ATV

Category: Lajme

  • Eqrem Avdullahu pranon fajësinë për kanosjen ndaj Hysni Gucatit, aktgjykimi më 23 korrik

    Eqrem Avdullahu pranon fajësinë për kanosjen ndaj Hysni Gucatit, aktgjykimi më 23 korrik

    I akuzuari Eqrem Avdullahu e ka pranuar fajësinë për veprën penale “kanosje” ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, në seancën e mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Drenas.

    Pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari, gjykata e miratoi atë, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e caktoi për 23 korrik 2026, në orën 11:30.

    I akuzuari Eqrem Avdullahu tha se e pranon fajësinë.

    “Jam fajtor, e ndjej veten fajtor. Kërkoj falje”, tha ai.

    Avokati i të dëmtuarit Hysni Gucati, Halim Shala, tha se pranimi i fajësisë mund të merret si rrethanë lehtësuese, por sipas tij nuk e zbeh peshën e kërcënimit dhe pasojat që ka shkaktuar rasti.

    “Edhe pse i akuzuari e ka pranuar fajësinë, nuk mund ta minimizojë ndjeshmërinë e kësaj vepre penale kur kemi parasysh autoritetin e Gucatit, i cili përfaqëson institucionin më të rëndësishëm mbi bazën e të cilit funksionon Republika e Kosovës. Pranimi i fajësisë mund të pranohet si rrethanë lehtësuese, por nuk mund ta zbehë peshën e kërcënimit dhe pasojat që ka shkaktuar te secili veteran i UÇK-së, familjarët e Gucatit dhe qytetarët e tjerë. Për ta aprovuar këtë pranim të fajësisë, kërkojmë nga ai të na sqarojë në mënyrë më objektive se kush e ka shtyrë që ta bëjë atë postim kaq denigrues. Ne nuk mund të pajtohemi me pranimin e fajësisë pa marrë përgjigje. A e ka shtyrë dikush apo e ka bërë vetë këtë vepër? Në konsultim japim pëlqimin për pranimin e fajësisë në këtë fazë të procedurës”, tha ai.

    Gjyqtari Shefqet Baleci tha se gjykata e miraton pranimin e fajësisë, ndërsa aktgjykimi do të shpallet në seancën e radhës.

    “Miratohet pranimi i fajësisë. Gjykata sot nuk mund ta bëjë shpalljen e aktgjykimit. Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 23.07.2026, në ora 11:30”, tha ai.

    Sipas prokurorës Albiona Musajaktakuzës ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 3 qershor 2026, rreth orës 13:10, Eqrem Avdullahu, përmes rrjetit social Facebook, me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe ankthit, e ka kanosur seriozisht Hysni Gucatin.

    Ajo tha se në një faqe në Facebook me emrin “Diaspora në Krye” ishte publikuar një fotografi e Gucatit me mbishkrimin: “Prokuroria heton Hysni Gucatin – morri rrogë për 19 vite si sekretar shkolle pa shkuar në punë”, ndërsa më pas Avdullahu, nga llogaria e tij personale në Facebook me emrin “Eqrem Avdullahu”, kishte komentuar: “Këtë derr duhet pushkatu”.

    Sipas Prokurorës, me këtë koment tek i dëmtuari është shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën, me ç’rast i akuzuari dyshohet se ka kryer veprën penale “kanosje”.

  • Kurti ngushëllon familjet e tre kosovarëve që vdiqën në aksident në kufirin me Maqedoninë e Veriut

    Kurti ngushëllon familjet e tre kosovarëve që vdiqën në aksident në kufirin me Maqedoninë e Veriut

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i ka ngushëlluar familjet e tre personave që vdiqën tragjikisht në një aksidentin në afërsi të pikëkalimit kufitar Hani i Elezit–Bllacë me Maqedoninë e Veriut.

    “Ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të Ejup Tërnavës, Cennet Tërnavës dhe Fatmire Shabanit për humbjen tragjike të më të dashurve të tyre”, shkroi Kurti në një postim në Facebook.

    Ai shpërndau reagimin e ambasadorit të Kosovës në Shkup, Florian Qehaja, i cili tha se Ambasada e Kosovës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kompetente të Maqedonisë së Veriut, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës, si dhe me familjarët e viktimave, për të ofruar ndihmën e nevojshme gjatë trajtimit të rastit.

    Tha se pas përfundimit të procedurave nga autoritetet përkatëse, trupat e pajetë pritet të transportohen në Kosovë.

    “U shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve, të afërmve dhe miqve të tyre. Në këto çaste të rënda ndaj dhimbjen me familjet dhe të dashurit e të ndjerëve. U prehshin në paqe”, ka shkruar ambasadori.

  • Raporti i Këshillit të Evropës, BE-ja kërkon fundin e sulmeve ndaj mediave

    Raporti i Këshillit të Evropës, BE-ja kërkon fundin e sulmeve ndaj mediave

    Shefi i Sektorit Politik të Bashkimit Evropian në Kosovë, Boguslaw Gertruda, ka bërë thirrje që zyrtarët publikë të përmbahen nga sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve.

    Deklarata e tij u bë gjatë lansimit të raportit të Platformës për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës.

    “Zyrtarët publikë duhet të përmbahen nga sulmet ndaj medias dhe gazetarëve”, ka thënë Gertruda, duke theksuar rëndësinë e një ambienti të sigurt për punën e gazetarëve.

    Ai ka kërkuar gjithashtu konsultime më të gjera gjatë hartimit të ligjeve të reja për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) dhe Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

    “Duhet të ketë konsultime të gjera për ligjet e reja që lidhen me KPM-në dhe RTK-në, në mënyrë që proceset të jenë gjithëpërfshirëse dhe transparente”, është shprehur ai.

    Gertruda ka theksuar edhe nevojën për më shumë transparencë në lidhje me pronësinë e mediave, duke e cilësuar këtë si një element të rëndësishëm për forcimin e lirisë së shprehjes dhe besimit të publikut.

    “Transparenca më e madhe e pronësisë së mediave është thelbësore për një ekosistem të shëndetshëm mediatik”, ka deklaruar shefi i Sektorit Politik të BE-së në Kosovë.

    Bashkimi Evropian vazhdon të vlerësojë mbrojtjen e gazetarëve, lirinë e medias dhe qasjen në informim si pjesë të rëndësishme të standardeve demokratike dhe procesit të integrimit evropian të Kosovës.

  • KPK merr vendim për pesë prokurorët serbë, refuzon kthimin e tyre në detyrë

    KPK merr vendim për pesë prokurorët serbë, refuzon kthimin e tyre në detyrë

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e së hënës, vendosi për refuzimin e kërkesave për tërheqjen e dorëheqjeve të pesë prokurorëve dhe 15 anëtarëve të stafit mbështetës të komunitetit serb në Prokurorinë e Mitrovicës.

    KPK-ja dërgoi tek ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, emrat e pesë prokurorëve për lirim nga detyra.

    Po ashtu, në këtë takim, Këshilli shfuqizoi vendimin për pezullimin e pagave për prokurorët dhe stafin mbështetës serb.

    Për refuzimin e tërheqjes së dorëheqjeve të ofruara nga prokurorët dhe stafi mbështetës serb, votuan katër anëtarët: Dardan Vuniqi, Visar Krasniqi, Elza Bajrami-Kastrati dhe Arlinda Muqa. Ndërkaq kundër votuan: kryesuesi Arian Gashi, Kryeprokurori i Shtetit- Zejnullah Gahsi dhe anëtari Milot Krasniqi.

    Deri te ky vendim erdhi me propozim të zëvendëskryesuesit të KPK-së, Dardan Vuniqi, raporton Betimi për Drejtësi.

    Kryesuesi Arian Gashi propozoi që për këtë çështje të diskutohet në takimet e radhës, me arsyetimin se duhet konsultim me Këshillin Gjyqësor.

    Ai shtoi se po ashtu duhet të përgatiten edhe materialet. Propozimi i tij u përkrah nga Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi dhe anëtari Milot Krasniqi.

    Në anën tjetër, anëtarja Arlinda Muqa tha se kthimi i prokurorëve dhe stafit mbështetës serb, mund të ndodh vetëm nëse i nënshtrohen procedurave të rekrutimit. Propozoi që të mbështetet propozimi i Vuniqit që të refuzohen tërheqjet e dorëheqjeve dhe të dërgohen te Presidentja për lirim nga detyra.

    Gjithashtu, edhe anëtarja Elza Bajrami-Kastrati tha se nuk vlerëson se ka dicka për t’u diskutuar, duke shtuar se secili dha mendimin e vet, andaj propozoi që të vazhdohet me votim.

    Propozimin e Vuniqit e përkrahu edhe anëtari Visar Krasniqi.

    Më pas, me katër vota për, u miratua propozimi që të refuzohen tërheqjet e dorëheqjeve të pesë prokurorëve dhe stafit mbështetës, si dhe të dërgohen tek Presidentja për lirim nga detyra.

    Po ashtu, u shfuqizua vendimi për pezullimin e pagave të tyre, vendim i cili ishte marrë nga KPK-ja kur të njëjtit kishin ofruar dorëheqjet.

  • Për një javë në rajonin e Prishtinës u realizuan 191 urdhëresa të gjykatës – prej tyre 48 urdhëresa për vepra penale

    Për një javë në rajonin e Prishtinës u realizuan 191 urdhëresa të gjykatës – prej tyre 48 urdhëresa për vepra penale

    Nga zyrtarët policor të rajonit Prishtinës, gjatë javës së kaluar në lokacione të ndryshme dhe aksione të ndara, janë realizuar 191 urdhëresa të gjykatës, prej tyre 48 urdhëresa për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime etj.

    Sipas një njoftimi për media thuhet se në përputhje me urdhëresat, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë, janë liruar, pasi të njëjtit kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa.

    “Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në segmente të tjera të sigurisë. Kësisoj në harkun e njëjtë kohor janë sekuestruar 17 armë zjarri, të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim në po të njëjtën periudhë kohore, kanë rezultuar me shqiptimin e 4.721 masave administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor, prej tyre 953 të evidentuara nga vetura inteligjente dhe vetura me radar mobil.

  • Vajza kërkon nga ndërkombëtarët dëshmi se babai i burgosur në Serbi ishte refugjat në luftë

    Vajza kërkon nga ndërkombëtarët dëshmi se babai i burgosur në Serbi ishte refugjat në luftë

    Florie Selmani, vajza e shtetasit kosovar Osman Selmani, ka kërkuar ndihmën e organizatave ndërkombëtare që kanë monitoruar refugjatët gjatë luftës në Kosovë, për të siguruar dëshmi që, sipas saj, mund të vërtetojnë se babai i saj nuk ka kryer krime lufte.

    Osmani Selmani, 74-vjeçar, ishte arrestuar më 1 korrik nga autoritetet serbe në pikën kufitare Mutivodë, gjatë kthimit nga Medvegja në Prishtinë, nën dyshimet për krime lufte.

    Sipas vajzës së tij, gjatë luftës në Kosovë, familja Selmani ishte larguar nga shtëpia dhe kishte qëndruar si refugjate në Maqedoninë e atëhershme.

    Ajo ka kërkuar nga organizatat që kanë qenë të përfshira në menaxhimin dhe monitorimin e refugjatëve që të ofrojnë çdo dokument, regjistrim apo informacion që mund të dëshmojë qëndrimin e Osman Selmanit në kampin e refugjatëve në Çegran, Gostivar, gjatë periudhës së luftës.

    Ajo u është drejtuar organizatave si UNHCR, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe organizatave të tjera humanitare, duke kërkuar ndihmë për dokumentimin e së vërtetës lidhur me rastin e babait të saj.

    “Sot u drejtohemi të gjithë personave, organizatave dhe institucioneve që kanë qenë të përfshira në menaxhimin dhe monitorimin e refugjatëve gjatë vitit 1999. Çdo dëshmi, dokument, regjistrim apo informacion që mund të na ofroni do të jetë një ndihmë e madhe për zbardhjen e së vërtetës dhe dokumentimin e historisë së familjes sonë, veçanërisht lidhur me babain tonë, Osman Selmani.

    Organizatat të cilave u drejtohemi:

    UNHCR – Agjencia e OKB-së për Refugjatë (regjistrimi, mbrojtja dhe koordinimi i ndihmës për refugjatët)

    ICRC – Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ndihmë humanitare dhe lidhje familjare)

    IFRC dhe Kryqi i Kuq i Maqedonisë

    CARE (përfshirë në operacione humanitare gjatë krizës së refugjatëve)

    IOM – Organizata Ndërkombëtare për Migrim (transporti dhe kthimi i refugjatëve)

    UNICEF, WHO, OCHA dhe organizata të tjera të Kombeve të Bashkuara

    CRS, Norwegian Refugee Council, Oxfam, Mercy Corps, International Medical Corps dhe organizata të tjera humanitare. Ju lutemi ta shpërndani këtë apel me këdo që mund të ketë informacione, dokumente apo dëshmi nga kampi i refugjatëve në Çegran gjatë vitit 1999. Çdo informacion mund të jetë një pjesë e rëndësishme për të vërtetën”, shkroi Florie Selmani.

  • Shtrenjtohet nafta pas sulmeve të reja amerikane në Iran

    Shtrenjtohet nafta pas sulmeve të reja amerikane në Iran

    Çmimet e naftës u rritën me rreth 3% të dielën, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani shkëmbyen sulme për më shumë se një javë.

    Nafta e papërpunuar Brent, çmimi ndërkombëtar referues, u rrit me 3% në rreth 90.78 dollarë për fuçi, dhe nafta e papërpunuar amerikane u rrit me pothuajse 3% në 84.85 dollarë për fuçi.

    Trafiku në Ngushticën e Hormuzit, ku rrjedh 20% e furnizimit global me naftë, ka qenë në rënie pas përshkallëzimit të tensioneve javën e kaluar.

    Të mërkurën, SHBA-të rivendosën bllokadën detare të porteve iraniane.

    Disa anije kanë përdorur rrugë alternative, duke përfshirë edhe përgjatë vijës bregdetare të Omanit, të cilat nuk janë miratuar nga Teherani.

    Çmimet e benzinës kanë qenë gjithashtu në rritje, por mesatarja kombëtare e SHBA-së mbetet pak nën 4 dollarë për galon.

    Me 3.992 dollarë për galon, shoferët amerikanë po paguajnë rreth 34% më shumë sesa paguanin para fillimit të luftës.

  • Aksidenti tragjik në Bllacë, ambasadori Qehaja jep detaje për kthimin e trupave

    Aksidenti tragjik në Bllacë, ambasadori Qehaja jep detaje për kthimin e trupave

    Tre persona nga Kosova, Ejup Tërnava, Cennet Tërnava dhe Fatmire Shabani, kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident trafiku të ndodhur mbrëmë në afërsi të pikëkalimit kufitar Hani i Elezit–Bllacë, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

    Ambasadori i Kosovës, Florian Qehaja, ka shprehur ngushëllimet për familjarët, të afërmit dhe miqtë e viktimave, duke konfirmuar angazhimin e institucioneve për trajtimin e rastit.

    “U shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve, të afërmve dhe miqve të Ejup Tërnavës, Cennet Tërnavës dhe Fatmire Shabanit, të cilët humbën jetën tragjikisht në aksidentin e ndodhur në afërsi të pikëkalimit kufitar Hani i Elezit–Bllacë”, ka shkruar Qehaja.

    Sipas tij, që nga marrja e informacionit për rastin, Ambasada e Republikës së Kosovës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kompetente të Maqedonisë së Veriut, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës, si dhe me familjarët e të ndjerëve, për të ofruar ndihmën e nevojshme.

    “Që nga marrja e informacionit për rastin, Ambasada e Republikës së Kosovës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kompetente të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës, si dhe me familjarët e të ndjerëve”, është shprehur ambasadori.

    Pas përfundimit të procedurave përkatëse nga autoritetet kompetente, trupat e pajetë pritet të transportohen në Republikën e Kosovës.

    “Në këto çaste të rënda shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe ndaj dhimbjen me familjet dhe të dashurit e të ndjerëve. U prehshin në paqe!”, ka deklaruar Florian Qehaja.

  • Një javë me 48 aksidente në Ferizaj, Policia pezullon 23 patentë shoferë

    Një javë me 48 aksidente në Ferizaj, Policia pezullon 23 patentë shoferë

    Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se ka shqiptuar 1 mijë e 517 gjoba kundërvajtëse dhe ka pezulluar 23 patentë shoferë gjatë javës së kaluar, në kuadër të aktiviteteve për parandalimin e aksidenteve në trafik.

    Sipas Policisë, nga data 13 deri më 19 korrik 2026, në rajonin e Ferizajt janë regjistruar gjithsej 48 aksidente, prej të cilave 14 me lëndime, ku janë lënduar 22 persona, ndërsa 34 kanë përfunduar vetëm me dëme materiale.

    “Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për të parandaluar aksidentet dhe apelon tek të gjithë shoferët e automjeteve që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e trafikut. Ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo kundërvajtje”, thotë PK.

  • Detaje nga konflikti në Zvicër për një tokë në Kosovë: Përleshje me çekan dhe shufra mes dy familjeve

    Detaje nga konflikti në Zvicër për një tokë në Kosovë: Përleshje me çekan dhe shufra mes dy familjeve

    Një konflikt i vjetër për një pronë në Kosovë është kthyer në një përleshje të dhunshme në Zvicër, duke përfunduar me ndërhyrjen e policisë, përdorimin e elektroshokut dhe disa persona të lënduar. Ngjarja, e cila ndodhi në qytetin e Schlierenit pranë Zürichut, ka sjellë edhe pasoja ligjore për personat e përfshirë.

    Siç raportojnë mediat atje, një 59-vjeçar nga Kosova, i cili jeton në rajonin Aarau-Lenzburg dhe merr pension invaliditeti, kishte një mosmarrëveshje të gjatë pronësie me një familje tjetër në Kosovë.

    Sipas aktakuzës, ai vendosi ta zgjidhte çështjen “sipas zakonit të vjetër” dhe kërkoi adresën e familjes me të cilën kishte konflikt përmes një restoranti lokal. Më pas shkoi në shtëpinë e tyre në Schlieren për t’u përballur drejtpërdrejt me ta.

    Situata u përshkallëzua. Burri dyshohet se kërcënoi një grua të familjes, e cila nga frika kërkoi ndihmën e dy djemve të saj. Kur njëri prej tyre doli jashtë për të sqaruar situatën, 59-vjeçari liroi qenin nga litari dhe tentoi ta sulmonte.

    Pas përplasjes fizike mes tyre, konflikti mori përmasa më të mëdha. Sipas raportimeve, 59-vjeçari mori nga makina një çekan, të cilin e përdori gjatë përleshjes, si dhe një shufër hekuri me të cilën goditi një tjetër pjesëtar të familjes kundërshtare.

    Përleshja vazhdoi me goditje nga të dyja palët, derisa në vendngjarje arriti policia.

    Edhe pas ndërhyrjes së autoriteteve, 59-vjeçari nuk pranoi të qetësohej dhe, sipas policisë, bëri rezistencë gjatë arrestimit.

    Për shkak të sjelljes agresive, policët përdorën pistoletën me elektroshok për ta neutralizuar. Si pasojë e përleshjes, 59-vjeçari dhe një 25-vjeçar përfunduan në spital me lëndime të rënda, transmeton Klankosova.

    Prokuroria e Zürichut ka shqiptuar ndaj 59-vjeçarit një dënim me gjobë me kusht prej 180 ditësh, si dhe 1 mijë franga shpenzime gjyqësore, për veprat penale të kërcënimit, pjesëmarrjes në përleshje dhe rezistencës ndaj policisë.

    Edhe 25-vjeçari i familjes tjetër është dënuar me gjobë me kusht për shkak të përfshirjes së vetëdijshme në përleshje, ndërsa për vëllanë e tij më të vogël, i cili është i mitur, procedura po zhvillohet në gjykatën për të mitur.

    Rasti ka nxjerrë në pah se një mosmarrëveshje pronësie e nisur në Kosovë është shndërruar në një konflikt serioz me pasoja penale në Zvicër.