ATV

Category: Lajme

  • Vdes një person në Prishtinë, bie nga lartësia e një objekti

    Vdes një person në Prishtinë, bie nga lartësia e një objekti

    Një person ka ndërruar jetë mbrëmjen e së hënës rreth orës 23:00 pasi ka rënë nga një lartësi në rrugën “Arshi Pipa”, në Prishtinë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.

    Siç thuhet në njoftim si pasojë e lëndimeve të marra, viktima nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.

    “Mbrëmë, rreth orës 23:00, Policia ka pranuar informatën se në rrugën “Arshi Pipa” në Prishtinë, një person ka rënë nga një lartësi (objekt). Si pasojë e lëndimeve të marra, viktima nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve. Vdekja e viktimës është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka nisur hetimet dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për sqarimin e rrethanave të rastit”, ka thënë Pllana.

  • Trump vendos tarifa 50% ndaj mallrave kanadeze

    Trump vendos tarifa 50% ndaj mallrave kanadeze

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vendosi të hënën tarifa prej 50% ndaj shumicës së mallrave që importohen nga Kanadaja, duke deklaruar se Kanadaja ka diskriminuar padrejtësisht automobilat amerikanë, si edhe produktet e alkoolit dhe bulmetit nga SHBA-ja.

    Ky veprim mund të shkaktojë një valë të re pasigurie ekonomike, me rrezik për rritje të inflacionit dhe përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat kishin qenë ngushtë të lidhura përpara rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

    Një zyrtar i administratës amerikane, që foli në kushte anonimiteti gjatë një bisede me gazetarët, tha se Kanadaja ishte një nga të paktat vende, përveç Kinës, që u kundërpërgjigj me masa ndaj tarifave të mëparshme të Trumpit dhe se për këtë arsye duhet të mbahet përgjegjëse, shkruan Euronews.

    Sipas të njëjtit zyrtar, Trump nënshkroi tre shpallje presidenciale për vendosjen e tarifave në bazë të Nenit 338 të Aktit të Tregtisë të vitit 1930. Disa ligjvënës demokratë kishin propozuar vitin e kaluar shfuqizimin e këtij neni, duke argumentuar se ai mund të përdorej për të destabilizuar ekonominë.

    Tarifat e reja prej 50% nuk do të zbatohen për produktet energjetike, potasin, peshkun dhe mineralet kritike. Megjithatë, ato do të përfshijnë mallrat që më parë ishin të mbrojtura nga taksat e importit sipas Marrëveshjes SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA). Kjo marrëveshje tregtare e vitit 2020 nuk u rinovua nga SHBA-ja, duke hapur rrugën për negociata të reja që mund të zgjasin deri në vitin 2036.

    Shtëpia e Bardhë bëri të ditur në një dokument informues se tarifat do të hyjnë në fuqi pas 30 ditësh, duke lënë kohë për negociata, pasi Trump jo gjithmonë i ka zbatuar rritjet e tarifave që ka paralajmëruar.

    Kryeministri kanadez Mark Carney tha në një deklaratë se qeveria e tij beson në “përfitimet e tregtisë së lirë dhe të ndershme”, pasi ka nënshkruar “më shumë se 20 partneritete të reja ekonomike dhe të sigurisë”. Ai tha se Kanadaja është e përgatitur të negociojë me administratën Trump.

    “Ky mosmarrëveshje tregtare ka rritur kostot për familjet, veçanërisht në SHBA”, tha Carney. “Kanadaja është e gatshme të angazhohet intensivisht për të adresuar çështjet e pazgjidhura me SHBA-në në dobi të ndërsjellë të qytetarëve tanë”.

  • Aksidenti fatal në Komoran, dalin detaje të reja: Familja ishte nisur nga Aeroporti i Tiranës

    Aksidenti fatal në Komoran, dalin detaje të reja: Familja ishte nisur nga Aeroporti i Tiranës

    Mëngjesi i së martës rezultoi tragjik për 24-vjeçaren Rea Raka, e cila humbi jetën si pasojë e një vetaksidenti në rrugën nacionale Pejë-Prishtinë, në afërsi të Komoranit.

    Në këtë aksident u lënduan edhe tre persona të tjerë. Sipas informacioneve, të gjithë ishin familjarë dhe po ktheheshin nga Aeroporti i Tiranës në momentin kur ndodhi aksidenti.

    Ndërkohë njësitë kompetente policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

    Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut, të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes, me qëllim parandalimin e aksidenteve.

    Aksidenti tragjik në Bllacë-Shkup

    Një rast pothuajse i ngjashëm ndodhi edhe të dielën që shkoi. Tre kosovarë humbën jetën tragjikisht pak pasi ishin nisur nga Aeroporti i Shkupit.

    Ata u gjetën pajetë brenda automjetit me targa gjermane, e cila u has në rrugën Bllacë-Shkup.

    Sot, Komuna e Vushtrrisë ka shpallur ditë zie me rastin e ndarjes nga jeta të tre shtetasve kosovare në mënyrë tragjike.

  • Kujdes gjatë pasdites, IHMK paralajmëron stuhi lokale dhe mundësi breshëri

    Kujdes gjatë pasdites, IHMK paralajmëron stuhi lokale dhe mundësi breshëri

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pjesshme, ndërsa në orët e mesditës dhe pasdites pritet zhvillim i vranësirave konvektive që në disa zona do të sjellin reshje lokale shiu dhe shkarkesa rrufesh.

    Sipas njoftimit të IHMK-së, në zona të izoluara ekziston mundësia e rrebesheve më intensive, erërave të përkohshme të fuqishme dhe paraqitjes së breshrit.

    “Gjatë orëve të mesditës dhe pasdites pritet zhvillim i vranësirave konvektive, të cilat vende-vende do të shoqërohen me reshje lokale shiu dhe shkarkesa rrufesh”, thuhet në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.

    Instituti thekson se reshjet nuk do të jenë të përhapura në të gjithë vendin, por do të kenë karakter lokal.

    “Reshjet do të kenë karakter lokal dhe nuk do të përfshijnë tërë territorin e vendit. Për këtë arsye, në disa rajone mund të ketë stuhi afatshkurtra, ndërsa në rajone të tjera moti do të mbetet kryesisht i thatë”, njofton IHMK.

    Temperaturat maksimale gjatë ditës pritet të arrijnë nga 31 deri në 33 gradë Celsius, ndërsa erërat do të fryjnë kryesisht nga veriperëndimi me intensitet të lehtë deri mesatar, duke u fuqizuar përkohësisht në zonat ku zhvillohen procese stuhore.

    Në fund, IHMK u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë qëndrimit në ambiente të hapura.

    “Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës rekomandon që qytetarët të ndjekin njoftimet dhe përditësimet zyrtare të motit, si dhe të tregojnë kujdes gjatë aktiviteteve në ambiente të hapura në rast të paraqitjes së bubullimave, erërave të forta ose reshjeve intensive”, thuhet në njoftimin zyrtar.

  • ​Time Kadrijaj i bashkohet sfidës së Burim Ramadanit, e kryen narko-testin

    ​Time Kadrijaj i bashkohet sfidës së Burim Ramadanit, e kryen narko-testin

    Deputetja e zgjedhur e Aleancës, Time Kadrijaj i është nënshtruar vullnetarisht testit që dëshmon përdorimin ose jo të drogës.

    Ajo tha se me këtë veprim synon të jap shembull dhe të ngris vetëdijen lidhur me përdorimin e substancave narkotike.

    Në procesin e narko-testit që u krye mëngjesin e së hënës në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për të kryer testin, politikania u përcoll nga ekipi i KosovaPress.

    Rezultatet ndërkaq janë publikuar rreth orës 13:00, duke konfirmuar se deputetja ka rezultuar negative në testin për përdorim droge.

    “Po, mundeni edhe me e pa publikisht, secila analizë që është nxjerrë, të gjitha janë negative, kështu që jam e pastër”, u shpreh Kadrijaj.

    Pas përfundimit të testimit dhe publikimit të rezultateve, Kadrijaj tha për Kosovapress, se transparenca dhe llogaridhënia duhet të vlejnë edhe për zyrtarët publikë.

    “E bëra me vullnet e dëshirë, sepse statistikat tregojnë që është rritur ndjeshëm, shumë është rritur numri i fëmijëve që konsumojnë drogë, të të rriturve, adoleshentëve. është një masë e madhe, një fenomen shqetësues. Andaj vullnetarisht kam dashur ta bëj testin e drogës. Në mënyrë që ndoshta, në mënyrë institucionale të kërkohet që edhe nxënësit e shkollës fillore, por edhe nxënësit e shkollës së mesme, po edhe nëpër institucione të bëhet një ligj i cili i obligon të gjithë që ta bëjnë testin e drogës — narkotestin. Në mënyrë që të gjejmë modele edhe mundësi që ata të trajtohen, ose në njëfarë forme nëse e dinë nxënësit se do të testohen, ndoshta do t’u jepet mundësia që të largohen prej këtij me të vërtetë vdekjeprurës. Ishin bëre bërë disa ndryshime”.

    Kadrijaj, që është politikanja e dytë e cila i nënshtrohet narko-testit, pas Burim Ramadanit, që e mori iniciativën, propozoi që testimi të rregullohet me ligj dhe të bëhet i detyrueshëm në institucione, por edhe në sistemin arsimor.

    “Duhet ta bëjmë një ligj që t’i detyrojë të gjitha institucionet, pavarësisht cilit sektor i përkasin. Edhe Kuvendi, edhe Policia, edhe Ushtria, edhe shkollat, edhe mësimdhënësit, edhe mjekët, të gjithë duhet t’i nënshtrohen narkotestit, në mënyrë që të ketë transparencë dhe të luftohet ky fenomen i keq”, deklaroi ajo.

    Ajo I ftoi edhe deputetët tjerë që t’i përgjigjen sfidës për t’iu nënshtruar testimit.

    “Jini transparentë me publikun. Nëse ekziston qoftë edhe pak dyshim dhe një deputet apo zyrtar i lartë sfidohet ta bëjë narkotestin e nuk e bën, atëherë vihet në pikëpyetje besueshmëria e tij”, u shpreh Kadrijaj.

    Testi bëhet në laboratorin e Klinikës së Gjinekologjisë, por vetëm më udhëzimin I cili paraprakisht merret në klinikën e Psikiatrisë. /KP/

  • IKSHPK: Gjatë javës së fundit janë raportuar 11 raste të reja me fruth

    IKSHPK: Gjatë javës së fundit janë raportuar 11 raste të reja me fruth

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) njofton se gjatë periudhës 16 prill deri më 20 korrik 2026, në Kosovë janë raportuar gjithsej 69 raste të konfirmuara me fruth, gjersa vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar 11 raste të reja me fruth.

    IKSHPK njofton se sipas komunave, numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës me 21 raste, komuna e Ferizajt me 12 raste; Fushë-Kosova me 12 raste; Kaçaniku me 7 raste; Lipjan me 3 raste; Vushtrri, Shtime, Drenas dhe Obiliq, me nga 2 raste; si dhe me nga një rast komunat: Podujeva, Gjilan, Deçan, Skënderaj, Shtërpce dhe Viti.

    “Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare.

    Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik”, thuhet në njoftim.

    IKShPK rekomandon që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore.

  • Viza e re saudite u lejon pelegrinëve të Umrës të kryejnë disa herë vizita brenda një viti

    Viza e re saudite u lejon pelegrinëve të Umrës të kryejnë disa herë vizita brenda një viti

    Ministria e Haxhit dhe Umrës në Arabinë Saudite ka njoftuar një vizë të re me shumë hyrje për pelegrinët e Umrës.

    Me vizën e sapo lansuar, të vlefshme për 365 ditë nga data e lëshimit, vizitorët mund të hyjnë në qytetet e shenjta disa herë për të kryer Umrën për një qëndrim kumulativ jo më shumë se 90 ditë, transmeton Telegrafi.

    Sipas Agjencisë Saudite të Shtypit (SPA), ky veprim “përputhet me Vizionin Saudit 2030 dhe qëllimet e Programit të Përvojës së Pelegrinëve për të lehtësuar mbërritjen, pasuruar përvojën e pelegrinëve dhe përmirësuar efikasitetin e shërbimit”.

    Pelegrinët kanë të drejtë të përdorin vizën e re vetëm nëse blejnë një paketë shërbimi për Umrën nga një ofrues i miratuar përmes platformës Nusuk Umrah të Arabisë Saudite për çdo vizitë.

    Platforma është “shop-i i vetëm” digjital i vetë-stiluar i Mbretërisë që ofron lëshimin e vizave, akomodimin, transportin dhe rezervimet e fluturimeve për pelegrinët.

    Kohëzgjatja e paketës gjithashtu nuk duhet të kalojë numrin e ditëve të mbetura në vizë dhe udhëtarët duhet të sigurojnë një leje Umre përmes Nusukut para se të mbërrijnë në Arabinë Saudite.

    “Ministria pohoi se viza rrit fleksibilitetin në planifikimin e vizitave dhe mbështet integrimin e shërbimeve digjitale dhe operative gjatë gjithë udhëtimit të pelegrinit”, shtoi SPA.

    Pas përfundimit të pelegrinazhit dhe pas nisjes, viza çaktivizohet. Mund të riaktivizohet për herën tjetër që pelegrini dëshiron të vizitojë, pasi të ketë përmbushur kërkesat rregullatore. Gjithashtu mbetet joaktive gjatë sezonit vjetor të Haxhit.

    Deri më tani në vitin 2026, Arabia Saudite ka mirëpritur 931,500 pelegrinë me viza Umre, duke shënuar një rritje prej 22.5% krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2025, me vizitorët kryesorë ndërkombëtarë që vijnë nga Pakistani, Indonezia dhe Iraku.

    Ndryshe nga Haxhi, i cili kryhet vetëm gjatë muajit islamik Dhul Hixhxhe çdo vit, Umre është një pelegrinazh vullnetar që mund të ndërmerret gjatë gjithë vitit në çdo kohë – prandaj shpesh quhet një Haxh “i vogël” ose “i vogël”.

    Nga ana tjetër, Haxhi është një detyrim fetar që ndodh një herë në jetë për myslimanët që janë financiarisht dhe fizikisht të aftë. Ritualet e saj kryesore zgjasin rreth pesë deri në gjashtë ditë për t’u përfunduar, ndërsa Umra zakonisht mund të përfundojë brenda pak orësh në ditë.

    Në vitin 2025, Arabia Saudite priti më shumë se 1.5 milion pelegrinë të huaj vetëm për Haxh, të cilët mbërritën nga jashtë vendit përmes pikave të ndryshme të hyrjes, sipas të dhënave nga Autoriteti i Përgjithshëm për Statistikat (GASTAT). Duke përfshirë pelegrinët vendas, totali ishte më shumë se 1.6 milion njerëz.

  • Hoti: Në Britani ulen taksat për energjinë, në Kosovë qytetarët paguajnë më shumë

    Hoti: Në Britani ulen taksat për energjinë, në Kosovë qytetarët paguajnë më shumë

    Ish kryeministri i Kosovës, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë sot se Qeverisja e mirë nuk matet vetëm me sa të hyra mbledh shteti, por matet me trendin e mirëqenies së qytetarëve.

    Hoti në një postim në Facebook shkruan se me qëllim të zvogëlimit të kostos së jetesës për familje, puna e parë që bëri Kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar ishte ulja e ngarkesave tatimore në faturat e energjisë, gjersa në Kosovë ndodh e kundërta.

    Lexoni të plotë postimin e tij:

    Me qëllim të zvogëlimit të kostos së jetesës për familje, puna e parë që bëri Kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar ishte ulja e ngarkesave tatimore në faturat e energjisë. Një masë e tillë është marrë më herët edhe nga disa qeveri të Bashkimit Evropian.

    Në Kosovë ndodh e kundërta.

    Jo që nuk janë ulur ngarkesat tatimore në faturat e energjisë, por energjia është shtrenjtuar disa herë. Edhe për naftën, rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare është reflektuar drejtpërdrejt te konsumatori. Meqë TVSH-ja llogaritet mbi çmimin e produktit, sa më i lartë çmimi i naftës, aq më e lartë është edhe shuma e TVSH-së që paguan qytetari. Përmes vendosjes së çmimit maksimal ditor, Qeveria zyrtarisht e ka bartur tek konsumatori i fundit rritjen e çmimit të furnizimit të naftës.

    Problemi nuk mbaron këtu. Mosveprimet e qeverisë sot lënë pasoja afatgjata në zhvillimin e gjithmbarshëm njerëzor në Kosovë.

    Kur çmimet e të mirave elementare, siç janë energjia, rriten përtej trendit të zakonshëm dhe të pritshëm vjetor, zakonisht familjet i ulin shpenzimet në: arsim, shëndetësi, cilësinë e ushqimit, kulturë e rekreacion. Kjo mund të ketë pasoja të rënda dhe afatgjata, sidomos për fëmijët dhe familjet me të ardhura të ulëta.

    Në situata të tilla është jetike roli i shtetit për të parandaluar uljen e konsumit të familjeve për të mira elementare. Një qeveri e përgjegjshme këtë e bën duke marrë përsipër një pjesë të rritjes së kostos së jetesës përmes uljes së ngarkesave tatimore për familje. Ulja e barrës tatimore sot është më e lirë për shtetin sesa kostoja që do të paguajmë nesër për familjet që sot detyrohen të heqin dorë nga shumë nevoja, duke e dëmtuar kështu zhvillimin afatgjatë të anëtarëve të tyre.

    Qeverisja e mirë nuk matet vetëm me sa të hyra mbledh shteti, por matet me trendin e mirëqenies së qytetarëve.

  • Ish-kryetari Erden Atiq shpërthen në gjuhë vulgare pas vendimit të Albulena Haxhiut

    Ish-kryetari Erden Atiq shpërthen në gjuhë vulgare pas vendimit të Albulena Haxhiut

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, pak më herët njoftoi se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Këta prokurorë kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.

    Këtë vendim e ka komentuar me një gjuhë vulgare ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

    “perndryshe: ajde u p**u mater”, shkroi ai krahas shpërndarjes së postimit të Haxhiut.

  • Aksidenti me fatalitet në Komoran, policia jep detaje

    Aksidenti me fatalitet në Komoran, policia jep detaje

    Një e re në moshën rreth 24-vjeçare ka humbur jetën pas një vetaksidenti në rrugën nacionale Pejë-Prishtinë në afërsi të Komoranit, mëngjesin e sotëm.

    Tre persona të tjerë kanë pësuar lëndime si pasojë e këtij vetaksidenti.

    “Sot, rreth orës 05:30, në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë, në afërsi të Komoranit, është shkaktuar një aksident trafiku me pasoja fatale. Si pasojë e aksidentit (vetaksident), një person ka humbur jetën, ndërsa tre persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore. Njësitë kompetente policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke zhvilluar hetimet për sqarimin e rrethanave të rastit”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

    Policia e Kosovës apelon te të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes.