ATV

Author: N.T.

  • Paris Saint-Germain në alarm, dëmtimi i Vitinha vë në pikëpyetje gjysmëfinalen me Bayern Munich

    Paris Saint-Germain në alarm, dëmtimi i Vitinha vë në pikëpyetje gjysmëfinalen me Bayern Munich

    Shqetësimi ka nisur të rritet në radhët e Paris Saint-Germain pas dëmtimit të Vitinha, i cili nuk arriti ta përfundojë ndeshjen ndaj Olympique Lyon. Mesfushori portugez u largua nga fusha para fundit të pjesës së parë, pas një përplasjeje në ajër dhe një rënieje të pakëndshme në një duel me Endrick.

    Sipas njoftimit zyrtar të klubit parisien, lojtari vuan nga një inflamacion në thembrën e djathtë, si pasojë e goditjes së marrë gjatë takimit. Ai do të qëndrojë nën mbikëqyrje mjekësore në ditët në vijim, ndërsa një vlerësim më i detajuar pritet në fundjavë.

    Si rrjedhojë, Vitinha do të mungojë në përballjet e Ligue 1 kundër Nantes dhe Angers. Megjithatë, pikëpyetja më e madhe mbetet pjesëmarrja e tij në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munich, e planifikuar për 28 prill.

    Trajneri Luis Enrique u tregua i rezervuar lidhur me gjendjen e lojtarit, duke theksuar se fokusi aktual mbetet te ndeshjet e kampionatit dhe se situata do të vlerësohet me kohë.

    “Na presin edhe dy ndeshje në ligë. Do të shohim me qetësi kur lojtarët e dëmtuar mund të rikthehen, por për momentin nuk kam diçka konkrete për Vitinhan”, u shpreh ai.

    Tekniku spanjoll nuk dha garanci as për rolin e Fabián Ruiz si zëvendësues i mundshëm, duke theksuar se rikuperimi i tij dhe minutat e marra ndaj Lyon janë një sinjal pozitiv për ekipin.

  • Toni Kroos mbyll derën përfundimisht: Nuk ka rikthim në futboll

    Toni Kroos mbyll derën përfundimisht: Nuk ka rikthim në futboll

    Legjenda e Real Madrid, Toni Kroos, ka shuar çdo spekulim për një rikthim të mundshëm në futbollin profesionist, duke e bërë të qartë se vendimi i tij për t’u pensionuar është i pakthyeshëm.

    Gjatë paraqitjes së tij në Laureus World Sports Awards 2026, 36-vjeçari theksoi se nuk ka ndërmend të ndryshojë rrugën që ka zgjedhur, pavarësisht zërave të vazhdueshëm që e lidhin me një rikthim për të ndihmuar klubin madrilen.

    Mesfushori gjerman u nderua me çmimin “Inspiration Award”, një vlerësim për një karrierë të jashtëzakonshme të mbushur me suksese madhore, përfshirë triumfin në Kupën e Botës dhe gjashtë trofe në Ligën e Kampionëve.

    Që nga tërheqja e tij në vitin 2024, Kroos është përballur shpesh me pyetje rreth një rikthimi të mundshëm, sidomos në kontekstin e sfidave që po kalon aktualisht Real Madridi. Megjithatë, ai mbetet i palëkundur në qëndrimin e tij.

    “Nuk e kam menduar kurrë rikthimin, sepse u largova pikërisht ashtu siç doja. E mbylla atë kapitull në mënyrën më të mirë të mundshme dhe tani është tepër vonë për ta ndryshuar atë”, u shpreh Kroos.

    Ai shtoi se çdo hap prapa do të rrezikonte të zbehte atë që ka ndërtuar ndër vite: “Gjithmonë kam ndjerë se nuk mund të kishte një fund më të bukur. Çdo gjë pas kësaj do të ishte një hap pas.”

    Sot, Kroos është i fokusuar në projekte të reja jashtë fushës së blertë, duke e konsideruar kapitullin e futbollit të mbyllur me kënaqësi dhe pa asnjë peng.

  • Hakimi flet për përplasjen me Endrick: Nuk ishte futbolli problemi, por sjellja ndaj tifozëve

    Hakimi flet për përplasjen me Endrick: Nuk ishte futbolli problemi, por sjellja ndaj tifozëve

    Mbrojtësi i Paris Saint-Germain dhe përfaqësuesi i Marokut, Achraf Hakimi, ka sqaruar deklaratat e tij të fundit lidhur me sulmuesin e ri brazilian Endrick, duke theksuar se pakënaqësia e tij nuk lidhej me aspektin sportiv.

    Hakimi u shpreh se reagimi i tij i ashpër gjatë ndeshjes kishte të bënte me sjelljen e Endrick ndaj tifozëve, dhe jo me lojën e tij në fushë.

    “Pse isha i zemëruar me të? Doja që të ndalonte së bëri gjëra kundër tifozëve tanë,” tha Hakimi.

    Ai shtoi se e vlerëson talentin e sulmuesit të ri: “Ai është një lojtar i mirë dhe duhet të fokusohet vetëm në futboll. Kur bën gjëra që nuk kanë lidhje me lojën, kjo mund të më nervozojë, sidomos kur ndeshja ishte në një moment shumë të vështirë për ne.”

    Deklaratat e Hakimit kanë ngjallur reagime të ndryshme në media dhe rrjete sociale, duke e bërë këtë episod një nga temat më të diskutuara të ditës në futbollin evropian.

  • Jose Mourinho i hapur për rikthim te Real Madrid

    Jose Mourinho i hapur për rikthim te Real Madrid

    Trajneri portugez José Mourinho thuhet se do të mirëpriste një rikthim në pankinën e Real Madridit për sezonin e ardhshëm, raportojnë mediat spanjolle.

    Sipas “Cadena SER”, Mourinho është i hapur dhe madje i interesuar për të marrë drejtimin e klubit madrilen nëse krijohet mundësia për një ndryshim në stafin teknik gjatë verës.

    Portugezi ka një histori të fortë me Real Madridin, ku ka drejtuar ekipin nga viti 2010 deri në 2013, periudhë në të cilën fitoi La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës.

    Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga klubi apo vetë trajneri, ndërsa e ardhmja e tij mbetet ende në kuadër të spekulimeve mediatike.

    Rikthimi i mundshëm i Mourinhos në “Santiago Bernabéu” po shihet si një nga temat më të nxehta të merkatos së trajnerëve për verën e ardhshme.

  • KB Drita shpallet kampione dhe rikthehet në Superligën e Kosovës pas 4 vitesh

    KB Drita shpallet kampione dhe rikthehet në Superligën e Kosovës pas 4 vitesh

    KB Drita ka kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm, duke u shpallur kampione e Ligës së Parë dhe duke siguruar rikthimin në elitën e basketbollit kosovar pas katër vitesh mungesë.

    Skuadra nga Gjilani konfirmoi dominimin edhe në finalen e dytë ndaj Proton Cable Prizreni, ku triumfoi me rezultat dramatik 92:91, duke e mbyllur serinë me dy fitore të pastra.

    Ndeshja vendimtare ishte një betejë e vërtetë deri në sekondat e fundit, kur Eris Zeneli realizoi pikët që vulosën titullin. Gjatë takimit u dalluan edhe Jay Walker me 20 pikë dhe Adhurim Alijaj me 19, ndërsa te prizrenasit më efikasi ishte Rron Dahsyla me 23 pikë.

    Çmimi MVP i finales i takoi Adrian Ibishi, i cili kontribuoi me 18 pikë dhe 12 kërcime, duke qenë një nga shtyllat kryesore të suksesit.

    Ky triumf vetëm sa vulos një edicion perfekt për “bardhekaltërit”, të cilët më herët fituan edhe Kupën e Ligës së Parë, pikërisht ndaj të njëjtit kundërshtar në finale.

    Me këtë sukses të madh, Drita rikthehet fuqishëm në Superligën e Kosovës, duke paralajmëruar një kapitull të ri ambicioz në skenën kryesore të basketbollit vendor.

  • Mirlind Daku elektrizon Kazanin, hapja e dyqanit të Rubin Kazan shndërrohet në festë të tifozëve

    Mirlind Daku elektrizon Kazanin, hapja e dyqanit të Rubin Kazan shndërrohet në festë të tifozëve

    Rubin Kazan ka inauguruar dyqanin e tretë zyrtar në zemër të qytetit, por ajo që duhej të ishte një ceremoni e zakonshme u kthye në një spektakël të vërtetë falë entuziazmit për sulmuesin shqiptar Mirlind Daku.

    Në këtë event morën pjesë edhe Daku së bashku me Igor Vujačić, megjithatë vëmendja ishte e gjitha tek reprezentuesi kuqezi. Sipas raportimeve të medias ruse “Sport”, tifozët nisën të mblidhen që dy orë para hapjes, duke krijuar radhë të gjata që shtriheshin deri në rrugë.

    Interesimi ishte i jashtëzakonshëm, fanella më e kërkuar ishte ajo me numrin 10 e Dakut, ndërsa shumë prej të pranishmëve kishin ardhur vetëm për ta parë nga afër idhullin e tyre. Një moment prekës u shënua kur një fëmijë, i zhgënjyer që nuk e pa menjëherë Dakun, deshi të largohej, por vendosi të priste pasi u informua se ai do të mbërrinte më vonë.

    Me ardhjen e Dakut, atmosfera shpërtheu. Thirrjet e tifozëve pushtuan zonën, ndërsa turma u shty nga dëshira për autografe dhe fotografi. Sulmuesi shqiptar kaloi kohë të gjatë duke u përshëndetur me tifozët, duke nënshkruar fanella dhe duke bashkëbiseduar me ta për formën dhe synimet e sezonit.

    Edhe në përfundim të aktivitetit, ai nuk u largua pa dhënë edhe autografin e fundit, mes ovacioneve të vazhdueshme.

    Daku është rikthyer së fundmi në fushë pas një periudhe të gjatë jashtë për shkak dëmtimi. Para lëndimit, ai kishte lënë gjurmë me nëntë gola të shënuar për Rubin Kazanin, duke u kthyer tashmë edhe më i motivuar për vazhdimin e sezonit.

  • Spektakël në NBA, Fitore të mëdha dhe seri të barabarta në Play-Off

    Spektakël në NBA, Fitore të mëdha dhe seri të barabarta në Play-Off

    Mbrëmje plot dramë dhe emocione në NBA, ku ndeshjet e Play-Off-it sollën spektakël dhe rezultate që mbajtën tifozët në ankth deri në fund.

    Në Konferencën Lindore, Cleveland Cavaliers vazhduan formën e shkëlqyer duke mposhtur Toronto Raptors me rezultatin 115:105. Cavaliers dominuan që nga fillimi, duke ndërtuar epërsi graduale në çdo çerek dhe duke kaluar në avantazh 2-0 në seri.

    Figura kryesore të kësaj fitoreje ishin Donovan Mitchell me 30 pikë, 7 kërcime e 5 asistime, si dhe James Harden që kontribuoi me 28 pikë, 5 kërcime dhe 4 asistime.

     

    Ndërkohë në Perëndim, Minnesota Timberwolves arritën një fitore të rëndësishme si mysafir ndaj Denver Nuggets me shifrat 119:114, duke barazuar serinë në 1-1.

    Po aq dramatik ishte edhe dueli në “Madison Square Garden”, ku Atlanta Hawks triumfuan ngushtë 107:106 ndaj New York Knicks, duke rikthyer ekuilibrin në seri me rezultat 1-1.

    Play-Off-i i NBA-së po hyn në një fazë gjithnjë e më intensive, ku çdo ndeshje po sjell histori të reja dhe beteja të forta për një vend në rundet e ardhshme.

  • Ylber Ramadani shkëlqen në Serie A dhe futet në formacionin e javës

    Ylber Ramadani shkëlqen në Serie A dhe futet në formacionin e javës

    Xhiroja e 33-të në elitën e futbollit italian, Serie A, ka sjellë emocione dhe paraqitje të jashtëzakonshme nga shumë lojtarë.

    Një ndër emrat që shkëlqeu ishte mesfushori shqiptar Ylber Ramadani, i cili zhvilloi një ndeshje mbresëlënëse në përballjen ndaj Fiorentina. Takimi përfundoi 1-1, por performanca e tij ishte vendimtare për Lecce që siguroi një pikë me shumë peshë.

    Ramadani dominoi mesfushën dhe u dallua si lojtari më i mirë në fushë, duke marrë vlerësime të larta për paraqitjen e tij. Forma e tij e shkëlqyer nuk kaloi pa u vënë re, pasi ai u përfshi në formacionin më të mirë të javës nga SofaScore.

    Me notën 8.0, ai ishte një nga mesfushorët më të vlerësuar, përkrah emrave si Nicolò Barella, Adrien Rabiot dhe të tjerë që spikatën në këtë xhiro.

    Në repartin ofensiv u përzgjodh M’Bala Nzola, ndërsa në mbrojtje vendin e siguruan Mario Hermoso, Stefan de Vrij dhe Lloyd Kelly.

  • Distria Krasniqi në finale të Evropianit, lufton për medaljen e artë

    Distria Krasniqi në finale të Evropianit, lufton për medaljen e artë

    Distria Krasniqi ka shkruar një tjetër kapitull të artë në karrierën e saj, duke siguruar finalen e European Judo Championships 2026 që po mbahet në Tbilisi të Gjeorgjisë.

    Xhudistja kosovare ka konfirmuar formën e saj të jashtëzakonshme, teksa në gjysmëfinale mposhti italianen Odette Giuffrida, duke siguruar të paktën medaljen e argjendtë për Kosovën.

    Distria dominoi me qetësi dhe përvojë, duke treguar edhe një herë pse konsiderohet ndër më të mirat në botë në kategorinë deri në 52 kilogramë.

    Në finalen e madhe, ajo do të përballet me rivalen e njohur, francezen Amandine Buchard, në një duel që premton spektakël dhe emocione të forta.

    Kualifikimi në finale është një tjetër sukses i madh për sportin kosovar, ndërsa të gjitha sytë tani janë te përballja vendimtare, ku Krasniqi synon medaljen e artë dhe një tjetër triumf historik.

  • Infantino: Irani pritet të luajë në Botërorin 2026 pavarësisht tensioneve politike

    Infantino: Irani pritet të luajë në Botërorin 2026 pavarësisht tensioneve politike

    Presidenti i FIFA, Gianni Infantino, ka deklaruar se Kombëtarja e Iranit pritet të marrë pjesë në FIFA World Cup 2026, pavarësisht tensioneve të fundit ndërkombëtare.

    Gjatë forumit “Invest in America”, Infantino theksoi se Kombëtarja Iraniane e ka fituar me meritë vendin në Botëror dhe duhet të jetë pjesë e turneut. Ai shprehu shpresën që situata politike të stabilizohet deri atëherë, duke nënvizuar se futbolli duhet të mbetet një hapësirë që bashkon, jo që ndan.

    “Lojtarët duan të luajnë dhe përfaqësojnë popullin e tyre. Ata janë kualifikuar dhe meritojnë të jenë aty”, u shpreh Infantino, duke shtuar se sporti duhet të qëndrojë sa më larg ndikimeve politike, edhe pse pranoi se kjo nuk është gjithmonë e lehtë në realitetin global.

    Ai zbuloi gjithashtu se kishte takuar ekipin iranian së fundmi në Antalia dhe ishte impresionuar nga përkushtimi dhe dëshira e tyre për të garuar në skenën më të madhe të futbollit botëror.

    FIFA World Cup 2026 do të organizohet nga Shtetët e Bashkuara të Amerikës, Canada dhe Meksika, ndërsa sipas planit aktual, Irani pritet të zhvillojë ndeshje në Kaliforni dhe Seattle.

    Megjithatë, zhvillimet e fundit politike dhe konfliktet në rajon kanë ngritur pikëpyetje rreth pjesëmarrjes së tyre, me deklarata të ndryshme nga zyrtarët dhe shqetësime të ngritura edhe nga Donald Trump për çështje sigurie.

    Pavarësisht kësaj, qëndrimi i FIFA-s mbetet i qartë: nëse një skuadër kualifikohet në fushë, ajo duhet të ketë mundësinë të garojë.