ATV

Category: Lajme

  • Sorensen takoi edhe komandantin e KFOR-it në vizitën e tij në Prishtinë

    Sorensen takoi edhe komandantin e KFOR-it në vizitën e tij në Prishtinë

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen gjatë së mërkurës ka qëndruar në Kosovë, në vizitën e tij të parë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

    Përpos kësaj, Sorensen ka takuar edhe komandatin e KFOR-it në Kosovë, Ozkan Ulutash.

    Në njoftimin e misionit të NATO-s thohet se u diskutuar bashkëpunimi me BE-në.

    “Gjeneral Major Ulutaş theksoi bashkëpunimin e vazhdueshëm të KFOR-it me misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtina-s dhe Beogradit, i cili është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal, për të mirën e të gjitha komuniteteve”, thuhet në njoftim.

  • Mbretëria e Bashkuar tërheq personelin ushtarak nga baza amerikane në Katar

    Mbretëria e Bashkuar tërheq personelin ushtarak nga baza amerikane në Katar

    Sky News mëson se Mbretëria e Bashkuar po tërheq personelin ushtarak nga një bazë amerikane në Katar.

    Kjo vjen pasi Donald Trump u tha protestuesve në Iran se “ndihma është në rrugë e sipër” dhe premtoi “veprime shumë të forta” nëse qeveria në Teheran vazhdon me ekzekutimet e planifikuara.

    Irani ka thënë vazhdimisht se do të hakmerret kundër vendeve ushtarake amerikane në rajon nëse Amerika sulmon.

    SHBA-të kanë filluar gjithashtu tërheqjen e disa stafit nga Baza Ajrore Al Udeid e drejtuar nga SHBA-të në Katar, baza më e madhe amerikane në rajon.

    Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes tha: “Ne nuk komentojmë për detajet e vendosjes së bazave dhe vendosjeve për shkak të sigurisë operacionale”.

    “Mbretëria e Bashkuar gjithmonë vendos masa paraprake për të siguruar sigurinë e personelit tonë, duke përfshirë kur është e nevojshme tërheqjen e personelit”.

    Nuk ishte menjëherë e qartë nëse i gjithë personeli britanik po tërhiqej nga baza e Katarit.

  • Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për plagosjen e trefishtë në Deçan

    Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për plagosjen e trefishtë në Deçan

    Gjykata Themelore në Pejë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit për plagosjen e trefishtë në Deçan.

    I dyshuari Sh.C po dyshohet për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

    Në orët e para të së martës, tre persona mbetën të plagosur në një lokal në Deçan. Bëhet fjalë për dy serb dhe një shqiptar.

    Fillimisht të njëjtit ishin dërguar në Emergjencën e Spitalit të Pejës, derisa dy nga ta nga aty u transferuan për në QKUK në Prishtinë.

    Prokuroria Themelore e Pejës bëri të ditur se njëri nga ta është avokat.

  • Reduktimet e rrymës, KOSTT: Është stabilizuar gjendja në sistem pas rritjes së prodhimit vendor

    Reduktimet e rrymës, KOSTT: Është stabilizuar gjendja në sistem pas rritjes së prodhimit vendor

    Gjendja në sistemin elektroenergjetik të Kosovës është stabilizuar pas rritjes së prodhimit vendor të energjisë elektrike, ka njoftuar KOSTT.

    Sipas njoftimit, normalizimi erdhi pas zbatimit të masave të koordinuara për balancimin e ngarkesës dhe përmirësimin e furnizimit me energji.

    “KOSTT njofton opinionin publik se gjendja në sistemin elektroenergjetik është normalizuar dhe stabilizuar, pas implementimit të masave të koordinuara për balancimin e ngarkesës dhe përmirësimin e parametrave të furnizimit me energji. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka ndërmarrë veprime të shpejta dhe efikase, duke rritur prodhimin vendor të energjisë elektrike, një masë kyçe që ka garantuar stabilitetin dhe vazhdimësinë e furnizimit si dhe integritetin e sistemit”, thuhet në njoftim.

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka rritur prodhimin vendor, duke garantuar vazhdimësinë e furnizimit dhe stabilitetin e sistemit.

    KOSTT u ka bërë thirrje palëve të tregut të respektojnë rregulloret operative, duke theksuar se do të mbetet në gatishmëri për të ruajtur performancën e sistemit elektroenergjetik.

    “Kërkohet nga të gjitha palët pjesëmarrëse në treg të respektojnë rregulloret operative dhe obligimet kontraktuale, për të siguruar një operim të qëndrueshëm, të sigurt dhe të optimizuar të rrjetit elektroenergjetik.

    KOSTT do të mbetet në gjendje gatishmërie operative, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për stabilitetin dhe performancën e sistemit, në përputhje me kompetencat ligjore dhe përgjegjësitë operative”, thuhet në njoftim.

  • -19 gradë: Ukraina pa energji e ujë, amerikanët do të shkojnë në rusi të takojnë Putinin

    -19 gradë: Ukraina pa energji e ujë, amerikanët do të shkojnë në rusi të takojnë Putinin

    Amerika po kthen vëmendjen nga zgjidhja e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës. Të dërguarit e presidentit Donald Trump për paqen, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, do të udhëtojnë së shpejti për në Moskë për të takuar liderin, Vladimir Putin. Diskutimi pritet të jetë mbi planin e paqes të reduktuar nga 28 në 20 pika. Kështu shkruan media Bloomberg.

    Teksa firma për uljen e armëve nuk është hedhur në letër, palët vazhdojnë ta qëllojnë njëra-tjetrën. Rusia ka sulmuar rajone të shumta në Ukrainë me raketa dhe dronë, duke goditur dhe kryeqytetin Kiev. Shpërthime u dëgjuan në një ndërtesë me 17 kate, ndërsa raportohet për të plagosur dhe dëme materiale. Ushtria e Moskës pretendon se ka rrëzuar dhjetëra dronë të lëshuar nga Ukraina, por disa mjete fluturuese me eksploziv përfunduan në rajonet kufitare Rostov dhe Belgorod duke u marrë jetën dy personave. Një vatër zjarri u raportua në një park industrial në Rostov.

    Ukraina thekson se mijëra qytetarë të saj kanë mbetur pa energji elektrike dhe akuzon Rusinë se po shënjestron qëllimisht infrastrukturën jetike. Presidenti Volodymyr Zelenski thekson se “rajonet Dnipro, Zhytomyr, Zaporizhzhia, Kharkiv dhe Kherson janë goditur”. “Objektivi kryesor është infrastruktura energjetike, një infrastrukturë e rëndësishme që siguron një jetë normale për popullsinë tonë: ngrohje, dritë dhe ujë”, shtoi ai. Tani, përsëriti Zelenski, “prioriteti është të forcojë mbrojtjen ajrore”.

    “Nëse mund t’i kundërshtojmë 100% këto sulme ruse, terrori i Putinit nuk do të jetë më. Ky është avantazhi i tyre dhe ne duhet t’i privojmë ata. Kjo mund të funksionojë dhe ta detyrojë Rusinë të ndalojë vrasjet dhe të ecë drejt paqes”, nënvizon presidenti, shkruan A2CNN.

    Sikur lufta të mos mjaftojë, dimri ka ardhur me fuqi të plotë në Ukrainë me temperatura që shkojnë deri në minus 19 gradë celsius. Kjo po detyron shumë banorë që të zgjedhin strehimoret e ngrohta për të kaluar natën, pasi në banesat e tyre mungon energjia elektrike, ngrohja dhe uji.

  • Sorensen e pranon se kishte një “vit të mbrapshtë” në dialog, shpreson se do të arrijë rezultate gjatë 2026-ës

    Sorensen e pranon se kishte një “vit të mbrapshtë” në dialog, shpreson se do të arrijë rezultate gjatë 2026-ës

    Diplomatit danez, Peter Sorensen i përfundoi mandati fillestar pa nxjerrë në dritë ndonjë rezultat në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi me të cilin e ngarkoi Komisioni Europian. Megjithatë, kjo ndodhi jo për faj të tij. Ai nisi detyrën në shkurt të 2025-ës dhe në po këtë muaj në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e rregullta që s’prodhuan institucione, ndërsa në Serbi pati shpërthim protestash. Me postin e vazhduar edhe për dy vjet tjera, emisari europian në Prishtinë sot shpalosi pritjet e tij që në vitin 2026 të mos i ndodhë ajo që i ndodhi më 2025.

    Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, me të përfunduar festat e fundvitit, e nisi vitin e punës me një vizitë në Kosovë. Fillimisht, ai u takua me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, që fitoi zgjedhjet e parakohshme, si dhe më pas me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

    Për gazetarët që e pritën para Presidencën dha një mesazh të shkurtë ku u pa se është më optimist për rifillimin e dialogut.

    “Kam shpresë të madhe, sigurisht, personalisht, që 2026 na sjell atë që 2025 nuk e solli. Dhe prandaj po e nis vitin e punës me një udhëtim pune këtu dhe pastaj në Beograd më vonë këtë javë”.

    Takimi i fundit i nivelit të lartë ishte ndërmjetësuar nga ish-kryediplomati Joseph Borrell, para se të ndodhte sulmi i Banjskës.

    Shefja e Sorensenit, Kaja Kallas, ende s’ka organizuar një të tillë që kur zëvendësoi Borrellin në krye të diplomacisë, për shkak të mungesës së një kryeministri me mandat të plotë në Kosovë dhe, gjithashtu, parehative në Serbi.

    Por, Sorensen u zotua se një i tillë do të mbahet në një kohë të duhur, duke e theksuar se kur një i tillë të thirret, palët do të shkojnë.

    Ky koment i tij ishte përgjigje për një pyetje të gazetarëve për kushtet që Kosova ka vendosur për rikthim në tavolinën e dialogut.

    “Ajo që do të bëjmë është ajo që na është kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare në lehtësimin e dialogut — të sigurojmë që të dyja palët të ulen dhe të bisedojnë. Pra do të duhet të gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë. Përfaqësuesja e Lartë vizitoi Beogradin dhe Prishtinën vitin e kaluar. Ka angazhime që do të ketë një takim kur koha të jetë e duhur. Ajo do ta thërrasë takimin. Njerëzit do të vijnë dhe do të shohim. Por do të duhet të shohim”, tha ai.

    Pas heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës me transferin e qetë të pushtetit që ndodhi në katër komunat veriore të vendit, si dhe me zotimet e Bashkimit Europian për kthim të shtuar të vëmendjes ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, janë rritur pritshmëritë që Kosova të bëjë hapa më konkretë drejt procesit integrues në BE.

    Sorensen bashkë me Kallas janë përballë një presioni që procesin – edhe ashtu shumë të kritikuar – ta vënë në lëvizje për të prodhuar rezultate më të prekshme. Të dy diplomatët kanë në barrë që marrëveshjen e arritur, e njohur si e Ohrit, gjatë mandatit të Borrellit, ta vënë në zbatim.

    As Kosova dhe as Serbia nuk kanë bërë progres në zbatimin e kësaj marrëveshje që nga viti 2023.

    Radio Evropa e Lirë në Pragë para disa ditësh raportoi se pak njerëz në Bruksel besojnë se Kosova dhe Serbia do të jenë të gatshme të angazhohen së shpejti në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre dhe se besohet se Kaja Kallas do të përpiqet të arrijë diçka në Ballkanin Perëndimor, pas një fillimi të vështirë që ka pasur si diplomate kryesore e BE-së.

    “Marrë parasysh se Brukseli është anashkaluar shpesh në çështje si: bisedimet për paqe për Ukrainën, lufta në Gazë dhe situata në Iran, zyrtarët e BE-së thonë me shaka se arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë “fryti më i lehtë” që mund ta arrijë blloku në këtë moment”, raportoi REL.

    Gjithashtu, u tha se ekziston mundësia që shtetet anëtare të BE-së të bien dakord për ta dërguar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE te Komisioni Europian, në mënyrë që ekzekutivi i BE-së të vlerësojë nëse Prishtina mund të bashkohet me bllokun në të ardhmen.

    Por, kjo do të jetë veçanërisht problematike për Kosovën meqë këtë gjashtëmujor të parë të vitit në krye të Presidencës së BE-së është Qipro – një shtet mosnjohës brenda bllokut.

    Sidoqoftë, Qiproja do të pasohet nga Irlanda, e cila shihet si më e favorshme për Kosovën, duke marrë parasysh edhe zotimin e saj për angazhim ndaj Ballkanit Perëndimor.

  • Arrestohen dy të rinj në Podujevë, kërkoheshin nga gjykata për lëndim trupor

    Arrestohen dy të rinj në Podujevë, kërkoheshin nga gjykata për lëndim trupor

    Policia në Podujevë sot ka arrestuar dy të rinj, që ishin të kërkuar me urdhër të gjykatës për “Lëndim trupor”.

    Të arrestuarit janë A. A, mashkull dhe A. Z, mashkull, 21vjeç.

    Pas arrestimit nga ana e policisë, ata janë dërguar në vuajtje të dënimit.

    “Gjatë vitit 2025, zyrtarët e stacionit policor të Podujevës kanë realizuar 745 urdhëresa, prej tyre për vepra penale kanë qenë 251″, thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë.

  • Apeli i ul dënimin Tom Dodajt për shitjen e armës së përdorur në vrasjen e Liridona Ademajt

    Apeli i ul dënimin Tom Dodajt për shitjen e armës së përdorur në vrasjen e Liridona Ademajt

    Gjykata e Apelit ka marrë vendim për t’i ulur dënimin Tom Dodajt, i cili shiti armën me të cilën dyshohet se është vrarë Liridona Ademaj në nëntor të vitit 2023.

    Sipas vendimit të Apelit që është marrë më 30 dhjetor 2025, Dodaj është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjetësh dhe me një gjobë prej 3,000 euro, të cilat do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

    Ky ndryshim vjen pas ankesës së bërë nga mbrojtësi i tij, avokati Agron Kuqi.

    Në aktgjykimin e mëparshëm, Dodaj ishte dënuar me 5 vjet burgim dhe gjobë prej 5,000 euro për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, por ky dënim është reduktuar në vendimin e fundit.

    Nëse gjoba nuk paguhet në mënyrë vullnetare, ajo do të konvertohet në dënim me burg, ku për çdo 20 euro gjobë, shtohet një ditë burgim.

    Gjykata do ta marrë parasysh edhe kohën që Dodaj ka kaluar në paraburgim, nga data 9 dhjetor 2023 deri më 17 prill 2024, e cila do të llogaritet në dënimin e tij.

    Dodaj ia shiti armën Naim Murselit e Granit Plavës për 280 euro, dhe e cila armë dyshohet se u përdor më pas për vrasjen e Ademajt.

    Ai e kishte pranuar fajësinë dhe pati kërkuar falje për rastin, duke thënë se nuk ka qenë në dijeni se arma do të përdorej për vrasje.

    Për vrasjen e Liridona Ademajt akuzohen bashkëshorti i saj, Naim Murseli, si dhe Granit Plava si ekzekutor e Kushtrim Kokalla. /Telegrafi/

  • Greqia goditet nga një “valë tërmetesh”

    Greqia goditet nga një “valë tërmetesh”

    Një seri tërmetesh goditën përsëri sot Greqinë, duke shkaktuar panik te qytetarët dhe frikë për paslëkundje të tjera më të fuqishme.

    Pas tërmetit në ishullin turistik të Santorinit, me forcë 3,2 ballë orët e mëngjesit, pak pas mesditës është njoftuar për një zinxhir lëkundjesh tektonike në zonën e Kyllini.

    Ekspertët thanë se forca ishte 3,5 ballë e shkallës Rihter, mesatarisht e lehtë, por dridhjet ishin shqetësuese, për shkak të vazhdimësisë dhe kohëzgjatjes.

    Tërmete të vogla deri në të moderuara janë regjistruar në rajonin e Kyllinit që nga fillimi i janarit, duke shkaktuar monitorim të shtuar shkencor, por jo shkak për shqetësim për një tërmet të madh.

    Që nga 6 janari 2026, rajoni ka regjistruar një grup tërmetesh, ku më i madhi arrin 3.5 në shkallën Rihter, siç raporton sizmologu Gerasimos Papadopoulos në një postim, informon “Protothema”.

    Nuk ka informacione për dëme materiale apo për të lënduar.

  • Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale të ambasadores së re të Estonisë në Kosovë

    Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale të ambasadores së re të Estonisë në Kosovë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pranoi sot letrat kredenciale të ambasadores së re të Estonisë në Kosovë, Karin Anna Maandi.

    Me këtë rast, Presidentja Osmani i uroi mirëseardhje ambasadores Maandi në Kosovë dhe e përgëzoi për emërimin e saj, duke shprehur bindjen se mandati i saj do të kontribuojë në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Estonisë.

    Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme, parimore dhe të zëshme të Estonisë ndaj pavarësisë, sovranitetit dhe fuqizimit të pozitës që Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke potencuar se Kosova në vazhdimësi është linjëzuar me politikat e BE-së.

    Më tej, Presidentja Osmani dhe ambasadorja Mandi diskutuan për thellimin e bashkëpunimit me Estoninë në fushën e mbrojtjes, digjitalizimit, shërbimeve publike elektronike, sigurisë kibernetike, integrimit euroatlantik dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

    Sa i përket sigurisë dhe stabilitetit rajonal, Presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke falënderuar Estoninë për kontributin e saj në sigurinë evropiane. Në këtë linjë, falënderoi Estoninë edhe për avokimin e vazhdueshëm për aspiratat evropiane të Kosovës, në veçanti për statusin e vendit kandidat për BE dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës.