ATV

Category: Lajme

  • Lagjja “2 Korriku” në Mitrovicë mbetet pa ujë të pijshëm

    Lagjja “2 Korriku” në Mitrovicë mbetet pa ujë të pijshëm

    Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” ka njoftuar se furnizimi me ujë të pijshëm është ndërprerë në lagjen “2 Korriku” në Mitrovicë.

    Sipas njoftimit zyrtar, ndërprerja ka ndodhur si pasojë e dëmtimit të gypit të ujësjellësit gjatë punimeve të kryera nga KEDS.

    Nga kompania bëhet e ditur se ekipet teknike do të vazhdojnë punimet për sanimin e defektit nesër herët në mëngjes, ndërsa furnizimi me ujë pritet të rikthehet pas përfundimit të riparimit.

    Ujësjellësi “Mitrovica” ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve të prekur nga kjo ndërprerje.

  • FSK pjesë e ushtrimit të amerikanëve “Dynamic Front 26” në Gjermani

    FSK pjesë e ushtrimit të amerikanëve “Dynamic Front 26” në Gjermani

    FSK ka njoftuar se një kontigjent i saj do të marrë pjesë në ushtrimin ndërkombëtar “Dynamic Front 26” në Gjermani. Ky ushtrim është organizyara nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës me një kontingjent nga Regjimenti i Tretë i këmbësorisë me një togë të mortajave, është duke marrë pjesë në ushtrimin ndërkombëtarë “Dynamic Front 26” , i organizuar nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF).”

    FSK shton se ky ushtrim është shumëkombësh dhe teston ndërveprueshmërinë e ushtrive të NATO’s dhe ushtrive partnere në fushën e artilerisë dhe zjarrit indirekt.

    “Ushtrimi fushor Dynamic Front është një ushtrim shumëkombësh që teston ndërveprueshmërinë e ushtrive të NATO-s dhe ushtrive partnere në fushën e artilerisë dhe zjarrit indirekt. Këtë vit, ushtrimi është realizuar paralelisht në pesë shtete: Gjermani, Rumani, Poloni, Spanjë dhe Turqi.”

    FSK thotë se kontigjenti ka zbarkuar në Gjermani, me kapacitetet e veta logjistike, duke përfshirë automjetet, armatimin dhe municionin.

    “Kontingjenti i FSK-së, ka vepruar bashkëngjitur me Regjimentin 4-319 të Artilerisë Fushore të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Togu i mortajave, me elementët e tij përbërës – Vijën e Zjarrit, Qendrën e Drejtimit të Zjarrit dhe Vëzhguesit e Përparëm – si dhe me mortaja 120 mm, ka realizuar qitje mbi objektiva në koordinim me Ushtrinë Amerikane dhe trupat e Ushtrisë Italiane. Gjatë Ushtrimit Fushor Dynamic Front 26, FSK ka demonstruar përvojën e saj në qitje me mortaja gjatë ditës dhe natës, si dhe ka shkëmbyer mësime dhe praktika më të mira me forcat partnere. FSK çdo ditë po dëshmon profesionalizmin, disiplinën duke ndërvepruar me partnerët në të mirë të paqes dhe sigurisë.”

  • Tentoi ta kalojë kufirin me armë e municion, arrestohet në Morinë 39-vjeçari nga Kosova

    Tentoi ta kalojë kufirin me armë e municion, arrestohet në Morinë 39-vjeçari nga Kosova

    Policia në Shqipëri ka njoftuar se ka arrestuar një 39 vjeçar nga Kosova pasi tentoi ta kalojë kufirin “me municion luftarak dhe 4 armë të ftohta në automjet.

    Ndaj tij është iniciuar rast për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

    “Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në vijim të punës për goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në analizën e riskut, kanë kaluar për kontroll në vijë të dytë, në hyrje të RSh-së, automjetin me drejtues shtetasin M. L. Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën 2 karikatorë me fishekë, 2 thika, 1 sëpatë dhe 1 shkop metalik si ai i Policisë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin. Në përfundim të veprimeve për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin M. L., 39 vjeç, banues në Kosovë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”

  • Lirohen me kusht Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu

    Lirohen me kusht Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu

    Dhomat e Specializuara në Hagë kanë lëshuar komunikatë ku njoftojnë se Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu lirohen me kusht.

    Komunikata e plotë:

    Sot më, 10.02.2026, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u liruan me kusht në Kosovë, në vijim të rishikimit të fundit të paraburgimit nga Gjykatësi i Vetëm i ngarkuar me gjykimin e çështjes Prokurorja e Specializuar k. Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit (“Çështja gjyqësore 12”).

    Në vendimet e tij të 3 shkurtit 2026, Gjykatësi konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që prej rishikimit të paraburgimit të z. Smakaj dhe z. Fazliu në dhjetor 2025 dhe se mbajtja e tyre në paraburgim nuk ishte më e arsyeshme apo proporcionale. Megjithëse Gjykatësi konstatoi se ende ekzistonte njëfarë rreziku që, në qoftë

    se lirohen, si z. Smakaj ashtu edhe z. Fazliu mund të pengojnë ecurinë e procesit, ai arriti në përfundimin se e drejta themelore e tyre për liri peshon më shumë se këto rreziqe.

    Ndër faktorë të tjerë, Gjykatësi mori parasysh se koha që z. Smakaj dhe z. Fazliu kanë kaluar deri tani në paraburgim tejkalon dënimin minimal që do të merrnin sipas ligjit në qoftë se do të shpalleshin fajtorë.

    Gjykatësi mori parasysh gjithashtu se faza e paraqitjes së provave në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar k. Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, dhe Jakup Krasniqit tashmë ka përfunduar dhe

    se nuk ka gjasa që ndonjë veprim i mundshëm pengimi i tentuar nga z. Smakaj ose z. Fazliu të mos zbulohet.

    Gjykatësi konstatoi gjithashtu se nuk ka rrezik që z. Fazliu dhe z. Smakaj të arratisen, sidomos duke pasur parasysh shumën e dorëzanisë financiare të ofruar prej tyre, të cilën do ta humbisnin në rast se arratisen.

    Z. Smakaj dhe z. Fazliu mbeten të akuzuar në gjykimin aktual dhe për lirimin e tyre janë caktuar një numër kushtesh.

    Versionet e redaktuara publike të vendimeve për z. Smakaj dhe për z. Fazliu gjenden në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara.

    Në përputhje me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë dhe me Kushtetutën e Kosovës, të akuzuarit mund të mbahen në paraburgim para shpalljes së fajësisë vetëm kur gjykatësit konstatojnë ekzistencën e rreziqeve që përligjin paraburgimin. Për çdo person të paraburgosur, gjykatësit rivlerësojnë çdo dy muaj nëse këto rreziqe ende ekzistojnë, nëse ato mund të trajtohen nëpërmjet masave alternative, dhe nëse vazhdimi i paraburgimit është ende i domosdoshëm dhe proporcional.

  • Marshi i 17 shkurtit merr përkrahje edhe nga Gjilani

    Marshi i 17 shkurtit merr përkrahje edhe nga Gjilani

    Përfaqësuesja e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha ka qëndruar sot në Komunën e Gjilanit, ku ka zhvilluar një sërë takimesh të ndara me përfaqësues të disa kategorive në këtë komunë, të cilët i kanë shprehur mbështetjen për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.

    Së pari, ajo është pritur në një takim të përbashkët nga ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, përfaqësuesit e OVL e UCK-së në Gjilan, Xhevdet Mehmeti dhe Agim Mehmeti, si dhe përfaqësuesi i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Gjilanit, Selajdin Abdullahu.

    Tutje, Hoxha ka zhvilluar takime në Handikos, ku është pritur nga Fatmir Shurdhani, në Qendrën për Punë Sociale, ku është pritur nga Mursel Zymberaj dhe stafi i këtij institucioni, si dhe në Brigadën e Zjarrfikësve, të cilët shprehën gatishmërinë t’i bashkangjiten Marshit.

    Hoxha është mirëpritur edhe sot nga kryesitë e Klubeve të Futbollit në Gjilan “KF Drita” dhe “KF Gjilani”.

    Në secilin takim, Hoxha u shpreh mirënjohëse për përkrahjen e parezervë nga këto kategori, duke theksuar se ky Marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika.

    Mbështetja nga të gjitha kategoritë e shoqërisë i jep Marshit “Drejtësi, jo politikë” një dimension të gjerë shoqëror dhe kulturor, duke reflektuar ndjeshmërinë e opinionit publik.

    Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në tërë komunat e Kosovës dhe me të gjithë akterët e rëndësishëm të shoqërisë për mobilizim sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit, nën moton “Drejtësi, jo politikë”

  • “Të mos komunikojë me dëshmitarë e të mos japë deklarata publike”, këto janë kushtet me të cilat u lirua Haxhi Shala

    “Të mos komunikojë me dëshmitarë e të mos japë deklarata publike”, këto janë kushtet me të cilat u lirua Haxhi Shala

    Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala është liruar me kusht kanë bërë të ditur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Sipas njoftimit, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Ekaterina Trendafilova, vendosi të modifikojë dënimin e Haxhi Shalës për të mundësuar lirimin e tij me kushtet e përcaktuara në vendimin e saj.

    Këto kushte do të vazhdojnë të zbatohen për pjesën e mbetur nga 3 vitet e dënimit të tij, bëhet e ditur në vendim.

    “Mes të tjerash, Kryetarja Trendafilova mori parasysh se z. Shala kishte treguar disa shenja rehabilitimi dhe se i kishte dërguar asaj një letër në të cilën shprehte keqardhje ndaj të gjithë atyre që mund të kishin pësuar dëm si pasojë e veprimeve të tij. Ajo mbajti parasysh gjithashtu marrëdhëniet familjare pozitive të z. Shala, mjedisin e qëndrueshëm të jetesës dhe rrjetin e gjerë shoqëror, që tregojnë perspektivë të arsyeshme
    rehabilitimi”, thekson njoftimi.

    Kryetarja gjykoi se, ndonëse veprat penale për të cilat ai u shpall fajtor janë të rënda, Shala e kishte shkruar letrën me nismën e vet dhe pa ndihmë ligjore, pas një periudhe reflektimi. Ajo konstatoi se letra e tij ishte shenjë e distancimit të sinqertë nga veprat penale për të cilat u shpall fajtor.

    Lirimi i Shalës është bërë me kushtet në vijim:

    Të garantojë se do të banojë tërë kohën në adresën e shtëpisë të dhënë në Parashtrimet e Shalës; të informojë Administratoren dhe stacionin e policisë të identifikuar nga Administratorja për çdo ndërrim të vendbanimit të përhershëm, në varësi të miratimit nga Kryetarja; të paraqitet çdo javë në stacionin e policisë të identifikuar nga Administratorja; Administratores t’i dorëzohen pasaporta ose dokumente udhëtimi aktuale dhe të ardhshme të z Shala; të qëndrojë në Kosovë dhe të informojë Administratoren në rast se dëshiron të udhëtojë jashtë Kosovës dhe kërkesa për leje për udhëtim të miratohet nga Kryetarja; të mos kontaktojë apo komunikojë me dëshmitarë ose viktima (të mundshme) para Dhomave të Specializuara dhe ZPS-së; të mos japë deklarata publike, drejtpërdrejt ose tërthorazi, lidhur me Dhomat e Specializuara dhe ZPS-në; të kërkojë leje dhe miratim nga Administratorja për intervista ose çfarëdo kontakti tjetër me mediat, sikurse përcaktohet në Udhëzuesin e Punës për të Paraburgosurit, posaçërisht në posaçërisht në lidhje me komunikimet me mediat; të përmbushë vendimet ose urdhrat e Dhomave të Specializuara; dhe të mos bëjë komente negative, të dhunshme, frikësuese, kërcënuese ose shtrënguese ndaj ose rreth dëshmitarëve (të mundshëm) ose personave të tjerë që janë të rrezikuar për shkak të bashkëpunimit të tyre me Dhomat e Specializuara, zyrtarëve të Dhomave të Specializuara ose të ZPS-së.

  • Haliti: Kërkojmë të dimë kandidatin për kryeparlamentar para se të votojmë

    Haliti: Kërkojmë të dimë kandidatin për kryeparlamentar para se të votojmë

    Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, në një intervistë për RTV21 tha se fillimisht do të shohin se kush do të jetë kandidati i LVV-së për kryeparlamentar dhe më pas do të vendosin nëse do të votojnë për apo kundër. Sipas tij, LVV-ja nuk duhet të ndjekë praktikat e seancave të kaluara konstituive për mos transparencë.

    “Do të shohim së pari se kush do të jetë kandidati për kryeparlamentar. Uroj që të mos bëhet përsëritje e gabimeve të seancës konstituive të kaluar. Në përputhje me emrin e kandidatit dhe me vendimin që do ta marrim nesër në mbledhjen e grupit parlamentar, do të veprojmë nëse do të votojmë apo jo. Unë nuk kam informacion se kush do të jetë kandidat.”, tha Haliti.

  • Prokuroria e BeH-së hap hetim për “Sarajevo Safari”

    Prokuroria e BeH-së hap hetim për “Sarajevo Safari”

    Në Departamentin e Posaçëm për Krime Lufte të Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës është hapur një lëndë për rastin “snajperistë të fundjavës” gjatë rrethimit të Sarajevës, ka konfirmuar ky institucion për Radion Evropa e Lirë më 10 shkurt.

    Sipas Prokurorisë, me urdhër të prokurorit janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore. Në fund të vitit të kaluar, Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës i ka dërguar një kërkesë zyrtare autoriteteve italiane dhe ka kontaktuar Mekanizmin Rezidual Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë, me qëllim të verifikimit të informatave.

    Hetimet u nxitën pasi mediat italiane, në fillim të nëntorit 2025, raportuan se Prokuroria e Milanos kishte hapur një hetim mbi bazën e kallëzimit të shkrimtarit dhe gazetarit Ezio Gavazzeni. Ai pretendon se gjatë luftës në Bosnje, individë të huaj paguanin për të ardhur në pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska dhe për të qëlluar civilët e Sarajevës me snajper.

    Gavazzeni ka paralajmëruar gjithashtu botimin e një libri mbi “safari snajperësh”, duke u frymëzuar nga dokumentari “Sarajevo Safari” i autorit slloven Miran Zhupaniq.

    Në fund të janarit, Këshilli i Qytetit të Sarajevës ka dhënë pëlqimin që qyteti t’i bashkohet procedurës gjyqësore të nisur në Milano kundër të dyshuarve.

    Aktualisht, nën hetim është një shtetas italian 80-vjeçar, ish-shofer kamioni nga provinca Pordenone, i cili është marrë në pyetje më 9 shkurt. Prokurorët italianë e dyshojnë atë se, së bashku me persona ende të paidentifikuar, ka marrë pjesë në një plan kriminal të veprimtarisë snajperiste kundër civilëve të Sarajevës në periudhën 1992–1995.

    Sipas mediave, bëhet fjalë për një person me bindje ekstreme të djathta, i cili është deklaruar hapur si fashist.

    Gjatë afro katër viteve të rrethimit të Sarajevës, sipas të dhënave të shoqatave të viktimave dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, çdo i dhjeti fëmijë i vrarë ka humbur jetën nga një plumb snajperi, ndërsa mbi 14 mijë fëmijë janë plagosur.

    Megjithatë, deri më sot, asnjë snajperist individual nuk është ndjekur penalisht as nga gjykatat vendore dhe as nga ato ndërkombëtare.

    Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, në vendimet kundër zyrtarëve më të lartë të Republikës Sërpska, ka konstatuar se fushata snajperiste kishte për qëllim terrorizimin e civilëve të Sarajevës.

  • Kurti me bashkëpartiakë bëjnë homazhe për Arben Xheladinin dhe Mon Balajn

    Kurti me bashkëpartiakë bëjnë homazhe për Arben Xheladinin dhe Mon Balajn

    Lëvizja Vetëvendosje ka bërë homazhe në Prishtinë, në 19-vjetorin e vrasjes së Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, gjatë protestës së 10 shkurtit të vitit 2007, duke vendosur lule te pllaka përkujtimore në rrugën “Nënë Tereza”.

    Kryeminisri në detyrë, Albin Kurti, rikujtoi protestën kundër pakos së Martti Ahtisaarit, duke thënë se marshi i atëhershëm u ndalua me dhunë nga policia e UNMIK-ut, e cila, sipas tij, veproi përtej qëllimit të ndalimit të demonstruesve.

  • ZPS-ja përfundon deklaratën përmbyllëse në rastin Thaçi dhe të tjerët, kërkon dënim për të gjitha pikat e aktakuzës

    ZPS-ja përfundon deklaratën përmbyllëse në rastin Thaçi dhe të tjerët, kërkon dënim për të gjitha pikat e aktakuzës

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka përmbyllur sot deklaratën e saj përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe tre të akuzuarve të tjerë para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Në paraqitjen e saj përmbyllëse, ZPS-ja i kërkoi Trupit Gjykues që t’i shpallë fajtorë të katër të akuzuarit për të gjitha pikat e Aktakuzës, duke argumentuar se provat e administruara gjatë procesit gjyqësor vërtetojnë përgjegjësinë e tyre penale për krimet e pretenduara.

    Prokuroria kërkoi që secili prej të akuzuarve të dënohet me nga 45 vjet burgim.

    Pas përfundimit të deklaratës së Prokurorisë, fjala i kaloi Mbrojtësit të Viktimave, i cili ka nisur paraqitjen e deklaratës së tij përmbyllëse, duke përfaqësuar interesat dhe kërkesat e viktimave të përfshira në këtë proces.

    Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me deklaratat përfundimtare të palëve mbrojtëse në ditët në vijim, përpara se Trupi Gjykues të tërhiqet për vendimmarrje.