ATV

Author: K.B.

  • Gani Geci publikon fotografinë: Rifat Jashari në përvjetorin e parë të rënies së Sali Çekajt

    Gani Geci publikon fotografinë: Rifat Jashari në përvjetorin e parë të rënies së Sali Çekajt

    Rifat Jashari ishte prezent në shënimin e përvjetorit të parë të rënies së Sali Çekajt, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjermani.

    Fotografinë nga ngjarja e ka publikuar Gani Geci, ish-deputeti dhe anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Geci, i cili ka lidhje familjare me Jasharajt, ka rrëfyer sesi Rifat Jashari kishte hapur zjarr ndaj policëve serbë gjatë rrethimit të Kullës së Jasharajve më 1991.

    “Rifat Jashari ka qenë shtylla e Familjes Jashari, një njeri punëtor, i urtë dhe trim. Më 30 dhjetor 1991, kur u rrethua për herë të parë kulla e Shaban Jasharit – kullë të cilën e kishte ndërtuar Rifat Jashari duke punuar në Gjermani – ai ndodhej në shtëpi, në pushim për nder të Vitit të Ri”, ka shkruar Geci.

    “Kur doli Rifati në lamë, dy policë i bënë “stoj”. Rifati hapi zjarr me një rafalë dhe, sipas lajmeve të Serbisë, plagosi dy policë serbë”.

    Sot, Kosova feston Ditën e Veteranit çdo vit më 30 dhjetor, si shenjë nderimi për luftën e familjes Jashari.

    “Me propozimin tim në Komisionin për Siguri në Kuvendin e Republikës së Kosovës, data 30.12 ka mbetur Dita e Veteranit. PDK dhe AAK kanë propozuar dy data të tjera: një në vitin 1995 dhe një me daljen e UÇK-së në skenë, në vitin 1997”, ka thënë Geci.

  • Raporti i EBRD: Kosova ndër vendet më të goditura nga tarifat e reja të SHBA-së

    Raporti i EBRD: Kosova ndër vendet më të goditura nga tarifat e reja të SHBA-së

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur një paketë të re tarifash prej 10 për qind për importet ndaj të gjitha shteteve, që ka hyrë në fuqi më 24 shkurt. Sipas një raporti të publikuar më 26 shkurt nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), Kosova renditet ndër vendet më të goditura nga këto tarifa në rajonin ku operon kjo bankë.

    Sipas EBRD-së, tarifat e importit të SHBA-së për vendet e rajonit janë rritur mesatarisht me 0.3 pikë përqindjeje, ndërsa 29 shtete përballen tani me tarifa më të larta. Rritjet më të mëdha janë regjistruar në Armeni, Egjipt, Kenia, Kosovë dhe Ukrainë.

    “Rritja e tarifave për Armeninë, Egjiptin, Kenian, Kosovën e Ukrainën lëviz nga +3.7 deri në +4.8 pikë përqindjeje”, thuhet në raport.

    Ndërkohë, disa vende të tjera të rajonit si Bosnja dhe Hercegovina e Serbia, si dhe Moldavia e Tunizia konsiderohen përfituese relative nga ndryshimet e fundit tarifore pasi tarifat ndaj tyre ose kanë pasur rritje shumë më të vogël, ose kanë mbetur pothuajse në të njëjtin nivel.

    Raporti nënvizon se, mesatarisht, tarifat e importit të SHBA-së për vendet ku operon EBRD-ja janë rritur nga 14.6 në 15 për qind, duke rritur presionin mbi eksportuesit, përfshirë edhe ata nga Kosova.

    Megjithëse, raporti thekson se tarifat kanë pasur efekt më pak sesa është pritur.

    Më 20 shkurt, Gjykata Supreme e SHBA-së rrëzoi tarifat globale të Trumpit përveç atyre për industrinë e çelikut, aluminit, drurit dhe automobilave, me argumentin se ligji emergjent për fuqitë ekonomike nuk ia lejon presidentit të vendosë tarifa të tilla. Më pas, presidenti amerikan u zotua për tarifa të reja prej 15 për qind. Por në fund vendosi ta zëvendësojë tarifën prej 10 për qind me një të re në po atë vlerë – kësaj radhe në bazë të nenit 122 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974, i cili i lejon presidentit të vendosë një tarifë të tillë për 150 ditë pa miratimin e Kongresit.

    Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, në vitin 2019 ishin eksportuar mallra në SHBA me vlerë tre milionë euro, ndërsa tre vjet më vonë (2022) kjo shifër u rrit në mbi 131 milionë euro.

    Produktet që i eksporton Kosova në SHBA përfshijnë ushqime, lëngje, tekstil, dyshekë, por dhe prodhime nga druri dhe plastika.

  • SPAK sekuestron apartamentin në Qerret në pronësi të ish-anëtarit të Vetëvendosjes, i arrestuar për trafik droge

    SPAK sekuestron apartamentin në Qerret në pronësi të ish-anëtarit të Vetëvendosjes, i arrestuar për trafik droge

    Prokuroria e Posaçme në Shqipëri, ka sekuestruar një apartament në Qerret të Kavajës, në pronësi të Shemsi Bahtirit, ish-anëtarit të Vetëvendosjes, i cili ishte arrestuar vitin e kaluar në një aksion të madh të Policisë së Kosovës kundër krimit të organizuar.

    Ai ndodhet në paraburgim nën dyshimin trafik ndërkombëtar narkotikësh.

    Siç raportojnë sot mediat në Shqipëri, SPAK u vu në lëvizje mbi bazën e një kërkese për ndihmë të ndërsjelle juridike nga prokuroria Speciale e Kosovës, e cila po e heton Bahtirin për përfshirje në aktivitetin e paligjshëm të trafikut të drogës.

    Prokuroria speciale kërkoi ndihmë nga SPAK për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të personave që ishin pjesë e grupit kriminal, pasi kishte dyshime se paratë e fituara nga aktiviteti kriminal i kanë investuar në pasuri të paluajtshme, si si tokë, shtëpi, banesa, vetura etj. Bazuar në këtë kërkesë SPAK kreu një sërë verifikimesh jo vetëm për Bahtirin, por edhe të paktën dy të dyshuar të tjerë. Nga këqyrja e faqes së Qendrës Kombëtare të Biznesit rezultoi se në emër të Shemsi Bahtiri rezulton subjekti “DAIMAN” shpk me objekt veprimtarie “Shitblerje e pasurive të paluajtshme”, i regjistruar më date 11.03.2025, bëhet e ditur në raportim.

    Ndërsa u zbulua se ai zotëronte një apartament në Qerret të Kavajës që tashmë është vënë nën sekuestrim.

    Shemsi Bahtiri akuzohet se veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, blerja, posedimi dhe shpërndarja e narkotikëve dhe pastrim parash.

    Ai u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Qielli i Thyer” dhe gjatë kontrolleve u sekuestruan lëndë narkotike, shuma të konsiderueshme parash, armë të llojeve të ndryshme, laptopë, telefona, usb dhe dokumente të ndryshme.

    Shemsi Bahtiri, i cili u përjashtua nga Partia Vetëvendosja e ALbin Kurtit u arrestua pas zbërthimit të aplikacionit të koduar Sky ECC, që iu vunë në dispozicion nga autoritetet franceze.

    Lëvizja Vetëvendosje pas arrestimit kishte konfirmuar s Bahtiri ka qenë aktivist i saj, duke marrë vendim për përjashtim nga partia.

  • Gjërat që nuk duhet t’i vendosni kurrë në lavatriçe

    Gjërat që nuk duhet t’i vendosni kurrë në lavatriçe

    Qoftë veshje sportive të djersitura apo bluza juaj e preferuar, asnjë pajisje nuk e thjeshton pastrimin e rrobave si lavatriçja.

    Megjithatë, edhe pse shumica e materialeve mund ta përballojnë një cikël larjeje, jo çdo gjë duhet futur në makinë.

    Në fakt, larja e disa sendeve mund të shkaktojë dëmtime — madje edhe të paraqesë rrezik për sigurinë. Ja gjërat që nuk duhet t’i vendosni kurrë në lavatriçe.

    Materialet shumë delikate

    Morgan LaLonde, menaxhere e markës së lavanderisë në Whirlpool, thotë se është më mirë të shmanget larja e rrobave dhe këpucëve të bëra nga materiale si kamosh (suede), lëkurë, gomë, vinil, mëndafsh, acetat, kadife, lesh dhe taftë, si edhe çdo veshje me rruaza ose temina zbukuruese, për të shmangur dëmtimin e materialeve të ndjeshme.

    Nëse nuk jeni të sigurt nga çfarë materiali është një veshje apo nëse duhet larë në makinë, kontrolloni etiketën. Ajo duhet të japë udhëzime të sakta për larjen.

    Materiale që përmbajnë substanca të ndezshme

    Përveç dëmtimit të rrobave, duhet të shmangni çdo gjë që mund të dëmtojë lavatriçen ose të rrezikojë sigurinë tuaj dhe të shtëpisë. Pete He, bashkëthemelues dhe shkencëtar kryesor në Dirty Labs, thotë se leckat që janë përdorur për të pastruar vaj motori, hollues boje ose substanca të ngjashme nuk duhet të futen në lavatriçe. “Shmangni këto situata sepse temperaturat e larta gjatë larjes dhe tharjes mund të ndezin këto mbetje të ndezshme, duke shkaktuar zjarr apo edhe shpërthim”, thotë ai.

    Pëlhurat batik

    Është më mirë që pëlhurat batik të mos lahen në lavatriçe. “Shumë prej tyre nuk janë rezistente ndaj zbardhjes së ngjyrës, që do të thotë se ngjyrat mund të dalin ose të transferohen te rrobat e tjera gjatë larjes, sidomos nëse nuk janë parapërpunuar ose fiksuar me një fiksues ngjyrash,” shpjegon He.

    Në vend të larjes në makinë, ai këshillon pastrim me njolla ose larje me dorë duke përdorur detergjent të butë për rroba delikate dhe ujë të ftohtë ose të vakët. “Sigurohuni të shmangni temperaturat e larta gjatë larjes dhe tharjes”.

    Qilimat

    Përveç nëse janë të posaçëm për larje në makinë, shumica e qilimave nuk duhet të futen në lavatriçe. LaLonde thotë se kujdesi për qilimat varet nga madhësia, materiali dhe udhëzimet në etiketë. “Pambuku dhe disa fibra sintetike zakonisht mund të lahen në makinë, por leshi, mëndafshi, juta dhe qilimat me push të gjatë zakonisht nuk janë të përshtatshëm për lavatriçe”.

    Shumë rroba njëherësh

    Keni një grumbull të madh rrobash? Është më mirë t’i ndani në dy larje sesa të mbushni tej mase lavatriçen. “Mos e mbingarkoni lavatriçen, pasi kjo mund të shkaktojë çekuilibër dhe të ushtrojë presion shtesë mbi pajisjen,” paralajmëron LaLonde.

    Shumë detergjent

    Nëse rrobat janë shumë të pista, mund të tundoheni të shtoni më shumë detergjent. Por sipas LaLonde, kjo është një ide e keqe. “Shumë konsumatorë nuk e dinë se përdorimi i tepërt i detergjentit mund të dëmtojë si lavatriçen ashtu edhe rrobat,” thotë ajo. “Kur përdoret shumë detergjent, krijohet shkumë e tepërt dhe cikli i larjes mund të zgjasë më shumë.”

  • Mos i lidhni kurrë këto pajisje të përditshme në zgjatues elektrikë, për të shmangur rrezikun e zjarrit

    Mos i lidhni kurrë këto pajisje të përditshme në zgjatues elektrikë, për të shmangur rrezikun e zjarrit

    Me shumë pajisje dhe aparate elektrike në shtëpi dhe jo mjaftueshëm priza për t’i lidhur të gjitha, është e kuptueshme pse shumë familje përdorin zgjatues elektrikë. Edhe pse kjo duket si një zgjidhje e thjeshtë, një ekspert i energjisë paralajmëron se kjo lehtësi mund të rrisë në heshtje rrezikun e zjarreve elektrike.

    Justin Nielsen, ekspert energjie në Wolf River Electric, tha:

    “Zgjatuesit elektrikë janë të projektuar për të përballuar një rrymë maksimale të caktuar. Kur lidhni pajisje që konsumojnë shumë energji, rrezikoni të tejkaloni kufijtë për të cilët është projektuar kablloja. Nëse kablloja funksionon jashtë parametrave të sigurisë, mund të mbinxehet. Në raste më serioze, mbinxehja mund të çojë në shkrirje të izolimit ose edhe në zjarr në shtëpi. Vetëm sepse pajisja ndizet, nuk do të thotë se është e sigurt. Siguria elektrike lidhet me ngarkesën, jo vetëm me lidhjen”.

    Duke pasur këtë parasysh, familjet këshillohen të shmangin lidhjen e pajisjeve të mëposhtme në zgjatues elektrikë:

    Mikrovalët

    Sipas ekspertit, mikrovalët tërheqin një sasi të konsiderueshme rryme, edhe nëse përdoren vetëm për pak minuta.

    Ato kanë nevojë për fuqi të lartë në një kohë shumë të shkurtër për të ngrohur ushqimin në mënyrë efikase. Justin shpjegon se kjo rritje e menjëhershme e energjisë (pik energjie) mund ta mbingarkojë zgjatuesin, veçanërisht nëse në të janë lidhur edhe pajisje të tjera.

    Ai shtoi:

    “Pajisjet e kuzhinës shpesh vendosen pranë njëra-tjetrës, gjë që rrit tundimin për të përdorur një zgjatues me disa dalje. Por pajisjet me fuqi të lartë, si mikrovala, janë më të sigurta kur lidhen drejtpërdrejt në prizën e murit.”

    Frigoriferët me ngrirës

    Eksperti tha:

    “Problemi me frigoriferët me ngrirës nuk është vetëm konsumi i energjisë, por kohëzgjatja. Ata ndizen dhe fiken vazhdimisht, duke tërhequr rrymë gjatë gjithë ditës. Kjo ngarkesë e vazhdueshme mund ta ngrohë kabllon e zgjatuesit me kalimin e kohës.”

    Nëse kablloja është e mbledhur spirale ose e mbuluar, nxehtësia nuk shpërndahet siç duhet. Me kalimin e kohës, kjo mund të dëmtojë izolimin e saj.

    Lavatrice

    Justin theksoi se lavatricet janë ndër pajisjet që konsumojnë më shumë energji në një shtëpi mesatare.

    “Ato tërheqin shumë rrymë gjatë ciklit të ngrohjes. Kur makina ngroh ujin, kërkesa për energji rritet ndjeshëm. Pikërisht në këtë moment zgjatuesit janë më të rrezikuar.”

    Pajisjet moderne mund të arrijnë nga 2,000 deri në 2,500 vat në kulmin e funksionimit, dhe kjo duhet të mbështetet gjithmonë nga një prizë fikse muri.

    Çajnikët elektrikë

    Pak pajisje përdoren aq shpesh sa çajniku elektrik në shtëpitë britanike. Ai ngroh ujin shumë shpejt, që do të thotë se tërheq rrymë të lartë në një kohë të shkurtër.

    Lidhja e tij në një zgjatues rrit ndjeshëm rrezikun e mbinxehjes.

    Justin tha:

    “Njerëzit shpesh lidhin çajnikun dhe tosterin në të njëjtin zgjatues mbi banakun e kuzhinës. Ky kombinim mund të jetë veçanërisht i rrezikshëm.”

    Ngrohësit elektrikë portativë

    Ngrohësit elektrikë portativë janë të dobishëm në netët e freskëta kur nuk dëshiron të ndezësh ngrohjen qendrore.

    Megjithatë, sipas Justin, ata janë “veçanërisht të rrezikshëm” kur përdoren me zgjatues. Ata konsumojnë fuqi të lartë për periudha të gjata dhe janë projektuar për t’u lidhur drejtpërdrejt në prizë muri.

    Justin përfundoi:

    “Nxehtësia dhe energjia elektrike janë tashmë një kombinim i rrezikshëm. Shtimi i një kablloje të mbingarkuar në këtë situatë është diçka që unë nuk do ta rekomandoja kurrë.”

  • A do të thotë që lëkura me yndyrë do të më sjellë më pak rrudha?

    A do të thotë që lëkura me yndyrë do të më sjellë më pak rrudha?

    Lëkura me yndyrë shoqërohet me disa stereotipe, si poret e zmadhuara, shkëlqimi i tepërt dhe prirja për akne dhe pika të zeza. Një tjetër besim i përhapur është se kjo lloj lëkure plaket më mirë dhe zhvillon më pak rrudha krahasuar me llojet e tjera të lëkurës, veçanërisht lëkurën e thatë.

    Pra, a ka ndonjë të vërtetë në këtë?

    Përgjigjja e shkurtër është: Lëkura me yndyrë plaket ndryshe nga llojet e tjera të lëkurës, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ka më pak rrudha. Thjesht do të thotë se formohen lloje të ndryshme rrudhash, thotë esteteistja e licensuar, Danna Murray.

    Ajo tregon gjithashtu për mënyrën se si plaket lëkura.

    Sipas ekspertes ka shumë shenja të plakjes dhe formimi i rrudhave është vetëm një prej tyre — edhe pse shpesh konsiderohet si një nga më kryesoret.

    Shenja të tjera të plakjes përfshijnë:

    Pigmentimin;

    Enë gjaku të zgjeruara ose të dukshme;

    Hollimin e lëkurës;

    Pore të zmadhuara;

    Humbjen e fortësisë dhe tonit të lëkurës.

    Rrudhat sipas saj nuk formohen për shkak të prodhimit të yndyrës. Ato shfaqen si pasojë e shpërbërjes dhe humbjes së fibrave të kolagjenit dhe elastinës, të cilat janë përgjegjëse për mbështetjen dhe strukturën e lëkurës. Kjo ndodh për shkak të plakjes natyrale, por ndikohet edhe nga stili i jetesës, shprehjet e përsëritura të fytyrës, forca e gravitetit që tërheq vazhdimisht lëkurën dhe, mbi të gjitha, dëmtimi nga dielli. Këta faktorë ndikojnë në të gjitha llojet e lëkurës.

    Si plaken ndryshe llojet e ndryshme të lëkurës, sipas esteteistes?

    Yndyra natyrale e lëkurës siguron lagështi dhe i jep asaj një pamje më të mbushur. Lëkura e thatë mund të duket se ka më shumë rrudha. Lëkura normale dhe ajo mikse qëndrojnë diku në mes.

    Gjenetikisht, lëkura e thatë ka tendencë të jetë më e hollë, me pore më të vogla dhe pamje më të lëmuar. Por vijat e holla dhe rrudhat duken më të theksuara.

    Nga ana tjetër, lëkura me yndyrë ka pore më të mëdha dhe është më e trashë. Kjo i jep lëkurës një lloj “mbushjeje” ose mbrojtjeje shtesë.

    Për këtë arsye, lëkura me yndyrë zakonisht ka më pak nga ato vijat e holla sipërfaqësore që shihen shpesh në zonën e ballit. Ajo është më e trashë në zonat ku ka më shumë gjëndra dhjamore, prandaj vijat në ballë mund të jenë më pak të dukshme. Megjithatë, lëkura me yndyrë mund të zhvillojë rrudha më të thella në pjesën e poshtme të fytyrës, ku humbja e tonusit është më e madhe.

    Sa i përket zonës rreth syve, lloji i lëkurës nuk ka shumë rëndësi. Një studim i vitit 2015 tregoi se prania e gjëndrave dhjamore nuk lidhet me shfaqjen e rrudhave anësore të syve (“këmbët e sorrës”). Këto vija shfaqen pavarësisht llojit të lëkurës.

    Çfarë mund të bëni?

    Gjëja më e mirë që mund të bëni për çdo lloj lëkure është:

    Të përdorni krem kundër diellit çdo ditë;

    Të mos pini duhan;

    Të ushqeheni shëndetshëm;

    Të flini mjaftueshëm.

    Produktet e kujdesit të lëkurës që përmbajnë acid hialuronik janë një zgjedhje e mirë për të zbutur vijat e holla.

    Për rrudhat e thella që formohen në pjesën e poshtme të fytyrës, kremrat nuk bëjnë shumë ndryshim, sepse shkaku kryesor është muskulor. Por nëse dëshironi të trajtoni atë zonë, mbushësit (fillers), trajtimet me lazer ose akupunktura për fytyrën mund të ndihmojnë.

    Megjithëse çdo lloj lëkure ka përparësitë e veta, asnjëra nuk plaket domosdoshmërisht më mirë se tjetra. Të gjithë plakemi ndryshe — dhe kemi nevojë për kujdes të përshtatur sipas llojit të lëkurës.

  • Shkarkohen 10 agjentë të FBI-së që hetuan Trumpin

    Shkarkohen 10 agjentë të FBI-së që hetuan Trumpin

    Të paktën 10 punonjës të FBI-së që punuan në hetimin e ish-Këshilltarit Special Jack Smith mbi mbajtjen e të dhënave të klasifikuara nga presidenti amerikan Donald Trump pasi ai u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021 u pushuan nga puna të mërkurën, shkruan CBS News.

    Shkarkimet erdhën pasi Reuters raportoi se FBI kishte kërkuar dëshmi të të dhënave të thirrjeve telefonike të bëra nga drejtori i FBI-së, Kash Patel, dhe Shefja e Shtabit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, kur të dy ishin ende qytetarë privatë, si pjesë e hetimit të Smith ndaj Trump.

    Artikulli i Reuters citoi Patelin, i cili pretendoi se FBI-ja kishte marrë fshehurazi të dhënat e tij telefonike “duke përdorur pretekste të dobëta dhe duke e varrosur të gjithë procesin në dosje të ndaluara të hartuara për të shmangur çdo mbikëqyrje”.

    Artikulli i Reuters shtoi se nuk kishte verifikuar në mënyrë të pavarur asnjë nga pretendimet e Patelit.

    Patel nuk dha asnjë provë për shkelje nga ana e stafit që u pushua nga puna.

    Këshilltari Special Jack Smith mbikëqyri dy hetime federale ndaj presidentit të tanishëm Trump.

    Njëri rast pretendonte se ai u përpoq në mënyrë të paligjshme të përmbyste rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, ndërsa tjetri u përqendrua në ruajtjen e dokumenteve të klasifikuara dhe përpjekjet për të penguar Departamentin e Drejtësisë kur ky i kërkoi t’i kthente dosjet.

    Të gjithë agjentët dhe analistët e FBI-së që u pushuan nga puna të mërkurën ishin të përfshirë në rastin e dokumenteve të klasifikuara.

    Hetimet e dyfishta të Smith ndaj Trump çuan në paditë e para penale federale kundër një ish-presidenti në historinë e SHBA-së.

    Akuzat për dokumente të klasifikuara u rrëzuan nga një gjyqtar federal në Florida në mesin e vitit 2024 me arsyetimin se Smith ishte emëruar në mënyrë të paligjshme, dhe Smith i hoqi akuzat e zgjedhjeve të vitit 2020 pasi Trump fitoi garën e vitit 2024.

    Që atëherë, administrata Trump ka vënë në shënjestër punonjësit federalë që punuan në të dy rastet.

    Departamenti i Drejtësisë shkarkoi një grup prokurorësh që punuan në ekipin e Smith, dhe FBI ka shkarkuar agjentë të përfshirë në hetimin zgjedhor të Arctic Frost.

  • 10-vjet në krye të FIFA-s, FFK-ja uron Gianni Infantinon

    10-vjet në krye të FIFA-s, FFK-ja uron Gianni Infantinon

    Federata e Futbollit e Kosovës ka uruar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino për 10-vjetorin në krye të qeverisjes së futbollit botëror.

    Në urim, kreu i kësaj federate, Agim Ademi e ka falënderuar Infantinon për mbështetjen ndaj futbollit kosovar.

    “Kjo dekadë nën lidershipin e presidentit Infantino ka shënuar transformim të thellë në zhvillimin e lojës më të dashur në botë. Gjatë kësaj periudhe, FIFA ka mbështetur fuqishëm futbollin e Kosovës në avancimin e projekteve infrastrukturore, programeve zhvillimore dhe fuqizimin e strukturave të FFK-së”, thuhet mes tjerash në postim.

  • Çfarë i ndodh trupit tonë kur pimë një gotë kefir çdo ditë?

    Çfarë i ndodh trupit tonë kur pimë një gotë kefir çdo ditë?

    Një zakon i thjeshtë i përditshëm mund të forcojë tretjen dhe sistemin imunitar dhe t’i sigurojë trupit tuaj lëndë ushqyese të rëndësishme.

    Sipas teknikut mjekësor John Kim, kjo është pikërisht ajo që ndodh kur përfshijmë një gotë kefir në rutinën tonë . Kjo pije e lashtë e fermentuar është e ngjashme me kosin, por ka një teksturë më të hollë dhe përmban dukshëm më shumë kultura probiotike, raporton Index .

    Kefiri mund të përmbajë më shumë se 60 lloje bakteresh, duke përfshirë maja, ndryshe nga shumica e kosit, të cilët kanë vetëm disa. Ky diversitet ndihmon në balancimin e florës së zorrëve, e cila është e rëndësishme për tretjen, thithjen e lëndëve ushqyese dhe madje edhe rregullimin e humorit. Rreth 70 përqind e sistemit imunitar ndodhet në zorrë, kështu që ruajtja e ekuilibrit mikrobik ndikon indirekt në funksionin imunitar.

    Kefiri gjithashtu përmban komponime bioaktive me veti të mundshme anti-inflamatore dhe antioksiduese, dhe gjatë fermentimit laktoza zbërthehet pjesërisht, prandaj disa njerëz e tolerojnë atë më lehtë sesa qumështi, shkruan SheFinds.

    Është më mirë të zgjidhni varietete të thjeshta, pa sheqer.

    Përveç probiotikëve, kefiri është gjithashtu një ushqim i pasur me vlera ushqyese. Ai përmban natyrshëm kalcium, proteina, vitaminë B12, vitaminë B2 (riboflavinë), magnez dhe fosfor, të cilat janë të rëndësishme për shëndetin e kockave, prodhimin e energjisë, funksionin e sistemit nervor dhe funksionin e muskujve. Për shkak të këtij kombinimi, shpesh konsiderohet një zgjedhje më e fortë se kosi tradicional. Shumë njerëz thjesht e shtojnë atë në smoothie, në mëngjes ose e konsumojnë veçmas.

    Një gotë kefir çdo ditë mund të mbështesë ekuilibrin e zorrëve, të ndihmojë sistemin mbrojtës të trupit dhe të sigurojë lëndë ushqyese kyçe për funksionim optimal.

    Edhe pse nuk është një kurë mrekullibërëse, përfshirja e ushqimeve të fermentuara si kefiri në një dietë të ekuilibruar mund të kontribuojë në një shëndet më të mirë tretës dhe metabolik.

    Rekomandohet një fillim gradual, veçanërisht nëse nuk jeni mësuar me ushqime të fermentuara. Është gjithashtu më mirë të zgjidhni lloje të thjeshta, pa sheqer për të shmangur sheqernat e shtuara.

  • Spiropali shkruan për takimin në AAK: Ramushi ka qenë prej zërave të qartë të orientimit euroatlantik të Kosovës

    Spiropali shkruan për takimin në AAK: Ramushi ka qenë prej zërave të qartë të orientimit euroatlantik të Kosovës

    Elisa Spiropali, ministre e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, është pritur në takim edhe nga kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj. Për këtë të fundit, Spiropali ka thënë se ka ‘’ ka qenë një prej zërave të fortë dhe të qartë të orientimit euroatlantik të Kosovës’’.

    Spiropali ka bërë të ditur edhe se, gjatë takimit kanë diskutuar për përgjegjësinë që kanë forcat politike sot: të garantojnë stabilitet institucional, të forcojnë partneritetin strategjik Shqipëri–Kosovë dhe të avancojnë më tej integrimin euroatlantik të rajonit tonë.

    Postimi:

    Prishtinë 🇦🇱🇽🇰

    Me Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

    Ramushi ka qenë një prej zërave të fortë dhe të qartë të orientimit euroatlantik të Kosovës – në momente të vështira dhe në faza vendimtare për shtetin.

    Folëm për përgjegjësinë që kanë forcat politike sot: të garantojnë stabilitet institucional, të forcojnë partneritetin strategjik Shqipëri–Kosovë dhe të avancojnë më tej integrimin euroatlantik të rajonit tonë.

    Siguria mbetet boshti themelor i këtij vizioni. Roli i NATO-s në Kosovë dhe koordinimi i vazhdueshëm me aleatët janë garanci për paqen dhe stabilitetin afatgjatë.

    Shqipëria dhe Kosova duhet të punojnë krah për krah për sigurinë kombëtare, aleancat strategjike dhe konsolidim ndërkombëtar.