ATV

Author: N.T.

  • Christian Eriksen stërvitet me Malmö FF, në pritje të klubit të ri

    Christian Eriksen stërvitet me Malmö FF, në pritje të klubit të ri

    Mesfushori i njohur danez, Christian Eriksen, i cili është pa klub që nga vera pas skadimit të kontratës me Manchester United, po stërvitet aktualisht me skuadrën suedeze Malmö FF.

    Lajmi është konfirmuar nga klubi suedez, duke bërë të ditur se marrëveshja ka ardhur falë ndërhyrjes së shokut të tij nga kombëtarja, Anders Christiansen, i cili ka kërkuar që Eriksen të mbajë formën me ekipin.

    Malmö ka sqaruar se mesfushori 33-vjeçar nuk mund të luajë në ndeshje zyrtare, pasi afatet e regjistrimit në kampionat dhe në Europa League tashmë kanë përfunduar. Megjithatë, nëse ai do të nënshkruante, mund të paraqitej vetëm në fazën e pranverës të garave evropiane.

    E ardhmja e Eriksenit në nivel klubi mbetet e hapur, pasi interesim për të kanë shfaqur ekipe si Burnley në Premier League, Mallorca në La Liga dhe Besiktas në Turqi.

    Ndërkohë, për shkak se nuk ka klub aktiv, Eriksen nuk është përfshirë në listën e Kombëtares së Danimarkës për ndeshjet kualifikuese kundër Skocisë dhe Greqisë.

    Gjatë karrierës së tij, Eriksen ka luajtur mbi 650 ndeshje, përfshirë 310 paraqitje në Premier League, ku ka shënuar 55 gola dhe ka dhënë 78 asistime. Me kombëtaren daneze numëron 144 paraqitje dhe 46 gola, duke u renditur mes futbollistëve më të rëndësishëm të gjeneratës së tij.

  • Stadiumi i Gjakovës drejt finalizimit: nënshkruhet kontrata për mbulesën dhe ndriçimin

    Stadiumi i Gjakovës drejt finalizimit: nënshkruhet kontrata për mbulesën dhe ndriçimin

    Punimet në stadiumin e qytetit të Gjakovës kanë hyrë në një fazë vendimtare, duke u bërë çdo ditë e më afër realizimit të plotë të njërit prej projekteve më madhore sportive në Kosovë.

    Pas përfundimit të infrastrukturës bazë, është nënshkruar kontrata për mbulesën dhe ndriçimin e stadiumit, një hap kyç që e afron objektin drejt përfundimit dhe i jep edhe më shumë entuziazëm sportdashësve gjakovarë.

    Kjo fazë e investimit mbulohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila ka garantuar mbështetje të fortë për projektin, ndërsa Komuna e Gjakovës ka rikonfirmuar përkushtimin e saj për ta çuar deri në fund këtë iniciativë që pritet të kthehet në një pikë referimi për sportin kosovar.

    Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, pas nënshkrimit të kontratës, shprehu mirënjohje për ministrin Hajrulla Çeku dhe bashkëpunëtorët e tij, duke theksuar rëndësinë historike të projektit:
    “Ky është një hap i madh për njërin prej projekteve më ambicioze të ndërtuara ndonjëherë në vendin tonë. Jam i bindur se shumë shpejt qytetarët e Gjakovës dhe të gjithë Kosovës do të shohin këtë stadium të shpaloset në të gjithë madhështinë e vet”.

    Stadiumi i Gjakovës pritet të bëhet një qendër moderne sportive dhe një krenari e vërtetë për qytetin dhe të gjithë vendin.

  • Shqiptarët në skenën e Eurobasketit: Maxhuni me Finlandën sfidon Gjermaninë, Spahiu e Osmani për kreun me Turqinë

    Shqiptarët në skenën e Eurobasketit: Maxhuni me Finlandën sfidon Gjermaninë, Spahiu e Osmani për kreun me Turqinë

    Edon Maxhuni dhe Kombëtaren e Finlandës sonte do të kenë testin më të vështirë të Eurobasketit, pasi përballen me kampionët e botës, Gjermaninë, në ndeshjen e fundit të Grupit B që nis nga ora 19:30.

    Finlanda ka siguruar tashmë kualifikimin në 1/8 e finales me tri fitore, por përballja me gjermanët, që nuk kanë pësuar asnjë humbje deri më tani, pritet të jetë sfidë e fortë për ekipin e Maxhunit.
    Organizatori shqiptar ka dhënë kontribut të rëndësishëm në sukseset e deritashme të “Ujqërve të Veriut” dhe sot kërkon të lërë shenjë edhe ndaj favoritëve kryesorë të turneut.

    Ndërkohë, vëmendja e ditës shkon edhe në Grupin A, ku Kenan Spahiu dhe Erxhan Osmani do të zbresin në parket me fanellën e Turqisë kundër Serbisë nga ora 20:30.
    Të dy lojtarët me origjinë shqiptare kanë bërë paraqitje të mira në katër fitoret e deritanishme të Turqisë dhe tani kërkojnë pozitën e parë në grup përballë serbëve, që po ashtu kanë bilanc perfekt.

    Kështu, shqiptarët po shkëlqejnë në parketet e Eurobasketit, duke treguar se janë pjesë e historive më të bukura të këtij edicioni.

  • Juventusi blindon Kenan Yildizin: kontratë deri në vitin 2030

    Juventusi blindon Kenan Yildizin: kontratë deri në vitin 2030

    Juventusi ka përgatitur kontratën e re për mesfushorin turk Kenan Yildiz, një nga lojtarët më të pëlqyer nga trajneri Igor Tudor.

    Sipas mediave italiane, marrëveshja do të zgjasë deri në vitin 2030 dhe përfshin një rritje të ndjeshme të pagës, duke arritur me bonuset deri në 6 milionë euro në sezon. Me këtë kontratë, 19-vjeçari do të ngjitet mes lojtarëve më të paguar të “Zonjës së Vjetër”, në nivel me Bremerin dhe Davidin, menjëherë pas Vlahoviçit.

    Klubi bardhezi ka refuzuar të gjitha ofertat e ardhura këtë verë nga gjigantë europianë si Arsenali dhe Chelsea, duke e konsideruar Yildizin gurthemel të projektit të së ardhmes. Zyrtarizimi i marrëveshjes pritet të bëhet sapo agjenti i lojtarit të rikthehet në Torino.

    Ndërkohë, Juventusi ka surprizuar me vendimin për të mbajtur Dusan Vlahoviçin në skuadër, ndonëse ishte përfolur një rikthim i Kolo Muanit. Po ashtu, këtë javë u zyrtarizua edhe kontrata me sulmuesin kosovar Edon Zhegrova.

  • Akanji flet para sfidës me Kosovën: Respekt për Avdullahun, por krenar që luaj për Zvicrën

    Akanji flet para sfidës me Kosovën: Respekt për Avdullahun, por krenar që luaj për Zvicrën

    Mbrojtësi i Zvicrës, Manuel Akanji, doli sot para mediave në prag të ndeshjes kualifikuese për Botërorin 2026 kundër Kosovës, ku foli për sfidën e radhës dhe për vendimin e Leon Avdullahut që të përfaqësojë Kosovën.

    Akanji, i cili iu bashkua kombëtares helvetike të hënën, në atë kohë ende zyrtarisht lojtar i Manchester Cityt, theksoi se nuk ka pasur asnjëherë dyshime për zgjedhjen e tij për Zvicrën.

    Duke komentuar për Avdullahun, mesfushorin e ri që zgjodhi Kosovën, Akanji u shpreh:
    “Është vendimi i tij. Ne kemi një ekip shumë të fortë këtu. Nëse ai dëshiron të luajë për Kosovën, është zgjedhja e tij dhe duhet ta respektojmë. Për mua, është nder dhe krenari të luaj për Zvicrën.”

    Sa i përket ndeshjes së së premtes, mbrojtësi i Interit paralajmëroi se skuadra e Kosovës nuk është aspak e lehtë si kundërshtar:
    “Në kualifikueset e Europianit nuk patën fat, pësuan gola të vonshëm, por janë ekip agresiv dhe i fortë. Ne do të synojmë fitoren dhe duhet të jemi gati që nga minuta e parë.”

    Zvicra dhe Kosova do të përballen të premten në një duel të rëndësishëm për ecurinë e tyre në Grupin e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

  • Napoli lë jashtë Lukakun nga lista e Championsit për shkak të lëndimit

    Napoli lë jashtë Lukakun nga lista e Championsit për shkak të lëndimit

    Napoli ka publikuar listën e lojtarëve të regjistruar për fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve 2025/26, ku mungon emri i Romelu Lukakut.

    Sulmuesi belg, që sezonin e kaluar ishte një nga lojtarët kyç të skuadrës së Antonio Contes, nuk është përfshirë për shkak të një lëndimi serioz. Lukaku u dëmtua më 14 gusht, gjatë një miqësoreje me Olympiacosin, duke pësuar një tërheqje në kofshën e majtë. Ky dëmtim pritet ta mbajë jashtë fushave për tre deri në katër muaj.

    Si pasojë, 32-vjeçari do të mungojë në të gjitha tetë ndeshjet e fazës së grupeve, ndërsa rikthimi i tij parashikohet në dhjetor. Për këtë arsye, Conte ka vendosur të mos e regjistrojë në listën e UEFA-s, duke llogaritur në alternativa të tjera sulmuese, përfshirë edhe Rasmus Højlundin, i transferuar këtë verë nga Manchester United.

    Lukaku do të ketë mundësinë të rikthehet nëse Napoli arrin fazën e eliminimit direkt të Championsit.

  • FBK cakton 4 shtatorin si afat final për licencimin e klubeve dhe shkollave të basketbollit

    FBK cakton 4 shtatorin si afat final për licencimin e klubeve dhe shkollave të basketbollit

    Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka bërë të ditur se më 4 shtator përfundon afati për licencimin e klubeve dhe shkollave të basketbollit për edicionin garues 2025/26. Ky proces zhvillohet sipas Rregullores për Licencim dhe Garim dhe përfshin pesë kritere bazë: sportiv, financiar, ligjor, etik e disiplinor, si dhe administrativ e infrastrukturor.

    Klubet duhet të dorëzojnë dokumentacionin për kategorinë përkatëse të licencës (A, B, C ose D). Një ndër risitë e këtij edicioni është obligimi i klubeve të Superligës së Meshkujve që të dedikojnë së paku 10% të buxhetit vjetor për gjeneratat e reja dhe të paraqesin një program trajnimi për grupmoshat U10–U18.

    FBK ka kërkuar gjithashtu respektim të politikave të mbrojtjes së fëmijëve, duke obliguar klubet të emërojnë një person përgjegjës për këtë fushë dhe të marrin pjesë në trajnimet e nevojshme.

    Dokumentacioni për licencim duhet të dorëzohet fizikisht në zyrat e FBK-së deri më 4 shtator 2025.

  • Gjobat e rënda ndaj tifozëve ndezin debat në futbollin kosovar

    Gjobat e rënda ndaj tifozëve ndezin debat në futbollin kosovar

    Sjellja e tifozëve në stadiumet e futbollit kosovar po ndëshkohet gjithnjë e më ashpër nga autoritetet. Vetëm javën e fundit janë regjistruar dy raste me gjoba të rënda në Gjakovë dhe Podujevë, duke ngjallur debat mbi qasjen ndaj publikut sportiv.

    Në Gjakovë, një tifoz i Vëllaznimit u gjobit nga policia për ofendime ndaj lojtarëve të Prizrenit, gjatë ndeshjes së zhvilluar pranë palestrës “Shani Nushi”. Ai e pranoi se kishte sharë, por theksoi se nuk ishte i vetmi që veproi në atë mënyrë.

    Ndërkohë, në Podujevë, gjatë derbit mes Llapit dhe Dritës, dy anëtarë të “Intelektualëve” u gjobitën nga 500 euro secili. Sipas reagimit të tifo-grupit gjilanas, njëri u ndëshkua vetëm pse kishte lagur me birrë shokët gjatë festës, ndërsa tjetri pasi reagoi ndaj policisë gjatë tensioneve në tribuna. Si pasojë, tifozët e Dritës braktisën tribunat në minutat e fundit të ndeshjes.

    “Intelektualët” e kanë quajtur këtë vendim të policisë “të paprecedentë dhe të patolerueshëm”, duke publikuar edhe fotografinë e gjobës prej 500 euro.

    Këto raste kanë hapur diskutime të gjera për mënyrën se si po trajtohen tifozët në stadiume, me shqetësime se masat ndëshkuese mund të ndikojnë në uljen e numrit të tyre, ndonëse pjesëmarrja në tri javët e para të kampionatit ishte e lartë.

  • Kosova vazhdon përgatitjet, Korenica dhe Gallapeni optimistë para sfidave kualifikuese

    Kosova vazhdon përgatitjet, Korenica dhe Gallapeni optimistë para sfidave kualifikuese

    Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar përgatitjet për ciklin kualifikues të Kupës së Botës 2026, ku më 5 shtator do të përballet me Zvicrën në Bazel dhe më 8 shtator me Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri”. Seanca e fundit stërvitore u zhvillua në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, me të gjithë lojtarët e ftuar nga përzgjedhësi Franco Foda.

    Pas stërvitjes, mesfushori Meriton Korenica u shpreh optimist për dy sfidat e para të këtij cikli. Ai theksoi motivimin e lartë të skuadrës dhe dëshirën për të arritur rezultate pozitive. “Po përgatitemi maksimalisht, të gjithë djemtë janë të motivuar dhe shpresojmë të marrim rezultat pozitiv kundër Zvicrës dhe Suedisë”, tha Korenica, duke theksuar edhe rëndësinë e përkrahjes së tifozëve shqiptarë në Bazel.

    Në të njëjtën linjë ishte edhe portieri Lindon Gallapeni, i cili e cilësoi një ndjenjë të veçantë të përfaqësojë Kosovën në këto ndeshje. “Është privilegj të vesh fanellën e Kombëtares. Po punojmë fort si grup dhe besoj se mund të arrijmë rezultate që do t’i gëzojnë tifozët tanë”, u shpreh ai.

    Dardanët do të mbajnë stërvitjen e radhës më 3 shtator, nga ora 11:00, në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.

  • Benjamin Pavard rikthehet në Francë, i bashkohet Marseille në huazim me opsion blerjeje

    Benjamin Pavard rikthehet në Francë, i bashkohet Marseille në huazim me opsion blerjeje

    Mbrojtësi francez Benjamin Pavard ka kompletuar kalimin e tij nga Interi te Olympique Marseille, në një marrëveshje huazimi me mundësi blerjeje për rreth 15 milionë euro.

    28-vjeçari ishte lidhur me disa klube gjatë verës, përfshirë Galatasarayn dhe Tottenham Hotspur, por në fund vendosi të rikthehej në Francë, duke iu bashkuar skuadrës së Roberto De Zerbit në minutat e fundit të merkatos.

    Marseille do të mbulojë tërësisht pagën e Pavard gjatë sezonit, ndërsa opsioni i blerjes mbetet i vlefshëm për verën e ardhshme.

    Interi kishte paguar 31.4 milionë euro për të marrë mbrojtësin nga Bayern Munich në vitin 2023. Gjatë periudhës me zikaltërit, ai regjistroi 70 paraqitje zyrtare, me një gol dhe katër asistime.

    Në anën tjetër, për të zëvendësuar Pavard, Interi ka afruar Manuel Akanjin nga Manchester City në formë huazimi njëvjeçar, me opsion blerjeje prej 15 milionë eurosh. Klubi italian do t’i paguajë Cityt 1 milion euro për huazimin, ndërsa opsioni mund të shndërrohet në detyrim nëse Interi arrin të fitojë Scudetton.