ATV

Author: N.T.

  • Valverde zbulon të vërtetën: “Unë nuk jam idhulli i djalit tim, është Vinícius”

    Valverde zbulon të vërtetën: “Unë nuk jam idhulli i djalit tim, është Vinícius”

    Mesfushori i Real Madrid, Federico Valverde, ka dhënë një deklaratë të sinqertë mbi marrëdhënien me djalin e tij dhe idhujt që ai ndjek në futboll.

    Valverde shpjegoi se djali i tij nuk e sheh atë si model kryesor në sport: “Unë nuk jam idhulli i djalit tim. Nuk jam unë. Ai vjen në stadium për të parë Vini,” ka thënë uruguaji, duke iu referuar yllit brazilian të ekipit, Vinícius Júnior.

    Deklarata e tij nënvizon jo vetëm ndikimin e madh të Viníciusit te tifozët e rinj, por edhe admirimin që të vegjlit kanë për lojtarët e mëdhenj që performojnë në fushë, pavarësisht lidhjeve familjare me futbollistë profesionistë.

    Ky moment ka tërhequr vëmendjen e mediave sportive, duke treguar se edhe yjet e futbollit mund të shihen si modele për brezat e rinj, por ndonjëherë jo domosdoshmërisht nga fëmijët e tyre.

  • Nani parashikon 1000 gola për Cristiano Ronaldon: Do ta arrijë pa problem

    Nani parashikon 1000 gola për Cristiano Ronaldon: Do ta arrijë pa problem

    Ish-mesfushori i Kombëtarës së Portugalisë dhe bashkëlojtar i dikurshëm i Cristiano Ronaldo, Nani, ka bërë një parashikim ambicioz për legjendën portugeze, duke theksuar se Ronaldo mund të arrijë 1000 gola të dokumentuar në karrierën e tij.

    “Unë nuk kam asnjë dyshim. Cristiano do të arrijë 1000 gola të dokumentuar lehtësisht,” tha Nani, duke shtuar se dëshira e sulmuesit është të shënojë çdo gol të regjistruar zyrtarisht.

    Ai krahasoi Ronaldo me ikonat e mëparshme të futbollit, si Pelé dhe Romário, të cilët pretenduan të arrinin shifra të larta, por jo të gjitha golat e tyre ishin të regjistruar në mënyrë zyrtare.

    Nani shtoi me humor se Ronaldo mund të bënte edhe një film me të gjithë golat e tij: “Ai do ta arrijë, edhe nëse do të duhet të luajë në ligat më të ulëta profesionale në botë për ta bërë këtë. Por nuk do ta ketë nevojë.”

    Deklaratat e Nani tregojnë jo vetëm respektin dhe admirimin për kolegun e tij, por edhe dëshirën e Cristiano Ronaldos për të vendosur rekorde historike në futbollin botëror.

  • Federico La Penna përballet me kërcënime pas Derby d’Italia, ka paraqitur rastin në polici dhe prokurori

    Federico La Penna përballet me kërcënime pas Derby d’Italia, ka paraqitur rastin në polici dhe prokurori

    Gjyqtari i Serie A, Federico La Penna, ka paraqitur në polici dhe prokurori kërcënimet me vdekje që ka marrë online pas Derby d’Italia mes Inter Milan dhe Juventus, që u zhvillua të shtunën në “San Siro”.

    Ndeshja përfundoi 3-2 në favor të Interit, por përjashtimi i mbrojtësit juventin, Pierre Kalulu, në minutën e 42-të ka shkaktuar reagime të forta. Kalulu ishte ndëshkuar me karton të verdhë në minutën e 32-të për një faull ndaj Nicolo Barella dhe më pas u përjashtua për një kontakt me Alessandro Bastoni, vendim që shumë ekspertë e konsideruan të diskutueshëm. Pamjet treguan se Bastoni mund të kishte simuluar për të nxjerrë kundërshtarin me karton të kuq.

    Duke qenë se bëhej fjalë për karton të dytë të verdhë, VAR-i nuk kishte të drejtë të ndërhynte, dhe rregullat nuk lejojnë masa disiplinore me efekt prapaveprues.

    Sipas raportimeve të Corriere dello Sport, kërcënimet për La Pennan përfshinin jo vetëm sulme personale, por edhe kërcënime ndaj familjes së tij. Një hetim është hapur menjëherë dhe rezultatet e tij priten së shpejti.

    Gjyqtari nuk pritet të gjykojë ndeshjet e Serie A këtë fundjavë, por mund të rikthehet në raundin pasues, qoftë si gjyqtar i katërt apo në rolin e VAR-it. Incidenti tregon presionin e madh dhe tensionin që mund të përjetojnë arbitrat në ndeshje me rëndësi të jashtëzakonshme si Derby d’Italia.

  • Enzo Fernández dominon mesfushën e Premier League me rastet më të mira për gol te Chelsea

    Enzo Fernández dominon mesfushën e Premier League me rastet më të mira për gol te Chelsea

    Mesfushori i Chelsea, Enzo Fernández, po kalon një sezon të jashtëzakonshëm në Premier League, duke u bërë një nga lojtarët më vendimtarë dhe më të rrezikshëm për skuadrën londineze.

    Sipas statistikave të avancuara, Enzo ka krijuar më shumë raste të mira për shënim sesa çdo mesfushor tjetër në Premier League këtë sezon. Me fjalë të thjeshta, ai është lojtari që shpesh gjendet në vendet më të favorshme për të shënuar, duke i dhënë Chelseat një avantazh të madh në sulm.

    Përveç numrave, paraqitjet e tij në fushë tregojnë një mesfushor të kompletuar: vizion i shkëlqyer, saktësi në pasime dhe aftësi për të depërtuar në zonën kundërshtare. Ky kombinim e bën Enzon një nga elementët më të rëndësishëm në skemat e trajnerit dhe një nga mesfushorët më të rrezikshëm në futbollin evropian.

    Me ndikimin e tij të vazhdueshëm në lojën e Chelseat dhe statistikat që e mbështesin, Enzo Fernández po konfirmohet si një nga emrat kryesorë që do të ndjekim gjatë gjithë sezonit dhe një nga mesfushorët më të mirë në botë këtë vit.

  • Vinícius zbulon prapaskenat: I shkruaja çdo verë Mbappés, doja ta sillja te Real Madridi”

    Vinícius zbulon prapaskenat: I shkruaja çdo verë Mbappés, doja ta sillja te Real Madridi”

    Ylli brazilian i Real Madrid, Vinícius Júnior, ka zbuluar se ka luajtur një rol aktiv në përpjekjet për të bindur Kylian Mbappé që t’i bashkohej gjigantit spanjoll.

    Në një deklaratë që ka bërë xhiron e mediave, Vinícius ka pranuar se e kontaktonte rregullisht sulmuesin francez gjatë merkatos verore.

    “Çdo verë i dërgoja mesazh: ‘Kur po vjen?’ Ishte si të isha agjenti i tij,” ka thënë braziliani me humor, duke lënë të kuptohet se dëshira për ta parë Mbappén në “Santiago Bernabéu” ka qenë e kahershme.

    Por Mbappé nuk ishte i vetmi objektiv i Viníciusit. Ai zbuloi se ka bërë të njëjtën gjë edhe me mesfushorin anglez Jude Bellingham, i cili tashmë është një nga figurat kyçe të skuadrës madrilene.

    “Dua të luaj me më të mirët për të pasur më shumë mundësi për të fituar,” theksoi Vinícius, duke konfirmuar ambicien e lartë që ekziston brenda dhomave të zhveshjes së Real Madridit.

    Deklarata e tij dëshmon jo vetëm mentalitetin fitues të brazilianit, por edhe frymën e unitetit dhe projektin ambicioz të klubit madrilen për të mbledhur talentet më të mëdha të futbollit botëror në të njëjtën skuadër.

  • Rahoveci gati për spektaklin e Kupës, Finalja Trepça – Bashkimi zbarkon në “Mizahir Isma”

    Rahoveci gati për spektaklin e Kupës, Finalja Trepça – Bashkimi zbarkon në “Mizahir Isma”

    Në selinë e Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është zyrtarizuar marrëveshja për organizimin e finales së Kupës së Kosovës, një nga ngjarjet më të mëdha të basketbollit vendor.

    Sipas marrëveshjes së arritur, organizimin e superfinales e merr përsipër KB Rahoveci 029, me mbështetje të plotë institucionale dhe organizative nga FBK-ja. Dokumenti u nënshkrua nga kryetari i klubit rahovecas, Indrit Krasniqi, dhe Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm dhe Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Adriatik Rraci. Të dy palët u shprehën të vendosura që finalja të ofrojë organizim model dhe atmosferë të denjë për një event të këtij niveli.

    Finalja e madhe do të zhvillohet të mërkurën në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, me fillim nga ora 19:30. Në parket do të përballen dy emra të mëdhenj të basketbollit kosovar, KB Trepça dhe KB Bashkimi, në një duel që pritet të sjellë rivalitet, emocione dhe tribuna të zjarrta.

    Çmimi i biletës për këtë superfinale është 5 euro, ndërsa organizatorët presin një pjesëmarrje të madhe të tifozëve për ta kthyer Rahovecin në epiqendrën e basketbollit kosovar për një mbrëmje.

  • Messi revolucionon Inter Miamin, të ardhurat trefishohen dhe klubi arrin vlerën 1.35 miliardë dollarë

    Messi revolucionon Inter Miamin, të ardhurat trefishohen dhe klubi arrin vlerën 1.35 miliardë dollarë

    Kur Lionel Messi iu bashkua Inter Miami CF në verën e vitit 2023, pak kush e imagjinonte ndikimin e menjëhershëm që do të kishte jo vetëm në fushë, por edhe në financat e klubit amerikan. Sot, efekti “Messi” është më i dukshëm se kurrë.

    Sipas raportimeve të Forbes, të ardhurat e Inter Miamit janë rritur në mënyrë marramendësem, nga 56 milionë dollarë para ardhjes së yllit argjentinas, në rreth 200 milionë dollarë aktualisht. Një rritje spektakolare që e ka shndërruar klubin në një nga markat më të fuqishme në futbollin amerikan.

    Jo vetëm kaq. Inter Miami është bërë skuadra e parë në Major League Soccer me një vlerë tregu prej 1.35 miliardë dollarësh, duke vendosur një standard të ri ekonomik në kampionatin amerikan. Në aspektin sportiv, “Herons” kanë fituar trofe dhe kanë konsoliduar statusin e tyre si një nga ekipet më të forta në MLS.

    Tashmë, skuadra po përgatitet për sezonin e ri, ku do ta nisë fushatën e rregullt në orët e para të 22 shkurtit përballë Los Angeles FC. Inter Miami hyn në këtë sezon si kampion në fuqi, me objektivin për të konfirmuar dominimin dhe për të zgjeruar më tej suksesin brenda dhe jashtë fushës.

    Ndërkohë, ambiciet nuk ndalen këtu. Pronari i klubit, legjenda angleze David Beckham, vijon të ëndërrojë projekte edhe më të mëdha. Inter Miami po monitoron nga afër situatën e Cristiano Ronaldo, duke mbajtur të hapur mundësinë e një tjetër transferimi “galaktik” që do ta kthente MLS-në në epiqendrën e futbollit botëror.

    Me Messin si lider dhe me ambicie të qarta në merkato, Inter Miami po ndërton një epokë të re, një projekt që po ndryshon historinë e sportit në Shtetet e Bashkuara.

  • Raundi i pestë i FA Cup: Sfidë e fortë për Cityn, Arsenal me short të favorshëm

    Raundi i pestë i FA Cup: Sfidë e fortë për Cityn, Arsenal me short të favorshëm

    Shorti i raundit të pestë të FA Cup ka prodhuar përballje mjaft interesante dhe tablo të ndryshme për pretendentët kryesorë të trofeut më të vjetër në futbollin anglez. Kompeticioni, i cili zhvillohet me sistem ndeshjesh teke, premton emocione dhe surpriza në këtë fazë vendimtare.

    Një nga sfidat më të forta do të jetë ajo mes Manchester City dhe Newcastle United, me kampionët në fuqi që do të udhëtojnë drejt “St James’ Park”. Edhe pse Newcastle nuk po kalon sezonin më të qëndrueshëm, skuadra mbetet e rrezikshme në fushën e saj dhe me ambicie të qarta për të shkuar larg në kupë.

    Një transfertë delikate pret edhe Liverpool, që do të përballet me Wolverhampton Wanderers. “Të kuqtë” do të synojnë të shmangin çdo surprizë ndaj një kundërshtari që tradicionalisht i hap probleme skuadrave të mëdha, sidomos në ndeshje direkte.

    Nga ana tjetër, Chelsea do të udhëtojë drejt Uellsit për t’u ndeshur me Wrexham AFC, skuadrën që ka marrë vëmendje të madhe ndërkombëtare vitet e fundit. Klubi është në pronësi të yjeve të Hollivudit, Ryan Reynolds dhe Rob McElhenney, të cilët e kanë kthyer Reksamin në një histori suksesi dhe marketingu në futbollin britanik.

    Ndërkohë, Arsenal ka “peshkuar” në letër kundërshtarin më të lehtë mes pretendentëve, pasi do të jetë mysafir i Mansfield Town, skuadër e kategorisë së tretë. Mensfilldi vjen i motivuar pas eliminimit surprizë të Burnley, duke treguar se në FA Cup diferencat në letër shpesh nuk vlejnë në fushë.

    Raundi i pestë pritet të dhurojë spektakël dhe tension maksimal, me skuadrat e mëdha që synojnë të hedhin një tjetër hap drejt finales në “Wembley”, ndërsa ekipet më modeste kërkojnë të shkruajnë historinë e tyre në kompeticionin legjendar anglez.

  • Goditje e rëndë për Real Madridin, lëndimi i Bellingham më serioz se sa pritej

    Goditje e rëndë për Real Madridin, lëndimi i Bellingham më serioz se sa pritej

    Një lajm aspak i mirë për Real Madrid dhe tifozët e tij. Sipas raportimit të The Athletic, lëndimi i Jude Bellingham është më i komplikuar nga sa ishte menduar fillimisht.

    Mesfushori anglez pritej të qëndronte jashtë fushave rreth katër javë, por tani raportohet se periudha e rikuperimit do të zgjasë 6 deri në 8 javë, duke e kthyer situatën në një goditje të madhe për “Los Blancos”.

    Mungesa e Bellingham vjen në një moment vendimtar të sezonit, ku madrilenët janë në garë në kampionat dhe në arenën evropiane. 21-vjeçari ka qenë një nga lojtarët kyç të skuadrës, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm me gola dhe paraqitje vendimtare.

    Stafi mjekësor i klubit po monitoron nga afër situatën, ndërsa rikthimi i tij pritet vetëm pas një rikuperimi të plotë, për të shmangur çdo rrezik të rikthimit të lëndimit.

    Pa yllin anglez, Real Madrid do të duhet të gjejë zgjidhje alternative në mesfushë në javët vendimtare që e presin.

  • Zyrtare: Dion Gallapeni huazohet te Wisła Płock me opsion blerjeje

    Zyrtare: Dion Gallapeni huazohet te Wisła Płock me opsion blerjeje

    Dion Gallapeni do ta vazhdojë karrierën në Poloni, pasi është huazuar nga Widzew Łódź te Wisła Płock deri në fund të sezonit 2025/2026, me opsion blerjeje.

    21-vjeçari, i lindur më 22 dhjetor 2004, hapat e parë në futboll i bëri te klubi lokal Winner Prizren, ndërsa më pas u transferua te FC Prishtina. Fillimisht pjesë e ekipeve zinxhir, ai debutoi me ekipin e parë në vitin 2023 dhe shumë shpejt u shndërrua në një nga lojtarët më premtues të skuadrës.

    Me Prishtinën regjistroi 61 paraqitje, duke realizuar 5 gola dhe 10 asistime. Vetëm në elitën e futbollit kosovar ai numëroi 49 ndeshje, 2 gola dhe 8 asistime, ndërsa fitoi dy Kupa të Kosovës dhe një Superkupë.

    Në verën e kaluar, Gallapeni u transferua përfundimisht te Widzew Łódź, ku gjatë këtij sezoni zhvilloi 10 ndeshje dhe realizoi një gol në elitën polake, si dhe shtoi dy paraqitje në Kupën e Polonisë. Ironikisht, ndeshjen e tij të parë të plotë në kampionat e zhvilloi pikërisht ndaj Wisła Płock, në barazimin 1-1.

    Tashmë, anësori i majtë do të ketë mundësinë të dëshmojë vlerat e tij me fanellën e Wisła Płock, skuadër që aktualisht renditet në vendin e dytë në kampionatin polak me 33 pikë dhe synon objektiva madhore këtë sezon.

    Në mars 2025, Gallapeni debutoi edhe me Kombëtarja e Kosovës, ku deri më tani ka regjistruar nëntë paraqitje, duke fituar besimin e stafit teknik dhe një vend të qëndrueshëm në formacion.