ATV

Category: Lajme

  • Kurti: Pas votimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, i gatshëm të nis kontaktet me partitë për çështjen e Presidentit

    Kurti: Pas votimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, i gatshëm të nis kontaktet me partitë për çështjen e Presidentit

    Qeveria e re e Republikës së Kosovës të enjten ka mbajtur mbledhjen e saj të parë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se tashmë pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë të mërkurën, si hap i tretë është votimi i buxhetit 2026 dhe ai i marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Pas kësaj, Kurti theksoi se është i gatshëm të nis kontaktet me partitë politike për çështjen e Presidentit.

    “Pas konstituimit të Kuvendit dhe qeverisë mbrëmë, jemi në hapin e tretë, votimi i buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Porsa të përfundohen këto jam i gatshëm që nga nesër të fillojmë kontaktet me subjektet tjera politike për çështjen e Presidentit”, tha Kurti.

  • 16% e deputetëve janë për herë të parë pjesë e Kuvendit

    16% e deputetëve janë për herë të parë pjesë e Kuvendit

    Kuvendi i Kosovës u konstitua të mërkurën, pasi deputetët dhanë betimin dhe u zgjodh kryetarja dhe nënkryetarët.

    E në legjislaturën e re, të dhjetën me radhë 16 për qind e deputetëve janë për herë të parë në Kuvend.

    KDI ka publikuar të dhënat, ndërsa bën të ditur se 10 deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje janë për herë të parë në Kuvend, 3 nga Partia Demokratike e Kosovës, 3 nga Lidhja Demokratike e Kosovës, 3 nga KDTP dhe 1 nga Lista Serbe.

  • Kurti për ministrat e rinj: Ky kabinet i ka të gjitha parakushtet që të jetë më i suksesshmi në historinë e re të Kosovës

    Kurti për ministrat e rinj: Ky kabinet i ka të gjitha parakushtet që të jetë më i suksesshmi në historinë e re të Kosovës

    Qeveria e re e Kosovës ka nisur mbledhjen e parë.

    Kryeministri Albin Kurti e nisi mbledhjen duke prezantuar kabinetin e ri qeveritar, teksa tha se sot do të riprocedohet në Kuvend edhe Projektbuxheti për vitin 2026, shkruan Reporteri.net.

    “Mësimet që kemi nxjerrë përgjatë mandatit të kaluar dhe përvojën që kemi fituar dhe ekspertizën tuaj profesionale, më bëjnë të besoj se ky kabinet ka të gjitha parakushtet që të jetë kabineti qeveritar më i suksesshëm në historinë e re të Republikës sonë që shumë shpejt i mbush 18 vjet”, ka deklaruar Kurti.

    Në rend dite janë pesë marrëveshje ndërkombëtare:

    Shqyrtimi i Projektligjit Nr. 09/L-002 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje (ZKM)

    Shqyrtimi i Projektligjit Nr. 09/L-003 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e Parë për ” Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrushmërinë dhe Rritjen e Gjelbër” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Bankës Botërore) (MF)

    Shqyrtimi i Projektligjit Nr. 09/L-003 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “ Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian (MF)

    Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin KOMPAS – Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës për Forcimin e Sistemit të Shëndetësisë (MF)

    Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin” Edukimi në Fëmijërinë e Hershme dhe Kujdesi për Kapitalin Njerëzor të Kosovës (MF).

  • SHTËPIA E BARDHË SHPËRTHEN NDAJ KOMENTEVE TË ILHAN OMAR – “NDALONI NXITJEN E DHUNËS!!!”

    SHTËPIA E BARDHË SHPËRTHEN NDAJ KOMENTEVE TË ILHAN OMAR – “NDALONI NXITJEN E DHUNËS!!!”

    Washingtoni u rrëmbye nga drama politike pasi që Shtëpia e Bardhë, qortoi publikisht përfaqësuesen Ilhan Omar për një postim në rrjetet sociale, që zyrtarët pretendojnë se ka kaluar çdo kufi.

    Sipas një deklarate të rrjedhur ekskluzivisht për TMZ, Shtëpia e Bardhë e akuzoi Omar për përhapje të “gënjeshtrave të rënda” dhe paralajmëroi se ajo duhet të ndalojë nxitjen e dhunës kundër presidentit në detyrë.

    Kjo shpërtheu pasi Omar, një kongresmene demokrate nga Minesota postoi në rrjetet sociale, duke lënë të kuptohet se në disa vende njerëzit do të ekzekutonin pedofilët e dyshuar në vend që t’i zgjidhnin ata, në një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Presidentit Trump. Reagimi i Shtëpisë së Bardhë ishte i menjëhershëm dhe i ashpër, demokratët në Kongres, sipas tyre, duhet t’i dënojnë komentet e saj dhe ta nxisin të ndalojë gënjeshtrat dhe nxitjen e dhunës politike kundër komandantit të përgjithshëm.

    Vetë Presidenti Trump thuhet se e përshkallëzoi situatën, duke e quajtur Omar një “kongresmene të rreme”, megjithëse nuk është e qartë saktësisht se çfarë nënkuptonte me këtë deklaratë.

    Rrjetet sociale kanë shpërthyer, me mbështetësit që mbrojnë lirinë e fjalës dhe kritikët që e akuzojnë Omar për retorikë të papërgjegjshme, ndërsa Shtëpia e Bardhë duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet.

  • Shkumbin Istrefi: Lënia jashtë e Fatmir Spahiut nga Qeveria, dëshpëruese dhe joetike

    Shkumbin Istrefi: Lënia jashtë e Fatmir Spahiut nga Qeveria, dëshpëruese dhe joetike

    Aktori i njohur Shkumbin Istrefi ka reaguar përmes një statusi publik lidhur me propozimin e fundit për Qeverinë, ku emri i aktorit Fatmir Spahiu nuk figuronte si kandidat për Ministër të Kulturës.

    Istrefi ka theksuar se në të kaluarën e kishte mirëpritur kandidimin e Spahiut për këtë post, edhe pse, sipas tij, dihej se ato propozime nuk do të votoheshin, përcjell Indeksonline.

    Ai ka vlerësuar po ashtu gatishmërinë e Spahiut për ta pranuar ofertën, pavarësisht rrethanave politike.

    Sipas Istrefit, propozimi i sotëm i Qeverisë, pa emrin e Spahiut, ishte “me së buti thënë, dëshpërues”. Ai theksoi se nuk ka asnjë kundërshtim ndaj kandidates së propozuar, por e konsideron joetike mënyrën se si, sipas tij, është përdorur reputacioni i një prej aktorëve më të popullarizuar në vend.

    Në fund, Istrefi u shpreh se Fatmir Spahiu do të mbetet gjithmonë një aktor dhe artist me vlera, ndërsa politika, sipas tij, vazhdon të mbetet e “flliqt”, duke shtuar: “Sa më larg saj.”

  • Ambasadori amerikan në OKB sfidon trupat me pompa në Gjenevë

    Ambasadori amerikan në OKB sfidon trupat me pompa në Gjenevë

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Mike Waltz, ka bërë bujë në rrjetet sociale pas publikimit të një videoje ku shfaqet duke bërë pompa së bashku me trupat amerikane në Gjenevë. Në përshkrimin e videos, ai shkruan shkurt: “I gatshëm për detyrë”.

    Përveç momentit sportiv, Waltz bëri të ditur se SHBA do të vazhdojë të ushtrojë presion mbi Kombet e Bashkuara për reforma të nevojshme brenda organizatës. Ai gjithashtu përsëriti se një pagesë paraprake nga Uashingtoni për OKB-në pritet të bëhet brenda disa javësh.

    SHBA vazhdon të jetë kontribuesi më i madh në buxhetin e OKB-së, megjithatë, nën administratën e mëparshme të presidentit Donald Trump, vendi kishte refuzuar pagesa të detyrueshme për buxhetet e rregullta dhe paqeruajtëse, si dhe kishte reduktuar fondet vullnetare për agjencitë e OKB-së.

    Duke folur nga Gjeneva, Waltz nuk dha shifra të sakta për shumën që do të paguajë SHBA-ja, por theksoi se vendi i tij do të përmbushë detyrimet financiare, ndërsa njëkohësisht do të vazhdojë të ushtrojë presion për reforma në organizatë.

    Ambasadori amerikan ndodhet në një vizitë dy-ditore në Gjenevë, ku do të takohet me zyrtarë të ndryshëm të OKB-së, përfshirë edhe ata të Agjencisë së Refugjatëve, UNHCR, e cila aktualisht po përballet me shkurtimet më të mëdha buxhetore në historinë e saj.

     

  • Dixon mbron Veselin në Hagë: “Nuk ka prova për rol kriminal”

    Dixon mbron Veselin në Hagë: “Nuk ka prova për rol kriminal”

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë po vijon paraqitja e deklaratave përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Sot, fjalën përmbyllëse e ka vazhduar mbrojtja e Kadri Veselit, e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon.

    Gjatë paraqitjes së tij, Dixon deklaroi se, sipas tij, ndaj Veselit nuk ka prova për krimet e pretenduara, duke theksuar se “lista e asgjësë” vazhdon. Siç raporton “Betimi për Drejtësi”, ai u shpreh se nuk ekzistojnë urdhra të lëshuar jashtë vendit, raporte të inteligjencës, vendime apo emërime që do ta lidhin Veselin me ndonjë aktivitet kriminal në kuadër të kësaj çështjeje.

    “Numri i urdhrave të lëshuara jashtë shtetit, raportet që lidhen me çështje të inteligjencës, vendimet e marra, emërimet e bëra, përfshirë edhe veprime ushtarake që nuk janë të paligjshme apo që nuk kanë të bëjnë me krimet e pretenduara në këtë rast apo me ndonjë element tjetër të ndërlidhur – asnjë! Lista e asgjësë vazhdon”, deklaroi ai.

    Sipas Dixon, këto elemente nuk arrijnë të provojnë se Veseli ka pasur rol në ndonjë ndërmarrje kriminale. Ai theksoi se argumentet e paraqitura nga Prokuroria janë kryesisht rrethanore dhe, sipas tij, të pamjaftueshme për të mbështetur pretendimet për një “konspiracion gjigant kriminal”.

    “Këto shifra dhe pretendime nuk arrijnë të ndërtojnë një konspiracion të madh kriminal ku Veseli të ketë pasur rol. Janë argumente rrethanore, tepër të dobëta”, tha ai.

    Dixon theksoi se kritikat e tij ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar nuk kanë për qëllim të minimizojnë vuajtjet e viktimave në Kosovë, disa prej të cilave janë pjesë e aktakuzës në këtë proces.

    Në fjalën e tij përmbyllëse, ai u shpreh se viktimat janë të vetëdijshme se padrejtësia më e rëndë është ajo që paraqitet si drejtësi.

    “Viktimat e dinë shumë mirë se padrejtësia më e keqe është drejtësia e pretenduar apo e rreme”, deklaroi Dixon.

    Ai shtoi se koha nuk i shëron të gjitha plagët, ndërsa mungesa e drejtësisë vetëm sa e thellon dhimbjen.

    “Koha nuk i shëron të gjitha plagët dhe kjo vlen për çdo konflikt. Pamundësia për të arritur drejtësinë vetëm e shton dhimbjen dhe vuajtjen. Ky dështim bëhet edhe më i rëndë kur kemi të bëjmë me një mashtrim nga sistemi i drejtësisë. Viktimat, siç u tha më herët, kanë nevojë për drejtësi të bazuar në të vërtetën dhe në realitet”, tha ai.

    Në përfundim, Dixon theksoi rëndësinë e mbrojtjes së të pafajshmëve dhe integritetit të gjykatave.

    “Në përpjekjen për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë – që është e domosdoshme dhe jo një opsion – nuk duhet të sakrifikohet e vërteta. Të pafajshmit duhet të mbrohen dhe gjykatat tona duhet të veprojnë me integritet”, përfundoi avokati.

  • Aktakuzë ndaj 9 personave për vrasjen e P.G pas përleshjes mes dy grupeve në Prishtinë

    Aktakuzë ndaj 9 personave për vrasjen e P.G pas përleshjes mes dy grupeve në Prishtinë

    Është ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave për vrasjen e P.G që kishte ndodhur në mbrëmjen e 1 shtator të 2024 ku në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë ishin përleshur grupi Capat dhe Sekiraqa.

    “Aktakuzë kundër nëntë personave për veprën penale ‘’Vrasje e rëndë në tentativë’’,  Vrasje e Rëndë nga neni 173 par. 1 nënpar. 1.5 dhe 1.11 lidhur me  nenin 31  të KPRK-së;  ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 i KPRK-së dhe veprës penale “Manipulim me prova”, nga neni  389 par 1, të KPRK-së. Prishtinë, 12 shkurt 2026- Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se, pas përfundimit të hetimeve ka ngritur aktakuzë kundër nëntë  (9) të pandehurve;   Sipas aktakuzës, të pandehurit K.R; V.A; D.M; E.M, të grupit të njohur me nofkën ‘’C’’,  me datë 01.09.2024, rreth orës 22:04, në lokalin “From” dhe jashtë tij, në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, në bashkëkryerje, pas një marrëveshje paraprake janë mbledhur, janë maskuar dhe janë pajisur armë të gjata dhe armë të shkurtra (revole) si dhe mjete të forta (stupca). Të njëjtit kanë marrë në përdorim tri (3) vetura të markave Porsche, Volksëagen Polo dhe Audi A7, të cilave ua kanë ndërruar targat duke vendosur targa të vjedhura duke tentuar ta privojnë nga jeta të pandehurit tjerë S. S., dhe anëtarët e grupit të tij, përkatësisht F.A;E.LL, dhe R.LI”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale ‘’Vrasje e rëndë në tentativë’’, nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafët 1.5 dhe 1.11, lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par. 1 i KPRK-së.

    Ndërkohë, i pandehuri S. S.,  së bashku me anëtarët e grupit të tij, përkatësisht F.A;E.LL, dhe R.LL. me dashje dhe dijeni, të përgatitur me armë zjarri, në bashkëkryerje dhe me qëllim të privimit nga jeta dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit në mes të dy grupeve, në po në të njëjtin vend kanë privuar nga jeta të ndjerin P:G, dhe kanë tentuar të privojnë nga jeta edhe të pandehurit tjerë. Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer veprën penale Vrasje e Rëndë nga neni 173 par. 1 nënpar. 1.5 dhe 1.11 lidhur me  nenin 31  të KPRK-së. Po ashtu të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par. 1 i KPRK-së.

    Po ashtu i pandehuri V.B  akuzohet se ka kryer veprën penale  “Manipulim me prova”, nga neni  389 par 1, të KPRK-së si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par. 1 i KPRK-së.

    Sipas hetimeve, motivi i këtij sulmi lidhet me një konflikt të mëhershëm të datës 04.03.2024, të ndodhur ndërmjet SH.S. (djalit të të pandehurit S.S) dhe P.G. (vëllait të tani të ndjerit P.G.), konflikt i cili ka përshkallëzuar armiqësinë ndërmjet dy grupeve.

    Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurve të lartcekur të shpallen fajtor për veprat penale për të cilën akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe ka propozuar që të pandehurve t’u vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.

  • Osmani anulon pjesëmarrjen në Konferencën e Sigurisë në Munich, arsye “angazhimet institucionale”

    Osmani anulon pjesëmarrjen në Konferencën e Sigurisë në Munich, arsye “angazhimet institucionale”

    Presidentja Vjosa Osmani e ka anuluar pjesëmarrjen në Konferencën e Sigurisë në Munich.

    Këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, ka thënë se arsyeja e anulimit të pjesëmarrjes janë angazhimet institucionale dhe prioritetet që lidhen me zhvillime brenda vendit.

    “Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është ftuar edhe sivjet në Konferencën e Sigurisë në Munich, për çka është shumë mirënjohëse ndaj organizatorëve. Megjithatë, për arsye të angazhimeve institucionale dhe prioriteteve që lidhen me zhvillime brenda vendit, e ka anuluar pjesëmarrjen”, ka deklaruar Kupina.

    Konferenca do të mbahet nga 13 deri më 15 shkurt, ku do të marrin pjesë qindra udhëheqës botërorë, përfshirë Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

    Kosovën do ta përfaqësojë Kryeministri, Albin Kurti, dhe shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti

    Pjesëmarrja e Rubios në këtë konferencë ndodh në një moment të rëndësishëm, kur Washingtoni dhe aleatët evropianë po përballen me mosbesim në rritje lidhur me sigurinë, tregtinë dhe të ardhmen e aleancës transatlantike dhe këto tensione pritet të mbizotërojnë diskutimet në Munih.

    Lufta e Rusisë në Ukrainë, që në fund të shkurtit hyn në vitin e pestë, pritet të jetë temë kryesore e diskutimeve në Konferencë, por edhe tensionet që kanë të bëjnë me Iranin.

    Pjesëmarrja e Rubios në Konferencën në Gjermani do të pasohet me një turne diplomatik në Bratisllavë dhe Budapest më 15 dhe 16 shkurt, duke vënë në pah fokusin e administratës amerikane në Evropën Qendrore në një kohë të një pasigurie strategjike.

    Pika kryesore e udhëtimit të Rubios do të jetë fjalimi në Munih më 14 shkurt, i cili pritet të shikohet me vëmendje, veçmas pasi fjalimi i nënpresidentit amerikan, JD Vance, vitin e kaluar në këtë konferencë pati jehonë të madhe.

  • Kusari lë postin e shefes së GP të LVV-së, merr detyrën e ministres së Tregtisë

    Kusari lë postin e shefes së GP të LVV-së, merr detyrën e ministres së Tregtisë

    Mimoza Kusari e ka nisur mëngjesin me një video-mesazh nga zyra e saj në Kuvendin e Kosovës, duke njoftuar se ky është adresimi i fundit nga ajo zyrë në cilësinë e shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Ajo tashmë do të vazhdojë angazhimin e saj si ministre e Ministrisë së Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, detyrë e cila u konfirmua një ditë më parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    “Mirëmëngjesi. Për herë të fundit po adresohem nga zyra ime në Kuvendin e Kosovës, nga cilësia e kaluar si shefe e grupit parlamentar dhe tani si ministre e Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, e konfirmuar dje në Kuvend. Pesë vitet e kaluara kanë qenë të mbushura me sfida, suksese dhe beteja të shumta politike, por gjithmonë me interesin e qytetarëve të Republikës si udhërrëfyes për çdo veprim tonin. Ju falënderoj për mbështetjen dhe përkrahjen dhe pres që të takohemi në angazhimet e reja nga pozita e re”, është shprehur Kusari.