ATV

Author: N.T.

  • Fundi i një epoke: Neymar konfirmon largimin nga Kombëtarja e Brazilit

    Fundi i një epoke: Neymar konfirmon largimin nga Kombëtarja e Brazilit

    Neymar ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij me Kombëtaren e Brazilit, duke konfirmuar se nuk do ta veshë më fanellën verdhejeshile pas eliminimit të ekipit në Kupën e Botës 2026.

    Ylli i Santosit e bëri të ditur vendimin e tij pas disfatës ndaj Norvegjisë në fazën e 1/8 së finales, duke mbyllur kështu një kapitull 16-vjeçar me përfaqësuesen braziliane. Botërori i zhvilluar nën drejtimin e Carlo Ancelottit rezultoi zhgënjyes për Brazilin, ndërsa fundi i rrugëtimit shënoi edhe fundin e aventurës ndërkombëtare të njërit prej futbollistëve më të mëdhenj në historinë e vendit.

    Gjatë deklaratës së tij, 34-vjeçari reagoi edhe ndaj zërave të publikuar së fundmi në media, të cilët pretendonin se ai kishte pasur sjellje të papërshtatshme ndaj futbollistëve të rinj në dhomat e zhveshjes së Santosit, duke i hedhur poshtë këto raportime.

    Duke folur për rrugëtimin e tij me Brazilin, Neymar u shpreh se largohet pa asnjë peng, pasi beson se ka dhënë gjithçka për fanellën e kombëtares.

    “Koha ime me kombëtaren ka marrë fund. Kam shkruar histori, kam përjetuar momente të paharrueshme dhe kam dhënë gjakun e jetën time për këtë fanellë. Gjithmonë kam luftuar për Brazilin, por tani ka ardhur momenti të ndalem”, deklaroi ai.

    Vendimi i Neymarit shënon fundin e një epoke për futbollin brazilian. Golashënuesi më i mirë në historinë e “Seleçaos” do ta përqendrojë tani karrierën e tij vetëm te Santosi, klubi ku nisi rrugëtimin drejt yllit të futbollit botëror.

    Konfirmimi i largimit erdhi në një nga momentet më emocionuese të karrierës së tij. Në stadiumin “MetLife” në New Jersey, Neymar u pa me lot në sy pas eliminimit të Brazilit. Edhe pse realizoi një penallti në çastet e fundit të sfidës, ajo nuk mjaftoi për të shmangur eliminimin dhe fundin e një historie të jashtëzakonshme me kombëtaren.

    Pas 16 vitesh, qindra paraqitjesh dhe statusit të golashënuesit më të mirë në historinë e Brazilit, Neymar largohet nga skena ndërkombëtare si një prej emrave që la gjurmë të pashlyeshme në futbollin botëror.

  • Manuel Neuer drejt fundit të një epoke, legjenda e Bayernit zbulon kur do t’i japë lamtumirën futbollit

    Manuel Neuer drejt fundit të një epoke, legjenda e Bayernit zbulon kur do t’i japë lamtumirën futbollit

    Një nga portierët më të mëdhenj në historinë e futbollit po i afrohet fundit të karrierës. Manuel Neuer ka bërë të ditur se sezoni 2026/27 pritet të jetë i fundit për të në futbollin profesionist, duke i dhënë fund një rruge të jashtëzakonshme që ka zgjatur më shumë se dy dekada.

    Portieri legjendar gjerman po përgatitet për sezonin e tij të 16-të me Bayern Munich, ndërsa do të hyjë edhe në sezonin e 21-të në Bundesligë. Edhe pse së shpejti mbush 40 vjeç dhe përballet me konkurrencën në rritje nga talenti i ri Jonas Urbig, Neuer nuk e ka humbur dëshirën për të qenë pjesë e skuadrës bavareze.

    Në një intervistë për gazetën gjermane Bild, kapiteni i Bayernit pranoi se vera e vitit 2027 është afati që ka vendosur për t’i dhënë fund karrierës së tij.

    “Nuk futem në fushë duke menduar se kjo mund të jetë ndeshja ime e fundit, edhe pse një ditë sigurisht do të vijë ai moment. Megjithatë, duket pothuajse e sigurt se do të tërhiqem në vitin 2027.”

    Neuer zbuloi se ishte shumë pranë pensionimit në fund të sezonit të kaluar, por atmosfera brenda klubit e bindi të vazhdonte.

    “Në rreth 85 për qind të rasteve do ta kisha mbyllur karrierën pas sezonit të kaluar. Por është një kënaqësi e jashtëzakonshme të luaj në këtë ekip dhe të punoj me këtë staf trajnerësh.”

    Sipas tij, ambicia e Bayernit për të luftuar në çdo kompeticion ishte arsyeja kryesore që e shtyu të vazhdonte.

    “Ne kemi gjithmonë mundësinë të garojmë për çdo trofe. Ky grup lojtarësh, stafi dhe mënyra si funksionon klubi ishin ato 15 për qind që më bindën të vazhdoj. Është kënaqësi e pastër.”

     

    Pas pesë sezonesh te Schalke 04 dhe një epoke të paharrueshme me Bayern Munich, Manuel Neuer është gati të mbyllë një karrierë që ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si shihet roli i portierit modern. Sezoni i ardhshëm pritet të jetë kapitulli i fundit i një legjende që la gjurmë të pashlyeshme në futbollin botëror.

  • Real Madridi thyen rekord financiar, kalon për herë të parë kufirin e 1.2 miliardë eurove

    Real Madridi thyen rekord financiar, kalon për herë të parë kufirin e 1.2 miliardë eurove

    Real Madridi ka konfirmuar edhe një herë fuqinë e tij ekonomike, duke bërë të ditura të ardhurat rekord prej 1.221 miliardë eurosh për vitin financiar 2025/26, pa përfshirë fitimet nga shitja e lojtarëve. Shifrat u miratuan në mbledhjen e fundit të bordit drejtues të klubit.

    Me një rritje prej 3.1% krahasuar me sezonin e kaluar, klubi madrilen hyn në histori si organizata e parë sportive në botë që tejkalon pragun e 1.2 miliardë eurove të ardhura vjetore.

    Sipas raportit zyrtar, rritja është nxitur kryesisht nga performanca e fortë e stadiumit “Santiago Bernabéu” dhe zgjerimi i aktiviteteve komerciale. Të ardhurat nga stadiumi janë rritur me 11%, ndërsa ato nga marketingu kanë shënuar një rritje prej 6%, falë marrëveshjeve të reja të sponsorizimit.

    Në aspektin financiar, Real Madridi ka regjistruar një fitim neto prej 26.3 milionë eurosh, duke zgjatur në 26 sezone radhazi serinë e bilanceve pozitive – një tregues i stabilitetit dhe menaxhimit të suksesshëm të klubit.

    Aktualisht, pasuria neto e klubit vlerësohet në 624 milionë euro, ndërsa rezervat financiare arrijnë në 83 milionë euro.

    Ndërkohë, investimi total në transformimin e stadiumit “Santiago Bernabéu” ka shkuar në 1.407 miliardë euro, me drejtuesit e klubit që theksojnë se Real Madridi vazhdon të gëzojë një pozitë të fortë financiare për të përballuar sfidat dhe investimet e ardhshme, përfshirë edhe merkaton e transferimeve.

  • Zyrtare: Roberto Mancini rikthehet në stolin e Italisë, nis një epokë e re për “Azzurrët”

    Zyrtare: Roberto Mancini rikthehet në stolin e Italisë, nis një epokë e re për “Azzurrët”

    Roberto Mancini është rikthyer zyrtarisht në krye të Kombëtares së Italisë, tre vjet pas largimit të tij, ndërsa Federata Italiane e Futbollit ka konfirmuar edhe emërimin e Claudio Ranierit në postin e drejtorit teknik.

    Emërimi i Mancinit i jep fund një periudhe të trazuar në futbollin italian, e cila u karakterizua nga ndryshime të shumta në drejtimin e projektit sportiv të “Azzurrëve”.

    Fillimisht, Paolo Maldini ishte emëruar drejtor teknik i kombëtares, me Leonardo në rolin e këshilltarit të tij. Dyshja prezantoi një projekt të ri për zhvillimin e futbollit italian, ndërsa në prapaskenë u zhvilluan bisedime edhe me Pep Guardiolën për stolin e Italisë.

    Megjithatë, plani ndryshoi brenda pak ditësh. Maldini dhe Leonardo dhanë dorëheqjen pasi tentativa për të emëruar Andrea Pirlon dështoi, për shkak të angazhimit të tij si ambasador global i një kompanie ruse të basteve.

    Pas këtij zhvillimi, drejtuesit e federatës vendosën t’i besojnë sërish Roberto Mancinit, i cili rikthehet në stolin e Italisë pas aventurës së tij me Kombëtaren e Arabisë Saudite.

    Federata Italiane e Futbollit e bëri zyrtar emërimin përmes një njoftimi të shkurtër në rrjetet sociale.

    “Roberto Mancini është trajneri i ri i Kombëtares.”

    Për 60-vjeçarin bëhet fjalë për një rikthim në një ambient që e njeh shumë mirë. Ai drejtoi Italinë nga viti 2018 deri në vitin 2023, periudhë gjatë së cilës i dhuroi vendit titullin e Kampionit të Evropës në Euro 2020. Megjithatë, mandati i tij u shoqërua edhe me zhgënjimin e madh të moskualifikimit në Kupën e Botës 2022.

    Tashmë, Mancini do të ketë misionin të rikthejë Italinë mes kombëtareve më të forta në botë dhe të ndërtojë një skuadër konkurruese për sfidat e ardhshme ndërkombëtare.

  • Manchester City blindon Gvardiolin, mbrojtësi kroat rinovon deri në vitin 2031

    Manchester City blindon Gvardiolin, mbrojtësi kroat rinovon deri në vitin 2031

    Manchester City ka siguruar të ardhmen e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të repartit defensiv. Kampioni anglez ka zyrtarizuar vazhdimin e kontratës me Josko Gvardiolin, i cili do të jetë pjesë e skuadrës nga “Etihad” deri në verën e vitit 2031.

    Mbrojtësi kroat, i cili iu bashkua Cityt në vitin 2023 nga RB Leipzig për rreth 90 milionë euro, kishte ende dy vite të mbetura në marrëveshjen e mëparshme, por drejtuesit e klubit vendosën ta shpërblejnë me një kontratë të re afatgjatë.

    Pas firmosjes së kontratës së re, Gvardiol nuk e fshehu kënaqësinë për vazhdimin e aventurës në Manchester, duke theksuar se qëndrimi te City ishte zgjedhja e tij e parë.

    “Sapo mësova se Man City dëshironte të ma rinovonte kontratën, e kuptova menjëherë se kjo ishte ajo që doja. Është klubi më i mirë në botë për të luajtur”, deklaroi 24-vjeçari.

    Reprezentuesi kroat vlerësoi edhe potencialin e skuadrës për sezonet e ardhshme, duke theksuar se grupi aktual ka cilësi dhe ambicie të mëdha.

    “Lojtarët që janë këtu janë të jashtëzakonshëm. Kemi një ekip të ri, me shumë cilësi dhe potencial. Besoj se do të arrijmë suksese të mëdha në vitet që vijnë”, shtoi ai.

    Që prej transferimit në Premier League, Gvardiol është shndërruar në një nga figurat kryesore të mbrojtjes së Manchester Cityt. Me fanellën e klubit anglez ai ka fituar pesë trofe, përfshirë titullin e Premier Leagues dhe FA Cup, duke dëshmuar vlerat e tij në nivelet më të larta të futbollit evropian.

    Edhe drejtori sportiv i Cityt, Hugo Viana, e cilësoi rinovimin si një lajm të rëndësishëm për klubin, duke theksuar besimin e plotë që kanë te mbrojtësi kroat.

    “Josko është një futbollist tek i cili klubi beson plotësisht. Pavarësisht moshës së re, ai tashmë është një nga mbrojtësit më të mirë në botë. Jemi shumë të lumtur që ai ka firmosur një kontratë të re”, u shpreh Viana.

    Me këtë marrëveshje, Manchester City siguron shërbimet e një prej mbrojtësve më premtues në botë edhe për shumë vite, ndërsa Gvardiol vazhdon të ndërtojë trashëgiminë e tij në “Etihad”.

  • Akil Gjakova nis misionin e radhës, synon Olimpiadën e tretë në karrierë

    Akil Gjakova nis misionin e radhës, synon Olimpiadën e tretë në karrierë

    Xhudisti i njohur kosovar, Akil Gjakova, ka bërë të ditur se para tij nis një sfidë e re madhore në karrierë, rrugëtimi drejt kualifikimit për Lojërat Olimpike, që do të mund të ishte pjesëmarrja e tij e tretë në ngjarjen më të madhe sportive në botë.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjakova ka shprehur krenarinë për rrugëtimin e tij në skenën ndërkombëtare të xhudos, duke theksuar se qëndrimi për më shumë se një dekadë në elitën botërore është rezultat i shumë viteve punë, sakrifice dhe përkushtimi.

    “Para meje nis një tjetër kapitull i madh, rrugëtimi drejt kualifikimit për Lojërat Olimpike, Olimpiada e tretë në karrierën time. Të jem pjesë e elitës botërore të xhudos për rreth 13 vite është një arritje që më bën krenar për sakrificën, punën dhe rezultatet e arritura”, ka shkruar Gjakova.

    Medalist dhe një prej emrave kryesorë të xhudos kosovare, Akili ka vlerësuar edhe rolin e trajnerit të tij, Driton Kuka, të cilin e konsideron si një nga njerëzit më të rëndësishëm në zhvillimin e tij sportiv.

    “Trajneri im Driton Toni Kuka është ai që i dha drejtim dhe jetë rrugëtimit tim si sportist”, është shprehur xhudisti kosovar.

    Gjakova ka falënderuar gjithashtu të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë rrugëtimit të tij, duke veçuar edhe përkrahësit e parë që i qëndruan pranë në hapat e parë të karrierës.

    Tashmë objektivi i radhës për xhudistin kosovar është i qartë: të kalojë me sukses ciklin e ri olimpik dhe të sigurojë një tjetër paraqitje në Lojërat Olimpike, duke vazhduar ta përfaqësojë Kosovën në nivelin më të lartë të xhudos botërore.

  • Anthony Joshua emocionohet nga mikpritja shqiptare, ndan momente të veçanta pas duelit me Prengën

    Anthony Joshua emocionohet nga mikpritja shqiptare, ndan momente të veçanta pas duelit me Prengën

    Anthony Joshua ka treguar edhe një herë anën e tij sportive dhe njerëzore pas përballjes me boksierin shqiptar Kristian Prenga, duke ndarë me miliona ndjekës momente të veçanta nga dueli dhe atmosfera e krijuar pas tij.

    Ylli britanik i boksit publikoi pamje nga përballja, por vëmendjen më të madhe e morën momentet pas duelit, ku Joshua shihet duke vendosur mbi supe flamurin shqiptar dhe duke pozuar së bashku me familjarët e Prengës, të cilët ishin të veshur me veshje tradicionale shqiptare.

    Joshua theksoi se boksi nuk matet vetëm me fitore dhe humbje, por edhe me respektin dhe lidhjet që krijohen mes sportistëve pas përballjeve në ring.

    “Gjëja më e madhe që krijon sporti nuk është gjithmonë fituesi, por respekti i ndërsjellë mes personave që kanë fituar respektin e njëri-tjetrit. Kjo është trashëgimia e vërtetë e sportit”, shkroi Joshua.

    Në mesazhin e tij, britaniku falënderoi edhe familjen e Kristian Prengës për mundësinë që kjo përballje të zhvillohej, duke vlerësuar luftën dhe përkushtimin e treguar nga të dy boksierët.

    “Dua t’ju falënderoj që më dhatë mundësinë të luftoj me djalin tuaj. Ishte një ndeshje e madhe. Të dy dhamë më të mirën dhe ju vlerësoj juve, ekipin dhe Prengën”, u shpreh Joshua.

    Edhe Kristian Prenga pati fjalë të mëdha për kundërshtarin e tij, duke e cilësuar Joshua-n si një prej emrave më të mëdhenj të historisë së boksit dhe duke e ftuar të vizitojë Shqipërinë.

    “Jam krenar që ndava ringun me ty. Të kam thënë se je legjendë. Të uroj më të mirën ty dhe familjes tënde. Je i mirëseardhur në Shqipëri, e ke një shtëpi të dytë aty”, deklaroi Prenga.

    Në aspektin sportiv, Joshua triumfoi ndaj Prengës në raundin e dytë me nokaut, pas një dueli ku boksieri shqiptar pati një paraqitje të fortë në raundin e parë, duke i dhënë rivalit të tij një sfidë të denjë.

  • Kosova shkruan histori në golf, debuton në European Team Shield Championship 2026

    Kosova shkruan histori në golf, debuton në European Team Shield Championship 2026

    Përfaqësuesja e Kosovës në golf po përjeton një moment historik, pasi për herë të parë në histori po merr pjesë në një garë zyrtare të organizuar nga European Golf Association.

    Sot kanë nisur ushtrimet zyrtare të European Team Shield Championship – Malta 2026, ku ekipi kosovar do të përfaqësojë vendin në një prej ngjarjeve të rëndësishme të golfit evropian.

    Kosova do të prezantohet me katër lojtarë: Albin Arifi, Azer Bislimaj, Mërgim Gjinovci dhe Qëndrim Alija, të udhëhequr nga kapiteni Arif Arifi. Ekipi kosovar synon të japë maksimumin dhe të prezantojë denjësisht ngjyrat e Republikës së Kosovës në këtë debutim historik.

    Pjesëmarrja e Kosovës në këtë kampionat është bërë e mundur falë mbështetjes së kompanisë Sent.dm, e cila ka marrë rolin e sponsorit të artë të ekipit, ndërsa përkrahje të rëndësishme ka dhënë edhe Ministria e Sportit, duke vazhduar mbështetjen për zhvillimin dhe afirmimin e sporteve të reja në vend.

    Ky debutim përfaqëson një hap të madh për Federatën e Golfit të Kosovës, e cila po vazhdon punën për promovimin e golfit dhe përfshirjen e sportistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare.

    Me pjesëmarrjen në Malta 2026, Kosova nis një kapitull të ri në historinë e golfit të saj, duke synuar që kjo të jetë vetëm fillimi i paraqitjeve të saj në garat evropiane.

  • Cucurella e mban premtimin pas triumfit në Botëror, bën tatuazh fytyrën e trajnerit De la Fuente

    Cucurella e mban premtimin pas triumfit në Botëror, bën tatuazh fytyrën e trajnerit De la Fuente

    Marc Cucurella e ka shndërruar në realitet një premtim që kishte bërë para finales së Kupës së Botës. Mbrojtësi i Kombëtares së Spanjës ka bërë tatuazh fytyrën e përzgjedhësit Luis de la Fuente, si shenjë falënderimi për njeriun që e udhëhoqi “La Rojan” drejt titullit botëror.

    Para finales, Cucurella kishte deklaruar se do ta përjetësonte trajnerin në trupin e tij nëse Spanja arrinte të fitonte trofeun.

    “Nëse fitojmë Kupën e Botës, do ta bëj tatuazh fytyrën e Luis de la Fuentes. Duhet të jetë në një vend të dukshëm, sepse njerëzit do të më pyesin për të”, kishte thënë ai.

    Premtimi mori jetë pasi Spanja triumfoi 1-0 ndaj Argjentinës në finalen e madhe, duke fituar për herë të parë në histori Kupën e Botës.

    Vetëm disa ditë pas suksesit historik, mbrojtësi publikoi tatuazhin e ri në rrjetet sociale, duke dëshmuar se nuk kishte ndërmend të tërhiqej nga fjala e dhënë.

    Cucurella ishte një prej lojtarëve kyç në rrugëtimin triumfues të Spanjës gjatë turneut, ndërsa raporti i tij me Luis de la Fuente është forcuar edhe më shumë gjatë viteve të fundit. Tani, si kujtim i përhershëm i këtij suksesi historik, fytyra e trajnerit kampion të botës do ta shoqërojë mbrojtësin spanjoll gjatë gjithë jetës.

  • Arijon Ibrahimovic flet për të ardhmen ndërkombëtare: Synimi i madh mbetet Gjermania

    Arijon Ibrahimovic flet për të ardhmen ndërkombëtare: Synimi i madh mbetet Gjermania

    Talenti me prejardhje nga Kosova, Arijon Ibrahimovic, ka folur për të ardhmen e tij në arenën ndërkombëtare, duke lënë të kuptohet se objektivi i tij është të veshë një ditë fanellën e Kombëtares A të Gjermanisë.

    Mesfushori ofensiv 20-vjeçar, i cili ka kaluar nëpër të gjitha grupmoshat e përfaqësueses gjermane, konsiderohet një nga futbollistët premtues që mund të hyjë në planet e përzgjedhësit Jurgen Klopp, nëse arrin të sigurojë një rol të rëndësishëm te Bayern Munich.

    Megjithatë, Ibrahimovic theksoi se për momentin nuk dëshiron të mendojë për kombëtaren, pasi i gjithë fokusi i tij është te skuadra bavareze, ku synon të fitojë besimin e stafit teknik dhe të sigurojë më shumë minuta në fushë.

    “Dua të afirmohem fillimisht këtu, të jap maksimumin dhe të luftoj për minuta loje. Çfarë do të ndodhë në të ardhmen, do ta shohim të gjithë. Fokusi im i plotë është te Bayerni”, u shpreh ai.

    E ardhmja e Ibrahimovicit te Bayern Munich ka qenë temë diskutimi edhe në mediat gjermane. Sipas Kicker, ky sezon mund të jetë vendimtar për talentin 20-vjeçar, i cili duhet të dëshmojë vlerat e tij nëse dëshiron të sigurojë një vend në planet afatgjata të klubit.

    Pas huazimit te Heidenheimi, ku sezonin e kaluar zhvilloi 32 ndeshje në Bundesliga, duke shënuar dy gola dhe dhuruar katër asistime, Ibrahimovic është rikthyer te Bayerni me synimin për të bindur drejtuesit dhe trajnerin se e meriton një rol në ekipin e parë. Paraqitjet e tij në “Allianz Arena” pritet të jenë vendimtare jo vetëm për të ardhmen në klub, por edhe për ambiciet e tij për të marrë një ftesë nga Kombëtarja A e Gjermanisë.