ATV

Category: Lajme

  • Cili është helmi që dyshohet se u përdor për të vrarë Navalnyn?

    Cili është helmi që dyshohet se u përdor për të vrarë Navalnyn?

    Lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny, u vra duke përdorur një toksinë vdekjeprurëse të gjetur në bretkosat helmuese në Amerikën e Jugut, thanë Mbretëria e Bashkuar dhe disa nga aleatët e saj evropianë.

    Gjurmë të epibatidinës u gjetën në mostrat e marra nga trupi i Navalnyt dhe ka shumë të ngjarë të kenë rezultuar në vdekjen e tij në një koloni penale siberiane dy vjet më parë, sipas Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

    Aleatët thanë se vetëm shteti rus kishte “mjetet, motivin dhe mundësinë” për të përdorur këtë toksinë vdekjeprurëse.

    Çfarë është toksina?

    Epibatidina është një neurotoksinë natyrale e izoluar nga lëkura e bretkosës helmuese ekuadoriane, sipas ekspertes së toksikologjisë Jill Johnson.

    “Ishte 200 herë më e fuqishme se morfina”, tha Johnson, shkruan BBC.

    Epibatidina mund të gjendet natyrshëm te ato që njihen si bretkosa helmuese në Amerikën e Jugut, si dhe mund të prodhohet në laborator.

    Edhe pse epibatidina është hetuar si qetësues dhimbjesh dhe për lehtësimin e gjendjeve të dhimbshme inflamatore të mushkërive, ajo nuk përdoret klinikisht për shkak të toksicitetit të saj.

    Si funksionon helmi i bretkosës?

    Ky përbërës i fuqishëm kimik vepron në receptorët nikotinik në sistemin nervor, sipas Johnson.

    Meqenëse i stimulon tepër këta receptorë nervorë, nëse dozohet siç duhet, mund të shkaktojë dridhje të muskujve, paralizë, kriza, ritëm të ngadaltë të zemrës, dështim të frymëmarrjes dhe në fund vdekje.

    Alastair Hay, profesor i toksikologjisë mjedisore në Universitetin e Leeds, tha se efektet e saj mund të rezultojnë në bllokim të frymëmarrjes dhe se “çdo person i helmuar vdes nga mbytja”.

    Në kohën e vdekjes së tij, Navalny kishte qenë në burg për tre vjet dhe më vonë ishte transferuar në një koloni penale në Arktik.

    Sipas rrëfimeve ruse, 47-vjeçari bëri një shëtitje të shkurtër, tha se ndihej keq, pastaj u rrëzua dhe vdiq.

  • Tetë raste të dhunës në familje u raportuan vetëm gjatë 24 orëve në Kosovë

    Tetë raste të dhunës në familje u raportuan vetëm gjatë 24 orëve në Kosovë

    Tetë raste të dhunës në familje, janë raportuar vetëm gjatë 24 orëve në Kosovë.

    Pesë prej këtyre rasteve kanë ndodhur vetëm në rajonin e Prishtinës.

    Rastet kanë qenë në Prishtinë, Gllogoc, Fushë Kosovë, Pejë dhe Gjakovë.

    Rastet e raportuara:

    Prishtinë/15.02.2026-07:00. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare pasi që e njëjta pas një mosmarrëveshje verbale që kishte pas me familjarët e saj. Me vendim të prokurorit e dyshuar është dërguar në mbajtje.

    Gllogoc/15.02.2026-03:00. Viktima femër kosovare ka njoftuar se ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Prishtinë/ 15.02.2026 – 14:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar e ka ofenduar atë me fjalë fyese. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar, kurse rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt.

    Prishtinë/ 13.02.2026 – 17:00. Me 15.02.2026 viktima femër kosovare ka raportuar është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.

    Fushë Kosovë/15.02.2026-20:00 Është arrestuar e dyshuara femër kosovare, pasi e njëjta ka sulmuar fizikisht bashkëshortin e saj kosovar. Viktimës i është ofruar tretmani mjekësor. E dyshuara me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Pejë /15.02.2026-00:45. Viktima femër kosovare ka njoftuar se ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj kosovar mashkull kosovar. Viktima ka refuzuar tretman mjekësor. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Gjakovë /15.02.2026-10:00. Është arrestuar i dyshuari i mitur mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht vëllain e tij kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Gjakovë/ 15.02.2026 – 10:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Vëllezërit Viqentijeviq të akuzuar për sulmin në Ibër-Lepenc me duar të lidhura para gjykatës në Prishtinë

    Vëllezërit Viqentijeviq të akuzuar për sulmin në Ibër-Lepenc me duar të lidhura para gjykatës në Prishtinë

    Sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës janë paraqitur të akuzuarit për sulmin në Ibër-Lepenc.

    Seanca gjyqësore ndaj Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq ka nisur me fillim nga ora 19:30.

    Ky sulm pati ndodhur më 29 nëntor të vitit 2024 në fshatin Varagë të Zubin Potokut. Në hetime ishin përfshirë edhe FBI.

    Screenshot
  • Sheshi fillon të dekorohet për 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

    Sheshi fillon të dekorohet për 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

    Sheshi i Prishtinës ka filluar të dekorohet për nder të festës së pavarësisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Në 18-vjetorin e shpalljes së Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, sheshi i Prishtinës po vendos flamujt e Kosovës por krah tyre edhe flamurin Kombëtar.

  • Haxhiu mbështet marshin madhështor qytetar “Drejtësi, jo politikë”

    Haxhiu mbështet marshin madhështor qytetar “Drejtësi, jo politikë”

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka pritur në takim përfaqësuesit e platforma “Liria ka Emër” ku edhe ka dhënë mbështetjen për marshin paqësor “Drejtësi, jo politikë” që do të mbahet më 17 shkurt në ora 14:00 në sheshin “Skënderbeu”.

    Nga platforma njoftojnë se Haxhiu vlerësoi angazhimin e platformës dhe rëndësinë e mobilizimit qytetar në këtë moment.

    “Ju përgëzoj për angazhimin dhe mobilizimin qytetar. Do të jetë një marsh madhështor, sepse kur bëhet fjalë për vlerat e luftës çlirimtare, UÇK-ja na bashkon të gjithëve”, citohet të ketë thënë Haxhiu.

    Në takim ku ishte Eliza Hoxha, Ismail Tasholli dhe Ridvan Emini, u diskutua për marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet nesër në Prishtinë, në mbrojtje të çlirimtarëve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, dhe shokët e tyre që po gjykohen në Hagë, si dhe për rëndësinë e një mobilizimi dinjitoz në këtë moment vendimtar të procesit.

    Eliza Hoxha theksoi se marshimi është shprehje e ndërgjegjes qytetare dhe e unitetit përtej dallimeve politike.

    “Ky marsh është zë i qytetarëve për drejtësi dhe dinjitet. Është moment kur shoqëria jonë tregon se di të bashkohet për çështje që e tejkalojnë politikën,” u shpreh Hoxha.

    Ismail Tasholli nënvizoi se pjesëmarrja masive do të jetë mesazh i qartë për respektimin e së vërtetës dhe të drejtësisë.

    “Nesër, Prishtina do të jetë zëri i qytetarëve që kërkojnë drejtësi të paanshme dhe mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare,” tha Tasholli.

    Platforma “Liria ka Emër” falënderoi Kryetaren e Kuvendit për pritjen dhe diskutimin konstruktiv, duke ritheksuar thirrjen që nesër qytetarët të bashkohen në marshin “Drejtësi, jo politikë” në Prishtinë.

  • E rëndë: Gjendet i vdekur një burrë në shtëpinë e tij në Graçanicë

    E rëndë: Gjendet i vdekur një burrë në shtëpinë e tij në Graçanicë

    Pasditen e së dielës, një burrë është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në Graçanicë.

    Policia ka njoftuar se ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    “Një mashkull kosovar është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse dhe ekipi mjekësor i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e policisë.

  • Kurti pas takimit me Orav: E nevojshme që sa më parë të marrim statusin e vendit kandidat

    Kurti pas takimit me Orav: E nevojshme që sa më parë të marrim statusin e vendit kandidat

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me shefin e zyrës së Bashkimit Evropian, Aivo Orav, ka thënë se BE është organizata e paqes dhe sigurisë e ku nënvizon se është e nevojshme që Kosova ta marr statusin e vendit kandidat dhe pyetësorin nga Komisioni Evropian.

    Kurti poashtu thotë të kenë biseduar edhe për marrëveshjen për Planin e Rritjes që u miratua në Kuvend të premten.

    “E falënderova ambasadorin Orav, shefin e misionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, për urimin e tij me rastin e konstituimit të Kuvendit të legjislaturës së 10-të dhe për formimin e Qeverisë, si dhe për aprovimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, i cili ka vlerë të gjithmbarshme për Republikën tonë prej 882.6 milionë euro. Nga këto, afër 30 për qind janë grante, ndërkaq mbi 70 për qind janë kredi”, tha Kurti, raporton EO.

    I pari i ekzekutivit nënvizoi se BE është partner i besueshëm i Kosovës.

    “Gjithashtu, i përsërita zotimet e Republikës së Kosovës se shteti ynë do të jetë, siç ka qenë përherë, partner i besueshëm dhe serioz i Bashkimit Evropian. Ne konsiderojmë që Bashkimi Evropian është organizata e paqes dhe sigurisë, ku ne dëshirojmë edhe të kontribuojmë, edhe të përfitojmë. Për këtë është e nevojshme që sa më parë të marrim statusin e vendit kandidat dhe pyetësorin nga Komisioni Evropian, që do të na ndihmojë t’i përshpejtojmë agjendën e reformave, që padyshim do të jetë prioritet i Qeverisë sonë”, theksoi Kurti.

  • Mbi 1,400 gjoba dhe 25 aksidente gjatë javës së kaluar në Ferizaj,  apelohet për kujdes në trafik

    Mbi 1,400 gjoba dhe 25 aksidente gjatë javës së kaluar në Ferizaj, apelohet për kujdes në trafik

    Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se gjatë javës 09–15 shkurt 2026, janë ndërmarrë një sërë masash për parandalimin e aksidenteve në komunikacion.

    Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar gjithsej 1.443 gjoba kundërvajtëse, ndërsa 27 patentë shoferësh janë pezulluar për shkelje të rënda në trafik.

    Sipas statistikave të policisë, janë regjistruar 25 aksidente, nga të cilat: 12 aksidente me lëndime, ku kanë mbetur të lënduar 15 personA dhe 13 aksidente me dëme materiale.

    Policia Rajonale e Ferizajt thekson se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për parandalimin e aksidenteve dhe apelon tek shoferët që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të jenë të kujdesshëm në rrugë.

    Qytetarët ftohen të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo kundërvajtje përmes stacionit më të afërt policor, aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” ose në numrin kujdestar 192.

  • Orav dhe Kurti bien dakord për rifillim të reformave që çojnë para rrugën evropiane të Kosovës

    Orav dhe Kurti bien dakord për rifillim të reformave që çojnë para rrugën evropiane të Kosovës

    Mëngjesin e së hënës, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav zhvilloi një takim me kryeministrin Albin Kurti.

    Sipas njoftimit zyrtar, në këtë takim Orav uroi Kurtin për rizgjedhjen e tij të tretë si kryeministër, transmeton klankosova.tv.

    Tutje, në njoftim theksohet se ata ranë dakord të rifillojnë punën për reformat për të çuar përpara rrugën evropiane të Kosovës.

    “Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, uroi sot kryeministrin Albin Kurti për rizgjedhjen e tij të tretë. Ata ranë dakord të rifillojnë punën për reformat për të çuar përpara rrugën evropiane të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

  • Rama sot në Kosovë, Policia njofton për bllokime të përkohshme të rrugëve

    Rama sot në Kosovë, Policia njofton për bllokime të përkohshme të rrugëve

    Kryeministri i Shqipëri, Edi Rama, do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Kosovë.

    Me këtë rast, Policia e Kosovës ka njoftuar se do të ndërmarrë masa për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për rregullimin e trafikut gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit në vend.

    Sipas njoftimit, për të mundësuar qarkullimin e lirë të eskortës, nga pika kufitare në Aeroport dhe përgjatë itinerarit të paraparë sipas agjendës zyrtare, do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore, në intervale të shkurtra kohore. Në disa raste, trafiku do të riorientohet në rrugë alternative.

    Policia ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik gjatë zhvillimit të kësaj vizite zyrtare.