ATV

Author: ATV

  • Thaçi kërkon rrëzimin e aktakuzës së dytë

    Thaçi kërkon rrëzimin e aktakuzës së dytë

    Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është drejtuar Gjykatës së Apelit në Hagë.
    Kjo për të kërkuar rrëzimin e aktakuzës për pengim të drejtësisë.
    Kërkesa është nisur më 18 gusht nga mbrojtja e Hashim Thaçit.

    Në të i kërkohet Apelit që të anulojë vendimin e gjykatës, dhe të deklarojë se gjykatësi paraprak nuk ishte kompetent për nxjerrjen e kësaj aktakuze.
    Shkalla e parë ia kishte refuzuar kërkesën, pavarësisht se Thaçi ishte ankuar edhe për vështirësitë financiare.

    Tutje mbrojtja e ish-drejtorit politik të UÇK-së, argumenton se Prokuroria Speciale nisi procedurat e rastit 12-të në mënyrë të njëanshme, para vetëm të një gjykatësi.
    Siç theksohet ndër tjera, kjo duke anashkaluar kompetencat ekskluzive që i përkasin Panelit të Gjyqtarëve për mbikëqyrjen e çështjeve të cilat lidhen përkitazi me gjykim të drejtë ndaj Hashim Thaçit.

    Tutje, mbrojtja argumenton se gjyqtarja e caktuar paraprakisht ka ushtruar dy funksione të ndryshme brenda të njëjtit rast, konkretisht, si gjyqtare e fazës hetimore dhe si gjyqtare paraprake, gjë që sipas avokates ligji e ndalon qartë.

    Argumentet kryesore të ekipit të Thaçit janë se çështje të njëjta faktike po trajtohen në dy procese të ndryshme, duke rrezikuar që të ketë vendime kontradiktore dhe të cenohet prezumimi i pafajësisë së Thaçit.

    Në anën tjetër, pikërisht e njëjta gjyqtare, ia kufizoi Thaçit vizitat nga 11 persona, por e refuzoi kërkesën për ndalimin e vizitave me vëllezër.
    Për dallim nga ankesa në Apel për rrëzimin e aktakuzës, Thaçit nuk i është lejuar ankesa për këtë vendim të vizitave.

    Kështu tha zëdhënësja e Speciales, Angel Griep.
    “Më 18 gusht, Gjykatësja e Procedurës Paraprake miratoi dhe rrëzoi pjesërisht një kërkesë të Prokurorisë për ndalimin e vizitave të personave të caktuar për zotin Thaçi në objektin e paraburgimit. Gjykatësja e Procedurës Paraprake miratoi kërkesën lidhur me persona konkretë, duke konstatuar se masa është e domosdoshme duke marrë parasysh se personat në fjalë dalin në audioincizime të bëra nga Prokuroria më 2023 që tregojnë se z. Thaçi u zbuloi në mënyrë të përsëritur informacion konfidencial vizitorëve të tij”, tha ajo.
    “Sidoqoftë Gjykatësja e Procedurës Paraprake e rrëzoi kërkesën në lidhje me tre vëllezërit e z. Thaçi. Ndonëse Gjykatësja e Procedurës Paraprake theksoi se vëllezërit kishin diskutuar për dëshmitarë të mbrojtur, ndër të tjera edhe se si duhej të dëshmonte një dëshmitar dhe rrjedhimisht ka të ngjarë të kenë marrë pjesë në zbulimin e informacionit konfidencial për palë të treta, ajo gjithashtu kujtoi rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënies së ngushtë me familjen dhe pranoi argumentin e Mbrojtjes se tre vëllezërit i japin zotit Thaçi mbështetje morale të vyer. Gjykatësja e Procedurës Paraprake mbajti parasysh se kontakti me familjen është edhe më i rëndësishëm duke qenë se babai i zotit Thaçi u nda nga jeta kohët e fundit”, tha ajo më tutje.

    “Gjykatësja e Procedurës Paraprake theksoi se kufizimet e urdhëruara në vendimin e saj duhet të mbeten në fuqi për aq kohë sa i shërbejnë një synimi legjitim dhe vazhdojnë të jenë të domosdoshme dhe proporcionale dhe informoi se do të rishikojë domosdoshmërinë e këtyre masave në çdo tre muaj. Më 18 gusht, Gjykatësja e Procedurës Paraprake, rrëzoi kërkesën e z. Thaçi për apelimin e vendimit të saj. Gjatë trajtimit të pikave të ngritura në kërkesën e Mbrojtjes, gjykatësja bëri të qartë se kishte vlerësuar si nivelin e rrezikut që paraqiste secili prej vizitorëve ashtu edhe nëse ndalimi i vizitave të këtyre personave ishte i domosdoshëm dhe proporcional, për të zvogëluar rrezikun e zbulimit të paligjshëm të informacionit konfidencial. Ajo arriti në përfundimin se pikat e ngritura nga z. Thaçi nuk ishin të apelueshme dhe se Mbrojtja thjesht shprehte mospajtim me vendimin e saj”, theksoi zëdhënësja Griep.

  • Hoti: BE-ja pezulloi mbi 600 milionë euro projekte për Kosovën, 7.1 milionë janë të humbura përgjithmonë

    Hoti: BE-ja pezulloi mbi 600 milionë euro projekte për Kosovën, 7.1 milionë janë të humbura përgjithmonë

    Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës kanë pasur ndikim të thellë financiar për vendin, me një kosto të përgjithshme që arrin në 613.4 milionë euro për periudhën qershor 2023 – prill 2025.

    Kështu thotë ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, sipas të cilit kjo shifër përfshin projektet që janë pezulluar për një afat të pacaktuar si pjesë e sanksioneve të vendosura nga Brukseli.

    “613.4 mln euro është kostoja totale e masave të BE-së ndaj Kosovës për periudhën qershor 2023 – prill 2025. Këtu përfshihen projektet e pezulluara për afat të pacaktuar”, ka shkruar Hoti.Por sipas tij, nga kjo shumë, 7.1 milionë euro janë fonde të humbura përfundimisht.

    “Nga kjo shumë, 7.1 mln euro janë të humbura plotësisht, të cilat parashiheshin për bujqësi, turizëm rural, ndërmarrje etj. Sektorët më së shumti të ndikuar janë: mjedisi 351 mln euro, energjia 114 mln euro, digjitalizimi 57 mln euro, kultura 15 mln euro etj” /ATVLIVE/

  • Kurti bëri homazhe pranë varrit të Komandantit Kumanova në 27-vjetorin e rënies së tij

    Kurti bëri homazhe pranë varrit të Komandantit Kumanova në 27-vjetorin e rënies së tij

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga deputetë të Kuvendit dhe bashkëpunëtorë të tij, bëri sot homazhe pranë varrit të luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Komandantit Ismet Jashari – Kumanova në 27-vjetorin e rënies së tij heroike.

    Kurti theksoi se përmes kujtimit dhe përkujtimit të dëshmorëve të kombit, ne tregojmë respektin dhe nderimin tonë për gjakun e derdhur për liri, i cili ndodhet në rrënjët e shtetit e të Republikës

    Ai shtori se vetëm me idealet e tyre mund të bëjmë progres për popullin tonë edhe në aspektin e lirisë e të demokracisë, po edhe të zhvillimit ekonomik e të mirëqenies sociale.

  • Durmishi: Pas 54 ditësh punë, nis asfaltimi i urës së re mbi lumin Ibër

    Durmishi: Pas 54 ditësh punë, nis asfaltimi i urës së re mbi lumin Ibër

    Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se sot ka filluar asfaltimi i urës së re mbi lumin Ibër, së bashku me rrugët lidhëse në të dy anët – në jug dhe në veri të lumit.

    Përmes një postimi në Facebook, Durmishi tha se tashmë kanë kaluar 54 ditë që nga fillimi i punimeve dhe projekti po ecën me ritëm të mirë.

    “Vetëm 54 ditë prej kur filluam. Sot po shtrohet asfalti në urë dhe rrugët që e lidhin urën në jug e veri të Ibrit”, shkroi ai, duke publikuar edhe fotografi nga vendi i ngjarjes./ATVLIVE/

  • Izraeli godet një spital në Gaza, 15 të vrarë, përfshirë 4 gazetarë

    Izraeli godet një spital në Gaza, 15 të vrarë, përfshirë 4 gazetarë

    Sulmet izraelite në Spitalin Nasser në Gaza të hënën vranë të paktën 15 persona, përfshirë katër gazetarë, njëri prej të cilëve punonte për Reuters, thanë zyrtarët palestinezë të shëndetësisë.

    Sipas tyre, kameramani Hussam al-Masri, kontraktor i Reuters-it, u vra në sulmin e parë. Fotografit Hatem Khaled, i cili po ashtu ishte kontraktor i Reuters-it, iu shkaktuan plagë në një sulm të dytë.

    Ushtria izraelite dhe Zyra e Kryeministrit nuk dhanë asnjë koment të menjëhershëm lidhur me sulmet. Dëshmitarët thanë se sulmi i dytë ndodhi pasi shpëtimtarë, gazetarë dhe persona të tjerë kishin shkuar në vendin e ngjarjes pas goditjes së parë. Transmetimi i drejtpërdrejtë i Reuters-it nga spitali, i cili operohej nga Masri, u ndërpre papritur në momentin e sulmit fillestar, treguan pamjet e Reuters-it.

    Zyrtarët shëndetësorë në Gaza thanë se tre gazetarët e tjerë të vrarë janë Mariam Abu Dagga, Mohammed Salama dhe Moaz Abu Taha. Një punonjës shpëtimi ishte gjithashtu mes viktimave, shtuan ata.

    Sipas Sindikatës së Gazetarëve Palestinezë, më shumë se 240 gazetarë palestinezë janë vrarë nga zjarri izraelit në Gaza që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023./ATVLIVE/

     

  • Presidentja Osmani u bën thirrje partive që ta vendosin interesin e vendit para

    Presidentja Osmani u bën thirrje partive që ta vendosin interesin e vendit para

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që të arrijnë një marrëveshje dhe t’i themelojnë institucionet.

    Në një intervistë për televizionin polak “TVP World”, ajo tha se partitë politike duhet t’i lënë dallimet anash dhe ta vendosin interesin e vendit para.

    “E shfrytëzoj rastin që t’u bëjë thirrje sërish të gjitha partive politike që ta vendosin interesin e vendit para, e t’i lënë anash dallimet. Të tentojnë të formojnë një koalicion të shumicës parlamentare e cila e dërgon Kosovën para”, tha presidentja Osmani.

    Osmani tha se shkaku i kësaj bllokade politike, po humben projekte të Bashkimit Evropian, po humben dritare të mundësive me administratën e re të SHBA-së, për të cilat është punuar.

    “Shumica e marrëveshjeve duhet të shkojnë në Kuvend për t’u ratifikuar e në Qeveri për zbatim. Njerëzit e Kosovës duhet të kenë një qeveri efikase me fuqi të plotë”.

    Ajo shtoi se Kosova nuk e ka luksin të qëndrojë aq gjatë pa institucione.

    “Do të ketë shumë që thonë Belgjika ka dy vjet pa qeveria, Austria ka 6 muaj. E kuptoj, por ne nuk e kemi luksin me prit aq gjatë. Ne duhet vërtetë të ecim para me reforma, me anëtarësim në organizata”, tha Osmani.

    Ajo ka shtuar se nuk beson se ka ndikim nga jashtë në partitë e mëdha politike në Kosovë, në mënyrën se si reagojnë.

    “Është besim i tyre personal, se me kë duan të punojnë. Është shumë lokale”, tha Osmani

  • Mblidhet KQZ-ja, vazhdon përgatitjet për zgjedhjet lokale – ky është rendi i ditës

    Mblidhet KQZ-ja, vazhdon përgatitjet për zgjedhjet lokale – ky është rendi i ditës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot për të vazhduar me vendimet tjera në kuadër të përgatitjeve të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor.

    Sipas rendit të ditës të dërguar nga KQZ, mbledhja do të mbahet në orën 13:30 dhe pritet shqyrtimi i disa dokumenteve që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor.

    Në mesin e vendimeve që pritet të merren nga KQZ është edhe hapja e Qendrës së Votimit në lagjen ‘Marigona Residence në Graçanicë.

     

    Ky është rendi i ditës:

    Hyrje: z. Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së;

    Aktivitetet e Sekretariatit

    Këshilllat e KQZ

    3.1. Këshilli për Operacione Zgjedhore

    3.1.1. Shqyrtimi dhe miratimi i Programit të trajnimit për trupat menaxhuese të zgjedhjeve dhe stafin zgjedhor

    3.1.2. Shqyrtimi dhe miratimi i Procedurës për VPNV.

    3.1.3. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për personat e evidentuar si të vdekur të largohen nga lista e votuesve

    3.1.4. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për hapjen e Qendrës së Votimit në lagjen “Marigona Residence në Graçanicë”.

    3.1.5. Shqyrtimi dhe miratimi i zëvendësimit të anëtarëve të KKZ-së në Komunën e Vushtrrisë dhe Gllogocit

    3.1.6. Shqyrtimi dhe miratimi i Kurrikules së Trajnimit për Trajner dhe TMZ si dhe Shtojcat

    Të ndryshme.

     

  • Osmani: Rritja e kapaciteteve mbrojtëse, një hap drejt NATO-s

    Osmani: Rritja e kapaciteteve mbrojtëse, një hap drejt NATO-s

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në Forumin Evropian të mbajtur në Austri ditën e djeshme, ku diskutimet u fokusuan tek hapat e Kosovës drejt së ardhmes, zhvillimet gjeopolitike që ndikojnë në vend, si dhe perspektivat e Bashkimit Evropian.

    Osmani theksoi rëndësinë e integrimit të shpejtë të Kosovës në aleancat ndërkombëtare.

    “Është e rëndësishme të ecim përpara shpejt në përparësitë strategjike, e që është anëtarësimi në NATO”, tha Osmani.

    Ajo shtoi se vendi po fuqizon kapacitetet e mbrojtjes, duke përfshirë armatimin dhe trajnimin e ushtarëve.

    “Ne po punojmë shumë në industrinë tonë të mbrojtjes dhe madje kemi edhe njerëz të aftë për këtë. Për vendet që ende kanë sfida sigurie, është shumë e rëndësishme që brezi i ri të edukohet vazhdimisht se si liria nuk është kurrë e garantuar dhe nuk është e dhënë. Demokracia nuk është kurrë e garantuar dhe kurrë e dhënë. Këto janë vlera ndaj të cilave duhet të luftoni”, vijoi ajo.

    Osmani foli gjithashtu për luftën e fundit në Kosovë dhe rolin e aleatëve në parandalimin e gjenocidit në vend.

  • Moti sot, me diell e vranësira

    Moti sot, me diell e vranësira

    Për ditën e sotme, moti parashikohet të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do të lëvizin mes 9 deri 12 gradë Celsius.

    Ndërsa ato maksimale do të jenë mes 24 deri në 27 gradë Celsius.

  • Pas Muratit e Nagavcit, as Dimal Basha nuk arrin të zgjedhet Kryetar i Kuvendit të Kosovës

    Pas Muratit e Nagavcit, as Dimal Basha nuk arrin të zgjedhet Kryetar i Kuvendit të Kosovës

    57 deputetë kanë votuar për deputetin Dimal Basha, në propozimin e tretë të VV-së për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit të Kosovës.
    Në dy tentimet e para, nuk siguruan vota të mjaftueshme as Hekuran Murati dhe as Arbërie Nagavci, për të cilët për votuan vetëm 55 deputetë nga 106 sa ishin të pranishëm në seancën e sotme, të 57-tën me radhë në tentim të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
    Seanca do të vazhdojë sërish, të martën më 26 gusht 2025, nga ora 11.