ATV

Category: Lajme

  • BIK përkrahë marshin protestues “Liria ka emër”

    BIK përkrahë marshin protestues “Liria ka emër”

    Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Myftiu Naim ef. Tërnava, përveç vendimeve të tjera, vendosi që të përkrahë fuqishëm marshin protestues “Liria ka emër”, i cili është paraparë të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbështetje të çlirimtarëve tanë, që padrejtësisht po mbahen dhe po tentohen të dënohen në Hagë.

    Kryesia e BIK-ut, gjyqin në Hagë e konsideron një proces me prapavijë politike, që ka për qëllim atakimin e vlerave të UÇK-së. Për popullin e Kosovës, UÇK-ja mbetet vlera më sublime, e mishëruar me lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin e popullit dhe vendit tonë. Është e papranueshme që të relativizohen krimet serbe dhe, në të njëjtën kohë, përmes gjyqeve politike të krijohet një baraspeshë e rreme, siç po tentohet të veprohet nga gjykata në Hagë.

    Kryesia vendosi që hytbeja e xhumasë, ditën e premte më 13 shkurt, në të gjitha xhamitë e Kosovës, t’i kushtohet 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së vendit dhe tema bosht të jetë mesazhi përkrahës për luftëtarët e lirisë.

    Kryesia e BIK-ut po ashtu mbështet fuqishëm deklaratën e djeshme të Myftiut Naim ef. Tërnava kundër kërkesës së prokurores së Dhomave të Specializuara, e cila ka kërkuar dënim për çlirimtarët tanë.

    Presim lirimin e çlirimtarëve tanë dhe besojmë se drejtësia do të fitojë. Ftojmë të gjithë që të marrin pjesë në marshin protestues në mbështetje të çlirimtarëve tanë më 17 shkurt në Prishtinë.

  • Hyri në ishullin famëkeq të Epstein, YouTuberi: Pas videos nisën ngjarje të frikshme

    Hyri në ishullin famëkeq të Epstein, YouTuberi: Pas videos nisën ngjarje të frikshme

    YouTuberi amerikan Nico Grigg ka pretenduar së fundmi se pasi u përpoq të hynte fshehurazi në ishullin privat të Jeffrey Epstein, Little St. James, rreth tij nisën të ndodhnin gjëra të pazakonta.

    Në një video të publikuar fillimisht në TikTok dhe më pas të shpërndarë në Instagram, Grigg deklaroi se për disa ditë me radhë, pas publikimit të videos së tij për ishullin e Epstein, jashtë shtëpisë së tij kishin qëndruar të parkuara disa automjete SUV me xhama të zinj. Ai tha se nuk e dinte se kujt i përkisnin apo pse ndodheshin aty.

    Në video, ai shprehet: “Kanë kaluar vetëm tre ditë që kur publikova videon ku përpiqesha të hyja në ishullin e Jeffrey Epstein. Që nga dita që jam kthyer në shtëpi, çdo ditë ka pasur makina Escalade me xhama të zinj të parkuara jashtë. Nuk e di kush janë dhe çfarë duan, por po e publikoj këtë video në rast se ndodh diçka.”

    Në fund të klipit, ai spekulon se automjetet mund t’u përkasin miqve të Epstein dhe kërkon falje nëse ka ofenduar dikë, duke shtuar se dëshiron që gjithçka të marrë fund.

    Disa ditë më parë, Nico kishte publikuar në YouTube një video ku dokumentonte përpjekjen e tij për t’iu afruar ishullit. Ai tregoi se fillimisht përdori një dron për të vëzhguar zonën dhe vuri re një varkë pranë bregut, por nuk arriti të kuptonte nëse i përkiste turistëve apo autoriteteve. Më pas, sipas tij, ai mori me qira një jet ski për t’u afruar më shumë.

    Grigg pretendon se para se të arrinin pranë ishullit, pa një grua brenda rezidencës së Epstein që dukej se i kishte vënë re, kishte bërë fotografi dhe ndoshta kishte telefonuar policinë. Në video ai shfaq edhe pamje që, sipas tij, tregojnë rojën bregdetare duke i ndjekur ndërsa largoheshin nga zona.

    Ai u shpreh se ishte i zhgënjyer që nuk arriti të zbarkonte në ishull. Gjithashtu tha se kishte marrë një mesazh nga një person që pretendonte të ishte punonjës në Little St. James, i cili e paralajmëronte të mos afrohej më dhe se mund të arrestohej nëse rikthehej. Videoja ka marrë miliona shikime në rrjet. /Financial Express

  • Behrami kërkon fillimin e hetimeve kundër prokurores Kimberly West dhe Jack Smith

    Behrami kërkon fillimin e hetimeve kundër prokurores Kimberly West dhe Jack Smith

    Deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Artan Behrami ka kërkuar fillimin e hetimeve kundër prokurores së Prokurorja e Zyrës së Prokurorit Special (ZPS), Kimberly West dhe Jack Smith.

    Behrami përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Ëest dhe Smith duhet të hetohen për spiunazh, sulm dhe përmbysje e rendit kushtetues, sabotim, etj.

    “Meqë qenka kështu, ftoj Prokurorinë e Kosovës me seli në Prishtinë për fillimin e hetimeve kundër Kimberly Ëest dhe Jack Smith për këto vepra: 1. Sulm dhe përmbysje e rendit kushtetues, 2. ⁠Spiunazh, 3. ⁠Sabotim, 4. ⁠Rrezikim i rendit kushtetues, 5. ⁠Organizim ose mbështetje e veprimeve antikushtetuese, 6. ⁠etj”, ka shkruar Behrami.

  • FSK-ja zhvendos parakalimin e pavarësisë

    FSK-ja zhvendos parakalimin e pavarësisë

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka zhvendosur lokacionin e parakalimit për nder të ditës së pavarësisë, më 17 shkurt.

    Për dallim nga vitet e tjera kur kjo mbahej në sheshet qendrore të Prishtinës, sivjet parakalimi do të bëhet në rrugën “Luan Haradinaj” nga “Qafa” tek “New Borni”.

    Lajmi është konfirmuar për Kohën nga Vëllazërim Qerimi, shef i sektorit të informimit publik në FSK.

    Sipas programit të manifestimeve shtetërore për shënimin e 18 vjetorit të Pavarësisë, parakalimi i FSK-së do të mbahet me fillim prej orës 11:30.

  • Arrestohet banda nga Kosova, kanë kryer 161 vjedhje në Zvicër

    Arrestohet banda nga Kosova, kanë kryer 161 vjedhje në Zvicër

    161 vjedhje në 11 kantone janë kryer në Zvicër dhe lidhur me këtë janë arrestuar gjashtë burra nga Kosova.

    Në fillim të shtatorit 2025, në komunën Hochdorf u regjistruan disa vjedhje me thyerje në objekte afariste. Policia e Lucernit arriti të arrestojë personat e dyshuar.

    Në automjetin e tyre, forcat e rendit gjetën mallra të dyshuara të vjedhura si dhe mjete të përdorura për thyerje, raporton Blick.ch.

    Më pas, Prokuroria për Krime të Veçanta, në bashkëpunim me Policinë e Lucernit, zhvilloi hetime të gjera. Nga hetimet rezultoi se të arrestuarit ishin pjesë e një grupi kriminal që vepronte në nivel kombëtar. Të dyshuarit janë shtetas të Kosovës, të moshës nga 26 deri në 57 vjeç, transmeton Paparaci.

    Dëmi total vlerësohet në rreth 705 mijë franga

    Gjashtë personat e dyshuar akuzohen se kanë kryer gjithsej 161 vjedhje me thyerje në të paktën njëmbëdhjetë kantone të Zvicrës.

    Objektivat kryesore të vjedhjeve kanë qenë bizneset dhe ndërmarrjet afariste, ku autorët synonin kryesisht paratë e gatshme.

    Shuma e përfituar nga veprat penale vlerësohet në rreth 590 mijë franga, ndërsa dëmi i përgjithshëm material arrin rreth 705 mijë franga.

    Hetimet ndaj autorëve të dyshuar janë ende në zhvillim pranë Prokurorisë për Krime të Veçanta.

  • Haliti i VV-së: I kemi 65-66 vota për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

    Haliti i VV-së: I kemi 65-66 vota për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

    Enver Haliti nga LVV, tha se Vetëvendosje me partnerët e saj i ka 66 vota për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

    “LVV ka 57 vota duke llogaritur edhe me partnerë të koalicionit të partive minoriteteve jo-serbe, besoj që 65-66 vota do të jenë të mjaftueshme për themelimin e institucioneve”, tha ai në rtv21.

    “I kemi votat, LVV së bashku me partnerët e koalicionit që kanë qenë në qeverinë e kaluar dhe besoj që numrat janë të mjaftueshëm për zgjedhjen e qeverisë së re të Republikës së Kosovës”.

    I pyetur për çështjen e votimit të presidentit, Haliti tha se është herët të flitet lidhur me këtë.

    Kujtojmë se presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thirrur seancë konstituive për të mërkurën për konsitituimin e Kuvendit një ditë pasi KQZ ka cerfifikuar rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

  • MPB vlerëson zbatimin e Strategjisë për Armë të Vogla dhe të Lehta, rritet raportimi i të shtënave me armë

    MPB vlerëson zbatimin e Strategjisë për Armë të Vogla dhe të Lehta, rritet raportimi i të shtënave me armë

    Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt takimi i Grupit Punues për Implementimin e Strategjisë dhe Udhërrëfyesit Rajonal për Armë të Vogla, të Lehta dhe Eksplozivë (AVLE), të hapur nga Zëvendësministri i MPB-së dhe Koordinatori Nacional, Blerim Gashani.

    Gjatë takimit u bë vlerësimi i zbatimit të Strategjisë AVLE, duke u diskutuar realizimi i objektivave strategjike dhe aktiviteteve të planifikuara. Sipas raportimeve, një pjesë e konsiderueshme e aktiviteteve janë realizuar sipas masave të parashikuara, ndërsa u diskutua edhe për adresimin e aktiviteteve që ende nuk janë zbatuar.

    Zëvendësministri Gashani theksoi se zbatimi i Strategjisë është një proces i vazhdueshëm, i cili kërkon koordinim të ngushtë ndërinstitucional dhe angazhim të përbashkët për arritjen e objektivave strategjike.

    Një fokus i veçantë iu kushtua fushatës vetëdijesuese, e cila ka dhënë rezultate efektive, duke nxitur rritjen e numrit të qytetarëve që raportojnë rastet e të shtënave me armë. Sipas pjesëmarrësve, përfshirja e qytetarëve është kyçe për parandalimin e përdorimit të paligjshëm të armëve dhe për rritjen e sigurisë publike.

    Po ashtu, në takim u diskutuan sfidat e mbetura dhe nevojat për përmirësim të mëtejshëm të zbatimit të aktiviteteve, me qëllim avancimin e Planit të Veprimit dhe arritjen e objektivave të Strategjisë.

    Takimi u vlerësua si konstruktiv dhe kontribuues në forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe në zbatimin më efektiv të Strategjisë për Armë të Vogla, të Lehta dhe Eksplozivë.

  • Kurti: Nesër do t’i përgjigjemi obligimit për seancë konstituive, besoj do të shkoj mbarë gjithçka

    Kurti: Nesër do t’i përgjigjemi obligimit për seancë konstituive, besoj do të shkoj mbarë gjithçka

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se do të shkojë në seancën konstitutive të thirrur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pa çka është shprehur edhe optimist që do të shkojë mirë, raporton Ekonomia Online.

    “Nesër do t’i përgjigjemi obligimit për seancë konstituive dhe besoj që do të shkojë mbarë e mirë gjithçka”, tha shkurti ai.

  • Edi Rama e quan “idiot ndërkombëtar” prokurorin e Speciales

    Edi Rama e quan “idiot ndërkombëtar” prokurorin e Speciales

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka quajtur “idiot ndërkombëtar”, prokurorin Matthew Howling.

    Ai ka shpërndarë një video nga fjala e këtij prokurori që thotë se Thaçi ka tentuar t’i mashtrojë edhe ndërkombatrët.

    Në video, prokurori thotë: “Thaçi ishte i aftë që të maskonte atë që po ndodhte në realitet, veçanërisht Rubin dhe Clark treguan se nuk kishin interes për të kuptuar se çfarë po ndodhte në realitet”.

    “Çfarë IDIOTI NDËRKOMBËTAR”, shkroi kryeministri Rama.

  • ZRrE: Konsumatorët familjarë kanë të drejtë të zgjedhin furnizuesin e energjisë elektrike

    ZRrE: Konsumatorët familjarë kanë të drejtë të zgjedhin furnizuesin e energjisë elektrike

    Familjet kosovare nuk janë të detyruara të furnizohen vetëm nga një kompani e vetme. Qytetarët mund të hyjnë në tregun e lirë të energjisë elektrike, një mundësi që deri tani ishte e rezervuar më shumë për bizneset.

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) konfirmon për Klan Kosova se konsumatorët familjarë kanë të drejtë ligjore të zgjedhin furnizuesin e tyre të energjisë elektrike. Kjo e drejtë mund të ushtrohet në çdo kohë, duke respektuar kushtet e tregut dhe marrëveshjet kontraktuale.

    “Konsumatorët familjarë, pavarësisht se aktualisht furnizohen në kuadër të shërbimit universal dhe përfitojnë nga rregullimi tarifor, kanë të drejtë ligjore të zgjedhin furnizuesin e tyre të energjisë elektrike. Kjo e drejtë ekziston në mënyrë të barabartë për të gjithë konsumatorët dhe mund të ushtrohet në çdo kohë, në përputhje me kushtet e tregut dhe marrëveshjet kontraktuale përkatëse,” sqaroi ZRrE.

    Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është parashikuar me kornizën ligjore në fuqi dhe obligimet që rrjedhin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë. Funksionimi i tregut bazohet në parimin e hapjes së tregut dhe të drejtën e konsumatorëve për zgjedhje të lirë.