ATV

Author: Samir Dalipi

  • Tension në stadiumin e Beogradit: Mesazhe për Kosovën nga tifozët serbë

    Tension në stadiumin e Beogradit: Mesazhe për Kosovën nga tifozët serbë

    Mbrëmja e së mërkurës solli emocione të shumta në kuadër të ndeshjeve të Ligës së Evropës.

    Një nga përballjet që tërhoqi vëmendje ishte ajo mes ekipit serb Crvena Zvezda dhe atij skoces Celtic, e cila u zhvillua në Beograd.

    Megjithatë, vëmendjen nuk e mori vetëm loja në fushë. Në pjesën e dytë të ndeshjes, tifozët ultras të ekipit serb, shfaqën një koreografi provokuese.

    Pikërisht në dy vjetorit e rënies së heroit Afrim Bunjaku në Banjskë edhe koreografia e tyre ishte kushtuar Stefan Nedelkoviq, i cili u vra gjatë incidentit të armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023. Sipas burimeve mediatike serbe, ai ka qenë pjesë e këtij grupi tifozësh.

    Përveç koreografisë, nga tribuna u dëgjua edhe kënga nacionaliste “Oj, Kosovo, Kosovo…”, duke nxitur reagime të shumta.

    Megjithatë, ndeshja mes tyre përfundoi në barazim 1-1. /ATVLIVE.TV

  • Prizreni – Qyteti më i vjetër i Kosovës, kryeqyteti i kulturës dhe historisë

    Prizreni – Qyteti më i vjetër i Kosovës, kryeqyteti i kulturës dhe historisë

    Prizreni, i njohur si “kryeqyteti i dytë i Kosovës”, konsiderohet qyteti më i vjetër në vend. I shtrirë buzë lumit Bistrica dhe nën hijen e Sharrit, ai është një ndërthurje e rrallë e historisë, kulturës dhe bukurive natyrore. Dokumentet historike tregojnë se kjo trevë ka qenë e banuar që nga antikiteti, ndërsa në mesjetë u shndërrua në një prej qendrave më të rëndësishme tregtare e kulturore të Ballkanit.

    Një udhëtim në kohë

    Prizreni përmendet për herë të parë në shekullin e 2-të nga Ptolemeu, me emrin Theranda, ndërsa më vonë njihet si një qytet i rëndësishëm bizantin dhe më pas osman. Gjurmët e historisë së tij ruhen deri më sot në monumentet madhështore që ngrihen mbi qytet – Kalaja e Prizrenit, e ndërtuar që nga periudha ilire dhe e përdorur nëpër shekuj nga bizantinët, serbët dhe osmanët. Nga aty, vizitorët shijojnë pamjen më të bukur të qytetit, sidomos në mbrëmje kur dritat e urave dhe minareve reflektojnë mbi Bistricë.

    Qyteti i urave dhe i kulturave

    Prizreni njihet për bashkëjetesën e feve dhe kulturave të ndryshme. Xhamia e Sinan Pashës (1615), një nga më të mëdhatë në Kosovë, qëndron përballë Kishës së Shën Shpëtimtarit (shek. XIV) dhe Manastirit të Shën Arqangelit, dëshmi e mozaikut kulturor që e ka karakterizuar gjithmonë qytetin.

    Një simbol i veçantë është Ura e gurit, e cila lidh dy brigjet e Bistricës dhe është shndërruar në ikonë të qytetit. Rrugicat me kalldrëm, shtëpitë e vjetra tradicionale dhe kafet tradicionale e bëjnë Prizrenin një destinacion unik për vizitorët.

    Kryeqyteti i artit dhe i festivalit

    Përveç historisë, Prizreni është edhe qendra kulturore e Kosovës. Çdo verë, qyteti kthehet në skenë ndërkombëtare me festivalin e filmit “DokuFest”, i cili mbledh artistë, regjisorë dhe vizitorë nga e gjithë bota. Atmosfera e gjallë, muzika dhe kinemaja në sheshet dhe kinematë e hapura e shndërrojnë qytetin në një arenë të vërtetë artistike.

    Shija e traditës

    Vizita në Prizren nuk mund të përfundojë pa provuar gatimet tradicionale. Flija, mantitë e njohura prizrenase, qebapët dhe ëmbëlsirat e ndryshme e bëjnë qytetin edhe një kryeqytet gastronomik.

    Një thesar i gjallë i Kosovës

    Prizreni mbetet një ndër qytetet më të dashura për vizitorët vendas dhe të huaj. Ai nuk është thjesht një qytet i vjetër – është një thesar i gjallë, ku çdo gur i kalldrëmit, çdo urë dhe çdo monument bart një histori shekujsh.

    Prandaj, jo rastësisht Prizreni shpesh quhet edhe “Zemra e Kosovës”, aty ku historia, kultura dhe mikpritja bashkohen në një përvojë unike.

  • Çfarë i ndodh trupit kur heqim dorë nga sheqeri për një muaj?

    Çfarë i ndodh trupit kur heqim dorë nga sheqeri për një muaj?

    Çfarë ndodh me trupin tuaj nëse hiqni dorë nga sheqeri për 30 ditë?

    Sheqeri gjendet pothuajse kudo – jo vetëm në ëmbëlsira, por edhe në shumë produkte të përpunuara. Konsumimi i tepruar i tij lidhet me obezitetin, inflamacionin dhe rrezikun e shtuar për diabet të tipit 2. Ekspertët thonë se vetëm pas katër javësh pa sheqer, trupi fillon të tregojë ndryshime të dukshme pozitive.

    Java e parë – Pastrimi i trupit

    Trupi hyn në një fazë detoksifikimi, niveli i sheqerit në gjak stabilizohet dhe sulmet e urisë bëhen më të rralla. Edhe pse dëshira për ëmbëlsira është e fortë, uji, gjumi dhe ushqimi i ekuilibruar ndihmojnë procesin e përshtatjes.

    Java e dytë – Më shumë energji, më pak fryrje

    Energjia bëhet më e qëndrueshme, tretja përmirësohet dhe fryrja zvogëlohet. Nivelet e hormoneve të stresit stabilizohen, duke ndikuar pozitivisht në humor dhe gjumë.

    Java e tretë – Ndryshime të dukshme

    Proceset inflamatore në trup zvogëlohen, mëlçia rikuperohet dhe presioni i gjakut stabilizohet. Lëkura bëhet më e pastër dhe mendja më e qartë, ndërsa shumë persona vërejnë bark më të sheshtë.

    Java e katërt – Imunitet më i fortë

    Sistemi imunitar forcohet, ndjeshmëria ndaj insulinës përmirësohet dhe zemra përfiton nga nivele më të mira kolesteroli. Shijet ndryshojnë – frutat duken më të ëmbla dhe dëshira për ëmbëlsira industriale zhduket pothuajse krejtësisht.

    Sheqeri i mirë dhe i keq

    Ekspertët theksojnë se nuk duhet të eliminohen burimet natyrale të ëmbëlsisë, si frutat, perimet dhe produktet e qumështit, të cilat mbeten të nevojshme për organizmin.

    Përfundimi: Heqja dorë nga sheqeri për 30 ditë është një sfidë, por edhe një mundësi e madhe për të përmirësuar metabolizmin, gjumin, imunitetin dhe shëndetin e përgjithshëm. Rezultatet janë të dukshme dhe ia vlejnë çdo ditë.

  • Si zanati tradicional i qëndisjes me grep në Poloni u bë pjesë e markave luksoze?

    Si zanati tradicional i qëndisjes me grep në Poloni u bë pjesë e markave luksoze?

    Dantella e Koniakow-it, një mjeshtëri e trashëguar brez pas brezi në Poloni, është sot një nga elementët më të veçantë që kanë hyrë në botën e modës së lartë. Ky art tradicional i qëndisjes me grep, i praktikuar në fshatin Koniakow në jugperëndim të vendit, është përfshirë edhe në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Jomateriale të UNESCO-s.

    Pothuajse çdo grua në këtë fshat di të qëndisë dantellë – aftësi që mësohet që në fëmijëri. Njëra prej mjeshtreve, Wieslawa Juroszek, kujton se punoi copën e saj të parë vetëm 6 vjeçe, ndërsa sot rreth 700 gra janë të angazhuara në këtë traditë.

    Ajo që e bën unike dantellën e Koniakow-it është fakti se nuk përdoren shabllone: çdo dizajn lind nga imagjinata dhe përvoja e artizaneve. Nga tavolinat dhe altarët ku përdorej dikur, sot kjo dantellë zbukuron pasarelat më prestigjioze.

    Marka të mëdha si Dior, Dolce & Gabbana dhe stilistja polake Magda Butrym e kanë përfshirë në koleksionet e tyre, ndërsa në vitin 2018, në Javën e Modës në Paris, Rei Kawakubo e përdori në një xhaketë nusërie. Kjo traditë ka arritur deri në kopertinën e Vogue, duke e shndërruar në një fenomen ndërkombëtar.

    Një moment i veçantë për këtë zanat është festivali veror “Ditët e Dantellës së Koniakow-it”, ku mbahen punëtori, demonstrime dhe takime me mjeshtret e zonës.

    Sot, brezat e rinj po i japin një frymë moderne kësaj trashëgimie duke dokumentuar teknikat online dhe duke e kthyer dantellën e Koniakow-it në një markë botërore të modës luksoze.

  • Simon Cowell bëhet viral pas intervistës së tij në The Jennifer Hudson Show

    Simon Cowell bëhet viral pas intervistës së tij në The Jennifer Hudson Show

    Simon Cowell, i njohur për stilin e tij kritik dhe të ashpër në American Idol, ka bërë bujë në rrjetet sociale pas një momenti të papritur në The Jennifer Hudson Show.

    65-vjeçari kaloi nëpër “Spirit Tunnel” – një korridor ku ekipi i emisionit këndonte sipas melodisë së The Greatest Showman. Gjatë kalimit, Cowell duartrokiti dhe buzëqeshi në mënyrë të pazakontë, gjë që menjëherë ndezi reagime online.

    Disa fansa e ironizuan, duke pyetur nëse ishte hera e parë që ai duartroket dhe pse nuk arrinte të mbante ritmin, ndërsa të tjerë e mbrojtën, duke kujtuar aksidentin e tij me e-bike në vitin 2020, që kërkoi një operacion gjashtë-orësh në shpinë.

    Edhe pse momenti i tij dukej i ngathët, ai tregoi një anë më të relaksuar dhe njerëzore të Cowell, duke ndarë publikun mes humorit dhe mirëkuptimit.

  • Derbi i Suharekës dhe Derbi i Kryeqytetit – Superliga sot me përballje interesante

    Derbi i Suharekës dhe Derbi i Kryeqytetit – Superliga sot me përballje interesante

    Java e gjashtë e Superligës luhet në mesjavë dhe sjell disa përballje mjaft interesante për tifozët e futbollit vendor.

    Ndeshja kryesore e kësaj xhiroje padyshim është ajo ndërmjet Ballkanit dhe Dritës, e cila luhet në Suharekë nga ora 15:00.

    Përballje interesante priten edhe në Klinë, ku Dukagjini pret Llapin, si dhe në Gjilan, ku skuadra vendase përballet me Drenicën.

    Në të njëjtën orë zhvillohet edhe ndeshja mes Malishevës dhe Ferizaji.

    Ndërkohë, takimi i vetëm që luhet në mbrëmje, nga ora 20:15, është derbi i kryeqytetit ndërmjet Prishtinës dhe Prishtinës së Re – një duel historik pasi dy ekipet përballen për herë të parë në Superligë. /ATVLIVE.TV

  • Rihanna sjell në jetë fëmijën e tretë

    Rihanna sjell në jetë fëmijën e tretë

    Ylli i muzikës amerikane, Rihanna, dhe partneri i saj ASAP Rocky, kanë ndarë lajmin e gëzueshëm: ata janë bërë prindër për herë të tretë, këtë herë me një vajzë.

    Këngëtarja publikoi në rrjetet sociale një foto të saj duke mbajtur në krahë të porsalindurën, e cila mban emrin Rocki Irish Mayers dhe ka lindur më 13 shtator 2025.

    Rihanna kishte shprehur më herët dëshirën për të pasur një vajzë, pas lindjes së dy djemve RZA, tre vjeç, dhe Riot Rose, dy vjeç. Ajo tregoi se reagimi i tyre për motrën e vogël ishte plot gëzim dhe entuziazëm.

    Emri i vajzës fillon me shkronjën R, duke vazhduar traditën familjare që tashmë ka fituar zemrat e fansave në mbarë botën.

  • A ekziston vërtet një ‘epidemi’ e autizmit?

    A ekziston vërtet një ‘epidemi’ e autizmit?

    Autizmi, ose Çrregullimi i Spektrit të Autizmit (ASD), është sot më i njohur dhe diagnostikohet më shpejt se kurrë më parë. Kjo ka çuar shpesh në keqkuptimin se rastet janë rritur ndjeshëm, kur në fakt bëhet fjalë kryesisht për rritje të vetëdijes dhe përmirësim të kritereve diagnostike.

    Historia e një nëne

    Kur djali i saj Leo u diagnostikua me autizëm në vitin 2003, Shannon Des Roches Rosa përjetoi ndjenja të përziera. Nga njëra anë, ajo u ndje me fat që djali i saj i përkiste një grupi për të cilin ekzistonin kritere të qarta diagnostikuese. Nga ana tjetër, ajo mbeti e humbur dhe e paudhëzuar për hapat që duhej të ndiqte më tej.

    Si fëmijë i vogël, Leo rrallë bënte kontakt me sy, nuk i përgjigjej të folurit si moshatarët, tregonte sjellje kompulsive si tundja e duarve dhe përtypja e rrobave. Shpesh stresohej dhe mbingarkohej. Për këtë arsye, diagnoza e tij në moshën dyvjeçare ishte relativisht e lehtë.

    Në mungesë të informacionit, Rosa iu drejtua internetit, ku gjeti shumë prindër që kërkonin përgjigje. Disa besonin se shkak i autizmit ishin vaksinat – një mit i rrëzuar nga qindra studime shkencore. E ndikuar nga pasiguria, edhe ajo vendosi përkohësisht të mos i vaksinonte fëmijët e tjerë, vendim që më vonë e kuptoi si gabim. Sot, ajo drejton platformën Thinking Person’s Guide to Autism, për të ndihmuar prindër të tjerë të mos bien pre e dezinformatave.

    Çfarë është autizmi?

    Autizmi është një çrregullim neurozhvillimor që ndikon në mënyrën e të menduarit, përpunimit të ndjesive, komunikimit dhe ndërveprimit social. Ai shfaqet ndryshe tek çdo individ – shpesh vajzat shfaqin simptoma të ndryshme nga djemtë.

    Në nivel global, prevalenca llogaritet mes 1%-3%. Në SHBA, për shembull, diagnozat u rritën nga 1 në 150 fëmijë në vitet 2000, në 1 në 31 fëmijë në vitin 2022. Rritje të ngjashme janë vërejtur edhe në vende si Australia e Tajvani. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ka më shumë fëmijë autikë – por që sot ata identifikohen dhe diagnostikohen më herët.

    Evolucioni i diagnozës

    Autizmi u përfshi për herë të parë në manualin DSM në vitin 1980 me kritere shumë të ngushta. Sot, këto kritere janë zgjeruar, duke përfshirë më shumë forma të autizmit. Që prej vitit 2013, diagnoza të tilla si Sindroma e Aspergerit janë bashkuar nën termin e vetëm “ASD”.

    Faktorë si raca, vendbanimi dhe qasja në shërbime shëndetësore luajnë gjithashtu rol të madh. Për shembull, në prill 2025, më pak se 1% e 8-vjeçarëve në Teksas u diagnostikuan me autizëm, ndërsa në Kaliforni mbi 5%.

    Gjenetika dhe faktorët mjedisorë

    Studimet tregojnë se autizmi është rreth 80% i trashëgueshëm. Nëse një fëmijë ka një vëlla ose motër me autizëm, rreziku që edhe ai të jetë në spektrin autik është dhjetë herë më i lartë. Studimet me binjakë identikë tregojnë për përqindje deri në 90% të përbashkët.

    Megjithatë, nuk ekziston një gjen i vetëm që shkakton autizmin. Janë identifikuar mbi 100 gjene, dhe mund të jenë mijëra të tjera që kontribuojnë në mënyra të ndryshme. Përveç gjenetikës, edhe disa faktorë mjedisorë po studiohen, si:

    • mosha e avancuar e prindërve,

    • lindjet e parakohshme,

    • ndotja e ajrit dhe pesticidet,

    • sëmundjet e nënës gjatë shtatzënisë.

    Një gjë është e qartë: vaksinat nuk shkaktojnë autizëm. Këtë e kanë vërtetuar qindra studime ndërkombëtare të besueshme.

    Përfundim: Autizmi nuk është krizë, por mungesa e mbështetjes

    Ekspertët theksojnë se autistët gjithmonë kanë ekzistuar – ajo që ka ndryshuar është aftësia për t’i diagnostikuar dhe për t’u ofruar mbështetje.

    Zoe Gross nga Rrjeti i Vetë-Avokimit Autist thekson se frika e njerëzve shpesh nuk lidhet me autizmin, por me mungesën e mbështetjes pas diagnozës.

    Shannon Des Roches Rosa, e cila dikur ndihej e humbur, sot është një avokate e fuqishme për të drejtat e autistëve. Djali i saj Leo, tashmë 24 vjeç, gjen lumturi në ecjet në natyrë dhe picën – ndërsa ajo vazhdon të kërkojë mënyra më të mira për ta mbështetur.

  • KB Bashkimi debuton me fitore të madhe në arenën evropiane

    KB Bashkimi debuton me fitore të madhe në arenën evropiane

    KB Bashkimi ka shënuar një fitore të rëndësishme në debutimin e saj në arenën evropiane. Para një publiku të zjarrtë në palestrën “Sezai Surroi”, Bashkimi triumfoi ndaj gjigantit polak të basketbollit, Anwil Włocławek, me rezultat 80:75.

    Ekipi prizrenas dominoi pjesën më të madhe të takimit, duke përfunduar pjesën e parë me një epërsi të ngushtë 39:37. Çereku i parë u mbyll në favor të vendasve me rezultatin 24:16, ndërsa në çerekun e dytë, Anwil reagoi dhe e fitoi atë periudhë 21:15, duke e ngushtuar diferencën në vetëm dy pikë.

    Megjithatë, portokall e zinjtë arritën ta ruajnë avantazhin deri në fund të ndeshjes dhe të sigurojë një fitore të madhe përballë tifozëve të tyre besnikë.

    Kjo ishte ndeshja e parë kualifikuese për fazën grupore të FIBA Europe Cup, ndërsa takimi i kthimit do të zhvillohet më 1 tetor në Poloni. Fituesi nga këto dy ndeshje do të kualifikohet në fazën grupore të garës.

    Në këtë edicion të FIBA Europe Cup merr pjesë edhe Trepça, kampionia e Kosovës, e cila u eliminua në çerekfinale të raundit kualifikues të Ligës së Kampionëve nga skuadra holandeze Den Bosch.

    Në rast se Bashkimi siguron kualifikimin, ai do të garojë në Grupin F së bashku me Trepçën, skuadrën gjermane Braunschweig dhe ekipin grek PAOK. /ATVLIVE.TV

  • Mevlan Zeka suspendohet me dy ndeshje

    Mevlan Zeka suspendohet me dy ndeshje

    Federata e Futbollit e Kosovës, përkatësisht Komisioni Disiplinor dhe Etikës, ka marrë vendim për klubin e futbollit Malisheva dhe lojtarin e saj, Mevlan Zeka.

    Për goditje të lojtarit kundërshtar, Zeka është dënuar me dy ndeshje moslojë, derisa Malishevës ia ka shqiptar masën e qortimit për dështim të organizimit të ndeshjes ndaj Prishtinës në fundjavë.

    Me dy ndeshje janë suspenduar edhe dy zyrtarët e Malishevës, Kastriot Kafexholli dhe Pajtim Morina. Të dy kishin ofenduar gjyqtarët e ndeshjes Malisheva – Prishtina.