ATV

Category: Lajme

  • KEK-u thotë se nuk ka mungesë të prodhimit me energji elektrike

    KEK-u thotë se nuk ka mungesë të prodhimit me energji elektrike

    Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka mungesë të prodhimit me energji elektrike dhe se është duke përmbushur obligimet operacionale dhe kontraktuale për të siguruar stabilitet me furnizim me energji elektrike.

    Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli ka thënë se KEK sot është duke operuar me njësinë A4 të TC Kosova A, si dhe me njësitë B1 dhe B2 të TC Kosova B, me një kapacitet të përgjithshëm prodhues prej 14,640 MWh.

    “Vlen të theksohet se njësia A3 ka qenë në remont që nga data 31 tetor dhe, pas startimit të saj, është vlerësuar nevoja për ndërhyrje dhe sanime shtesë teknike gjatë kësaj jave. Megjithatë, sasia e energjisë së kësaj njësie është kompensuar dhe, bazuar në planin e nominuar nga KEK, nuk ka mungesë të prodhimit me energji elektrike Gjithashtu, ju informojmë se KEK është duke përmbushur në mënyrë të rregullt të gjitha obligimet e saj operacionale dhe kontraktuale, duke siguruar stabilitet në furnizim dhe funksionim të pandërprerë të sistemit energjetik”, ka thënë ai për Tëvë1.

  • Orav takohet me kryetarët serbë në veri, mirëpret dorëzimin e qetë të pushtetit lokal

    Orav takohet me kryetarët serbë në veri, mirëpret dorëzimin e qetë të pushtetit lokal

    Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav ka takuar katër kryetarët e rinj të komunave veriore.

    Ai ka përshëndetur dorëzimin pa probleme të qeverisjes lokale, një proces i cili, sipas tij, është realizuar plotësisht në përputhje me ligjin e Kosovës.

    Në një postim në Facebook nga Zyra e BE-së në Kosovë, thuhet se Orav ka nënvizuar se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre lokale mbetet kyç.

    “Gjatë takimit me 4 kryetarët e rinj të kumunave veriore të mbajtur sot në Zveçan, Ambasadori i BE-së, Orav, mirëpriti dorëzimin e qetë të pushtetit lokal, në përputhje me ligjin e Kosovës.

    Ai përsëriti nevojën për një angazhim konstruktiv midis autoriteteve qendrore dhe lokale dhe mbështetjen e BE-së për realizimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë sipas Kushtetutës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyres së BE-së në Facebook.

  • Të mërkurën Gjykata Kushtetuese hap dyert për qytetarët

    Të mërkurën Gjykata Kushtetuese hap dyert për qytetarët

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka njoftuar se të mërkurën, më 10 dhjetor 2025, do të organizojë aktivitetin “Dita e Gjykatës së Hapur”, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

    Sipas njoftimit, në kuadër të këtij aktiviteti, qytetarët me theks të veçantë studentët e drejtësisë, përfaqësuesit e komunitetit juridik dhe vizitorët e tjerë do të kenë mundësinë të vizitojnë objektin e Gjykatës Kushtetuese.

    Ata do të njoftohen nga afër me ambientet e Gjykatores, Bibliotekën, hapësirat ku punojnë gjyqtarët dhe stafi profesional, si dhe me historikun, punën dhe kompetencat kushtetuese të institucionit.

    “Organizimi i vizitës së qytetarëve të interesuar do të bëhet në përputhje me kapacitetet akomoduese që ofron ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese dhe për grupe prej jo më shumë se pesëmbëdhjetë personash në të njëjtën kohë. Vizitat do të organizohen çdo orë, ndërmjet orës 10:00 dhe 14:00, ndërsa kohëzgjatja maksimale e vizitës do të jetë dyzet e pesë minuta”, thuhet në njoftim.

    Gjykata njofton gjithashtu se të gjithë vizitorët mbi moshën 16 vjeç duhet të posedojnë dhe dorëzojnë në recepcion një dokument zyrtar identifikimi, si kartë studentore, letërnjoftim apo pasaportë.

    “Para vizitës në Gjykatë, të gjithë vizitorët e moshës mbi 16 vjeç duhet të kenë me vete dhe të dorëzojnë në recepcion një dokument zyrtar identiteti (kartë studentore, letërnjoftim apo pasaportë)”, theksohet në njoftim.

    Gjatë vizitës, qytetarëve do t’u lejohet të bëjnë fotografi vetëm në sallën e Gjykatores dhe në oborrin e objektit, sipas rregullave të institucionit

  • Kështu do të duket fletëvotimi për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit në Kosovë

    Kështu do të duket fletëvotimi për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit në Kosovë

    KQZ mori vendim për miratimin e dizajnit dhe përmbajtjes së fletëvotimit që do të përdoret në vendvotime brenda vendit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen 28 dhjetor 2025.

    Pas vendimit, kryesuesi Radoniqi njoftoi se ndaj këtij vendimi mund të ushtrohet ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Vendimi i KQZ-së vjen pas tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në këtë fletëvotim.

    Fletëvotimi përmban 24 subjektet politike pjesëmarrëse në këtë proces zgjedhor, prej të cilave, 18 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Në mbledhjen e kaluar, KQZ ka miratuar fletëvotimin për votimin jashtë Kosovës, i cili është i njëjtë, si në përbajtje ashtu edhe në dizajn.

  • Nesër i jepet lamtumira e fundit 47 vjeçares që u gjet pa shenja jete në Lumbardh të Klinës

    Nesër i jepet lamtumira e fundit 47 vjeçares që u gjet pa shenja jete në Lumbardh të Klinës

    Gruaja që u gjet e vdekur në Lumbardh të Klinës do të varroset nesër.

    Bëhet fjalë për Hanumshahe Miftari e cila një ditë më parë ishte raportuar si e zhdukur nga bashkëshorti i saj në polici.

    Lajmin të ditur e bëri përmes një njoftimi mortor vetë familja e tashmë të ndjerës.

    Varrimi pritet të bëhet nesër (e martë) në varrezat e fshatiti Brovinë.

  • Shpërthen virusi i rrezikshëm në Britani, mbyllen disa shkolla, bëhet thirrje për rikthimin e maskave

    Shpërthen virusi i rrezikshëm në Britani, mbyllen disa shkolla, bëhet thirrje për rikthimin e maskave

    Një numër i madh nxënësish dhe stafi janë duke munguar në një numër të madh shkollash në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të shpërthimeve të gripit dhe viruseve të tjera, duke mbyllur shumë prej tyre përkohësisht. Drejtuesit e shkollave pohojnë se situata po ngjason me periudhën e pandemisë Covid-19.

    Një nga rastet më të prekura është St Martin’s në Caerphilly, Uellsi, ku më shumë se 250 nxënës dhe mësues u sëmurën, duke u rikthyer te mësimi online. Simptomat përfshijnë të vjella, diarre, temperaturë të lartë, kollë dhe lodhje, me një periudhë rikuperimi prej rreth shtatë ditësh.

    “Daily Mail” raporton se në County Londonderry, 170 nxënës munguan në një ditë për shkak të sëmundjeve të ndryshme. Shkollat britanike po përballen me një grip të veçantë, i njohur si H3N2 “supergripi”, që po përhapet më shpejt dhe shkakton simptoma më të rënda. Londra ka trefishuar numrin e pacientëve të shtruar me grip krahasuar me vitin e kaluar, shkruan A2 CNN-i.

    Autoritetet shëndetësore po rekomandojnë përdorimin e maskave për të reduktuar përhapjen e virusit, ndërsa NHS-japaralajmëron për një valë të madhe infeksionesh dhe shtim të ndjeshëm të numrit të të shtruarve në spital.

    Gjithashtu, rreth 100 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi të një anijeje janë prekur nga norovirusi gjatë një udhëtimi nëpër botë. Kjo situatë po shkakton shqetësim të madh në Britani, ku autoritetet paralajmërojnë qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të qëndrojnë në shtëpi nëse shfaqin simptoma.

  • Atentati ndaj biznesmenit Mondi Mëhalla në Elbasan, shpallet në kërkim një tjetër i dyshuar, zbardhen detaje

    Atentati ndaj biznesmenit Mondi Mëhalla në Elbasan, shpallet në kërkim një tjetër i dyshuar, zbardhen detaje

    Policia e Elbasanit ka shpallur në kërkim një tjetër person, i cili dyshohet si i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla.

    35-vjeçari, Oklid El Ouejdi, ka dalë në dritë nga dëshmitë që kanë dhënë personat e arrestuar e marrë në pyetje deri tani.

    Naldo Gjoni nga Lezha, i cili u ndalua nga policia pasi kishte përdorur makinën me te cilën u krye ekzekutimi ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se i pranishëm kur ka marrë në përdorim mjetin ishte edhe Oklid El Ouejdi.

    Deri në këto momente kjo është dëshmia që ka përshirë 35 vjeçarin nga Elbasani.

    Nga të dhënat, rezulton se El Ouejdi është larguar nga pika kufitare e Qafë-Thanës për në Maqedoninë e Veriut, duke mos u arritur të ndalohej apo verifikohej nga policia kriminale e Elbasanit. Që prej ditës së vrasjes së Mondi Mëhallës, ai konsiderohet person kyç në hetime

    Mondi Mëhalla, i njohur në Elbasan me nofkën ‘Hyka’ u ekzekutua me tre plumba, në një atentat të kryer me në Elbasan në 30 nëntor, raporton Topchanel.

    Deri më tani janë arrestuar tre persona:

    * Nevzat Spaho – nga Prrenjasi, i dyshuar si shoferi që ndihmoi autorin të largohej nga zona e Mirakës.

    * Kujtim Pisha – punonjësi i karburantit, i cili është proceduar pasi nuk njoftoi policinë për informacionin që zotëronte.

    * Xhino Ago ,ortak në biznes me Mëhallën, i cili akuzohet se nuk kishte ndryshuar pronësinë e “Audi”-t të përdorur në krim. Ndërkohë janë shpallur në kërkim • Armando Kola (nga Laçi) dhe Marselo Arani (nga Elbasani), i cili jo vetëm është zhdukur, por ka thyer edhe masën “arrest shtëpie” që kishte për pastrim parash.

    Autoritetet po punojnë për lokalizimin e tij dhe kapjen e dy të kërkuarve.

  • Vitia: Janë siguruar katër pajisje në vlerës gjysmë milioni euro për QKUK-në dhe dy spitale rajonale

    Vitia: Janë siguruar katër pajisje në vlerës gjysmë milioni euro për QKUK-në dhe dy spitale rajonale

    Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se janë siguruar 4 pajisje të reja me rreze X në vlerë rreth gjysmë milioni euro.

    Dy nga këto pajisje do të jenë për QKUK-në dhe nga një për Spitalin e Pjesë dhe Gjakovës.

    “U siguruan 4 pajisje të reja C-arm: – dy për QKUK-në – një për Spitalin e Pejës – një për Gjilanin. Këto pajisje, me kosto rreth gjysmë milioni euro, ofrojnë pamje me rreze X në kohë reale gjatë operacionit, duke u mundësuar kirurgëve ortopedë siguri dhe saktësi në çdo ndërhyrje”, ka shkruar Vitia në Facebook.

  • Pak ditë para zgjedhjeve parlamentare, KQZ-ja kërkon kompani që asgjëson gati 50 tonë të materialit zgjedhor

    Pak ditë para zgjedhjeve parlamentare, KQZ-ja kërkon kompani që asgjëson gati 50 tonë të materialit zgjedhor

    Na ndajnë pak ditë nga mbatja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

    Derisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

    Ndonëse vendin e presin zgjedhje të reja, KQZ ende nuk ka asgjësuar materialin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

    Kësisoj, ditë më parë KQZ ka kërkuar të lidh kontratë me një operator ekonomik që do të bënë asgjësimin e materialit zgjedhor.

    Sasia e materialit është përafërsisht 45- 50 ton.

    Fillimisht për këtë tender janëë ndarë jo më shumë se 4 mijë euro.

    Afati i fundit për pranimin e tendderëve është data 8 dhjetor, deri në orën 12:00.

  • Emërohet një tjetër ushtrues detyre i ri në KEK

    Emërohet një tjetër ushtrues detyre i ri në KEK

    Pas shkarkimit të Ramadan Ahmetit nga pozita e Drejtorit të Termocentralit B, ka lëvizje të reja në Korporatën Energjetike të Kosovës.

    Klan Kosova ka mësuar ekskluzivisht nga burime brenda KEK se sot është emëruar një tjetër ushtrues detyre në këtë institucion, Jonuz Saraqi.

    U.D. i drejtorit Ekzekutiv të KEK-ut, Gramos Hashani, e ka caktuar Saraqin si Ushtrues Detyre të Drejtorit të Termocentralit Kosova B.

    Kush është Jonuz Saraqi?

    Saraqi ka shërbyer më herët si drejtor i Termocentralit “Kosova A”.

    Në vitin 2024, ai ishte shkarkuar nga ish-drejtori i KEK-ut, Bekir Gerguri, për shkak të vlerësimit të dobët të performancës.

    Pavarësisht kësaj, këtë vit, Hashani e ka rikthyer atë në pozitë të lartë duke e emëruar drejtor teknik në TCB, ndërsa sot ka vendosur që ai të marrë edhe drejtimin ekzekutiv të këtij termocentrali.

    Kujtojmë se paraardhësi i Saraqit, Ramadan Ahmet, u shkarkua të premten nga pozita.

    Derisa në Kosovë gjendja në sektorin e energjisë vazhdon të jetë kaotike, Hashani po përshpejton vendimet për emërime dhe shkarkime brenda KEK-ut.

    Së fundmi, vëllai i ish-deputetit Bylbyl Sokoli është emëruar U.D. i Drejtorit Operativ të Termocentraleve dhe Minierës.

    Ajo që ka ngjallur më shumë reagime është fakti se Sokoli është kimist me profesion, gjë që e bën të pazakontë caktimin e tij në një pozitë kaq të ndjeshme dhe teknike në operimin e termocentraleve dhe minierave. /Kp/