ATV

Category: Lajme

  • Ndërron jetë aktori James Van Der Beek në moshën 48-vjeçare 

    Ndërron jetë aktori James Van Der Beek në moshën 48-vjeçare 

    James Van Der Beek, aktori i njohur për rolin ikonik të Dawson Leery në dramën adoleshente të viteve ’90 “Dawson’s Creek”, ka ndërruar jetë në moshën 48-vjeçare pas një beteje me kancerin kolorektal, njoftoi familja e tij më 11 shkurt 2026.

    Bashkëshortja e tij, Kimberly Van Der Beek, ndau lajmin në rrjetet sociale, duke thënë se ai “i përballoi ditët e fundit me guxim, besim dhe dinjitet”, ndërsa kërkoi privatësi për familjen në këtë moment të vështirë.

    Van Der Beek u bë i famshëm në vitin 1998 kur mori rolin kryesor të Dawson Leery në “Dawson’s Creek”, një rol që e ktheu në një nga fytyrat më të njohura të televizionit për një brez të tërë. Seriali u transmetua nga viti 1998 deri në 2003 dhe u bë një fenomen kulturor për audiencën e asaj kohe.

    Pas suksesit të Dawson’s Creek, ai luajti në filma si Varsity Blues dhe në shumë seriale televizive, përfshirë “How I Met Your Mother”, “CSI: Cyber”, “Pose” dhe komedinë “Don’t Trust the B—- in Apartment 23.”

    Në vitin 2024, Van Der Beek zbuloi se po luftonte me kancer kolorektal në stadin e tretë, një diagnozë që fillimisht e mbajti private përpara se ta bënte publike për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e kontrollit të hershëm dhe trajtimit. Në muajt e fundit të jetës, ai vazhdoi të komunikonte me fansat dhe të promovonte ndërgjegjësimin për shëndetin, edhe pse gjendja e tij shëndetësore po përkeqësohej.

    Ai lë pas bashkëshorten Kimberly dhe gjashtë fëmijët e tyre. Homazhe dhe mesazhe ngushëllimi kanë vërshuar nga fansa, kolegë dhe figura të industrisë së argëtimit, duke dëshmuar ndikimin e tij të madh si në ekran, ashtu edhe jashtë tij.

  • 14-vjetori i tragjedisë së Restelicës

    14-vjetori i tragjedisë së Restelicës

    Sot bëhen 14 vjet nga tragjedia e Restelicës, fshat ky në komunën e Dragashit, ku si pasojë e rënies së ortekut të borës, kanë humbur jetën 10 banorë të këtij fshati, të gjithë të një familjeje.

    Nga kjo fatkeqësi natyrore u shkatërruan dhjetëra shtëpi, ndërsa fatkeqësisë i mbijetoi vetëm, në atë kohë, 7-vjeçarja, Amsera Reka, e cila tashmë jeton tek të afërmit e saj. Asaj i vdiqën babai, nëna, vëllai dhe gjyshërit.

  • Pagë mesatare mbi 1 mijë euro në sektorin publik e dyfishim të shtesave – zotimet e Kurtit për mandatin e ri

    Pagë mesatare mbi 1 mijë euro në sektorin publik e dyfishim të shtesave – zotimet e Kurtit për mandatin e ri

    Albin Kurti e ka marrë dje mandatin e ri si Kryeministër i Kosovës. Ai ka bërë disa zotime për mandatin e ardhshëm, sidomos për ngritjen e të ardhurave të familjeve.

    Ai ka deklaruar se gjatë mandatit të ri do të rris pagën mesatare në sektorin publik mbi 1 mijë euro, si dhe dyfishim të shtesave për fëmijë, shkruan Reporteri.net.

    Gjatë paraqitjes së ekspozesë, Kurti tha se rritja do të vazhdojë në përputhje me rritjen e buxhetit dhe performancën ekonomike.

    “Kjo rritje do të vazhdojë edhe mandatin që vjen në përputhje me rritjen e buxhetit dhe performancën ekonomike, duke ngritur pagën mesatare në sektorin publik mbi 1 mijë euro në muaj”, ka deklaruar Kurti.

    Shtesat për fëmijë deklaroi se do të shkojnë në 90 euro, për çka tha se me këtë rritje Kosova do i lë prapa edhe disa vende të Bashkimit Evropian.

    Premtoi edhe rritje të shtesave për nënat lehona.

    “Shtesat për fëmijë janë sot 30-45 euro për fëmijë, ndërkaq mandatin e ardhshëm do t’i dyfishojmë ato. Pra nga zero sa i gjetëm në 45, dhe mandatin e radhës nga 45 në 90 euro për familjet me tre e më shumë fëmijë… Edhe shtesat për nënat e reja lehohnat do t’i rrisim nga 500 euro në muaj për gjashtë muaj”, deklaroi Kurti.

    Përgjatë mandatit të kaluar, Kurti tha se si Qeveri kanë shtuar punësimin, me fokus rininë dhe gratë.

    Ai bëri me dije se do të krijohet platforma “Superpuna” edhe për gratë.

    “Kemi shtuar punësimin nga 350 mijë të punësuar në 430 mijë të punësuar, me fokus te rinia dhe gratë si dhe kemi arritur që të ardhurat e familjes të ngriten, duke rritur pagën minimale, pensionet, shtesat për fëmijë, por edhe pagat në sektorin publik, të cilat gjatë këtij mandati që po e përmbyllim tash kanë shënuar rritje mesatare prej 47%”, tha Kurti.

  • Policia identifikon një 18-vjeçar si të dyshuar për të shtënat në Kanada

    Policia identifikon një 18-vjeçar si të dyshuar për të shtënat në Kanada

    Një 18-vjeçar është emëruar si i dyshuari për të shtënat me armë që vranë tetë persona dhe plagosën dhjetëra të tjerë në British Columbia të Kanadasë.

    Policia tha se Jesse Van Rootselaar u gjet i vdekur në vendngjarje nga një plagë me armë zjarri e shkaktuar vetë. Motivi i sulmit nuk dihet ende, shkruan BBC.

    Gjashtë persona u vranë dhe të paktën 25 të tjerë u plagosën në shkollën e mesme Tumbler Ridge. Dy të tjerë – nëna e të dyshuarit, 39 vjeç, dhe vëllai i njerkës, 11 vjeç – u gjetën të vdekur në një shtëpi aty pranë.

    Autoritetet thanë se Van Rootselaar lindi si mashkull biologjik, por u identifikua si grua.

  • Rrahje në Dobrajë të Madhe të Lipjanit, një person kërkon ndihmë mjekësore

    Rrahje në Dobrajë të Madhe të Lipjanit, një person kërkon ndihmë mjekësore

    Një rast i lëndimit të lehtë trupor është raportuar mbrëmjen e 11 shkurtit 2026 në fshatin Dobrajë e Madhe të Lipjanit.

    Sipas njoftimit, rreth orës 19:50 një mashkull kosovar ka kërkuar trajtim mjekësor, pasi dyshohet se është rrahur nga dy persona të tjerë.

    Lidhur me rastin, palët janë intervistuar nga organet e rendit, ndërsa me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

  • Qëllohet me armë zjarri një person në Mitrovicë, arrestohen dy të dyshuar për tentim vrasje

    Qëllohet me armë zjarri një person në Mitrovicë, arrestohen dy të dyshuar për tentim vrasje

    Një rast i vrasjes në tentativë është raportuar mbrëmjen e 11 shkurtit në Mitrovicë.

    Sipas njoftimit të policisë rreth orës 19:25, një mashkull kosovar dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga dy persona të dyshuar, po ashtu meshkuj kosovarë.

    Viktima ka marrë trajtim mjekësor dhe më pas është liruar, ndërsa dy të dyshuarit janë arrestuar nga Policia.

    Me vendim të prokurorit, ata janë dërguar në mbajtje.

  • Hashim Thaçit i vazhdohet paraburgimi në rastin për krime lufte

    Hashim Thaçit i vazhdohet paraburgimi në rastin për krime lufte

    Ish-Presidentit Hashim Thaçi i është vazhduar paraburgimi në rastin ku së bashku me ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetin Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Vendimi për këtë masë ndaj Thaçit është marrë më 10 shkurt 2025 nga kryetari i trupit gjykues në këtë rast, Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Për Thaçin, Smith III, në vendimin e tij ka konstatuar se ka rrezik që ai të pengojë procedurat ose të kryejë krime të tjera që bien në juridiksionin e DhSK-së.

    Ndryshe, rasti në fjalë është në fazën përfundimtare përpara se të shpallet aktgjykimi.

    Fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.

    Ndërsa, më 11 shkurt 2026, dha fjalën e tij përfundimtare mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e filloi mbrojtja e Veselit, e cila pritet ta vazhdojë edhe nesër më 12 shkurt.

  • AUV-i ndalon përkohësisht importin e formulës për foshnje “APTAMIL”

    AUV-i ndalon përkohësisht importin e formulës për foshnje “APTAMIL”

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të importit të të gjitha llojeve të qumështit të përpunuar për foshnje “APTAMIL” në Kosovë.

    Ky vendim është marrë pas njoftimeve të përsëritura nga Sistemi i Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), sipas të cilave disa vende të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe Kosovën, janë përballur me praninë e mundshme të toksinës Cereulide në këtë produkt.

    “Qytetarët nuk kanë arsye për shqetësim, pasi për sasinë e futur më parë në Kosovë, masat janë ndërmarrë në kohë dhe në mënyrë parandaluese”, thekson AUV në komunikatën e saj.

    Agjencia ka bërë të ditur se në koordinim me operatorët ekonomikë është realizuar tërheqja nga tregu e produktit të paralajmëruar, ndërsa inspektorët e AUV-së po vazhdojnë me gjurmueshmërinë e plotë për të verifikuar nëse ka mbetur ndonjë njësi e produktit të konsideruar të pa përdorshëm.

    “Të gjitha veprimet e ndërmarra më parë, por edhe ky vendim, kanë prioritet mbrojtjen maksimale të shëndetit të foshnjave dhe konsumatorëve. Situata po menaxhohet me përgjegjësi të plotë dhe në koordinim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë”, shton AUV.

    Agjencia gjithashtu njofton të gjithë operatorët ekonomikë që veprojnë në Kosovë për zbatimin e detyrueshëm të këtij vendimi, i cili hyn në fuqi nga data 11.02.2026 dhe zbatohet në të gjithë territorin e vendit.

    AUV premton se do të vazhdojë të informojë publikun për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me këtë çështje.

  • BE-ja mirëpret formimin e institucioneve në Kosovë, Terras: Qeveria funksionale hap rrugën drejt familjes evropiane

    BE-ja mirëpret formimin e institucioneve në Kosovë, Terras: Qeveria funksionale hap rrugën drejt familjes evropiane

    Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe qytetarët e Kosovës për formimin e qeverisë së re, duke theksuar se paraliza politike ka marrë fund.

    Përmes një postimi në rrjetin social X, Terras shkruan: “Urime kryeministrit Albin Kurti dhe qytetarëve të Kosovës për formimin e qeverisë së re. Paraliza politike më në fund ka marrë fund”.

    Terras ka theksuar se një qeveri funksionale është thelbësore për të avancuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe për të aktivizuar mbështetje financiare shumë të nevojshme.

    “Kosova i përket familjes së Bashkimit Evropian”, ka shkruar Terras.

    Të mërkurën, më 11 shkurt, u konstituua Kuvendi i ri i Kosovës dhe u votua Qeveria e re, me Albin Kurtin në krye.

    Institucionet e reja formohen pas pothuajse një viti me Qeveri në detyrë dhe Kuvend gati tërësisht jofunksional.

    Kjo, pasi Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit, pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, nuk pati vota të mjaftueshme për të krijuar Qeverinë, por këtë e arriti pas zgjedhjeve të dhjetorit të po atij viti, në të cilat fitoi 57 mandate. /Telegrafi/

  • 12 persona ndalohen në Junik për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm

    12 persona ndalohen në Junik për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm

    Prokurori i Shtetit ka ndaluar 12 persona nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili bëri të ditur se të dyshuarit janë nga komuna e Junikut.

    “Prokurori i shtetit ka ndaluar 12 persona nën dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’. Gjithashtu, janë sekuestruar para kesh dhe prova tjera materiale të cilat do të shërbejnë në këtë proces penal”, tha Nikçi.

    Sipas Prokurorisë, veprimet hetimore janë duke vazhduar, ndërsa ndaj të ndaluarve pritet të ndërmerren procedurat e mëtejme ligjore.

    Ndërkaq edhe Policia e Kosovës përmes njoftimit për media bëri të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 01:40, ku policia ka siguruar informacion se nё njё lokal në Junik, disa persona janё duke zhvilluar veprimtari tё kundërligjshme tё lojërave tё fatit.

    “Policia menjëherë i është përgjigjur rastit, ku nё vendin e ngjarjes, gjatё kontrollit janё gjetur dhe janë sekuestruar: tё holla nё shumёn prej 1040 euro, letra bixhozi dhe dёshmi tjera. 12 personat e dyshuar janё arrestuar dhe pas inetrvistimit me urdhёr tё prokurorittё Shtetit janё dёrguar nё mbajtje pёr 48 orё”, ka njoftuar policia.