ATV

Author: Rona

  • Lumturia është e fshehur në copëzat e përditshmërisë!

    Lumturia është e fshehur në copëzat e përditshmërisë!

    Lumturia është një nga ndjenjat më të kërkuara, por ajo mbetet një koncept i ndërlikuar.

    Por çfarë është në të vërtetë lumturia? A jemi vërtet të lumtur? Këto dilema u shtjelluan të hënën në emisionin “Libero me Resul Sinanin” në ATV, ku të ftuarit ndanë perspektivat e tyre mbi këtë temë.

    Mjeshtri i meditimit, Sheki Useini, theksoi se shumica e njerëzve e kërkojnë lumturinë duke e kushtëzuar me faktorët e jashtëm, duke menduar se ajo varet nga të tjerët apo nga gjërat materiale.

    “Të gjithë e aksesojnë në momente të caktuara, fatkeqësisht duke e kushtëzuar me faktorët e jashtëm, duke e kërkuar lumturinë tek njerëzit dhe te të mirat materiale, tek realiteti 3D që ne e përjetojmë, por jo duke u mësuar ta qetësojmë mendjen dhe ta aksesojmë në mënyrë të suksesshme atë që ne e quajmë lumturi të pakushtëzuar,” tha Sheki.

    Ndërkohë, gazetarja Behare Bajraktari kishte një tjetër këndvështrim, duke argumentuar se njerëzit nuk janë në kërkim të lumturisë si një qëllim më vete, por thjesht duan të ndërtojnë një jetë të mirë përmes familjes, shkollimit dhe suksesit.

    “Asnjëherë nuk kam dëgjuar që njerëzit janë në kërkim të lumturisë… njerëzit janë në kërkim të jetës së mirë, janë në kërkim të familjes, në kërkim të shkollimit, janë në kërkim të arritjeve të veta dhe ato janë pjesë të lumturisë. Unë nuk kam dëgjuar për kaq vite që njerëzit po kërkojnë diku lumturinë se do e gjejnë aty,” tha Bajraktari.

    Nga ana tjetër, psikologja Bardha Gerdovci tha se lumturia fillon brenda familjes dhe më pas zgjerohet në rrethin social dhe jetën profesionale.

    “Dashuria që ofrohet në familje, aty fillon të kultivohet një lloj lumturie në brendësinë tonë. Më pas, duke u rritur, është edhe kyçja në rrethin social, ku hyn familja e gjerë, mandej edhe shkollimi e të tjera. Faktikisht, lumturia fillon te familja dhe më pas ne si individë e zbërthejmë në mënyra të ndryshme,” tha Bardha.

    Vlen të ceket se sipas Raportit Botëror të Lumturisë për vitin 2025, kosovarët janë më të lumturit në rajon. Kosova, ashtu si në vitin e kaluar, mban vendin e 29-të në listën e shteteve më të lumtura në botë, nga 147 shtete.

    Për të ndjekur emisionin e plotë klikoni në linkun e mëposhtëm:

     

  • Vija ndarëse (mes) interesit publik dhe privatësisë!

    Vija ndarëse (mes) interesit publik dhe privatësisë!

    Në epokën e rrjeteve sociale, thuajse çdo figurë publike është nën vëzhgim të vazhdueshëm. Ndjekësit kërkojnë detaje nga jeta e tyre private, ndërsa mediat thuhet se shpesh kalojnë kufirin etik për të siguruar lajme ekskluzive.

    Si qëndron balancimi i jetës publike dhe private, dhe a cenohet privatësia e personaliteteve publike ishte tema që u trajtua të hënën në emisionin “Libero me Resul Sinanin” në ATV, me të ftuarit e fushës!

    Drejtori për Mbrojtjen e të Dhënave në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, Arbian Arifi tha se privatësia në Kosovë rrezikohet prej çdo institucioni apo media sociale që i ka të dhënat e tona.

    “Privatësia në Kosovë rrezikohet prej çdo institucioni që ka të dhënat tona personale, për shkak se ne jemi të vetëdijshëm që ne japim të dhënat tona personale në çdo institucion publik dhe privat ose biznese private. Nëse bëjmë porosi online, të një produkti, ne japim të dhënat tona personale ato mund të shkelën në çdo institucion që i ka këto të dhëna”, u shpreh ai.

    Për avokaten Adelina Hoxha nëse një individ zgjedh të shpalos privatësinë para opinionit publik, ajo më nuk është privatësi.

    “Unë privatësinë e shoh si vullnet të vetë individit për ta mbajtur apo jo një çështje në privatësi. Nëse unë një jetë private dua me shpalos para publikut, ajo nuk është më privatësi dhe nuk kam të drejtën ta kërkoj që të më konsiderohet si privatësi nga dikush tjetër, sepse vetë e kam shpalosur”, tha Hoxha.

    Mes tjerash, u diskutua edhe për cenimin e privatësisë së figurave publike, për të cilën gazetarja Anjeza Gubetini tha se privatësia e tyre shpesh shkelet.

    “Fytyrat publike nuk i lënë rahat… Kemi pasur raste të fundit ku i ndjekin për të parë çfarë po bëjnë, për të nxjerrë rubrika, për të shkuar pak viral, kështu që mendoj që fytyrat publike janë shumë të rrezikuara prej gazetarëve”, tha ajo.

    Në anën tjetër, gazetari Rid Berisha pati një mendim ndryshe, duke deklaruar se mediat në Kosovë janë ato që më së paku rrezikojnë fytyrat publike. Sipas tij, shumë personazhe e ekspozojnë privatësinë e tyre për të fituar vëmendje.

    “Më së paku, mediat në Kosovë kanë një qasje për shkak të kapacitetit financiar për t’i përcjellë njerëzit publik… prodhojnë vetë skandale… në gjykimin tim, më krijohet dyshimi që ata vetë i bëjnë për t’u medializuar” ,tha Berisha.

    Vlen të theksohet se shkelja e privatësisë dhe e të dhënave personale mund të ketë pasoja ligjore në Kosovë. Përveç ankesave administrative, individët kanë të drejtën të ndjekin rrugët ligjore për të kërkuar kompensim për dëmet e shkaktuara nga këto shkelje.

    Për të ndjekur emisionin e plotë klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Rrugëtimi i Mentor Zymberaj, artistit që theu kufijtë me artin e tij

    Rrugëtimi i Mentor Zymberaj, artistit që theu kufijtë me artin e tij

    Aktori shqiptar shumë i shquar, Mentor Zymberaj, ishte i ftuar në “Libero” në ATV, ku ndau detajet të karrierës së tij, duke mos lënë anash as jetën e tij familjare dhe shumë aspekte të tjera të rëndësishme.

    Mentori ka marrë pjesë në mbi 200 festivale, por ky rrugëtim nuk ka qenë aspak i lehtë për të. Ai na rrëfeu se asgjë nuk e pengoi të marrë pjesë në festivale, (përfshirë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën).

    “…unë kam mbi 200 festivale veç teatrore, pa ato të filmit…prezantimi dhe pjesëmarrja në këto shtete që ndoshta kemi mbi 20 shtete që nuk na kanë njohur, kemi depërtu…jemi sfidu në shumë shtete të botës, kemi marrë pjesë ku ndoshta ka qenë e pamundshme…” tha Mentori.

    Vlen të theksohet se Mentor Zymberaj është gjithashtu pedagog, regjisor, skenarist dhe producent i shquar. Ai ka themeluar dhe drejtuar Shtëpinë Teatrore Filmike AKT që nga viti 1994/95. Për më tepër, ai është themelues i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës në Kosovë, festival i cili ka arritur anëtarësim në Asociacionin Ndërkombëtar të Festivaleve të Monodramave në botë.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Mentor Zymberaj, klikoni linkun e mëposhtëm: