ATV

Author: K.B.

  • Apple po planifikon një ngjyrë të re “premium” për iPhone

    Apple po planifikon një ngjyrë të re “premium” për iPhone

    Sipas raportimeve të fundit, kompania teknologjike nga Kupertino po konsideron të prezantojë një ngjyrë të re të kuqe si opsion premium për modelet e saj të ardhshme iPhone Pro.

    Kjo ngjyrë do të ishte një nga përzgjedhjet kryesore, pas suksesit të ngjyrës “Cosmic Orange” në modelin aktual iPhone 17 Pro, e cila është pritur shumë mirë nga përdoruesit.

    Derisa Apple ka ofruar më parë variante të kuqe të modeleve të saj përmes linjës humanitare (PRODUCT)RED, kjo është hera e parë që ngjyra e kuqe konsiderohet si opsion kryesor për versionet Pro, që tradicionalisht kanë ardhur në tonalitete më neutrale si gri titan, e zezë apo blu e errët.

    Një arsye e rëndësishme për këtë ndryshim është edhe popullariteti i ngjyrave të veçanta në tregje si Kina, ku e kuqja simbolizon fat dhe prosperitet – diçka që mund të ndihmojë në rritjen e shitjeve atje.

    Gazetari i njohur Mark Gurman raporton se Apple po teston disa variante të kuqe, përfshirë nuanca më të thella që i ngjajnë ngjyrës së verës ose bordo‑së. Përveç kuqes, janë përmendur edhe nuanca të purpurt dhe kafe, por duket se kuqja është favoritja për iPhone 18 Pro.

    Nëse këto plane realizohen, do të shënojë një ndryshim të rëndësishëm në qasjen e Apple‑it ndaj ngjyrave premium, duke u larguar nga paleta tradicionale neutrale.

    Pavarësisht se ende nuk ka një njoftim zyrtar, kompania po i dëgjon kërkesat e përdoruesve që duan kombinim të teknologjisë së fundit dhe dizajnit të dukshëm.

  • Vrasja në Podujevë, dënohet me 22 vite burgim Arsim Syla për vrasjen e “Dhisë”

    Vrasja në Podujevë, dënohet me 22 vite burgim Arsim Syla për vrasjen e “Dhisë”

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Arsim Syla, për vrasjen e V.B., në “Interex”, duke e dënuar me 22 vjet burgim.

    Në këtë rast, Arsim Syla akuzohej për vrasjen e V.B., më 2023 në “Interex” në Podujevë, në bashkëkryerje me djalin e tij të mitur L.S., raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku dhe anëtarët Gent Beka dhe Sulltane Hoti.

    Sipas gjykatëses Dermaku, Syla është fajtor dhe dënohet me 22 vjet burgim, në të cilin i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Kjo masë i vazhdohet deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

    E dëmtuara Lirije Sylejmani për realizmin e kërkesës pasurore- juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.

    I akuzuari obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës dhe atë për paushallin gjyqësor 200 euro dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

    Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

    Ndryshe, i akuzuari nuk ishte i pranishëm në shpallje.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë më 18 mars 2024, kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Arsim Syla, pasi që i njëjti me qëllim të hakmarrjes, për shkak të një konflikti që kishte pasur më herët, gjatë vitit 2022, me tani të ndjerin V.B dhe Sh.R, i pandehuri kishte porositur djalin e tij të mitur L.S, që ta privojë nga jeta tani të ndjerin V.B.

    Tutje, në aktin akuzues thuhet se më 11 shtator 2023 i pandehuri Syla me djalin e tij të mitur L.S, kishin shkuar në kafiterinë e marketit ‘Interex’ në Podujevë, ku rreth orës 12:19, kishin vërejtur tani të ndjerin V.B, duke hyrë në market bashkë me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën L.S dhe fëmijën e tyre 4 vjeçar.

    Sipas aktakuzës i pandehuri Syla me djalin e tij L.S, dalin nga restauranti, ku Syla e orienton të miturin L.S në drejtim të të ndjerit V.B, i cili vihet në ndjekje të tij, ndërsa i pandehuri Syla vazhdon për të dalë nga objekti dhe në momentin kur i ndjeri V.B bashkë me bashkëshorten e tij L.S dhe fëmijën e tij arrijnë tek sektori i produkteve të qumështit, i mituri L.S i afrohet nga mbrapa dhe fillimisht shtie dy herë në drejtim të të ndjerit V.B.

    Aty thuhet se i njëjti duke e qëlluar në shpinë dhe qafë, njëra nga predhat e tejshkon trupin e tani të ndjerit V.B dhe e qëllon edhe të dëmtuaren bashkëshorten e tij, L.S, e cila fillimisht kishte filluar të ikë në momentin kur kishte dëgjuar krismën, ndërsa i mituri L.S nga çanta kishte nxjerrë revolen tjetër me të cilën qëllon edhe katër herë në kokën e tani të ndjerit V.B, i cili tanimë ishte i shtrirë në tokë.

    Si pasojë e këtyre të shtënave nga arma i zjarrit, V.B, vdes në vendin e ngjarjes ndërsa e dëmtuara L.S, dërgohet në QKUK nga plagët e rënda që ka pësuar menjëherë pas të shtënave.

    Kurse, i mituri L.S., me shpejtësi kishte dalur nga ‘Interex’ duke u larguar në këmbë në drejtim të panjohur, kurse i pandehuri Syla ishte ofruar tek vetura e tipit ‘Mercedes E200’, të cilën e kishte parkuar përballë ‘Interex’ dhe kishte shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Gllamnik në Podujevë, ku edhe ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.

    Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, ishin gjetur dhe sekuestruar, një pistoletë dhe një pushkë gjuetie me dylbi me leje për mbajtje, me 62 fishekë të pistoletës si dhe 20 fishekë të pushkës së gjuetisë dhe 2 antiplumba.

    Me këtë i pandehuri Arsim Syla ngarkohej se në bashkëkryerje me të miturin L.S, kishte kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

  • Ekstradohet sot nga Dubai personi i shumëkërkuar në Shqipëri

    Ekstradohet sot nga Dubai personi i shumëkërkuar në Shqipëri

    Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, ditën e sotme, pritet të ekstradohet nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, Durim Bami, banues në Nikël, Krujë.

    Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.

    Pas mbërritjes së këtij shtetasi, do të ketë një njoftim të plotë për median.

  • Bogujevci pret në një takim shefin e UNDP-së në Kosovë, dakordohen për vazhdimin e bashkëpunimit

    Bogujevci pret në një takim shefin e UNDP-së në Kosovë, dakordohen për vazhdimin e bashkëpunimit

    Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci së bashku me zëvendësministren Nora Arapi-Krasniqi, pritën në takim shefin e UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros.

    Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë dhe UNDP-së në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm.

    U vlerësua mbështetja e vazhdueshme e UNDP-së në projekte që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik lokal, fuqizimin e komuniteteve dhe promovimin e potencialit kulturor e turistik të vendit.

    Ministrja Bogujevci theksoi rëndësinë e partneriteteve strategjike për realizimin e projekteve me ndikim afatgjatë.

    Palët u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit dhe intensifikimin e angazhimeve të përbashkëta në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm dhe promovimit të vlerave kulturore të Kosovës.

  • Tifozët turq i presin tifozët serbë me flamurin e Kosovës në ndeshjen e Euroligës

    Tifozët turq i presin tifozët serbë me flamurin e Kosovës në ndeshjen e Euroligës

    Gjithëka ndodhi në ndeshjen e Euroligës në basketboll, ku skuadra e Fenerbahces priste Partizanin e Beogradit në Stamboll.

    Kjo ishte java e 29-të e Euroligës dhe që luhej në kryeqendrën turke, ku tifozët vendas me sa duket i kishin rezervuar një surprizë skuadrës “mike”.

    Në sallën e pallatit të sportit ku po luhej ndeshja atmosfera ishte shumë e nxehtë nga tifozët vendas që njihen për atmosferat e zjarrta që krijojnë. Mes shumë banderolave dhe pankartave me sa duket ata kishin vendosur edhe t’i përshëndesnin “miqt” nga Serbia me flamurin e Kosovës, duke e valvitur në një pjesë të tribunës ku ndodheshin tifozët ultras.

    Pasi ata shfaqën, atmosfera u nxeh edhe më keq për lojtarët dhe stafin e skuadrës së Partizanit, të cilët me sa duket u ndikuan jo për mirë emocionalisht nga ajo, që mediat serbe e konsideruan sërish një provokim.

  • Media boshnjake shkruan për Edon Zhegrovën: E humbi gjuajtjen nga vetëm disa metra

    Media boshnjake shkruan për Edon Zhegrovën: E humbi gjuajtjen nga vetëm disa metra

    Lojtarët e Galatasarayt kanë siguruar mbrëmë një vend në raundin e 16-të të Ligës së Kampionëve pavarësisht humbjes ndaj Juventusit në Torino 3:2 pas kohës shtesë, dhe figura tragjike e Zonjës së Vjetër ishte lojtari i Kosovës Edon Zhegrova.

    Edhe pse skuadra vendase luajti me një lojtar më pak që nga minuta e 48-të pas kartonit të kuq të Lloyd Kelly, ata arritën të përmbysnin rezultatin dhe të fitonin kohën shtesë me golat e Locatelli-t, Gatti-t dhe McKennie-t, dhe në 30 minutat shtesë mund të kishin fituar.

    Megjithatë, media boshnjake Klix.ba, shkruan se momenti kyç i kohës shtesë erdhi në minutën e 96-të kur Edon Zhegrova pati një shans të shkëlqyer për ta bërë rezultatin 4:0 dhe për ta përmbysur plotësisht ndeshjen, por ai humbi gjuajtjen nga vetëm disa metra.

    Penalltia erdhi drejt fundit të kohës së parë shtesë kur Baris Yilmaz asistoi Victor Osimhen për një gol që praktikisht zgjidhi çështjen e udhëtimit për të shkuar më tej.

    Yilmaz, në momentet e fundit të ndeshjes, konfirmoi kalimin e gjigantit turk dhe shuajti shpresat e Zonjës së Vjetër, e cila ishte një rivale shumë më e mirë, por nuk pati fatin të bënte një rikthim epik.

  • Zhduket një i mitur në Drenas, nisin hetimet

    Zhduket një i mitur në Drenas, nisin hetimet

    Një rast i zhdukjes së një të mituri është raportuar pasditen e së mërkurës në rrugën “Asllan Fazlia” në Drenas.

    Sipas policisë, zhdukjen e ka raportuar babai i tij, sipas të cilit djali ka dalë nga shtëpia dhe që nga ai moment nuk dihet vendndodhja e tij.

    Rasti po hetohet nga organet e rendit.

  • Aeroporti ‘Adem Jashari’ së shpejti do të instalojë pajisje të avancuara për kontrollin e udhëtarëve

    Aeroporti ‘Adem Jashari’ së shpejti do të instalojë pajisje të avancuara për kontrollin e udhëtarëve

    Aeroporti Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ do të përmirësojë kontrollin e udhëtarëve me pajisje të avancuara të skanimit, në kuadër të rritjes së efikasitetit dhe sigurisë në aeroport, shkruan albinfo.

    Sipas njoftimeve zyrtare, çdo person që udhëton nga Prishtina drejt destinacioneve të tjera është i obliguar të kalojë kontrolle të sigurta përmes pajisjeve të skanimit. Për të përballuar rritjen e numrit të udhëtarëve dhe për të përmirësuar procesin e kontrollit, pritet të instalohen pajisjet e reja të standardit C3.

    Këto pajisje moderne, të prezantuara së fundmi në treg, mundësojnë kontrolle më të shpejta, më të sakta dhe më të detajuara, duke rritur sigurinë dhe duke përshpejtuar procedurat për udhëtarët.

    Autoritetet e aeroportit kanë theksuar se ky investim synon të kombinojë teknologjinë e avancuar me procedurat efikase, duke garantuar përvojë më të mirë dhe siguri maksimale për të gjithë udhëtarët.

  • Hetohet vdekja e një pacienti në Entin Special të Shtimes

    Hetohet vdekja e një pacienti në Entin Special të Shtimes

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një pacient nga Enti Special në Shtime është dërguar pa shenja jete në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë.

    Sipas raportit 24-orësh të policisë, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.

    Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti po hetohet nga autoritetet përkatëse.

    “Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti është nën hetime”, thuhet nga PK.

  • Falsifikim i rezultatit zgjedhor, arrestohen e më pas lirohen 15 persona në Novobërdë

    Falsifikim i rezultatit zgjedhor, arrestohen e më pas lirohen 15 persona në Novobërdë

    Pesëmbëdhjetë persona janë arrestuar të martën e më pas janë liruar në procedurë të rregullt në Novobërdë për falsifikim të rezultateve të votimit.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, bëhet fjalë për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    “Me 25.02.2026 janë arrestuar 15 të dyshuar, nën dyshimin se të njëjtit me datën e cekur kanë falsifikuar rezultatet e votimit. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

    Në disa qytete në Kosovë kanë nisur hetimet për manipulim me vota pas shfaqjes së dallimeve në vota të kandidatëve për deputetë. Në disa qytete po ashtu ka pasur edhe të arrestuar.