ATV

Author: K.B.

  • Komuna e Prishtinës nis aksion për largimin e reklamave ilegale në hapësirat publike

    Komuna e Prishtinës nis aksion për largimin e reklamave ilegale në hapësirat publike

    Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinë ka filluar një aksion për largimin e reklamave të vendosura pa leje në hapësirat publike, duke përfshirë sipërfaqet e gjelbëruara, trotuaret dhe shtyllat elektrike.

    Sipas njoftimit të komunës, qëllimi i këtij aksioni është të lirohen hapësirat publike dhe të sigurohet lëvizje më e lirë dhe më e sigurt për këmbësorët.

    “Qëllimi i këtij aksioni është largimi i reklamave ilegale dhe lirimi i hapësirave publike, veçanërisht trotuareve, për të siguruar lëvizje më të lirë dhe më të sigurt për qytetarët”, thuhet në njoftim.

    Komuna ka bërë thirrje për qytetarët dhe bizneset që të respektojnë rregullat dhe të mos vendosin reklama pa leje në hapësirat publike.

    “Aksioni do të vazhdojë deri në largimin e të gjitha reklamave, ndërsa për të gjithë ata që rivendosin reklama pa leje do të shqiptohen gjoba”, shtohet në njoftim.

    Ky aksion synon të përmirësojë pamjen e qytetit dhe të garantojë një mjedis më të sigurt dhe të organizuar për të gjithë qytetarët.

  • Kapen cigare të kontrabanduara në Prishtinë, vlera e tyre 15 mijë euro

    Kapen cigare të kontrabanduara në Prishtinë, vlera e tyre 15 mijë euro

    Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, pas marrjes së autorizimit për ndërmarrjen e veprimeve nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, kanë realizuar sot një kontroll në garazhin e një shtëpie në Prishtinë.

    Sipas njoftimit të Doganës, gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 44 pako cigare pa banderola, të cilat dyshohet se janë kontrabanduar në Kosovë.

    Tutje, në njoftim thuhet se vlera e përgjithshme e këtyre cigareve vlerësohet të jetë rreth 15,000 euro, ndërsa shmangiet nga pagesa e taksave dhe detyrimeve doganore llogariten të jenë mbi 30,000 euro.

    “Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, personi i dyshuar – njëkohësisht pronar i mallit – është intervistuar lidhur me rrethanat e rastit, ndërsa malli i gjetur është konfiskuar”.

  • Totaj: Komunat ende nuk e kanë në dispozicion buxhetin e vitit 2026

    Totaj: Komunat ende nuk e kanë në dispozicion buxhetin e vitit 2026

    Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se komunat ende nuk e kanë në dispozicion buxhetin për shfrytëzim që u miratua muajin e kaluar.

    “Përkundër faktit se buxheti i vitit 2026 është aprovuar nga Qeveria dhe dekretuar nga Presidenca, edhe pse jemi në mes të muajit mars, komunat akoma nuk e kanë në dispozicion për shfrytëzim!”, ka thënë Totaj.

    Totaj gjithashtu tha se dyshohet se Ministria e Financave “i ka të ndara në pritje për ekzekutim të pagesave përmbarimore nga buxheti i komunave një vlerë të përafërt rreth 100 milion euro!”.

    Ai tha se kjo mënyrë e të vepruarit nga ana e Ministrisë do të ketë për pasojë çrregullimin e funksionimit të buxheteve komunale.

    Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar në shkurt ligjin për buxhetin shtetëror në vlerë rreth 4 miliardë euro për vitin 2026.

  • “Koha kërkon bashkim”, çka po paralajmëron Abdixhiku?

    “Koha kërkon bashkim”, çka po paralajmëron Abdixhiku?

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë sot do të nis bashkimin e madh politik e qytetar rreth një projekti të përbashkët.

    Abdixhiku në një postim në Facebook shkruan se të gjithë të institucionalistëve, mbështetësve të Republikës dhe të gjithë udhëtarëve të rrugës euroatlantike, të gjithë kanë një shtëpi të përbashkët, LDK-në.

    “Koha kërkon bashkim.

    Të institucionalistëve, mbështetësve të Republikës dhe të gjithë udhëtarëve të rrugës euroatlantike.

    Të gjithë këta kanë një shtëpi të përbashkët, Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    Prandaj, do të nis bashkimin e madh politik e qytetar rreth një projekti të përbashkët. Një projekti që tejkalon secilin prej nesh. Që tejkalon dallimet e vogla, ambiciet e mëdha dhe hidhërimet e së shkuarës. Ato në kohë krizash e përballë fateve të mëdha të së ardhmes, bëhen krejtësisht të parëndësishme.

    Dramat e sotme, krizat e përvitshme dhe fajësimet e pandalshme po e shterojnë Kosovën. Vendit i duhet një tjetër rrëfim. Një rrëfim që bashkon, që normalizon jetën politike, që zhvillon shtetin dhe e ankoron përgjithmonë në Perëndim.

    Le ta bëjmë. Do ta bëjmë”, shkruan Abdixhiku.

    E pas zhvillimeve të fundit politike, ka pas zëra se presidentja aktuale, Vjosa Osmani mund të kthehet në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

  • Konspiracionet dhe akuzat ndaj Vjosa Osmanit për puç kundër Kurtit, Ilir Deda: A jeni normal?

    Konspiracionet dhe akuzat ndaj Vjosa Osmanit për puç kundër Kurtit, Ilir Deda: A jeni normal?

    Analisti kosovar, Ilir Deda, ka reaguar lidhur me përplasjen që ka nisur në mes të kampit të Albin Kurtit dhe presidentes Vjosa Osmani pas moskandidimit të kësaj të fundit edhe për një mandat si presidente.

    Deda i ka konsideruar si jonormale akuzat që po i bëhen presidentes Vjosa Osmani për puç dhe për linçimet në adresë të saj.

    Ai ka thënë se me Osmanin mund të kesh mospajtime sa i përket politikës së brendshme, por sa i përket politikës së jashtme, sipas Dedës, Osmani ka qenë e vetmja që ka sjellur rezultate.

    Reagimi i plotë:

    Politika e linçimit, përçarjes dhe konspiracioneve e gërryen të tashmen dhe po e vjedh të ardhmen e këtij vendi. A me të vërtetë besoni që gruaja në krye të shtetit ka dashtë të bëjë puç?

    A jeni normal?

    Me presideten Vjosa Osmani mund të ketë mospajtime çdo njeri për mënyrën si e ka vepruar në politikën e brendshme. Por, në politikë të jashtme ajo ka qenë e vetmja adresë që ka sjellë rezultate për Kosovën, dhe ka qenë garanca e marrëdhënieve të Kosovës me botë.

    Gjenerimi i krizave dhe përcjellja me këto lloj fushatash të rreme e linçuese duhet të bëjnë çdo njeri të pyes vetën në çfarë ambienti po jetojmë dhe sa gjatë do të tolerojmë këtë.

    Kosovës ama bash hiç nuk ju ka dashtë kjo krizë, të cilën nuk e shkaktoi askush jashtë Kosovës, as partitë në opozitë, e as ndonjë armik i shpikur, por dëshira për pushtet absolut. E pushteti absolut i një partie s’ka lidhje me demokraci, liri e zhvillim.

  • Mbi 2.700 gjoba brenda 24-orëve në Kosovë

    Mbi 2.700 gjoba brenda 24-orëve në Kosovë

    Policia e Kosovës ka publikuar statistikat e përgjithshme të trafikut brenda 24-orëve të fundit në vend.

    Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 22 aksidente trafiku me të lënduar, ndërsa 39 aksidente të tjera kanë përfunduar vetëm me dëme materiale.

    Po ashtu, njësitë e trafikut kanë shqiptuar 2.712 tiketa trafiku për shkelje të ndryshme të rregullave në komunikacion.

    Policia e Kosovës vazhdon të apelojë tek drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, me qëllim të parandalimit të aksidenteve.

  • Seanca për kërkesën e SPAK-ut, mungojnë Spiropali dhe Xhafaj. Në Kuvend nuk shkon as Balluku

    Seanca për kërkesën e SPAK-ut, mungojnë Spiropali dhe Xhafaj. Në Kuvend nuk shkon as Balluku

    Parlamenti do të votojë sot lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.

    Mazhoranca ka konfirmuar qëndrimin e saj për të votuar kundër kësaj kërkese gjatë mbledhjes së grupit parlamentar në fillim të kësaj jave, raporton Tch.

    Në seancën që ka nisur në orën 10:00, bie në sy mungesa e ish ministres së Jashtme, Elisa Spiropali, e shkarkuar nga kjo detyrë javën e kaluar së bashku me Belinda Ballukun.

    Kryetari I Kuvendit, Niko Peleshi njoftoi se Spiropali, pas largimit nga detyra e ministres, tani si deputete do të jetë pjesë e grupeve parlamentare të miqësisë me SHBA-në dhe Izraelin.

    Në nisje të seancës nuk janë të pranishëm gjithashtu edhe Fatmir Xhafaj dhe vetë Belinda Balluku.

    Burimet nga grupi parlamentar i PS-së i thanë gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu se Fatmir Xhafaj ndodhet jashtë vendit prej disa ditësh në një vizitë të planifikuar shumë kohë më parë.

  • Çfarë parashihet me strategjinë e miratuar për zgjerim të BE’së – te Kosova përmendet rëndësia e dialogut

    Çfarë parashihet me strategjinë e miratuar për zgjerim të BE’së – te Kosova përmendet rëndësia e dialogut

    Deputetët e Parlamentit Evropian e kanë miratuar një strategji për zgjerim të Bashkimit Evropian, në të cilën thuhet se zgjerimi është përgjigje strategjike ndaj realiteteve gjeopolitike që po ndryshojnë dhe investim në sigurinë dhe stabilitetin e bllokut evropian.

    Sipas dokumentit të miratuar më 11 mars, kostoja e moszgjerimit do ta tejkalonte koston e anëtarësimit të vendeve të reja në BE, dhe do të rrezikonte krijimin e zonave gri gjeopolitike të ndjeshme ndaj ndikimit të huaj antagonist.

    Për strategjinë votuan 385 deputetë, 147 ishin kundër dhe 98 abstenuan.

    Autori i dokumentit, eurodeputeti Petras Austrevicius, tha se marrë parasysh sfidat e sotme, modeli i integrimit të BE-së duhet të përmirësohet në mënyrë që të pasqyrojë më mirë interesat e BE-së dhe pritjet nga vendet kandidate.

    “Zgjerimi i BE-së duhet të shkojë krah për krah me reformat e brendshme për të mbrojtur funksionimin e BE-së dhe për t’i përmirësuar proceset e vendimmarrjes, duke përfshirë shfrytëzimin më të madh të votimit me shumicë të kualifikuar. BE-ja duhet t’i përfundojë këto reforma deri në kohën kur vendet kandidate t’i plotësojnë kriteret e anëtarësimit dhe janë gati të bashkohen me BE-në”, tha eurodeputeti Austrevicius.

    Sipas dokumentit të miratuar, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë vendosur tashmë objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri më 2026-2027.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2022, mirëpo aplikimi i saj nuk është shqyrtuar ende.

    Kështu, ajo është e vetmja në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat.

    Kur përmendet Kosova në raport, aty theksohet rëndësia e dialogut të saj me Serbinë për avancim në rrugën drejt anëtarësimit.

    Mes tjerash në raport bëhet thirrje që të nisin negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që asnjë vend të mos trajtohet si pjesë e një pakete.

    “Sundimi i ligjit, reformat demokratike, liria e medias, të drejtat e pakicave, pavarësia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit duhet të mbeten në krye të prioriteteve të procesit të zgjerimit, me mbështetje të qëndrueshme për shoqërinë civile”, thuhet në dokument.

    Ai, gjithashtu, nënvizon domosdoshmërinë e përafrimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, e cila vlerësohet si “një tregues kyç i orientimit gjeostrategjik të vendit kandidat”.

    Në këtë drejtim, Serbia është kritikuar shpesh për mospërputhje të politikës së jashtme me atë të bllokut, meqë është vendi i vetëm në Ballkan që nuk e ka sanksionuar Rusinë për nisjen e luftës në Ukrainë.

    Para votimit të këtij raporti, në Parlamentin Evropian është zhvilluar një debat, në të cilin mori pjesë edhe Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, e cila tha se BE-ja nuk do të lejojë anëtarësimin e vendeve që mund t’i minojnë fshehurazi vlerat ose institucionet e BE-së.

    “Nuk ka kuaj të Trojës. Vendet që do të na minonin nga brenda nuk mund të bëhen anëtarë të BE-së. Duhet të jemi absolutisht të sigurt për këtë. Vendet që i bashkohen BE-së duhet të jenë demokraci të forta dhe të afta t’i rezistojnë ndikimit toksik të Rusisë dhe të të tjerëve”, tha mes tjerash Kos.

    Bashkimi Evropian është zgjeruar herën e fundit më 2013, me pranimin e Kroacisë./REL

  • Kryeministri vizitoi Mehmet Hajrizin: Demonstratat e ’81-shit, themel për luftën çlirimtare

    Kryeministri vizitoi Mehmet Hajrizin: Demonstratat e ’81-shit, themel për luftën çlirimtare

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar veprimtarin e çështjes kombëtare Mehmet Hajrizin në përvjetorin e demonstratave studentore të vitit 1981, duke theksuar kontributin e tij dhe të shumë brezave në rrugën drejt lirisë së Kosovës.

    Sipas Kurtit, Hajrizi nuk është vetëm një veprimtar politik, por vjen nga një familje që është përballur me përndjekje nga regjimi serb që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar.

    Ai për 15 vjet punoi në arsim, duke edukuar gjenerata nxënësish, ndërsa një nga momentet më të rënda të jetës së tij ishte arrestimi në sallën e mësimit para nxënësve, që ishte arrestimi i tij i dytë pas atij të vitit 1979.

    “Në fillim të viteve ’70 u formua organizata ilegale “Grupi Revolucionar i Kosovës”, një ndër organizatat më serioze dhe më jetëgjata të lëvizjes së asaj kohe. Fillimisht ajo u udhëhoq për një vit nga Kadri Osmani, ndërsa për tetë vjet të tjerë nga Mehmet Hajrizi. Më vonë ai, së bashku me shokët e tij, u bë pjesë e themelimit të shtypit të parë klandestin, ku shërbeu edhe si kryeredaktor. “Zëri i Kosovës”, “Pararoja”, “Liria”, “Këngët e lirisë” dhe shumë trakte të tjera politike që ngjallën vrull patriotik dhe përhapën frymën e rezistencës gjithandej vendit, me kërkesa për liri, drejtësi, Republikë dhe bashkim kombëtar”, ka shkruar kryeministri në Facebook.

    Kurti theksoi se lufta çlirimtare e fundit në Kosovë ishte rezultat i përpjekjeve të shumë brezave që ndër vite u angazhuan për liri dhe avancimin e çështjes kombëtare.

  • Oscars 2026: Gjithçka që duhet të dini përpara ceremonisë vjetore

    Oscars 2026: Gjithçka që duhet të dini përpara ceremonisë vjetore

    Filmi “Sinners”, i regjisorit Ryan Coogler, tashmë ka hyrë në histori edhe para se të ndahen çmimet.

    Edhe nëse nuk fiton asnjë statujë, filmi ka vendosur një rekord të ri me 16 nominime, duke tejkaluar filma të njohur si “Titanic” (1997) dhe “La La Land” (2016), të cilët kishin marrë nga 14 nominime secili.

    Pas disa deklaratave kritike për baletin dhe operën, Timothee Chalamet duket se është tërhequr pothuajse nga gara për Oscar, duke ia lënë vendin dy pretendentëve të fortë në kategorinë e tij: Michael B. Jordan dhe Leonardo DiCaprio.

    Një nga kategoritë më të diskutueshme këtë vit është ajo për filmin më të mirë ndërkombëtar.

    Kur mbahet ceremonia e Oscars 2026?

    Ceremonia e Academy Awards 2026 do të zhvillohet të dielën, më 15 mars, në Dolby Theatre në kompleksin Ovation Hollywood në Los Angeles.

    Eventi pritet të nisë në orën 19:00 ET / 16:00 PT.

    Ku mund të ndiqet ceremonia?

    Ceremonia do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin ABC dhe në aplikacionin e tij për abonentët me kabllo.

    Transmetimi do të zgjasë nga 19:00 deri në 22:00 ET (ose 16:00 – 19:00 PT).Transmetimi online do të jetë i disponueshëm edhe në platformat Hulu dhe FuboTV.

    Ndërkohë, tapeti i kuq do të transmetohet më herët në një ‘livestream’ të drejtuar nga komediania britanike Amelia Dimoldenberg, duke nisur në 18:30 ET / 15:30 PT.

    Kush do ta prezantojë ceremoninë?

    Ceremonia e këtij viti do të drejtohet nga komediani i njohur Conan O’Brien. Kjo do të jetë hera e dytë që ai prezanton këtë event të madh.

    Cilët të famshëm do të jenë pjesë e ceremonisë?

    Disa nga emrat e konfirmuar që do të marrin pjesë në skenë gjatë ceremonisë janë:

    Adrien Brody

    Javier Bardem

    Kieran Culkin

    Chris Evans

    Chase Infiniti

    Mikey Madison

    Demi Moore

    Kumail Nanjiani

    Maya Rudolph

    Zoe Saldana

    Will Arnett

    Priyanka Chopra Jonas

    Robert Downey Jr.

    Anne Hathaway

    Paul Mescal

    Gwyneth Paltrow

    Ceremonia e këtij viti pritet të jetë një nga më të ndjekurat, duke marrë parasysh rekordet e nominimeve dhe garën e fortë mes filmave dhe aktorëve.