa ditë që ka ndërruar jetë, ndërsa nga kqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune.

    Pritet që trupi ti nënshtrohet ekspertizës mjeko ligjore për të zbardhur shkakun e vdekjes.

    Grekët të palëkundur, vijojnë protestat, fermerët të vendosur t’i vazhdojë bllokadat
    Read more

  • Skandal në librat shkollorë në Maqedoninë e Veriut, Kosova quhet Metohi

    Skandal në librat shkollorë në Maqedoninë e Veriut, Kosova quhet Metohi

    Analistja, Nafie Selmani ka publikuar në rrjetet e saj sociale një skandal të regjistruar në libarat në Maqedoninë e Veriu. Selmani ka ndarë foto nga një faqe e librit të gjeografisë ndërsa i referohet rajonit të Dukagjinit si Metohi.

    Selmani në një lidhje live në Euronews Albania e ka cilësuar këtë një skandal dhe një gabim të rëndë. Ajo theksoi se botimi i librit të gjeografisë së klasës së 7-të është publikuar në gushtin e këtij viti dhe se termi Metohi është një gabim i rëndë identitar.

    “Teksti është i librit të gjeografisë konkretisht të klasës së 7-të. Fotoja erdhi nga një prind i shqetësuar nga ky skandal sepse nuk mund ta llogarisim një lapsus të tillë pasi libri është publikuar në gusht 2025 dhe i ka kaluar të gjitha filtrave që kërkohen konform i ligjeve aktuale të Maqedonisë së Veriut. Rajonit të Dukagjinit i referohet si Metohi dhe është një gabim i rëndë historik dhe identitar”, u shpreh ajo.

  • Vëllai i Festim Isufit thotë se autopsinë e tij do ta çojnë në Gjermani

    Vëllai i Festim Isufit thotë se autopsinë e tij do ta çojnë në Gjermani

    Më 9 maj të këtij viti, dizajneri i njohur Festim Isufi, u gjet i vdekur në banesën e tij në rrugën B, në Prishtinë.

    Familja e të ndjerit, po dyshon se më i dashuri i tyre është vrarë nga një person i tretë, pasi në momentin kritik, pranë tij gjendej edhe bashkëshortja, Rina Maloku, e cila kishte pësuar plagë.

    Por, një dyshim i tillë, nuk është përmendur nga organet e rendit.

    Ndërkohë, vëllai i Festimit, Lulzim Isufi, ka bërë të ditur se autopsinë e vëllait të tij, do ta dërgojnë edhe në Gjermani.

  • Bedri Hamza i kërkon BE-së t’i heqë sanksionet pavarësisht se kush do ta udhëheqë Kosovën

    Bedri Hamza i kërkon BE-së t’i heqë sanksionet pavarësisht se kush do ta udhëheqë Kosovën

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ia ka dërguar një letër zyrtare presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ku kërkon heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të masave të BE-së ndaj Kosovës. Në tekstin e letrës bie në sy një qasje që shkon përtej interesit partiak dhe zgjedhor, duke e vendosur perspektivën europiane të Kosovës mbi çdo rivalitet politik.

    Në qendër të mesazhit të tij, Hamza thekson se Kosova duhet trajtuar si çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se sanksionet po e dëmtojnë vendin në momente kyçe për integrimin europian dhe euroatlantik.

    “Vendit tonë duhet t’i jepen të njëjtat mundësi, mjete dhe mbështetje si të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE-së dhe NATO-s”, shkruan ai.

    Duke reflektuar mbi vitin sfidues që ka kaluar Kosova, me tri procese zgjedhore brenda një viti, Hamza shpjegon se këto janë dëshmi të “qëndrueshmërisë dhe pjekurisë së demokracisë së Kosovës”.

    Ai thotë se proceset zgjedhore janë zhvilluar “demokratikisht, me transparencë dhe paqësisht”, pavarësisht bllokadës së mëvonshme politike.

    Në letrën e tij, Hamza risjell në vëmendje sakrificat dhe obligimet që Kosova ka marrë përsipër në rrugën e integrimit, përfshirë edhe krijimin e Dhomave të Specializuara. Ai e quan këtë një kërkesë të imponuar vetëm mbi Kosovën, e cila “fatkeqësisht është shndërruar në një instrument monoetnik”.

    Por, pjesa më shprehëse e letrës është thirrja e tij për unitet dhe qasje të përbashkët shtetërore ndaj interesave strategjike.

    “Pavarësisht se kush do t’i udhëheqë institucionet e Kosovës pas zgjedhjeve, vendi ynë duhet të ketë të njëjtat mjete dhe mbështetje si të gjitha të tjerat në rajon. Vazhdimi i masave e privon Kosovën nga këto mundësi dhe rrezikon të minojë vlerat demokratike dhe proevropiane”.

    Kjo fjali e përmbledh filozofinë e letrës: çështja e sanksioneve nuk është e një qeverie apo partie, por e vetë shtetit të Kosovës.

    Në përmbyllje, Hamza i bën thirrje BE-së që të dërgojë një sinjal të fortë mbështetjeje ndaj qytetarëve të Kosovës, duke kërkuar vendimin që do t’i hapte rrugë një faze të re të marrëdhënieve.

    “Kërkoj me respekt heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të të gjitha masave të BE-së ndaj Kosovës”.

    Letra reflekton një pozicion që Hamza e paraqet jo vetëm si lider partie, por edhe si një figurë burrështetasi që synon stabilitet, partneritet dhe trajtim të drejtë të Kosovës në proceset euroatlantike.

  • PDK dështon ta zgjedhë kryesuesin e Kuvendit në Kaçanik – opozita braktis sallën

    PDK dështon ta zgjedhë kryesuesin e Kuvendit në Kaçanik – opozita braktis sallën

    Është betuar kryetari i ri i komunës, Sabedin Vishi, seanca e Kuvendit të Kaçanikut u shndërrua në skenë tensioni politik, pasi PDK nuk arriti ta sigurojë zgjedhjen e kryesuesit të kuvendit.

    Pikërisht në momentin kur duhej të procedohej me votimin, partitë opozitare reaguan ndaj propozimit të PDK-së dhe braktisën sallën, duke e lënë subjektin fitues pa kuorum dhe duke e pamundësuar procesin.

    Kështu, PDK pati dështimin e parë institucional pas zgjedhjeve, duke mos arritur të konsolidojë udhëheqjen e kuvendit, ndërkohë që seanca u ndërpre dhe pritet të thirret përsëri në ditët në vijim.