ATV

Author: Samir Dalipi

  • Ujë me limon, gabimi të cilin të gjithë e bëjnë

    Ujë me limon, gabimi të cilin të gjithë e bëjnë

    A pini edhe ju në mëngjes ujë me limon? Shikoni a bëni gabimin vijues…

    Zgjoheni, shtrydhi limonin, shtoni një gotë ujë të ngrohtë apo të ftohtë dhe e pini. Ku është gabimi këtu?

    Nuk e keni përdorur lëvoren e limonit!

    Receta e vërtetë thotë që, pos lëngut të limonit, duhet të përdorni edhe lëvoren e limonit, të cilën do ta bluani në blender.

    Pra, tani e dini si duhet të veproni: bluani korën e limonit, një pjesë të vogël, që të përftoni një apo dy lugë të vogla, pastaj shtrydhni limonin, shtoni ujë dhe doza juaj e vitaminave të mëngjesit është gati!

    Kjo është një pije mjaft e mirë për organizmin dhe duhet të praktikohet çdo ditë nga ju. Ky lloj lëngu do t’ju ndihmojë të forconi imunitetin dhe metabolizmin.

    Ai gjithashtu ndihmon në pastrimin e organizmit dhe në zvogëlimin e ndjenjës së urisë. E gjitha kjo pasi pija është e pasur me vitaminë C, mjaft e domosdoshme për forcimin e organizmit dhe luftën ndaj ftohjes.

    Uji me lëngun e limonit ndihmon në procesin sa më të mirë të tretjes së ushqimit dhe ju ndihmon sidomos kur keni fryrje të stomakut. Mbi të gjitha kjo pije ju ndihmon dhe në freskimin e aromës së gojës.

  • Pse papagajtë lëkundin trupin: Kur është gëzim dhe kur sinjalizojnë problem

    Pse papagajtë lëkundin trupin: Kur është gëzim dhe kur sinjalizojnë problem

    Ekspertët shpjegojnë si të dalloni vallëzimin nga shenjat e stresit dhe çfarë ju tregon gjuha e trupit të zogut tuaj

    Papagajtë janë ndër zogjtë më shprehës kur bëhet fjalë për gjuhën e trupit. Lëvizjet e tyre, pozicioni i krahëve, animi i kokës apo mënyra si e mbajnë trupin mund të tregojnë shumë për gjendjen dhe humorin e tyre. Një nga sjelljet që shpesh i huton pronarët është lëkundja e trupit përpara–prapa ose nga njëra anë në tjetrën. Kjo sjellje, e njohur ndonjëherë si “wackering”, mund të ketë kuptime të ndryshme, varësisht nga situata.

    Te shumë papagaj, lëkundja e trupit lidhet me gëzimin ose emocionin. Disa zogj fillojnë të lëvizin në mënyrë ritmike kur dëgjojnë muzikë, kur u drejtoheni apo kur presin ushqim. Në këto raste, lëvizja i ngjan një vallëzimi, pasi papagaji njëkohësisht lëviz kokën, ngre krahët ose bën hapa të vegjël mbi shufër. Kjo sjellje është veçanërisht e zakonshme te llojet inteligjente dhe shoqërore që pëlqejnë ndërveprimin me njerëzit.

    Megjithatë, lëkundja e trupit nuk ka gjithmonë të njëjtin kuptim. Papagajt përdorin lëvizjet edhe si formë komunikimi. Nëse zogu lëviz ngadalë përpara–prapa ndërsa vëzhgon ambientin, kjo mund të jetë shenjë kujdesi ose përpjekje për të vlerësuar situatën. Në natyrë, papagajtë vëzhgojnë vazhdimisht për rreziqe të mundshme, ndaj kanë zhvilluar lëvizje të holla për të mbledhur më shumë informacion nga rrethina.

    Në disa raste, kjo sjellje mund të jetë edhe shenjë shqetësimi ose paralajmërimi. Nëse shoqërohet me pupla të ngritura, qëndrim të ngurtë apo zëra të fortë, papagaji mund të ndihet i kërcënuar ose i shqetësuar. Në këtë rast, lëkundja është pjesë e sinjaleve që përdor për të krijuar distancë nga ajo që e shqetëson, transmeton Telegrafi.

    Është e rëndësishme të vëzhgohet edhe shpeshtësia e kësaj sjelljeje. Lëkundja e herëpashershme është zakonisht normale. Por nëse ndodh shpesh, për periudha të gjata ose pa arsye të dukshme, mund të tregojë mërzi ose mungesë stimulimi.

    Papagajtë janë zogj shumë inteligjentë që në natyrë kalojnë kohë duke eksploruar, komunikuar dhe kërkuar ushqim. Në kushte shtëpiake, në mungesë të stimulimit mendor, mund të zhvillojnë lëvizje të përsëritura për t’u argëtuar vetë. Prandaj është e rëndësishme që sjellja të shihet gjithmonë në kontekst.

    Pozicioni i krahëve, lëvizjet e kokës, tingujt dhe situata në të cilën ndodhet zogu ndihmojnë në interpretimin e saktë të kësaj sjelljeje. Në shumicën e rasteve, lëkundja e trupit është thjesht pjesë e mënyrës natyrale të komunikimit, përmes së cilës papagajtë shprehin gëzim, kureshtje apo interes.

    Kuptimi i gjuhës së trupit të papagajve i ndihmon pronarët të kuptojnë më mirë nevojat e tyre dhe të dallojnë në kohë shenjat e stresit apo shqetësimit. Edhe pse mund të duket e pazakontë, kjo sjellje është zakonisht vetëm një tjetër dëshmi e natyrës së tyre shprehëse dhe komunikative.

  • Pse janë njerëzit e vetmja specie me mjekër?

    Pse janë njerëzit e vetmja specie me mjekër?

    Njerëzit janë e vetmja specie që kanë mjekër, një veçori që mungon edhe te kushërinjtë tanë më të afërt. Në fakt, është një tipar kaq i veçantë anatomik saqë është një nga karakteristikat kryesore që antropologët përdorin për të identifikuar mbetjet e homo sapiensëve në regjistrin fosil.

    Megjithatë, për një tipar kaq përcaktues, dimë çuditërisht pak për qëllimin e tij evolucionar. Pra, pse jemi e vetmja specie me mjekër?

    Kjo pyetje është e vështirë për t’iu përgjigjur, sepse ekspertët nuk bien dakord për një përkufizim të vetëm të mjekrës. Disa studiues kanë argumentuar se kafshë si elefantët dhe manatët kanë dalje të ngjashme me mjekrën, por ato nuk janë të njëjtat struktura në formë T-je që dalin përtej dhëmbëve tanë të poshtëm. Si rezultat, disa shkencëtarë janë larguar nga ideja e mjekrës si një tipar i vetëm dhe e shohin atë si rezultat të ndërveprimit të shumë pjesëve të ndryshme të kokës dhe nofullës.

    “Shumë gjëra rreth mjekrës janë të ndërlikuara,” tha Scott A. Williams, morfolog evolucionar në Universitetin e Nju Jorkut. “Ajo nuk mund të matet me një tregues të vetëm, por përbëhet nga një grup tiparesh morfologjike.”

    Një kuptim më i mirë i funksionit të mjekrës mund t’i ndihmojë shkencëtarët të krijojnë një përkufizim më të qartë. Ekspertët kanë propozuar disa funksione të mundshme për mjekrën.

    Disa sugjerojnë se, ndërsa evoluonim me dhëmbë më të vegjël, mjekra u shfaq për të forcuar nofullën e poshtme dhe për të parandaluar thyerjen e dhëmbëve gjatë përtypjes. Të tjerë besojnë se mjekra mund të jetë e lidhur me një tipar tjetër unik njerëzor, aftësinë për të folur, duke shërbyer si pikë mbështetjeje për muskujt e gjuhës. Ndërsa të tjerë mendojnë se ndryshimet në madhësinë dhe formën e mjekrës sugjerojnë një lidhje me përzgjedhjen seksuale.

    Noreen von Cramon-Taubadel, një morfologe evolucionare në Universitetin e Buffalo-s në Nju Jork, u përpoq të ngushtojë këtë listë duke përcaktuar nëse mjekra mund të ketë evoluar rastësisht apo nëse evolucioni ka vepruar drejtpërdrejt mbi të.

    Për këtë, ajo dhe ekipi i saj studiuan dhjetëra tipare që lidhen me madhësinë e kokës dhe nofullës, përfshirë nëntë tipare që lidhen me mjekrën. Më pas, duke përdorur një pemë evolucionare të 15 hominoidëve, një grup që përfshin njerëzit, paraardhësit e tyre fosilë, gorillat, shimpanzetë, orangutangët dhe gibonët, ata analizuan nëse këto tipare kanë ndryshuar më shumë apo më pak me kalimin e kohës sesa do të pritej nga rastësia. Çdo rezultat do të sugjeronte një rol të përzgjedhjes natyrore në evolucionin e nofullës së poshtme.

    Krahasuar me speciet e tjera, “kafkën njerëzore e shohim shumë më të ndryshme nga ajo e paraardhësve tanë sesa do të prisnim duke pasur parasysh kohën që ka kaluar,” tha ajo. Megjithatë, vetëm tri nga nëntë tiparet specifike të mjekrës dukeshin se ishin nën përzgjedhje të drejtpërdrejtë.

    Së bashku, rezultatet e ekipit, të publikuara në revistën PLOS One, sugjerojnë se mjekra mund të jetë ajo që quhet “hapësira midis qemerëve”, një term i marrë nga arkitektura për të përshkruar një veçori që është efekt anësor i diçkaje tjetër. Ky koncept u propozua nga biologët evolucionarë Stephen Jay Gould dhe Richard Lewontin në vitin 1979 për të kundërshtuar idenë se çdo tipar duhet të ketë një funksion të veçantë të evoluar.

    “Duket se, nga ana strukturore, ne duhet të kemi një mjekër, por jo sepse ajo ka evoluar për një funksion të caktuar,” tha von Cramon-Taubadel. “Gjithnjë e më shumë studime po tregojnë se gjëra që dikur i mendonim shumë të rëndësishme për dallimet midis njerëzve dhe majmunëve të tjerë mund të kenë evoluar thjesht nga zhvendosje rastësore dhe rrjedha e gjeneve.”

    Ajo shtoi se gjetjet e grupit duket se ndikohen më shumë nga momente të mëdha të njohura në evolucionin njerëzor, përfshirë kohën kur filluam të ecim drejt dhe kur truri ynë u bë më i madh.

    Pavarësisht këtyre përfundimeve, von Cramon-Taubadel dhe Williams bien dakord se pyetja mbetet e hapur. Nuk dihet, për shembull, kur u shfaqën për herë të parë tipare si të folurit, prandaj është e vështirë të lidhen ato drejtpërdrejt me evolucionin e mjekrës. Ndërsa Williams pranon se mjekra mund të mos ketë evoluar për një qëllim specifik, kjo nuk do të thotë se është e parëndësishme.

    “Ajo mbetet një nga tiparet përcaktuese të linjës sonë evolucionare, e pranishme në një formë apo tjetër tek çdo njeri që jeton sot në planet,” tha ai. /LiveScience – Syri.net

  • Gjobiten Instagrami dhe YouTube, arsyeja është interesante

    Gjobiten Instagrami dhe YouTube, arsyeja është interesante

    Një juri në Los Angeles ka dhënë një vendim dënues për dy nga platformat dixhitale më të njohura në botë, Instagrami dhe YouTube, shkruan BBC-i.

    Ajo vendosi që ato aplikacione krijojnë varësi dhe janë projektuar qëllimisht në këtë mënyrë – dhe se pronarët e tyre kanë qenë neglizhentë në mbrojtjen e fëmijëve që i kanë përdorur ato.

    Është një moment i zymtë për Silicon Valley-n dhe implikimet janë globale.

    Gjigantët e teknologjisë në këtë rast, Meta dhe Google, tani duhet të paguajnë 6 milionë dollarë (4.5 milionë paundë) dëmshpërblim për një grua të re të njohur si Kaley, viktima në qendër të këtij rasti.

    Ajo pretendoi se platformat e lanë me dismorfi trupore, depresion dhe mendime vetëvrasëse.

    Të dyja kompanitë synojnë të apelojnë, pasi Meta pohon se një aplikacion i vetëm nuk mund të jetë përgjegjës i vetëm për krizën e shëndetit mendor të një adoleshenti.

    Ndërkohë, Google thotë se YouTube nuk është një rrjet social.

    Por për momentin, vendimi do të thotë se “epoka e pandëshkueshmërisë ka mbaruar”, sipas dr. Mary Franks-it, një profesoreshë e drejtësisë në universitetin “George Washington”.

    Është e vështirë të mbivlerësohet se çfarë momenti ndryshues është ky vendim gjyqësor për mediat sociale.

    Çfarëdo që të ndodhë më pas dhe pa dyshim që do të ketë apelime dhe procese të mëtejshme ligjore, kjo do ta ripërcaktojë peizazhin.

  • “Kam kërkuar ndihmë profesionale” – Paris Guri rrëfen periudhën e ankthit

    “Kam kërkuar ndihmë profesionale” – Paris Guri rrëfen periudhën e ankthit

    Ish-deputeti dhe kryetari i Forumit të Rinisë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Paris Guri, në emisionin “LIBERO” ka folur  për përvojat e tij personale me ankthin dhe fazat depresive, duke theksuar rëndësinë e kujdesit për shëndetin mendor dhe kërkimin e ndihmës profesionale.

    I pyetur nëse ka kërkuar ndihmë nga psikologu, Guri u shpreh se përvoja e tij nuk është e pazakontë, sidomos te të rinjtë.
    “…Unë mendoj se secili i ri përballet me ankth dhe stres nga studimet, si dhe me faza të lehta depresive, të cilat mund të shndërrohen në gjendje më të rënda nëse nuk trajtohen. Absolutisht po, kam diskutuar me psikologë të ndryshëm. Para se të angazhohesha në këtë aspekt, kam punuar shumë me shëndetin mendor…” – tha ai.

    Në cilësinë e kryetarit të Forumit të Rinisë, në bashkëpunim me kryesinë e LDK-së, ai ka kontribuar në realizimin e Linjës Telefonike për Ndihmë Psikologjike “Me ty”, një projekt që synon të ofrojë mbështetje profesionale (psikologjike) për qytetarët.

    “…Kemi realizuar një projekt për krijimin e një linje telefonike institucionale përmes Qeverisë. Shumica e vendeve të botës e kanë një të tillë, ku çdo person mund të telefonojë dhe të ndajë shqetësimet e tij, dhe të përgjigjet një ekspert i fushës…” – u shpreh Guri.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Paris Gurit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • A është burri gjithçka në jetë?

    A është burri gjithçka në jetë?

    Poetja dhe opinionistja, Helena Halilaj, në emisionin “LIBERO” ka ndarë një reflektim mbi rolin e gruas në shoqërinë shqiptare dhe pritshmëritë që vendosen ndaj saj. Në studio u diskutua nëse një burrë është domosdoshmëri për realizimin e jetës së një gruaje, duke sfiduar kështu një mendësi të përhapur.

    Sipas saj, shpesh një gruaje i thuhet se për të arritur suksesin dhe përmbushjen personale, duhet patjetër të ketë në krah një burrë – qoftë vëlla, partner apo baba. Por Halilaj sjell një këndvështrim ndryshe, duke theksuar se një grua mund të bëhet vetë mbështetja dhe forca e saj.

    “Një gruaje i thonë: ‘Që të realizohesh në jetën tënde, të duhet me patjetër një vëlla, një partner ose babai’. Dhe kur e pyesin si ia doli, ajo përgjigjet: ‘Unë u bëra burrë i vetes sime’,” shprehet Halilaj.

    Ajo shton se në mungesë të këtyre figurave, që shpesh shihen si udhërrëfyes apo mbështetje, gruaja mund të zgjedhë të ndërtojë vetë rrugën e saj drejt suksesit. Në një shoqëri ku ende mbizotëron ideja se një burrë është i domosdoshëm, Halilaj nënvizon se një grua mund të arrijë çdo gjë edhe duke u mbështetur vetëm te vetja.

    Në fund, ajo prek edhe pasigurinë që karakterizon marrëdhëniet moderne, duke theksuar se dashuria dhe martesa nuk janë më garanci për lumturi.

    “…Nuk kemi më të sigurta as dashuri, as martesa. Nuk mund të shpresojmë gjithmonë se njerëzit më të mirë do të vijnë në jetën tonë; mund të vijnë edhe njerëz që nuk na e bëjnë jetën të bukur dhe të mirë…” – përfundoi ajo.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Helena Halilaj, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • “600-700 euro”, sipas Paris Gurit me kaq para mund të jetojë një i ri në Kosovë

    “600-700 euro”, sipas Paris Gurit me kaq para mund të jetojë një i ri në Kosovë

    Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, në emisionin “LIBERO” ka deklaruar se rritja e vazhdueshme e çmimeve në Kosovë po e bën gjithnjë e më të vështirë jetesën për të rinjtë, sidomos për ata që synojnë të jetojnë të pavarur.

    Sipas Gurit, në një periudhë shumë të shkurtër kohore është vërejtur një rritje e ndjeshme e kostos së jetesës. “…Para një muaji, nëse ke mundur të jetosh me 500 euro, sot nuk mund të jetosh më me këtë shumë, për shkak të inflacionit dhe rritjes së vazhdueshme të çmimeve…”, është shprehur ai.

    Ai ka theksuar se rritja e çmimeve të derivateve është një nga faktorët kryesorë që po ndikon në përkeqësimin e standardit të jetesës. “…Nëse para një muaji ke paguar 1 euro e 30 cent për derivate, sot çmimi ka arritur në rreth 1 euro e 70 apo 1 euro e 80 cent. Jeta po bëhet vazhdimisht më e shtrenjtë…”, ka shtuar Guri.

    Sipas tij, për një të ri që dëshiron të jetojë vetëm dhe të ndërtojë një familje, sfidat ekonomike janë jashtëzakonisht të mëdha. Ai vlerëson se një shumë prej 600 deri në 700 euro mund të jetë e mjaftueshme vetëm në rastet kur disa shpenzime bazë, si banimi dhe shërbimet komunale, janë të mbuluara.

    Guri gjithashtu ka theksuar se shumica e të rinjve në Kosovë vazhdojnë të jetojnë me prindërit, pikërisht për shkak të kostove të larta të jetesës. Sipas tij, në këto kushte, mbështetja familjare mbetet një faktor kyç për përballimin e përditshmërisë ekonomike.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Paris Gurit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Një peng që zgjati 27 vjet: Helena Halilaj rrëfen kujtimin që nuk ia harron nënës së saj nga koha e refugjatëve të Kosovës

    Një peng që zgjati 27 vjet: Helena Halilaj rrëfen kujtimin që nuk ia harron nënës së saj nga koha e refugjatëve të Kosovës

    Poetja nga Shqipëria Helena Halilaj, në emisionin “LIBERO” ka ndarë një rrëfim të ndjerë për periudhën e vitit 1999, kur familja e saj strehoi refugjatë nga Kosova. Në atë kohë, ajo ishte vetëm 10 vjeçe, por kujtimet e asaj periudhe kanë lënë gjurmë të thella në jetën e saj.

    Halilaj tregoi se gjatë ardhjes së familjeve nga Kosova, komuniteti ishte i organizuar për t’i sistemuar ato nëpër shtëpi. Sipas saj, banorët njihnin njëri-tjetrin dhe dinin se kush kishte pritur refugjatë dhe kush jo, madje shpesh kontrollonin për të siguruar që çdo familje të gjente strehim.

    Në rrëfimin e saj, Helena kujtoi një moment që e ka prekur thellë:
    “…Është një gjë që më ka mërzitur dhe më ka mbetur peng në jetën time. Kur erdhi një familje te dera, unë thashë ‘hajde te shtëpia ime’. Por nëna më tha se nuk kishim ku t’i vendosnim dhe se do t’i çonim diku tjetër. U mërzita shumë dhe qava. Që atëherë, kjo është një gjë që nuk ia kam falur kurrë…”

    Ajo shton se këtë ndjesi ia ka shprehur nënës së saj pas 27 vjetësh, duke treguar se sa e fortë ka qenë kjo përvojë për të.

    Ky rrëfim lidhet edhe me dokumentarin “Shtëpia e Kombit”, i realizuar nga Helena Halilaj – i cili trajton pritjen dhe solidaritetin e banorëve të Kukësit ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999. Filmi vendos në qendër kujtesën kolektive dhe lidhjen e fortë vëllazërore mes shqiptarëve në ato kohë të vështira.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Helena Halilajt, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Ushqimet që mund t’i hani edhe pas orës 20:00

    Ushqimet që mund t’i hani edhe pas orës 20:00

    Këto janë disa ushqime që mund t’i hani pa frikë pas orës 20:00 dhe të mos shtoni peshë sipas dietologëve

    1. Drithëra dhe qumësht

    Ushqimet më të mira në mesnatë duhet të jenë të lehta për t’u tretur. Shtoni pak proteina dhe fibra dhe keni një meze të lehtë të përkryer në mesnatë. Shmangni ushqimet e rënda, veçanërisht nëse keni probleme me urth.

    Drithërat e ftohta do t’ju japin një fibër të vogël, vitamina ekstra dhe minerale, plus është mirë nëse dëshironi diçka të ëmbël. Një servis i drithërave të ftohtë është rreth 3/4 filxhan.

    2. Manaferra

    Manaferrat janë të pasura me vitamina dhe minerale ushqyese që ju bëjnë të ngopur edhe nuk ju shtojnë peshë edhe nëse i konsumoni në mesnatë.

    3. Avokado

    Disa feta avokado në mbrëmje do të ishin ideale që ta largoni urinë tuaj në mbrëmje pasi përmbajnë shumë vitamina ushqyese sidomos vitamina D. Mund t’i integroni edhe në receta të tjera të lehta, jo shumë kalorike.

    4.Kokoshkat

    Mund të vazhdoni të hani kokoshkat edhe pas orës 8 të darkës, ndoshta teksa shihni filmin tuaj të preferuar, ose kur jeni mes miqsh. Janë shumë herë më të mira sesa patatet e kripura.

    5. Banane

    Bananet përmbajnë shumë potasium dhe magnez, çka ju relakson dhe ju ndihmon që të bëni një gjumë shumë të qetë.

    6. Kos

    Një filxhan me kos pa yndyrnë është ideal. Mund t’i shtoni edhe disa fruta për ta shijuar më shumë.

  • Çfarë thotë shkrimi i dorës për personalitetin tuaj

    Çfarë thotë shkrimi i dorës për personalitetin tuaj

    Është e mahnitshme se sa shumë mund të thotë shkrimi i dorës për ju. Ashtu si gjuha e trupit dhe shkrimi i dorës “flet” për karakterin tuaj. Më poshtë do të lexoni tiparet më dominuese të kaligrafisë që përcaktojnë personalitetin tuaj.

    Madhësia

    Kur analizohen dorëshkrimet, madhësia ka rëndësi. Nëse ju shkruani me shkronja të mëdha, jeni një person mjaft i shoqërueshëm dhe miqësor. Nëse ju shkruani me shkronja të vogla ka të ngjarë të jeni një person i mbyllur. Ju jeni të fokusuar, të kujdesshëm, dhe të turpshëm.

    Hapësira mes fjalëve dhe shkronjave

    Hapësira e madhe midis fjalëve tregon se ju keni probleme me besimin. Jeni të prirur drejt vetmisë dhe shmangni kontaktin me njerëzit e tjerë. Hapësira mesatare tregon se ju ndiheni rehat me të tjerët. Nëse shkruani shumë ngushtë, ju mund të jeni të paqëndrueshëm dhe me vetëbesim të ulët, shkruan Living.

    Shkrimi i pjerrët

    Nëse shkrimi juaj është i drejtë, ju jeni një person praktik dhe i balancuar. Keni kontroll mbi emocionet tuaja dhe situatat rreth jush. Nëse shkrimi juaj anon në të djathtë jeni i hapur ndaj çdo përvoje në jetën tuaj dhe jeni guximtarë. Në qoftë se ju i anoni shkronjat në të majtë jeni një njeri i kujdesshëm, por i turpshëm. Ju nuk pëlqeni të jeni në qendër të vëmendjes, por keni aftësi shumë të mira menaxhuese.

    Presion mbi letër

    Shkrimi i fortë në letër flet për forcën tuaj, vetrespektin dhe vetëbesimin e lartë që ju karakterizon. Në qoftë se presioni është i butë, ju jeni të ndjeshëm. Ju gjithmonë jeni në dyshim dhe keni vështirësi në marrjen e vendimeve.