ATV

Author: K.B.

  • Kanosi me armë dhe granatë policinë, një muaj paraburgim për Liridon Podrimjën

    Kanosi me armë dhe granatë policinë, një muaj paraburgim për Liridon Podrimjën

    Një paraburgim i është Liridon Podrimjës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale të kanosjes, mbajtjes së paautorizuar të armëve dhe posedimit të paautorizuar të narkotikëve.

    Vendimi është marrë në Gjykatën Themelore të Gjakovës.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më 25 janar 2026 në Gjakovë, i pandehuri, pasi u ndalua nga policia për drejtim të rrezikshëm, refuzoi të paraqesë dokumentet, i ofendoi dhe i kanosi zyrtarët policorë.

    “Gjatë tentativës për arrestim, ai dyshohet se ka nxjerrë një armë zjarri dhe më pas një granatë dore me siguresë të hequr, duke i drejtuar nga policët dhe duke u larguar nga vendi i ngjarjes. I njëjti u dorëzua më 23 shkurt 2026”, thuhet në njoftim.

    Tutje në njoftim thuhet se gjatë bastisjes në lokalin e tij “K.K. b.&b.” janë gjetur dhe sekuestruar pajisje për përgatitje të narkotikëve si dhe rreth 2 gram substancë e dyshuar marihuanë.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake, Driton Sadiku, pas seancës dëgjimore vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit. Paraburgimi do të zgjasë një (1) muaj, nga 23 shkurt 2026 deri më 25 mars 2026. Palët kanë të drejtë ankese në Gjykata e Apelit e Kosovës”, përfundon njoftimi i Gjykatës Themelore të Gjakovës.

    Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

  • Përcjellësit e pacientëve në Klinikën e Pediatrisë dhe të Kirurgjisë së Fëmijëve lirohen nga tarifa 3 euro

    Përcjellësit e pacientëve në Klinikën e Pediatrisë dhe të Kirurgjisë së Fëmijëve lirohen nga tarifa 3 euro

    Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se përcjellësit e pacientëve të Klinikës së Pediatrisë dhe Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve nuk do të paguajnë më tarifën prej tre eurosh për natë gjatë qëndrimit në klinikat e QKUK-së.

    Nga kjo përjashtim përfshihen edhe përcjellësit e pacientëve të Klinikës së Onkologjisë dhe të gjitha klinikave ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje, si dhe pacientët nën moshën 18 vjeç dhe ata me sëmundje kronike.

    QKUK thekson se përcjellësit në këto dy klinika nuk kanë paguar asnjëherë këtë tarifë, ndërsa vendimi synon lehtësimin e kostove për familjet dhe të afërmit e pacientëve gjatë qëndrimit në spital.

    Ky hap vjen në përputhje me Udhëzimin Administrativ në fuqi dhe ka për qëllim mbështetjen e pacientëve dhe të familjeve të tyre në trajtimin shëndetësor.

  • Hamza pret Spiropalin: PDK vlerëson mbështetjen e Shqipërisë dhe kërkon agjendë të përbashkët për sfidat kombëtare

    Hamza pret Spiropalin: PDK vlerëson mbështetjen e Shqipërisë dhe kërkon agjendë të përbashkët për sfidat kombëtare

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur sot në takim Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

    Sipas një komunikate nga kjo parti, PDK shpreh mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Kosovës, duke vlerësuar rolin e saj si zë i Kosovës në forumet ndërkombëtare ku vendi ynë nuk ka prezencë, si dhe si përforcuese e zërit tonë aty ku ai tashmë dëgjohet.

    “Shqipëria ka qenë gjithmonë krah Kosovës në momentet kyçe të shtetndërtimit. Mbështetja e saj diplomatike është e çmuar dhe duhet të thellohet edhe më tej”, theksoi Hamza.

    Në takim u diskutua edhe për situatën politike në vend. Hamza e njoftoi ministren Spiropali se PDK mbetet e hapur për bashkëpunim dhe konstruktivitet për çdo çështje në interes të Kosovës.

    Kurse, ministrja Spiropali konfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Kosovën dhe rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm në arenën ndërkombëtare.

    Kryetari Hamza mirëpriti ftesën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për bashkëpunim në parandalimin e padrejtësive dhe përpjekjeve për rishkrimin e historisë nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

    “E vërteta historike e luftës sonë çlirimtare nuk mund dhe nuk duhet të relativizohet. Bashkëpunimi institucional dhe akademik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është i domosdoshëm për ta mbrojtur atë me argumente, dokumente dhe prezencë ndërkombëtare”, theksoi Hamza.

    U propozua edhe konkretizimin i këtij bashkëpunimi përmes një agjende të përbashkët me tryeza, konferenca ndërkombëtare dhe angazhim institucional, deri te nisma për debat dhe rezolutë në Këshillin e Evropës.

    Në komunikate thuhet se PDK mbetet e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri në funksion të interesit shtetëror dhe kombëtar.

  • ZKM pas takimit Kurti-Spiropali: Hekurudha që lidh dy shtetet, prioritet i përbashkët

    ZKM pas takimit Kurti-Spiropali: Hekurudha që lidh dy shtetet, prioritet i përbashkët

    Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje për takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ministres së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali.

    Sipas njoftimit të ZKM-së, në takim u theksua rëndësia e projekteve strategjike infrastrukturore, me theks të veçantë te hekurudha Gjakovë–Shkodër, e cila u cilësua si prioritet i këtij mandati. Synim mbetet që punimet për ndërtimin e saj të nisin sa më parë.

    Ky projekt u vlerësua si investim me peshë të madhe ekonomike dhe rajonale, që pritet të forcojë lidhjet mes Kosovës dhe Shqipërisë, të rrisë qarkullimin e mallrave dhe njerëzve, si dhe të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të të dyja vendeve.

    Po ashtu, gjatë takimit u theksua nevoja për vazhdimin e mbledhjeve të përbashkëta ndërqeveritare (G2G), me synimin që një e tillë të organizohet gjatë vitit 2026.

    Në komunikatë bëhet e ditur se u diskutua edhe për koordinimin e politikës së jashtme dhe mbështetjen reciproke në organizata dhe forume ndërkombëtare, si dhe për forcimin e bashkëpunimit lidhur me diasporën shqiptare. Theks i veçantë iu kushtua promovimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare te gjeneratat e reja.

    Të dy palët u dakorduan se diaspora mbetet një faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, diplomatik dhe kulturor të të dy shteteve, duke kërkuar angazhim të përbashkët dhe strategji të koordinuar.

  • Murat Jashari refuzon të bëhet President: Familja Jashari iu takon të gjithë shqiptarëve

    Murat Jashari refuzon të bëhet President: Familja Jashari iu takon të gjithë shqiptarëve

    Një prej emrave të përfolur si kandidat për president të Republikës së Kosovës, Murat Jashari, ka thënë për Vox Kosova se e ka bërë të qartë që s’ka ambicie për t’u përfshirë në politikë, sa herë që i është përmendur emri për këtë çështje.

    Ai ka thënë se nuk ka të drejtë as morale e as profesionale që ta përdor emrin e familjes Jashari për kalkulime politike apo për poste publike.

    “Më shumë se gjithçka, për mu si Murat, është emri i familjes Jashari, është barrë e madhe mbi supe. S’kam të drejtë as morale e as profesionale me e fut emrin e familjes Jashari në kalukime politike apo për poste publike.

    “Emri jem sa i përket kësaj çështje, çdo herë është përmendë, sa herë ka ardhë çështja e presidentit, emri im është përmendë. Ua kam sqaru protagonistëve që s’kam ambicie politike, pra gjeni një emër tjetër”, ka thënë ai për Vox Kosova.

    “I kam bërë të qarta arsyet pse nuk e bëjë”, ka thënë ai.

    “Familja Jashari u takon të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë janë të tonit”, ka thënë Murat Jashari.

  • KQZ miraton rekomandimet për reformë zgjedhore, kërkohen edhe ndryshime ligjore

    KQZ miraton rekomandimet për reformë zgjedhore, kërkohen edhe ndryshime ligjore

    Me 10 vota për, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi konkluzionet dhe rekomandimet e dala nga punëtoria për mësimet e nxëna nga zgjedhjet lokale 2025 dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025, duke hapur diskutimin për ndryshime të mundshme në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe reforma në procesin zgjedhor, raporton Ekonomia Online.

    Anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Ilir Gashi, tha se i mbështet rekomandimet në parim, por shprehu rezerva për propozimet që kërkojnë ndryshime kushtetuese dhe për çështjen e numrit të kandidatëve në lista, duke theksuar se këto tejkalojnë kompetencat e KQZ-së.

    “Në fakt parimisht mbështes rekomandimet për të cilat ne që së bashku kemi punuar për me ardhë në këto përfundime. Kam disa rezerva në nja tri çështje të cilat faktikisht i konsideroj ndoshta që nuk janë në domenin tonë. E para, kemi një rekomandim i cili kërkon ndryshime kushtetuese, për çka po besoj që është jashtë domenit tonë dhe i përket ligjvënësve me vendosë. Dhe ne e dimë që Parlamenti i Kosovës nuk ka mujt me ndryshu Ligjin për Zgjedhje Lokale, mos të flasim me hy në ndryshime kushtetuese ku i referohet kërkesës që fletëvotimet të jenë në 6-vjet e jo nga 30 në 45 sa është kushtetuta aktualisht. Çështja tjetër është te numri i kandidatëve në listë. Edhe kjo po besoj që ne jemi organ i cili administron procesin zgjedhor dhe ju përket subjekteve politike. Ato janë aktorët kryesorë në proces zgjedhor dhe vendosin nëse dojnë të kenë 10 kandidatë, pesë apo një. Nuk mund të paragjykojmë, kam rezervë në këtë rekomandim”, tha ai.

    Ai vuri theksin te nevoja për fokusim në ndryshime që mund të bëhen pa ndërhyrje ligjore, sidomos te leximi elektronik i fletëvotimeve dhe identifikimi elektronik i votuesve, ndërsa propozoi edhe votimin e hershëm për kategori të caktuara.

    “Tek skanimi i fletëvotimeve dhe leximi optik i fletëvotimeve, si dhe identifikimi i votuesve në vendvotim në mënyrë elektronike, është shumë mirë si rekomandim dhe po besoj që këto dyja do të futen edhe në planin e punës të cilën shpejt do ta kemi edhe përfundimtar. Pastaj një pikë të cilën, një propozim i imi i cili nuk e shoh këtu që figuron. Kjo nuk do të thotë që në qoftë se do të kemi përpjekje për ndryshime ligjore, unë do ta adresoj edhe përmes ndryshimeve ligjore që është votimi i hershëm, që unë konsideroj që Republika e Kosovës duhet të ketë votim të hershëm veçmas për disa kategori të shoqërisë tonë, sepse kjo pastaj do ta bënte një proces më të mirë zgjedhor në Kosovë dhe mos të ballafaqohemi me problemet të cilat veç janë përsëritë disa herë, sidomos për njerëzit me nevoja të veçanta, qoftë ata të cilët nuk dinë shkrim-lexim apo edhe kategori të tjera të shoqërisë. Prandaj, i kam këto kaq rezerva sa i përket miratimit të këtyre rekomandimeve dhe po besoj që në rekomandime të tjera ne, kryesues, po gjithë ne duhet të fokusohemi kryesisht tek ndryshimet që na sanksionojnë të kemi ndryshim në rregullat tona të brendshme edhe punë që ne mund t’i bëjmë pa ndryshime ligjore. Në qoftë se do të ketë ndryshime ligjore atëherë është një çështje tjetër, por nuk mund t’i mbajmë peng ato ndryshime, kështu që fokusohemi në ato çka është më rëndësi e kryesisht dy më të rëndësishmet janë: leximi elektronik i fletëvotimit dhe identifikimi i votuesve në vendvotim me procedura elektronike”, tha ai.

    Anëtari nga VV-ja, Sami Kurteshi, deklaroi se rekomandimet janë produkt i diskutimeve profesionale dhe se KQZ-ja e ka për detyrë të japë rekomandime, pavarësisht nëse ato janë obligative apo jo, duke theksuar dallimin mes rekomandimeve profesionale dhe kërkesave administrative.

    “I kemi pasë mundësitë me diskutu relativisht gjatë rreth këtyre çështjeve dhe mos me u pajtu dhe me u pajtu, dhe kjo ka qenë e mirë, por unë mendoj që janë nxjerrë disa rekomandime të mira. Ndoshta në nuanca nuk pajtohemi. Ne si trup profesional e kemi për detyrë me bë rekomandime. Një, domethënë, i bëjmë rekomandimet për jashtë sepse për brenda, ndryshimin e rregulloreve ne e bëjmë nëse pajtohemi edhe e bëjmë lehtë, s’duhet me pyet askënd. Por ne si trup profesional, edhe çdo trup profesionale e ka për detyrë me bë rekomandim. Rekomandimi është jo obligativ. A ta marrin rekomandimet? Natyrisht që i bëjmë me sqarime dhe arsyetime, qofshin ato ligjore, qofshin kushtetuese. Nuk pritet prej askujt tjetër me bë rekomandim ashtu qysh bën trupa profesionale që ballafaqohet me zbatimin e ligjit edhe të kushtetutës edhe të rregulloreve.

    Prandaj në këtë drejtim, unë mendoj se në raportet jetore ne e kemi për detyrë, jo me thënë seçdo herë: nuk kemi infrastrukturë, nuk kemi ndërtesë. Nuk është vaj-rekomandim, ajo është kërkesë, ankesë. Rekomandimin në aspektin profesional ne e kemi për detyrë me bë”, tha ai.

    Ndërkaq, anëtari nga LDK-ja, Sami Hamiti, sqaroi se dokumenti është bazë për planin e punës dhe planin vjetor që do t’i dërgohet Kuvendit, duke shtuar se secili rekomandim do të rishqyrtohet para se të procedohet, përfshirë edhe ato që lidhen me afatet dhe ndryshimet eventuale kushtetuese.

    “Kjo është si rezultat i punëtorisë të cilën e kemi mbajtur për pesë ditë rresht edhe me thënë që kemi bërë një punë shumë të mirë. Këto janë mbledh dhe ky nuk është një dokument i cili ka me u botu, është një dokument bazë për dy elemente tash. Një është elemente për planin e punës tonë, edhe elementi tjetër është për planin vjetor të punës që kemi me dërgu në Kuvend. Edhe këto do të, ato që po thotë zoti Kurteshi, do të trajtohen në pjesën e planit të punës dhe ndryshimin e rregulloreve dhe do të caktohen krejt ato elemente të cilat i përmendi zoti Kurteshi. Po ashtu, edhe pjesa kur bëhet plani i punës edhe plani vjetor i punës që dorëzohet në Kuvend, atëherë do t’i rishikojmë secilin rekomandim sepse nuk është thënë që këto që i kemi qit kemi me i qit atje. Ne do ta diskutojmë në planin e punës edhe sigurisht do të shkojnë si rekomandime. Për anën tjetër, a do të ndërrohet, a do të bjerë prej 10-shit në 5-she, në 3-she, edhe tjetrën 60-ditësh, unë po ju rikujtoj që në një grup punues që kemi punuar për reformën zgjedhore, shumica jemi këtu. Këtë propozim e kemi pasë prej misionit vëzhgues të BE-së, pavarësisht u pa që s’ekziston një momentum me hy në ndryshim kushtetues, po që është nevojë me u bë. Edhe ky rekomandim shkon që nëse ka mundësi të bëhet, se dihet që pa ndryshim kushtetues atëherë u pa që s’do të jetë mundësia atje edhe që u pa që s’ashtë praktike”, tha ai.

    Në të njëjtën mbledhje, u shty për herën tjetër miratimi i rekomandimit për ndarjen e mjeteve nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike për vitin 2026. Sipas drejtorit të Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, rekomandimi nuk u finalizua për arsye teknike, por buxheti mbetet rreth 4.8 milionë euro, sa ka qenë edhe vitin e kaluar.

  • SecuriMeter 2025: Kosova e para në Ballkanin Perëndimor për sigurinë

    SecuriMeter 2025: Kosova e para në Ballkanin Perëndimor për sigurinë

    Sipas raportit më të fundit SecuriMeter 2025, Kosova renditet si vendi me perceptimin më të lartë të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, i publikuar nga Regional Cooperation Council.

    Sipas të dhënave zyrtare të anketës rajonale, 64% e qytetarëve në Kosovë deklarojnë se ndihen “shumë të sigurt” ose “mjaft të sigurt” në jetën e tyre të përditshme, duke shënuar përqindjen më të lartë në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vetëm rreth 16–17% e të anketuarve shprehen se ndihen të pasigurt, që është ndër nivelet më të ulëta në rajon.

    Raporti tregon gjithashtu se 58.4% e qytetarëve pajtohen se Kosova është vend i sigurt për të jetuar, ndërsa 16.8% nuk pajtohen me këtë vlerësim dhe 23.8% mbajnë qëndrim neutral. Këto shifra e pozicionojnë Kosovën në vendin e parë në rajon për perceptimin e sigurisë së brendshme.

    Sa i përket sigurisë në nivel rajonal, 43% e qytetarëve të Kosovës konsiderojnë se Ballkani Perëndimor është rajon i sigurt për të jetuar, ndërsa 21.9% mendojnë të kundërtën dhe 33.3% janë neutralë.

    Edhe në aspektin e së ardhmes, qytetarët e Kosovës rezultojnë më optimistë krahasuar me vendet tjera të rajonit. 36.9% presin që situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor të përmirësohet gjatë 12 muajve të ardhshëm, ndërsa vetëm rreth 15–16% presin përkeqësim. Pjesa më e madhe e qytetarëve në Kosovë shprehin gjithashtu shqetësim të ulët për mundësinë e një lufte që do të përfshinte vendin, me mbi 70% që deklarojnë se janë “pak” ose “aspak” të shqetësuar.

    Sipas gjetjeve të raportit, Kosova shënon gjithashtu nivelin më të ulët të shqetësimit për konflikt të brendshëm apo luftë mes vendeve të rajonit, krahasuar me shtetet tjera të WB6.

    SecuriMeter 2025 është realizuar gjatë periudhës maj–qershor 2025 me 6007 të anketuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi, duke analizuar perceptimet për sigurinë, stabilitetin, besimin në institucione dhe sfidat ekonomike e sociale.

    Gjetjet e këtij viti tregojnë se, pavarësisht sfidave globale dhe tensioneve ndërkombëtare, Kosova kryeson në rajon për ndjenjën e sigurisë dhe stabilitetit të perceptuar nga qytetarët.

  • Vushtrri: Lirohen personat që u akuzuan për dhunim, gruaja i kallëzoi rrejshëm në polici

    Vushtrri: Lirohen personat që u akuzuan për dhunim, gruaja i kallëzoi rrejshëm në polici

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka hapur një rast për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë” ndaj një personi me iniciale V.V., përkitazi me një denoncim të një dhunimi që e njëjta ka paraqitur ndaj dy personave.

    E njëjta ka deklaruar se është dhunuar nga dy burra në Vushtrri, të cilët me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë.

    Prokuroria, përmes njoftimit të saj bën të ditur se gruaja që e ka denoncuar dhunimin është dërguar për ekzaminim gjinekologjik në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku pas ekzaminimit tek e dëmtuara nuk janë konstatuar kurrfarë dëmtime në organet gjenitale, e për rrjedhojë nuk janë realizuar asnjëra nga elementet e veprave penale kundër integritetit seksual, e po ashtu asnjë vepre tjetër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare.

    “Në mungesë të këtyre elementeve të pandehurit janë liruar nga qendra e ndalimit ku ishin vendosur paraprakisht, ndërkaq rasti ndaj denoncueses vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

  • Ofrohet mbështetje për familjet e prekura nga vërshimet në Prishtinë

    Ofrohet mbështetje për familjet e prekura nga vërshimet në Prishtinë

    Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit, në bashkëpunim me Kryqi i Kuq i Kosovës, ka shpërndarë ndihma gjatë ditës së sotme për familjet e evakuuara dhe për qytetarët që kanë pësuar dëme materiale si pasojë e vërshimeve të fundit që goditën Prishtinën.

    Bëhet e ditur se ekipet në terren kanë ofruar pako ushqimore dhe higjienike si dhe ujë të pijshëm.

    “Pamjet nga terreni dëshmojnë angazhimin konkret dhe solidaritetin njerëzor në këto momente sfiduese për qytetarët tanë. Falënderojmë vullnetarët e Kryqit të Kuq dhe të gjithë partnerët institucionalë që po kontribuojnë me profesionalizëm dhe përkushtim”, thuhet në njoftim.

    “Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca mbetet e mobilizuar për të garantuar reagim të shpejtë, koordinim efikas dhe mbështetje të vazhdueshme deri në stabilizimin e plotë të situatës. Së bashku për qytetarët tanë”.

  • Ballkani Perëndimor drejt integrimit në zonën e roaming-ut të BE-së

    Ballkani Perëndimor drejt integrimit në zonën e roaming-ut të BE-së

    Komisioni Evropian ka propozuar hapjen e negociatave me gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor për integrimin e tyre në regjimin e BE-së “Roam Like at Home” (Roaming si në shtëpi).

    Siç ka bërë të ditur Komisioni Evropian, sapo marrëveshjet të finalizohen me secilin prej vendeve në fjalë dhe pasi çdo shtet të jetë në përputhje të plotë me rregullat e roaming-ut të BE-së, qytetarët që udhëtojnë midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mund të kryejnë thirrje, të dërgojnë mesazhe me tekst dhe të përdorin të dhënat mobile pa tarifa shtesë roaming-u.

    Kjo marrëveshje, kur të arrihet, nënkupton lidhje të pandërprerë me tarifa vendore për qytetarët nga rajoni që vizitojnë zonën e BE-së, si dhe anasjelltas.

    Me propozimin për mandatet negociuese të miratuar sot, Komisioni Evropian duhet tani të kërkojë autorizimin e Këshilli i Bashkimit Evropian për të hapur negociatat me partnerët e Ballkanit Perëndimor.

    Pasi të miratohet kjo kërkesë, Komisioni Evropian do të hyjë në negociata me secilin shtet të Ballkanit Perëndimor. Përfundimi i suksesshëm i negociatave nënkupton përfshirjen e rajonit në zonën “Roam Like at Home” të BE-së.

    Komisioni Evropian thekson se ky propozim është një shembull konkret i qasjes së BE-së ndaj integrimit gradual përpara anëtarësimit të plotë, siç parashikohet në Planin e Rritjes 2023 për Ballkanin Perëndimor.

    “Roam like Home” ndryshe ka nisur së zbatuari në territorin e BE-së që nga viti 2017.