ATV

Author: Rona

  • “I shihja njerëzit t’u ndrru jetë para meje”, Uta Ibrahimi që bëri histori, tregon për rrezikshmërinë që e përjetoi në maje

    “I shihja njerëzit t’u ndrru jetë para meje”, Uta Ibrahimi që bëri histori, tregon për rrezikshmërinë që e përjetoi në maje

    Uta Ibrahimi është alpinistja e parë nga Kosova që ka ngjitur 14 majat më të larta në botë, të njohura si “tetëmijëshat”. Ajo gjithashtu është kampione e SDG-ve (Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm) e para në Ballkan me këtë titull. Më pas, karrierën e saj e orientoi drejt alpinizmit si alpiniste udhërrëfyese dhe “active hiker”.

    Alpinistja Uta Ibrahimi ishte së fundmi e ftuar në emisionin “Libero” në ATV, ku foli për sfidat dhe vështirësitë që ka kaluar gjatë ngjitjes së këtyre majave.

    Gjatë bisedës, Uta tregoi për përjetimet e saj në ekspeditën e parë, kur trupi i saj nuk dinte si të reagonte ndaj mungesës së oksigjenit.

    “Për shkak se ka qenë ngjitja e parë për mu në maja 8000 metra… në ekspeditën e parë trupi është i panjohur me mungesën e oksigjenit… është tepër e vështirë me jetu ose me përballu, se ki kokëdhimbje, ndihesh si me marramendje… edhe nëse s’e din atë ndjenjë është tepër e vështirë sepse ke edhe panik, edhe nuk e din se çka po të ndodhë me trup, vetëdijen nuk e ke – e ka kogja të limituar,” tha Ibrahimi.

    Ajo gjithashtu tregoi për rrezikshmërinë që e ka shoqëruar në këto ngjitje ekstreme, duke përshkruar momentet tronditëse që ka përjetuar.

    “Ish ndalë në një pikë dhe nuk mundej me lëvizë. Mendoj që disa minuta pasi kam kalu unë, ai veç ka ndërru jetë… Si me thënë, me pa një njeri para syve tu ndërru jetë, ose me pa një njeri tjetër, trup tjetër veç ka ndërru jetë disa ditë para, e ti me ec edhe vetëm me i kalu – ka qenë shumë e vështirë,” tha ajo.

    Vlen të theksohet se Uta Ibrahimi ka një përvojë 12-vjeçare pune në fushën e marketingut. Për shtatë vite ka punuar në një agjenci marketingu që ka përfshirë klientë nga biznese të mëdha, dhe për pesë vite ka qenë menaxhere e marketingut në festivalin e dokumentarëve, DokuFest. Uta është gjithashtu një aktiviste e të drejtave të njeriut dhe pjesëmarrëse në kampanja sociale, kryesisht në mbështetje të grave dhe fëmijëve.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Uta Ibrahimi, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Traumat e fëmijërisë – plagë të padukshme që lënë gjurmë të thella edhe në moshën e rritur

    Traumat e fëmijërisë – plagë të padukshme që lënë gjurmë të thella edhe në moshën e rritur

    Sipas Psychology Today, efektet e traumës së fëmijërisë shpesh janë afatgjata dhe kronike. Të rriturit që kanë përjetuar trauma të komplikuara gjatë fëmijërisë, mund të kenë vështirësi në procesimin e asaj që kanë përjetuar si fëmijë, gjë që më pas mund të çojë në një sërë simptomash emocionale, psikologjike dhe fizike.

    Kjo temë u trajtua në emisionin “Libero” në ATV, ku të ftuarit ndanë mendimet dhe përvojat e tyre lidhur me traumat e fëmijërisë, si të tejkalohen ato dhe çfarë ndikimi kanë në jetën e të rriturve.

    Psikologia Blerta Ferizi Kastrati foli për ndikimin e neglizhencës ndaj fëmijëve dhe pasojat që sjell më vonë tek ata.

    “Është ajo pjesa kur kërkojnë vëmendje, kur kërkojnë gjithmonë aprovim. Janë fëmijë të cilët gjatë gjithë kohës së procesit të rritjes janë fëmijë të neglizhuar. Janë fëmijë që kanë pasur, për shembull, mungesën e një prindi gjatë procesit të rritjes.” tha Blerta

    Ndërkaq, Nora Malaj theksoi se një nga gabimet më të mëdha që bëjnë prindërit është krahasimi mes fëmijëve.

    “Problemi i parë i traumës njerëzore sociale fillon atëherë kur ne i krahasojmë fëmijët dhe i vëmë krahasimisht ose me njëri-tjetrin, ose me moshatarët e tyre, ose me të afërmit, dhe u themi: ‘Ti nuk je aq i zoti sa është ai’,” tha Malaj.

    Pedagogia Edlira Jajaga Kqiku dha shembuj konkretë për mënyrën se si duhet të jetë edukimi i hershëm i fëmijëve, duke theksuar se as plotësimi i çdo dëshire nuk është i shëndetshëm.

    “Ne ose kemi fëmijë mbretër që u japim gjithçka, ose kemi ata që nuk ju japim mjaftueshëm dashuri… Nëse ne i lëmë që të shprehin emocionet në fëmijërinë e hershme, do të kemi edhe një adoleshencë më të qetë… Nëse në fëmijërinë e hershme na janë plotësuar të gjitha dëshirat, kërkojmë të na plotësohen edhe në adoleshencë dhe kur nuk arrijmë pastaj bëhemi agresivë,” tha Edlira.

    Ndërsa sociologia Flaka Ymeri theksoi rëndësinë e mbajtjes së kufijve të shëndetshëm në marrëdhënien prind-fëmijë.

    “Të jesh i mirëqenë, të jesh i hapur në diskutim për të gjitha temat në gjithë vazhdimësinë e jetës është shumë e rëndësishme, mirëpo jo të kalojë raporti prindëror në atë shoqëror, sepse dëmet janë shumë të mëdha,” tha Flaka.

    Në fund, psikoterapistja Besarta Fazliu Shatri solli një reflektim të thellë mbi mënyrën se si modelet familjare ndikojnë në formimin e personalitetit tonë, edhe atëherë kur përpiqemi t’i shmangim ato.

    “Ato modelet e brendshme që ne veçse i kemi pa, ato figura, ato skema, figura dhe koncepte që i kemi ndërtu qysh në fëmijërinë tone pa marrë parasysh se na shpesh herë si të rinj kemi thënë ‘kurrë s’kom me u bë si nana edhe baba’, kuptojmë që pas një kohe pa vetëdije ato tipare na dalin në pah. Ndoshta nuk janë të vullnetshme, mirëpo është diçka që ne nuk mundemi me i ik.” tha ajo

    Vlen të theksohet se hapi i parë drejt ndryshimit është vetëdijesimi të kuptojmë që reagimet tona aktuale mund të mos jenë thjesht për atë që po ndodh sot, por jehonë e asaj që ka ndodhur dje. Terapia, mbështetja emocionale dhe puna me “fëmijën e brendshëm” janë mjete të fuqishme që ndihmojnë për të thyer ciklin e traumës dhe për të ndërtuar një jetë më të shëndetshme.

    Për të ndjekur emisionin e plotë klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Dashuria në epokën digjitale – Takimet mes realitetit dhe iluzioneve

    Dashuria në epokën digjitale – Takimet mes realitetit dhe iluzioneve

     

    Në një kohë kur teknologjia ka depërtuar në çdo aspekt të jetës sonë, as dashuria nuk ka mbetur jashtë këtij transformimi. Takimet online janë shndërruar në një mënyrë të zakonshme për të krijuar marrëdhënie romantike, duke lidhur njerëz nga e gjithë bota me vetëm disa klikime.

    Pikërisht kjo tematikë mjaftë aktuale u diskutua të hënën në emisionin “Libero” në ATV, ku të ftuarit ndanë pikëpamje të ndryshme rreth takimeve online, a janë ato të qëndrueshme, sa funksionale janë në realitet dhe çfarë rreziqesh mund të sjellin.

    Aktivistja Rita Behadini u shpreh se teknologjia thjesht ka zëvendësuar “msitin” tradicional, por dashuria mbetet dashuri.

    “Unë mendoj që teknologjia veç msitin e ka ndryshuar, se dashuria mbetet dashuri… ka qenë dikur nëna, baba, halla, sot është telefoni”, tha ajo.

    Psikologia Teuta Cacaj tha se nëse ekziston komunikimi i drejtë dhe i qartë mes partnerëve, lidhjet e krijuara online kanë potencial për jetëgjatësi. Ajo përmendi një studim të realizuar nga Fintech, ku shumica e çifteve të anketuara raportuan përvojë pozitive.

    “77% të përdoruesve e kanë bërë një lloj mënyre ku janë paraqitë cilësitë si një formë kërkese dhe 69% e tyre kanë arrit me përçu mesazhin se cilat janë cilësitë më të forta që e mbajnë gjallë një lidhje. Qëllimi i studimit ka qenë me arrit një përfundim për faktin që marrëdhëniet mund të jenë të qëndrueshme dhe konsistente për një kohë shumë të gjatë nëse ka komunikim transparent, të drejtpërdrejtë dhe të qartë… këtë që nga viti 2002 e mbështesin edhe shumë studime të tjera”, theksoi Cacaj.

    Në anën tjetër, avokatja Fehije Gashi Bytyqi ishte më skeptike ndaj lidhjeve të krijuara online, duke theksuar se është e vështirë të kuptosh nëse dikush të do vërtetë pa e takuar në jetën reale.

    “Qysh mundesh ti me kuptu se ai ty po të do, se për ty sakrifikon, kur s’keni fillu jetën, se kur s’e ke pa se çka po sakrifikon ai për ty konkret, sepse dashuria, ajo kimia duhet me u ushqy”, tha avokatja.

    Ndërkohë, gazetari Shëndrit Lumi solli në vëmendje ndryshimet mes pamjes së një personi në rrjete sociale dhe asaj në jetën reale, për shkak të efekteve .

    “Në ditën e sotme si djemtë edhe vajzat janë ndryshe live edhe ndryshe në Facebook, për shkak të efekteve që përdorin… komplet fytyrën e ndryshon, ti nuk e njeh realisht se qysh duket edhe momentin kur e sheh live çuditesh, thu me këtë pasna fol”, u shpreh ai.

    Vlen të ceket që aplikacioni i njohur i takimeve Tinder raportoi 75 milionë përdorues në të gjithë botën që nga viti 2022. Rreth 20% e të gjithë amerikanëve po angazhohen në takime online.

    Për të ndjekur emisionin e plotë klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • U akuzua se i provokoi shqiptarët duke postuar nga Beogradi, Zhaklin thotë se ishte një keqkuptim

    U akuzua se i provokoi shqiptarët duke postuar nga Beogradi, Zhaklin thotë se ishte një keqkuptim

    Gazetarja dhe aktivistja e njohur shqiptare Zhaklin Lekatari ka jetuar jashtë Shqipërisë për shumë vite dhe është shkolluar në Itali. Ajo ka përvojë të gjatë në media, ka bërë disa punë në televizione lokale e gjithashtu edhe në radio. Ajo është themeluese e Tabu.al, një platformë që sfidon normat shoqërore dhe promovon barazinë gjinore.

    Zhaklin Lekatari ishte së fundmi e ftuar në emisionin “Libero” në ATV, ku foli për jetën e saj personale, paragjykimet edhe kërcënimet që ka hasur, dhe shumëçka tjetër.

    Gjatë bisedës, Zhaklin foli për fotografinë e bërë në Beograd, e cila ngjalli shumë reagime negative tek shqiptarët. Sipas saj, gjithçka nisi nga një udhëtim privat që bëri në kryeqytetin serb, ku pa një mural që i tërhoqi vëmendjen për shkak të ngjyrave. Pa e kuptuar simbolikën dhe mesazhin e muralit, ajo e fotografon dhe e ndan në rrjetet sociale.

     

    “Unë isha në një udhëtim privat dhe në Beograd pashë një mural, një grafik i cili më pëlqeu shumë për shkak të ngjyrave. …Grafiti të cilin unë e kisha fotografuar dhe postuar ishte i një nga pjesëtarët e ushtrisë …dhe ky personi kishte humbur syrin gjatë luftës këtu… Sigurisht që unë nuk e flas gjuhën serbe, nuk e dija çfarë shkruhej”, tha Zhaklin.

    Gjithashtu, ajo tregoi se gjatë kohës që ishte opinioniste në Big Brother Albania përballej me shumë gjykime, dhe postimi i fotos nga Beogradi e përkeqësoi situatën. Nisën të qarkullonin montazhe të pavërteta, që sipas saj u shfrytëzuan nga portalet për klikime. Ndërkohë, Zhaklin zgjodhi të mos reagojë, pasi besonte se zëri i saj nuk do të dëgjohej.

    “Fotoja ishte në atë kohë, kur unë gjykohesha për shkak të pozitës që isha në Big Brother.Më pas e gjithë kjo histori mori vëmendje. Filluan edhe disa montazhe Ishte një keqkuptim shumë i madh, por urrejtja ndaj meje dhe propaganda e portaleve, të cilat përfitonin në klikime dhe para duke më shpallur armikun e popullit, bënë që zëri im të mos dëgjohej. Kështu unë vendosa të heshtja”, shtoi Lekatari.

    Vlen të theksohet që Zhaklin nuk ka reshtur asnjëherë së shprehuri gjërat ashtu siç i mendon, edhe kur bëhet fjalë për ato çështje që konsiderohen tabu, si p.sh. temat që lidhen me të drejtat e grave, aktivizmin feminist dhe luftën kundër dhunës e paragjykimeve.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Zhaklin Lekatari, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Të moshuarit në Kosovë: Diskriminimi dhe sfidat e përditshme të pensionistëve

    Të moshuarit në Kosovë: Diskriminimi dhe sfidat e përditshme të pensionistëve

    Në shoqërinë moderne, fenomeni i “ageism” (moshizmit) po bëhet gjithnjë e më i dukshëm, duke ndikuar negativisht në jetën e të moshuarve.

    Kjo çështje u diskutua edhe në emisionin “Libero” në ATV, ku të ftuarit ndanë mendimet e tyre se a po i diskriminon shoqëria kosovare të moshuarit, si dhe shumë çështje të tjera të ndërlidhura me këtë temë.

    Sa i përket kësaj teme, se a po diskriminohen të moshuarit në Kosovë, psikologia Shqipe Vitija tha që në këtë gjeneratë dhe në këtë shoqëri tonën ekziston një “ageism” i lartë në kategorinë e të moshuarve, në shumë aspekte duke filluar nga ato në familje, shoqëri dhe institucione.

    “Në këtë gjeneratë, në këtë shoqëri tonë ekziston një ageism i lartë në kategorinë e të moshuarve. Themi lirisht në shumë aspekte, duke filluar nga ato në familje, shoqëri dhe po ashtu institucione,” tha Vitija.

    Ndërsa shefi i Shërbimit në Shtëpinë e të Moshuarve, Urim Seferi, nuk u pajtua me këtë mendim, që të moshuarit po diskriminohen. Ai mendon se arsyet janë për shkak të mungesës së mbrojtjeve, qofshin ato sociale apo financiare, duke thënë se të moshuarit në Kosovë nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë. Ai gjithashtu deklaroi që të moshuarit, në 10 vitet e ardhshme, do të jenë sfida e shtetit.

    “Në pikëpamjen time fjalën ‘diskriminim’ nuk do ta përdorja për të moshuarit. Arsyet janë për shkak të mungesës së mbrojtjeve, qofshin mbrojtje sociale apo financiare. Në Kosovë është e vërtetë që të moshuarit nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë të mundshme ose të favorshme. Po ashtu, duke e pasur edhe eksperiencën time, të moshuarit pritet që në 10 vitet e ardhshme të jenë sfida e vet shtetit,” tha Urimi.

    Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve, Sherif Kastrati, tha që pensioni nuk është i lehtë, është shumë i vështirë, sepse prej një njeriu që ke vlejtur, bëhesh i pavlefshëm dhe nuk mund të kontribuosh në shoqëri. Ai shtoi se edhe familja të konsideron si një njeri tjetër. Kastrati foli edhe për mungesën e fondit pensional në Kosovë, duke theksuar se pa fond nuk ka si të shpërblehesh dhe se e vetmja mundësi është miratimi i një ligji për fondin pensional.

    “Pensionimi nuk është i lehtë, është shumë i vështirë nga shkaku se nga një njeri që ke vlejtë deri tash, një moment kalon në një njeri pa vlerë. Nuk mundesh me i kontribu shoqërisë… edhe familja të konsideron me tjetër sy… nuk kem fond pensional. Në momentin që s’ke fond pensional, nuk ke si të shpërblehesh. Andaj, e vetmja mundësi është që të bëhet ligji për fondin pensional,” tha Kastrati.

    Antropologu Tahir Latifi theksoi se shteti pas vitit 2008 është dashur të gjejë zgjidhje për të pasur një ligj të dinjitetshëm pensional.

    “Shteti jonë në asnjë rrethanë, edhe para shpalljes së pavarësisë, edhe pas shpalljes së pavarësisë, nëse s’mundet të gjejë përgjegjësinë para 2008, pas 2008 është dashtë me bo një zgjidhje, me pas një ligj të dinjitetshëm pensional,” tha Latifi.

    Vlen të theksohet se qytetarët e moshuar të Kosovës kryesisht jetojnë me pensione që variojnë nga 120 deri në 318 euro në muaj. Thuhet se këto pensione janë të pamjaftueshme për një standard jetese dinjitoz dhe pasqyrojnë një qasje jo gjithëpërfshirëse për adresimin e pengesave strukturore me të cilat përballen të moshuarit.

    Për të ndjekur emisionin e plotë klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • A po kontribuon shkenca për “shuarjen” e familjes, flet Dr.Ferid Agani

    A po kontribuon shkenca për “shuarjen” e familjes, flet Dr.Ferid Agani

    I ftuar në emisionin “Libero” në ATV, neuropsikiatri dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka folur për temën e raportit ndërmjet fesë, shkencës dhe çështjeve të komunitetit LGBT, si dhe për ndikimin e shkencës në institucionin e familjes.

    Agani ka theksuar se shkenca nuk po kontribuon në shuarjen e familjes, përkundrazi, po ndihmon në forcimin e saj. Ai kujtoi përvojën e tij si ministër i Shëndetësisë, gjatë së cilës ka udhëhequr procesin për hartimin e Udhëzimit Administrativ për Fertilizimin e Asistuar Mjekësor.

    “Kam qenë ministër i Shëndetësisë për dy vite, gjatë të cilave kam udhëhequr procesin e hartimit të Udhëzimit Administrativ për fertilizimin e asistuar mjekësor, me qëllim që çifteve që për arsye mjekësore nuk mund të gëzojnë prindërinë, t’u mundësohet shtatzënia dhe lindja e fëmijës,”tha Feridi.

    Ai shtoi se ky udhëzim është hartuar dhe miratuar në përputhje me standardet më të larta shkencore dhe fetare, dhe përbën një shembull të harmonisë mes këtyre dy fushave. Sipas tij, ky dokument vazhdon të mbetet në fuqi dhe është baza mbi të cilën punohet edhe sot, pavarësisht përpjekjeve për ta zëvendësuar me një ligj të ri për shëndetin riprodhues.

    “Unë e kam nënshkru atë udhëzim. Ai udhëzim i cili po tentohen tani e sa vite me u ndryshu me një ligj të ri për shëndetin reproduktiv në mënyrë plotësisht të paarsyeshme. Ai udhëzim është edhe në pajtim me standardet më të larta shkencore edhe fetare. Në këtë anën tjetër pra, është tamam ai pajtimi të cilin populli e ka pranu si të vetin dhe sot ekziston dhe në bazë të tij punohet.” tha Agani.

    Deklaratat e Aganit vijnë në një kohë kur debati mbi të drejtat riprodhuese, identitetin gjinor dhe rolin e fesë në politikat publike vazhdon të jetë i theksuar në diskursin publik në vend.

    Për ta dëgjuar diskutimin e plotë të Dr.Ferid Aganit (edhe për çëshjet e tjera për sa i takon fesë, shkencës dhe LGBT), klikoni në linkun e mëposhtëm: 

     

  • “E papërgatitur, por e vendosur”– Arjola Demiri flet për shtatzëninë gjatë studimeve

    “E papërgatitur, por e vendosur”– Arjola Demiri flet për shtatzëninë gjatë studimeve

    Aktorja e njohur shqiptare Arjola Demiri, me prejardhje nga Tropoja, është shumë e pëlqyer për rolet e saj në filma dhe seriale të ndryshëm si “O sa mirë”, “I Love Tropoja”, “Klithma”, “Njerka” dhe të tjerë. Ajo njihet për origjinalitetin dhe natyrshmërinë që i jep çdo roli që merr përsipër, duke u bërë një nga figurat më të dashura për publikun shqiptar.

    Aktorja Arjola Demiri ishte së fundmi e ftuar në emisionin “Libero” në ATV, ku foli për jetën e saj personale, profesionin si aktore dhe sfidat që ka përjetuar gjatë rrugëtimit të saj.

    Gjatë bisedës, Arjola tregoi një moment shumë të rëndësishëm dhe emocional të jetës së saj, kur mbeti shtatzënë në kohën e studimeve. Ajo tha se ka qenë e papërgatitur për një ngjarje të tillë, por pavarësisht gjithçkaje, vendosi ta mbajë fëmijën, duke theksuar se kjo ka qenë zgjedhja më e mirë dhe më e bukur që ka bërë në jetë.

    “…Ka ardhur nga një dashuri e madhe, ka ardhur pikërisht kur kam qenë studente, kam qenë e papërgatitur dhe kam bërë gjënë më të bukur, zgjedhjen më të mirë – që ta mbaja dhe ta sillja në jetë. Dhe sot them: çfarë kam bërë për ta merituar këtë fëmijë… Gjëja më e bukur që i ndodh një gruaje, edhe kur është në momente vështirësie dhe disfate, është që ta bekojë Zoti me emrin ‘nënë’,” tha aktorja.

    Vlen të theksohet se Arjola Demiri ka fituar disa çmime të rëndësishme në fushën e aktrimit, mes të cilave edhe çmimin për interpretimin më të mirë aktoresk në Festivalin Ndërkombëtar “Mono Akt”.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Arjola Demiri, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Besa Kabashi Ramaj rrëfen ndikimin e luftës në jetën e saj: “Nëse shpëtoj, jetën do t’ia kushtoj vendit tim”

    Besa Kabashi Ramaj rrëfen ndikimin e luftës në jetën e saj: “Nëse shpëtoj, jetën do t’ia kushtoj vendit tim”

    Besa Kabashi Ramaj është eksperte e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, me një përvojë të gjatë në këtë fushë… Profesionin e saj në e ka ushtruar duke punuar (edhe) në SHBA dhe Evropë.

    Së fundmi, ajo ishte e ftuar në emisionin “Libero” në ATV, ku ndau një rrëfim shumë personal dhe emocional mbi ndikimin e luftës në jetën e saj.

    Ajo tregoi se si përvoja e luftës e kishte ndryshuar rrënjësisht, duke e bërë të reflektojë mbi të ardhmen e saj dhe rolin që mund të luante në ndërtimin e shtetit të sapoçliruar. Pamjet e vuajtjes dhe mjerimit në fytyrat e qytetarëve të Kosovës u bënë një shtysë e fuqishme për të ndryshuar drejtimin e saj jetësor.

    “…Nuk është se e kam thënë, por e kam menduar që, nëse shpëtoj, pjesën tjetër të jetës do t’ia dedikoj vendit tim…Kur mendoj për luftën, më së shumti më kujtohen fytyrat e njerëzve që kam parë… Vuajtja, mjerimi që kanë përjetuar, janë vërejtur në fytyrat e tyre… M’u kishte fiksuar që, nëse shpëtoj, duhet të bëj diçka që fytyrat e ngrysura të bashkatdhetarëve të mi të kenë mundësinë të buzëqeshin…” tha Besa.

    Vlen të theksohet se Besa Kabashi Ramaj ka një diplomë masteri në Marrëdhënie me Publikun dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti i Pittsburgh-ut. Përveç angazhimit të saj politik dhe profesional, ajo është themeluese e një kompanie të specializuar në këshillimin strategjik, menaxhimin ekzekutiv dhe sigurinë kombëtare. Gjithashtu, ajo është një studiuese dhe autore e temave që lidhen me sigurinë kombëtare, mbrojtjen dhe sigurinë njerëzore, duke pasur disa botime në emer të saj.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Besa Kabashi Ramaj, klikoni në linkun e mëposhtëm:

     

  • Saranda Ramaj: Mora kredi 50 mijë euro për shkollim në Angli, do ta paguaj për 10 vjet

    Saranda Ramaj: Mora kredi 50 mijë euro për shkollim në Angli, do ta paguaj për 10 vjet

    Gazetarja Saranda Ramaj njihet për punën e saj në gazetarinë investigative dhe hulumtimet në sektorin e shëndetsisë dhe përtej… Ramaj për punën e saj ka fituar 19 çmime sosh… Së fundmi ajo ka bërë një shkëputje në gazetari, për shkak se është fokusuar krejtësisht në studimet e saj të nivelit master në Angli!

    Gazetarja Saranda Ramaj ishte ftuar në emisionin “Libero” në ATV, dhe foli për jetën e saj, profesionin dhe tregoi se a do të rikthehet në gazetari.

    Gjatë bisedës, Ramaj tregoi për përpjekjet e saj për të studiuar jashtë vendit dhe sfidat që ka hasur.

    Gjithashtu zbuloi se kishte fituar një bursë për studime, por për shkak të sëmundjes së nënës, nuk kishte mundur të shkonte në atë vit. Më vonë, vendosi të marrë një kredi prej 50 mijë eurosh, të cilën do ta paguajë për 10 vjet, pikërisht për t’i ndjekur studimet në Angli.

    “Me është dashur ta rris veten profesionalisht… Kam shkuar vitin e kaluar në Southampton… Kam aplikuar për bursë një vit paraprak, e kam marrë 100%, por nuk kam mundur të shkoj se e kam pas nanën sëmurë me kancer… Vitin pasues aplikova përsëri, por nuk e fitova… Kam vendos me hy në kredi… Kam marrë një kredi që do e paguaj për 10 vjet, rreth 50 mijë euro,”tha Ramaj.

    Ndër të tjera, ajo foli për të ardhmen e saj profesionale, duke treguar se ende nuk ka vendosur nëse do të rikthehet në gazetari, por është e sigurt që do të angazhohet në çështje me shendetësinë publike.

    “Ende nuk e kam vendosur sepse në Angli po tentoj të marr më të mirën në kuptimin e rritjes profesionale që kam synuar. Ajo që jam e sigurt është se do të bëj diçka në shëndetësi… Kur kam shkuar në Angli, më është rritur shumë dëshira, mezi pres të kthehem në Kosovë. Kur shoh ndonjë temë për shëndetësinë që mendoj se nuk merr trajtimin e duhur, nuk e di çfarë do të bëj saktësisht, por e di që do të merrem me shëndetësinë publike,” tha ajo.

    Vlen të ceket që Saranda ka punuar për më shumë se 10 vjet si gazetare në Koha Ditore, gjithashtu ka mbuluar prokurimin publik, sistemin e drejtësisë dhe korrupsionin në shëndetësi .

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Saranda Ramaj, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Nora Malaj: Lufta ime me tumorin dhe forca për ta mposhtur

    Nora Malaj: Lufta ime me tumorin dhe forca për ta mposhtur

    Avokatja dhe sociologia Nora Malaj ishte e ftuar në “Libero” në ATV, ku foli shumë për jetën e saj, vështirësitë që kishte kaluar dhe shumë aspekte të tjera të rëndësishme.

    Nora, për herë të parë, diskutoi për sëmundjen që kishte hasur. E përlotur, ajo rrëfeu se si zbuloi që kishte tumor dhe ndau fjalët e saj para se të hynte në sallën e operacionit, duke dashur me çdo kusht të kishte sukses, pasi kishte një djalë për të rritur.

    “…më tha e dashur Nora, ne do hyjmë në një operacion… Kur e mora vesh, i them atij që ishte i anestezisë: ‘Ti nuk ke shans të mos më nxjerrësh mua nga operacioni, se unë kam një djalë që duhet ta rris… Unë i provova të gjitha dhe ja ku jam, më e fortë se kurrë, më e zonja se kurrë dhe kam kuptuar që jetën mund ta sfidosh në të gjitha format,” tha Nora.

    Vlen të theksohet se Nora Malaj është autore e shumë botimeve, studimeve dhe artikujve të rëndësishëm. Ajo është profesoreshë e psikologjisë së edukimit në Universitetin Mesdhetar, ka qenë deputete në Parlamentin Shqiptar dhe gjithashtu zv. ministre e Arsimit.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Nora Malaj, klikoni linkun e mëposhtëm: