ATV

Author: ATV

  • Osmani kujton Elfete e Mentor Humollin: Guximi i tyre na frymëzon përjetësisht

    Osmani kujton Elfete e Mentor Humollin: Guximi i tyre na frymëzon përjetësisht

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar Elfete Humollin në përvjetorin e vrasjes së saj, duke e cilësuar si simbol të guximit dhe dashurisë për atdheun.

    “Në moshën vetëm 16 vjeçare, Elfete Humolli u ngrit kundër shtypjes dhe dhunës së regjimit kriminal serb, duke na treguar se guximi dhe dashuria për atdheun nuk kanë çmim. Në përvjetorin e vrasjes së saj, vizituam familjen Humolli në Lupç të Poshtëm, vendosëm kurorë lulesh dhe nderuam kujtimin e vëllait, Mentorit, i cili ra dëshmor në Koshare në mars 1999. Motra dhe vëllai u bashkuan në të njëjtën kauzë të shenjtë për lirinë e vendit. Kosova, sot është e lirë, ndërsa guximi i Elfetës dhe Mentorit na frymëzojnë përjetësisht!”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.

  • Vdes një i burgosur në Burgun e Sigurisë së Lartë, u gjet i varur

    Vdes një i burgosur në Burgun e Sigurisë së Lartë, u gjet i varur

    Një i burgosur i dënuar për dy raste dhunimi është gjetur i vdekur në Burgun e Sigurisë së Lartë.

    Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Departamentit Shëndetësor të Burgjeve, E.G. është gjetur i varur në dhomën e tij.

    I burgosuri ishte pranuar më 15 gusht 2024, ndërsa lirimi i tij ishte parashikuar për 1 mars 2048.

    Rasti është njoftuar te Policia dhe prokurori kompetent, ndërsa hetimet dhe procedurat administrative për sqarimin e plotë të rrethanave janë duke u zhvilluar.

    “Menjëherë ka reaguar stafi korrektues, ekipi mjekësor i institucionit si dhe emergjenca e qytetit. Pavarësisht përpjekjeve për ofrimin e ndihmës mjekësore, i burgosuri nuk ka arritur të rikthehet në jetë. I ndjeri ishte i dënuar për dy vepra penale të dhunimit. Ai ishte pranuar në institucion më 15.08.2024, ndërsa lirimi i tij ishte paraparë më 01.03.2048”, thuhet në njoftim.

  • Vdes një grua në QKUK, Policia po e trajton rastin si shtytje në vetëvrasje

    Vdes një grua në QKUK, Policia po e trajton rastin si shtytje në vetëvrasje

    Policia ka nisur hetimet lidhur me një rast ku një femër kosovare ndërroi jetë gjatë trajtimit në QKUK. Ngjarja është regjistruar si shtytje në vetëvrasje dhe ndihmë në vetëvrasje.

    Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) është bërë e ditur se një femër kosovare, e cila po trajtohej në institucionin shëndetësor, pësoi keqësim të gjendjes dhe ndërroi jetë.

    Rasti është regjistruar nga autoritetet si shtytje në vetëvrasje dhe ndihmë në vetëvrasje. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

    Hetimet për rrethanat e ngjarjes janë duke vazhduar, raporton RTK.

  • Skandali “Epstein”: Jep dorëheqjen Miroslav Lajçak, publikohen mesazhet tronditëse për “vashat ruse” dhe takimet në SHBA

    Skandali “Epstein”: Jep dorëheqjen Miroslav Lajçak, publikohen mesazhet tronditëse për “vashat ruse” dhe takimet në SHBA

    Ish-emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është larguar nga pozita e këshilltarit të Kryeministrit sllovak, Robert Fico. Dorëheqja vjen pas publikimit të mbi 3 milionë dokumenteve të Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, ku zbardhet komunikimi i tij me të dënuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein.

    Oferta për gra dhe motrat e tyre: “Nuk e dinë si jam në aksion”

    Dokumentet gjyqësore të publikuara të premten në SHBA shpërfaqin një marrëdhënie jashtëzakonisht të afërt mes Lajçakut dhe Epstein. Sipas mesazheve të vitit 2018 të publikuara nga gazeta Dnevnik N, komunikimi mes tyre kalonte përtej diplomacisë.
    Në një prej shkëmbimeve, Epstein i ofronte Lajçakut gra, duke ironizuar se ato mund të ishin shumë të reja për të (nën moshën 30-vjeçare). Përgjigjja e Lajçakut, sipas dosjes, ishte: “Mos u bë i keq. Nuk e dinë si jam në aksion.”

    Bisedat e tjera përfshijnë komente për vajza në Kiev dhe Moskë. Për një foto nga Rusia, Epstein shkruante se ato janë “eksporti më i mirë rus”, ndërsa Lajçaku i përgjigjej me shaka: “Pas naftës”, shkruan Dnevnik N.

    Emri i Lajçakut përmendet qindra herë

    Përkundër mohimeve të Lajçakut, dokumentet e Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së tregojnë se kontakti nuk ishte sporadik. Ai identifikohet me emrin e afërt “Miro”, ndërsa bisedat datojnë kryesisht nga koha kur ai shërbente si President i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York. Dosja përmban të dhëna për:

    Takime dhe dërgesa të përbashkëta.

    Vizita të mundshme në rezidencën e Epstein në Florida, vendi ku u abuzuan vajza të mitura.

    Mbi 180 mijë fotografi dhe 2 mijë regjistrime video që janë pjesë e grupit të ri të dokumenteve.

    Fico pranon dorëheqjen, sulmon opozitën

    Kryeministri sllovak, Robert Fico, njoftoi se e ka pranuar ofertën e Lajçakut për të ndërprerë bashkëpunimin, ndonëse e cilësoi atë si një “humbje të një burimi të jashtëzakonshëm përvoje”. Në një deklaratë të transmetuar nga Dnevnik N, Fico sulmoi kundërshtarët politikë:

    “Miro e ka dëshmuar veten si një diplomat i shkëlqyer… Është e çuditshme që media dhe opozita nuk shënjestrojnë liderin e opozitës Simecek, i cili paraqet rrezik më të madh se Lajçaku,” deklaroi Fico.

    Mohimi i Lajçakut

    Miroslav Lajçak ka mohuar kategorikisht interpretimet e mesazheve, duke thënë se kurrë nuk ka komunikuar me Epstein për gra. Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka specifikuar se publikimi i këtyre dokumenteve (shumë prej të cilave raporte të paverifikuara) nuk do të thotë domosdoshmërisht konfirmim i vërtetësisë së çdo pretendimi.

    Jeffrey Epstein vdiq në burg në vitin 2019, ndërsa priste gjykimin për trafikim seksual. Vdekja e tij u cilësua si vetëvrasje.

  • Policia apelon për kujdes në trafik për shkak të motit

    Policia apelon për kujdes në trafik për shkak të motit

    Policia e Kosovës ka lëshuar një apel për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, duke kërkuar kujdes të shtuar gjatë ngasjes, për shkak të ndryshimeve të kushteve atmosferike dhe reshjeve të shiut që po shkakton vështirësi në qarkullimin rrugor.

    Sipas Policisë, reshjet e shiut mund të rrisin rrezikun e aksidenteve.

    Shoferëve u është rekomanduar të mbajnë distancën e sigurisë mes mjeteve, të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe të ngadalësojnë lëvizjen në rrugë të lagështa nga reshjet, ku mund të ketë rrëshqitje.

    “Siguria e shoferëve dhe e pjesëmarrësve të tjerë në trafik është prioritet. Kujdesi i shtuar në këto kushte ndihmon në shmangien e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës,” thuhet në thirrjen e policisë.

  • 43 kryesues të QNR-ve në Mitrovicë do të intervistohen pas dyshimeve për manipulim me vota

    43 kryesues të QNR-ve në Mitrovicë do të intervistohen pas dyshimeve për manipulim me vota

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka urdhëruar Hetimet Rajonale që të intervistohen 43 kryesues të Qendrave Komunale të Numërimit të Komunave Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

    Kjo për shkak të dyshimeve për manipulim të numërimit me vota në zgjedhjet e 28 dhjetorit nëpër këto komuna.

    Rinumërimi i plotë i votave ka zbuluar manipulime të mijëra votave të kandidatëve për deputetë dhe ka vënë prapa grilave të paraburgimit dhjetëra zyrtarë. Hetimet janë zgjeruar në disa komuna, por ato ende nuk kanë prekur kandidatët për deputetë. Prokurorja Laura Pula ka paralajmëruar se edhe ata mund të jenë objekt hetimi.

    Provat e siguruara deri më tani kanë treguar se për manipulimin e rezultatit zgjedhor, përveç ryshfetit, është përdorur edhe kanosja.

  • Rruga më e gjatë për ecje në botë: nga Afrika e Jugut në Rusi

    Rruga më e gjatë për ecje në botë: nga Afrika e Jugut në Rusi

    Rruga më e gjatë në botë për të ecur, është nga Cape Town (Afrika e Jugut) në Magadan (Rusi).

    Nuk ka nevojë për avionë apo varka, ka ura. Është 22,387 kilometra (13911 milje) dhe duhen 4,492 orë për të udhëtuar.
    Do të ishin 187 ditë ecje pa ndalesë, ose 561 ditë ecje 8 orë në ditë.
    Përgjatë rrugës, ju kaloni nëpër 17 vende, gjashtë zona kohore dhe të gjitha stinët e vitit.

  • Rutte: NATO-ja pret nga Beogradi përcaktimin e përgjegjësinë për sulmin në Banjskë

    Rutte: NATO-ja pret nga Beogradi përcaktimin e përgjegjësinë për sulmin në Banjskë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se aleanca pret përgjegjësi nga Serbia për ngjarjet në Kosovë, duke përfshirë sulmin në Banjskë dhe gjithashtu edhe sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it në maj të 2023-ës.

    Rutte gjatë një adresimi në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ka thënë po ashtu se për të dyja këto ngjarje, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka premtuar përcaktimin e plotë të përgjegjësisë.

    “Kam një marrëdhënie personale me presidentin (e Serbisë) Aleksandar Vuçiq. E njohim njëri-tjetrin prej shumë vitesh. Por, natyrisht presim nga ai që të përcaktojë përgjegjësinë për atë që ndodhi disa vite më parë, dhe kjo për dy çështje. Për të dyja ka premtuar përcaktimin e plotë të përgjegjësisë”, tha Rutte.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë këtij adresimi, rikonfirmoi edhe mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi.
    Rutte po ashtu theksoi se NATO-ja është e përkushtuar ndaj situatës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se aleanca ushtarake perëndimore nuk do të lejojë krijimin e një vakumi të sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë.

    Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë të rritura viteve të fundit dhe incidenti më i rëndë u regjistrua shtatorin e vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit, kur një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Në këmbimet e zjarrit që pasuan u vranë tre sulmues serb.

    Politikani nga Kosova dhe biznesmeni Millan Radoiçiq e mori përgjegjësinë për sulmin, dhe prej atëherë ai ndodhet në Serbi, ku nuk është ndjekur penalisht deri më sot.

    Këtij incidenti të armatosur i paraprinë protesta në veri të Kosovës të mbajtura në maj të po atij viti. Më shumë se 90 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë në Zveçan.

    Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët lokalë.

    Për ngjarjet në Zveçan, janë arrestuar dhe akuzuar dhjetëra persona, dhe disa janë dënuar me burgim pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranimin e fajësisë. NATO-ja ka kërkuar që përgjegjësit për të dyja rastet të përballen me drejtësinë. /REL

  • Haradinaj kërkon rinumërim të plotë të votave: Demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh

    Haradinaj kërkon rinumërim të plotë të votave: Demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar një rinumërim të plotë të votave pas gjetjeve të skemave të mundshme të manipulimit.

    Në një postim në rrjetet sociale, Haradinaj thekson se rinumërimi i pjesshëm po tregon manipulime të përmasave shqetësuese, duke shtuar se pa një rinumërim të tërësishëm nuk mund të garantohet integriteti i zgjedhjeve.

    “Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pas këtyre gjetjeve, vota duhet të rinumërohet një për një. Pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve,” shkruan ai.

    Haradinaj apelon gjithashtu tek mekanizmat e drejtësisë dhe institucionet e vendit që të veprojnë për të mbrojtur votën e qytetarit dhe për të rikthyer integritetin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

    “E habitshme qysh Prokuroria nuk është vënë në lëvizje qysh sot. Demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh”, ka shkruar Haradinaj.

    Ai paralajmëron se çdo drejtim tjetër mund të ketë pasoja të pariparueshme.

  • Bajrami kërkon rinumërim të votave në gjithë Kosovën dhe veprim të menjëhershëm të drejtësisë

    Bajrami kërkon rinumërim të votave në gjithë Kosovën dhe veprim të menjëhershëm të drejtësisë

    Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar rinumërimin e votave në të gjithë Kosovën, duke apeluar për reagim të shpejtë dhe efikas nga institucionet e drejtësisë lidhur me dyshimet për manipulim të procesit zgjedhor.

    Në një reagim publik, Bajrami thekson se çdo person që ka ndërhyrë apo prekur votën e qytetarëve duhet të mbajë përgjegjësi ligjore dhe morale.

    “Kushdo që ka prekur votën duhet të japë përgjegjësi para ligjit dhe para qytetarëve,” ka deklaruar Bajrami.

    Ajo ka theksuar se mbrojtja e votës është thelbësore për funksionimin e demokracisë dhe për ruajtjen e besimit të qytetarëve në proceset zgjedhore.