ATV

Author: Rona

  • A e dini që kafshët shtëpiake në Hong Kong tani kanë “kartë identiteti”?

    A e dini që kafshët shtëpiake në Hong Kong tani kanë “kartë identiteti”?

    Në Hong Kong, pronarët e qenve dhe maceve tani mund të regjistrojnë kafshët e tyre me microchip, një lloj identifikimi elektronik që përmban informacionin e kafshës dhe vaksinimet e saj. Kjo do t’i ndihmojë autoritetet t’i identifikojnë kafshët në rast humbjeje dhe të sigurojnë që ato janë vaksinuar dhe të kujdesura si duhet.

    Megjithatë, nuk bëhet fjalë për një kartë identiteti zyrtare si ajo e njerëzve. Foto që shpërndahen në rrjetet sociale, ku kafshët shfaqen me kartë dhe foto, janë më shumë suvenire ose dokumente informative për pronarët. Ato nuk kanë fuqi ligjore, por janë bërë shumë virale sepse tingëllojnë si një “kartë identiteti për kafshët”!

    Kjo nismë ndihmon gjithashtu pronarët që planifikojnë udhëtime ose shërbime veterinerike, sepse microchip-i ISO pranohet edhe jashtë Hong Kongut dhe e bën më të lehtë identifikimin ndërkombëtar të kafshës.

    Një hap i vogël për kafshët, por një ndryshim i madh për pronarët e tyre që duan të kujdesen sa më mirë për kafshët.

  • Luan Hasanaj: Jam fjalosur me shumë njerëz sepse nuk lejoj askënd të hedhë mbeturina

    Luan Hasanaj: Jam fjalosur me shumë njerëz sepse nuk lejoj askënd të hedhë mbeturina

    Luan Hasanaj është aktivist i angazhuar që nga rinia, me përvojë të gjerë në fushën e shoqërisë civile, veçanërisht në çështje mjedisore, rinore dhe të angazhimit qytetar.

    Së fundmi, Hasanaj ishte i ftuar në emisionin “Libero” në ATV, ku foli për jetën e tij personale dhe për angazhimin e tij si aktivist.

    Gjatë bisedës, Luani tregoi se në praninë e tij askush nuk guxon të hedhë mbeturina, dhe se shpesh është fjalosur me njerëz për këtë arsye.

    “Në praninë time nuk guxon askush me hedh mbeturina. Shumë herë kam udhëtuar për orë të tëra nga Istogu në Prishtinë, dhe ka qenë e rrallë dita që nuk kam parë dikë duke hedhur kanaçe apo pako cigare nga vetura. E përjetoj shumë keq, madje jam fjalosur shumë herë me njerëz. Ka ndodhur që edhe i kam zbritur nga makina ime vetëm pse kanë hedhur një filtër cigare… nuk jam i mëshirshëm në këtë çështje – ata që më njohin, e dinë mirë,” tha Hasanaj.

    Vlen të theksohet se Hasanaj është i njohur për organizimin e fushatave të mëdha vetëdijësuese dhe aksioneve vullnetare në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ai është drejtor ekzekutiv i organizatës “Let’s Do It Kosova – Ta Pastrojmë Kosovën”, si dhe drejtor rajonal për Evropën në Let’s Do It World.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Luan Hasanaj, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Saranda Bujupi Rama rrëfen betejën me tumorin: “Asnjëherë nuk jam dorëzuar”

    Saranda Bujupi Rama rrëfen betejën me tumorin: “Asnjëherë nuk jam dorëzuar”

    Moderatorja Saranda Bujupi Rama së fundmi ishte e ftuar në emisionin “Libero” në ATV, ku foli shumë sa i përket jetës së saj personale por edhe asaj profesionale.

    Gjatë intervistës, ajo ndau një histori shumë prekëse nga jeta e saj, betejën me një tumor në tiroide, me të cilin ishte përballur në vitin 2018.

    “Unë u përballa me një tumor në tiroide në vitin 2018 dhe ishte tumor i fazës së pare, ishte faza më e hershme e mundshme dhe kjo falë informacionit që kisha… Shkoja çdo gjashtë muaj për qejf, unë kam shkuar për qejf te mjeku dhe kam marrë një informacion që po përballesha me tumor. Asnjë moment gjatë kohës kur e kam marrë informacionin, kur kam bërë analizat dhe planifikimin e operacionit, as s’kam qarë, as s’jam thyer, as s’jam dorëzuar. Ka ardhur prej Zotit, bashkë kam me ia dalë me krejt çka i kam afër…” tha Saranda.

    Vlen të theksohet se ajo në vitin 2019 ka krijuar “Familja Jonë”, ku fokusi është te temat shëndetësore, që krahas si emision, funksionon edhe si portal. Gjithashtu për 4 vjet ka qenë pjesë e trupës teatrale të Drenasit, nën mentorimin e profesor Enver Petrovcit, me të cilin realizuan 4 shfaqje.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Saranda Bujupi Rama, klikoni linkun e mëposhtëm:

     

  • Diaspora në fokus: Si e pret Kosova mërgatën këtë verë

    Diaspora në fokus: Si e pret Kosova mërgatën këtë verë

    Vera në Kosovë nuk është thjesht një stinë – është ndjenjë, ritëm, kthim, e mbi të gjitha përjetim. Çdo qershor, korrik e gusht, rrugët e qyteteve mbushen me zëra, muzikë dhe gjallëri. Mijëra mërgimtarë kthehen në vendlindje për të gjetur jo vetëm familjen, por edhe vetë Kosovën. Por “çfarë i ofron Kosova diasporës gjatë verës?” është një nga pyetjet më të shpeshta.

    Pikërisht kjo çështje u diskutua edhe në emisionin “Libero” në ATV, ku të ftuar ishin Medina Bunjaku, drejtoreshë për diasporën në Vushtrri, dhe Adem Morina, drejtor i Kulturës në Prizren.

    Sa i përket pyetjes “Çfarë i ofron Kosova diasporës këtë verë?”, Medina Bunjaku foli për aktivitetet që organizohen në Vushtrri për mërgimtarët.

    “Ne si drejtori kemi në fokus aktivitete të ndryshme që zhvillohen gjatë muajve të verës, mirëpo edhe gjatë muajve të dimrit kur frekuentohet Vushtrria më shumë nga diaspora. Vlen të theksohet që ne vetëm i kemi që tre vite radhazi, në mënyrë koherente, ‘Ditët e Diasporës’, të cilat shoqërohen me koncerte, festivale të ndryshme, si edhe konferenca shoqërore e të tjera gjatë muajit korrik dhe gusht,” tha Bunjaku.

    Gjithashtu, edhe drejtori i Kulturës, Adem Morina, tregoi se çfarë i ofron Prizreni diasporës, duke theksuar se ata nuk mendojnë vetëm për verën kur bëhet fjalë për mërgimtarët, por nga muaji maj e deri në dhjetor kanë koncerte dhe aktivitete të ndryshme.

    “Prizreni nuk e ka vetëm këtë pjesën e verës… Që nga muaji maj e deri në dhjetor, Prizreni ka diku rreth 25 festivale të njohura ndërkombëtarisht, e të vogla ka akoma më tepër…‘Prizren Fest’ është festivali ndërkombëtar i teatrove që fillon më datë 21 dhe përfundon më datë 28 korrik…Në këtë festival marrin pjesë rreth 25 shtete nga Evropa dhe më gjerë. Ajo që e bën të veçantë këtë festival është fakti se të gjitha shfaqjet mbahen në vende të ndryshme të qytetit të Prizrenit,” tha Morina.

    Vlen të theksohet se e gjithë kjo ndodh brenda një sipërfaqeje të vogël, por me zemër të madhe. Në Kosovë, çdo qytet, çdo fshat, ka diçka për të ofruar – një përqafim, një këngë, një shëtitje në natyrë, një mbrëmje të paharrueshme. Kosova gjatë verës është vendi ku kultura tradicionale takohet me rininë moderne. Është vendi ku diaspora rikthehet jo vetëm për të pushuar, por për të qenë pjesë aktive e një vere që nuk harrohet lehtë.

    Për të ndjekur emisionin e plotë klikoni në linkun e mëposhtëm:

     

     

     

  • “5 gjermanë kanë ble banesa në Drenicë”

    “5 gjermanë kanë ble banesa në Drenicë”

    Fatmir Seferi është një ndër sipërmarrësit më të suksesshëm shqiptarë që jeton dhe vepron në Gjermani. Ai është pronar i disa hoteleve dhe restoranteve, të cilat përbëjnë një pjesë të pandashme të suksesit të tij në fushën e biznesit. Përveç gastronomisë, Seferi është aktiv edhe në fushën e ndërtimit dhe investimeve, ku së fundmi ka ndërmarrë një projekt transformues në qytetin e Skenderajt.

    Në një intervistë për emisionin “Libero” në ATV, Fatmir Seferi foli për rrugëtimin e tij drejt suksesit, sakrificat dhe sfidat që ka kaluar që nga mosha e hershme.

    Gjatë bisedës, Seferi ndau historinë e tij personale dhe profesionale, duke rrëfyer sfidat me të cilat u përball kur u largua nga Kosova në moshën 17-vjeçare, për të ndërtuar një jetë të re në Gjermani.

     “Nuk kam rënë në duar të policisë dhe deri në destinacionin e duhur kam shkuar pa asnjë telashe me policinë apo me policinë kufitare. Fillimi ishte i vështirë. Nuk dinim asgjë për fatin e pjesës tjetër të familjes në Kosovë, nuk kishim kontakt, ” u shpreh ai.

    Ai gjithashtu tregoi se filloi punën e parë si kamarier në një restorant në Gjermani. Me shumë përkushtim dhe ambicie, ai përparoi shpejt dhe mori rolin e drejtuesit të lokalit. Pikërisht aty lindi ideja për të ndërtuar diçka të vetën, së bashku me vëllezërit e tij.

    “Në vitin 2000 u punësova si kamarier në një restorant që sot është në pronësinë time. Pas 6 muajve pata fatin dhe mora udhëheqësinë e atij restoranti. Aty mora përvojën dhe thashë me vete: ‘Po nëse punën po ja kryejmë gjermanëve, pse të mos e bëjmë për vete?’ Erdhi rasti dhe u bashkuam me vëllain e madh, e sollëm edhe vëllain e vogël nga Kosova dhe filluam biznesin tone,” tha Fatmiri

    Në fund të intervistës, Seferi ndau edhe një fakt interesant ku tha që 5 gjermanë kanë blerë banesa në Skenderaj.

    “Pesë gjermanë tashmë kanë blerë banesa në Skenderaj. Qytetarët e shteteve evropiane – gjermanët, italianët dhe holandezët – pasi mbarojnë karrierën ose dalin në pension, duan të jetojnë në vende të tjera. Unë besoj se pas investimeve që do të ndodhin në Kosovë, Drenicë dhe Skenderaj, çmimet e pronave pas 10 vitesh do të dyfishohen,” shtoi Seferi.

    Vlen të theksohet se krahas angazhimit në sipërmarrje, Fatmir Seferi është i njohur edhe për pasionin e tij ndaj veturave luksoze. Koleksioni i tij përfshin disa nga makinat më të shtrenjta në botë – një pasion që buron nga dashuria për dizajnin, performancën dhe ndjesinë e ekskluzivitetit.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Fatmir Seferi, klikoni linkun e mëposhtëm:

     

  • Skënder Zogaj rrëfen takimet me Adem Jasharin: “Kam pirë kafe me të së paku 30 herë”

    Skënder Zogaj rrëfen takimet me Adem Jasharin: “Kam pirë kafe me të së paku 30 herë”

    Skënder Zogaj është poet, publicist dhe veprimtar nga Kosova, i njohur për kontributin e tij në letërsinë shqipe dhe për angazhimin në jetën politike e kulturore të vendit. Ai ka lënë gjurmë të thella në fushat e artit, publicistikës dhe politikës.

    Së fundmi, Zogaj ishte i ftuar në emisionin “Libero” në ATV, ku foli për jetën e tij personale, krijimtarinë letrare dhe përvojat gjatë viteve të veprimtarisë politike.

    Gjatë bisedës, ai ndau kujtime të rralla për takimet me komandantin Adem Jashari, të cilin e kishte njohur nga afër.

    “Kam pirë kafe me të së paku 30 herë… Ka qenë shumë i thjeshtë, kemi pirë kafe, kemi ndejt, kemi biseduar, po diapazoni i tij, zgjedhja e tij ka qenë për gjithçka në jetë me eksplodu, po e zëmë bash për luftën… që ka me vdek në luftë, ka qenë njëfarë parandjenje te unë. Ai ka pasë sakrificë në shpirt dhe aty dilemë nuk ka pasë,” u shpreh Zogaj.

    Vlen të theksohet se që nga demonstratat e vitit 1968, Skënder Zogaj ka qenë aktiv në lëvizjet politike djathtiste. Ai është një nga veteranët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), si dhe themeluesi dhe kryetari i parë i degës së kësaj partie në Fushë Kosovë. Përveç angazhimit politik, Zogaj ka një krijimtari të pasur letrare, me mbi 20 vepra të botuara në poezi, kritikë letrare e televizive dhe analiza publicistike.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Skënder Zogaj, klikoni linkun e mëposhtëm:

     

  • Si do të ishte qeverisja e Deçanit nëse kryeministër do të ishte Ramushi e jo Albini?- Përgjigjet kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj

    Si do të ishte qeverisja e Deçanit nëse kryeministër do të ishte Ramushi e jo Albini?- Përgjigjet kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj

    Bashkimi Ramosaj, kryetari i komunës së Deçanit, ka një karrierë të gjatë në shërbimin publik dhe është edhe ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Së fundmi, ai ishte i ftuar në emisionin “Libero” në ATV, ku foli jo vetëm për politikën në Deçan, por edhe për jetën e tij personale.

    Gjatë bisedës, ai u pyet se si do të ishte qeverisja e Deçanit nëse kryeministër do të ishte Ramush Haradinaj dhe jo Albin Kurti. Ramosaj u shpreh se këta dy udhëheqës vijnë nga perspektiva të ndryshme. Megjithatë, ai shtoi se nuk ka kuptuar si duhet qasjen ndaj projekteve zhvillimore.

    “Kur ka qenë Ramush Haradinaj kryeministër unë atëherë e kam marrë mandatin e parë si kryetar dhe jam munduar me dhënë një perspektivë tjetër qytetit dhe e kam pas shumë nder dhe shumë fat që kam arritur deri diku me përmbush atë misionin tonë që me kornizu qytetin në kahjen ku duhet me ecë… e ndërkohë unë punët tjera i kam bërë duke i shtyrë me zor për shkak se nuk jam kuptuar drejt me qasjen e projekteve,” tha ai.

    Vlen të theksohet se Bashkim Ramosaj ka qenë aktivist i Lëvizjes Politike gjatë periudhës 1989-1997. Në vitin 2022, ai u zgjodh udhëheqës i degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Deçan për një mandat katërvjeçar. Nën drejtimin e tij si kryetar i komunës, Deçani është konsideruar model zhvillimi lokal, veçanërisht në fushat e arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës dhe turizmit. Ramosaj ishte gjithashtu iniciator dhe komandant për themelimin e Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Komunën e Deçanit gjatë viteve 2005-2008. Ai është themelues i ndërmarrjes komunale “Higjiena” dhe i Shoqatës Bjeshkatare.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Bashkim Ramosaj, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Anton K. Berishaj analizon shkaqet sociologjike të dhunës ndaj grave në shoqërinë shqiptare

    Anton K. Berishaj analizon shkaqet sociologjike të dhunës ndaj grave në shoqërinë shqiptare

    Ndryshimet shoqërore dhe roli në zhvillim i gruas në shoqërinë shqiptare kanë nxitur diskutime të gjera në opinionin publik dhe akademik.

    Një perspektivë mbi këto zhvillime dha së fundmi sociologu, profesori universitar dhe akademiku nga Malësia e Madhe, Anton K. Berishaj, gjatë një interviste në emisionin “Libero” në ATV.

    Gjatë bisedës, Berishaj u ndal veçanërisht te roli i grave në shoqëri, duke theksuar se gratë sot janë duke u pavarësuar dhe nuk e pranojnë më trajtimin e padrejtë. Ai theksoi se dhuna shpesh është pasojë e përpjekjes për të ruajtur një pozitë të vjetër dominimi nga ana e burrave.

    “Ajo arsimohet, punësohet, pavarësohet ekonomikisht, nuk është e gatshme më të pajtohet me trajtimin që i bëhet, as nga ana e shoqërisë, as nga familja, as nga burri… Dhe burrat nuk e kanë të lehtë ta përballojnë këtë. Ky civilizim i ri i nxit; është një ndjenjë e humbjes së privilegjit, edhe e jetës në majë të piramidës familjare dhe shoqërore. Rrallë të vret dikush që është i panjohur, që s’ka punë me ty, por të vrasin ata me të cilët ke jetuar, ata që nuk duan të përfillin atë insistimin e atyre me të mbajt në nivelin në të cilin ke qenë me shekuj,” tha Berishaj.

    Vlen të theksohet se në vitin 1992 ai themeloi Zyrën e Fondit për Shoqëri të Hapur për Kosovë, më vonë të njohur si Fondacioni Soros dhe KFOS, të cilën e udhëhoqi në cilësinë e koordinatorit deri në luftën e vitit 1999. Gjithashtu autorësinë e akademik Anton K. Berishajt e mbajnë një numër i madh artikujsh shkencorë, libra autorialë dhe bashkautorë, si dhe libra shkollorë.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Anton K. Berishaj, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • A duhet të mësohet për UÇK-në në librat shkollorë? – Ky është mendimi i historianit Frashër Demaj

    A duhet të mësohet për UÇK-në në librat shkollorë? – Ky është mendimi i historianit Frashër Demaj

    Historiani Frashër Demaj ka botuar 47 punime shkencore në revista dhe publikime të ndryshme, si në Kosovë ashtu edhe jashtë vendit. Ai është autor i 24 monografive, teksteve shkollore dhe botimeve të veçanta . Më 2 dhjetor 2024, u zgjodh anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

    Së fundmi, Demaj ishte i ftuar në emisionin “Libero” në ATV, ku foli për historinë e shqiptarëve dhe jetën e tij personale.

    Gjatë bisedës, Demaj tha se duhet kujdes kur mësohet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën në librat shkollorë, duke theksuar se nuk është e mundur të përfshihen të gjitha ngjarjet historike në një tekst të vetëm dhe se duhet të ruhen balancat për të mos e mbingarkuar nxënësin me informacione.

    “Jo gjithë historinë e nxënë një tekst historie në një klasë të caktuar… gjithmonë duhet pasur kujdes mos mi ngarku nxënësit me informacione, sepse ekziston rreziku që ata ta shohin këtë situatë si të patejkalueshme dhe të dorëzohen krejt… Për luftën e Kosovës janë shkruar libra, janë bërë studime, janë botuar monografi, mirëpo ekziston edhe një pjesë e madhe e dokumentacionit arkivor që nuk është hapur dhe nuk iu mundësohet studiuesve të merren me të,” tha Demaj.

    Vlen të theksohet se Frashër Demaj ka qenë deputet i zgjedhur në Kuvendin e Republikës së Kosovës në legjislaturën Vll (2019-2021). Gjithashtu që nga viti 2010, ai ligjëron në studime të rregullta dhe programe master në universitete dhe kolegje të ndryshme, si dhe ka dhënë leksione në Universitetin e Barit Aldo Moro në Itali.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Frashër Demaj, klikoni linkun e mëposhtëm:

     

  • Pse nga muzika në politikë? – Kjo është përgjigjia e deputetes në Maqedoninë e Veriut, Saranda Imerit

    Pse nga muzika në politikë? – Kjo është përgjigjia e deputetes në Maqedoninë e Veriut, Saranda Imerit

    Politikanja nga Maqedonia e Veriut, Saranda Imeri Stafai, është aktive në politikë që nga viti 2013. Në vitin 2024 ajo mori mandatin si deputete, ndërsa në dhjetor të po këtij viti u zgjodh kryetare e Forumit të Gruas.Përveç angazhimit politik, Saranda ka një të kaluar artistike. Që në moshë të re është marrë me muzikë dhe në moshën 15-vjeçare incizoi albumin e saj të parë.

    Së fundmi, ajo ishte e ftuar në emisionin “Libero” në ATV, ku foli për jetën e saj personale, rrugëtimin nga muzika në politikë dhe sfidat që gratë përballin në këtë fushë.

    Gjatë intervistës, Saranda tregoi pse zgjodhi politikën dhe sa e vështirë ishte për të përshtatja në këtë ambient sfidues.

    “Politika ka qenë gjithmonë prezente në shtëpinë time. Unë këtë pasion e kam trashëguar nga babai… Të kalosh prej një fushe që ka të bëjë vetëm me të bukurën, me muzikën, me harenë, në një fushë ku kërkohet seriozitet dhe qasje tjetër, ishte e vështirë, mirëpo me ndihmë, me përkrahje, e adaptova… Mua më vjen keq se sakrifikova profesionin tim, pasionin tim për muzikën, që të angazhohem në politikë, sepse jo çdo kush pajtohet me ideologjinë tënde… Dhe ajo sikur krijon njëfarë hutie dhe një dozë urrejtje nga publiku, gjë e cila nuk kisha dashur të ndodhë asnjëherë,” tha ajo.

    Vlen të theksohet se Saranda Imeri Stafai ka përfunduar studimet për Gjuhë Angleze dhe Letërsi. Ajo ka marrë pjesë në festivale muzikore si “Nota Fest”, “Polifest” dhe “Netët e Klipit”, ku është nderuar me çmime të ndryshme. Gjatë periudhës së studimeve, ka punuar edhe për organizata të ndryshme, përfshirë OSBE-në, ku ka shërbyer si përkthyese gjatë kohës së luftës në Kosovë.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Saranda Imeri Stafai, klikoni linkun e mëposhtëm: