ATV

Author: N.T.

  • Holanda gjen pasardhësin e Koeman, Roberto Martinez shfaqet si favorit

    Holanda gjen pasardhësin e Koeman, Roberto Martinez shfaqet si favorit

    Roberto Martinez është shfaqur si një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e Kombëtares së Holandës pas përfundimit të epokës së Ronald Koeman.

    Pas përfundimit të Kampionatit Botëror 2026, Koeman dhe Federata Holandeze e Futbollit i dhanë fund bashkëpunimit, duke lënë “Tulipanët” në kërkim të trajnerit të ri.

    Sipas raportimeve të “De Telegraaf”, drejtuesit e KNVB-së kanë zhvilluar kontaktet e para me Martinez, i cili më herët ka drejtuar Kombëtaren e Portugalisë dhe atë të Belgjikës.

    Interesimi për spanjollin vjen pasi Holanda nuk arriti të bindë dy emrat që fillimisht konsideroheshin si opsionet e preferuara për stolin, Peter Bosz dhe Arne Slot.

    Martinez tashmë shihet si një alternativë serioze dhe mund të jetë zgjedhja e federatës për të nisur një cikël të ri me Kombëtaren holandeze.

    Nëse emërohet, 52-vjeçari do të shkruante historinë duke u bërë trajneri i parë i huaj që drejton Holandën që nga Ernst Happel. Austriaku ishte në krye të “Tulipanëve” gjatë viteve 1977-1978.

  • Drita godet në merkato, kampioni i Kosovës zyrtarizon Eduart Rrocën

    Drita godet në merkato, kampioni i Kosovës zyrtarizon Eduart Rrocën

    Kampioni i Kosovës, Drita, ka bërë lëvizjen e radhës në merkato, duke zyrtarizuar transferimin e mesfushorit shqiptar, Eduart Rroca.

    Klubi nga Gjilani, pas emërimit të Ardian Nuhiut në krye të skuadrës, ka vijuar punën për përforcimin e ekipit dhe këtë herë ka siguruar shërbimet e një futbollisti me përvojë të madhe.

    Drita e ka konfirmuar transferimin përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku shkurtimisht ka prezantuar 33-vjeçarin me mesazhin: “Mirë se vjen, Eduart Rroca”.

    Rroca vjen në Gjilan pas një eksperience të gjatë në futbollin turk, ku ka mbrojtur ngjyrat e Istanbulspor, Manisa FK dhe Ankara Keçiörengücü.

    Mesfushori shqiptar ka një karrierë të pasur edhe në futbollin vendas. Para aventurës në Turqi, ai ka luajtur për disa klube të njohura shqiptare, përfshirë Luftëtarin, Egnatian, Tërbunin dhe Kukësin.

    Me ardhjen e Rrocës, Drita shton në organikë një lojtar me eksperiencë dhe cilësi në repartin e mesfushës, teksa synimi i kampionëve të Kosovës është të ndërtojnë një skuadër sa më konkurruese për sezonin e ri.

    Tashmë, mbetet të shihet nëse Rroca do të arrijë të bëhet një prej pikave kyçe të ekipit të Ardian Nuhiut në objektivat e sezonit të ardhshëm.

  • Arsenal interesohet për Jules Koundé, Barcelona përballet me një dilemë

    Arsenal interesohet për Jules Koundé, Barcelona përballet me një dilemë

    Arsenal po kërkon të përforcojë edhe më shumë skuadrën pas një sezoni të suksesshëm dhe tashmë ka kthyer vëmendjen nga Barcelona.

    Sipas Diario Sport, londinezët janë të interesuar për mbrojtësin francez, Jules Koundé, i cili mund të luajë si qendërmbrojtës, por edhe në krahun e djathtë të mbrojtjes.

    E ardhmja e Koundé-s në Camp Nou është bërë një nga temat e merkatos së kësaj vere. Francezi nuk konsiderohet më i paprekshëm nga trajneri Hansi Flick, ndërsa në krahun e djathtë tekniku gjerman mund të mbështetet te Eric García dhe Xavi Espart.

    Flick pritet të zhvillojë së shpejti një bisedë me Koundé-n, ku mund të qartësohet edhe më shumë e ardhmja e tij.

    Nga ana tjetër, Barcelona po shqyrton shitjen e disa lojtarëve të rëndësishëm për të krijuar hapësirë financiare dhe në listën e pagave. Klubi katalanas synon të financojë objektivat e tij të merkatos, mes tyre Rodri, Julián Álvarez dhe João Cancelo.

    Koundé ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2031 dhe aktualisht dëshiron të vazhdojë në Camp Nou.

    Megjithatë, situata mund të ndryshojë nëse Barcelona vendos ta shesë dhe Hansi Flick nuk e sheh më si pjesë të planeve të tij kryesore.

    Në këtë situatë, Arsenal po e monitoron nga afër mbrojtësin francez dhe mund të tentojë transferimin e tij nëse Barcelona vendos të hapë derën për një largim.

    Tani mbetet të shihet nëse Jules Koundé do të vazhdojë në Barcelonë, apo do të nisë një kapitull të ri në Premier League me fanellën e Arsenalit.

  • Luis Enrique kërkon historinë me PSG-në: Mund ta barazojmë Real Madridin

    Luis Enrique kërkon historinë me PSG-në: Mund ta barazojmë Real Madridin

    Paris Saint-Germain ka përpara një objektiv të jashtëzakonshëm në sezonin 2026/27. Kampionët në fuqi të Evropës synojnë të shkruajnë historinë duke fituar për të tretën herë radhazi trofeun e Ligës së Kampionëve, një arritje që deri më tani e ka realizuar vetëm Real Madrid.

    Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, e di mirë madhështinë e sfidës që e pret skuadrën e tij, por beson se pikërisht ky objektiv mund t’i japë ekipit motivimin maksimal.

    “Unë përqendrohem në rikthimin e dëshirës për të fituar përsëri. Është e vështirë të vazhdosh të fitosh. Tani kemi një sfidë unike, diçka praktikisht të papërsëritshme në historinë e futbollit evropian: të barazohemi me Real Madridin, nëse arrijmë të fitojmë Ligën e Kampionëve për herë të tretë radhazi”, deklaroi Enrique.

    Trajneri spanjoll, i cili tashmë ka tri trofe të Ligës së Kampionëve në karrierën e tij si trajner, e pranon se PSG-ja tashmë shihet ndryshe në Evropë.

    “Askush në histori nuk ka fituar tri herë radhazi, përveç Real Madridit. Ne mund ta barazojmë këtë arritje. Por nuk mendoj se ka ndonjë skuadër në Evropë më të motivuar se ne”, shtoi ai.

    Sipas Enrique, ndryshimi i statusit të PSG-së është një tjetër dëshmi e progresit të klubit në vitet e fundit. Nga një skuadër që dikur shihej larg favoritëve kryesorë, Parisi tashmë konsiderohet ndër ekipet që synojnë trofeun më të madh evropian.

    “Askush nuk e përjashton më Paris Saint-Germain. Dy vite më parë, ishte e vështirë të na vendosnin mes favoritëve. Tani, askush nuk do të thoshte se Paris Saint-Germain nuk është favorit”, theksoi trajneri.

    Megjithatë, Enrique e di se të qëndrosh në majë është shumë më e vështirë sesa të arrish atje.

    “Ky është një pozicion që e kemi merituar, por nëse duam ta ruajmë, duhet të punojmë edhe më shumë”, përfundoi Luis Enrique.

    Tashmë, PSG-së i mbetet të tregojë në fushë nëse mund ta shkruajë emrin e saj përkrah Real Madridit dhe të realizojë një prej arritjeve më të rralla në historinë e Ligës së Kampionëve.

  • Miami Heat nuk e lejon Giannis Antetokounmpo të bashkohet me Greqinë

    Miami Heat nuk e lejon Giannis Antetokounmpo të bashkohet me Greqinë

    Kombëtarja e Greqisë do të zhvillojë dy ndeshje vendimtare në fund të gushtit në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës, por në këto përballje nuk do të ketë në dispozicion yllin e saj kryesor, Giannis Antetokounmpo.

    Sipas raportimeve, Miami Heat nuk i ka dhënë leje Antetokounmpo-s për t’iu bashkuar kombëtares greke gjatë dritares së ardhshme kualifikuese. Klubi nga Florida druhet se angazhimi i tij me përfaqësuesen mund të rrisë rrezikun e një dëmtimi.

    Kjo përbën një goditje të rëndësishme për Greqinë, e cila po përgatitet për dy sfida shumë të vështira në garën për kualifikimin në Kupën e Botës.

    Antetokounmpo iu bashkua Miami Heat këtë verë, duke i dhënë fund aventurës së tij 13-vjeçare me Milwaukee Bucks. Transferimi i tij te skuadra nga Florida e ka bërë atë një prej figurave kryesore të projektit të ri të klubit.

    Greqia, e drejtuar nga Vassilis Spanoulis, e ka mbyllur raundin e parë të kualifikimeve me bilanc 3-3. Në fund të gushtit, grekët do të përballen fillimisht me Ukrainën në transfertë, më 28 gusht, ndërsa tri ditë më vonë do të presin Spanjën në shtëpi.

    Ukraina aktualisht ka bilanc 4-2, ndërsa Spanja kryeson me një rekord prej 5-1. Në grup janë gjithashtu Mali i Zi me 4-2, si dhe Georgia dhe Portugal, të cilat kanë nga 3-3.

    Në mungesë të Antetokounmpos, Greqia do të duhet të gjejë zgjidhje të tjera për të përballuar dy sfida të një rëndësie të madhe në rrugëtimin drejt Kupës së Botës.

  • Messi largohet përkohësisht nga futbolli pas humbjes së babait, qëndron pranë familjes

    Messi largohet përkohësisht nga futbolli pas humbjes së babait, qëndron pranë familjes

    Lionel Messi po kalon një nga momentet më të vështira të jetës së tij. Ylli argjentinas pritet të shkëputet përkohësisht nga aktivitetet me Inter Miamin, pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Jorge Messi.

    Jorge Messi ndërroi jetë në moshën 68-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë. Humbja ka prekur thellë kapitenin argjentinas, i cili kishte një marrëdhënie tepër të veçantë me babanë e tij, një prej njerëzve më të rëndësishëm në rrugëtimin e tij personal dhe profesional.

    Në këto rrethana të vështira, Messi ka vendosur të qëndrojë pranë familjes së tij në Argjentinë, duke marrë një pushim të përkohshëm nga futbolli.

    Sipas raportimeve të Doble Amarilla, 39-vjeçari do të qëndrojë në Argjentinë gjatë ditëve në vijim, ndërsa ende nuk ka një datë të përcaktuar për rikthimin e tij në Shtetet e Bashkuara dhe paraqitjet me Inter Miamin.

    Klubi amerikan tashmë duhet të menaxhojë mungesën e yllit argjentinas dhe të bëjë planet për ndeshjet e ardhshme, ndërsa Messi i kushton kohë familjes në këtë periudhë të dhimbshme.

    Për momentin, futbolli mbetet në plan të dytë për tetë herë fituesin e “Topit të Artë”, i cili po përballet me një humbje të madhe personale.

  • Gjimshiti i jep lamtumirën Atalantës, nis aventurën e re në Arabinë Saudite

    Gjimshiti i jep lamtumirën Atalantës, nis aventurën e re në Arabinë Saudite

    Berat Gjimshiti i ka dhënë fund një kapitulli të rëndësishëm të karrierës së tij në Itali. Mbrojtësi dhe kapiteni i Kombëtares shqiptare është larguar zyrtarisht nga Atalanta, duke u transferuar te Al Diriyah në Arabinë Saudite.

    Transferimi është mbyllur për shumën e 3 milionë eurove, me 31-vjeçarin që tashmë do të provojë një eksperiencë të re në futbollin saudit.

    Gjimshiti ishte pjesë e Atalantës prej disa vitesh dhe gjatë aventurës së tij në Bergamo arriti të fitonte një rol të veçantë në klub. Shqiptari u shndërrua në një prej liderëve të skuadrës, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit dhe duke qenë pjesë e një prej periudhave më të suksesshme në historinë e klubit.

    Në momentin e largimit, Gjimshiti i ka kushtuar një mesazh emocionues Atalantës dhe qytetit të Bergamos, duke shprehur mirënjohjen për vitet e kaluara aty.

    “Mbërrita i ri në Bergamo, largohem me shumë krenari dhe me një shtëpi të dytë e familje. Faleminderit Atalanta dhe qyteti i Bergamos.”

    Pas një periudhe të gjatë dhe të suksesshme në futbollin italian, Gjimshiti tashmë është gati për sfidën e radhës. Kapiteni i Shqipërisë do të veshë fanellën e Al Diriyah, duke nisur një aventurë të re dhe një kapitull krejtësisht ndryshe në karrierën e tij.

  • Ardian Nuhiu rikthehet te Drita, trajneri që solli titullin merr sërish drejtimin

    Ardian Nuhiu rikthehet te Drita, trajneri që solli titullin merr sërish drejtimin

    Drita e Gjilanit ka bërë një lëvizje të rëndësishme në pankinë, duke rikthyer Ardian Nuhiun në krye të skuadrës bardhekaltër.

    Trajneri nga Shkupi rikthehet në një ambient që e njeh shumë mirë, ndërsa merr drejtimin pas largimit të Zekirija Ramadanit.

    Për Nuhiun, kjo nuk është thjesht një tjetër aventurë në karrierë. Ai ka një histori të veçantë me Dritën, pasi ishte pikërisht në krye të skuadrës kur gjilanasit arritën një prej sukseseve më të rëndësishme të viteve të fundit.

    Nuhiu mori drejtimin e Dritës në shkurt të vitit 2019 dhe vetëm një sezon më vonë e udhëhoqi ekipin drejt titullit të kampionit të Kosovës.

    Në korrik të vitit 2020, Drita e siguroi matematikisht titullin, duke u shpallur kampione për herë të tretë në historinë e klubit.

    Tash, disa vite pas atij suksesi, Nuhiu rikthehet në Gjilan me një mision të ri.

    Ai do të ketë për detyrë të rikthejë skuadrën në rrugën e rezultateve dhe të përmbushë objektivat e klubit për sezonin e ri.

    Rikthimi i tij ka ngjallur menjëherë reagime pozitive te tifozët e Dritës, të cilët e kujtojnë shumë mirë periudhën kur Nuhiu i udhëhoqi drejt titullit.

    Tani mbetet të shihet nëse trajneri do të arrijë ta përsërisë suksesin e kaluar dhe t’i japë Dritës një tjetër kapitull të artë.

  • Dështoi kalimi te Leipzig, Asllani sërish në radarët e Barcelonës dhe Dortmundit

    Dështoi kalimi te Leipzig, Asllani sërish në radarët e Barcelonës dhe Dortmundit

    Transferimi i Fisnik Asllanit te RB Leipzig ka dështuar në momentin e fundit, edhe pse gjithçka dukej e përfunduar.

    Sulmuesi kosovar kishte arritur marrëveshje me klubin gjerman dhe Leipzig kishte qenë gati të paguante 25 milionë euro, ndërsa me bonuse shuma mund të arrinte deri në 30 milionë.

    Madje, Asllani kishte rënë dakord edhe për një kontratë afatgjatë deri në vitin 2031. Por në futboll, asgjë nuk quhet e mbyllur pa u kryer të gjitha procedurat.

    Gjatë kontrolleve mjekësore u evidentuan disa probleme dhe kjo bëri që Leipzig të tërhiqej nga marrëveshja. Deri tani nuk janë bërë të ditura detajet e sakta të shqetësimit shëndetësor, ndaj mbetet e paqartë se sa serioze është situata.

    Ky zhvillim ka rikthyer menjëherë në skenë dy emra të mëdhenj: Barcelonën dhe Borussia Dortmundin.

    Barcelona e ka monitoruar prej kohësh 23-vjeçarin, ndërsa interesi i Dortmundit gjithashtu ka qenë i pranishëm gjatë kësaj vere.

    Asllani vjen pas një sezoni shumë pozitiv me Hoffenheimin, ku në 35 paraqitje shënoi 11 gola dhe dhuroi 8 asistime, duke tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha.

    Tani ai mbetet te Hoffenheimi, por situata mund të ndryshojë shumë shpejt.

    Dortmundi mund të rikthehet në garë, ndërsa Barcelona mund ta shohë dështimin e transferimit te Leipzig si mundësinë perfekte për të bërë lëvizjen e saj.

    Pra, ajo që dukej si një transferim i mbyllur për 25 milionë euro, tashmë është kthyer në një tjetër betejë për të ardhmen e Fisnik Asllanit.

  • Fenerbahçe nuk dorëzohet për Lukakun, Napoli refuzon ofertën e parë

    Fenerbahçe nuk dorëzohet për Lukakun, Napoli refuzon ofertën e parë

    E ardhmja e Romelu Lukakut te Napoli po bëhet gjithnjë e më e paqartë, ndërsa sulmuesi belg mund të jetë duke iu afruar një largimi nga Italia.

    Në garë për shërbimet e tij është Fenerbahçe, që tashmë ka bërë ofertën e parë zyrtare për 33-vjeçarin. Megjithatë, propozimi i klubit turk nuk ka bindur drejtuesit e Napolit.

    Sipas raportimeve nga Italia, Fenerbahçe kishte ofruar rreth 5 milionë euro për kartonin e Lukakut, por Napoli e ka konsideruar këtë shumë të pamjaftueshme dhe e ka refuzuar menjëherë.

    Klubi italian vlerëson sulmuesin belg rreth 10 milionë euro dhe dëshiron të arrijë sa më afër kësaj shifre në rast të një shitjeje gjatë kësaj vere.

    Por transferimi nuk varet vetëm nga marrëveshja mes dy klubeve. Edhe kërkesat financiare të vetë Lukakut mund të paraqesin një tjetër pengesë.

    Sulmuesi raportohet se kërkon një pagë prej rreth 10 milionë eurosh në sezon, një shifër që Fenerbahçe duhet ta marrë seriozisht parasysh nëse dëshiron ta bindë belgut të transferohet në Turqi.

    Pavarësisht refuzimit të ofertës së parë, negociatat nuk janë mbyllur. Fenerbahçe pritet të rikthehet me një propozim të përmirësuar, ndërsa të dyja palët vazhdojnë të jenë në kontakt.

    Napoli është i gatshëm të dëgjojë oferta, sidomos duke pasur parasysh se kontrata e Lukakut skadon në verën e vitit 2027.

    Pra, marrëveshja nuk duket ende afër, por as e pamundur. Tashmë topi është në fushën e Fenerbahçes, nëse klubi turk rrit ofertën dhe arrin marrëveshje me Lukakun për pagën, transferimi mund të marrë një kthesë të madhe në ditët e ardhshme.