ATV

Author: K.B.

  • Pakistani mbyll të gjitha shkollat ​​për të kursyer karburant

    Pakistani mbyll të gjitha shkollat ​​për të kursyer karburant

    Pakistani ka mbyllur të gjitha shkollat ​​për dy javë për të kursyer karburant, një veprim që pritet të prekë rreth 40 milionë nxënës në një vend me afërsisht 250 milionë banorë.

    Në përgjigje të rritjes së çmimeve globale të naftës, Pakistani po u thotë gjithashtu gjysmës së punonjësve të shtetit të punojnë nga shtëpia dhe po i kalon kolegjet dhe universitetet në mësime në distancë.

    Kryeministri Shehbaz Sharif njoftoi gjithashtu një ulje prej 50% të shpërndarjes së karburantit falas për automjetet qeveritare për dy muajt e ardhshëm.

    Zyrat qeveritare, përveç bankave, do të funksionojnë katër ditë në javë.

  • Gjen 300 euro dhe i dorëzon në polici, qytetarja nga Suhareka vlerësohet për ndershmëri

    Gjen 300 euro dhe i dorëzon në polici, qytetarja nga Suhareka vlerësohet për ndershmëri

    Një qytetare nga fshati Peqan i Suharekës ka treguar një shembull të ndershmërisë qytetare, pasi paratë që i gjeti në rrugë i dorëzoi në polici.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se më 6 mars 2026, rreth orës 20:15, qytetarja me inicialet V.F. ka raportuar në Stacionin Policor në Suharekë se kishte gjetur 300 euro para të gatshme në tokë, pranë një restoranti në këtë qytet. Ajo i ka dorëzuar menjëherë mjetet financiare në polici.

    Pas verifikimit të kamerave të sigurisë nga ana e policisë, është arritur të identifikohet personi që i kishte humbur paratë, një qytetar nga Suhareka, të cilit më pas i janë kthyer mjetet në stacionin policor.

    Policia e Kosovës e ka falënderuar qytetaren për veprimin e saj shembullor dhe ka inkurajuar qytetarët që të ndjekin këtë model të ndershmërisë dhe bashkëpunimit me institucionet.

    Po ashtu, policia ka rikujtuar se marrja e sendit të huaj, edhe nëse është i gjetur në rrugë apo në ndonjë vend tjetër, përbën vepër penale dhe është e dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • Rrahmani: LVV dhe Kurti tentuan ta eliminojnë politikisht Osmanin për kontroll të plotë të pushtetit

    Rrahmani: LVV dhe Kurti tentuan ta eliminojnë politikisht Osmanin për kontroll të plotë të pushtetit

    Deputeti nga Grupi Parlamentar i PDK-së, Eman Rrahmani, ka deklaruar se vendimi i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit ka qenë i drejtë, pasi sipas tij janë tejkaluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

    Në emisionin FIVE, Rrahmani ka theksuar se tashmë vendimi i takon qytetarëve për të zgjedhur një legjislaturë të re që do ta zgjidhë çështjen e presidentit.

    “Ka qenë një vendim i drejtë pasi kanë kaluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit. Tash mbetet te populli që të vendosë për një legjislaturë e cila do ta zgjidhë çështjen e presidentit, pasi kjo legjislaturë nuk ka pasur as vullnet e as mundësi për ta zgjedhur një figurë që do të ishte përfaqësuese dhe unifikuese për vendin”, ka deklaruar ai.

    Rrahmani ka theksuar se pushteti ka pasur numrat për të propozuar dy kandidatë për president. Ai ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti se kanë tentuar të vendosin opozitën para një akti të kryer.

    “Sipas mendimit tim, pushteti ka pasur 66 vota me të cilat ka mundur t’i bëjë dy kandidatura, por kandidaturat janë përdorur me presion dhe shantazh ndaj deputetëve të opozitës për t’i detyruar që ta votojnë njërin prej tyre për president”, ka deklaruar Rrahmani.

    Ai ka shtuar se Vetëvendosja nuk ka dashur të shkojë në zgjedhje dhe ka llogaritur se opozita nuk do të guxonte ta pranonte një proces të ri zgjedhor.

    “LVV dhe Albin Kurti kanë qenë të bindur se opozita nuk guxon të shkojë në zgjedhje dhe se do ta votonin këdo që ata do ta propozonin për president”, ka theksuar ai.

    Rrahmani po ashtu ka deklaruar se zhvillimet e fundit, sipas tij, kanë treguar një tentativë për eliminim politik të presidentes Osmani dhe për kontroll të plotë të pushtetit nga Vetëvendosja.

    “Shpërfaqja në këtë periudhë të fundit sidomos me moskandidimin e apo tentativën për eliminim politik të Vjosa Osmanit e ka shpërfaqë qëllimin për kontroll të plotë të pushtetit nga LVV dhe Albin Kurti. Besoj se do të ishte korrekte që gjatë fushatës do të tregonin e Vjosa Osmani nuk do të jetë presidente nuk do të mbështet. Unë jam i bindur që LVV nuk ka dashur të shkojë në zgjedhje, ata kanë qenë të bindur se opozita nuk kanë guxim të shkojnë në zgjedhje dhe ia votojnë qoftë edhe Dimal Bashën me vendos për president, këdo që ata e kishin propozu kanë qenë të bindur se do të votohej për president”, ka deklaruar ai.

  • Ministrja Mimoza Kusari Lila reagon për kërcënimet ndaj presidentes Osmani

    Ministrja Mimoza Kusari Lila reagon për kërcënimet ndaj presidentes Osmani

    Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Mimoza Kusari-Lila, ka dënuar gjuhën ofenduese, kërcënuese dhe nxitjen e urrejtjes ndaj presidentes Vjosa Osmani.

    Ajo thotë se gjuha ofenduese nuk është arsyetim dhe fyerjet nuk janë argument.

    “Ato janë delikuencë dhe mbeten të papranueshme në çdo debat publik.

    Debati publik duhet të ndërtohet mbi ide, argumente dhe respekt, asesi mbi fyerje, kërcënime e mizogjeni. Demokracia nuk mbrohet me fyerje, por me argumente.”, shkroi ajo në një postim në Facebook.

    Ajo shton se ruajtja e një kulture komunikimi që nuk nxit urrejtje, por promovon dialog konstruktiv është përgjegjësi e të gjithëve e qytetarëve, mediave dhe akterëve politike.

  • Deputeti i “Guxo” Fatos Geci Vjosa Osmanit: Flas pas datës 4 prill kur viktimizimi të marë fund

    Deputeti i “Guxo” Fatos Geci Vjosa Osmanit: Flas pas datës 4 prill kur viktimizimi të marë fund

    Fatos Geci, deputet i “Guxo”, ka reaguar për situatën me Vjosa Osmanin.

    Deputeti Haxhi Avdyli, dha dorëheqje nga GUXO, pasi tha se është linçuar presidentja Vjosa Osmani.

    Sipas Gecit, do të flas për Osmanit pas 4 prillit, kur i skadon mandati i Presidentes.

    “Kam shumë për të thënë, por do të flas pas datës 4 prill. Atëherë kur viktimizimi të marrë fund. Deri atëherë, e vërteta do e presë momentin e saj”, tha Geci.

  • Mustafa i drejtohet VV-së: A është e kapur Kushtetuesja nga opozita

    Mustafa i drejtohet VV-së: A është e kapur Kushtetuesja nga opozita

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme në lidhje me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit, e ka pyetur Lëvizjen Vetëvendosje nëse mendon tash se Kushtetuesja është e kapur nga opozita.

    Në një postim në Facebook ka përmendur edhe gjyqtarin Radomir Llaban, duke pyetur VV-në nëse është rrezik për sigurinë kombëtare.

    “A na tregon VV tash a është Gjykata Kushtetuese “e kapur nga opozita”? A është ai gjyqtari serb ende rrezik për sigurinë kombëtare? Apo tash që po i pëlqen ky vendim VV-së, Gjykata është krejt në rregull dhe ai serbi është burrë i mirë?”, ka shkruar Mustafa.

  • E konfirmon Haradinaj, Ardian Gjini do jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme

    E konfirmon Haradinaj, Ardian Gjini do jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka treguar se Ardian Gjini do të jetë kandidat për kryeministër.,

    Ai tha në “Frontal” të T7 se Gjini do t’i prijë listës, teksa tha se edhe ai do të jetë pjesës e listës për deputet.

    “Ardian Gjini do t’i prijë listës sonë, po e them Ardian Gjini do të jetë mandatar për kryeministër”, ka thënë Haradinaj.

  • Gjyqtari Laban kërkoi të përjashtohet nga vendimmarrja për dekretin, Kushtetuesja nuk pranoi

    Gjyqtari Laban kërkoi të përjashtohet nga vendimmarrja për dekretin, Kushtetuesja nuk pranoi

    Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se gjyqtari serb Radomir Laban ka kërkuar përjashtim nga vendimmarrja në Dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, por “kërkesa i është refuzuar njëzëri”.

    Kështu u njoftua në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili ka vendosur masë të përkohshme me të cilën ia ndalon Presidentes dhe Kuvendit çdo veprim deri më 31 mars.

    Çështja e gjyqtarit është përfshirë në pikën 10 si në foton më poshtë:

    Gjyqtari në fjalë ishte cilësuar me “veprimtari të rrezikshme” nga Osmani, kur në vitin 2025 ajo kishte tërhequr kërkesën që e kishte dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, pas caktimit të Radomir Laban si gjyqtar raportues në këtë rast.

  • Ky është vendimi i plotë i Kushtetueses lidhur me dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit

    Ky është vendimi i plotë i Kushtetueses lidhur me dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit

    Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të Presidentes Vjosa Osmani, lidhur me shpërndarjen e Kuvendit.

    Nga data 9 mars e deri më 31 mars, Kushtetuesja ua ndalon çdo veprim Kuvendit dhe Presidentes lidhur me zgjedhjen e Presidentit të ri.

    Në kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka pretenduar se presidentja Vjosa Osmani ka bërë, siç thotë ai, “shkelje të rëndë të rendit kushtetues” me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës të premten e kaluar.

    Në kërkesën e tij, Kurti ka kërkuar nga Kushtetuesja që sa më shpejt të vendosë masë të përkohshme, pasi sipas tij zhvillimet e mëtejshme mund të kenë ndikim të madh në funksionimin dhe stabilitetin institucional të vendit, “duke krijuar një situatë të pasigurisë juridike dhe institucionale”.

    Ai konsideron se vendosja e kësaj mase ishte e domosdoshme edhe për faktin se Osmani mbajti më pas një takim konsultativ me partitë politike lidhur me datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

    “Në vijim, parashtruesi i kërkesës sqaron se: ‘Vendosja e masës së përkohshme imponohet gjithashtu nga një rrethanë tjetër me peshë të veçantë kushtetuese. Pas nxjerrjes së Dekretit të kontestuar nr. 24/2026, në të njëjtën ditë, 6 mars 2026, Presidentja e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapat e parë për materializimin e efekteve të tij juridike, përkatësisht përmes thirrjes së partive politike në një takim konsultativ lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme’”, thuhet në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

    Kurti thotë se pa vendosjen e një mase të përkohshme do të kishte rrezik “të menjëhershëm dhe real” që presidentja t’i shpallte zgjedhjet e reja.

    “Nëse dekreti i kontestuar do të mbetet në fuqi, zgjedhjet do të duhej të mbaheshin brenda afatit kushtetues prej dyzet e pesë (45) ditësh, duke e shndërruar kështu këtë akt në një proces institucional të pakthyeshëm në praktikë. Në këto rrethana, rreziku kushtetues nuk është më hipotetik, por i menjëhershëm dhe real…”, thuhet tutje në kërkesë.

    Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme, me të cilën i ndalohet presidentes dhe Kuvendit çdo veprim deri në fund të këtij muaji.

  • 20 vjet burgim për gruan që vrau kunatin në Prishtinë

    20 vjet burgim për gruan që vrau kunatin në Prishtinë

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtore dhe e ka dënuar me 20 vjet burgim Nazmije Millakun, e akuzuar për vrasjen e kunatit të saj, Xh.M.

    Aktgjykimi u shpall të hënën nga trupi gjykues i kryesuar nga kryetari Gazmend Bahtiri dhe anëtarët Naser Foniqi dhe Sulltane Hoti.

    Gjykatësi Bahtiri tha se e akuzuara Millaku është fajtore për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe dënohet me 20 vjet burgim. Në dënimin me burgim, të akuzuarës i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Kjo masë, i vazhdohet me aktvendim të veçantë.

    E akuzuara obligohet të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale- 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Ndërkaq, u lirua nga akuza për “Armëmbajtje pa leje”, pasi nuk u provua se e ka kryer këtë vepër penale. U urdhërua të bëhet konfisikimi i armës e më pas shkatërrimi i saj.

    Gjykata njoftoi se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese pasi ta pranojnë vendimin në formë të shkruar.

    Për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, e dëmtuara Suzana Millaku, u udhëzua në kontest të rregullt juridiko-civil.

    Ndryshe, prezente në shpallje ishte vetëm e dëmtuara, kurse mungoi e akuzuara me avokaten e saj, Mirvete Hashani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Nazmije Millaku akuzohej se më 20 gusht 2024, në korridorin e përbashkët të shtëpive të tyre, në Prishtinë, në mënyrë dinake dhe për motive të ulëta xhelozie, me dashje ka privuar nga jeta kunatin e saj Xh.M., ku e pandehura ishte ndier e parespektuar dhe e braktisur nga familjarët, duke menduar se tani i ndjeri kishte ndikim.

    Aktakuza thotë se e akuzuara fillimisht ishte përgatitur për të kryer këtë vepër penale duke përfunduar kursin mbi aftësimin për përdorimin e armëve të shkurtra e më pas ishte certifikuar dhe kishte blerë armë zjarri dhe municion. Aty thuhet se ajo shfrytëzon rastin derisa anëtarët e tjerë të familjes nuk ishin prezent në momentin që e kishte parë tani të ndjerin Xh.M., duke kaluar në korridorin e shtëpisë për të shkuar në oborrin e përbashkët, del në korridor dhe në mënyrë dinake me armën e lartcektur shtie në drejtim të tij disa herë, duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit, e si pasojë e plagëve viktima ndërron jetë.

    Autopsia ka konstatuar se vdekja e Xh.M., ka qenë e dhunshme dhe ka ardhur si pasojë e destruksionit të trurit dhe gjakderdhjes masive të brendshme dhe të jashtme. U konstatuan 18 plagë të shkaktuara nga 11 të shtëna.

    Me këto veprime, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal.

    Millaku akuzohej edhe se nga 21 dhjetorit 2023 deri më 20 gusht 2024, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët posedoi një armë zjarri, tre karikatorë e 39 fishekë, e që ndonëse e kishte përfunduar kursin për përdorimin e armës, ende nuk ishte pajisur me leje për mbajtjen e armës. Arma iu gjet gjatë kontrolli në çantën e saj kur kishte shkuar në stacion policor, e disa prej municionit i ishte gjetur në dhomën e saj.

    Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.