ATV

Author: K.B.

  • ​Sa fiton Kosova nëse arrin Botërorin 2026?

    ​Sa fiton Kosova nëse arrin Botërorin 2026?

    Kualifikimi i mundshëm i Kosovës në Kupën e Botës 2026 do të kishte jo vetëm rëndësi historike në aspektin sportiv, por edhe përfitime të mëdha financiare. Sipas të dhënave, vetëm pjesëmarrja në këtë turne do t’i siguronte Kosovës të paktën 10.5 milionë dollarë, ku përfshihen 9 milionë për pjesëmarrje dhe 1.5 milionë për përgatitje.

    Ky shpërblim paraqet një rritje prej rreth 50 për qind krahasuar me Kupën e Botës 2022, si rezultat i rritjes rekord të fondit të shpërblimeve nga FIFA për edicionin e ri me 48 skuadra pjesëmarrëse.

    Përfitimet financiare mund të rriten edhe më shumë në varësi të ecurisë së Kosovës në turne. Nëse arrin në fazën e 1/32 së finales, secila skuadër përfiton rreth 11 milionë dollarë, ndërsa në 1/8 e finales kjo shumë rritet në 15 milionë. Një kualifikim në çerekfinale do t’i sillte federatës rreth 19 milionë dollarë.

    Përveç shpërblimeve nga FIFA, edhe Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar bonus shtesë prej 1një milionë euro për kombëtaren në rast kualifikimi. Ky bonus pritet të ndahet mes lojtarëve, ku secili prej tyre mund të përfitojë nga 40 mijë deri në 50 mijë euro./kp

  • “Për një jetë më të mirë” – familjarët flasin për kosovarët që humbën jetën në Vjenë

    “Për një jetë më të mirë” – familjarët flasin për kosovarët që humbën jetën në Vjenë

    Kishin dalë nga Kosova për të ndërtuar një jetë më të mirë, si shumë të tjerë. Në Vjenë punonin e kursenin për të ndihmuar familjet. Por, një aksident në vendin e punës më 17 mars ua ndërpreu jetën.

    Emrat e tyre – Pajtim Bajrami, Istref Zekaj dhe Asllan Musliu – u bënë të njohur shpejt. Por, kush ishin ata për familjarët dhe të afërmit e tyre?

    Pajtimi, i rrëfyer nga të afërmit: “Ai është heroi i familjes”

    Për familjen e tij, Pajtimi ishte ai që nuk rrinte pa i bërë të tjerët të qeshnin, vëllai nga i cili nuk ndaheshin kurrë, dhe babai që vajzat e tij e prisnin me padurim të kthehej nga puna çdo mbrëmje.

    “Kurrë s’më është ndarë. Kemi punuar bashkë, kemi kaluar kohën bashkë, kemi qenë gjithmonë bashkë”, thotë vëllai i tij, Bekriu, një vit e gjysmë më i madh se Pajtimi.

    Të dy kishin ndërtuar jetën në Austri, pas viteve të kaluara në emigrim. Bekriu ka gati nëntë vjet në Vjenë.

    Pajtimi kishte emigruar fillimisht në Gjermani, në moshën 17-vjeçare. Por, pasi kishte marrë nënshtetësinë, vendosi të bashkohej me vëllain.

    “Ishte gëzim i madh kur erdhi. U bëmë edhe më të afërt. Udhëtonim bashkë për në Kosovë gjithmonë”, kujton Bekriu.

    Nga ditët e fëmijërisë, kur shkonin bashkë në shkollë, deri te jeta në Vjenë, ku edhe fundjavat i kalonin bashkë me familjet e tyre, Bekriu shijoi jetën përkrah Pajtimit për 36 vjet.

    “Gjumash ka qenë. Kur shkonim në shkollë, më kapej për xhaketë e thoshte ‘po i mbyll sytë edhe pak’”, kujton Bekriu me buzëqeshje në fytyrë.

    Vitet larg gjirit familjar nuk e kishin larguar Pajtimin edhe shpirtërisht. Ai mbante lidhje me të gjithë, familjen e ngushtë dhe të gjerë.

    “Nuk ka shkuar java pa më telefonuar”, thotë axha i tij, Ademi. “Ka qenë shumë humorist, shumë i afrueshëm. Nuk ka pasur qejf ta shohë askënd të hidhëruar”.

    Ngjashëm e përshkruan edhe halla e tij, Zyra.

    “Sa herë ka ardhur, më ka telefonuar e më ka ftuar. Më thoshte ‘sa të rri unë këtu, edhe juve – hallat e mia – dua t’ju shoh këtu’. Ka qenë shumë i hareshëm”, kujton halla, e ulur përkrah nënës së Pajtimit.

    Nënës dhe babait të Pajtimit, që e kanë të vështirë të flasin, u ka mbetur në mendje ëndrra e djalit të tyre për t’u kthyer në Kosovë sa më shpejt.

    Babai i Pajtimit, para shtëpisë së familjes. Ai thotë se Pajtimi vetëm priste përfundimin e jashtëm të shtëpisë për t’u kthyer në Kosovë përfundimisht.

    Familjarët thonë se Pajtimi e kishte lënë Kosovën vetëm për shkak të kushteve të punës dhe dëshirës për ta ndihmuar familjen.

    “Ai nuk ka shkuar për diçka të keqe”, thotë axha i tij. “Ka shkuar për punë, për familje. Në njëfarë forme, është heroi i familjes”.

    Pas tij, Pajtimi la dy vajza të vogla, një pesë dhe një dy vjeçe.

    Istref Zekaj, i rrëfyer nga të afërmit: “Zemrën e ka pasur mal për të gjithë”

    Istrefi kishte kaluar më shumë se dy dekada në Austri. Por, për familjen e tij, ai mbeti gjithmonë i njëjti: vëllai i qetë, punëtori i palodhur dhe njeriu që jepte gjithçka për të tjerët.

    “Kemi shumë kujtime të ëmbla… prej fëmijërisë e deri në momentin kur ndërroi jetë”, thotë motra e tij, Feridja.

    Istrefi ishte gjashtë vjet më i vogël se ajo. Kujtimet me të i ka të shumta, por të gjitha kanë të njëjtin ton.

    “Kam dëshirë të kujtoj diçka të keqe… që ta kem një arsye mos të qaj. Por, kurrë s’na ka ndodhur diçka e keqe me të”, thotë ajo.

    Istrefi kishte emigruar nga Kosova 22 vjet më parë, në kërkim të një jete më të mirë.

    Rruga e tij ishte ajo e shumë familjeve kosovare. Njëri pas tjetrit, tre vëllezërit e mëdhenj u larguan dhe ndërtuan jetën larg vendlindjes.

    Në Vjenë, Istrefi u martua me bashkëshorten, Besën, dhe u bë baba i dy vajzave, njëra tetë dhe njëra pesë vjeçe.

    “Do t’u tregoj vajzave se ai ka qenë shembulli i babait më të mirë, vëllait më të mirë, njeriut më të mirë”, thotë Feridja.

    Kështu do ta kujtojë gjithmonë vëllain e tij edhe Zeka.

    “Zemrën e ka pasur mal për të gjithë. Na ka ndihmuar, na ka siguruar gjithçka që na ka munguar”, thotë ai.

    Edhe Zeka largohet nga Kosova herë pas here për të punuar. Ai ka punuar në Austri, por jo në Vjenë.

    “Çdo vikend më thoshte: ‘hajde Zekë në Vjenë, pimë çaj bashkë. Mos u frikëso se nuk humb, të marr unë’”, kujton Zeka.

    Familja e tyre është e madhe, gjashtë vëllezër dhe dy motra. Ata thonë se Istrefin do ta kujtojnë gjithmonë si një njeri që jetoi për të ndihmuar të tjerët.

    “Ka vdekur me kolegët e tij, duke punuar për familjen, për bukën e gojës”, thotë Zeka.

    Ai kujton se që nga fëmijëria kishin qenë të pandarë, duke kaluar ditë të tëra bashkë. Madje edhe duke mbjellë e fshehurazi ngrënë shalqinj në ara, larg shtëpisë, si një nga kujtimet e para që sot i kthehen me mall.

    Si Pajtimi dhe Istrefi, qindra mijëra qytetarë të Kosovës kanë emigruar nga vendlindja gjatë dekadave të fundit.

    Edhe në vitet e fundit, trendi i largimit ka vazhduar, me dhjetëra mijëra që çdo vit kërkojnë mundësi jashtë vendit.

    Shumica e tyre largohen për shkak të mungesës së vendeve të mira të punës dhe kushteve më të mira të jetesës në vendet e Evropës Perëndimore. /rel

  • Anulohet Samiti Bërdo-Brioni, për shkak të Vuçiqit

    Anulohet Samiti Bërdo-Brioni, për shkak të Vuçiqit

    Presidenti i Kroacisë Zoran Millanoviq e ka anuluar takimin e liderëve në kuadër të Procesit Bërdo-Brioni i cili ishte planifikuar të mbahej në maj në Brionë, me arsyetimin se aktualisht nuk ekzistojnë kushtet për ardhjen e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq në Kroaci.

    Siç u njoftua në faqen zyrtare të presidentit të Republikës së Kroacisë, vendimi u mor për shkak të deklaratave politike dhe veprimeve të Vuçiqit në periudhën e fundit, të cilat janë vlerësuar si të kundërta me qëllimet e bashkëpunimit rajonal, por edhe si faktor që dëmton marrëdhëniet ndërshtetërore dhe rrezikon stabilitetin në Evropën Juglindore.

    Menjëherë ishte reagimi patetik i Vuçiqit i cili me këtë rast deklaroi se “Zoran Millanoviqi nuk kishte pse ta anulonte gjithë takimin, por mund të kishte ftuar lirshëm miqtë e tij nga Prishtina, Tirana dhe kudo që të donte, pasi ata gjithsesi nuk do t’ia prishnin dhe nuk do ta shqetësonin këtë atmosferë idilike”.

    “Sa i përket deklaratave dhe asaj në të cilën thirret Zoran Millanoviqi, unë nuk jam shërbëtori i tij dhe nuk jam Andrej Pllenkoviq që ai të mendojë se mund të sillet me mua siç sillet me disa nga njerëzit e tij apo me disa përfaqësues të vendeve tjera. Po ashtu, nuk jam shërbëtor as i Pllenkoviqit dhe as i Gordan Gërliq Radmanit që të më përcaktojnë se çfarë do të them, por flas si president i lirë dhe liridashës i Serbisë dhe them të vërtetën”, ka deklaruar Vuçiqi.

    Procesi Bërdo-Brioni, i nisur nga Kroacia dhe Republika e Sllovenisë, ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit në rajon dhe përshpejtimin e integrimeve evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

  • Një hap larg Botërorit: FFK kërkon mbështetjen e çdo zemre shqiptare

    Një hap larg Botërorit: FFK kërkon mbështetjen e çdo zemre shqiptare

    Federata e Futbollit të Kosovës ka dalë me një postim emocionues lidhur me ndeshjen e sotme të Kosovës ndaj Turqisë, përballje kjo që vlen për kualifikimin e kombëtares në Kupën e Botës.

    Në Facebook, FFK u ka bërë thirrje shqiptarëve që të bëhen zëri i historisë, duke theksuar se sonte është momenti.
    “Ka momente në histori që nuk përsëriten. Momente që nuk vijnë dy herë, që nuk të japin luksin e hezitimit. Sonte është një i tillë. Sot nuk është ditë për të qëndruar ulur në tribunat e stadiumit. Nuk është mbrëmje për ta parë ndeshjen si spektatorë të qetë. Sot është momenti kur secili prej nesh duhet të jetë në këmbë, me zërin në maksimum, me zemrën që rreh për një emër të vetëm: Kosovë”, thuhet në postimin emocional.

    FFK pos tjerash thekson se sot jemi vetëm një hap larg Botërorit.

    “Një hap që për shumëkënd ka qenë ëndërr e largët për dekada. Një shans që mund të vijë vetëm një herë në jetën tonë. Dhe kur historia të troket në derë, nuk hapet me heshtje, hapet me zhurmë, me pasion, me shpirt. Stadiumi nuk është teatër. Nuk ka skenar të shkruar, nuk ka audiencë pasive. Ka vetëm një rol për të gjithë: të jemi lojtari i dymbëdhjetë. Dardanët në fushë kanë nevojë për atë shtysë që nuk matet me statistika, por ndjehet në çdo sprint, në çdo duel, në çdo goditje”.

    Ndër të tjera, Federata thotë se respekti për kundërshtarin është vlerë dhe duhet të mbetet i tillë sidomos gjatë intonimit të himnit, ‘pasi përballemi me një shtet mik’.

    “Por sapo topi të nisë të rrokulliset, stadiumi “Fadil Vokrri” duhet të shndërrohet në një arenë ku edhe kundërshtari i sotëm e ndjen peshën e një kombi të tërë. Një vend ku çdo metër i fushës fitohet edhe nga tribuna. Mos e ndal këngën kur topin e kemi ne. Mos e ndal atmosferën kur e kanë ata. Sepse energjia që krijohet nga tribuna është më shumë se atmosferë, është presion, është motivim, është avantazh”.

    “Bileta për në Botëror nuk është vetëm një arritje sportive. Është një mundësi për të treguar Kosovën para botës, për të promovuar identitetin, historinë dhe krenarinë tonë në skenën më të madhe të futbollit. Sonte nuk luan vetëm një ekip. Sonte luan një komb i tërë. Beso. Këndo. Brohorit. Sepse sonte, historia mund të shkruhet me zërin tënd. Forca Kosovë!”, mbaron postimi.

  • Sërish në ekran, DJ Dagz i bën dedikimin e bukur Einxhelit

    Sërish në ekran, DJ Dagz i bën dedikimin e bukur Einxhelit

    Bashkëshorti i njohur i Einxhel Shkira, DJ Dagz, ka ndarë një moment emocionues në rrjetet sociale, duke publikuar një foto të saj si opinioniste në sezonin e tretë të ‘Ferma VIP’.

    Në postimin e tij, DJ Dagz shpreh mbështetjen dhe emocionin për rolin e ri të Einxhelit në televizion, duke shkruar: “Ti e di sa shumë dua të të shoh në TV”.

    Einxhel do të bashkëpunojë në panelin e opinionistëve me emra të tjerë të njohur, duke sjellë analiza dhe komente për ngjarjet brenda dhe jashtë fermës, duke e bërë këtë sezon një nga më të priturit e këtij vitit.

    Screenshot
  • Shenoll Muharremi propozon “kompromisin e fundit” për të shmangur zgjedhjet në Kosovë

    Shenoll Muharremi propozon “kompromisin e fundit” për të shmangur zgjedhjet në Kosovë

    Analisti Shenoll Muharremi ka renditur disa pika e që sipas tij është mundësia e fundit që vendi mos të shkojë në zgjedhje.

    Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ai ka shkruar se ndoshta për këtë mundet me qenë një kompromis ku:

    1. Albin Kurti votohet President dhe mbetet negociator me Serbinë

    2. Qeveria zgjerohet dhe drejtohet me PDK, LDK dhe AAK + Vjosa (ku profilet e larta si Bedriu/Memli, Lumir/Hykmete, Vlora, Avdullahu, Besiku kanë role dhe përgjegjësi kryesore)

    3. LVV i drejton ministritë kryesore si Financat dhe Rendin (shumë të rëndësishme)

    4. PDK e LDK i menaxhojnë ministritë e ekonomisë, energjisë dhe projekteve të mëdha ku LVV ka tepër telashe serioze!

    5. AAK ministrinë e mbrojtjes me fokus në anëtarësim në NATO

    6. Vjosa drejton diplomacinë dhe Ministrinë e Jashtme

    7. Arsimi + Shëndetësi caktohen njerëzit më kompetentë

    Postimi i tij i plotë:

    Një mundësi e fundit që e shoh për mos me shku në zgjedhje nga situata ku jemi ndoshta mundet me qenë një kompromis cilësor ku:

    1. Albin Kurti votohet President dhe mbetet negociator me Serbinë

    2. Qeveria zgjerohet dhe drejtohet me PDK, LDK dhe AAK + Vjosa (ku profilet e larta si Bedriu/Memli, Lumir/Hykmete, Vlora, Avdullahu, Besiku kanë role dhe përgjegjësi kryesore)

    3. LVV i drejton ministritë kryesore si Financat dhe Rendin (shumë të rëndësishme)

    4. PDK e LDK i menaxhojnë ministritë e ekonomisë, energjisë dhe projekteve të mëdha ku LVV ka tepër telashe serioze!

    5. AAK ministrinë e mbrojtjes me fokus në anëtarësim në NATO

    6. Vjosa drejton diplomacinë dhe Ministrinë e Jashtme

    7. Arsimi + Shëndetësi caktohen njerëzit më kompetentë

    Dmth, LVV i ka Kuvendin, Presidentin dhe 2-3 ministritë kryesore; partitë tjera i drejtojnë ministritë dhe sektorët ku LVV ka shumë vështirësi të theksuara, por janë thelbësore për Kosovën me pas drejtim të ri ekonomik dhe politik e diplomatik!

    Ky po duket kompromis cilësor dhe thelbësor, por gjithashtu që i adreson nevojat e Kosovës dhe respekton rezultatin zgjedhor në masë të madhe.

    Po a munden disa nga kosovarët që duhet me kuptu rolin e tyre me tregu maturi e me arritë kompromise të nevojshme për të mirën e përgjithshme dhe për Kosovën (e jo pushtetin e karrigen e tyre)? Me siguri jo!

  • Ndeshja Kosovë-Turqi, Peci: Kombëtarja do të arrijë rezultatin për të shënuar historinë

    Ndeshja Kosovë-Turqi, Peci: Kombëtarja do të arrijë rezultatin për të shënuar historinë

    Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci u shpreh bindshëm që Kosova do të jetë fituese në ndeshjen e sotme me Turqinë.

    Ai tha se Kosova do të arrijë rezultatin për të shënuar historinë.

    “Prognoza ime është që fiton Kosova dhe arrijmë rezultatin më të mirë në histori. Edhe njëra prej arritjeve më të mëdha pas shpalljes së pavarësisë“, tha Peci për EO.

    “Tash…është vështirë me mujt me prognozu. Ne të gjithë e dimë që edhe Turqia ka kombëtare të fortë, ka lojtarë të nivelit shumë të lartë, do prej të cilëve sikurse është Arda në Madrid. Po megjithatë unë mendoj që minimalisht dy gola epërsi“, u shpreh ai.

    Se cili do të jetë shënuesi nga Kombëtarja e Kosovës, Peci pati emra.

    “Kosova i ka të gjithë lojtarët, duken që janë në formë të mirë. Edhe unë po them që prej fantazistit Gallopeni që po më pëlqen shumë në mbrojtje, edhe deri te Muriqi, secili prej tyre ka mundësi, gjasë, probabilitet me shënua gol“, shtoi ai.

  • 18 vjeçari kosovar nga Opoja e Dragashit humb jetën tragjikisht në një aksident në Austri

    18 vjeçari kosovar nga Opoja e Dragashit humb jetën tragjikisht në një aksident në Austri

    Një i ri shqiptar nga Kosova, me inicialet Y.Z., ka humbur jetën në Austri si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ndodhi në rajonin Urfahr-Umgebung, pas përplasjes së një veture me një kamion.

    Një aksident i rëndë me pasoja fatale është regjistruar sot në Austri, ku ka ndërruar jetë një 18-vjeçar shqiptar nga Kosova, me inicialet Y.Z..

    Sipas burimeve brenda redaksisë së Albinfo.at, viktima ishte i lindur në Linz të Austrisë, ndërsa rrjedh nga një familje shqiptare me origjinë nga Opoja, konkretisht nga fshati Kuk.

    Ngjarja tragjike ka ndodhur në Zwettl an der Rodl, në rajonin Urfahr-Umgebung, ku rreth mesditës në rrugën B126, një veturë është përplasur me një kamion në një kthesë të djathtë.

    Si pasojë e përplasjes së fuqishme, drejtuesi i veturës, 18-vjeçari shqiptar, ka mbetur i vdekur në vend, pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor për ta rikthyer në jetë.

    Nga ky aksident ka mbetur i lënduar edhe shoku i tij, i cili sipas informatave është shtetas rumun.

    Rrethanat e aksidentit janë ende duke u hetuar nga autoritetet austriake, ndërsa lajmi ka shkaktuar dhimbje të madhe tek familjarët dhe komuniteti shqiptar në Austri./Albinfo.at

  • ZRRE: Kushtetuesja ka refuzuar ankesën e PDK-së, vendimet tona për liberalizim të tregut të ligjshme

    ZRRE: Kushtetuesja ka refuzuar ankesën e PDK-së, vendimet tona për liberalizim të tregut të ligjshme

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike përmes një komunikate për media ka njoftuar se Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të papranueshme ankesën e PDK-së për çështjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

    ZRRE thotë se kjo e konfirmon ligjshmërinë e vendimeve të ZRRE-së sa i përket këtij procesi.

    “Lidhur me Aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. Ref.: RK2990/26, të datës 23 mars 2026, në rastin KI252/25, parashtrues Partia Demokratike e Kosovës,

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) informon opinionin publik se Gjykata Kushtetuese ka shpallur kërkesën e parashtruesit të papranueshme.

    Ky vendim konfirmon ligjshmërinë e vendimeve të ZRRE-së dhe të procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë”, njofton ZRRE.

    “ZRRE vazhdon zbatimin e plotë të procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, në përputhje të plotë me Ligjin nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike dhe aktet nënligjore përkatëse. Qëllimi i këtij procesi është krijimi i një tregu konkurrues, transparent dhe efikas, në interes të të gjithë konsumatorëve”, thuhet në komunikatë.

  • Dronët ukrainas godasin përsëri portin rus Ust-Luga, dëmtohet terminali i naftës

    Dronët ukrainas godasin përsëri portin rus Ust-Luga, dëmtohet terminali i naftës

    Të martën, dronët ukrainas goditën portin rus të Ust-Luga në Detin Baltik për herën e pestë brenda vetëm 10 ditësh, duke goditur një terminal ngarkimi nafte dhe duke ndaluar pjesërisht eksportin rus të naftës.

    Sulmet e Kievit ndaj porteve baltike Ust-Luga dhe Primorsk janë pjesë e një valë të përshkallëzuar goditjesh ndaj infrastrukturës së eksportit të naftës ruse gjatë muajit të fundit, që sipas Reuterskanë ndalur rreth 40% të kapacitetit të vendit për eksport.

    Tre persona, përfshirë dy fëmijë, u trajtuan për lëndime, ndërsa disa ndërtesa në rajon u dëmtuan. Ust-Luga është një nga portet kryesore për eksportin e naftës së Rusisë, zakonisht përpunon rreth 700,000 fuçi naftë bruto në ditë dhe eksportoi 32.9 milion tonë produktesh vitin e kaluar. Tre burime të industrisë konfirmuan se dronët goditën facilitetet e ngarkimit të naftës të operuara nga monopolisti rus i tubacioneve Transneft.

    Autoritetet thanë se porti është sulmuar më 22, 25, 27, 29 dhe 31 mars, duke detyruar pezullimin e disa operacioneve të eksportit, raporton Reuters.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se disa aleatë i kanë dërguar “sinjale” për mundësinë e uljes së goditjeve ndaj sektorit rus të naftës, ndërsa çmimet globale të energjisë vazhdojnë të rriten, duke e bërë secilën goditje një sfidë të madhe për tregun energjetik ndërkombëtar.