ATV

Author: K.B.

  • SHBA ofron shpërblim prej 10 milionë dollarësh për informacion mbi krerët e kartelit Sinaloa

    SHBA ofron shpërblim prej 10 milionë dollarësh për informacion mbi krerët e kartelit Sinaloa

    Shtetet e Bashkuara kanë ofruar një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për informacion që çon në kapjen e vëllezërve Rene dhe Alfonso Arsat Garcia, udhëheqës të kartelit meksikan Sinaloa.

    Departamenti i Shtetit lëshoi ​​një deklaratë për këtë çështje.

    Vërehet se Rene Arzat Garcia, i njohur me nofkën “Bretkosa”, dhe vëllai i tij Alfonso Arzat Garcia, i njohur si “Akili”, kanë drejtuar një nga njësitë e kartelit për rreth 15 vjet dhe kontrollojnë kontrabandën e drogës, përfshirë fentanilin, në Shtetet e Bashkuara.

    Në vitin 2014, autoritetet amerikane i paditën ata në mungesë dhe në vitin 2023, Departamenti i Thesarit i shtoi ata në një listë sanksionesh për trafik droge.

    Rene Arzat Garcia akuzohet gjithashtu për mbështetjen e aktiviteteve të një organizate terroriste të huaj, trafikimin e metamfetaminës, kokainës, fentanilit dhe marihuanës, si dhe pastrim parash.

    Në shkurt të vitit të kaluar, administrata amerikane njohu tetë kartele droge, përfshirë Sinaloa dhe Jalisco Nueva Generacion, si organizata terroriste të huaja.

  • Rriten çmimet e prodhimit në Kosovë, energjia elektrike me mbi 20% më shtrenjtë

    Rriten çmimet e prodhimit në Kosovë, energjia elektrike me mbi 20% më shtrenjtë

    Sipas të dhënave zyrtare, indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimit u rrit për 0.1% në TM4 2025, krahasuar me TM3 2025. Ndërkaq, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, çmimet e prodhimit shënuan rritje mesatare prej 5,4%.

    Çmimet e prodhimit në Kosovë kanë vazhduar trendin e rritjes edhe në fund të vitit 2025, duke reflektuar ndikimin e çmimeve të energjisë dhe shpenzimeve të larta në sektorin industrial.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, indeksi i çmimeve të prodhimit (IÇP) është rritur me 0,1 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025 dhe me 5,4 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Rritja më e lartë gjatë tremujorit të katërt u regjistrua në prodhimin e letrës dhe produkteve prej letrës (+3,2 %), makinerive dhe pajisjeve (+2,3 %), produkteve prej druri (+2,1 %) dhe mediave të incizuara (+1,1 %). Edhe sektori i energjetikës, përfshirë energjinë elektrike, gazin dhe avullin, shënoi rritje prej 0,2 për qind.

    Nga ana tjetër, prodhimi i metaleve ra me 3,7 për qind, ndërsa ulje u shënuan edhe te mbeturinat dhe riciklimi (-1,2 %), mobiliet (-0,3 %) dhe produktet ushqimore (-0,7 %).

    Në bazë vjetore, rritja është ndjeshëm më e lartë, me energjinë elektrike, gazit dhe avullit që u shtrenjtuan për 20,9 për qind, ndërsa pasohen nga mjetet motorike (+9,0 %), veshjet (+8,6 %) dhe produktet farmaceutike (+8,1 %).

    Pavarësisht rritjes së përgjithshme, disa degë të industrisë si prodhimi i metaleve (-11,6 %) dhe trajtimi i mbeturinave (-4,4 %) vazhdojnë të përballen me ulje të çmimeve.

    Rritje e lehtë tremujore

    Në krahasimin tremujor, ngritjet më të theksuara u regjistruan në:

    Prodhimin e letrës dhe produkteve prej letrës (+3.2%)

    Prodhimin e makinerisë dhe pajisjeve (+2.3%)

    Prodhimin e drurit dhe produkteve prej druri (+2.1%)

    Shtypjen dhe riprodhimin e mediave të incizuara (+1.1%)

    Xeherorët dhe guroret e tjera (+0.8%).

    Energjetika me rritjen më të madhe vjetore

    Në baza vjetore, rritja prej 5.4% është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i energjisë elektrike, gazit, avullit dhe furnizimit me ajër të kondicionuar, që shënoi rritje prej 20.9% krahasuar me TM4 2024.

    Rritje të konsiderueshme u evidentuan edhe në:

    Prodhimin e mjeteve motorike, rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove (+9.0%)

    Prodhimin e veshjeve (+8.6%)

    Produktet dhe preparatet farmaceutike (+8.1%)

    Makinerinë dhe pajisjet (+7.6%)

    Prodhimin e letrës (+6.2%).

    Të dhënat e ASK-së tregojnë se trendi i çmimeve të prodhimit në fund të vitit 2025 reflekton presione të vazhdueshme në sektorin energjetik dhe në industri të caktuara përpunuese, ndërsa disa sektorë të rëndësishëm industrialë kanë shënuar rënie.

  • Parashikimi i motit për të premten

    Parashikimi i motit për të premten

    Të premten parashikohet të mbajë mot me diell, ndërsa më vonë pasdite, priten vranësira të pakta të nivelit të lartë. Mëngjesi do të jetë me acar.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i veriut, me shpejtësi prej 6-23 km/h.

    Temperaturat minimale do të luhaten prej -4 deri në 0°C, ndërsa ato maksimale prej 13 deri në 16°C.

  • Haradinaj: Nuk jam kandidat për president

    Haradinaj: Nuk jam kandidat për president

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk është kandidat për president.

    Në emsionin ‘Debat Plus’ në RTVDukagjini, ai ka thënë se nuk ka nisur as mbledhjen e nënshkrimeve për të shpallur kandidaturën për president.

    Ai ka thënë se ka pasur takime me Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun për të biseduar rreth çështjes së presidentit, por nuk kanë arritur një gjuhë të përbashkët.

    Duket folur rreth mosftesës së tij nga Albin Kurti për të biseduar rreth zgjedhjes së presidentit, Haradinaj ka konfirmuar se që një kohë të gjatë nuk ka asnjë komunikim me kryeministrin Kurti.

  • Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë trupa të më shumë se 1,000 ushtarëve

    Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë trupa të më shumë se 1,000 ushtarëve

    Rusia thotë se i ka dorëzuar Ukrainës mbetjet e 1,000 ushtarëve dhe ka marrë në këmbim trupat e 35 ushtarëve rusë.

    Kjo vjen ndërsa kryenegociatori i Ukrainës u takua me të dërguarit e Presidentit të SHBA-së Donald Trump në Gjenevë për të diskutuar planet ekonomike për rindërtimin e Ukrainës pas luftës.

    Negociatorët po përgatitnin gjithashtu një raund të tretë bisedimesh të udhëhequra nga SHBA-të që synojnë t’i japin fund konfliktit i cili ka hyrë në vitin e tij të pestë – një takim trepalësh që përfshin edhe palën ruse.

    Pak orë para bisedimeve të Gjenevës, Rusia lëshoi 420 dronë dhe 39 raketa në gjashtë rajone të ndryshme të Ukrainës, duke plagosur dhjetëra njerëz, tha Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.

    Ndërsa Vladimir Medinsky, një ndihmës i lartë i Presidentit rus Vladimir Putin, njoftoi shkëmbimin e trupave në një njoftim të shkurtër në Telegram.

    Ai nuk dha detaje, por përfshiu një imazh që tregonte trupat duke u shkarkuar nga një kamion.

    Pak më vonë, Ukraina tha se kishte marrë 1,000 trupa të cilët, “sipas informacioneve paraprake nga pala ruse, mund t’u përkasin mbrojtësve ukrainas”.

    Të dyja palët kanë shkëmbyer mijëra trupa ushtarësh gjatë rrjedhës së konfliktit që filloi me vendimin e Putinit për të nisur një pushtim të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

    Shkëmbimi bazohet në një marrëveshje të arritur nga të dyja palët gjatë negociatave në Stamboll në qershor 2025.

    Moska dhe Kievi ranë dakord të kthejnë trupat e deri në 6,000 ushtarëve secila, si dhe të gjithë të burgosurit e luftës të sëmurë dhe të plagosur rëndë dhe ata nën moshën 25 vjeç.

  • Një ditë pas vizitës në Kosovë, Rama shkarkon Ministren e Jashtme

    Një ditë pas vizitës në Kosovë, Rama shkarkon Ministren e Jashtme

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë disa ndryshime në kabinetin qeveritar. Përveç zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila po përballet me probleme ligjore dhe akuzohet nga SPAK për korrupsion, Rama ka shkarkuar edhe ministren e Jashtme, Elisa Spiropali, vetëm një ditë pas vizitës së saj në Kosovë.

    Gjatë vizitës së saj të mërkurën në Prishtinë, Spiropali zhvilloi takime me liderë shtetërorë dhe partiakë në Kosovë, si dhe vizitoi familjen e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, në Prekaz.

    Ajo u takua me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, kryeparlamentaren Albulena Haxhiu, ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, kryetarine PDK-së, BEdri Hamza, atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj. Po ashtu Spiropali u takua edhe me komandantin e KFOR-it.

    Rama e kishte kritikuar publikisht ministren Spiropali disa muaj më parë, duke shprehur pakënaqësitë për performancën e saj.

  • Rama bën 7 ndryshime në qeveri, ikën Balluku dhe Spiropali

    Rama bën 7 ndryshime në qeveri, ikën Balluku dhe Spiropali

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në mbledhjen e sotme të Grupit të Partisë Socialiste, ka kryer 7 ndryshime në qeveri.

    Ndër ndryshimet e bërë është emërimi i ministres Albana Koçiu si zv.kryeministre pas shkarkimit të Belinda Ballukut, raporton “Euronews”.

    Enea Karakaçi u emërua ministër i Infrastrukturës duke marrë postin tjetër të Belinda Ballukut.

    Ndërkaq, ministrja e deritashme e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali është zëvendësuar nga Ferit Hoxha.

    Këta janë emrat e rinj të emëruar në kabinetin qeveritar Rama:

    Albana Koçiu emërohet Zëvendëskryeministre.Besfort Lamallari merr postin e Ministrit të Brendshëm.Ferit Hoxha emërohet Ministër i Jashtëm.Enea Karakaci do të udhëheqë Ministrinë e Infrastrukturës.Erjona Ismaili emërohet Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin.Toni Gogu do të drejtojë Ministrinë e Drejtësisë.Ermal Nufi merr postin e Ministrisë së Mbrojtjes.

  • Rama pret në takim Mulliqin, flasin për rolin e diasporës në Kosovë

    Rama pret në takim Mulliqin, flasin për rolin e diasporës në Kosovë

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka pritur sot në takim kryetarin e Haledonit në ShBA, Gino Mulliqin.

    Në një njoftim, Rama tha se me Mulliqin bashkëbiseduan për rolin e diasporës, mundësitë për bashkëpunim mes komuniteteve, si dhe për zhvillimin e sheshit “Xhorxh Bush”, me fokus në punimet dhe ecurinë e projekti.

    “Lidhjet shqiptaro-amerikane janë një vlerë e çmuar dhe një urë e fortë bashkëpunimi. Do të vazhdojmë të ndërtojmë partneritete që kthehen në zhvillim konkret për Kryeqytetin dhe për lidhjet tona ndërkombëtare”, ka shkruar i pari i Prishtinës në Facebook.

  • Kuzhina Qendrore në Podujevë afër përfundimit, garantohet ushqim cilësor për mbi 10 mijë nxënës

    Kuzhina Qendrore në Podujevë afër përfundimit, garantohet ushqim cilësor për mbi 10 mijë nxënës

    Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka njoftuar se punimet për Kuzhinën Qendrore në Podujevë janë drejt përfundimit.

    I pari i Podujevës ka treguar se ky projekt është me investim prej 700 mijë euro dhe hapësirë 1,150 m².

    Ai ka thënë se ky projekt do të sigurojë përgatitjen e ushqimit për mbi 10 mijë nxënës, nga çerdhet, parafillorët e deri në klasën e 9-të.

    “Objekti do të funksionojë sipas standardeve bashkëkohore, me kuzhinë për ushqim të ngrohtë dhe të ftohtë, restorant dhe hapësira përcjellëse, duke garantuar cilësi dhe siguri të ushqimit për fëmijët tanë”, ka njoftuar Bulliqi.

  • Nesër deklaratat hyrëse në rastin ndaj Thaçit e të tjerëve për pengim të drejtësisë

    Nesër deklaratat hyrëse në rastin ndaj Thaçit e të tjerëve për pengim të drejtësisë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nesër do të zhvillohen deklaratat hyrëse në rastin ndaj Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët përballen me akuza për pengim të drejtësisë.

    Seanca është caktuar të nisë në orën 09:30 dhe të përmbyllet rreth orës 16:00.

    Sipas aktakuzës, Thaçi bashkë me të akuzuarit e tjerë dyshohet se kanë vënë në dispozicion informacione konfidenciale që lidhen me dëshmitarë, si dhe kanë dhënë udhëzime për ndërhyrje në dëshmitë e tyre. Prokuroria pretendon se këto veprime kanë synuar të ndikojnë në rrjedhën e procesit gjyqësor.

    Të pesë të akuzuarit janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

    Pas përfundimit të deklaratave hyrëse, Prokuroria do të vijojë me paraqitjen e provave para trupit gjykues.