ATV

Author: K.B.

  • Kurti mbledh sot kabinetin qeveritar

    Kurti mbledh sot kabinetin qeveritar

    Kabineti qeveritar i kryeministrit Albin Kurti do të mblidhet sot në orën nëntë të mëngjesit.

    Lajmi është bërë i ditur nga Zyra e Kryeministrit.

    “Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. Ora 9:00,” ka njoftuar ZKM.

    ZKM nuk ka bërë të ditur se çfarë do të shqyrtohet në këtë mbledhje.

  • Reshje shiu përfshijnë vendin sot, pritet të pushojnë gjatë ditës

    Reshje shiu përfshijnë vendin sot, pritet të pushojnë gjatë ditës

    Reshjet shiu pritet të përfshijnë vendin gjatë natës me kalimin në mëngjesin e së premtës.

    Pjesëve perëndimore reshjet po parashihet të jenë paksa më intenzive, zonave malore me reshje më të shumta dëbore. Deri nga mesdita reshjet pushojnë, kur parashihen edhe intervale me diell.

    Temperaturat minimale zbresin në 3C e 5C, derisa gjatë ditës maksimalet shkojnë deri në 10C e 12C. Frynë erë jugore e juglindore mesatare e mesatarisht e fuqishme 5-12m/s.

    Më shumë vransira kalojnë ditën e shtunë mbi vend, ku përreth zonave malore mund të shoqërohen me reshje të dobëta dëbore. Pak reshje dëbore mund të shfaqen me kalimin në ditën e diel, kur temperaturat minimale zbresin në -2C.

    Maksimalet mbesin më të ulëta të shtunën, ndërmjet 2C e 4C, e të dielen shënojnë një rritje në 8C. Të shtunën frynë erë mesatare verilindore 5-11m/s. Nga dita e hënë parashihet mot stabil, kryesisht me diell. Temperaturat maksimale shënojnë rritje deri në 12C e 14C. Të martën aty këtu mund të paraqiten riga lokale shiu, derisa edhe era frynë nga veriperëndimi me hove deri në 10m/s.

  • Sa trupa i ka NATO-ja në Kosovë?

    Sa trupa i ka NATO-ja në Kosovë?

    Gjithsej 4.767 trupa nga 33 vende të botës shërbejnë aktualisht në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), KFOR. Gati gjysma e forcave janë nga Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hungaria dhe Turqia.

  • Parlamenti Evropian publikon draft-rezolutën për Shqipërinë

    Parlamenti Evropian publikon draft-rezolutën për Shqipërinë

    Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian ka publikuar draft-raportin për Shqipërinë për vitin 2025.

    Në draftin e siguruar nga Top Channel, vlerësohet progresi i shpejtë në negociatat e anëtarësimit dhe hapja e të gjithë grup-kapitujve brenda 13 muajve, transmeton Klankosova.tv.

    Më tej theksohet se objektivi për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 është i arritshëm, por kërkon zbatim të plotë dhe të pakthyeshëm të reformave, veçanërisht në shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit, zgjedhjet dhe lirinë e medias.

    “Duke qenë se forcimi i institucioneve demokratike, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, liria e medias dhe të drejtat themelore mbeten thelbësore për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit“, thekson PE.

    “Pavarësisht arritjeve Shqipëria akoma përballet me sfida të ndryshme si për shembull, kapërcimi i polarizimit të brendshëm politik, dhe përmirësimin e kulturës politike. Duke forcuar ligjet dhe duke konsoliduar reformat e antikorrupsionit. Raporti i këtij viti vendos fokusin në reformat socio-ekonomike dhe nënvizon rëndësinë e dialogut social për të arritur rezultat”, thuhet në raport.

    Draft-rezoluta e plotë:

    Parlamenti Evropian,

    – duke pasur parasysh Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Komuniteteve Evropiane dhe Shteteve Anëtare të tyre, nga njëra anë, dhe Republikës së Shqipërisë, nga ana tjetër,

    – duke pasur parasysh aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE, paraqitur më 24 prill 2009,

    – duke pasur parasysh Rregulloren (BE) 2021/1529 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të 15 shtatorit 2021 për krijimin e Instrumentit për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA III),

    – duke pasur parasysh Rregulloren (BE) 2024/1449 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të 14 majit 2024 për krijimin e Mekanizmit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor,

    – duke pasur parasysh komunikimin e Komisionit të 5 shkurtit 2020 “Forcimi i procesit të anëtarësimit – Një perspektivë e besueshme e BE-së për Ballkanin Perëndimor”,

    – duke pasur parasysh komunikimin e Komisionit të 8 nëntorit 2023 “Plani i ri i rritjes për Ballkanin Perëndimor”,

    – duke pasur parasysh Agjendën e Reformave të Shqipërisë të paraqitur në kuadër të Mekanizmit të Reformës dhe Rritjes së BE-së, siç është miratuar nga Komisioni më 23 tetor 2024,

    – duke pasur parasysh komunikimin e Komisionit të 8 korrikut 2025 “Raporti për Shtetin e së Drejtës 2025”, i shoqëruar me dokumentin e punës së shërbimeve të Komisionit “Raporti për Shtetin e së Drejtës 2025 – Kapitulli për situatën e shtetit të së drejtës në Shqipëri”,

    – duke pasur parasysh komunikimin e Komisionit të 4 nëntorit 2025 “Komunikimi 2025 për Politikën e Zgjerimit të BE-së”, i shoqëruar me dokumentin e punës “Raporti për Shqipërinë 2025”,

    – duke pasur parasysh raportin përfundimtar të 23 tetorit 2025 të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it të OSBE-së mbi zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë të 11 majit 2025,

    – duke pasur parasysh deklaratën e Samitit BE–Ballkani Perëndimor të mbajtur në Bruksel më 17 dhjetor 2025,

    – duke pasur parasysh rezolutat e mëparshme për Shqipërinë,

    – duke pasur parasysh nenin 55 të Rregullores së tij,

    – duke pasur parasysh raportin e Komisionit për Punët e Jashtme (A10-0000/2026),

    duke qenë se zgjerimi i BE-së mbetet një investim strategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe zhvillim demokratik e socio-ekonomik në të gjithë kontinentin evropian;duke qenë se Shqipëria ka ruajtur një orientim të qartë strategjik drejt anëtarësimit në BE dhe ka demonstruar përputhje të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë (CFSP) të BE-së;duke qenë se Shqipëria është vend kandidat që nga viti 2014, ka nisur negociatat e anëtarësimit në korrik 2022, ka përfunduar me sukses procesin e “screening”-ut në nëntor 2023 dhe ka hapur të gjitha grup-kapitujt e negociatave ndërmjet 15 tetorit 2024 dhe 17 nëntorit 2025;duke qenë se Raporti i Komisionit për vitin 2025 konfirmon se vendi vazhdon të bëjë progres në shumicën e fushave të lidhura me anëtarësimin, ndërsa thekson nevojën për reforma më të thella, më të qëndrueshme dhe të pakthyeshme;duke qenë se besueshmëria e procesit të zgjerimit varet nga kushtëzimi i rreptë, progresi i bazuar në meritë dhe zbatimi efektiv i reformave, jo vetëm nga miratimi formal i legjislacionit;duke qenë se forcimi i institucioneve demokratike, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, liria e medias dhe të drejtat themelore mbeten thelbësore për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit;duke qenë se rekomandimet e OSBE/ODIHR për përmirësimin e procesit zgjedhor ende nuk janë zbatuar plotësisht;Përshëndet angazhimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë për integrimin në BE, të bazuar në konsensusin mes forcave politike dhe mbështetjen e gjerë qytetare, si dhe faktin që u hapën të gjitha grup-kapitujt brenda vetëm 13 muajve;Përshëndet ambicien për të përmbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027 dhe progresin e shpejtë të viteve të fundit; thekson nevojën për zbatim të plotë të legjislacionit;Vëren se kuadri zgjedhor konsiderohet përgjithësisht i përshtatshëm, por shpreh shqetësime për barazinë e kushteve, keqpërdorimin e burimeve administrative, akuzat për blerje votash dhe presion mbi votuesit; bën thirrje për reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias;Shpreh shqetësim për polarizimin politik dhe diskursin përplasës që dëmton funksionimin e institucioneve demokratike;Inkurajon forcimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit, transparencën legjislative dhe konsultimin me shoqërinë civile;
    —

    ## Shteti i së drejtës, gjyqësori dhe lufta kundër korrupsionit

    Përshëndet vijimin e reformës në drejtësi dhe procesin e vettingut; vëren sfida si vonesat në çështje dhe përpjekjet për ndikim të padrejtë;Kërkon forcimin e organeve të qeverisjes së drejtësisë dhe investime në infrastrukturë e dixhitalizim;Thekson se korrupsioni mbetet shqetësim serioz dhe kërkon forcim të hetimeve dhe dënimeve, sidomos në nivele të larta;Insiston në adresimin e korrupsionit në të gjitha nivelet për të rritur besimin e qytetarëve;Thekson rëndësinë e luftës kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimit me agjenci të BE-së si Europol dhe Eurojust;
    —

    ## Të drejtat themelore dhe liria e medias

    Kërkon mbrojtje më të fortë të lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik;Inkurajon forcimin e mbrojtjes së minoriteteve dhe grupeve të cenueshme, përfshirë romët, egjiptianët, personat me aftësi të kufizuara, punëtorët migrantë dhe personat LGBTIQ+; shpreh shqetësim për retorikën antigjinore;Nënvizon nevojën për përmirësimin e aksesit në drejtësi;
    —

    ## Reforma në administratën publike

    Vlerëson progresin, por kërkon depolitizim dhe rekrutime mbi bazë merite;Kërkon planifikim më të mirë të politikave dhe transparencë buxhetore;
    —

    ## Reforma socio-ekonomike dhe mjedisi

    Përshëndet angazhimin në Planin e Rritjes së BE-së, por vëren dobësi strukturore si informaliteti dhe produktiviteti i ulët;Thekson rëndësinë e investimeve në arsim dhe inovacion;Nënvizon rëndësinë e dialogut social dhe përfaqësimit sindikal;Shpreh shqetësim për mungesën e progresit në mjedis dhe klimë;
    —

    ## Politika e jashtme dhe bashkëpunimi rajonal

    Përgëzon për përputhjen e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së;Thekson rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë;
    —

    ## Mbështetja e BE-së

    Përshëndet ndihmën financiare dhe teknike të BE-së, duke theksuar lidhjen e saj me zbatimin e reformave;Ngarkon Presidentin e Parlamentit që ta përcjellë këtë rezolutë institucioneve përkatëse të BE-së dhe autoriteteve të Republikës së Shqipërisë.
    —

    # SHPJEGIM

    Ky raport vlerëson progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe përfshin reagimin e Parlamentit ndaj raportit të zgjerimit të vitit 2025.

    Shqipëria, vend kandidat që nga 2014, ka nisur negociatat në korrik 2022 dhe ka hapur të gjithë grup-kapitujt deri në nëntor 2025, në një kohë rekord.

    Për të arritur objektivin e anëtarësimit deri në fund të dekadës, zbatimi efektiv i reformave do të jetë thelbësor.

    Me gjithë progresin, sfida mbeten polarizimi politik, forcimi i shtetit të së drejtës dhe konsolidimi i reformave kundër korrupsionit.

  • Presidentja Osmani urohet nga Katari për 18-vjetorin e Pavarësisë

    Presidentja Osmani urohet nga Katari për 18-vjetorin e Pavarësisë

    Lartmadhëria e Tij, Emiri i Shtetit të Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, dhe Lartmadhëria e Tij, Zëvendësemiri i Shtetit të Katarit, Abdullah bin Hamad Al Thani, kanë uruar Presidenten Vjosa Osmani me rastin e përvjetorit të 18 të Pavarësisë.

    Në mesazhet e tyre, ata kanë përcjellë urime të sinqerta për Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke i dëshiruar Presidentes shëndet dhe mirëqenie, si dhe popullit të Kosovës zhvillim dhe përparim të mëtejshëm.

    “Po ashtu, është shprehur përkushtimi për forcimin dhe thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Katarit”, thuhet në njoftimin e ndarë nga presidenca e Kosovës.

  • Mbreti Charles flet hapur pas arrestimit të vëllait të tij për lidhje me Epstein

    Mbreti Charles flet hapur pas arrestimit të vëllait të tij për lidhje me Epstein

    Andrew Mountbatten-Windsor, vëllai i Mbretit Charles është arrestuar nën dyshimet për sjellje të keqe në detyrën publike.

    Një deklaratë nga policia tha: “Sot kemi arrestuar një burrë në të 60-at nga Norfolk me dyshimin për sjellje të keqe në detyrën publike dhe po kryejmë kërkime në adresa në Berkshire dhe Norfolk. Burri mbetet në paraburgim policor në këtë kohë”.

    Policia ka qenë duke vlerësuar akuzat se Mountbatten-Windsor – i njohur më parë si Princi Andrew – ka ndarë informacione të ndjeshme me miliarderin Jeffrey Epstein, kur ai ishte një i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar.

    Policia e Thames Valley tha më parë se po shqyrtonte akuzat se një grua ishte trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar nga Epstein për të pasur një takim seksual me Andrew, dhe pretendon se ai ka ndarë informacione të ndjeshme me financierin e turpëruar ndërsa shërbente si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar.

    Tani në lidhje me arrestimin ka reaguar Mbreti Charles.

    Sipas tij, “ligji duhet të marrë rrugën e vet” edhe pse shprehu “shqetësimin e tij më të thellë” për arrestimin e vëllait të tij më të vogël.

    “Me shqetësimin më të thellë mësova lajmin për Andrew Mountbatten-Windsor dhe dyshimin për sjellje të keqe në detyrën publike. Ajo që vijon tani është procesi i plotë, i drejtë dhe i duhur me anë të të cilit kjo çështje hetohet në mënyrën e duhur dhe nga autoritetet përkatëse. Në këtë drejtim, siç e kam thënë edhe më parë, ata kanë mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë të plotë dhe të përzemërt”, tha Mbreti Charles.

    “Më lejoni ta them qartë: ligji duhet të marrë rrugën e vet”, shtoi ai.

    “Ndërsa ky proces vazhdon, nuk do të ishte e drejtë që unë të komentoja më tej mbi këtë çështje. Ndërkohë, unë dhe familja ime do të vazhdojmë detyrën dhe shërbimin tonë ndaj jush të gjithëve”, përfundoi monarku.

  • Fjalim i Trump, rezolutë e përbashkët, kjo është agjenda e mbledhjes së parë të Bordit të Paqes

    Fjalim i Trump, rezolutë e përbashkët, kjo është agjenda e mbledhjes së parë të Bordit të Paqes

    Sot në Washington do të zhvillohet takimi inaugurues i Bordit të Paqes i Presidentit të SHBA-së Donald Trump. Ky bord synon të çojë përpara rindërtimin e Gazës.

    Takimi vjen gati katër muaj pasi administrata Trump ndërmjetësoi një armëpushim në Rripin e Gazës që lejoi lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura izraelite.

    Megjithatë, që atëherë, të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje pothuajse të përditshme të armëpushimit dhe qindra palestinezë janë vrarë, sipas ministrisë së shëndetësisë në Gaza të drejtuar nga Hamasi.

    Megjithatë, një zyrtar i lartë amerikan kundërshtoi idenë se përparimi në Gaza ka ngecur.

    “Nuk kemi iluzione për sfidat në lidhje me demilitarizimin, por jemi inkurajuar nga ajo që kanë raportuar ndërmjetësit”, tha zyrtari i lartë amerikan të mërkurën.

    Ndërsa SHBA-të po e quajnë takimin e së enjtes si një takim inaugurues, anëtarët e Bordit të Paqes u takuan muajin e kaluar në Zvicër për një ceremoni nënshkrimi në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror.

    Agjenda

    Mbledhja e sotme do të fillojë me një mëngjes në orën 9:00 (15:00 me orën e Tiranës).

    Trump do të mbërrijë në orën 10:00 për të mbajtur fjalimin hapës dhe për të nënshkruar një numër rezolutash që kanë të bëjnë me Gazën.

    Kryetari i secilit delegacion të pranishëm u udhëzua të ofronte një fjalim të shkurtër, gjatë të cilit ata inkurajohen të njoftojnë kontributet e tyre në përpjekjet e rindërtimit të Gazës.

    Do të ketë gjithashtu fjalime nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ndihmësit e lartë të Trump, Jared Kushner dhe Steve Ëitkoff, Ambasadori i SHBA-së në OKB, Mike Ëaltz, ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bordit të Paqes për Gazën, Nickolay Mladenov, thotë zyrtari amerikan.

    Rubio është anëtar i Bordit Ekzekutiv të Bordit të Paqes, ndërsa Kushner, Ëitkoff, Blair dhe Mladenov janë anëtarë të Bordit Ekzekutiv të Gazës të Bordit të Paqes. Të dy panelet pritet të luajnë një rol në mbikëqyrjen e menaxhimit të Gazës pas luftës.

    Trump do të marrë pjesë në një foto në grup përpara se të largohet në orën 11:00, ndërsa eventi do të vazhdojë për një orë tjetër, sipas një orari të dërguar pjesëmarrësve.

  • Lituania hap Konsullatën në Kosovë

    Lituania hap Konsullatën në Kosovë

    Lituania ka hapur Konsullatën e saj në Kosovë, teksa kjo ngjarje është parë si kapitull i ri në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

    Në ceremoninë zyrtare të organizuar me këtë rast, para të pranishmëve u drejtua ambasadori jorezident i Lituanisë për Kosovën, Eduardas Borisovas, i cili theksoi se hapja e konsullatës përfaqëson një hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit institucional, ekonomik dhe kulturor. Ai nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme të Lituanisë për integrimin evropian të Kosovës dhe për konsolidimin e shtetësisë së saj në arenën ndërkombëtare.

    Të pranishmëve iu drejtua edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, i cili e cilësoi këtë akt si dëshmi të besimit të ndërsjellë dhe të partneritetit strategjik mes dy vendeve. Sipas tij, thellimi i marrëdhënieve parlamentare dhe shkëmbimi i përvojave në fushën e reformave demokratike mbetet prioritet i përbashkët.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke theksuar se prania konsullore do të lehtësojë komunikimin institucional dhe do të forcojë koordinimin në çështje me interes të përbashkët.

    Ndërsa konsulli i nderit, Bashkim Zeqiri, u shpreh i nderuar për besimin e dhënë dhe u zotua se do të punojë për promovimin e interesave të ndërsjella, duke ndihmuar në ndërtimin e urave të reja bashkëpunimi në ekonomi, arsim, kulturë dhe investime.

    Hapja e kësaj konsullate përfaqëson jo vetëm një prani diplomatike më të fuqishme të Lituanisë në Kosovë, por edhe një sinjal të qartë për përkushtimin e dy vendeve drejt një partneriteti afatgjatë, të bazuar në respekt, solidaritet dhe vizion të përbashkët evropian.

  • Aksioni te Apeli, vendoset mbishkrimi “Gjykata e Apelit shfajëson e shpërblen abuzuesit e vajzave dhe grave”

    Aksioni te Apeli, vendoset mbishkrimi “Gjykata e Apelit shfajëson e shpërblen abuzuesit e vajzave dhe grave”

    Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur një aksion para Gjykatës së Apelit në Prishtinë si reagim ndaj lirimit të akuzës për policin e akuzuar për abuzimin e shumëfishtë seksual të vajzës së mitur nga Drenasi më 2019-ën dhe kthimin në punë.

    Ky Kolektiv kërkon nga Gjykata që polici i rikthyer në punë të largohet, pasi që siç theksojnë i njëjti paraqet dyfish rrezik për çdo vajzë e grua në uniformë zyrtare.

    Gjersa në dyert e Gjykatës së Apelit kanë vendosur një pankarta me mbishkrim “Gjykata e Apelit shfajëson e shpërblen abuzuesit e vajzave dhe grave”

    “Dje në lajme u bë me dije se Gjykata e Apelit në Prishtinë ka vendosur që përveç se ta lirojë nga akuza policin e akuzuar për abuzimin e shumëfishtë seksual të vajzës së mitur nga Drenasi në vitin 2019, ta dëmshpërblejë atë me mbi 45 mijë euro paga, trust e kamatë ligjore dhe ta kthejë në punë.

    Ky vendim i cili ka kaluar në heshtje në vitin 2024 paraqet alarm për sigurinë tonë kolektive si vajza dhe gra. Është lemeritëse për ne të marrim vesh se të akuzuarit për abuzim seksual të një vajze të mitur, përveç se është liruar, të vazhdojë të punojë në Policinë e Kosovës, e cila është adresa e parë për raportim të dhunës. Ky shfajësim dhe shpërblim i abuzuesve e ushqen edhe më tej mosbesimin, frikën dhe hezitimin që vajzat dhe gratë e kanë për të raportuar në institucione dhunën që ju bëhet. Teksa policia, gjykata e institucione tjera publike akomodojnë abuzues seksualë, ne nuk mund të jemi të sigurta askund.

    Andaj të revoltuar/a, nga kjo gjykatë kërkojmë që polici i rikthyer në punë të largohet nga puna duke qenë së i njejti paraqet dyfish rrezik për çdo vajzë e grua në uniformë zyrtare. Kërkojmë dhe thërrasim veprim kolektiv ndaj kësaj praktike shfajësuese e cila po normon dhunë mbi trupat tanë.

    Të vetëdijshme për rrezikshmërinë e kudogjendur që na i përshkon jetët tona, ne përveç vigjilencës tonë, kërkojmë edhe solidarizim e organizim shoqëror për t’i bërë ballë sulmeve të shumëanshme që na bëhen. Vetëm nëpërmjet solidarizimit, refuzimit të dhunës së institucionalizuar patriarkale dhe organizimit të shtrirë shoqëror, mund t’i mbrojmë trupat tanë kundër këtij shteti patriarkal”, thuhet në komunikatën për media.

  • Zuckerberg para gjykatës, një 20-vjeçare padit platformat online që krijojnë varësi

    Zuckerberg para gjykatës, një 20-vjeçare padit platformat online që krijojnë varësi

    Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka nisur një proces gjyqësor, që sipas ekspertëve, mund të ketë ndikim të gjerë në industrinë e teknologjisë.

    Një 20-vjeçare ka paditur platformat online, të cilat i akuzon se i kanë projektuar shërbimet e tyre në mënyrë të qëllimshme për të krijuar varësi tek përdoruesit.

    Në bankën e dëshmitarëve është ulur edhe vetë kreu i Meta-s, Mark Zuckerberg, i cili i doli në mbrojtje praktikave të kompanisë së tij. Themeluesi i Facebook insistoi se kompania nuk vendos më objektiva për kohën që përdoruesit kalojnë në aplikacionet e saj. Por sipas raportimeve nga salla e gjyqit, ai e pranoi gjithashtu se në të kaluarën ka pasur mangësi në verifikimin e moshës së përdoruesve.

    Në mea culpa-n e tij pohohej se kompania ka qenë e ngadaltë në identifikimin e përdoruesve të mitur dhe se disa fëmijë nën moshën 13 vjeç kanë arritur të hapin llogari në platforma si Instagram, ndonëse kjo bie ndesh me kushtet e përdorimit. Sipas tij, llogaritë e tilla hiqen sapo zbulohen. Në padi, 20-vjeçarja pretendon se platformat janë ndërtuar me mekanizma që nxisin përdorimin e vazhdueshëm, si funksioni i “scroll”-it të pafund, që i lejon përdoruesit të kalojnë pa ndërprerje nga një postim në tjetrin. Ajo thotë se ka nisur t’i përdorë këto rrjete që në fëmijëri dhe i lidh problemet e saj me depresionin dhe ankthin me përdorimin e tyre afatgjatë.

    Padia është ngritur kundër YouTube dhe Instagramit. Gjyqi konsiderohet se mund të krijojë një precedent të rëndësishëm mbi përgjegjësinë ligjore të kompanive të teknologjisë mbi ndikimin e produkteve të tyre në shëndetin mendor të përdoruesve.