ATV

Author: N.T.

  • Kosova drejt një miqësoreje historike me Poloninë në muajin qershor

    Kosova drejt një miqësoreje historike me Poloninë në muajin qershor

    Kosova mund të jetë shumë pranë një tjetër sfide interesante ndërkombëtare, teksa po diskutohet mundësia e zhvillimit të një ndeshjeje miqësore ndaj Polonisë gjatë muajit qershor, një përballje që do të kishte vlerë historike për të dyja përfaqësueset.

    Sipas raportimeve nga media polake “Fakt”, Federata e Polonisë është në negociata për të finalizuar këtë takim si miqësoren e dytë të muajit, pasi tashmë ka konfirmuar një përballje me Nigerinë. Në këtë kuadër, Kosova shihet si një nga opsionet më serioze për kundërshtarin tjetër.

    Ende nuk është përcaktuar stadiumi ku mund të luhet kjo ndeshje, por në Poloni po shqyrtohen disa alternativa, përfshirë qytete si Gdańsk, Wrocław, Poznań dhe Chorzów.

    Nëse marrëveshja arrihet, kjo do të jetë hera e parë që Kosova dhe Polonia përballen mes vete, qoftë në një ndeshje miqësore apo zyrtare, duke i dhënë këtij dueli një rëndësi të veçantë.

    Të dyja kombëtaret vijnë pas një periudhe të ngarkuar në muajin mars, ku synuan kualifikimin për Kupën e Botës përmes fazës “play-off”. Kosova arriti deri në finale pasi eliminoi Sllovakinë në gjysmëfinale, por u ndal nga Turqia në ndeshjen vendimtare. Ndërkohë, Polonia mposhti Shqipërinë në gjysmëfinale, por u eliminua në finale nga Suedia.

    Mediat polake kanë vlerësuar nivelin në rritje të Kosovës dhe cilësinë e lojtarëve të saj, duke e konsideruar këtë përballje si një test serioz dhe të dobishëm për të dyja skuadrat në prag të sfidave të ardhshme ndërkombëtare.

  • Play-off-i në Superligë ndizet, Peja kërkon përmbysje, Ylli dhe Bora pranë gjysmëfinales

    Play-off-i në Superligë ndizet, Peja kërkon përmbysje, Ylli dhe Bora pranë gjysmëfinales

    Në mesjavë rikthehen emocionet e “Play-off”-it në ProCredit Superligë, me ndeshjet e dyta të fazës çerekfinale që pritet të sjellin spektakël dhe vendime të rëndësishme për gjysmëfinalistët.

    Vëmendja kryesore është në derbin verdhezi mes Pejës dhe Golden Eagle Yllit, që njëkohësisht është edhe çerekfinalja më e fortë e kësaj faze. Në ndeshjen e parë, skuadra nga Theranda triumfoi 93:82 në një duel të luftuar deri në fund. Pejanët kërkojnë me çdo kusht fitoren për ta barazuar serinë në 1:1 dhe për ta çuar vendimin në ndeshjen e tretë, ndërsa Ylli synon një tjetër fitore që do t’i siguronte kualifikimin e menjëhershëm në gjysmëfinale, ku tashmë e pret Trepça.

    Në sfidën tjetër, Sigal Prishtina përballet me Borën, ku kjo e fundit ka marrë një avantazh të madh pas fitores së thellë në takimin e parë 105:67. Bora është shumë pranë historisë dhe kualifikimit në gjysmëfinale, ku e pret Bashkimi, ndërsa Prishtina do të kërkojë një paraqitje krejt tjetër për të mbajtur gjallë shpresat.

    Sipas formatit të garës, skuadra që arrin dy fitore kualifikohet në gjysmëfinale, ndërsa për të shkuar në finale duhen tre fitore, kurse për titullin kampion nevojiten katër fitore.

  • Ronaldinho në Netflix, magjia, lavdia dhe jeta e trazuar e një legjende të futbollit

    Ronaldinho në Netflix, magjia, lavdia dhe jeta e trazuar e një legjende të futbollit

    Legjenda braziliane Ronaldinho rikthehet sërish në qendër të vëmendjes përmes një miniserie të re dokumentare nga Netflix, e cila sjell një portret të plotë të një prej figurave më magjepsëse në historinë e futbollit botëror. Dokumentari me titull “Ronaldinho Gaúcho: el único e inigualable”, që publikohet më 16 prill, zbulon jo vetëm magjinë e tij në fushë, por edhe jetën e tij plot ulje-ngritje jashtë saj.

    Në këtë dokumentar, ish-ylli i Barcelonës dhe i Brazilit rrëfen me sinqeritet marrëdhënien e tij të veçantë me futbollin dhe gëzimin që i jepte loja: “Isha shumë i lumtur duke luajtur dhe njerëzit thoshin se ishin të lumtur duke më parë mua duke luajtur”. Kjo filozofi e thjeshtë e lojës e bëri atë një nga futbollistët më të dashur për tifozët në mbarë botën.

    Vlerësimet për Ronaldinhon nuk mungojnë as nga emrat më të mëdhenj të futbollit modern. Lionel Messi ka pranuar ndikimin e tij të jashtëzakonshëm, duke thënë: “Ndoshta ai ishte më i rëndësishëm për mua sesa unë për të”. Ndërkohë, Neymar e përshkruan si futbollistin që “e bëri botën të dashurohej me futbollin”. Edhe vetë Ronaldinho nuk ka hezituar kurrë të shfaqë vetëbesimin e tij të madh: “E sheh gjithë këtë që quhet botë? Unë jam më i miri në të”.

    Por dokumentari nuk ndalet vetëm te lavdia dhe momentet magjike në fushë. Ai sjell në pah edhe anën më të errët të jetës së tij, ku jeta e natës dhe festat ndikuan në mënyrë të drejtpërdrejtë në karrierë. Ish-trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Fernández, rrëfen një episod të bujshëm kur Ronaldinho kishte mbërritur në mëngjes herët, vetëm disa orë para një ndeshjeje.

    Një nga momentet më të vështira të jetës së tij mbetet edhe arrestimi në Paraguaj për përdorim dokumentesh false, ngjarje që shënoi një periudhë të errët në jetën e ish-yllit brazilian.

    Në dokumentar marrin pjesë edhe legjenda të tjera si Ronaldo Nazário, Roberto Carlos dhe Carles Puyol, të cilët ndihmojnë në ndërtimin e një tabloje të plotë të jetës dhe karrierës së një prej futbollistëve më karizmatikë dhe unikë që ka njohur ndonjëherë loja.

  • Mbappe flet për jetën te Real Madridi: Një dhuratë nga Zoti të luash në klubin më të madh në botë

    Mbappe flet për jetën te Real Madridi: Një dhuratë nga Zoti të luash në klubin më të madh në botë

    Në një intervistë për revisten spanjolle GQ, Kylian Mbappe ka folur gjerësisht për rrugëtimin e tij në futboll, jetën te Real Madridi dhe sfidat që sjell loja në nivelin më të lartë, duke dhënë një pasqyrë më të thellë përtej paraqitjeve në fushë.

    Sulmuesi francez u ndal te presioni i madh që shoqëron futbollin modern, kalendari i ngjeshur dhe rëndësia e forcës mendore për të qëndruar në majë. Sipas tij, suksesi nuk varet vetëm nga talenti, por edhe nga qëndrueshmëria psikologjike dhe aftësia për të udhëhequr në momentet vendimtare.

    Duke folur për Real Madridin, Mbappe e përshkruan si një ëndërr të realizuar dhe një privilegj të madh për çdo futbollist.

    “Për mua, është si një dhuratë nga Zoti. Të kem mundësinë të jetoj me pasionin tim, të luaj ndeshjet më të mira dhe të jem në klubin më të mirë në botë”, u shpreh ai.

    Francezi shton se çdo ditë e kaluar në Madrid është një eksperiencë e veçantë, ku motivimi dhe përgjegjësia ecin bashkë.

    “Jam gjithmonë jashtëzakonisht mirënjohës që jam në fushë, që zgjohem çdo mëngjes për të bërë atë që më bën të lumtur”, ka thënë Mbappe.

    Ai nuk ka lënë pa përmendur as “Santiago Bernabeu”, të cilin e konsideron një nga stadiumet më të veçanta në botë për nga historia dhe atmosfera që krijohet në çdo ndeshje.

    “Më pëlqen të jem në fushë dhe të ndjej se po luaj në një nga stadiumet më të mira në botë, në një vend që është ndër më të mëdhenjtë në historinë e futbollit”, ka deklaruar francezi.

    Në këtë intervistë, Mbappe ka folur gjithashtu për mentalitetin fitues që kërkon Real Madridi dhe për përgjegjësinë që vjen me fanellën e bardhë, duke theksuar se çdo ndeshje është një sfidë më vete dhe një mundësi për të shkruar histori të re.

  • PSG nderon Diogo Jotën në Liverpool, gjest respekti para përballjes së Ligës së Kampionëve

    PSG nderon Diogo Jotën në Liverpool, gjest respekti para përballjes së Ligës së Kampionëve

    Paris Saint-Germain ka bërë një gjest të veçantë respekti në Liverpool, duke nderuar kujtimin e Diogo Jotës me një vizitë në memorialin e ngritur për ish-futbollistin e “The Reds”.

    Skuadra kampione e Evropës, e udhëhequr edhe nga disa prej lojtarëve portugezë në përbërje, së bashku me presidentin Nasser Al-Khelaifi, u ndalën pranë memorialit për të vendosur lule dhe për të bërë homazhe në nderim të tij. Ky akt u pa si një shenjë e fortë respekti dhe solidariteti mes dy klubeve të mëdha evropiane, të cilat së shpejti do të përballen edhe në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve.

    Diogo Jota u nda nga jeta në moshën 28-vjeçare gjatë verës, pas një aksidenti tragjik rrugor në autostradën A52 në Zamora të Spanjës, së bashku me vëllain e tij André Silva. Dy vëllezërit po udhëtonin drejt Santanderit, ku do të merrnin tragetin për t’u kthyer në Mbretërinë e Bashkuar.

    Ky homazh i PSG-së ka prekur opinionin sportiv, duke treguar se përtej rivalitetit në fushë, futbolli mbetet edhe një familje e madhe respekti dhe kujtimi.

  • Conte te Napoli, vendimi i madh afër, vazhdim apo ndarje në fund të sezonit

    Conte te Napoli, vendimi i madh afër, vazhdim apo ndarje në fund të sezonit

    E ardhmja e Antonio Contes te Napoli nuk duket më aq e sigurt sa mendohej disa javë më parë, por as largimi i tij nuk është më një skenar i garantuar. Deri vonë, sinjalet për një ndarje ishin të shumta, nga dëshira e vetë trajnerit për t’u rikthyer në krye të kombëtares italiane, deri te hezitimet e presidentit Aurelio De Laurentiis për ta përjashtuar kategorikisht këtë mundësi.

    Megjithatë, situata ka nisur të marrë një tjetër drejtim. Në Federatën Italiane pritet një ndryshim në drejtim, ku emri i Massimiliano Allegrit shihet si favorit për stolin e “azzurrëve”. Kjo zhvillim, së bashku me mungesën e alternativave më tërheqëse për të dyja palët, mund ta shtyjë Conten të respektojë kontratën e tij dhe të qëndrojë edhe sezonin e ardhshëm në Napoli.

    Nga ana tjetër, De Laurentiis nuk duket i prirur për një tjetër revolucion. Rezultatet e Contes flasin në favorin e tij, një titull kampion dhe një vend i dytë i mundshëm këtë sezon, pavarësisht problemeve të shumta me dëmtimet. Kjo e bën vazhdimësinë një opsion gjithnjë e më të arsyeshëm për klubin.

    Gjithsesi, shumëçka do të varet nga fundi i sezonit dhe nga diskutimet për merkaton. Conte njihet për kërkesat e tij të larta në këtë aspekt dhe mbetet për t’u parë nëse klubi do të jetë në gjendje t’i plotësojë ato. Pikërisht këtu pritet të vendoset gjithçka.

    Sezoni aktual ka qenë i vështirë për Napolin, me një paraqitje zhgënjyese në Evropë dhe pikë të humbura ndaj skuadrave më të vogla, që i kushtuan garën për titull. Diferenca me kreun është ndërtuar pikërisht nga këto lëshime, ndërsa menaxhimi i skuadrës mes dëmtimeve dhe situatave të ndërlikuara, si rasti i Romelu Lukakut, ka qenë një sfidë më vete.

    Në fund, vendimi përfundimtar do të vijë vetëm pasi të dyja palët të ulen në tryezë dhe të harmonizojnë planet për të ardhmen. Nëse vizioni i tyre përputhet, atëherë Conte dhe Napoli mund të vazhdojnë së bashku edhe për një sezon tjetër

  • Yamal ndez besimin te Barcelona, frymëzim nga LeBron për një përmbysje historike ndaj Atletico Madrid

    Yamal ndez besimin te Barcelona, frymëzim nga LeBron për një përmbysje historike ndaj Atletico Madrid

    Talenti i ri i Barcelonës, Lamine Yamal, ka marrë vëmendje të madhe në Spanjë në prag të sfidës vendimtare ndaj Atletico Madridit në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve. Veprimet e tij së fundmi, si në konferencë për shtyp ashtu edhe në rrjetet sociale, janë parë si një sinjal motivimi dhe besimi për rikthim.

    Gjithçka nisi fundjavën e kaluar, kur Yamal vendosi të ndryshojë foton e profilit në Instagram. Ai publikoi një imazh të legjendës së basketbollit, LeBron James, duke festuar titullin e NBA-së në vitin 2016, një zgjedhje që mbart një mesazh të qartë simbolik.

    “LeBron është një nga figurat që më frymëzon më shumë dhe kjo ishte arsyeja pse e vendosa atë si foto profili”, u shpreh fillimisht Yamal. Ai shtoi se mënyra se si amerikani përmbysi një situatë të vështirë është pikërisht ajo që dëshiron të përsërisë edhe vetë në fushë.

    Kjo lidhet drejtpërdrejt me finalet historike të NBA-së në vitin 2016, kur Cleveland Cavaliers, me LeBron në krye, arritën të rikthehen nga një disavantazh 1-3 ndaj Golden State Warriors, një sukses i paprecedentë në atë nivel.

    Situata aktuale e Barcelonës ka ngjashmëri me atë histori, pasi katalunasit kërkojnë të përmbysin humbjen 0-2 nga ndeshja e parë dhe të sigurojnë kualifikimin në transfertë ndaj Atleticos.

    “Ne jemi Barcelona dhe synojmë kualifikimin”, është mesazhi i qartë i Yamal përpara përballjes.

    Ndërkohë, tensioni rreth kësaj sfide është rritur edhe më shumë pasi trajneri Hansi Flick ka paraqitur një ankesë në UEFA lidhur me gjendjen e fushës në stadiumin e Atletico Madridit, duke treguar se çdo detaj po trajtohet me serioz maksimal.

  • Mbrëmje vendimtare në Ligën e Kampionëve, beteja për gjysmëfinale ndizet në Madrid dhe Anfield

    Mbrëmje vendimtare në Ligën e Kampionëve, beteja për gjysmëfinale ndizet në Madrid dhe Anfield

    Sonte rikthehet spektakli i madh i Ligës së Kampionëve, me dy përballje elektrizuese që pritet të përcaktojnë gjysmëfinalistët e parë të sezonit 2025/26.

    Të gjitha sytë janë drejt dueleve Atletico Madrid–Barcelona dhe Liverpool–Paris Saint-Germain.

    Në kryeqytetin spanjoll, Barcelona zbret në fushë me një mision të vështirë pas humbjes 0-2 në ndeshjen e parë. Katalunasit kanë nevojë për një reagim të fuqishëm dhe një paraqitje pa gabime për të përmbysur gjithçka. Në anën tjetër, Atletico Madrid synon të administrojë avantazhin me maturi dhe të godasë në momentet e duhura. Një gol i hershëm mund ta ndezë menjëherë këtë sfidë dhe ta ndryshojë rrjedhën e saj.

    Ndërkohë në “Anfield”, Liverpool përballet me një tjetër sfidë të madhe pas disfatës 0-2 në Paris. “The Reds” do të kërkojnë një natë magjike para tifozëve të tyre, aty ku shpesh janë shkruar histori të paharrueshme evropiane. Megjithatë, PSG mbetet një kundërshtar i rrezikshëm, i gatshëm të shfrytëzojë çdo hapësirë në kundërsulm dhe të mbrojë avantazhin e fituar.

    Sa i përket ndeshjeve të së mërkurës, Arsenali pret Sporting Lisbonën me epërsinë minimale 1-0, ndërsa supersfida mes Bayern Munich dhe Real Madrid mbetet plotësisht e hapur pas fitores 2-1 në takimin e parë.

    Të gjitha përballjet startojnë në orën 21:00, duke premtuar një tjetër mbrëmje të paharrueshme futbolli.

  • Kosova nis parakualifikimet për Botërorin 2028 me fitoren spektakolare 11-0 ndaj Gjibraltarit

    Kosova nis parakualifikimet për Botërorin 2028 me fitoren spektakolare 11-0 ndaj Gjibraltarit

    Kombëtarja e Kosovës në futsall ka nisur me fitore të bujshme parakualifikimet për Botërorin 2028, duke shfaqur dominim total ndaj Gjibraltar.

    Nën drejtimin e përzgjedhësit Agon Ramadani, Kosova triumfoi me një rezultat spektakolar 11-0, duke lënë të qartë synimin për t’u bërë një nga favoritët e Grupit D.

    Takimi u zhvillua në Igalo të Mali i Zi, që është nikoqire e këtij grupi, ku krahas Kosovës dhe Gjibraltarit marrin pjesë edhe Austria dhe Mali i Zi.

    Drilon Maxharraj shkëlqeu në këtë përballje, duke shënuar tre gola, ndërsa Shefki Kameri kontribuoi me dy gola. Golat e tjerë u realizuan nga Ylli Mazreku, Ramadan Alaj, Drilon Haxhijaj, Shqiprim Imeri, si dhe një autogol i Alan Parker plotësuan fitoren madhështore të Kosovës.

    Kosova do të ndeshet sërish më 10 prill kundër Austrisë, duke nisur nga ora 16:30. Në të njëjtën ditë, Mali i Zi do të përballet me Gjibraltarin në orën 19:30. Ndeshja e fundit të fazës grupore, Kosova e luan më 12 prill ndaj Malit të Zi.

    Sistemi i kualifikimeve parashikon që dy skuadrat e para të grupit të avancojnë në raundin kryesor, ku shorti do të tërhiqet më 19 qershor, duke hapur një fazë tjetër vendimtare drejt Botërorit 2028.

  • Alban Veseli zgjidhet president i ri i Feronikelit ’74

    Alban Veseli zgjidhet president i ri i Feronikelit ’74

    Klubi i njohur kosovar, Feronikeli ’74, ka mbajtur sot (e enjte) Kuvendin e Jashtëzakonshëm, ku anëtarët diskutuan dhe vendosën për përbërjen e re të kryesisë së klubit.

    Në këtë proces, unanimisht është zgjedhur Alban Veseli si president i ri, duke marrë përgjegjësinë për drejtimin e një prej klubeve më të respektuara të futbollit kosovar.

    Përveç presidentit Veseli, në ekipin drejtues janë emëruar edhe Lapidar Lladrovci si drejtor sportiv dhe Argjend Bardhi si menaxher, duke krijuar një ekip me përvojë dhe energji për të zhvilluar klubin në nivele të larta.

    Pas zgjedhjes, presidenti Veseli shprehu mirënjohjen e tij ndaj anëtarëve të kuvendit dhe bordit drejtues për besimin e dhënë:

    “Jam i privilegjuar të menaxhoj një klub si Feronikeli ’74. Kam gjetur bashkëpunëtorë me energji të jashtëzakonshme dhe së bashku do të punojmë që klubi të jetë ndër më të organizuarit, duke bërë krenar qytetin e Drenasit dhe gjithë Kosovën. Fokusi ynë kryesor do të jetë zhvillimi i akademisë dhe krijimi i kushteve më të mira për talentët e rinj.”

    FC Feronikeli ’74 i uron suksese Presidentit Veseli dhe bordit të ri drejtues, duke shprehur besimin se nën udhëheqjen e tij, klubi do të arrijë rezultate dhe suksese të reja në të ardhmen.