ATV

Author: K.B.

  • Irani: Përgatituni që çmimi i naftës të arrijë 200 dollarë për fuçi

    Irani: Përgatituni që çmimi i naftës të arrijë 200 dollarë për fuçi

    Irani u ka thënë SHBA-ve të “përgatiten” që çmimi i naftës të arrijë 200 dollarë për fuçi, ndërsa kjo prish transportin përmes Gjirit Persik.

    Lufta ka shkaktuar rritje të kostove të naftës, duke iu afruar 120 dollarëve për fuçi të hënën për herë të parë në gati katër vjet, përpara se të ulet më vonë gjatë ditës. Tani ajo qëndron në rreth 91 dollarë.

    Komanda e përbashkët ushtarake e Iranit tha se SHBA-të duhet të “përgatiten” për 200 dollarë për fuçi, ndërsa konflikti vazhdon, duke thënë se nuk mund të kontrollojë çmimet me “masa artificiale”.

    Teherani ka ndaluar në mënyrë efektive trafikun e mallrave në Ngushticën e Hormuzit, e cila normalisht trajton një të pestën e tregtisë botërore të naftës.

    Në të njëjtën informim, komanda e përbashkët tha se politika e Iranit e “goditjeve reciproke” kishte mbaruar dhe tani do të kryente “sulme të vazhdueshme”.

    Çmimi rekord për një fuçi naftë të papërpunuar Brent është 147.50 dollarë, i arritur në korrik 2008 para kulmit të krizës financiare.

  • Anulohet tenderi 400 milionë eurosh për Portin e ri në Porto Romano

    Anulohet tenderi 400 milionë eurosh për Portin e ri në Porto Romano

    Procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është anuluar, pasi kompania e vetme e mbetur në garë nuk paraqiti ofertë financiare.

    Bëhet fjalë për kompaninë Archirodon, e cila nuk dorëzoi ofertën financiare brenda afatit të përcaktuar, më 9 mars, duke bërë që procesi i prokurimit të ndërpritet. Tenderi kishte një vlerë të parashikuar prej rreth 400 milionë eurosh dhe synonte ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, një projekt i rëndësishëm për infrastrukturën portuale dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

    Vendimi për pezullimin vjen pas kërkesës dhe insistimit të vazhdueshëm të SHBA-ve, shkruan A2. Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleeve, pak ditë më parë adresoi një letër publike për Edi Ramën dhe titullarë të lartë qeveritarë, në lidhje me këtë tender.

    Van Cleeve e konsideron këtë projekt si një vendim që merret një herë në 100 vjet dhe kërkoi shtyrjen e garës, pasi sipas tij projekti ekzistues i heq Shqipërisë shansin të jetë konkuruese në rajon.

    Ndërkohë, SPAK ka nisur hetimet lidhur me procedurën e tenderit, për të sqaruar çdo pasaktësi ose shkelje gjatë procesit të prokurimit.

    Ndërkohë, në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, mbajtur ditën e hënë, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te projekti i portit të ri në Porto Romano, duke e cilësuar atë si një ndër projektet më komplekse që po zhvillohen aktualisht./A2CNN

  • Shqiptari nga Kosova i mbijeton tragjedisë në Zvicër: Brenda pak sekondash autobusi u mbush me tym

    Shqiptari nga Kosova i mbijeton tragjedisë në Zvicër: Brenda pak sekondash autobusi u mbush me tym

    Faton Berisha ishte mes pasagjerëve në autobusin që u përfshi nga flakët në Kerzers. Ai shpëtoi me djegie dhe dëmtime nga tymi, ndërsa familjarët rrëfejnë momentet dramatike të ngjarjes.

    Mes personave që ndodheshin në autobusin postar që u përfshi nga flakët në Kerzers në kantonin Fribourg ishte edhe një shqiptar nga Kosova, i cili arriti të shpëtojë nga tragjedia ku humbën jetën gjashtë persona dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur, transmeton albinfo.ch.

    Sipas raportimit të mediumit zviceran 20 Minuten, bëhet fjalë për Faton Berisha, i cili pësoi djegie në trup dhe dëmtime nga thithja e tymit, por arriti të dalë me vështirësi nga autobusi i përfshirë nga flakët.

    Kushëriri i tij, Arbi Berisha, ka treguar se kishte mbërritur në vendin e ngjarjes vetëm pak minuta pasi shpërtheu zjarri.

    “Fatoni më telefonoi dhe më tha se autobusi ishte përfshirë nga zjarri dhe të shkoja sa më shpejt në parkingun e Migros. Në atë moment nuk dija çfarë të bëja, thjesht fillova të vrapoja”, rrëfen ai.

    Sipas tij, e gjeti kushëririn pak më vonë kur doli nga tualeti i një restoranti pranë vendit të ngjarjes.

    “U lehtësova kur e pashë, por ai kishte djegie në duar, në këmbë dhe në majën e hundës. Fytyra i ishte nxirë krejt nga tymi dhe mushkëritë i ishin dëmtuar”, tregon Arbi.

    Ai shton se ishte pikërisht ai që i kishte sugjeruar Fatonit të merrte autobusin për t’u kthyer në shtëpi.

    “Ai kishte dalë për një shëtitje të shkurtër dhe më telefonoi për të më pyetur si të kthehej në shtëpi. I thashë të merrte autobusin”, kujton ai.

    Sipas dëshmisë së Fatonit, momentet kur shpërtheu zjarri ndodhën shumë shpejt. Ai ishte ulur në mes të autobusit, pranë dyerve të hyrjes dhe daljes. Një burrë që ndodhej pranë hapësirës për biçikleta dyshohet se kishte nxjerrë një çakmak dhe ishte spërkatur me benzinë.

    “Në atë moment Fatoni bërtiti me zë të lartë. Brenda pesë ose gjashtë sekondash autobusi u mbush plot me tym dhe nuk shihej asgjë”, rrëfen Arbi duke përcjellë dëshminë e kushëririt të tij.

    Fillimisht dyert e autobusit nuk u hapën dhe Fatoni pësoi djegie në duar duke u përpjekur t’i hapte ato.

    “Më pas ai dëgjoi se dyert u hapën dhe doli me vështirësi jashtë. Në atë moment më telefonoi”, tregon Arbi, i cili jeton rreth 200 metra nga vendi i ngjarjes.

    I plagosuri u dërgua për trajtim në Inselspital, ku sipas familjarëve djegiet më të rënda i ka në duar, ndërsa gjendja e tij konsiderohet relativisht stabile.

    Megjithatë, përveç lëndimeve fizike, ai po përballet edhe me pasojat psikologjike të ngjarjes.

    “Ai është shumë i traumatizuar dhe nuk mund të flejë”, ka thënë kushëriri i tij.

    Ndërkohë, një tjetër shqiptar që ndodhej pranë vendit të ngjarjes, Astrit B., pronar i një lokali në Kerzers, ka treguar se policia ishte në ambientet e biznesit të tij pak para incidentit për shkak të një raportimi për vjedhje.

    Ai rrëfen se situata ndryshoi papritur kur njëri nga policët dëgjoi komunikimin në radio.

    “Policët ishin te lokali im për shkak të një vjedhjeje. Papritur njëri prej tyre tha: ‘Ju lutem pak qetësi’, sepse po dëgjonte komunikimin në radio. Pas pak ai tha: ‘Duhet të largohemi menjëherë, është një emergjencë’”, ka treguar ai për median zvicerane Blick.

    Pak çaste më vonë ai pa një re të madhe tymi në qiell.

    “Policët hipën në veturë dhe arritën në vendin e ngjarjes për rreth 30 sekonda. Edhe unë shkova menjëherë pas tyre – ajo që pashë ishte tronditëse”, tha ai.

  • Miftaraj ironizon me Rrustemin: Shpresojmë që nuk të shkon mendja me kërku me i mbyll ambasadat

    Miftaraj ironizon me Rrustemin: Shpresojmë që nuk të shkon mendja me kërku me i mbyll ambasadat

    Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka ironizuar me Adnan Rrustemin i cili aludoi se ambasadorët po bëjnë presion në Gjykatën Kushtetuese.

    Miftaraj ka thënë se shpreson që Rrustemi të mos kërkojë mbylljen e ambasadave.

    “Adnan shoku, të shpresojmë se nuk do të shkoj mendja me kërku edhe me i mbyll ambasadat e vendeve perëndimore! Deklaratë e papërgjegjshme dhe aspak etike. Sikurse sa problematike eshte kjo deklaratë e pamatur edhe me problematike eshte mendesia qe perfaqesojne”, shkruan ai.

  • Erdogan paralajmëron se lufta në Lindjen e Mesme mund të zgjerohet në rajon

    Erdogan paralajmëron se lufta në Lindjen e Mesme mund të zgjerohet në rajon

    Lufta që po vazhdon në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme duhet të ndalet para se të përfshijë të gjithë rajonin, duke shkaktuar kosto gjithnjë në rritje për ekonominë globale, tha të mërkurën presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

    “Kjo luftë duhet të ndalet para se të bëhet më e madhe dhe të përfshijë plotësisht rajonin në flakë”, tha ai, duke përshkruar Lindjen e Mesme si “përsëri e mbuluar nga një erë gjaku dhe plumbi”.

    “Nëse diplomacisë i jepet një mundësi, kjo është krejtësisht e mundur”, këmbënguli lideri turk, një ditë pasi kryediplomati iranian, Abbas Araghchi në mënyrë efektive përjashtoi negociatat me Uashingtonin, duke thënë se Teherani kishte pasur “një përvojë shumë të hidhur nga bisedimet me amerikanët”.

    Lufta, e shkaktuar nga sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt, ka shkaktuar vdekje, shpërngulje dhe shkatërrim, ndërkohë që ka trazuar tregjet e naftës dhe ka çuar në një rritje të çmimeve të naftës.

    “Nëse kjo luftë pa kuptim, pa ligj dhe e parregullt vazhdon, do të ketë më shumë humbje jete dhe pronash, dhe kostoja për ekonominë globale do të rritet edhe më shumë”, shtoi Erdogan, duke thënë se Turqia po ndjek përpjekje për të gjetur një zgjidhje diplomatike.

    Që nga fillimi i luftës, Teherani ka kundërpërgjigjur me sulme në të gjithë Lindjen e Mesme.

    Përveç dy interceptimeve të raketave balistike në hapësirën ajrore turke nga sistemet e mbrojtjes së NATO-s gjatë pesë ditëve, duket se Turqia është shpëtuar.

  • Shteti nis kontroll të rreptë për çmimet e naftës në Kosovë, kjo është marzha maksimale

    Shteti nis kontroll të rreptë për çmimet e naftës në Kosovë, kjo është marzha maksimale

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar publik se, në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të tregut të derivateve të naftës, është duke realizuar mbikëqyrje intensive lidhur me zbatimin e Vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse të nënshkruar nga ministrja Mimoza Kusari-Lila, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit, rritjen e transparencës, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme si dhe mënjanimin e çrregullimeve në treg.

    Gjithashtu Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës është duke realizuar analiza të të dhënave lidhur me çmimet e importit dhe çmimet e ekspozuara për konsumatorët në tregun vendor.

    Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga evidencat e Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së matrë – datë: 10.03.2026, ka qenë si në vijim:

    • Naftë (Dizel): 1.45 €/litër;

    • Benzinë: 1.17 €/litër;

    Ndërkohë, bazuar në monitorimin e realizuar në tregun vendor sot, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë rezultojnë si më poshtë:

    • Naftë (Dizel): nga 1.44 €/litër deri në 1.54 €/litër;

    • Benzinë: nga 1.18 €/litër deri në 1.31 €/litër;

    Bazuar në vendimin e datës 04.03.2026 për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimit të masave të tjera mbrojtëse, është vendosur marzha tregtare maksimale e lejuar si vijon:

    2 eurocentë për litër të produktit të shitur me shumicë, dhe

    12 eurocentë për litër të produktit të shitur me pakicë.

    Marzhë tregtare domethënë ndryshimi mes çmimit të shitjes dhe çmimit të furnizimit.

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë të monitorojë dhe inspektoj në mënyrë intensive zhvillimet në tregun e derivateve të naftës së bashku me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës si dhe Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës dhe, në të gjitha rastet ku identifikohen parregullsi eventuale, mos respektim i vendimit të marzhës apo praktikave që mund të dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, do të ndërmerren masa rigoroze të parapara me legjislacionin në fuqi.

    Për çdo zhvillim të mëtejmë, publiku do të njoftohet me kohë.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit

  • Behrami reagon ashpër pasi fotoja e Thaçit u pa e hedhur në bodrumin e MPJD-së

    Behrami reagon ashpër pasi fotoja e Thaçit u pa e hedhur në bodrumin e MPJD-së

    Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar pasi fotografia e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, u pa mes gjërave të panevojshme në bodrumin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

    Përmes një postimi në Facebook, Behrami thekson se asnjëherë nuk mund të cenohet kontributi historik i presidentit Thaçi.

    “Kot e keni! Asnjëherë nuk mund ta përlyni kontributin historik të Presidentit Thaçi. Shihni se edhe në moçalin institucional që keni krijuar, fotografia e tij po shkëlqen”, ka shkruar ai.

  • Paditet Zyra e Kryeministrit për rregulloren e Ministrisë së Shëndetësisë

    Paditet Zyra e Kryeministrit për rregulloren e Ministrisë së Shëndetësisë

    Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS) ka paraqitur padi ndaj Zyrës së Kryeministrit për konflikt administrativ në Gjykatën Supreme të Kosovës, duke kërkuar shfuqizimin e një pjese të rregullores për organizimin e brendshëm të Ministrisë së Shëndetësisë të Kosovës.

    Padia ka të bëjë me Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Shëndetësisë, të publikuar në Gazetën Zyrtare më 3 korrik 2024 dhe që ka hyrë në fuqi më 10 korrik 2024.

    Sipas QIPS-it, dispozitat e kësaj rregulloreje nga neni 41 deri në nenin 46, që kanë të bëjnë me organizimin e Institutit Special në Shtime, janë në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësinë dhe Ligjim për Shëndetin Mendor.

    Organizata paditëse vlerëson se këto dispozita rregullojnë organizimin dhe kompetencat e një njësie brenda Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), edhe pse një strukturë e tillë, sipas tyre, nuk është e përcaktuar në legjislacionin përkatës për shëndetësinë dhe shëndetin mendor.

    Sipas pretendimeve të QIPS-it, rregullorja i jep kompetenca Institutit Special në Shtime për rehabilitimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijëve dhe të rriturve me aftësi të kufizuara intelektuale, ndonëse një rol i tillë nuk parashihet në mënyrë të qartë në ligjet në fuqi.

    Organizata thekson se ligji për shëndetin mendor përcakton tre nivele të shërbimeve shëndetësore – kujdesin parësor, dytësor dhe tretësor – si dhe institucionet përkatëse, si departamentet e psikiatrisë në spitalet e përgjithshme, qendrat e shëndetit mendor në bashkësi, shtëpitë integruese dhe institucionet për rehabilitim dhe risocializim në Shtime. Sipas tyre, Instituti Special në Shtime nuk figuron si një nga këto shërbime.

    QIPS argumenton se rregullorja e kontestuar cenon parimin e ligjshmërisë, pasi një akt nënligjor nuk mund të krijojë struktura apo kompetenca që nuk janë të parapara në ligj.

    Padia është ngritur duke u bazuar në dispozitat e Ligji për Konfliktet Administrative, i cili lejon që organizatat që mbrojnë interesin publik të kërkojnë nga Gjykata Supreme shfuqizimin e akteve nënligjore që vlerësohen se janë në kundërshtim me ligjin dhe që mund të cenojnë interesin kolektiv.

    QIPS-i ka kërkuar nga Supremja ta pranojë padinë dhe të shfuqizojë nenet 41,42,43,44,45 dhe 46 të Rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Shëndetësisë. /Koha

  • ​Dëshmitari Tmava flet për raportet me Nagip Krasniqin, tregon nëse kishin presion nga ai

    ​Dëshmitari Tmava flet për raportet me Nagip Krasniqin, tregon nëse kishin presion nga ai

    Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarit, Emin Tmava në rastin gjyqësor kundër ish-kryeshefi ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejnës. Tmava i cili është menaxher i departamentit për furnizim në KEK deklaroi se me të akuzuarin Krasniqi ka pas raporte korrekte.

    Ai tutje tha se për riparim të Kalldajës në njësinë A5 nuk ka pasur kritere favorizuese dhe as dëme materiale.

    Fillimisht pyetje parashtroi mbrojtja e të akuzuarit, Nagip Krasniq, avokati i tij, Vyrtyt Ibrahimaga.

    “Raporti im ka qenë në frymë të bashkëpunimit varësisht nga pozita që kemi pas në atë kohë kam qenë menaxher i Zyrës së Prokurimit dhe nuk i kam raportuar drejtpërdrejt Nagip Krasniqit, por bashkëpunimi ka qenë korrekt”, tha ai.

    Kur u pyet nga mbrojtja e Nagip Krasniqi se klienti i tij a ka ushtruar presion ndaj Tmavës, ky i fundit e mohoi një gjë të tillë, ndërsa tha se nuk është në dijeni nëse Krasniqi ka ushtruar presioni karshi Ymer Dragushës.

    “Përpos në takimin që kam qenë së bashku me Ymer Dragushën unë nuk kam qenë në takimet që kanë pasur nuk kam qenë n ë takimet tjera dhe nuk jam në dijeni dhe nuk mund të përgjigjem për këtë“, tha ai.

    Dëshmitari Tmava tha se riparimi i Kalldas A5 është planifikuar në vitin 2025, dhe pas hapjes së procedurës ajo është anuluar me kërkesë të menxhmentit të atëhershëm.

    Ndërsa, sipas tij procedura e prokurimit e qershorit të vitit 2022 ishte zhvilluar si e hapur, por ishte anuluar pasi nuk ishte pranuar asnjë ofertë.

    Ai tha se kjo procedurë e prokurimit është anuluara pasi nuk është pranuar asnjë ofertë.

    Menaxheri i departamentit për furnizime në KEK, Emin Tmava deklaroi se pas anulimit të procedurës së parë në një llot të vetëm është zhvilluar procedura e dytë e cila ka qenë e negociuar në dy llote.

    “Procedura e re ka qenë e ndarë në dy llote, llot 1 për riparim të turbinës dhe llot 2 riparimi i kalldasë ka qenë e ndarë në dy llote dhe ka qenë procedurë e negociuar me shumë operatorë ekonomik janë kontaktuar afërisht 15 kompani sa më kujtohet”, tha ai.

    Menaxheri i departamentit për furnizim në KEK Emin Tmava gjatë dhënies së dëshmis së tij tregoi arsyes se pse komisioni për negocim kishin rekomanduar anulimin e aktivitetit të prokurimit për riparim të Kalldas A5.

    “Për neve si komision deklaratë e një nënkontraktori nuk ka qenë në rregull dhe i kemi pas vërejtjet tona lidhur me atë deklaratë nën betim. Vërejtjet tona kanë qenë që se nënshkrimet në deklaratë nën betim të këtij nënkontrataktori nuk kanë qenë autetnike dhe të njëjta me nënshkrimet në dokumentet e tjera. Ne si komision kemi kërkuar sqarime disa herë lidhur me këtë dhe në fund nënkotraktori nuk është përgjigjur fare në kërkesën tonë për sqarim. Si rrjedhojë nënkuptohet se është i papërgjegjshëm nga ky aspekt. Arsyet tjera të rekomandimit tonë si komision për anulim të këtij aktiviteti kanë qenë se operatori ekonomik Litëin i ka ndryshuar zotimet e marra dhe të dhëna gjatë fazave të negocimit”, tha ai.

    Kur u pyet se a është detyrues rekomandimi i këtij komisioni pjesë e të cilit ishte Tmava, ai tha se vlerësimi i tyre nuk është detyrues.

    Mbrojtja e Nagip Krasniqit kërkoi sqarime lidhur me deklaratën e Tmavës i cili kishte deklaruar se në një takim ku ishte prezent Krasniqi dhe Ymer Dragusha ky i fundit kishte shprehur gaditshmërinë të vazhdoj procedurën tutje nëse i jepet urdhër nga i akuzuari Krasniqi.

    Lidhur me këtë, dëshmitari, Emin Tmava tha se procedura e prokurimit nuk parasheh urdhra.

    “Sipas procedurës së prokurimit nuk parashihet urdhër….Po flas nga ajo që kam dëgjuar dhe kam qenë në takim që ka ndodhur me kryeshefin dhe Ymer Dragushën. Kryeshefi ka kërkuar që të shikohet mundësia të shkak të afateve që të vazhdohet me procedura për nënshkrim të kontratës edhe pse komisioni ka rekomanduar për anulim. Ymer Dragusha ka thënë unë mund të vazhdoj vetëm nëse kam një kërkesë me shkrim nga ana jote apo urdhër…në atë takim është diskutuar se kryeshefi ka kërkuar se çfarë është ajo kërkesë apo urdhër dhe Ymeri i ka thënë se unë do të ndihmoj me përpilua tekstin e kërkesës, urdhërit” ,tha ai.

    Gjyqtari, Kujtim Krasniqi kërkoi të di se gjatë procesit të tenderimit për riparim të Kalldas A5 a është favorizuar ndonjë kontraktor, dëshmitari, Emin Tmava tha se nuk ka pas kritere favorizuese.

    “Nuk ka pas kritere favorizuese”, tha ai.

    Ndërsa kur u pyet se a ka pas ndonjë dëm në aspektin e prokurimit, Tmava tha se nuk ka pas dëme pasi nuk bërë asnjë pagesë ndaj kontraktorit.

    “Në aspektin e prokurimit dëm nuk ka për arsye se nuk është bërë asnjë pagesë ndaj kontraktorit si dhe nuk është prolonguar afati i kthimit të punës të bllokut me fajin e këtij operatori për arsye se nuk e ka hap kaldajën. Blloku është kthyer kur është përfunduar turbina pasi është ndërprerë kontrata me këtë operator KEK me disa blerje të materialeve ka bërë një riparim të vogël të kalldas të shpejt për të kthyer në punë”, tha ai.

    Ndërsa, kur u pyet se a ka pas ndonjë përfitim nga ndonjë kontraktor, ai tha se nuk është në dijeni, dhe as nuk beson se ka ndonjë përfitim.

    Në seancën e sotme gjyqësore kundër Nagip Krasniqit dhe Isuf Zejnës po vazhdon të dëgjohet dëshmitari Mustafë Kavaja.

    Sipas aktakuzës, Nagip Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Ymer Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Isuf Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri-Zejna L.L.C.”, akuzohen se me veprimet e tyre i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro.

    Në këtë rast, Ymer Dragusha ka lidhur marrëveshje me Prokurorinë Speciale për pranim të fajësisë duke u pajtuar për dënim me dy vjet burgim me kusht.

    Krasniqi e Dragusha akuzohen po ashtu se u kanë mundësuar përfitime të kundërligjshme kompanive “Monting Energjetica” dhe “Litëin S.A”, që ishin shpallur të papërgjegjshme në procedurën e hapur të prokurimit të shpallur më herët.

    Ndaj Nagip Krasniqit po zhvillohet edhe një rast tjetër për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

  • Osmani: S’jam pajtuar me shumë gjëra për të cilat Kurti është dakorduar me Vuçiqin, unë s’kam bërë asnjë koncesion

    Osmani: S’jam pajtuar me shumë gjëra për të cilat Kurti është dakorduar me Vuçiqin, unë s’kam bërë asnjë koncesion

    Vjosa Osmani thotë se i kishte besuar shumë Albin Kurtit. Tandemi në krye të shtetit të Kosovës duket se është prishur ndërsa presidentja tani ka treguar se kryeministri është pajtuar me “shumë gjëra” në dialogun me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për të cilat ajo nuk ka qenë dakord.

    Më 27 shkurt të vitit 2023, Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për një marrëveshje për “normalizimin e marrëdhënieve”. Pak ditë më pak. më 18 mars, Kurti dhe Vuçiqi ishin në Ohër ku u morën vesh për një aneks të zbatimit të asaj marrëveshjeje, e cila në nenin 7 të saj parashihte “sigurimin e një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.

    Osmani thotë se i kishte besuar aq shumë Kurtit, sa që nuk kishte dërguar përfaqësues në dialogun me Serbinë.

    “Kryeministri, edhe sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e udhëheq dialogun. Unë ia kam besuar plotësisht këtë udhëheqje dhe kam qenë presidentja e parë dhe e vetme që nuk ka dërguar përfaqësues të vetin në dialog. Edhe presidenti Thaçi ka pasur përfaqësuesin e vet në dialog kur kryeministri Mustafa e udhëhiqte atë. Edhe presidentja Jahjaga ka pasë përfaqësuesin e saj në dialog”, tha ajo të hënën në një intervistë në Syri TV.

    Përkundër kësaj, ajo tha se s’ishte pajtuar me “shumë gjëra” për të cilat Kurti ishte pajtuar me Vuçiqin. Në këtë rast, ajo e përmendi nenin 7 të marrëveshjes kryesore mes Kosovës dhe Serbisë gjatë qeverisjes së Kurtit me vendit, i cili i referohet Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Unë kam qenë e vetmja që s’ka dërguar përfaqësues në dialog, duke treguar kështu besim të plotë në kryeministrin, përkundër faktit që shumë prej marrëveshjeve, shumë prej gjërave që i ka arritur atje, unë pastaj i kam kuptuar nga mediat. Përkundër faktit që shumë gjëra për të cilat ai është pajtuar atje, e ka ditur paraprakisht që unë nuk pajtohem me ato qëndrime, por nuk i kam ndërhyrë në punë, përveç rasteve kur ai ka kërkuar komente nga ana ime dhe ato komente ia kam dhënë me shkrim, ia kam dorëzuar dhe e ka ditur qëndrimin tim. Edhe për nenin 7 të Marrëveshjes së Brukselit, edhe për Aneksin e Ohrit, edhe statutin e Asociacionit, për të gjitha këto”, tha Osmani.

    Presidentja theksoi se ka pasur mospajtime me Kurtin edhe për “pjesë të caktuara të marrëveshjeve” që ai edhe “ka shprehur gatishmëri për t’i pranuar në Bruksel”.

    Duke folur për marrëveshjen për “normalizimin e marrëdhënieve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën ishin marrë vesh Kurti dhe Vuçiqi, Osmani tha se shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian atëherë, Josep Borrell e kishte dërguar atë në Kombet e Bashkuara ku u bë “ligjërisht e obligueshme”.

    “Pastaj përfaqësuesi i Jashtëm, Borrell është deklaruar publikisht që me pajtimin e të dyja palëve po e konsideron që marrëveshja është arritur dhe ajo marrëveshje pastaj është dërguar në Kombet e Bashkuara, te sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, duke e konsideruar atë siç quhet, ‘legally binding’, pra ligjërisht e obligueshme”, tha ajo.

    Osmani tha se ajo vetë nuk ka bërë “asnjë koncesion” në takimet dhe diskutimet që tha se i ka pasur, “qoftë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë me shtetet e tjera”.

    “Unë kam ndërtuar relacion të mirë, relacion besimi, por argumentet për ta mbrojtur Kosovën kurrë s’kanë qenë më të fuqishme”, tha ajo.

    “Nuk mund ta gjejë askush një njeri nga partnerët ndërkombëtarë që i kemi takuar dhe i kemi pasur dhe i kemi interlokutorë, që do të mund të dalë dhe të thotë ‘Vjosa Osmani e ka pranuar këtë koncesion’, sepse nuk është e vërtetë një gjë e tillë”, tha ndër tjerash Osmani.