ATV

Author: K.B.

  • Si ta rimbillni bimën pa e dëmtuar – Udhëzues i thjeshtë hap pas hapi

    Si ta rimbillni bimën pa e dëmtuar – Udhëzues i thjeshtë hap pas hapi

    Nëse rrënjët dalin nga vazoja ose bima nuk po rritet, është koha për rimbjellje. Me disa hapa të thjeshtë mund ta bëni këtë proces pa stres dhe pa rrezikuar dëmtimin e bimës

    Transplantimi i bimëve është një nga punët që shumë njerëz e shtyjnë, sepse kanë frikë se mund të bëjnë ndonjë gabim. Në të vërtetë, transplantimi është një proces i thjeshtë dhe shumë i rëndësishëm që i jep bimës hapësirë të re për t’u rritur.

    Nëse vëreni se rrënjët dalin nga vrimat në fund të vazos, se toka thahet shumë shpejt ose se bima nuk po rritet, atëherë është koha për ta transplantuar.

    Koha më e mirë për këtë është pranvera, kur bimët hyjnë në fazën e rritjes intensive. Mund të bëhet edhe në fillim të verës, ndërsa gjatë dimrit zakonisht duhet shmangur, sepse shumica e bimëve janë në fazë pushimi.

    Zgjidhni vazon dhe tokën e duhur
    Hapi i parë është zgjedhja e vazos së re. Ajo nuk duhet të jetë shumë më e madhe se e vjetra; mjafton të jetë dy ose tre centimetra më e gjerë. Vazo shumë e madhe mund të mbajë shumë lagështi dhe të shkaktojë kalbjen e rrënjëve.

    Po aq e rëndësishme është edhe toka cilësore. Toka universale për bimë të brendshme i përshtatet shumicës së llojeve, por për kaktuse, orkide apo bimë mesdhetare është më mirë të përdoret tokë e posaçme.

    Në fund të vazos vendosni gjithmonë një shtresë kulluese, si argjilë e zgjeruar, guralecë të vegjël ose copa qeramike, që ndihmon në largimin e ujit të tepërt.

    Nxirrni me kujdes bimën nga vazoja e vjetër
    Para se ta nxirrni, ujiteni pak që toka të zbutet. Kthejeni vazon me kujdes dhe mbajeni bimën pranë bazës së kërcellit. Shtypni lehtë anët e vazos ose trokitni nëse është qeramike, që rrënjët të shkëputen nga muret.

    Nëse rrënjët janë shumë të ngjeshura, hapini pak me gishta që bima të përshtatet më lehtë në tokën e re.

    Vendoseni në vazon e re
    Mbi shtresën kulluese shtoni pak tokë të freskët, pastaj vendoseni bimën në mes të vazos në të njëjtën lartësi si më parë. Mbusheni rreth rrënjëve me tokë dhe shtypeni lehtë që të mos mbeten hapësira ajri.

    Mos e ngjeshni shumë tokën, sepse rrënjët kanë nevojë për ajër.

    Ujitja dhe përshtatja
    Pas rimbjelljes ujiteni mirë bimën që toka të vendoset. Ujin e tepërt që mbetet në pjatëz duhet ta hiqni.

    Ditët e para mbajeni bimën larg diellit të drejtpërdrejtë. Transplantimi është një stres për të, ndaj ka nevojë për pak kohë për t’u përshtatur.

    Si ta kuptoni se rimbjellja ka pasur sukses
    Nëse pas dy ose tre javësh shfaqen gjethe të reja ose rritje e freskët, atëherë transplantimi ka qenë i suksesshëm.

    Rimbjellja nuk është vetëm një punë praktike. Është një mënyrë për të kontrolluar gjendjen e rrënjëve, për të freskuar tokën dhe për t’i dhënë bimës kujdesin që meriton.

  • Komuna e Prishtinës hap thirrjen për subvencione në blegtori, bletari dhe shpezëtari për vitin 2026

    Komuna e Prishtinës hap thirrjen për subvencione në blegtori, bletari dhe shpezëtari për vitin 2026

    Komuna e Prishtinës, përmes Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, ka njoftuar fermerët e kryeqytetit për hapjen e thirrjes për aplikim për subvencione – pagesa direkte në fushat e blegtorisë, bletarisë dhe shpezëtarisë për vitin 2026.

    Në njoftim bëhet e ditur se fermerët mund të aplikojnë për mbështetje financiare që synon zhvillimin dhe përmirësimin e sektorit bujqësor në komunë.

    “Fermerë të nderuar, ju njoftojmë që Kryeqyteti Prishtina përkatësisht Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural ka hapur thirrjen për aplikim për subvencione – pagesa direkte në blegtori, bletari dhe shpeztari për vitin 2026”, thuhet në njoftim.

    Detajet për aplikim dhe formularët përkatës mund të gjenden në linkun e publikuar nga Komuna e Prishtinës: https://prishtinaonline.com/…/thirrje-per-aplikim.

  • Shkëlqeu ndaj Prishtinës me dy gola, Laurent Xhylani është ylli i javës së 23-të

    Shkëlqeu ndaj Prishtinës me dy gola, Laurent Xhylani është ylli i javës së 23-të

    Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.

    Për javën e njëzet e tretë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Malisheva, Laurent Xhylani, i cili shënoi dy gola në ndeshjen kundër FC Prishtina, e cila përfundoi me rezultat 3:0.

    Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.

    Pasi mori këtë çmim, Xhylani u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës.

    “Ka qenë një ndeshje e vështirë, të cilën e kemi përgatitur shumë mirë, duke i analizuar të gjitha pikat e forta dhe të dobëta të FC Prishtinës dhe në fund arritëm një fitore të rëndësishme”.

    “Në ekip kemi një atmosferë shumë të mirë, sidomos me ardhjen e stafit të trajnerëve. Vazhdojmë të kemi të njëjtin synim: daljen në Evropë apo titullin kampion. Jam shumë i gëzuar për këtë çmim, i falënderoj bashkëlojtarët e mi dhe këtë çmim ia dedikoj nënës time”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

  • Këto simptoma tregojnë rënie të kalciumit në gjak: Kur gjendja mund të bëhet e rrezikshme

    Këto simptoma tregojnë rënie të kalciumit në gjak: Kur gjendja mund të bëhet e rrezikshme

    Hipokalcemia është gjendje që ndodh kur niveli i kalciumit në gjak bie shumë. Në fillim mund të mos japë shenja, por në rastet e rënda mund të shkaktojë spazma muskulore, kriza, çrregullime të ritmit të zemrës dhe komplikacione serioze

    Hipokalcemia është një gjendje që ndodh kur niveli i kalciumit në gjak është shumë i ulët. Është e rëndësishme të theksohet se këtu bëhet fjalë për kalciumin në gjak, dhe jo për sasinë e kalciumit në kocka. Kjo gjendje mund të jetë pasojë e çrregullimeve të ndryshme shëndetësore dhe mund të paraqitet në formë të lehtë ose të rëndë. Në shumicën e rasteve hipokalcemia është e trajtueshme dhe mund të jetë e përkohshme ose kronike, varësisht nga shkaku.

    Pse është i rëndësishëm kalciumi për organizmin?
    Kalciumi është një nga mineralet më të rëndësishme në trupin e njeriut. Pjesa më e madhe e tij gjendet në kocka, por edhe kalciumi në gjak është thelbësor për shumë funksione jetike. Ai mundëson funksionimin normal të sistemit nervor, tkurrjen e muskujve, mpiksjen e gjakut dhe funksionimin e rregullt të zemrës.

    Kur niveli i kalciumit në gjak bie, organizmi e ka më të vështirë të kryejë këto funksione themelore. Në përpjekje për ta mbajtur nivelin e kalciumit në gjak të qëndrueshëm, trupi mund të fillojë ta marrë atë nga kockat, gjë që me kalimin e kohës mund të çojë në dobësimin e tyre.

    Rregullimin e nivelit të kalciumit në organizëm e kontrollojnë hormonet – hormoni paratiroid dhe kalcitonina, ndërsa vitamina D ka rol kyç në përthithjen e kalciumit nga ushqimi.

    Kush mund të zhvillojë hipokalceminë?
    Hipokalcemia mund të prekë njerëz të të gjitha moshave, përfshirë edhe të porsalindurit. Shkaku shpesh përcakton edhe periudhën e jetës kur shfaqet kjo gjendje. Te foshnjat, për shembull, hipokalcemia mund të jetë pasojë e disa çrregullimeve gjenetike.

    Në praktikë, kjo gjendje shpesh shfaqet si pasojë ose komplikim i problemeve të tjera shëndetësore. Për shembull, është relativisht e shpeshtë pas operacionit të gjëndrës tiroide, sepse mund të dëmtohet funksioni i gjëndrave paratiroide.

    Cilat janë simptomat e hipokalcemisë?
    Rënia e lehtë e kalciumit shpesh nuk shkakton simptoma. Megjithatë, me uljen e mëtejshme të nivelit të kalciumit, mund të shfaqen shenja të ndryshme.

    Te format më të lehta mund të paraqiten:

    ▪ ngërçe në muskuj, veçanërisht në shpinë dhe në këmbë
    ▪ lëkurë e thatë dhe me luspa
    ▪ thonj të brishtë
    ▪ ndryshime në strukturën e flokëve.

    Nëse gjendja zgjat dhe nuk trajtohet, mund të shfaqen edhe simptoma neurologjike dhe psikologjike, si:

    ▪ konfuzion
    ▪ probleme me kujtesën
    ▪ nervozizëm dhe irritim
    ▪ gjendje depresive
    ▪ halucinacione.

    Kur hipokalcemia bëhet e rrezikshme?
    Në rastet e hipokalcemisë së rëndë, pra kur niveli i kalciumit në gjak është shumë i ulët, mund të shfaqen simptoma serioze dhe potencialisht kërcënuese për jetën.

    Këto përfshijnë mpirje të buzëve, gjuhës, gishtërinjve dhe shputave, dhimbje dhe spazma të forta muskulore, ngërçe të muskujve të fytit që mund të vështirësojnë frymëmarrjen, kriza epileptike, çrregullime të ritmit të zemrës dhe dobësim të funksionit të saj.

    Në këto situata nevojitet ndihmë e menjëhershme mjekësore, sepse komplikacionet mund të jenë të rrezikshme për jetën.

    Shkaqet më të shpeshta të hipokalcemisë
    Ekzistojnë shumë faktorë që mund të çojnë në rënien e kalciumit në gjak, por tre prej tyre janë më të shpeshtët.

    1. Hipoparatiroidizmi
    Kjo gjendje ndodh kur gjëndrat paratiroide nuk prodhojnë mjaftueshëm hormon paratiroid (PTH), i cili rregullon nivelin e kalciumit në gjak. Mund të jetë pasojë e çrregullimeve gjenetike ose e ndërhyrjeve kirurgjikale në gjëndrën tiroide ose paratiroide.

    2. Mungesa e vitaminës D
    Vitamina D i mundëson organizmit të përthithë kalciumin nga ushqimi. Mungesa e saj mund të çojë në hipokalcemí. Shkaku mund të jetë ekspozimi i pamjaftueshëm në diell, ushqyerja e dobët ose disa çrregullime gjenetike.

    3. Dëmtimi kronik i veshkave
    Në rastet e pamjaftueshmërisë së veshkave ndodh çrregullim në metabolizmin e fosforit dhe vitaminës D, gjë që mund të ulë nivelin e kalciumit në gjak.

    Hipokalceminë mund ta shkaktojnë edhe faktorë të tjerë, si disa barna, niveli i ulët i magnezit, pankreatiti akut ose disa sëmundje të rralla gjenetike.

    Si vendoset diagnoza?
    Hipokalcemia diagnostikohet përmes analizës së gjakut, kur përqendrimi total i kalciumit është më i ulët se rreth 8,8 mg/dL. Përveç kësaj, mjekët shpesh bëjnë analiza shtesë për të zbuluar shkakun e çrregullimit, duke përfshirë matjen e magnezit, fosforit, hormonit paratiroid dhe vitaminës D.

    Në disa raste kryhet edhe elektrokardiogramë (EKG), sepse niveli i ulët i kalciumit mund të shkaktojë çrregullime të ritmit të zemrës.

    Trajtimi i hipokalcemisë
    Forma më e zakonshme e trajtimit janë suplementet e kalciumit, zakonisht në formë tabletash. Megjithatë, është po aq e rëndësishme të trajtohet edhe shkaku themelor që ka çuar në rënien e kalciumit.

    Terapia mund të përfshijë preparate orale të kalciumit, suplemente të vitaminës D, hormon paratiroid sintetik në rastin e hipoparatiroidizmit, si dhe dhënie intravenoze të kalciumit në kushte spitalore në rastet e rënda.

    Cila është prognoza?
    Në shumicën e rasteve hipokalcemia është një gjendje e trajtueshme dhe e kontrollueshme, veçanërisht kur zbulohet dhe trajtohet në kohë. Simptomat zakonisht zhduken pasi niveli i kalciumit në gjak normalizohet.

    Megjithatë, hipokalcemia e rëndë dhe e patrajtuar mund të çojë në komplikacione serioze, si kriza epileptike, çrregullime të zemrës ose dështim të saj, prandaj konsiderohet një gjendje potencialisht kërcënuese për jetën.

    Për këtë arsye është e rëndësishme të kërkohet ndihmë mjekësore nëse shfaqen simptoma që mund të tregojnë një rënie të theksuar të kalciumit në organizëm.

  • Teuta Krasniqi hap arkivat, publikon pamje të rralla nga vitet e 90-ta

    Teuta Krasniqi hap arkivat, publikon pamje të rralla nga vitet e 90-ta

    Aktorja Teuta Krasniqi, ka vendosur t’i kthejë ndjekësit e saj pas në kohë me një publikim nostalgjik.

    Së fundmi, ajo i është bashkuar një trendi mjaft të njohur në rrjetet sociale duke hapur arkivat personale dhe duke ndarë imazhe të rralla nga vitet ’90.

    Përmes një videoje të publikuar në Instagram, e cila nis me pyetjen “Mami si ishe në vitet ’90?”, aktorja ka treguar disa fotografi nga koha kur ishte më e re.

    Postimin ajo e ka shoqëruar me mbishkrimin “90’s vibes”.

  • Gjashtë raste të dhunës në familje të raportuara për 24 orë

    Gjashtë raste të dhunës në familje të raportuara për 24 orë

    Policia e Kosovës ka raportuar gjashtë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit.

    Në Fushë Kosovë, një burrë është arrestuar për dhunë ndaj një gruaje.

    Pas intervistimit dhe konsultimit me prokurorin, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Një tjetër rast në të njëjtën komunë ka përfshirë një burrë nën ndikim të alkoolit që sulmoi fizikisht një grua.

    Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

    Në Prishtinë, një grua është sulmuar fizikisht pas një mosmarrëveshjeje nga një burrë.

    I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe rasti po procedohet në procedurë të rregullt.

    Në Lipjan, pas një mosmarrëveshjeje, një burrë ka sulmuar fizikisht një tjetër burrë. Të dy palët kanë pranuar tretman mjekësor, dhe rasti është nën hetim.

    Ndrësa, në Gjakovë më 27 shkurt, një grua është keqtrajtuar psiqikisht nga një burrë. I dyshuari është arrestuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

    Po ashtu, në Skenderaj një burrë është arrestuar pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje sulmoi fizikisht një burrë tjetër.

    Policia njofton se në vendin e ngjarjes i dyshuari ka kanosur dhe ka tentuar të sulmojë edhe zyrtarët policorë.

    Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Hotit merr vendimin e parë si ministër

    Hotit merr vendimin e parë si ministër

    Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka themeluar Komisionin e Ankesave për shqyrtim të ankesave ndaj vendimeve përfundimtare të inspektimeve nga Inspektorati Qendror i Punës.

    Kështu kanë njoftuar nga ministria që drejtohet nga Andin Hoti.

    “Me qëllim të adresimit të çdo ankese ose paqartësie në raport me vendimet e Inspektoratit Qendror të Punës, sot ministri Andin Hoti ka marrë vendim për themelimin e Komisionit të Ankesave për shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve përfundimtare të inspektimeve nga Inspektorati Qendror i Punës. Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare fton të gjithë qytetarët që në përputhje me ligjin dhe me afatet e parapara, ta shfrytëzojnë të drejtën për t’i adresuar ankesat në ministri”, njofton ministria.

  • Diskualifikohet për një vit nga tenderët publikë kompania “ARF” – Vendimi lidhet me dokumente të dyshuara të falsifikuara

    Diskualifikohet për një vit nga tenderët publikë kompania “ARF” – Vendimi lidhet me dokumente të dyshuara të falsifikuara

    Organi Shqyrtues i Prokurimit ka marrë vendim për diskualifikimin për një vit nga të gjitha aktivitetet e prokurimit publik të operatorit ekonomik “ARF” Sh.p.k., pas një rasti që lidhet me një tender të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan.

    Vendimi është marrë nga Paneli Shqyrtues i Prokurimit, pas shqyrtimit të kërkesës së Autoritetit Kontraktues, Spitali i Përgjithshëm Gjilan, lidhur me aktivitetin e prokurimit për “Furnizim me materiale të ndryshme për nevojat e Spitalit të Përgjithshëm Gjilan”.

    Sipas vendimit, kompania ARF Sh.p.k. është diskualifikuar nga pjesëmarrja në prokurim publik për periudhën njëvjeçare, duke filluar nga 9 mars 2026 deri më 8 mars 2027.

    Në arsyetimin e vendimit thuhet se gjatë shqyrtimit të dokumentacionit dhe provave të dorëzuara, autoriteti kontraktues ka paraqitur dëshmi që sipas vlerësimit të panelit tregojnë se operatori ekonomik ka vepruar në kundërshtim me nenin 99 të Ligjit për Prokurimin Publik.

    Në dokument përmendet edhe deklarimi i një dizajneri, i cili ka sqaruar se nënshkrimi i tij në dokumentet e kompanisë ishte përdorur pa dijeninë e tij, duke e konsideruar atë të falsifikuar.

    Bazuar në këto rrethana, paneli i OSHP-së ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për marrjen e masës ndëshkuese ndaj operatorit ekonomik.

    Sipas vendimit, kundër këtij vendimi nuk lejohet ankesë, ndërsa pala e pakënaqur mund t’i drejtohet gjykatës kompetente për anulimin e vendimit brenda 30 ditëve nga pranimi i tij.

  • Ish-lojtari i Man Cityt merr dënim të përjetshëm pas përfshirjes në skandalin e basteve

    Ish-lojtari i Man Cityt merr dënim të përjetshëm pas përfshirjes në skandalin e basteve

    Dy lojtarë janë përjashtuar përgjithmonë nga MLS pas shkeljeve “të gjera” që lidhen me bixhozin.

    Të hënën, MLS, niveli më i lartë i futbollit në Shtetet e Bashkuara, njoftoi se Derrick Jones dhe Yaw Yeboah ishin subjekt i dënimit më të ashpër të mundshëm.

    Liga u njoftua për “sinjale të dyshimta bixhozi” dhe hapi një hetim me ndihmën e një firme ligjore.

    Të dy lojtarët, të cilët kishin qenë bashkëlojtarë te Columbus Crew për një sezon, u vendosën në pushim administrativ në tetor 2025 dhe, deri në përfundimin e hetimeve, asnjëri nuk po luante më në MLS.

    Në një deklaratë, MLS konkludoi se dyshja “mori pjesë në bixhoz të gjerë mbi futbollin, duke përfshirë edhe ndeshjet e ekipeve të tyre, gjatë sezoneve 2024 dhe 2025”.

    Ata shtuan se të dy kishin vendosur të njëjtën bast, që Jones të merrte karton të verdhë në një fitore 3-2 ndaj New York Red Bulls, gjë që ndodhi më pas.

    Yaw Yeboah, i cili u rrit në akademinë Right to Dream dhe iu bashkua Manchester City në 2014, transferohej në MLS në 2022 pas një serie huazimesh dhe periudhash te Numancia dhe Wisla Krakow.

    Ai luajti 91 ndeshje për Crew, dhe pasi kontrata e tij nuk u rinovua, Yeboah nënshkroi një marrëveshje dyvjeçare me Los Angeles në janar 2025, duke luajtur 17 ndeshje.

    28-vjeçari e pa kontratën e tij të përfundojë me marrëveshje të përbashkët më herët gjatë këtij viti dhe më pas iu bashkua Qingdao Hainiu në Superligën e Kinës, të cilët u penalizuan me shtatë pikë në fillim të sezonit të ri si pjesë e një hetimi të madh mbi manipulimin e ndeshjeve, bixhozin dhe korrupsionin në futbollin kinez.

    Dënimi nuk duket se aplikohet për futboll jashtë MLS, pasi nuk është një ndalim i vendosur nga FIFA. Aktualisht, reprezentuesi nga Gana, Yaw Yeboah, ende është i kualifikuar të luajë në Botërorin e vitit 2026 në Amerikën e Veriut.

  • Turqia vendos një sistem mbrojtës raketor “Patriot” në qendër të vendit – pas raketës së fundit nga Irani

    Turqia vendos një sistem mbrojtës raketor “Patriot” në qendër të vendit – pas raketës së fundit nga Irani

    Turqia tha të martën se një sistem mbrojtës raketor Patriot po vendoset në qendër të vendit, një ditë pasi NATO interceptoi një raketë të dytë balistike të lëshuar nga Irani në hapësirën ajrore turke.

    “Po merren masat e nevojshme për sigurinë e kufijve dhe hapësirës tonë ajrore dhe po zhvillohen konsultime me NATO-n dhe aleatët tanë. Përveç masave që kemi marrë në nivel kombëtar, NATO ka forcuar masat e saj të mbrojtjes ajrore dhe raketore”, thuhet në një deklaratë të ministrisë së mbrojtjes, shkruajnë mediat e huaja.

    “Brenda këtij qëllimi, një sistem Patriot i caktuar për të mbështetur mbrojtjen e hapësirës sonë ajrore po vendoset në Malatya”.

    E vendosur në Turqinë qendrore, Malatya njihet si vendndodhja e bazës ajrore Kurecik, një strukturë kyçe e drejtuar nga trupat amerikane, e cila strehon një sistem radari paralajmërues të hershëm të NATO-s që mund të zbulojë lëshimet e raketave iraniane.

    Edhe pse Ankaraja ka mohuar kategorikisht se të dhënat e radarit janë përdorur ndonjëherë për të ndihmuar Izraelin, prania e tij e ka tronditur Teheranin.

    Vendosja e raketave erdhi një ditë pasi NATO rrëzoi një raketë të dytë nga Irani, duke bërë që Uashingtoni të mbyllte konsullatën e saj në qytetin jugor të Adanasë dhe t’u bënte thirrje të gjithë qytetarëve amerikanë të largoheshin nga Turqia juglindore.

    Përveç Kurecik, trupat amerikane janë të stacionuara edhe në bazën ajrore Incirlik, një tjetër strukturë kyçe e NATO-s vetëm 10 kilometra (gjashtë milje) jashtë Adanasë.

    Kurecik shtrihet rreth 350 kilometra më tej në verilindje.

    Që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, Teherani ka nisur sulme në të gjithë Lindjen e Mesme.

    Dhe përveç dy rasteve gjatë pesë ditëve, Turqia “duket se është kursyer”.

    Pasi raketa e parë balistike u rrëzua në hapësirën ajrore turke më 4 mars, NATO tha se kishte forcuar “qëndrimin e saj të mbrojtjes nga raketat balistike në të gjithë aleancën”, por nuk dha asnjë detaj për arsye sigurie operacionale.

    Bazat Incirlik dhe Kurecik janë një çështje thellësisht e ndjeshme për Turqinë, me policinë që arrestoi tre gazetarë për “shkelje të sigurisë kombëtare” për pamjet e filmuara pranë Incirlikut vetëm disa orë pasi filluan sulmet e Iranit.