ATV

Author: N.T.

  • Rashford rikthehet te United, por dy klube angleze e kërkojnë

    Rashford rikthehet te United, por dy klube angleze e kërkojnë

    E ardhmja e Marcus Rashford vazhdon të mbetet e paqartë, ndërsa sulmuesi anglez është rikthyer në qendër të merkatos verore. Pas një sezoni të suksesshëm në huazim te Barcelona, 28-vjeçari pritet të bashkohet sërish me Manchester United.

    Me fanellën e klubit katalanas, Rashford zhvilloi 49 ndeshje, duke realizuar 14 gola dhe 14 asistime, ndërsa ndihmoi Barcelonën të fitonte titullin e La Ligas. Megjithatë, drejtuesit spanjollë vendosën të mos paguanin rreth 30 milionë euro për ta blerë përfundimisht.

    Sipas mediave britanike, interesimi për Rashfordin mbetet i madh. Përveç Fenerbahçes, që raportohet se është gati të investojë për transferimin e tij, edhe dy klube të Premier League kanë hyrë në garë për shërbimet e sulmuesit anglez. Emrat e tyre nuk janë bërë ende publikë, por thuhet se nuk bëhet fjalë për Manchester Cityn apo Liverpoolin.

    Ndërkohë, klube nga Italia, Gjermania dhe Arabia Saudite po monitorojnë situatën dhe nuk përjashtohet mundësia e një huazimi.

    Pavarësisht interesimit nga shumë skuadra, largimi i Rashford nuk është i sigurt. Sipas raportimeve, trajneri Michael Carrick dëshiron ta mbajë në “Old Trafford” dhe e konsideron një nga lojtarët më të rëndësishëm për sezonin e ri.

    Aktualisht, Rashford është futbollisti më i paguar i Manchester United, me një pagë prej rreth 380 mijë eurosh në javë, ndërsa kontrata e tij me klubin anglez skadon në verën e vitit 2028.

  • UEFA ndryshon rregullat: Kartonët e verdhë dhe ora në stadiume me risi nga sezoni i ri

    UEFA ndryshon rregullat: Kartonët e verdhë dhe ora në stadiume me risi nga sezoni i ri

    Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka miratuar dy ndryshime të rëndësishme në rregulloren e saj, të cilat do të hyjnë në fuqi me nisjen e sezonit të ri dhe do të zbatohen në Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës.

    Një nga risitë kryesore lidhet me kartonët e verdhë. Sipas rregullores së re, lojtarët nuk do të pezullohen më pas tre kartonëve të verdhë, por vetëm pasi të grumbullojnë katër të tillë gjatë fazës së ligës. Ky ndryshim synon të ulë numrin e pezullimeve dhe t’u japë skuadrave më shumë stabilitet gjatë garës.

    Pas pezullimit të parë, çdo ndëshkim i radhës do të vijë pas çdo dy kartonëve të tjerë të verdhë, pra me kartonin e gjashtë, të tetë dhe kështu me radhë.

    Një tjetër ndryshim i rëndësishëm ka të bëjë me tabelat elektronike të stadiumeve. UEFA ka hequr rregullin që parashikonte ndalimin e orës në minutën e 45-të dhe të 90-të. Duke filluar nga ky sezon, koha do të vazhdojë të ecë edhe gjatë minutave shtesë të akorduara nga gjyqtari, si në fund të pjesës së parë ashtu edhe në fund të ndeshjes, përfshirë edhe kohën shtesë.

    Me këtë vendim, UEFA harmonizon rregulloren e saj me modelin që është zbatuar prej dy sezonesh në Premier League.

    Këto ndryshime vijnë në një moment të tensionuar në marrëdhëniet mes UEFA-s dhe FIFA-s. Së fundmi, të 55 federatat anëtare të UEFA-s votuan unanimisht kundër planeve të FIFA-s për t’ua kaluar investitorëve privatë të drejtat tregtare dhe të menaxhimit të disa garave.

    UEFA i ka cilësuar këto propozime si të papranueshme dhe ka kërkuar pezullimin e plotë të tyre, duke argumentuar se cenojnë mënyrën e administrimit të futbollit evropian.

  • Mohamed Salah nis aventurën e re, mbërrin në Stamboll mes pritjes madhështore nga tifozët e Trabzonsporit

    Mohamed Salah nis aventurën e re, mbërrin në Stamboll mes pritjes madhështore nga tifozët e Trabzonsporit

    Mohamed Salah ka mbërritur në Stamboll, ku është pritur me entuziazëm të jashtëzakonshëm nga qindra tifozë të Trabzonsporit, të cilët i rezervuan një atmosferë festive që në momentin e zbarkimit.

    Sulmuesi egjiptian është shfaqur për herë të parë me fanellën e klubit turk, duke sinjalizuar fillimin e një kapitulli të ri në karrierën e tij të pasur.

    Sipas mediave turke, 34-vjeçari fillimisht do t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore në Stamboll. Më pas, ai do të udhëtojë drejt Trabzonit, ku pritet të prezantohet zyrtarisht para tifozëve dhe të firmosë kontratën me klubin.

    Salah pritet të nënshkruajë një marrëveshje dyvjeçare me Trabzonsporin, pasi u largua nga Liverpooli si lojtar i lirë. Klubi turk kishte bërë të ditur më herët se bisedimet me yllin egjiptian ishin në fazën përfundimtare.

    Transferimi i Mohamed Salahut konsiderohet si një nga goditjet më të mëdha në historinë e futbollit turk. Ai i jep fund aventurës në Liverpool pas nëntë sezonesh të jashtëzakonshme, gjatë të cilave fitoi trofe të rëndësishëm, shënoi qindra gola dhe vendosi një sërë rekordesh që e kanë bërë një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e klubit anglez.

  • UEFA ndryshon rregullat disiplinore, pezullimet për kartonë të verdhë bëhen më të buta

    UEFA ndryshon rregullat disiplinore, pezullimet për kartonë të verdhë bëhen më të buta

    UEFA ka vendosur të ndryshojë rregullat për pezullimet nga kartonët e verdhë në garat evropiane për klube, duke sjellë një sistem të ri që do të hyjë në fuqi nga sezoni 2026/27.

    Sipas rregullores së re, lojtarët dhe zyrtarët e ekipeve që marrin pjesë në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës do të ndëshkohen me një ndeshje pezullim vetëm pasi të grumbullojnë katër kartonë të verdhë që nuk kanë sjellë përjashtim nga loja.

    Deri më tani, kufiri për një pezullim automatik ishte tre kartonë të verdhë, ndërsa ndryshimi i ri synon të përshtatet me formatin e ri të garave evropiane, ku faza e ligës është zgjeruar nga gjashtë në tetë ndeshje në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.

    I njëjti sistem do të aplikohet edhe në Ligën e Konferencës, duke krijuar një standard të njëjtë disiplinor në të gjitha kompeticionet kryesore të UEFA-s.

    Pas pezullimit të parë, çdo dy kartonë të verdhë të tjerë do të sjellin një ndeshje tjetër ndëshkimore. Kështu, pezullime të reja do të aktivizohen pas grumbullimit të gjashtë, tetë, dhjetë kartonëve të verdhë dhe vazhdimisht më tej.

    Me këtë ndryshim, UEFA synon të përshtatë rregullat disiplinore me strukturën e re të garave dhe numrin më të madh të ndeshjeve në fazën e ligës.

  • Dailon Ramadani nis një aventurë të re, firmos kontratë dyvjeçare me NK Karlovac

    Dailon Ramadani nis një aventurë të re, firmos kontratë dyvjeçare me NK Karlovac

    Sulmuesi shqiptar Dailon Ramadani ka hedhur një tjetër hap në karrierën e tij, duke u transferuar te klubi kroat NK Karlovac, me të cilin ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare.

    20-vjeçari, i lindur në Gjermani, e sheh këtë transferim si një mundësi ideale për të fituar më shumë minuta në fushë dhe për të vazhduar zhvillimin e tij, ndërsa Karlovaci synon rikthimin në elitën e futbollit kroat.

    Ramadani e nisi rrugëtimin e tij në futbollin profesionist te akademia e Grasshopper Club Zurich, ku u transferua në vitin 2021 pas shpërnguljes së familjes së tij në Zvicër. Më pas, ai vazhdoi karrierën në Kroaci me NK Hrvace, ku paraqitjet e mira i siguruan edhe një periudhë prove te gjiganti kroat, Dinamo Zagreb.

    Pas firmosjes së kontratës, sulmuesi shqiptar u shpreh optimist për sfidën e re.

    “Kalimi te NK Karlovac është një hap i rëndësishëm për karrierën time. Dua të fitoj vazhdimësi, të ndihmoj ekipin të arrijë objektivat dhe të dëshmoj vlerat e mia në fushë. Besoj se puna e përditshme dhe minutat e lojës janë çelësi për të ecur përpara”, deklaroi Ramadani.

    Me këtë transferim, 20-vjeçari synon të bëjë një tjetër hap përpara në futbollin evropian, duke shpresuar që paraqitjet e tij të mira t’i hapin dyert për sfida edhe më të mëdha në të ardhmen.

  • Zyrtare: Drita ndahet me trajnerin Zekirija Ramadani pas më shumë se dy vjetësh e gjysmë

    Zyrtare: Drita ndahet me trajnerin Zekirija Ramadani pas më shumë se dy vjetësh e gjysmë

    FC Drita ka konfirmuar zyrtarisht përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Zekirija Ramadani, duke mbyllur një kapitull të suksesshëm që zgjati më shumë se dy vjet e gjysmë.

    Klubi nga Gjilani e bëri të ditur lajmin përmes një komunikate, ku shprehu falënderim dhe vlerësim të madh për punën e Ramadanit, duke e cilësuar periudhën e tij në krye të skuadrës si një nga më të suksesshmet në historinë e Dritës.

    “Dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë më të sinqertë për bashkëpunimin e shkëlqyer me trajnerin Zekirija Ramadani. Sukseset që kemi arritur së bashku do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së klubit”, thuhet në njoftimin e klubit.

    Drita theksoi se titujt kampion të fituar dhe paraqitjet e mira në garat ndërkombëtare janë rezultat i punës dhe përkushtimit të përbashkët gjatë kësaj periudhe.

    Në fund të mesazhit, klubi i uroi Ramadanit suksese në vazhdim të karrierës, duke lënë të kuptohet se dyert do të mbeten të hapura për një bashkëpunim të mundshëm në të ardhmen.

    “Faleminderit për gjithçka që ke dhënë për FC Dritën. Të urojmë shumë suksese dhe besojmë se rrugët tona mund të kryqëzohen sërish”, përfundon komunikata e klubit.

  • Legjenda e Spartakut mbron Dakun: Është futboll, jo politikë

    Legjenda e Spartakut mbron Dakun: Është futboll, jo politikë

    Transferimi i mundshëm i Mirlind Dakut te Spartak Moska vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në Rusi, ndërsa reagimet rreth sulmuesit shqiptar nuk kanë munguar.

    Pak ditë më parë, grupi i tifozëve “Crazy North” doli publikisht kundër afrimit të 28-vjeçarit nga Rubin Kazani, duke publikuar një deklaratë me gjuhë fyese ndaj shqiptarëve dhe kosovarëve.

    Në mbrojtje të Dakut ka dalë ish-futbollisti dhe legjenda e Spartakut, Andrei Tikhonov, i cili u bëri thirrje tifozëve që ta ndajnë futbollin nga politika dhe të shohin vetëm aspektin sportiv të transferimit.

    “Spartaku ka nevojë për një sulmues. Ai do të marrë pagën e tij dhe për të është një mundësi e madhe të luajë për një klub si Spartaku. Është futboll, vëlla”, u shpreh Tikhonov në një intervistë për kanalin në YouTube.

    Sipas raportimeve të mediave ruse, Spartak Moska ka arritur marrëveshje me Dakun për kushtet personale dhe zyrtarizimi i transferimit pritet të ndodhë së shpejti.

    Sulmuesi shqiptar pritet ta mbyllë aventurën te Rubin Kazani pas dy sezoneve të suksesshme, gjatë të cilave regjistroi 38 gola në 93 ndeshje, duke u renditur ndër sulmuesit më efikas të kampionatit rus.

    Edhe pse një pjesë e tifozëve vazhdon ta kundërshtojë afrimin e tij, drejtuesit e Spartakut e shohin Dakun si një përforcim të rëndësishëm për repartin ofensiv, ndërsa zyrtarizimi i marrëveshjes duket vetëm çështje kohe.

  • Infantino humb mbështetjen, por disa shtete vazhdojnë ta përkrahin për një mandat të ri në FIFA

    Infantino humb mbështetjen, por disa shtete vazhdojnë ta përkrahin për një mandat të ri në FIFA

    Presioni ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, po rritet dita-ditës, ndërsa mbështetja për rizgjedhjen e tij po zbehet pas kritikave të shumta ndaj drejtimit të organizatës.

    Kontestimet u intensifikuan pas dështimit të planit të Infantinos për të shitur pjesë të të drejtave komerciale të turneve madhore të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës, te investitorë privatë – një ide që hasi në kundërshtime të forta nga komuniteti i futbollit.

    UEFA ka bërë të ditur se ka humbur besimin te 56-vjeçari, i cili drejton FIFA-n që nga viti 2016. Të njëjtin qëndrim e ka mbështetur edhe Federata Angleze e Futbollit, ndërsa vende si Anglia, Uellsi, Suedia dhe Finlanda kanë tërhequr përkrahjen për të.

    Megjithatë, sipas gazetarit të The Athletic, Adam Crafton, Infantino vazhdon të ketë mbështetjen e disa federatave, mes tyre Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Butani, Sri Lanka, Libani dhe Kuvajti. Në anën e tij janë rreshtuar edhe disa shtete afrikane dhe aziatike, përfshirë Marokun dhe Egjiptin.

    Fati i Infantinos do të bëhet i qartë në mars të vitit të ardhshëm, kur do të vendoset nëse ai do të sigurojë një mandat të ri në krye të FIFA-s.

    Sipas statutit të organizatës, nëse 20 për qind e anëtarëve të FIFA-s, ose 43 federata, kërkojnë mbledhjen e një kongresi të jashtëzakonshëm, mund të iniciohet edhe një votim për shkarkimin e presidentit.

  • Zyrtare: Fulhami transferon Gonzalo Garcían nga Real Madridi

    Zyrtare: Fulhami transferon Gonzalo Garcían nga Real Madridi

    Fulhami ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e sulmuesit spanjoll Gonzalo García nga Real Madridi, duke siguruar shërbimet e njërit prej talenteve më premtues të futbollit spanjoll.

    22-vjeçari ka firmosur një kontratë pesëvjeçare me klubin londinez, e vlefshme deri në verën e vitit 2031, me mundësi vazhdimi edhe për një sezon tjetër. Edhe pse shuma e transferimit nuk është bërë publike nga klubet, raportimet bëjnë të ditur se Fulhami do të paguajë mes 40 dhe 42 milionë euro për 70 për qind të kartonit të lojtarit, ndërsa Real Madridi do të mbajë 30 për qind të të drejtave ekonomike. Në total, marrëveshja vlerësohet të arrijë rreth 60 milionë euro.

    Pas prezantimit zyrtar, Gonzalo García u shpreh i emocionuar për hapin e ri në karrierën e tij, duke falënderuar drejtuesit e Fulhamit dhe trajnerin Álvaro Arbeloa për mbështetjen dhe besimin e treguar. Sulmuesi theksoi se mezi pret të provojë veten në Ligën Premier.

    I lindur në Madrid, García është një produkt i akademisë së famshme të Real Madridit. Ai iu bashkua klubit në moshën 10-vjeçare, ndërsa pas një periudhe të shkurtër te grupmoshat e Mallorcës u rikthye në akademinë madrilene në vitin 2019, duke vazhduar zhvillimin e tij drejt futbollit elitar.

    Sezoni 2023/24 ishte ai që e vendosi përfundimisht në qendër të vëmendjes. Me ekipin U-19 të Real Madridit ai realizoi 35 gola, duke qenë një nga protagonistët kryesorë në fitimin e tripletës. Forma e tij mbresëlënëse vazhdoi edhe me Real Madrid Castilla, ku shënoi 25 gola dhe dhuroi katër asistime në 36 paraqitje.

    Performancat e shkëlqyera i siguruan vendin në ekipin e parë të Real Madridit. Gjatë sezonit të kaluar, García zhvilloi 39 ndeshje me skuadrën madrilene, duke kontribuar me tetë gola dhe tre asistime.

    Sulmuesi spanjoll shkëlqeu edhe në Kupën e Botës për Klube, ku u shpall golashënuesi më i mirë i turneut me katër gola dhe një asistim, edhe pse Real Madridi e mbylli aventurën në gjysmëfinale.

    Tashmë, Gonzalo García nis një sfidë të re në Angli, ku Fulhami pret që ai të jetë një nga figurat kyçe të repartit ofensiv në sezonet e ardhshme.

  • Ajax zyrtarizon huazimin e Marc-Andre ter Stegen nga Barcelona

    Ajax zyrtarizon huazimin e Marc-Andre ter Stegen nga Barcelona

    Ajax ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e portierit gjerman Marc-Andre ter Stegen, i cili i është bashkuar klubit holandez në formë huazimi nga Barcelona për sezonin 2026/27.

    Gardiani 34-vjeçar kompletoi me sukses vizitat mjekësore gjatë fundjavës, përpara se të firmoste kontratën që e dërgon në Amsterdam për një vit.

    Sipas marrëveshjes mes dy klubeve, Ajax do të mbulojë rreth 15 për qind të pagës së portierit gjerman gjatë periudhës së huazimit.

    “Ajax ka arritur marrëveshje me FC Barcelona dhe Marc ter Stegen. Portieri 34-vjeçar do të luajë për klubin tonë në formë huazimi për një sezon nga skuadra spanjolle”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.

    Drejtori teknik i Ajaxit, Jordi Cruyff, e cilësoi afrimin e Ter Stegen si një lëvizje të rëndësishme për skuadrën.

    “Marc ka një karrierë të jashtëzakonshme dhe cilësitë e tij njihen në të gjithë botën. Ai është një përforcim i menjëhershëm për ekipin tonë. Njihemi prej kohësh dhe mezi pres të bashkëpunojmë sërish. Kemi punuar për një kohë të gjatë që ta sjellim në Ajax dhe jemi shumë të lumtur që gjithçka u finalizua me sukses”, u shpreh Cruyff.

    Me këtë transferim, Ajax siguron përvojën dhe cilësinë e një prej portierëve më të spikatur të futbollit evropian, ndërsa Ter Stegen do të synojë të rikthehet në formën e tij më të mirë me fanellën e klubit nga Amsterdami.