ATV

Author: K.B.

  • Tërmet në Iran

    Tërmet në Iran

    Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) bëri të ditur se një tërmet me magnitudë 4.3 goditi zonën e Gerashit në jug të Iranit.

    Tërmeti u regjistrua në një thellësi prej rreth 10 kilometrash.

    Autoritetet iraniane nuk kanë raportuar për ndonjë të lënduar apo dëme materiale.

  • Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi me njoftim të ri për kosovarët e bllokuar në Emirate

    Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi me njoftim të ri për kosovarët e bllokuar në Emirate

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi ka njoftuar se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe institucionet në Kosovë për të shqyrtuar mundësinë e evakuimit të qytetarëve kosovarë, në rast të vazhdimit të bllokadës së hapësirës ajrore.

    Ambasada u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që ndodhen në territorin e Emirateve – si vizitorë të bllokuar ashtu edhe rezidentë – që të paraqiten pranë përfaqësisë diplomatike nëse nuk e kanë bërë tashmë këtë.

    “Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës – vizitorë të bllokuar dhe rezidentë – se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e vendit pritës, me institucionet shtetërore në Kosovë, si dhe me Ambasadën tonë në Riad, për të shqyrtuar mundësinë më të shpejtë dhe më të sigurt në rastin e evakuimit të qytetarëve tanë”, thuhet në njoftimin e saj në Facebook.

    Qytetarët që ndodhen në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nuk janë regjistruar ende, janë ftuar të kontaktojnë Ambasadën përmes emailit [email protected] ose në numrin e telefonit/WhatsApp +971 54 709 2109, duke dërguar të dhënat personale sipas dokumentit të udhëtimit dhe qytetin ku ndodhen.

    Sipas Ambasadës, regjistrimi është i domosdoshëm për procedimin e kërkesave në rast të evakuimit, përfshirë pajisjen me leje kalimi urgjente në kufirin e Arabisë Saudite.

    “Kjo është e domosdoshme në mënyrë që kërkesat tuaja në rastin e evakuimit të mund të procedohen për pajisje me leje kalimi urgjente në kufirin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, procedurë e cila realizohet nga Ambasada jonë në Abu Dhabi për të gjithë qytetarët tanë që gjenden në Emirate, në koordinim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Riad – Arabi Saudite”, theksohet më tej.

    Ambasada ka bërë të ditur se, në rast të krijimit të kushteve për evakuim emergjent të organizuar, në koordinim me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, institucionet e Kosovës dhe autoritetet saudite, qytetarët do të njoftohen menjëherë për fluturimet e mundshme nga aeroportet si Jeddah ose Riyadh.

  • Shakira thyen rekord në Mexico City – 400 mijë persona të pranishëm në koncert

    Shakira thyen rekord në Mexico City – 400 mijë persona të pranishëm në koncert

    Shakira e mbylli me sukses të jashtëzakonshëm pjesën meksikane të turneut të saj botëror “Las Mujeres Ya No Lloran”, duke vendosur një rekord të ri me rreth 400 mijë pjesëmarrës në një koncert falas në sheshin kryesor të Mexico City.

    Sipas autoriteteve lokale, kjo ishte turma më e madhe e mbledhur ndonjëherë në sheshin publik të vendit.

    Në një atmosferë plot emocion, artistja kolumbiane u rikthye në këtë skenë për herë të parë që nga viti 2007, duke shprehur mirënjohjen dhe dashurinë e saj të thellë për publikun meksikan.

    Ajo e cilësoi marrëdhënien me Meksikën si një histori të veçantë dashurie dhe miqësie që zgjat prej vitesh.

    Rekordi i mëparshëm mbahej nga grupi argjentinas Los Fabulosos Cadillacs, i cili kishte mbledhur 300 mijë persona në qershor 2023, ndërsa më herët Grupo Firme kishte tërhequr rreth 280 mijë pjesëmarrës.

    Gjatë një performance njëorëshe, Shakira interpretoi disa nga hitet e saj më të njohura, përfshirë “Antologia”, “Loba” dhe “Hips Don’t Lie”.

    Kryetarja e bashkisë së qytetit, Clara Brugada Molina, konfirmoi shifrën prej 400 mijë të pranishmëve.

    Sipas Dhomës Kombëtare të Tregtisë, Shërbimeve dhe Turizmit, koncerti gjeneroi një ndikim ekonomik prej rreth 23,2 milionë dollarë, duke përfituar hotelet, restorantet dhe bizneset lokale.

  • Ylli i Real Madridit ka vendosur të largohet në fund të sezonit

    Ylli i Real Madridit ka vendosur të largohet në fund të sezonit

    Qetësia në dhomat e zhveshjes së “Los Blancos” duket se është tronditur nga një lajm që po lëkund themelet e afatit kalimtar veror.

    Një protagonist i papritur po lëviz në prapaskenë për të siguruar largimin nga Real Madrid sapo të përfundojë sezoni aktual i kampionatit.

    Pakënaqësia buron nga një mungesë alarmante protagonizmi, e theksuar edhe më shumë pas ngritjes së Alvaro Arbeloa në krye të ekipit të parë madrilen.

    Pozicioni i titullarit, që vetëm pak muaj më parë dukej si një e drejtë e padiskutueshme për sulmuesin brazilian, është zhdukur tani plotësisht.

    Kjo situatë e ka shtyrë Rodrygon të shqyrtojë horizonte larg kryeqytetit spanjoll, duke synuar konkurrencën e fortë të Ligës Premier. Braziliani e ka parë rolin e tij të transformohet nga figurë kyçe në epokën e Carlo Ancelotti në një spektator luksi nga stoli apo tribunat.

    Real Madridi është një klub që nuk pret askënd dhe shpërthimi i talenteve të rinj ka spostuar ish-lojtarin e Santosit.

    Në moshën 25-vjeçare, lojtari e kupton se progresi i tij është frenuar nga rotacionet e vazhdueshme dhe problemet fizike në momente kyçe. Humbja e minutave nuk është vetëm çështje prestigji, por një kërcënim real për aspiratat e tij me kombëtaren e Brazilit.

    Rrethi i Rodrygos nuk ka humbur kohë dhe ka riaktivizuar kontaktet me klube që kërkojnë të sigurojnë shërbimet e tij.

    Mes pretendentëve spikat Chelsea, një skuadër në kërkim të një ylli që të udhëheqë projektin e saj sportiv aktualisht të luhatshëm.

  • Nokian Tyres prezanton gomën dimërore që aktivizon vetë ‘gozhdat’ në ngricë

    Nokian Tyres prezanton gomën dimërore që aktivizon vetë ‘gozhdat’ në ngricë

    Kompania finlandeze Nokian Tyres ka prezantuar një risi revolucionare në botën e gomave dimërore.

    Modeli i ri, Hakkapeliitta 01, është goma e parë me gozhdë që përshtaten automatikisht sipas temperaturës.

    Kur moti është shumë i ftohtë, gozhdat dalin jashtë për të siguruar kapje maksimale në akull, ndërsa në temperatura më të larta ato tërhiqen brenda gomës.

    Sipas kompanisë, teknologjia e re redukton “konsumimin e asfaltit me 30%” dhe përmirëson kapjen në akull me 10%.

    Goma do të ofrohet në 122 madhësi të ndryshme për vetura, crossover dhe SUV.

    Modeli pritet të dalë në treg këtë vjeshtë dhe çmimi besohet se do të jetë në segmentin premium.

  • Thirrjet serbe për sulm nga Irani, KFOR: S’ka ndryshime në mision

    Thirrjet serbe për sulm nga Irani, KFOR: S’ka ndryshime në mision

    Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka bërë të ditur se forca e saj rishikohet dhe përshtatet periodikisht, në përputhje me zhvillimet në terren, në mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e mandatit. Aktualisht, sipas KFOR-it, nuk ka ndryshime të rëndësishme në këtë forcë.

    KFOR-i është përgjigjur KOHËS lidhur me thirrjet në rrjete sociale nga qytetarë të Serbisë, të cilët i kanë bërë thirrje Iranit që, krahas sulmeve ndaj bazave amerikane në Lindjen e Mesme, të godasë edhe bazën amerikane në Kosovë.

    “Forca dhe qëndrimi i KFOR-it rishikohen dhe përshtaten periodikisht, derisa rrethanat evoluojnë, në mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm për qëllimin e tij. Aktualisht, nuk ka ndryshime të rëndësishme në shqyrtim”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

    Në postime të publikuara në platformën “X”, disa përdorues pretendohet se kanë shpërndarë koordinatat e kampit ushtarak amerikan Bondsteel, me mesazhe si: “Ja një bazë tjetër amerikane! Faleminderit paraprakisht”.

    Në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës kanë deklaruar se nuk kanë pranuar ndonjë informacion zyrtar lidhur me këto thirrje.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të luajnë rol kyç në kuadër të misionit të udhëhequr nga NATO, me rreth 600 trupa të dislokuara në Kosovë. Më së shumti trupa ka Italia, me mbi 900 sosh.

    Ndonëse nuk ka qëndrim zyrtar për ndonjë implikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të Kosovës në përplasjet e fundit ushtarake në Lindjen e Mesme, të shtunën mbrëma është mbledhur Këshilli i Sigurisë i Kosovës. Sipas një komunikate të Qeverisë, në mbledhje janë diskutuar zhvillimet e fundit në rajonin e Lindjes së Mesme dhe është theksuar se institucionet e Kosovës po i përcjellin me vëmendje situatat, duke qëndruar të palëkundura përkrah miqve dhe aleatëve strategjikë, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

  • Ministri kroat i mbrojtjes kërkon përgatitje për mbrojtjen e kufijve të vendit të tij – përmend armatosjen e Serbisë

    Ministri kroat i mbrojtjes kërkon përgatitje për mbrojtjen e kufijve të vendit të tij – përmend armatosjen e Serbisë

    Retorika e vendeve që kufizohen me Kroacinë, të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian ose të NATO-s dhe as nuk duan të jenë, është “shqetësuese”.

    Kështu, siç raportojnë mediat kroate, ka thënë në Zagreb, ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, duke e vënë theksin në Serbinë, e cila tha se tani ka “sisteme ofensive” serioze.

    “Retorika e vazhdueshme nga këto vende është shqetësuese. Sipas informacionit që kemi, Serbia aktualisht ka sisteme sulmuese serioze që janë jashtëzakonisht komplekse, të shtrenjta dhe kanë qenë në proces blerjeje për katër, pesë ose gjashtë vjet”, citohet të ketë thënë Anushiq në një konferencë mbi industrinë evropiane të mbrojtjes në Zagreb.

    Siç kujtojnë mediat kroate, të vetmet dy vende që kufizohen me Kroacinë, të cilat nuk janë anëtare të BE-së ose NATO-s, janë Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

    Sipas tyre, Beogradi zyrtar ende synon të vazhdojë blerjen e armëve “të cilat mund të jenë jashtëzakonisht të rrezikshme nëse përdoren”, shtoi Anushiq në konferencën “Një epokë e re e sigurisë evropiane: Strategjia, investimet e përbashkëta dhe industria” të organizuar nga Zyra e Parlamentit Evropian në Kroaci, raporton Telegrafi.

    Po sipas mediave kroate, Serbia po rikthen rekrutimin ushtarak, njoftoi presidenti Aleksandar Vuçiq në fund të janarit, duke thënë se ishte i shqetësuar për formimin e supozuar të aleancave ushtarake kundër Serbisë, me sa duket duke aluduar në bashkëpunimin ushtarak midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

    Ai shtoi se kapacitetet mbrojtëse të forcave ajrore dhe mbrojtjes ajrore janë rritur “në mënyrë drastike dhe dramatike”.

    Anushiq pranoi se “nuk e di se cilat motive fshihen pas këtij procesi të armatosjes së Serbisë” dhe se nuk dëshiron të spekulojë, por se sipas tij, “çështja e mbrojtjes nuk duhet të shihet si diçka që nuk është e nevojshme sepse mund të mbështetemi në mbrojtjen e një vendi të tretë”.

    “Ne duhet të përgatitemi për të mbrojtur kufijtë tanë, hapësirën tonë të jetesës dhe njerëzit tanë”.

    Po kështu, sipas mediumit kroate, Evropa duhet të ndryshojë urgjentisht mënyrën se si funksionon kur bëhet fjalë për mbrojtjen dhe sigurinë, sepse deri më tani ka investuar në infrastrukturën civile, zhvillimin e shoqërisë civile, bujqësinë dhe ekonominë, ose gjithçka që nuk lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen, beson Anushiq.

    Sipas tij, gjithashtu, Evropa duhet ta trajtojë çështjen e mbrojtjes, dhe veçanërisht mbrojtjen e kufijve të saj lindorë, si një e tërë e unifikuar, duke shtuar se është tepër vonë për ta bërë këtë.

    “(Të gjitha vendet në kufijtë lindorë të) BE-së ose NATO-s duhet të kenë trajtim të veçantë në financimin e armëve dhe pajisjeve, sepse ato mund të jenë vendet e radhës që do të synohen dhe ndoshta do të testohen (për të parë) se sa e gatshme është NATO për të mbrojtur kufijtë e saj”, ka thënë më tej Anushiq.

    Ai shpjegoi se po i referohej kryesisht vendeve baltike, Finlandës dhe Rumanisë, por edhe Kroacisë, e cila kufizohet me vendet në juglindje që nuk janë në NATO dhe as nuk duan të jenë.

    Ai pranoi se fjalimi i tij mund të duket “shumë i errët”, por argumentoi se nëse diskutimet do të ishin bërë kështu në vitin 2014, kur u shfaqën shenjat e para të problemeve të sotme, përkatësisht aneksimi rus i Krimesë, “nuk do të kishim pasur as një përqind të këtyre shqetësimeve që kemi sot”.

  • Shenja në qafë të Trumpit trondit rrjetin, reagon Shtëpia e Bardhë

    Shenja në qafë të Trumpit trondit rrjetin, reagon Shtëpia e Bardhë

    Fotografitë e presidentit amerikan Donald Trump të publikuara të hënën gjatë një ceremonie zyrtare kanë shkaktuar reagime të shumta në mediat ndërkombëtare dhe rrjetet sociale, pas shfaqjes së një njolle të dukshme të kuqe në anën e djathtë të qafës së tij.

    Një seri imazhesh nga ceremonia e dorëzimit të Medaljes së Nderit ka tërhequr vëmendjen e vëzhguesve kur në qafën e Trump-it u vu re një njollë e dukshme, që disa komentues në internet e kanë komentuar me spekulime të ndryshme, shkruan Index.hr

    Në një deklaratë për media, mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Sean Barbabella, ka thënë se kjo ndryshim në lëkurë nuk paraqet shqetësim të rëndësishëm, por është rezultat i përdorimit të një kremi të zakonshëm të rekomanduar për kujdesin e lëkurës, i cili po përdoret si trajtim parandalues. Sipas zyrtarëve, “crvenilo pritet të zgjasë disa javë” si pjesë e këtij trajtimi.

    Ndërkohë, ndërkohë që zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë përpiqen të qetësojnë shqetësimet, spekulimet në rrjetet sociale kanë përfshirë teori të ndryshme për natyrën e njollës, nga reaksione të zakonshme deri tek komentet më skëterre.

  • Ms Rachel kthehet në ekran

    Ms Rachel kthehet në ekran

    Pas katër muajsh pritjeje – një përjetësi për prindërit me fëmijë të vegjël – Rachel Accurso rikthehet me një episod të ri të Learn With Ms Rachel, këtë herë me titull Friendship & Social Skills.

    Për miliona familje që e kanë bërë përmbajtjen e saj pjesë të rutinës së përditshme, kjo është ngjarja televizive e vitit.

    Videoja e fundit, Brush Your Teeth Song with Ms Rachel and Elmo, kishte grumbulluar dhjetëra miliona shikime falë paraqitjes së Elmo, por përmbante edhe materiale të ricikluara nga episode të mëparshme. Dhe kur një arush me pelenë këndon për stërvitjen e tualetit për herë të katërtqindtë, edhe durimi i prindit më të përkushtuar vihet në provë.

    Episodi i ri njëorësh synon të modelojë aftësi sociale thelbësore: mirësinë, ndarjen, pritjen e radhës dhe ndihmën ndaj të tjerëve. Por ai shkon më tej se kaq.

    Një mesazh përtej lojës

    Në qendër të episodit është Rahaf, një vajzë trevjeçare palestineze që ka humbur të dyja këmbët pas një sulmi ajror në Gaza. Në ekran, ajo shfaqet duke kënduar dhe luajtur përkrah Ms Rachel, me energjinë dhe buzëqeshjen e çdo fëmije tjetër. Historia e saj tragjike nuk shpjegohet drejtpërdrejt në video, por prania e saj është një deklaratë e qartë: çdo fëmijë meriton të luajë, të mësojë dhe të ndihet i sigurt.

    Accurso ka qenë e hapur në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve palestinezë, duke refuzuar thirrjet për ta mbajtur “politikën” jashtë përmbajtjes për fëmijë. Episodi përfshin përshëndetje në arabisht, hebraisht, spanjisht, frëngjisht, tagalog dhe në gjuhën amerikane të shenjave; një kukull e shqetësuar sigurohet se ngjyra e lëkurës nuk e bën të huaj; fëmijë me aftësi të kufizuara fizike dhe intelektuale marrin pjesë natyrshëm në lojë.

    Në një moment prekës, një djalë i quajtur Zach përdor një pajisje komunikimi për të thënë: “Të dua, Ms Rachel.” Askush nuk trajtohet si përjashtim apo kuriozitet – ata thjesht janë pjesë e kopshtit.

    Traditë dhe guxim

    Accurso nuk është e para që ndërthur argëtimin me përfshirjen sociale. Në vitin 1981, Fred Rogers në Mister Rogers’ Neighborhood mirëpriti në studio një fëmijë në karrige me rrota, duke folur hapur për shëndetin dhe ndjenjat. Mr Tumble në programin britanik Something Special vendos prej vitesh fëmijët me aftësi të kufizuara në qendër të vëmendjes. Ndërsa Sesame Street revolucionarizoi televizionin për fëmijë duke synuar që në fillim audiencën e larmishme urbane.

    Megjithatë, në klimën aktuale, qasja e Ms Rachel mbetet e guximshme. Një pjesë e madhe e përmbajtjes në YouTube për fëmijë prodhohet me synim komercial, pa shumë kujdes për cilësinë apo ndikimin. Accurso, përkundrazi, ka punuar me fëmijë refugjatë dhe me aftësi të kufizuara përpara se të bëhej fenomen global.

    Pse funksionon

    Me rreth 13.5 miliardë shikime në total, suksesi i saj nuk është vetëm rezultat i algoritmit, por i besimit që prindërit kanë tek ajo. Episodi i ri ofron diçka më shumë se mësime për ndarjen e lodrave: ai zgjeron idenë se kush ka të drejtë të duket, të dëgjohet dhe të kujdeset.

    Në fund, ajo që fëmijët marrin – qoftë edhe për një orë – është gëzim, ngrohtësi dhe, mbi të gjitha, ndjenjë sigurie. Dhe për shumë prindër, kjo është arsye e mjaftueshme për ta quajtur rikthimin e saj një ngjarje të madhe.

  • Netflix largohet nga 87 milionë pajisje sot

    Netflix largohet nga 87 milionë pajisje sot

    Për miliona përdorues në mbarë botën, Netflix ka qenë shërbimi kryesor i streaming. Por nga sot, nëse e shikoni zakonisht në PlayStation 3, ka lajme të këqija.

    Netflix ka njoftuar se shërbimi i tij nuk do të funksionojë më në këtë konsolë të Sony-t. Përdoruesit e prekur duhet të kenë marrë një njoftim në pajisje:

    “Fatkeqësisht, Netflix nuk do të jetë më i disponueshëm në këtë pajisje pas 2 marsit 2026. Vizitoni netflix.com/compatible-devices për të parë listën e pajisjeve të mbështetura.”

    Lajmi ka shkaktuar zhgënjim në rrjetet sociale, me disa përdorues që e quajnë “fund të një epoke”. Njëri shkroi: “PS3 mbajti streaming dhe lojërat para se të bëheshin të modës, respekt për OG-në.” Një tjetër shtoi: “Netflix mbijetoi tre gjenerata konsolash dhe tha ‘jam i lodhur, shef’.”

    PlayStation 3 u lançua në nëntor 2006 dhe u shit në mbi 87 milionë pajisje gjatë gjithë jetës së tij. Shumë përdorues në Reddit shprehën zhgënjimin e tyre:

    “Netflix në PS3 ishte mënyra e vetme që mund të shihja Netflix me babanë tim, edhe pse jetojmë në vende të ndryshme.”

    “Pa reklama dhe pa shërbime vendndodhjeje, PS3 ishte mënyra perfekte për të parë Netflix.”

    Edhe smart TV-të më të vjetra se 10 vjet do të humbasin mbështetjen për Netflix, së bashku me disa set-top boxes, përfshirë BT TV Box (Z4) dhe BT TV Recordable Box (G4).

    Nëse ende përdorni një PlayStation 3 ose një smart TV të vjetër, nuk ka nevojë të panikoni. Netflix mund të shikohet edhe në pajisje të tjera:

    “Mund të shikoni Netflix në çdo smart TV, telefon, tablet, pajisje streaming ose konsolë loje që lidhet me internetin dhe ofron aplikacionin Netflix, ose në netflix.com duke përdorur kompjuterin,” shpjegon Netflix në faqen e ndihmës.