ATV

Author: N.T.

  • PSG synon yllin e Barcelonës, por katalunasit vendosin një çmim të lartë

    PSG synon yllin e Barcelonës, por katalunasit vendosin një çmim të lartë

    Ferran Torres mund të jetë pranë një kapitulli të ri në karrierën e tij, pasi e ardhmja e sulmuesit spanjoll te Barcelona po bëhet gjithnjë e më e pasigurt.

    Sipas “Diario Sport”, drejtuesit e klubit katalunas janë të gatshëm të nisin negociatat me Paris Saint-Germainin për një transferim të mundshëm dhe madje kanë përcaktuar edhe shumën që kërkojnë për kartonin e tij.

    Barcelona synon të përfitojë të paktën 65 milionë euro nga shitja e Torresit, një shifër që klubi e konsideron të arsyeshme duke marrë parasysh formën e tij dhe paraqitjet e mira me kombëtaren e Spanjës në Kupën e Botës 2026.

    Situata bëhet edhe më interesante për shkak se Torres raportohet se tashmë ka gjetur gjuhën e përbashkët me PSG-në për kushtet personale. Kjo ka bërë që Barcelona ta shohë largimin e tij si një mundësi reale.

    Por ekziston një problem, PSG nuk dëshiron të paguajë menjëherë 65 milionë euro.

    Klubi francez pritet të nisë negociatat me një ofertë fillestare prej rreth 55 milionë eurosh, së bashku me bonuse. Ideja e parisienëve është që përmes bisedimeve të arrijnë një marrëveshje me Barcelonën dhe ta ulin diferencën prej 10 milionë eurosh.

    Nga ana tjetër, Barcelona ka edhe një arsye për të mos e shtyrë shumë shitjen. Kontrata e Torresit skadon në qershor të vitit 2027 dhe katalunasit duan të përfitojnë financiarisht përpara se vlera e tij të mund të bjerë.

    Torresi vjen pas një sezoni pozitiv, me 20 gola në të gjitha garat, duke dëshmuar se mbetet një opsion i rëndësishëm në sulm.

    Tashmë gjithçka mbetet në duart e Barcelonës dhe PSG-së, 65 milionë të kërkuara nga katalunasit, 55 milionë plus bonuse nga francezët. Negociatat pritet të tregojnë nëse Ferran Torres do ta vazhdojë karrierën në Paris.

  • Tre shqiptarë shkëlqyen në Zvicër, të tre pjesë e formacionit të javës

    Tre shqiptarë shkëlqyen në Zvicër, të tre pjesë e formacionit të javës

    Futbollistët shqiptarë vazhdojnë të lënë gjurmë në elitën e futbollit zviceran, teksa plot tre prej tyre janë përfshirë në formacionin më të mirë të xhiros së fundit.

    Njëri prej tyre është Donat Rrudhani, i cili po kalon një formë fantastike me Sionin. Mesfushori shqiptar ishte sërish protagonist, këtë herë me një gol spektakolar në stilin vollej, duke realizuar një goditje që la pa mundësi reagimi portierin e Vaduzit.

    Por edhe nga ana tjetër pati një shqiptar që shkëlqeu. Qendërmbrojtësi Liridon Berisha zhvilloi një paraqitje të sigurt dhe shumë të rëndësishme për Vaduzin, duke ndihmuar skuadrën e tij të marrë një pikë të vlefshme në transfertën ndaj Sionit.

    Ndërkohë, një tjetër paraqitje e jashtëzakonshme erdhi nga Simon Simoni. Portieri shqiptar i Luzernit ishte një prej lojtarëve më të dalluar të javës, pasi me disa pritje vendimtare i mohoi St. Gallenit mundësinë për të marrë fitoren.

    Performanca e Simonit u vlerësua maksimalisht edhe nga SofaScore, që i dha atij notën fantastike 9.1.

    Kështu, Rrudhani, Berisha dhe Simoni janë tre shqiptarët që këtë javë kanë siguruar një vend në formacionin ideal të elitës së futbollit zviceran, duke dëshmuar edhe një herë se futbollistët shqiptarë po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në kampionatin zviceran.

  • Harry Kane fiton “Këpucën e Artë” të Evropës, një tjetër trofe për yllin anglez

    Harry Kane fiton “Këpucën e Artë” të Evropës, një tjetër trofe për yllin anglez

    Harry Kane vazhdon të shkëlqejë në futbollin evropian. Sulmuesi anglez është shpallur fitues i Këpucës së Artë të Evropës për sezonin 2025/26, pasi e mbylli kampionatin si golashënuesi më i mirë në kontinent.

    Kane realizoi plot 36 gola në Bundesliga me Bayern Munichun, një shifër që i mjaftoi për të lënë pas të gjithë rivalët dhe për të siguruar këtë trofe prestigjioz.

    Për 33-vjeçarin, ky është triumfi i dytë në karrierë me Këpucën e Artë të Evropës, pas suksesit të parë në sezonin 2023/24. Me këtë arritje, ai hyn në një grup shumë të veçantë, ku vetëm Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo kanë fituar këtë çmim më shumë herë.

    Në Bayern Munich janë të bindur se Kane nuk është thjesht një golashënues i jashtëzakonshëm.

    Presidenti Herbert Hainer e ka vlerësuar anglezin si një vazhdimësi të traditës së madhe të sulmuesve të klubit, duke e krahasuar ndikimin e tij me legjenda si Gerd Muller dhe Karl-Heinz Rummenigge. Ai gjithashtu theksoi se Kane është një lider i rëndësishëm dhe se karakteri i tij ka bërë që të fitojë respekt të madh brenda klubit.

    Edhe drejtori Jan-Christian Dreesen ka folur me superlativa për sulmuesin. Ai ka nënvizuar se Kane ka ngritur nivelin e Bayern Munichut dhe të Bundesligës, duke veçuar faktin se anglezi vendos gjithmonë interesin e ekipit përpara suksesit personal.

    Sipas Dreesen, kombinimi i golave, inteligjencës, karakterit dhe lidershipit e bën Kane një prej sulmuesve më të kompletuar të gjeneratës së tij.

    Trofeu i Këpucës së Artë do t’i dorëzohet zyrtarisht Kane më 19 gusht, në Muzeun e Bayern Munichut.

  • Darwin Nunez “zbulon” transferimin e Araujos te Liverpooli

    Darwin Nunez “zbulon” transferimin e Araujos te Liverpooli

    Darwin Nunez ka bërë një lëvizje të papritur, duke zbuluar transferimin e Ronald Araujos te Liverpooli, madje përpara se vetë klubi anglez ta konfirmonte zyrtarisht.

    Sulmuesi uruguaian, i cili verën e kaluar u largua nga Liverpooli për t’iu bashkuar Al-Hilalit, publikoi në rrjetet sociale një fotografi me Araujon dhe i uroi mirëseardhjen te ish-klubi i tij.

    Sipas raportimeve, Liverpooli ka arritur marrëveshje me Barcelonën për huazimin e mbrojtësit për një sezon. Në marrëveshje përfshihet edhe opsioni që klubi anglez ta blejë përfundimisht Araujon verën e ardhshme, për një shumë që raportohet të jetë rreth 47 milionë funte.

    Por ndërsa Liverpooli ende nuk kishte bërë asnjë njoftim zyrtar, Nunez duket se vendosi të mos priste më.

    “Mirë se erdhe në këtë klub të madh, mik. Jam shumë i lumtur që do ta përjetosh dashurinë dhe mbështetjen e tifozëve të Liverpoolit. Ata janë të veçantë. Tani edhe ti je një Red. VAMO ARRIBA!”, shkroi Nunez.

    Postimi shkaktoi menjëherë reagime të shumta nga tifozët, të cilët me humor vunë re se uruguaiani e kishte “njoftuar” transferimin përpara klubit.

    Araujo pritet të jetë një përforcim i rëndësishëm për mbrojtjen e Liverpoolit, veçanërisht pas largimit të Ibrahima Konates drejt Real Madridit.

    27-vjeçari ka kaluar tetë vite te Barcelona, ku ka zhvilluar 213 ndeshje dhe ka fituar tre tituj të La Ligës, së bashku me pesë trofe të kupave vendore.

  • FFK hap seminarin e FIFA-s për gjyqtarët, nisin përgatitjet për sezonin 2026/27

    FFK hap seminarin e FIFA-s për gjyqtarët, nisin përgatitjet për sezonin 2026/27

    Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka çelur këtë të premte në Prishtinë seminarin dyditor të FIFA-s për gjyqtarët e futbollit, një aktivitet që shënon nisjen zyrtare të përgatitjeve për sezonin garues 2026/27.

    Seminari synon të forcojë aftësitë profesionale, teknike dhe fizike të gjyqtarëve kosovarë, duke i pajisur ata me njohuritë më të fundit për të përballuar kërkesat e futbollit modern.

    Ceremonia e hapjes u drejtua nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ndërsa ligjëratat po zhvillohen nga instruktori i FIFA-s, Alan Snoddy, si dhe eksperti i përgatitjes fizike, Simon Breivik.

    Gjatë dy ditëve të seminarit, gjyqtarët do të trajtojnë një sërë temash kyçe, përfshirë ndryshimet në Rregullat e Lojës për edicionin 2026/27, analizën e situatave të diskutueshme, përdorimin e teknologjisë VAR, integritetin e zyrtarëve të ndeshjes, menaxhimin e sfidave në fushë, përgatitjen fizike dhe analizën e rasteve konkrete nga kampionati vendor.

    Një pjesë e rëndësishme e programit janë edhe testet fizike të zhvilluara sipas standardeve të FIFA-s, me synimin që gjyqtarët të jenë në nivelin optimal të gatishmërisë për fillimin e sezonit të ri.

    Përmes organizimit të këtij seminari, FFK riafirmon angazhimin për zhvillimin profesional të arbitrave, duke synuar rritjen e cilësisë së gjykimit në garat vendore, si dhe përgatitjen e tyre për angazhime në arenën ndërkombëtare.

  • Barcelona bën lëvizjen e parë për Rodrin, gati oferta prej 60 milionë eurosh

    Barcelona bën lëvizjen e parë për Rodrin, gati oferta prej 60 milionë eurosh

    Barcelona ka hedhur hapin e parë konkret për transferimin e Rodrit, duke përgatitur ofertën zyrtare që do t’i dërgohet Manchester Cityt për mesfushorin spanjoll.

    Sipas gazetarit Nil Solà për El Larguero, klubi katalunas është gati të ofrojë 45 milionë euro, ndërsa marrëveshja përfshin edhe 15 milionë euro të tjera në formë bonusesh të lidhura me objektivat, duke e çuar vlerën totale të operacionit në 60 milionë euro.

    Kjo shumë përputhet me vlerësimin që Barcelona i ka bërë 30-vjeçarit, megjithatë mbetet e paqartë nëse Manchester City do të pranojë një formulë pagese të tillë apo do të kërkojë kushte më të favorshme për ta lënë të lirë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.

    Ndërkohë, katalunasit kanë avancuar ndjeshëm bisedimet me vetë futbollistin. Raportohet se palët kanë arritur një marrëveshje paraprake për një kontratë që do ta mbajë Rodrin në “Camp Nou” deri në verën e vitit 2030, me mesfushorin që pritet të përfitojë rreth 15 milionë euro neto në sezon.

    Për të realizuar këtë transferim, Barcelona ka vendosur të ridrejtojë fondet që fillimisht ishin planifikuar për përforcimin e repartit të mbrojtjes, duke e bërë afrimin e Rodrit prioritetin kryesor në këtë merkato.

  • Spektakël në Trabzon! Mohamed Salah prezantohet par 41 mijë tifozëve

    Spektakël në Trabzon! Mohamed Salah prezantohet par 41 mijë tifozëve

    Mohamed Salah është zyrtarisht futbollisti më i ri i Trabzonsporit. Sulmuesi egjiptian u prezantua në mënyrë madhështore para mijëra tifozëve në stadiumin “Papara Park”, në një ceremoni që u shndërrua në një festë të vërtetë futbolli.

    Ylli egjiptian firmosi një kontratë dyvjeçare me klubin turk, nga e cila do të përfitojë 17 milionë euro në sezon. Marrëveshja parashikon gjithashtu bonuse të lidhura me performancën, si dhe 20 për qind të të ardhurave nga shitja e produkteve zyrtare të klubit që mbajnë emrin e tij.

    Prezantimi i Salahut u shoqërua nga një atmosferë elektrizuese në “Papara Park”, ku rreth 41 mijë tifozë mbushën shkallët e stadiumit. Fishekzjarrët, tymueset dhe brohoritjet krijuan një spektakël të paharrueshëm, duke i dhënë mirëseardhjen njërit prej futbollistëve më të njohur në botë.

    I veshur me fanellën e Trabzonsporit me numrin 10, Salah doli në fushë mes ovacioneve të pandërprera të tifozëve. Ekranet gjigante LED dhe tabelat elektronike të stadiumit shfaqnin mesazhe mirëseardhjeje në turqisht dhe anglisht, ndërsa egjiptiani përshëndeti tribunat me krahët hapur dhe premtoi se kishte ardhur për të sjellë trofe në klub.

    Transferimi i Mohamed Salahut konsiderohet një nga goditjet më të mëdha në historinë e Superligës Turke dhe një sinjal i qartë i ambicieve të Trabzonsporit për të rivalizuar në majën e futbollit turk.

  • FSHF tërhiqet nga mbështetja për Infantinon në garën për kreun e FIFA-s

    FSHF tërhiqet nga mbështetja për Infantinon në garën për kreun e FIFA-s

    Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka ndryshuar qëndrim dhe ka vendosur të tërheqë zyrtarisht mbështetjen për kandidaturën e Gianni Infantinos për një mandat të katërt në krye të FIFA-s.

    Vendimi i është komunikuar institucionit më të lartë të futbollit botëror përmes një letre zyrtare drejtuar sekretarit të përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafström, të nënshkruar nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

    Në komunikatën e saj, FSHF ka bërë të ditur se pas konsultimeve të brendshme dhe një vlerësimi të situatës aktuale në futbollin ndërkombëtar, ka vendosur të tërheqë mbështetjen që i kishte dhënë më herët Infantinos.

    Sipas federatës shqiptare, ky vendim lidhet me zhvillimet e fundit në qeverisjen e futbollit botëror, si dhe me qëndrimet e shprehura nga federatat evropiane për proceset dhe mënyrën e drejtimit të FIFA-s.

    “FSHF mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar ngushtë me UEFA-n dhe partnerët ndërkombëtarë, në mbështetje të një qeverisjeje të futbollit të bazuar në transparencë, integritet dhe interesin më të mirë të lojës”, thuhet në deklaratën e federatës.

    Tërheqja e mbështetjes nga Shqipëria vjen në një periudhë të rëndësishme për Infantinon, i cili synon të sigurojë një mandat të ri në krye të FIFA-s, ndërsa gara për presidencën e organizatës pritet të shoqërohet me zhvillime të reja politike brenda futbollit botëror.

  • Real Madridi siguron një tjetër diamant, zyrtarizon transferimin e Yan Diomande

    Real Madridi siguron një tjetër diamant, zyrtarizon transferimin e Yan Diomande

    Real Madridi ka bërë goditjen e radhës në merkato, duke siguruar shërbimet e një prej talenteve më të lakmuar të futbollit evropian, Yan Diomande.

    Klubi madrilen ka konfirmuar zyrtarisht marrëveshjen me RB Leipzig për transferimin e sulmuesit anësor nga Bregu i Fildishtë, i cili ka firmosur një kontratë afatgjatë shtatëvjeçare, që do ta mbajë në “Santiago Bernabeu” deri më 30 qershor 2033.

    “Real Madrid dhe RB Leipzig kanë arritur marrëveshje për transferimin e Yan Diomande, i cili do të jetë pjesë e klubit tonë për shtatë sezonet e ardhshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit spanjoll.

    Transferimi i 19-vjeçarit ishte një nga historitë kryesore të merkatos së verës, pasi disa prej klubeve më të mëdha evropiane kërkuan të siguronin firmën e tij. Në fund, ishte Real Madridi që fitoi garën dhe afroi në skuadër një futbollist që shihet si një nga yjet e së ardhmes.

    Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, marrëveshja mund të arrijë vlerën e 140 milionë eurove, duke u renditur ndër transferimet më të shtrenjta në historinë e klubit madrilen. Shuma përfshin rreth 125 milionë euro të garantuara, ndërsa pjesa tjetër lidhet me bonuse të ndryshme.

    Diomande vjen në Madrid pas një sezoni fantastik me RB Leipzig, ku la gjurmë me paraqitjet e tij në Bundesligë, duke realizuar 12 gola dhe duke dhuruar nëntë asistime.

    Me shpejtësi, teknikë dhe aftësi për të vendosur ndeshjet, sulmuesi nga Bregu i Fildishtë shihet si një tjetër investim i madh i Real Madridit për të ardhmen.

  • Zyrtare: Mirlind Daku transferohet te Spartak Moska, firmos kontratë trevjeçare

    Zyrtare: Mirlind Daku transferohet te Spartak Moska, firmos kontratë trevjeçare

    Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Mirlind Daku, është zyrtarisht futbollist i Spartak Moskës. Klubi rus konfirmoi të enjten transferimin e 27-vjeçarit nga Rubin Kazan, duke i dhënë fund spekulimeve që e shoqëruan javët e fundit.

    Spartaku e prezantoi Dakun përmes kanaleve zyrtare, duke e cilësuar atë si një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit rus.

    “Mirlind Daku është sulmuesi i ri i Spartakut. Njëri nga sulmuesit më të fortë në Superligën e Rusisë ka nënshkruar kontratë trevjeçare me klubin kuqezi”, thuhet në njoftimin e klubit.

    Transferimi u finalizua pavarësisht reagimeve të një pjese të tifozëve të Spartakut, të cilët shprehën kundërshtimin e tyre për afrimin e sulmuesit shqiptar, madje në ndeshjen e fundit të skuadrës u panë edhe pankarta dhe u dëgjuan thirrje fyese ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

    Sipas raportimeve, Daku do të përfitojë një pagë vjetore prej rreth 3.3 milionë eurosh, ndërsa në marrëveshje është përfshirë edhe një bonus nënshkrimi prej 1.5 milionë eurosh.

    Daku largohet nga Rubin Kazani pas tre sezonesh të suksesshme, ku u shndërrua në një nga sulmuesit më të spikatur të elitës ruse. Ai realizoi 38 gola dhe dhuroi 10 asistime në 89 ndeshje, duke shënuar të paktën 10 gola në secilin sezon.

    Te Spartak Moska, reprezentuesi shqiptar do të mbajë fanellën me numrin 19, ndërsa pritet të jetë një nga emrat kryesorë të repartit ofensiv për sezonin e ri.