ATV

Category: Lajme

  • Aksidentohet automjeti i eskortës së kryeministrit malazez, rasti i tretë brenda vitit

    Aksidentohet automjeti i eskortës së kryeministrit malazez, rasti i tretë brenda vitit

    Në qytetin Skrbusha afër Kolashinit, dje rreth orës 16:30, ndodhi një aksident trafiku që përfshinte një automjet zyrtar Mercedes, automjetin e parë në eskortën e personit të mbrojtur dhe një automjet pasagjerësh BMW të drejtuar nga shtetasi ukrainas V.S. (21), raporton RTCG.

    Në aksident u plagosën tre oficerë policie, njëri prej të cilëve pësoi lëndime të rënda trupore.

    “Pas përfundimit të hetimit dhe marrjes së masave dhe veprimeve të përcaktuara me ligj, me urdhër të prokurorit të shtetit në Prokurorinë Themelore të Shtetit në Kolashin, shtetasi ukrainas V.S. u privua nga liria me dyshimin për kryerjen e një vepre penale të veprave të rënda kundër sigurisë së transportit publik (neni 348, paragrafi 3 i Kodit Penal)”, njoftoi dje Drejtoria e Policisë.

    Policia deklaroi se i dyshuari do të çohet në Prokurorinë Themelore të Shtetit në Kolashin për juridiksion dhe veprime të mëtejshme, dhe se trafiku në atë pjesë të rrugës është rivendosur.

    Dy incidente të tjera që përfshijnë automjetet që shoqëronin Kryeministrin Milojko Spajiq janë regjistruar më parë, raporton Danas.rs.

    I pari ndodhi më 24 mars 2025 në Podgoricë, ku përfshihej një automjet që i përkiste firmës ligjore të avokates Ana Xhukanoviq dhe një automjet që shoqëronte Kryeministrin, duke shkaktuar dëme materiale.

    Policia informoi prokurorinë për incidentin. Çështja përfundoi para një gjyqtari për kundërvajtje.

    Incidenti i dytë ndodhi kur ish-Ministri i Bujqësisë dhe ish-deputeti nga Partia Demokratike e Socialistëve Petar Ivanoviq preu një konvoj automjetesh që shoqëronin Kryeministrin, pas së cilës ai ndoqi konvojin deri në ndërtesën e Qeverisë së Malit të Zi.

    Për shkak të këtij incidenti, Ivanoviç u nxor edhe para një gjyqtari të Gjykatës së Kundërvajtjeve. Megjithatë, Ivanoviç u lirua nga akuzat para Gjykatës së Kundërvajtjeve në Podgoricë se kishte bllokuar rrugën e automjeteve që shoqëronin kryeministrin Milojko Spajiç dhe se kishte fyer oficerët e policisë që shoqëronin kryeministrin.

  • Merz uron Kurtin: Merrni vendimet e duhura për integrimin euroatlantik të Kosovës

    Merz uron Kurtin: Merrni vendimet e duhura për integrimin euroatlantik të Kosovës

    Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për rizgjedhjen e tij në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

    Përmes letrës, Merz shprehet se mezi pret të punojë me Kurtin, për të thelluar më tej marrëdhëniet e ngushta midis dy shteteve.

    “Ju përgëzoj ngrohtësisht për rizgjedhjen tuaj. Pres me padurim të punoj me ju për të thelluar më tej marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore midis vendeve tona”, thotë Merz, sipas njoftimit të lëshuar nga Qeveria gjermane.

    Ndër të tjera, kancelari gjerman kërkon nga kryeministri të marrë vendimet e duhura dhe të nevojshme për integritetin e vazhdueshëm euroatlantik. Po ashtu, ai ka përmendur edhe dialogun me Serbinë.

    “Ju dhe qeveria juaj përballeni me detyra sfiduese. Jam i bindur se, me përvojën tuaj, do të merrni vendimet e duhura dhe të nevojshme për integrimin e vazhdueshëm euroatlantik të Kosovës. Kjo përfshin përparim të mëtejshëm në dialogun e normalizimit me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja”.

    “Ju lutem të jeni të sigurt se Kosova ka një partner të fortë dhe të besueshëm në Gjermani në këto përpjekje. Ju uroj fat të mbarë dhe sukses në mandatin tuaj të vazhdueshëm”,thuhet në telegramin e urimit të kancelarit të Gjermanisë”, ka thënë Merz.

  • Nëna dhe dy fëmijë përplasën nga makina para kopshtit në SHBA – Shpëtojnë mrekullisht

    Nëna dhe dy fëmijë përplasën nga makina para kopshtit në SHBA – Shpëtojnë mrekullisht

    Një nënë dhe dy fëmijët e saj në New Jersey shpëtuan mrekullisht pasi u përplasën nga një makinë ndërsa po dilnin nga kopshti.

    Një video e publikuar nga kamerat e sigurisë së kopshtit tregon momentin kur Patrice Pisani del nga dera e kopshtit së bashku me dy djemtë e saj. Papritmas, një makinë me shpejtësi të lartë u afrua drejt tyre, ndërsa nëna tentoi të tërhiqte fëmijët.

    Ajo arriti të nxirrte njërin nga djemtë nga rruga disa sekonda para se makina të godiste një shtyllë. Më pas makina goditi nënën dhe fëmijën më të madh në pjesën e pasme, duke bërë që të binin në tokë.

    Si pasojë, djali më i vogël pësoi djegie në këmbë, nëna u godit në shpinë dhe qafë, ndërsa djali më i madh pësoi lëndime të lehta.

    Shoferja 68-vjeçare, Angela Arrigo, u arrestua dhe akuzohet për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit dhe rrezikim të mirëqenies së një fëmije.

  • Për shkak të Ramazanit, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ndryshon orarin e mësimit

    Për shkak të Ramazanit, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ndryshon orarin e mësimit

    Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës ka njoftuar ndryshime në organizimin e procesit mësimor në shkollat e kryeqytetit, për shkak të muajit të shenjtë të Ramazanit dhe në respekt të nxënësve dhe stafit që agjërojnë.

    Sipas njoftimit, mësimi do të fillojë nga ora 07:30, ndërsa kohëzgjatja e mesndërrimit dhe pushimet e gjata janë reduktuar. Qëllimi i këtyre ndryshimeve është që dita mësimore të përfundojë më së largu deri në orën 17:00, pa u zvogëluar numri dhe kohëzgjatja e orëve, duke ruajtur cilësinë dhe vazhdimësinë e procesit mësimor.

    Drejtoria e Arsimit thekson se këto masa kanë për qëllim lehtësimin e nxënësve dhe stafit gjatë periudhës së agjërimit, duke garantuar një organizim të përshtatshëm dhe efikas të mësimit në shkollat e kryeqytetit.

  • Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes miraton projektligjin për buxhetin 2026

    Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes miraton projektligjin për buxhetin 2026

    Në një mbledhje të fundit, Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka miratuar pikat e rendit të ditës, ku ndër të tjera ishte edhe Projektligji për buxhetin e vitit 2026, Ekonomia Online.

    Gjatë mbledhjes, anëtarët e komisionit konfirmuan përbërjen e tij dhe përcaktuan fushëveprimin e veprimtarive që do të mbulohen nga ky projektligj. Ky vendim hap rrugën për procedurat e mëtejshme ligjore lidhur me miratimin përfundimtar të buxhetit.

  • Vetëdorëzohet në Policinë e Prizrenit, i dënuari me mbi tri vjet burg për narkotikë

    Vetëdorëzohet në Policinë e Prizrenit, i dënuari me mbi tri vjet burg për narkotikë

    Policia në Prizren, ka njoftuar se duke vepruar sipas një plani taktik-operativ, pa ndërprerë kanë kërkuar personin e shpallur në kërkim sipas tri urdhërarresteve, i dënuari me inicialet A. Q., mashkull nga Prizreni, është vetëdorëzuar në Qendrën e Paraburgimit.

    I njëjti, sipas Policisë ka qenë në kërkim me tri urdhëresa dhe ishte i dënuar gjithsej me 3 vjet e 110 ditë burg efektiv, me vendim të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore të Prizrenit.

    “I arrestuari është dënuar me 3 vjet e 110 ditë burg, në tri raste të ndryshme, për veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, sipas nenit 267, paragrafi 2 i KPRK-së”, thotë PK.

  • Hamza takon ambasadorin austriak, flasin për zhvillimet e fundit në vend

    Hamza takon ambasadorin austriak, flasin për zhvillimet e fundit në vend

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, priti në takim Ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer.

    Gjatë takimit, Hamza shprehu mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme që Austria i ka dhënë Kosovës ndër vite, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik, duke e vlerësuar rolin e saj si një partner i rëndësishëm në proceset shtetformuese dhe zhvillimore të vendit.

    Duke folur për zhvillimet aktuale politike, Hamza theksoi se mbetet për t’u parë qasja e partive të tjera në fazën e ardhshme, duke shtuar se stabiliteti institucional dhe bashkëpunimi janë thelbësore për tejkalimin e sfidave politike.

  • ZKA-ja kërkon mbi 654 mijë euro shtesë, por komisioni nuk e miraton kërkesën

    ZKA-ja kërkon mbi 654 mijë euro shtesë, por komisioni nuk e miraton kërkesën

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka kërkuar mbi 654 mijë euro buxhet shtesë nga shuma e përgjithshme e paraparë në Projetkligjin për buxhetin e vitit 2026.

    Kjo pasi nga kjo zyre thanë se duhet të rekrutojnë staf shtesë e po ashtu u duhet buxhet edhe për mallra, shërbime e kategori tjera.

    “Këto 10 pozita të reja kemi kërkuar t’i mbulojmë për auditimin e fondeve të BE-së”, ka sqaruar drejtori i përgjithshëm i ZKA-së, Safet Berisha.

    Kërkesa e kësaj zyre është duke u shqyrtuar në Komisionin parlamentar për mbikëqyrjen e financave. Kryesuesi i komisionit, deputeti i PDK-së, Arben Mustafa paraqiti kërkesën e ZKA-së dhe projeksionet e parapara për sivjet.

    “ZKA-ja ka kërkuar 654 mijë e 18 euro buxhet shtesë nga ajo që është paraparë. ZKA-ja ka 185 punëtorë dhe ka në planifikim edhe 10 punëtorë shtesë. 2 milionë e ka buxhetin për paga dhe mëditje. Po ashtu kërkesa e tyre është edhe për mallra dhe shërbime, shpenzime komunale, shpenzime kapitale”, ka deklaruar Mustafa.

    Anëtarët e komisionit nga radhët e LVV-së kërkuan që në këtë fazë të mos bëhen ndryshime në buxhet.

    Sipas tyre, kërkesat e institucioneve publike mund të përfshihen në buxhet kur të bëhet rishikimi i tij muajin e ardhshëm.

    “Kërkesa është e arsyeshme. Në këtë fazë do të kemi shume kërkesa nga shumë organizata buxhetore. Në këtë fazë, kryesisht janë kërkesa që kanë të bëjnë me paga e mallra dhe shërbime te cilat akomodohen brenda buxhetit shumë lehtë kur të bëhet rishikimi i buxhetit. Prandaj në këtë fazë mendoj se nuk duhet të bëjmë ndryshime në buxhet pasi edhe ashtu seanca është nesër. Për shkak se muajin tjetër do të nisë rishikimi i buxhetit dhe të gjitha kërkesat mund të përfshihen në buxhet”, ka deklaruar deputeti i LVV-së, Hysen Durmishi.

    Mirëpo këtë e kundërshtuan deputetë të opozitës.

    “Kërkoj me kujdes të shqyrtojmë kërkesat e tyre. Këto janë në përputhje me Ligjin e pagave e rregullore të tjera. Nëse këtyre ju ndalim këtë mundësi, në fund të vitit ne kemi me qenë përgjegjës për mosrealizimin e planit të ZKA-së. Unë besoj që sot ose duhet ta miratojmë kërkesën e tyre ose mazhoranca të marrë zotim, që këto të shkojnë përpara”, ka deklaruar deputëti i LDK-së, Avdullah Hoti.

    Edhe nga PDK-ja kërkuan që sot të miratohet kërkesa e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Mirëpo, me 3 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, kërkesa e Zyrës Kombëtare të Auditimit nuk u miratua./rtk/

  • “E kemi ofru nëse dojmë me bo zgjidhje”, Daut Haradinaj flet për “kandidaturën” e Ramushit për President

    “E kemi ofru nëse dojmë me bo zgjidhje”, Daut Haradinaj flet për “kandidaturën” e Ramushit për President

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, i ftuar mbrëmë në Pressing në T7, ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri, dhe idesë së kësaj partie, që Ramush Haradinaj, të jetë kryetari i ardhshëm i shtetit

    Së pari, Haradinaj, vlerësoi kushdo që rrin në sallën e Kuvendit gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit të ri, pa një marrëveshje politike, është i ‘’shitun’’.

    ‘’Kushdo që rrin në sallë është i shitun, është direkt i shitun. Pa një marrëveshje politike, kushdo që rrin në sallë s’ka bë kalkulime politike, por individuale’’, ka thënë ai.

    Deputeti i AAK’së, theksoi edhe se, për momentin s’ka ‘’diskutim të kësaj forme’’ as me Partinë Demokratike të Kosovës, e as me Lidhjen Demokratike.

    ‘’Nuk jam prej atyne që veshna e shkoj në kuvend pse ka thanë qeshtu ai, e kështu qaj, me asnjë çmim, do më thënë këto forma të punës të paktën të unë nuk funksionojnë. Nuk ka asnjë diskutim të kësaj forme, qoftë me LDK apo edhe me PDK’’, ka deklaruar ai.

    Sa i përket kandidaturës së Ramushit, Dauti, deklaroi se kryetari i AAK’së është ‘’ofruar si mundësi’’ nëse duan të bëjnë zgjidhje, dhe se, ata kanë synuar t’i bëjnë 30 nënshkrimet që të ‘’jemi kundërkandidat’’.

    ‘’Ne kemi synu t’i marrim nënshkrimet, t’i bëjmë 30 nënshkrime dhe të jemi kundërkandidat. Në atë fazë jemi për momentin, shpresojmë të gjejmë mirëkuptimin. Nëse viktimizohet dikush, atëherë Ramushi është shprehë i gatshëm. Nëse mazhoranca ekziston në VV, plus komunitetet e zgjedhim Vjosën, ne s’kemi, se s’jemi tu i bë naj nder Ramushit, por nëse dojm më bë naj zgjidhje ja’u kemi ofru një mundësi. E para, nuk i bëjmë numrat veç na me LDK, matematikë është 30 nënshkrime plus.’’, ka deklaruar Haradinaj.

  • Arrestohet vëllai i Mbretit Charles

    Arrestohet vëllai i Mbretit Charles

    Policia ka arrestuar vëllain e Mbretit tw Mbretwrisë së Bashkuar, Andrew Mountbatten-Windsor.

    BBC mëson se Andrew Mountbatten-Windsor është arrestuar nën dyshimin për sjellje të keqe në detyrën publike.

    Andrew, i cili mbushi 66 vjeç sot, u ndalua në Sandringham Estate në Norfolk të enjten, tha Policia e Thames Valley.

    Ai është nën shqyrtim të ri pasi pjesa e fundit e materialeve të publikuara nga të ashtuquajturat dosje Epstein hodhi dritë të mëtejshme mbi marrëdhënien e tij me pedofilin e ndjerë.

    Sir Keir Starmer u bë figura e fundit e profilit të lartë që ushtroi më shumë presion mbi Andrew të enjten, ndërsa iu bashkua thirrjeve që ai të dëshmonte zyrtarisht për lidhjet e tij.

    Duke folur për BBC Breakfast, kryeministri këmbënguli se “askush nuk është mbi ligjin” dhe tha: “Kushdo që ka ndonjë informacion duhet të dëshmojë.

    “Pra, qoftë Andrew apo dikush tjetër, kushdo që ka informacion përkatës duhet të paraqitet para organit përkatës, në këtë rast të veçantë po flasim për Epstein, por ka shumë raste të tjera.”