ATV

Author: N.T.

  • Premtimi që preku botën: Pedro Porro ia dhuron medaljen e kampionit të botës gjyshit të tij

    Premtimi që preku botën: Pedro Porro ia dhuron medaljen e kampionit të botës gjyshit të tij

    Futbolli nuk sjell vetëm trofe dhe fitore. Ndonjëherë, ai dhuron histori që prekin zemrat e miliona njerëzve. Një prej tyre është ajo e mbrojtësit të Spanjës dhe Tottenham Hotspur, Pedro Porro.

    Pasi u shpall kampion bote me përfaqësuesen spanjolle, Porro vendosi që medaljen e artë të mos e mbante vetëm si një kujtim personal. Ai ia dhuroi njeriut që besoi tek ai që në ditët e para të ëndrrës së tij – gjyshit.

    Pas suksesit më të madh të karrierës, futbollisti u kthye në shtëpi për të përmbushur një premtim të bërë vite më parë. Kur ishte ende fëmijë, ai i kishte thënë gjyshit se një ditë do të bëhej kampion bote me Spanjën.

    Ky premtim kishte një domethënie të veçantë. Për vite me radhë, gjyshi i tij përshkoi mijëra kilometra për ta çuar në stërvitje dhe ndeshje, pa u ankuar asnjëherë. Ai ishte njeriu që e mbështeti në çdo hap, edhe kur rruga drejt futbollit profesionist dukej e vështirë dhe plot sfida.

    Momenti i takimit mes tyre ishte emocionues. Pedro Porro ia vendosi medaljen e kampionit të botës në qafë gjyshit të tij, si një shenjë mirënjohjeje për të gjitha sakrificat dhe mbështetjen e pakushtëzuar ndër vite.

    “Mision i kryer”, ishte mesazhi i shkurtër, por domethënës, i futbollistit spanjoll, ndërsa gjyshi e përqafoi me krenari dhe lot në sy.

    Pamjet e këtij takimi u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke emocionuar tifozë nga e gjithë bota. Për shumë njerëz, kjo nuk ishte thjesht historia e një kampioni bote, por dëshmia se pas çdo suksesi të madh qëndrojnë njerëzit që besojnë tek ne që nga dita e parë.

    Një histori që kujton se trofetë mund të fitohen në fushë, por vlerat më të mëdha ndërtohen jashtë saj.

  • Barcelona prezanton Karim Adeyemin, sulmuesi gjerman firmos deri në vitin 2031

    Barcelona prezanton Karim Adeyemin, sulmuesi gjerman firmos deri në vitin 2031

    Barcelona ka zyrtarizuar një tjetër përforcim të rëndësishëm për sezonin e ri. Klubi katalanas ka prezantuar sulmuesin gjerman Karim Adeyemi, i cili ka firmosur një kontratë që e mban në “Spotify Camp Nou” deri më 30 qershor të vitit 2031.

    24-vjeçari vjen nga Borussia Dortmundi, pas një marrëveshjeje që u zhvillua larg syrit të publikut dhe u finalizua vetëm pasi futbollisti kaloi me sukses vizitat mjekësore dhe hodhi firmën mbi kontratën e re.

    Transferimi u konfirmua përmes kanaleve zyrtare të Barcelonës dhe përfaqëson afrimin e dytë të verës për skuadrën e drejtuar nga Hansi Flick, i cili vazhdon ndërtimin e ekipit për sezonin e ardhshëm.

    Sipas marrëveshjes mes dy klubeve, Barcelona do t’i paguajë Borussia Dortmundit 22 milionë euro, ndërsa shuma mund të rritet edhe me 7 milionë euro të tjera në formë bonusesh, të lidhura me paraqitjet e lojtarit dhe sukseset e skuadrës. Klubi gjerman ka ruajtur gjithashtu 20 për qind të fitimit nga një transferim i ardhshëm i Adeyemit, një detaj që luajti rol kyç në arritjen e marrëveshjes.

    Adeyemi mbërriti në Barcelonë me avion privat së bashku me familjen, përpara se të përfundonte të gjitha procedurat e nevojshme për t’u bërë zyrtarisht pjesë e gjigantit katalanas.

    Me shpejtësinë, teknikën dhe aftësinë për të luajtur në disa pozicione të repartit ofensiv, Adeyemi pritet të sjellë më shumë dinamizëm në sulmin e Barcelonës dhe të jetë një nga armët kryesore të Hansi Flick në sezonin e ri.

    Klubi katalanas shpreson që reprezentuesi gjerman të konfirmojë potencialin e tij edhe në La Liga, duke u shndërruar në një nga emrat më të rëndësishëm të projektit të ri të Barcelonës.

  • Inter Miami nën hetim pas transferimit të Casemiros

    Inter Miami nën hetim pas transferimit të Casemiros

    Inter Miami ka hyrë sërish në qendër të vëmendjes, por këtë herë jo vetëm për një transferim të bujshëm. Vetëm pak orë pasi zyrtarizoi afrimin e mesfushorit brazilian Casemiro, klubi amerikan u vu nën hetim nga Major League Soccer.

    34-vjeçari, i cili u largua nga Manchester United në fund të sezonit, ka firmosur me Inter Miamin deri në fund të vitit 2027, me mundësi vazhdimi edhe për dy sezone të tjera. Megjithatë, prezantimi i tij u shoqërua menjëherë me një njoftim nga MLS, e cila konfirmoi se ka nisur një hetim për një shkelje të mundshme të rregullave të negociimit.

    Në qendër të hetimit janë të ashtuquajturat “discovery rights”, një rregull specifik i kampionatit amerikan që i jep një klubi të drejtën ekskluzive për të negociuar i pari me një futbollist që synon të transferohet në MLS.

    Në rastin e Casemiros, këto të drejta i përkisnin LA Galaxy. Inter Miami kishte bërë të ditur se kishte arritur një marrëveshje me klubin kalifornian për t’i marrë këto të drejta, por liga po verifikon nëse i gjithë procesi është zhvilluar në përputhje me rregulloren. Edhe LA Galaxy ka konfirmuar ekzistencën e marrëveshjes, ndërsa detajet financiare do të publikohen vetëm pasi të përfundojë hetimi.

    Pavarësisht polemikave, Casemiro është gati të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij. Braziliani largohet nga Manchester United pas 160 ndeshjesh, 26 golash dhe 14 asistimeve, ndërsa gjatë karrierës ka fituar gjithçka me Real Madridin, përfshirë pesë trofe të Ligës së Kampionëve.

    Pas prezantimit, mesfushori u shpreh se motivimi i tij mbetet i njëjtë: të vazhdojë të fitojë trofe dhe të sfidojë veten në një kampionat të ri.

    Edhe bashkëpronari i Inter Miamit, David Beckham, e cilësoi transferimin si një sukses të madh, duke e përshkruar Casemiron si një fitues të lindur dhe një futbollist me eksperiencë të jashtëzakonshme.

    Në skuadrën nga Florida, braziliani do t’i bashkohet yjeve si Lionel Messi, Rodrigo De Paul dhe Sergio Reguilón.

    Ndërkohë, kjo nuk është hera e parë që Inter Miami përballet me probleme me rregulloret e MLS. Në vitin 2021, klubi u gjobit me 2 milionë dollarë për shkelje të kufirit financiar gjatë transferimit të Blaise Matuidit. Tashmë, mbetet të shihet nëse hetimi i ri do të sjellë sanksione të tjera për klubin amerikan.

  • Arsenali bën lëvizjen e radhës për transferimin e Julian Alvarezit

    Arsenali bën lëvizjen e radhës për transferimin e Julian Alvarezit

    Arsenali nuk e ka fshehur dëshirën për të rikthyer Julian Alvarezin në Premier League dhe duket se “Topçinjtë” kanë marrë një sinjal inkurajues nga Atletico Madridi në lidhje me një transferim të mundshëm gjatë kësaj vere.

    Sipas raportimeve të Caught Offside, drejtuesit e klubit spanjoll janë të gatshëm të dëgjojnë ofertat për sulmuesin argjentinas dhe këtë ia kanë bërë të ditur edhe përfaqësuesve të lojtarit. Madje, drejtori sportiv i Arsenalit, Andrea Berta, ka nisur kontaktet direkte me Alvarezin, i cili raportohet se e sheh me interes mundësinë e një rikthimi në futbollin anglez.

    Për 26-vjeçarin interesim kanë shfaqur edhe Barcelona dhe Real Madridi, por Atletico nuk dëshiron të forcojë rivalët e saj të drejtpërdrejtë në La Liga. Ky qëndrim e favorizon Arsenalin, ndërsa Paris Saint-Germain ende nuk ka bërë një lëvizje konkrete për të siguruar shërbimet e argjentinasit.

    Megjithatë, operacioni mbetet larg përfundimit. Klubi londinez duhet të bindë fillimisht vetë lojtarin për të lënë La Ligën, ndërsa më pas të arrijë një marrëveshje financiare që do të kënaqte kërkesat e Atletico Madridit.

    Nga ana tjetër, gazetari i The Athletic, James McNicholas, sjell një version tjetër të situatës. Sipas tij, Atletico nuk ka ndryshuar qëndrim dhe vazhdon ta konsiderojë Alvarezin të pashitshëm. Megjithëse Mikel Arteta mbetet një admirues i madh i sulmuesit argjentinas, drejtuesit e klubit madrilen nuk kanë ndërmend të hapin negociata për largimin e tij, pavarësisht interesimit nga Anglia apo klube të tjera evropiane.

  • Ballkani nis sonte sfidën evropiane, synon rezultat pozitiv në Dublin

    Ballkani nis sonte sfidën evropiane, synon rezultat pozitiv në Dublin

    FC Ballkani rikthehet sonte në arenën evropiane, teksa do të përballet me skuadrën irlandeze Bohemians në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të UEFA Conference League. Takimi zhvillohet në Dublin me fillim nga ora 19:00.

    Skuadra nga Suhareka synon të marrë një rezultat pozitiv në transfertë, që do t’i jepte avantazh para ndeshjes së kthimit dhe do ta afronte një hap më pranë kualifikimit në raundin e tretë të garës.

    Ndërkohë, Ballkani ka mësuar edhe kundërshtarin e mundshëm në rast se kalon Bohemians. Sipas shortit të UEFA-s, “portokallinjtë” do të përballeshin me humbësin e çiftit të UEFA Europa League mes Beşiktaşit dhe Midtjyllandit.

    Megjithatë, e gjithë vëmendja e kampionëve të Kosovës është e përqendruar te sfida e sotme në Dublin, ku synojnë të hedhin një hap të rëndësishëm drejt vazhdimit të rrugëtimit në garat evropiane.

  • Manchester City përfituesi më i madh nga fondi i FIFA-s pas Kupës së Botës 2026

    Manchester City përfituesi më i madh nga fondi i FIFA-s pas Kupës së Botës 2026

    Manchester City pritet të jetë klubi që do të përfitojë më së shumti financiarisht nga Programi i Përfitimeve për Klubet i FIFA-s pas përfundimit të Kupës së Botës 2026.

    Sipas vlerësimeve, kampioni anglez do të arkëtojë rreth 4.4 milionë dollarë (3.86 milionë euro), falë pjesëmarrjes së gjashtë futbollistëve të tij në fazat finale të turneut.

    Pas Cityt renditet Barcelona, ndërsa Bayern Munichu dhe Arsenali plotësojnë katërshen e klubeve që pritet të marrin përfitimet më të mëdha. Edhe pse Arsenali pati një numër të konsiderueshëm lojtarësh në Botëror, pagesa e tij pritet të jetë disi më e ulët për shkak të finales së vonë të Ligës së Kampionëve.

    Ndërkohë, Crystal Palace është surpriza e listës, duke u renditur si klubi i tretë anglez me përfitimet më të larta nga ky program.

    FIFA ka vendosur një fond rekord prej 355 milionë dollarësh për Programin e Përfitimeve për Klubet, ku 250 milionë dollarë janë ndarë vetëm për fazën finale të Kupës së Botës.

    Shpërblimet llogariten mbi bazën e rreth 5 mijë dollarëve për çdo lojtar, për çdo ditë që ai kalon me kombëtaren gjatë turneut.

    Edhe këtë herë, klubet evropiane do të përfitojnë pjesën më të madhe të fondit, megjithatë zgjerimi i Kupës së Botës në 48 kombëtare ka bërë që pagesat të shpërndahen te një numër më i madh klubesh nga e gjithë bota.

    FIFA pritet të publikojë shifrat zyrtare dhe përfundimtare të këtyre pagesave në muajt e ardhshëm.

  • Real Madridi pret lëvizjen e Olises, por një marrëveshje me Bayernin po e vonon transferimin

    Real Madridi pret lëvizjen e Olises, por një marrëveshje me Bayernin po e vonon transferimin

    Interesimi i Real Madridit për Michael Olisen vazhdon të jetë serioz, por transferimi i yllit të Bayern Munichut mbetet i komplikuar për shkak të një marrëveshjeje të pashkruar mes dy klubeve.

    Sipas raportimeve të mëhershme, 24-vjeçari dëshiron t’i bashkohet gjigantit spanjoll pas Kupës së Botës 2026. Gjatë turneut, ai krijoi një raport të ngushtë me Kylian Mbappen, i cili thuhet se ka luajtur rol të rëndësishëm duke i prezantuar projektin e Real Madridit dhe duke i përcjellë presidentit Florentino Perez dëshirën e Olises për t’u transferuar në “Santiago Bernabéu”.

    Megjithatë, sipas Foot Mercato, ekziston një marrëveshje mes Florentino Perezit dhe presidentit të Bayern Munichut, Herbert Hainer, sipas së cilës asnjëri klub nuk negocion për lojtarët e tjetrit pa njoftuar më parë zyrtarisht drejtuesit përkatës.

    Për këtë arsye, Real Madridi ende nuk ka nisur kontakte zyrtare me Bayernin apo me përfaqësuesit e Olises, ndërsa negociatat nuk kanë hyrë ende në fazën konkrete.

    Nga ana tjetër, Bayern Munichu po bën gjithçka për ta mbajtur sulmuesin francez. Klubi bavarez synon t’ia zgjasë kontratën përtej vitit 2029 dhe t’ia rrisë pagën nga rreth 14 në afro 25 milionë euro në sezon. Përveç ofertës financiare, drejtuesit do t’i prezantojnë edhe projektin sportiv për vitet e ardhshme.

    Raportohet se Olise do të takohet me drejtuesit e Bayern Munichut pas rikthimit nga Kupa e Botës, takim që mund të jetë vendimtar për të ardhmen e tij.

    Nëse francezi kërkon zyrtarisht largimin, atëherë Real Madridi pritet të bëjë lëvizjen e parë konkrete dhe të paraqesë një ofertë të madhe për një nga objektivat kryesorë të merkatos.

  • Juventusi nuk heq dorë nga Emiliano Martinez, oferta e parë refuzohet nga Aston Villa

    Juventusi nuk heq dorë nga Emiliano Martinez, oferta e parë refuzohet nga Aston Villa

    Juventusi vazhdon të insistojë për transferimin e portierit argjentinas Emiliano Martinez, por negociatat me Aston Villan nuk pritet të jenë të lehta.

    Sipas raportimeve nga Italia, “Zonja e Vjetër” ka paraqitur një ofertë në formën e huazimit me detyrim blerjeje, me vlerë totale rreth 6.5 milionë euro. Megjithatë, drejtuesit e Aston Villas nuk e konsiderojnë të mjaftueshme këtë shifër dhe kërkojnë afro 10 milionë euro për të dhënë dritën jeshile për largimin e kampionit të botës me Argjentinën.

    Pavarësisht se klubet ende nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët, Martinez duket se e ka bërë zgjedhjen e tij. Mediat italiane raportojnë se portieri argjentinas ka arritur marrëveshje personale me Juventusin për një kontratë trevjeçare, nga e cila do të përfitonte rreth 5 milionë euro në sezon, plus bonuse të lidhura me performancën.

    34-vjeçari, i cili ka kontratë me Aston Villan deri në verën e vitit 2029, mbetet objektivi kryesor i Juventusit për portën, ndërsa bisedimet mes dy klubeve pritet të vazhdojnë në ditët në vijim.

    Për momentin marrëveshja nuk është finalizuar, por bardhezinjtë shpresojnë se oferta e tyre mund të përmirësohet dhe t’i bindë drejtuesit e Aston Villas të lejojnë largimin e njërit prej portierëve më të mirë në botë.

  • Drita sfidon Florianën në Maltë, synon ta nisë me fitore aventurën në Ligën e Konferencës

    Drita sfidon Florianën në Maltë, synon ta nisë me fitore aventurën në Ligën e Konferencës

    Drita rikthehet sot në skenën evropiane, ku do të përballet me skuadrën malteze Floriana në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

    Takimi do të luhet në stadiumin “Centenary” në Ta’ Qali, me fillim nga ora 19:30, ndërsa kampionët e Kosovës synojnë të hedhin një hap të rëndësishëm drejt raundit të tretë.

    Skuadra gjilanase udhëton në Maltë me objektivin për të siguruar një rezultat pozitiv si mysafire, që do ta vendoste në një pozitë të favorshme para ndeshjes së kthimit. E motivuar nga përvoja e fituar në garat evropiane gjatë viteve të fundit, Drita beson se ka cilësinë e nevojshme për të kaluar këtë pengesë.

    Në anën tjetër, Floriana do të kërkojë ta shfrytëzojë faktorin fushë dhe mbështetjen e tifozëve për të marrë epërsinë para sfidës së kthimit, duke e bërë këtë duel një përballje të hapur për të dyja skuadrat.

    Atmosfera në kampin bardhekaltër është pozitive, ndërsa synimi mbetet i qartë – vazhdimi i rrugëtimit në Evropë dhe përfaqësimi sa më dinjitoz i futbollit kosovar.

    Fituesi i këtij dueli do të sigurojë një vend në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, ndërsa ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas një jave në Kosovë.

  • FIFA nis hetimet pas kaosit në finalen e Botërorit, lojtarët e Argjentinës rrezikojnë dënime

    FIFA nis hetimet pas kaosit në finalen e Botërorit, lojtarët e Argjentinës rrezikojnë dënime

    FIFA ka hapur zyrtarisht një procedurë disiplinore pas incidenteve që shpërthyen në fund të finales së Kupës së Botës 2026, ku Spanja mundi Argjentinën me rezultat 1-0 pas vazhdimeve.

    Pas vërshëllimës përfundimtare, festa e spanjollëve u shoqërua me përplasje mes futbollistëve të të dyja skuadrave. Në qendër të tensioneve ishin disa lojtarë të Argjentinës, veçanërisht Leandro Paredes dhe Nahuel Molina.

    Pamjet e publikuara tregojnë Paredes duke u përfshirë në një përleshje me Eric Garcian, ndërsa më pas, së bashku me Thiago Almadan, rrëzon në tokë mesfushorin spanjoll Gavi. Ndërkohë, Molina duket se tenton të godasë me grusht Rodrin, i cili po festonte triumfin e Spanjës.

    Edhe Nicolas Otamendi pati një përballje verbale me Rodrin, duke shtuar tensionin në një mbrëmje që përfundoi me skena kaotike.

    Përmes një njoftimi zyrtar, FIFA konfirmoi se ka emëruar një Prokuror Disiplinor dhe të Etikës për të hetuar ngjarjet dhe për të përcaktuar nëse janë shkelur rregullat e Kodit Disiplinor.

    Nëse futbollistët shpallen fajtorë për sjellje të dhunshme, ata mund të dënohen me të paktën tre ndeshje pezullim. Përveç lojtarëve, edhe Federata Argjentinase e Futbollit mund të përballet me masa disiplinore ose gjoba, në varësi të rezultateve të hetimit.

    FIFA pritet të publikojë vendimin përfundimtar pasi të përfundojë procesi hetimor.