ATV

Category: Lajme

  • Rinumërohen mbi 55% e vendvotimeve, kjo është renditja e partive

    Rinumërohen mbi 55% e vendvotimeve, kjo është renditja e partive

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve për vendvotimet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur të kontrollojë.

    Sipas të dhënave të përditësuara nga KQZ, deri më tani janë rinumëruar mbi 55,65% e fletëvotimeve.

    Rezultatet e deritanishme tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje prin me 46.81% të votave, ndërsa e ndjek Partia Demokratike e Kosovës me 22.05%.

    Në vendin e tretë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 10.48%, kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 5.92% të votave.

    Njëherësh, KQZ ka bërë të ditur se deri dje procesi i rinumërimit është përmbyllur plotësisht në 21 komuna.

  • Ngrohja qendrore në Prishtinë nën auditim, ZKA heton performancën e Termokos

    Ngrohja qendrore në Prishtinë nën auditim, ZKA heton performancën e Termokos

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka bërë të ditur se ka nisur auditimin e performancës me temë “Efektiviteti i shërbimit të ngrohjes qendrore”, në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026.

    Sipas njoftimit zyrtar, auditimi do të përfshijë periudhën 2023–2025 dhe synon të vlerësojë mënyrën se si Ndërmarrja Publike “Termokos” Sh.A. menaxhon rrjetin e shpërndarjes së energjisë termike. Fokus i veçantë do t’i kushtohet furnizimit të barabartë, matjes së saktë të konsumit dhe sigurimit të një ngrohjeje të qëndrueshme për konsumatorët.

    ZKA thekson se përmes këtij auditimi do të identifikohen edhe mangësitë që ndikojnë në cilësinë, besueshmërinë dhe koston e shërbimit publik të ngrohjes qendrore.

    Në komunikatë bëhet e ditur se sistemi i ngrohjes qendrore në Prishtinë mbulon mbi 2.1 milionë metra katrorë hapësira banimi, komerciale dhe institucionale. Megjithatë, sipas shqetësimeve të ngritura nga mediat dhe qytetarët, pavarësisht investimeve të bëra ndër vite, sistemi vazhdon të përballet me humbje të larta në rrjet dhe furnizim të pabarabartë të ngrohjes.

    Sipas ZKA-së, këto probleme janë shoqëruar me ankesa të shumta nga konsumatorët dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë dhe besueshmërinë e shërbimit publik të ngrohjes qendrore në kryeqytet.

  • Osmani takohet me presidentin e Singaporit, Shanmugaratnam

    Osmani takohet me presidentin e Singaporit, Shanmugaratnam

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dje në Davos është takuar me presidentin e Singaporit, Tharman Shanmugaratnam.

    Presidentja Osmani, pas takimit, ka shkruar:

    Pas takimit tonë të parë në Singapor, dje në Davos pata kënaqësinë të takoja sërish Presidentin e Singaporit, Tharman Shanmugaratnam. Diskutuam marrëdhëniet tona të shkëlqyera ndërshtetërore, mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe koordinimin në arenën ndërkombëtare.

    Pas liberalizimit të vizave për qytetarët tanë me pasaporta diplomatike dhe zyrtare, propozova që hapi i radhës të jetë liberalizimi i plotë i vizave për të gjithë qytetarët tanë, një hap që do të forconte edhe më tej bashkëpunimin mes dy shteteve dhe do të afronte më shumë popujt tanë. Po ashtu, diskutuam organizimin e forumit të përbashkët ekonomik, dhe rëndësinë e hapjes së kapitujve të ri të bashkëpunimit midis dy shteteve tona në fusha të shumta të interesit të dyanshëm.

  • Kaos në Spirit Airlines! – Gruaja dhe bulldogët e saj francezë nxirren nga avioni në video virale

    Kaos në Spirit Airlines! – Gruaja dhe bulldogët e saj francezë nxirren nga avioni në video virale

    Kaosi shpërtheu në një fluturim të “Spirit Airlines” kur një pasagjere dhe dy bulldogët e saj francezë u nxorën nga avioni para nisjes, ndërsa pamjet dramatike po bëjnë xhiron e rrjetit.

    Videoja, e publikuar nga TMZ, tregon momentet e tensionuara që ndodhën në aeroportin Cyril E. King në St. Thomas, “Virgin Islands” të SHBA-së, ndërsa avioni përgatitej për ngritje.

    Pamjet tregojnë gruan duke u përfshirë në një përplasje të ashpër me stafin e Spirit, duke treguar vazhdimisht vendin e saj dhe duke përdorur fjalor të rënduar, ndërsa situata përshkallëzohej. Atmosfera u bë edhe më kaotike kur ndërhyri kompania e sigurimit, e cila e tërhoqi gruan “zvarrë” jashtë avionit dhe e shoqëroi poshtë shkallëve, ndërkohë që pasagjerët e tjerë filmonin gjithçka me telefonat e tyre.

    Në të njëjtën kohë, një punonjës tjetër u pa duke nxjerrë jashtë edhe dy bulldogët francezë, duke lënë pasagjerët të shtangur nga ajo që po ndodhte. Në video dëgjohen reagime të habitura dhe psherëtima, ndërsa gruaja vazhdonte të bërtiste dhe të përdorte sharje para se të largohej nga avioni.

    Pavarësisht incidentit, fluturimi i “Spirit Airlines” u nis pak më vonë dhe mbërriti në Fort Lauderdale, Florida, pa probleme të tjera. Deri tani, as kompania ajrore dhe as policia lokale nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare për ngjarjen.

    Ndërkohë, videoja është përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale, duke ndezur debate të ashpra mbi sjelljen e pasagjerëve, rregullat e linjave ajrore dhe kufijtë e tolerancës, veçanërisht kur në lojë janë edhe kafshët shtëpiake.

    Kliko për videon

  • Përse Spanja nuk i bashkohet Bordit të Paqes

    Përse Spanja nuk i bashkohet Bordit të Paqes

    Pedro Sanchez deklaroi këtë mëngjes se Spanja nuk do t’i bashkohet Bordit të Paqes të presidentit amerikan, Donald Trump.

    “E vlerësojmë ftesën, por e refuzojmë. Kjo e bëjmë kryesisht dhe në thelb për arsye të qëndrueshmërisë”, tha kryeministri spanjoll për gazetarët pas samitit të BE-së në Bruksel.

    Ai shtoi se vendimi është në përputhje “me rendin multilateral, sistemin e Kombeve të Bashkuara dhe të drejtën ndërkombëtare”.

    Kryeministri spanjoll gjithashtu theksoi se Bordi “nuk përfshin Administratën Palestineze”, raporton yahoonews.

    Trump të enjten formalizoi krijimin e Bordit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke nënshkruar statutin themelues së bashku me një grup të larmishëm vendesh.

  • Zgjidhen anëtarët e rinj të KGJK-së: Zhitija-Ymeri dhe Thaqi

    Zgjidhen anëtarët e rinj të KGJK-së: Zhitija-Ymeri dhe Thaqi

    Në Gjykatën Supreme të Kosovës është zhvilluar sot procesi i votimit për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) nga radhët e gjyqtarëve të kësaj gjykate.

    Pas përfundimit të procesit zgjedhor, gjyqtarët Franciska Zhitija-Ymeri dhe Rrustem Thaqi janë zgjedhur anëtarë të KGJK-së.

    Procesi i votimit është drejtuar nga Komisioni i themeluar nga KGJK-ja, i kryesuar nga gjyqtarja Drita Rexhaj, me anëtarë gjyqtarin Fidan Hoxha dhe Artan Abazi.

    Në garë për anëtarë të KGJK-së kanë qenë edhe gjyqtarët Bashkim Hyseni dhe Mejreme Memaj.

    Pas përfundimit të procesit zgjedhor, gjyqtarët Franciska Zhitija-Ymeri dhe Rrustem Thaqi janë zgjedhur anëtarë të KGJK-së.

    Procesi i votimit është drejtuar nga Komisioni i themeluar nga KGJK-ja, i kryesuar nga gjyqtarja Drita Rexhaj, me anëtarë gjyqtarin Fidan Hoxha dhe Artan Abazi.

    Në garë për anëtarë të KGJK-së kanë qenë edhe gjyqtarët Bashkim Hyseni dhe Mejreme Memaj.

    Të drejtë vote kanë pasur 35 gjyqtarë, ndërsa në proces kanë marrë pjesë 34. Meqenëse në raundin e parë asnjëri nga kandidatët nuk ka arritur shumicën e thjeshtë të votave, Komisioni ka vendosur zhvillimin e raundit të dytë të votimit.

    Në raundin e dytë, rezultatet kanë qenë si vijon:

    Bashkim Hyseni – 15 vota

    Franciska Zhitija-Ymeri – 19 vota

    Mejreme Memaj – 15 vota

    Rrustem Thaqi – 19 vota

    Bazuar në këto rezultate, Komisioni ka konstatuar se gjyqtarët Franciska Zhitija-Ymeri dhe Rrustem Thaqi, zgjedhen anëtarë të KGJK-së nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe emrat e tyre do t’i përcillen KGJK-së për certifikim.

    Procesi zgjedhor është monitoruar nga përfaqësues të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, (EULEX), Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), dhe Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

  • Zjarri i madh në Gul Plaza, Karaçi, lë 77 persona të zhdukur

    Zjarri i madh në Gul Plaza, Karaçi, lë 77 persona të zhdukur

    Policia ka konfirmuar se numri i të vdekurve nga zjarri që përfshiu një qendër tregtare në Pakistan është rritur në 67.

    Sipas autoriteteve, 77 persona rezultojnë të zhdukur pas shpërthimit të flakëve në Gul Plaza, në Karaçi, qytetin më të madh të vendit, të shtunën në mbrëmje, raporton BBC.

    Flakët, që dogjën për më shumë se 24 orë, kanë vështirësuar ndjeshëm operacionet e shpëtimit. Autoritetet po inspektojnë mbetjet e kompleksit prej 6,500 metrash katrorë.

    Disa nga trupat e gjetur janë pjesërisht të dëmtuara, ndërsa deri më tani janë numëruar 67 viktima. Procesi i identifikimit vazhdon, dhe 15 persona janë identifikuar deri tani, tha zëvendëskomisioneri i policisë për BBC-në.

  • 109 të arrestuar nën dyshimin për falsifikim të rezultateve zgjedhore

    109 të arrestuar nën dyshimin për falsifikim të rezultateve zgjedhore

    Kryeprokurori Petrit Kryeziu në konferencën për media tha se 109 të ndaluar për veprat penale për falsifikim të rezultateve zgjedhore, dhënie e marrje të ryshfetit dhe kanosje.

    “Secili prej atyre që ka guxuar ti fusë duart në votat e qytetarëve është ballafaquar me forcën e ligjit.

    Për manipulime brenda llojit aty ku katër subjektet më të mëdha i kanë dërguar të preferuarit e tyre.

    Mund të kuptoheshin gabimet e vogla të dhjetëra votave. Edhe pse KQZ-ja s’ka ndonjë marzhë tolerance. Këtu bëhet fjalë për mijëra vota të manipuluara e falsifikuara. Pra, ka kandidatë që kanë nga 100-200 e deri mbi 6 mijë vota. Pra, mbi 6 mijë vota janë të flasifikuara për një kandidat. Bëhet fjalë edhe për situata ku vetëm në një vendvotim numri i manipuluar numri i manipuluar ka shkuar deri mbi 2 mijë vota. Pra, praktikisht në një klasë ku kanë votuar qytetarët.

    Në rajonin tonë ato që janë numëruar nga subjektet politike në QKN është vetëm një vendvotim, pra vetëm një klasë që s’është keqpërdorur.

    Në komunën e Prizrenit janë shtuar hiç më pak se 40, 497 vota dhe janë hequr hiç më pak se 27,520. Diferenca totale e keqpërdorimeve është 68,017 vota. Po, flasim për një organizim dhe dashje direkte për ta përmbytur rezultatin.

    Do të ishte e pamundur gjithë këto vota po të mos kishte kompromis të të gjithë komisionerëve atyre që kanë qenë të deleguar nga katër partitë më të mëdha të Kosovës”.

  • Kurti takoi këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar, diskutuan për progresin demokratik në Kosovë

    Kurti takoi këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar, diskutuan për progresin demokratik në Kosovë

    Në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror, të mbajtur në Davos, Zvicër, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi Jonathan Powell, këshilltar për Sigurinë Kombëtare të kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjatë takimit, u diskutua për zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar, planet dhe projektet për mandatin e ardhshëm qeverisës, progresin demokratik në Kosovë dhe rritjen ekonomike, dhe çështje të sigurisë rajonale.

    “Kryeministri u shpreh se Mbretëria e Bashkuar vazhdon të jetë një nga aleatët më të ngushtë të Republikës së Kosovës dhe mirëpret vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftim.

  • Arrestohet nipi i kandidatit për deputet Fetah Paqarizi, dyshime për presion dhe ryshfet për vota në Prizren

    Arrestohet nipi i kandidatit për deputet Fetah Paqarizi, dyshime për presion dhe ryshfet për vota në Prizren

    Në kuadër të aksionit të Policisë dhe Prokurorisë në Prizren është arrestuar një person i dyshuar për ushtrim presioni dhe dhënie ryshfeti, në lidhje me procesin zgjedhor.

    Siç raporton “Betimi për Drejtësi“, i arrestuari është Granit Paqarizi, i cili është djali i vëllait të kandidatit për deputet Fetah Paqarizi. Dyshimet lidhen me veprime të kundërligjshme që përfshijnë presion dhe ryshfet, të cilat dyshohet se kanë ndikuar në procesin e votimit.

    Nga rinumërimi i 50 përqind e votave, Paqarizi ka 6,752 vota më pak.

    Prokuroria Themelore në Prizren kishte bërë të ditur se ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të votave dhe se, teksa rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit.

    Sipas Prokurorisë, pas rinumërimit në disa vendvotime janë vërejtur dallime mes fletëvotimeve dhe votave të numëruara për kandidatët brenda subjekteve politike, duke ngritur dyshime serioze për keqpërdorim të votave.

    Prokuroria ka theksuar se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore përbëjnë vepra penale dhe se këto raste do të trajtohen pa asnjë kompromis.

    Në këtë aksion është arrestuar edhe djali i Nait Hasanit, kandidatit për deputet nga PDK.