ATV

Category: Lajme

  • Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale të ambasadores së re të Estonisë në Kosovë

    Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale të ambasadores së re të Estonisë në Kosovë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pranoi sot letrat kredenciale të ambasadores së re të Estonisë në Kosovë, Karin Anna Maandi.

    Me këtë rast, Presidentja Osmani i uroi mirëseardhje ambasadores Maandi në Kosovë dhe e përgëzoi për emërimin e saj, duke shprehur bindjen se mandati i saj do të kontribuojë në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Estonisë.

    Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme, parimore dhe të zëshme të Estonisë ndaj pavarësisë, sovranitetit dhe fuqizimit të pozitës që Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke potencuar se Kosova në vazhdimësi është linjëzuar me politikat e BE-së.

    Më tej, Presidentja Osmani dhe ambasadorja Mandi diskutuan për thellimin e bashkëpunimit me Estoninë në fushën e mbrojtjes, digjitalizimit, shërbimeve publike elektronike, sigurisë kibernetike, integrimit euroatlantik dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

    Sa i përket sigurisë dhe stabilitetit rajonal, Presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke falënderuar Estoninë për kontributin e saj në sigurinë evropiane. Në këtë linjë, falënderoi Estoninë edhe për avokimin e vazhdueshëm për aspiratat evropiane të Kosovës, në veçanti për statusin e vendit kandidat për BE dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

  • Reduktimet e rrymës, Hoti: Përgjegjësia është politike dhe direkte, askush s’mund të fshihet pas njoftimeve teknike

    Reduktimet e rrymës, Hoti: Përgjegjësia është politike dhe direkte, askush s’mund të fshihet pas njoftimeve teknike

    Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas reduktimeve me energji elektrike, duke thënë se kjo është dëshmi e qartë “e keqmenaxhimit, mungesës së vizionit dhe neglizhencës ndaj interesit publik”.

    Hoti ka thënë se është e papranueshme që në 2026 qytetarët dhe bizneset të përballen me ndërprerje të rrymës, shkruan Reporteri.net.

    “Askush nuk mund të fshihet pas njoftimeve teknike, kur përgjegjësia është politike dhe direkte. Energjia nuk është luks, është e drejtë themelore. Çdo reduktim është dëshmi e qartë e keqmenaxhimit, mungesës së vizionit dhe neglizhencës ndaj interesit publik. Qytetarët po paguajnë çmimin e dështimit të kësaj qeverie me errësirë, me dëme ekonomike dhe me pasiguri”, ka shkruar Hoti.

    Mbrëmë, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) njoftoi se është i detyruar të aplikojë reduktime të rrymës për shkak të mbingarkesës së rrjetit.

    Sipas KOSTT-it, kjo ndodh për shkak të diferencës mes nominimeve dhe konsumit real në ditët e fundit.

    Devijimet kanë rritur rrezikun për stabilitet dhe mund të sjellin masa ndëshkuese ndaj KOSTT-it nga rrjeti evropian.

    Kosova është antarësuar në ENTSO në vitin 2020 dhe kjo shënon hapin kryesor të shkëputjes së Kosovës nga Serbia në energjetikë. Me këtë anëtarësim KOSTT është bërë zotërues i linjave të transmisionit për Kosovën, e jo sic është njohur Kosova si zonë e Serbisë në energjetikë para vitit 2020./Reporteri.net

  • Kapen dy shqiptarët që vodhën vetura në Zvicër e Itali, publikohen pamjet nga momenti i arrestimit

    Kapen dy shqiptarët që vodhën vetura në Zvicër e Itali, publikohen pamjet nga momenti i arrestimit

    Policia e Shtetit ka zhvilluar disa aksione të koduara si “Stolen Line” dhe “”, kundër trafikimit të automjeteve dhe transportimit ilegal të emigrantëve në Shqipëri.

    Sipas njoftimit, dy persona janë proceduar penalisht, si të dyshuar për trafikimin e automjeteve në vlerë rreth 90.000 euro, të vjedhura në Zvicër dhe në Itali.

    “M. S., 36 vjeç, pasi dyshohet se ka trafikuar në Shqipëri, 1 automjet tip “Benz”, me vlerë rreth 80 000 euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Zvicër;

    E.M., 29 vjeç, i cili dyshohet se ka trafikuar në Shqipëri, 1 automjet tip “Opel”, me vlerë rreth 10 000 euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Itali.”

    Po ashtu është arrestuar një person, që transportonte me pagesë 3 emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht, në shtetet e BE-së.

    ““Relay”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi O. T., 36 vjeç, banues në Krujë, pasi u kap duke transportuar me automjet, 3 emigrantë që synonin të lëviznin në mënyrë të kundërligjshme, drejt shteteve të BE-së. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.”

  • Kurti pas takimit me Sorensen: Kosova e gatshme për dialog konstruktiv në Bruksel

    Kurti pas takimit me Sorensen: Kosova e gatshme për dialog konstruktiv në Bruksel

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me emisarin e Bashkimit Evropian për dialog, Peter Sørensen.

    Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim të parë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Kurti ka theksuar rëndësinë e legjitimitetit të ri demokratik që kanë sjellë votimet.

    “Në takimin e parë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, kryeministri Kurti theksoi se rezultati zgjedhor ka prodhuar një legjitimitet të ri demokratik, i cili garanton parashikueshmëri politike dhe stabilitet institucional, duke forcuar më tej funksionimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës,” thuhet në njoftim.

    Ai shtoi se ky legjitimitet i dalë drejtpërdrejt nga vullneti i qytetarëve siguron përfaqësim të drejtë, kredibil dhe parimor të Kosovës në dialog, duke vënë në dukje se “sa i përket palës tjetër në dialog, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për lidershipin në Serbi.”

    Mes tjerash, Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e Kosovës për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për një dialog konstruktiv në Bruksel.

    Ai theksoi edhe “rëndësinë thelbësore të tërheqjes së letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, të deponuar në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), dorëzimit të kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, dhe nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit si garanci juridike dhe mirëbesim për rrugën përpara. Ai nënvizoi se me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit, dialogu prodhon rezultate të qëndrueshme”.

  • Komisioni Evropian prezenton paketën e ndihmës prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën

    Komisioni Evropian prezenton paketën e ndihmës prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën

    Komisioni Evropian njoftoi të mërkurën për prezantimin e një pakete huaje prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, ndërsa Brukseli po intensifikon përpjekjet për të mbështetur luftën e Kievit kundër sulmeve gjithnjë e më të ashpra ruse dhe iniciativave të udhëhoqura nga SHBA për të përfunduar luftën.

    Dy të tretat e këtij fondi do të përdoren për ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës, përfshirë blerjen e armëve dhe municioneve, edhe nga jashtë Bashkimit Evropian, siç deklaroi presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen. Tridhjetë miliardë eurot e mbetura do të shfrytëzohen për të mbuluar humbjen e pritshme në buxhetin e Ukrainës.

    Sipas Komisionit, Ukraina ka nevojë për 135.7 miliardë euro mbështetje ushtarake dhe buxhetore në vitet 2026 dhe 2027. Kjo përfshin 52.3 miliardë euro mbështetje fiskale dhe 83.4 miliardë euro ndihmë ushtarake. Po sipas Komisionit, Kievit pritet t’i mbarojnë fondet në prill.

    “Me këtë mbështetje, ne sigurohemi që Ukraina, nga njëra anë, të mund të forcojë mbrojtjen e saj në fushëbetejë dhe aftësitë e saj mbrojtëse pra të gjitha nevojat ushtarake dhe, nga ana tjetër, të mbajë funksionimin e shtetit dhe shërbimeve bazë”, tha para gazetarëve, Von der Leyen.

    Ajo shtoi se mbështetja ushtarake do të funksionojë sipas një “parimi kaskadë”, ku Ukraina do të furnizohet me armë nga jashtë bllokut vetëm nëse nuk ka pajisje të përshtatshme ushtarake evropiane në dispozicion.

    “Preferencë evropiane së pari, dhe nëse kjo nuk është e mundur, atëherë blerje jashtë”, pohoi ajo.

    Franca ka shtyrë prej kohësh “preferencën evropiane” në prokurimin e pajisjeve ushtarake. Megjithatë, Gjermania dhe shumë vende të Evropës Lindore të BE-së argumentojnë se blloku duhet të mbetet i hapur për blerjen e pajisjeve mbrojtëse nga Uashingtoni, pavarësisht zbehjes së mbështetjes amerikane për Kievin dhe tensioneve të fundit lidhur me kërcënimet e presidentit amerikan, Donald Trump për të pushtuar Grenlandën, një territor gjysmë-autonom danez.

    Huaja do të funksionojë mbi bazën e “bashkëpunimit të përforcuar” mes vendeve të BE-së, duke u lejuar Hungarisë, Çekisë dhe Sllovakisë të përjashtohen nga skema. Këto tre vende janë thellësisht skeptike ndaj ofrimit të ndihmës financiare për Kievin.

    Një zyrtar i lartë i Komisionit tha se huaja, e mbështetur nga buxheti afatgjatë i BE-së, do t’i kushtojë shteteve anëtare pagesa vjetore interesi prej rreth 3 deri në 4 miliardë euro. Propozimi i së mërkurës vjen gjithashtu pasi Komisioni dhe Gjermania, ekonomia më e madhe e BE-së, dështuan vitin e kaluar ta bindnin Belgjikën të mbështeste një “hua reparacionesh” për Kievin duke përdorur asetet sovrane ruse të ngrira. Belgjika mban shumicën dërrmuese të 185 miliardë eurove fonde të Kremlinit të bllokuara nga BE-ja pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska në vitin 2022.

    Megjithatë, Von der Leyen sugjeroi se huaja e reparacioneve “mbetet në tryezë”.

    “Është… shumë e rëndësishme t’i dërgojmë Rusisë një kujtesë të fortë se ne rezervojmë të drejtën për të përdorur asetet ruse të ngrira,” tha ajo, duke shtuar se këto asete do të mbeten të bllokuara deri në përfundimin e luftës dhe se Ukraina do të duhet ta shlyejë huanë vetëm pasi Moska të paguajë reparacione ndaj Kievit.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha në rrjetet sociale se breshëria përfshinte 113 dronë sulmues si dhe tre raketa balistike “është shumë e rëndësishme t’i përforcojmë luftëtarët tanë tani”.

    Huaja duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe vendet e BE-së. Komisioni synon që disbursimi i parë të bëhet deri në prill, tha Von der Leyen.

  • Edhe Abdixhiku takon të dërguarin e BE-së: Bashkimi Evropian të vazhdojë angazhimin dhe mbështetjen për Kosovën

    Edhe Abdixhiku takon të dërguarin e BE-së: Bashkimi Evropian të vazhdojë angazhimin dhe mbështetjen për Kosovën

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ku ka bërë të ditur se gjatë takimit diskutuan për situatën aktuale politike në vend dhe për proceset ndërkombëtare që e presin Kosovën.

    Ai ka theksuar rëndësinë e stabilitetit institucional dhe konsolidimit demokratik si parakushte për funksionimin normal të institucioneve, për besimin e qytetarëve te shteti, për zhvillimin ekonomik, për tërheqjen e investimeve dhe për ruajtjen e kredibilitetit ndërkombëtar të Kosovës.

    Postimi i plotë:

    Sot prita në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen.

    Biseduam për situatën aktuale politike në vend dhe për proceset ndërkombëtare që e presin Kosovën. Theksova rëndësinë e stabilitetit institucional dhe konsolidimit demokratik në vend, si parakushte për funksionimin normal të institucioneve, për besimin e qytetarëve te shteti, për zhvillimin ekonomik, për tërheqjen e investimeve dhe për ruajtjen e kredibilitetit ndërkombëtar të Kosovës.

    Në përmbyllje të takimit, shpreha pritjen që Bashkimi Evropian të vazhdojë angazhimin dhe mbështetjen për Kosovën, si në proceset e përgjithshme politike, ashtu edhe në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian dhe forcimit të perspektivës euroatlantike të vendit.

  • Witkoff dhe Kushner synojnë takim me Putinin për paqen në Ukrainë

    Witkoff dhe Kushner synojnë takim me Putinin për paqen në Ukrainë

    I dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po shqyrtojnë mundësinë e një udhëtimi në Moskë për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, ka raportuar të mërkurën Bloomberg News, duke cituar burime të njohura me çështjen.

    Sipas raportimit, takimi mund të zhvillohet brenda këtij muaji, megjithatë planet ende nuk janë përfundimtare dhe koha e realizimit mund të ndryshojë për shkak të zhvillimeve dhe trazirave në Iran.

    Megjithatë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i ka thënë Bloomberg se aktualisht nuk ka asnjë takim të planifikuar.

    Raporti shton se zyrtarët amerikanë pritet t’ia paraqesin Putinit dhe ekipit të tij draft-propozimet më të fundit të paqes. Bisedimet do të përqendroheshin në garancitë e sigurisë nga SHBA-ja dhe Evropa për të mbështetur çdo marrëveshje të mundshme, si dhe në rindërtimin e Ukrainës pas luftës.

    Kjo vjen pas komenteve të bëra nga presidenti Trump në fillim të këtij muaji, kur ai shprehu zhgënjim ndaj Putinit për luftën e vazhdueshme në Ukrainë, duke përsëritur se fillimisht kishte besuar se përfundimi i konfliktit do të ishte i lehtë.

  • Osmani – Sorensenit: Suksesi i dialogut varet nga trajtimi i barabartë i palëve

    Osmani – Sorensenit: Suksesi i dialogut varet nga trajtimi i barabartë i palëve

    Në kuadër të takimit të së mërkurës me Emisarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë–Beograd, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar që fokusi i procesit të dialogut të jetë njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Gjatë takimit, Osmani ka kritikuar Serbinë për shkeljen e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, për veprimet që cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe për kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

    Ajo ka theksuar se suksesi i procesit të dialogut varet nga trajtimi i barabartë i palëve.

    “Presidentja Osmani tha se ky proces duhet të ketë objektiva të qarta dhe rezultate të matshme në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar se interpretimi selektiv i marrëveshjeve e dëmton procesin”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

    Presidentja Osmani e ka informuar gjithashtu emisarin e BE-së për zhvillimin e suksesshëm dhe demokratik të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Kosovë, duke vlerësuar pjekurinë demokratike të shtetit dhe funksionimin e institucioneve sipas standardeve evropiane.

    Zyra për Shtyp ka bërë të ditur se gjatë takimit janë trajtuar edhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. Presidentja Osmani ka përshëndetur vendimin për heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës, duke e cilësuar këtë hap si rivendosje të partneritetit të barabartë me BE-në.

    Duke folur për perspektivën evropiane të vendit, ajo ka nënvizuar se dhënia e statusit të vendit kandidat për BE-në është një domosdoshmëri strategjike, jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin e rajonit dhe kredibilitetin e vetë Bashkimit Evropian.

    “Presidentja Osmani vuri në pah përputhshmërinë e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, bilancin e dëshmuar demokratik dhe vrullin e reformave në vend. Ajo theksoi se do të vazhdojë të punojë me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për avancimin e statusit kandidat të Kosovës, pa vonesa të mëtejme”, thuhet në njoftim.

    Ndërkohë, në një paraqitje para gazetarëve, ndërmjetësi i BE-së ka shprehur shpresën që gjatë vitit 2026 të rifillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, duke shmangur situata si ajo e vitit të kaluar, kur nuk ishte zhvilluar asnjë takim mes palëve në Bruksel.

  • Pas Osmanit e Kurtit, Sorensen takon Bedri Hamzën

    Pas Osmanit e Kurtit, Sorensen takon Bedri Hamzën

    Pas takimeve me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin dhe Presidenten Vjosa Osmani, Emisari i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, ka takuar kreun e PDK’së, Bedri Hamzën.

    Për takimin ka njoftuar Hamza, ku ka thënë se kanë diskutuar për nevojën e konstituimit të institucioneve të reja, stabilitetin institucional dhe rëndësinë e rikthimit të Kosovës në agjendën e integrimit evropian, shkruan Reporteri.net.

    “Sot e prita të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen. Ne diskutuam për nevojën e konstituimit të institucioneve të reja, stabilitetin institucional dhe rëndësinë e rikthimit të Kosovës në agjendën e integrimit evropian. PDK mbetet e përkushtuar për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë në shërbim të paqes dhe stabilitet rajonal”, ka shkruar Hamza.

  • Ambasada e amerikane në Prishtinë shpërndan deklaratën e Rubios: Të shqetësuar që liria e shprehjes në Evropë po gërryhet

    Ambasada e amerikane në Prishtinë shpërndan deklaratën e Rubios: Të shqetësuar që liria e shprehjes në Evropë po gërryhet

    Ambasada amerikane në Prishtinë, ka shpërndarë një fotografi me një citat të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, rreth lirisë së shprehjes në Evropë.

    “Aleancat tona me partnerët tanë evropianë ndërtohen mbi parimet tona të përbashkëta, vlerat tona të përbashkëta… Një nga ato vlera dhe parime, shpresojmë, është liria dhe liria e shprehjes.” — Sekretari Rubio

    “Ne jemi të shqetësuar që liria e shprehjes në Evropë po gërryhet” – thuhet në këtë foto-citat.