ATV

Author: K.B.

  • “Akt vetëvrasje”- Dalin detaje të reja nga zjarri tragjik në autobusin në Zvicër

    “Akt vetëvrasje”- Dalin detaje të reja nga zjarri tragjik në autobusin në Zvicër

    Autoritetet zvicerane kanë publikuar detaje të reja lidhur me zjarrin tragjik në autobusin postar në Chiètres, kantoni Fribourg, ngjarje që ndodhi javën e kaluar dhe la gjashtë persona të vdekur.

    Sipas policisë së Fribourgut, në momentin kur autobusi mori flakë rreth orës 18:25, në mjet ndodheshin nëntë persona: shoferi, shtatë pasagjerë dhe autori i dyshuar. Tre persona arritën të dalin nga autobusi me lëndime, ndërsa një grua 56-vjeçare vazhdon të jetë në gjendje kritike në spital. Dy persona të tjerë jashtë autobusit u lënduan lehtë teksa përpiqeshin të ndihmonin viktimat.

    Hetimet kanë konfirmuar se autori i dyshuar është një burrë 65-vjeçar zviceran, i cili gjithashtu humbi jetën në incident. Sipas policisë, provat e deritanishme tregojnë se ai veproi i vetëm, ndërsa motivet e këtij akti mbeten ende të paqarta. Autoritetet po shqyrtojnë si pistë kryesore një akt vetëvrasjeje që përfshiu edhe persona të tjerë.

    Ekspertiza teknike ka treguar se autobusi ishte i pajisur me dy dyer për pasagjerët, të cilat funksiononin normalisht dhe u hapën pasi mjeti u ndal. Zjarri kishte nisur gjatë lëvizjes së autobusit, çka bëri që pasagjerët të mund të dilnin vetëm pasi ai ndaloi plotësisht.

    Pas përfundimit të procesit të identifikimit dhe autopsive, trupat e gjashtë viktimave iu dorëzuan familjeve javën e kaluar. Viktima më e re ishte një djalë 16-vjeçar.

    Autoritetet konfirmuan gjithashtu se 65-vjeçari ishte i njohur për institucionet sociale në kantonin e Bernës dhe ndodhej nën kujdestari administrative. Ai ishte larguar nga një spital në Bernë në ditën e ngjarjes, ku kishte shkuar vetë për shkak të problemeve shëndetësore, dhe më herët kishte bërë edhe kërcënime për vetëvrasje.

    Pas tragjedisë, mbi 150 persona kanë kërkuar mbështetje psikologjike nga ekipet e ndihmës së krizës.

    Ndërkohë, shoferët e autobusëve postarë në të gjithë Zvicrën kanë mbajtur një minutë heshtje dhe kanë rënë boritë e autobusëve në shenjë solidariteti dhe nderimi për viktimat e kësaj tragjedie./Albinfo.ch

  • Pas paralajmërimit, Xheneta i reagon pronarit të “Onima”: Na frikësove shumë, paguaj të paktën punëtorët

    Pas paralajmërimit, Xheneta i reagon pronarit të “Onima”: Na frikësove shumë, paguaj të paktën punëtorët

    Pas incidentit që përfshin artistin Besart Kelmendi – Gjesti dhe zyrat e kompanisë ‘ONIMA’, drejtuesi i kompanisë, Erkand Shabani, ka reaguar publikisht në rrjetet sociale, duke denoncuar lëvizje të dyshimta të automjeteve pranë zyrave dhe kërcënime të mundshme ndaj stafit dhe tij personal.

    Shabani ka njoftuar se tashmë ka dorëzuar fakte pranë organeve të rendit dhe do të bashkëpunojë me avokatin për të paraqitur të tjera elemente që lidhen me përpjekje për përfitime financiare të paligjshme.

    Në reagimin e tij, Shabani thekson se ngjarja ka shkaktuar dëme materiale dhe pasoja psikologjike për stafin, dhe pretendon se disa artistë kanë ndikuar në një fushatë publike që mund të ketë ushtruar presion mbi trupin gjykues dhe kompaninë.

    Ai përmend emra të njohur të artistëve, duke përfshirë Zanfina Ismailin, Taynën, Yll Limanin, Vesa Lumën, Xheneta Fetahun, G Banin, Pleurat Zeksyla-n, Oriola Marashin dhe Besa Kokëdhimën, duke nënvizuar se çdo çështje do të trajtohet përmes institucioneve ligjore.

    Si pasojë e kësaj situate, Xheneta Fetahu ka reaguar gjithashtu në rrjetet sociale duke shkruar: “Wow, na frikësove shumë. Me këtë dramë duket sikur po hapet gjyqi i shekullit, jo një storie në Instagram”.

  • Një vit nga vrasja e Ilaria Sulës, prindërit kërkojnë drejtësi: Nuk do t’i falim kurrë

    Një vit nga vrasja e Ilaria Sulës, prindërit kërkojnë drejtësi: Nuk do t’i falim kurrë

    Një vit pas vrasjes tragjike të 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula në Itali, dhimbja për familjen e saj mbetet po aq e fortë. Prindërit e së resë kthehen pothuajse çdo fundjavë në vendin ku u gjet trupi i vajzës së tyre, në një greminë përgjatë rrugës malore në Capranica Prenestina, pranë Romës.

    Flamur dhe Gëzime Sula kujdesen për memorialin e ngritur në vendin ku u gjet vajza e tyre. Nëna pastron pllakën përkujtimore dhe fotografitë, ndërsa babai vendos lule të freskëta. Në mermerin e zi është gdhendur një mesazh prekës: “Do të të dërgoj një puthje me erën dhe e di që do ta ndjesh”.

    Për nënën e Ilarias, një vit pa vajzën është vetëm boshllëk. Ajo thotë se jeta e tyre ndryshoi përgjithmonë më 2 prill. “Jeta jonë u ndal atë ditë. Kur të marrin një vajzë, të marrin arsyen e jetës. Nuk jemi më njerëzit që ishim. Atë ditë na vranë edhe ne”, rrëfen ajo mes dhimbjes.

    Babai i saj tregon se Ilaria kishte shumë ëndrra për të ardhmen. Ajo studionte Statistikë dhe pritej të diplomohej në tetor, ndërsa synonte të punonte në fushën financiare.

    Gëzime Sula u shpreh ashpër edhe ndaj nënës së autorit të dyshuar, e cila në gjyq ka pranuar se ndihmoi të birin të pastronte gjakun nga dhoma. “Ajo nuk është nënë. Ata shkelën mbi gjakun e vajzës sime. Nuk ka falje, kurrë”, u shpreh ajo.

    Procesi gjyqësor për vrasjen e 22-vjeçares vazhdon ende dhe prindërit nuk kanë munguar në asnjë seancë.

    “ Nuk kërkoj hakmarrje, por drejtësi. Dua që Ilaria të kujtohet për atë që ishte: e gëzuar, inteligjente dhe plot jetë”, thotë babai i saj.

    Trupi i pajetë i studentes shqiptare u gjet më 2 prill 2025 në një valixhe të hedhur në një humnerë në një zonë të pyllëzuar. Sipas hetimeve, ajo u vra nga ish-i dashuri i saj filipinas, Mark Samson, i cili pas krimit përdori telefonin e saj dhe publikoi në rrjetet sociale për të fshehur zhdukjen e saj. /A2 CNN

  • Raporti financiar: LVV shpenzoi mbi 4 milionë euro në 2025-ën, pastaj vjen PDK, LDK dhe AAK

    Raporti financiar: LVV shpenzoi mbi 4 milionë euro në 2025-ën, pastaj vjen PDK, LDK dhe AAK

    Lëvizja Vetëvendosje ka përfunduar vitin 2025 me shpenzime rekord, që arrijnë në 4 milionë e 509 mijë euro, sipas raportit financiar të publikuar së fundmi.

    Të hyrat e deklaruara të partisë për të njëjtin vit arrijnë në 2 milionë e 185 mijë euro, ndërsa shpenzimet totale kanë kapur shumën prej 4 milionë e 509 mijë eurosh.

    Kjo rezulton me një deficit prej 2 milionë e 323 mijë eurosh.

    Një pjesë e konsiderueshme e kësaj shifre është dedikuar për paga dhe kompensime të tjera, që në total arrijnë në 929 mijë euro.

    Për transport janë shpenzuar 132 mijë euro, ndërsa për reklama, reprezentacion dhe konferenca janë ndarë edhe 297 mijë euro të tjera.

    Mediat dhe përfituesit kryesorë

    Sipas raportit financiar, Grupi “Koha” renditet si përfituesi kryesor në fushën e mediave, duke arkëtuar plot 95,120 euro nga Vetëvendosje.

    Kjo vlerë është dukshëm më e lartë krahasuar me fondet e destinuara për mediat e tjera.

    Në mesin e përfituesve përmenden edhe platforma të tjera:

    Kosovanews, me 13,770 euro;

    Katror Media and Publicity SH.P.K., me 20,650 euro;

    Radiotelevizioni i Kosovës, me 11,530 euro;

    Media Invest SH.P.K., me 6,000 euro;

    Telegrafi, me 5,000 euro.

    Shpenzimet në rrjetet sociale

    Vetëvendosje ka shpenzuar shuma të konsiderueshme për promovime në rrjetet sociale.

    Për profilat zyrtare në Facebook dhe Instagram, partia ka harxhuar 48,168.50 euro, duke përfshirë edhe angazhimin e profileve të rreme për promovime të veçanta.

    Eventet dhe mikpritjet

    Dokumenti i publikuar tregon gjithashtu një mori shpenzimesh për evente dhe mikpritje.

    Takimi i kryeministrit Albin Kurti me të rinjtë në Gate Club ka kushtuar 14,460 euro.

    Shpenzime të mëdha janë regjistruar edhe për: Helix Events SH.P.K., me 11,540 euro, Hotel Emerald SH.P.K., me 10,989 euro.

    Shpenzimet e partive të tjera

    Partia Demokratike e Kosovës, 2 milionë e 166 mijë euro;

    Lidhja Demokratike e Kosovës, 1 milion e 335 mijë euro;

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 531 mijë euro.

    Kjo situatë tregon një diferencë të ndjeshme mes Vetëvendosjes dhe të tjerëve, duke evidentuar një fokus të madh të partisë në shpenzime për paga, promovime mediatike dhe evente publike.

  • Halit Ergenc dhe Meryem Uzerli sërish bashkë para kameras pas 15 vitesh – xhirimet e filmit fillojnë së shpejti

    Halit Ergenc dhe Meryem Uzerli sërish bashkë para kameras pas 15 vitesh – xhirimet e filmit fillojnë së shpejti

    Aktori kryesor i serialit të njohur turk “Sulejman i Madhërishëm”, Halit Ergenc, dhe aktorja Meryem Uzerli, do të bashkohen përsëri pas 15 vitesh për një projekt të ri filmik me titull “Imroz’da Bahar”, ku të dy do të luajnë rolet kryesore.

    Ky ribashkim sjell përsëri çiftin që fitoi famë ndërkombëtare me serialin historik të transmetuar nga 2011 deri në 2014.

    Në serial, Ergenc portretizonte Sulltan Sulejmanin, ndërsa Uzerli luante Hurem Sultan, një nga gratë më me ndikim në pallatin osman.

    Seriali, ku luajtën edhe aktorë si Okan Yalabık, Nebahat Çehre, Selma Ergec dhe Nur Fettahoglu, u shndërrua në një nga projektet më të suksesshme turke, duke u transmetuar në shumë vende të botës.

    Ribashkimi i këtij çifti u mundësua nga themeluesi i kompanisë producent Sky Films, Emre Oskay, i cili pas disa përpjekjesh arriti t’i bashkojë aktorët në një projekt të përbashkët.

    Filmi do të tregojë historinë e dy personave që takohen në ishullin Imroz (sot Gokçeada) dhe do të eksplorojë idenë e një “pranvere të dytë” në jetë, duke pyetur nëse dashuria mund të rikthehet në një fazë të re të jetës.

    Xhirimet pritet të fillojnë së shpejti, ndërsa platforma e shfaqjes në Turqi ende nuk është konfirmuar.

    Ky do të jetë bashkëpunimi i parë i Ergenc dhe Uzerli në një film pas serialit historik, që edhe sot vazhdon të tërheqë audiencë ndërkombëtare përmes reprizave dhe platformave të ndryshme.

  • Rrustemi: Po të mos ishte LVV-ja në pushtet, veriu do të ishte ende nën kontrollin e Radoiçiqit

    Rrustemi: Po të mos ishte LVV-ja në pushtet, veriu do të ishte ende nën kontrollin e Radoiçiqit

    Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje në TV Dukagjini, ka thënë se po të mos ishte VV-ja në qeveri, sot gjendja në veri do të ishte me Radoiçiqin dhe me barrikadat.

    Ai ka akuzuar PDK-në për situatën e mëhershme në veri të Kosovës.

    “Pse veriu i Kosovës ishte mbajtur nën kontroll nga strukturat paralele të Serbisë deri në vitin 2023, respektivisht 2024, kur z. Kurti i eliminoi, është pikërisht PDK”, ka thënë ai.

    Ai ka pretenduar se PDK ishte në pushtet për 20 vite.

    “Ata ishin për 20 vite, ndërkohë që gjendja ishte… për 20 vite në mënyra të ndryshme”, ka pretenduar ai.

    “Por edhe po të ishin edhe deri më sot në pushtet, sot do t’i kishim strukturat paralele në veri të Kosovës”, ka thënë ai.

  • Tahiri viziton Thaçin dhe Veselin në Hagë: Dinjiteti dhe besimi i tyre në të vërtetën mbetet i pathyeshëm

    Tahiri viziton Thaçin dhe Veselin në Hagë: Dinjiteti dhe besimi i tyre në të vërtetën mbetet i pathyeshëm

    Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri njoftoi për një vizitë të tij te ish-kryetarët e partisë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

    Ai shkroi në Facebook se “hyrja sot në ambientet e paraburgimit në Hagë ishte një moment i rëndë dhe plot emocione”.

    “Çdo hap drejt atij takimi të kujton sakrificën dhe historinë që këta burra mbartin. Pata nderin të takoj Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryetarin Kadri Veseli, dy figura që në momentet më të vështira qëndruan në ballë të rrugëtimit tonë për liri. T’i shohësh sot prapa mureve të burgut, larg familjeve dhe vendit për të cilin sakrifikuan gjithçka, të prek thellë në shpirt”, shkroi ai.

    Tahiri tha se Thaçi dhe Veseli mbeten “të pathyeshëm” në dinjitetin dhe besimin e tyre në të vërtetën.

    “Megjithatë, edhe në këto rrethana, qëndrimi, dinjiteti dhe besimi i tyre në të vërtetën mbetet i pathyeshëm. Historia e Kosovës është e lidhur ngushtë me sakrificën e tyre dhe të shumë të tjerëve. Me respekt të veçantë kujtoj edhe Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët po ashtu po përballen me këtë padrejtësi larg familjeve dhe atdheut. Kosova nuk harron. E vërteta dhe drejtësia do të dalin në dritë”, shkroi ai.

  • Lëshimi pe në Ligjin për të Huajt, Hargreaves: U bë zgjidhje praktike, mirëpresim angazhimin e Kurtit

    Lëshimi pe në Ligjin për të Huajt, Hargreaves: U bë zgjidhje praktike, mirëpresim angazhimin e Kurtit

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka mirëpritur marrëveshjen e arritur në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për zbatimin e Ligjit për të Huajt.

    Sipas Hargreaves, me këtë marrëveshje u ofrua zgjidhje praktike.

    Ai ka thënë se e mirëpresin angazhimin e Kryeministrit Albin Kurti për zbatimin e këtij ligji.

    “ Mbretëria e Bashkuar mirëpret marrëveshjen e arritur midis Kosovës dhe BE-së mbi zbatimin e Ligjit për të Huajt. Marrëveshja respekton kornizën ligjore të Kosovës, duke ofruar zgjidhje praktike për të gjitha komunitetet që të jetojnë, punojnë dhe studiojnë ligjërisht në Kosovë pa ndërprerje të shërbimeve. Ne mirëpresim angazhimin e Kryeministrit Kurti për të zbatuar ligjin dhe planet e tjera të ardhshme që ndikojnë në komunitetin serb të Kosovës në koordinim të ngushtë me BE-në dhe komunitetin”, ka shkruar Hargreaves.

    Sipas marrëveshjes së Qeverisë së Kosovës me BE-në, punëtorëve serbë të arsimit dhe shëndetësisë, si dhe studentëve, do t’u mundësohet marrja e një leje të përkohshme qëndrimi me një periudhë fillestare prej 12 muajsh, si dhe njohja e letërnjoftimeve që posedojnë, deri në një zgjidhje të mëtejshme.

  • Trump mohon se e ka shkarkuar Grenellin nga Kennedy Center, paralajmëron se do ta emërojë në pozitë të re

    Trump mohon se e ka shkarkuar Grenellin nga Kennedy Center, paralajmëron se do ta emërojë në pozitë të re

    Presidenti Donald Trump mblodhi aleatët politikë, donatorët e pasur dhe bordin e Qendrës John F. Kennedy për Artet Performuese në Shtëpinë e Bardhë të hënën për të promovuar një plan drastik rinovimi për institucionin kulturor kombëtar. Projekti do ta mbyllë qendrën për afërsisht dy vjet, edhe pse administrata pretendon se i ka rikthyer prestigjin vendit.

    Trump e përdori takimin në Shtëpinë e Bardhë për të lavdëruar Grenell, i cili mbikëqyri institucionin gjatë vitit të kaluar. Ai mohoi se Grenell u shkarkua nga detyra.

    “Pati një histori se ai u pushua nga puna. Ai nuk u pushua nga puna” tha Trump, duke e përshkruar qëndrimin e Grenell si një detyrë të përkohshme që synonte të ndihmonte në stabilizimin e organizatës gjatë tranzicionit.

    Trump njoftoi se po kërkonte një detyrë tjetër për Grenell.

    “Po kërkoj sipërmarrjen tuaj të radhës”, ka deklaruar Trump.

  • Maqedonci: Raketat kineze të Serbisë të dizejnuara për të sulmuar, rrezik për të gjithë Ballkanin

    Maqedonci: Raketat kineze të Serbisë të dizejnuara për të sulmuar, rrezik për të gjithë Ballkanin

    Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, thotë se raketat e reja balistike që Serbia i ka blerë nga Kina janë sulmuese dhe jo mbrojtëse. Ai tha se nuk është hera e parë që Beogradi bën blerje të tilla, duke rritur shkallën e militarizimit të vendit.

    “Në fakt blerja e këtyre sistemeve nuk është duke bërë vetëm këto kohët e fundit. Serbia në vazhdimësi mund të themi ka bërë blerje nga Rusia nga Kina por edhe nga vende të tjera. Ne kemi informacion që ka bërë blerje të që disa vite bën blerje të raketave të ndryshme nga Kina”, tha ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, në “Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN.

    “Normalisht që këto raketat e fundit e kanë mund të themi atë natyrën e raketave që janë të dizajnuara për sulme dhe duke qenë të tilla paraqesin kërcënim jo vetëm për Republikën e Kosovës, por për gjithë rajonin e Ballkanit. Kjo po tregon edhe më tej qasjen hegjemoniste dhe tentativën për të dominuar të Serbisë në aspektin ushtarak, ekonomik, por në aspekte të tjera në Ballkanin Perëndimor”.

    Sipas tij, kjo hedh poshtë pretendimet e Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se po tenton të mbrohet nga Shqipëria, Kosova dhe Kroacia. “Normalisht që pastaj këto arsyetimet që bëhen nga krerët e shtetit në Serbi, se këto furnizime po bëhen për shkak që siç thonë ata po ndihen të kërcënuar nga marrëveshja trilaterale mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë nuk qëndrojnë sepse këto blerje nuk janë duke u bërë vetëm prej periudhës kur e kemi bërë nënshkrimin e marrëveshjes trilaterale, por janë bërë edhe më herët”, tha Maqedonci.

    “Duke bërë këto blerje nga vendet që nuk janë të NATO-s dhe në anën tjetër duke promovuar politika hegjemoniste në raport me fqinjët, ku kombinohet blerja e raketave të tilla me qasjen politike në raport me fqinjët, atëherë është kërcënuese për krejt regjionin dhe me të vërtetë është me rëndësi që NATO ta marrë seriozisht jo vetëm këtë blerje por krejt militarizimin e Serbisë dhe të diskutojë seriozisht për këtë çështje”.