ATV

Category: Lajme

  • AKK: Qytetarët nuk kompensohen me fotografi, kërkojmë dëmshpërblim të menjëhershëm dhe Fond Emergjent për Komunat

    AKK: Qytetarët nuk kompensohen me fotografi, kërkojmë dëmshpërblim të menjëhershëm dhe Fond Emergjent për Komunat

    Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga institucionet qendrore që të kompensojnë menjëherë dëmet e shkaktuara nga vërshimet dhe të krijojnë një Fond Emergjent për Komunat, duke theksuar se qytetarët kanë nevojë për mbështetje konkrete dhe jo për vizita simbolike.

    Përmes një reagimi publik, Bordi i AKK-së shprehu shqetësimin e thellë për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e fundit në disa komuna të vendit.

    Sipas AKK-së, është e papranueshme që një pjesë e madhe e dëmeve nga vërshimet e vitit 2023 dhe ato të janarit 2026 ende nuk janë kompensuar.

    “Qytetarët nuk kanë nevojë për vizita dhe fotografi, por për mbështetje konkrete dhe kompensim të drejtë e të shpejtë”, thuhet në reagim.

    AKK thekson se komunat kanë përfunduar vlerësimin e dëmeve dhe kanë përmbushur obligimet e tyre, ndërsa tani, sipas saj, përgjegjësia bie mbi institucionet qendrore për të vepruar pa vonesa.

    Bordi i Asociacionit ka përsëritur tri kërkesa kryesore:

    kompensimin e menjëhershëm të dëmeve nga vërshimet e vitit 2023 dhe të janarit 2026;

    ndarjen e fondeve urgjente për komunat e prekura nga vërshimet e fundit;

    themelimin e Fondit Emergjent për Komunat, si mekanizëm i përhershëm për reagim të shpejtë ndaj fatkeqësive natyrore.

    Në fund të reagimit, AKK ka bërë thirrje për veprime konkrete nga institucionet, duke theksuar se qytetarët nuk kompensohen me fotografi, por me vendime dhe mbështetje reale.

  • Tre të vdekur nga hantavirusi në Venezuelë

    Tre të vdekur nga hantavirusi në Venezuelë

    Tre persona të infektuar me hantavirus kanë vdekur në shtetin lindor Anzoátegui të Venezuelës.

    Kështu ka bërë të ditur të martën Ministria e Shëndetësisë atje.

    Autoritetet venezuelase kanë deklaruar se bëhet fjalë për raste të veçanta dhe se ato nuk paraqesin rrezik për shëndetin e komunitetit.

    “Hantavirusi transmetohet nga brejtësit në zonat rurale dhe bujqësore, kryesisht përmes thithjes së grimcave të urinës, ose pështymës në ambiente të mbyllura”, thuhet në njoftim.

    Ministria ka theksuar gjithashtu se nuk ka prova shkencore për transmetimin e virusit nga personi në person në Venezuelë.

    Sipas CDC-së, lloji i hantavirusit Andes, i përfshirë në atë shpërthim, është i vetmi lloj i njohur që mund të përhapet mes njerëzve përmes kontaktit të afërt.

  • Momenti i frikshëm në një lokal në Prizren, nga stuhia dhe erërat e forta

    Momenti i frikshëm në një lokal në Prizren, nga stuhia dhe erërat e forta

    Një moment paniku është krijuar në një lokal në Prizren, teksa stuhi e fortë ka përfshirë vendin këtë pasdite.

    Në pamjet e publikuara shihet se klientët, të frikësuar nga erërat e fuqishme, largohen me nxitim nga kafeteria.

    Stuhia ka shkaktuar vështirësi qarkullimi por edhe dëme në disa zona.

  • Reshjet e dendura, Haradinaj: Qeveria t’i dalë në ndihmë qytetarëve

    Reshjet e dendura, Haradinaj: Qeveria t’i dalë në ndihmë qytetarëve

    Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas stuhisë së fuqishme që ka goditur tash e dy ditë Kosovën.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka ftuar qeverinë në detyrë, që në bashkëpunim me komunat, të dalë në terren, të evidentojë dëmet e shkaktuara dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.

    “Situata e krijuar pas stuhisë dhe të reshurave të rrëmbyeshme në Kosovë kërkon reagim të shpejtë institucional. Ftoj Qeverinë në detyrë që në bashkëpunim me komunat, të dalë në terren, të evidentojë dëmet e shkaktuara dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’u dalë në ndihmë qytetarëve”, ka shkruar ai.

  • Europol shkatërron rrjetin e trafikimit të emigrantëve në Ballkan, shtatë arrestime gjatë operacionit ndërkombëtar

    Europol shkatërron rrjetin e trafikimit të emigrantëve në Ballkan, shtatë arrestime gjatë operacionit ndërkombëtar

    Autoritetet e Bullgarisë, Greqisë, Holandës dhe Rumanisë kanë zhvilluar një operacion të koordinuar kundër një grupi të dyshuar kriminal të organizuar, i akuzuar për trafikimin e emigrantëve përmes Ballkanit, duke përdorur automjete me qira, të vjedhura dhe të regjistruara në mënyrë të paligjshme.

    Sipas EUROPOL, operacioni, i udhëhequr nga autoritetet greke dhe i mbështetur nga agjencia europiane e zbatimit të ligjit, kishte në shënjestër një rrjet të përbërë kryesisht nga shtetas sirianë dhe egjiptianë, i dyshuar se organizonte transportin e paligjshëm të emigrantëve nga Greqia përmes Bullgarisë dhe Rumanisë, me synim transferimin e tyre drejt Italisë.

    Aksioni u zhvillua më 16 korrik në Selanik, Athinë, Sofje, Bukuresht dhe Etten-Leur në Holandë, duke çuar në arrestimin e shtatë personave të dyshuar, pesë në Greqi, një në Bullgari dhe një në Holandë.

    Deri më tani, autoritetet kanë lidhur këtë grup me 12 raste të trafikimit të emigrantëve të regjistruara mes shkurtit dhe korrikut 2026, ndërsa katër raste të tjera të mëparshme janë ende nën hetim.

    Emigrantët e transportuar ishin kryesisht shtetas egjiptianë, irakianë dhe sirianë. Sipas hetuesve, rrjeti përdorte automjete të vogla për të zhvendosur emigrantët përmes Greqisë, Bullgarisë dhe Rumanisë, përpara se ata të transferoheshin në kamionë për pjesën e fundit të udhëtimit drejt Italisë.

    Të dyshuarit akuzohen gjithashtu se merrnin automjete me qira duke përdorur dokumente identifikimi të vërteta dhe të falsifikuara, të cilat më pas nuk i kthenin, si dhe se blinin dhe regjistronin makina në emër të personave të tretë ose kompanive fiktive.

    Sipas autoriteteve, grupi përdorte edhe automjete të vjedhura, kryesisht me origjinë nga Greqia.

    Rrjeti dyshohet se funksiononte përmes celulave të organizuara në Greqi, Bullgari dhe Rumani, ndërsa anëtarët e tij lëviznin shpesh në vendet e Ballkanit për të koordinuar rrugët e trafikimit.

    Europol ka lehtësuar shkëmbimin dhe analizimin e informacionit operacional mes autoriteteve të vendeve të përfshira. Gjatë operacionit, agjencia europiane dërgoi në Greqi një ekspert me një zyrë të lëvizshme, për të mundësuar verifikime në kohë reale në bazat e saj të të dhënave.

  • IQK ndalon punimet në 16 vendpunishte në pesë komuna të Kosovës, shkak i shkeljeve ligjore që paraqesin rrezik për jetën dhe shëndetin e punëtorëve

    IQK ndalon punimet në 16 vendpunishte në pesë komuna të Kosovës, shkak i shkeljeve ligjore që paraqesin rrezik për jetën dhe shëndetin e punëtorëve

    Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në 16 vendpunishte në Pejë, Prishtinë, Ferizaj, Lipjan dhe Fushë Kosovë, pas inspektimeve të realizuara në kuadër të mbikëqyrjes së zbatimit të legjislacionit të punës dhe sigurisë e shëndetit në punë.

    Sipas njoftimit, gjatë kontrolleve janë konstatuar shkelje të rënda ligjore që paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

    Për pasojë, është urdhëruar ndërprerja e menjëhershme e punimeve deri në eliminimin e të gjitha parregullsive dhe krijimin e kushteve të sigurta për punë. Inspektorati bëri të ditur se rifillimi i aktiviteteve do të lejohet vetëm pasi të verifikohet përmbushja e kërkesave ligjore dhe standardeve të sigurisë, ndërsa paralajmëroi se kontrollet intensive do të vazhdojnë në mbarë vendin.

    Njoftimi i plotë:

    Inspektorati Qendror i Punës ndalon punimet në 16 vendpunishte në Pejë, Prishtinë, Ferizaj, Lipjan dhe Fushë Kosovë

    Në kuadër të inspektimeve të vazhdueshme për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës dhe sigurisë e shëndetit në punë, Inspektorati Qendror i Punës ka realizuar kontrolle në 16 vendpunishte në komunat Pejë, Prishtinë, Ferizaj, Lipjan dhe Fushë Kosovë.

    Gjatë inspektimeve janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve. Për këtë arsye, Inspektorati Qendror i Punës ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të punimeve në 16 vendpunishte, deri në eliminimin e të gjitha parregullsive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për punë.

    Këto masa synojnë parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe garantimin e sigurisë së punëtorëve. Rifillimi i punimeve do të lejohet vetëm pasi inspektorët të konstatojnë se janë përmbushur të gjitha kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë.

    Inspektorati Qendror i Punës do të vazhdojë kontrollet intensive në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe nuk do të tolerojë asnjë shkelje që rrezikon jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

  • Kryetari i Suharekës del në terren: Stuhia e fortë shkaktoi dëmtime në qytet e fshatrat përreth, bëni kujdes

    Kryetari i Suharekës del në terren: Stuhia e fortë shkaktoi dëmtime në qytet e fshatrat përreth, bëni kujdes

    Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, tha se stuhia e fortë që ka përfshirë zonën ka shkaktuar dëme në qytet dhe në disa fshatra përreth.

    Ai doli në terren dhe publikoi disa fotografi në Facebook, ku u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes për shkak të kushteve të motit.

    “Nga stuhia e fortë ka disa dëmtime në qytetin e Suharekës dhe fshatra me rrethinë. Apelojmë për kujdes”, shkroi ai.

  • Rrëzohet minarja e xhamisë në Plluzhinë të Skenderajt nga erërat e fuqishme

    Rrëzohet minarja e xhamisë në Plluzhinë të Skenderajt nga erërat e fuqishme

    Moti i paqëndrueshëm që ka përfshirë Kosovën, ka shkaktuar edhe dëme në disa fshatra e qytete.

    Përveç rajonit të Dukagjinit ku janë raportuar më së shumti raste, edhe në Skenderaj raportohet e njëjta situatë.

    Në fshatin Plluzhinë, si pasojë e erërave të fuqishme raportohet se është rrëzuar minarja e xhamisë.

    Deri më tani nuk dihet nëse ka persona të lënduar, por reshjet e shiut po vazhdojnë.

  • Gruaja e Hysen Durmishit punësohet në ministrinë e Arben Vitisë

    Gruaja e Hysen Durmishit punësohet në ministrinë e Arben Vitisë

    Mirjeta Durmishi, bashkëshortja e Hysen Durmishit, është punësuar në Ministrinë e Shëndetësisë.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë ajo me anë të një njoftimi në ‘Facebook’, ku tha se është punësuar si këshilltare politike e Vitisë.

    “Faleminderit kryeministër Kurti! Faleminderit ministër Vitia! Jam e nderuar, që nga sot, të jem këshilltare politike e ministrit më të suksesshëm të Qeverisë së Kosovës z. Arben Vitia”, ka thënë Durmishi.

    E njëjta ishte shfaqur kritike kohë pas kohe ndaj Qeverisë Kurti. Kur përurohej segmenti Vushtrri-Prishtinë nga Kurti e Dimal Basha, ajo ironizonte me prerjen e shiritave.

    “Vështirë është me përfundu ndërtimin e rrugës, se me pre shiritin është leht”, kishte shkruar ajo.

    Gjithsesi, në postimin e saj ajo ka falënderuar edhe Kurtin për punësim.

  • Rreth 100 familje përfitojnë çdo muaj nga Dyqani i Bamirësisë në Prishtinë

    Rreth 100 familje përfitojnë çdo muaj nga Dyqani i Bamirësisë në Prishtinë

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se rreth 100 familje që janë pjesë e skemës së asistencës sociale furnizohen çdo muaj me produkte esenciale përmes Dyqanit të Bamirësisë të Kryeqytetit.

    Sipas Ramës, ky shërbim synon të lehtësojë barrën e përditshme për familjet në nevojë, ndërsa së fundmi është përfunduar edhe inventarizimi i plotë i këtij dyqani me qëllim të përmirësimit të organizimit dhe funksionimit të tij.

    “Në Dyqanin e Bamirësisë të Kryeqytetit, çdo muaj, rreth 100 familje që janë pjesë e skemës së asistencës sociale furnizohen me produkte esenciale, duke u lehtësuar barrën e përditshme”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.

    Ai ka bërë të ditur se inventarizimi i realizuar do të ndikojë në rritjen e transparencës dhe efikasitetit të këtij shërbimi.

    “Së fundmi, kemi përfunduar edhe inventarizimin e plotë të dyqanit, për ta bërë funksionimin e tij edhe më të organizuar, më transparent dhe më efikas”, ka deklaruar kryetari i Prishtinës.

    Rama ka falënderuar organizatën bamirëse Bereqeti për bashkëpunimin në realizimin e këtij projekti.

    “Ky projekt u realizua në bashkëpunim me organizatën bamirëse Bereqeti, të cilën e falënderoj për partneritetin dhe përkushtimin e vazhdueshëm”, ka shkruar ai.