ATV

Author: K.B.

  • Vrasja e 38 vjeçares nga Kosova, Ish-kancelari austriak Kurz thirrje për të ndihmuar familjen e viktimës

    Vrasja e 38 vjeçares nga Kosova, Ish-kancelari austriak Kurz thirrje për të ndihmuar familjen e viktimës

    Tronditja pas vrasjes së 38-vjeçares nga Kosova, nënës së katër fëmijëve në Sooß, Austri e Ulët, është ende e thellë. Ish-kancelari Sebastian Kurz në rrjetet sociale, ka shprehur gjithashtu ngushëllimet e tij dhe ka shpërndar një apel për donacione për familjen e viktimës.

    Ngjarja tragjike e cila ndodhi të dielën e kaluar në qytetin Sooß, në Austri, ka tronditur opinionin e gjerë austriak dhe komunitetin shqiptar, raporton albinfo.at

    Vrasja mizore e gruas (38) nga ish-bashkëshorti (të dy nga Kosova), është lajmi kryesor i këtyre ditëve në mediat austriake.

    Pas këtij rasti, komuna e qytetit Soß, ka hapur një xhirollogari donacionesh për t’iu dal në ndihmë familjes së prekur, e në veçanti, katër fëmijëve të mitur që humbën nënën e tyre.

    “Akti i tmerrshëm i dhunës që ndodhi në Sooß të dielen e Pashkëve na ka tronditur thellësisht të gjithëve. Mendimet tona janë me fëmijët dhe familjet e tyre”, tha në një deklaratë të martën kryebashkiaku Hermann Rauch, transmeton albinfo.at

    Më tej thuhet: “E megjithatë: vetëm fjalët për fat të keq nuk janë të mjaftueshme. Nevojitet ndihmë konkrete dhe mbështetje financiare., ka vijuar ai.

    “Bashkia e Sooß dëshiron ta mbështesë familjen në këto momente të vështira. Donacionet do të ndihmojnë në mbulimin e kostove të akomodimit për fëmijët, shpenzimeve të funeralit dhe kostove të tjera të papritura. Ne po mbështetemi përsëri në gatishmërinë e qytetarëve tanë për të ndihmuar, të cilën e kanë demonstruar kaq shpesh më parë, dhe po dërgojmë një mesazh se jemi aty për njëri-tjetrin dhe nuk do t’i braktisim fëmijët tanë. Çdo kontribut, sado i vogël, ka rëndësi”, ka nënvizuar, Hermann Rauch.

    Tutje, kryebashkiaku Rauch është lutur që të shpërndahet ky apel për donacione në mënyrë që sa më shumë njerëz të kenë mundësinë të ndihmojnë

    Përveç qytetarëve të shumtë, në mbështetje të këtij aksioni është solidarizuar edhe ish-kancelari austriak, Sebastian Kurz. Në rrjetet e tij sociale, përpos ngushëllimeve, ai ka shpërndar apelin duke kërkuar donacione për familjen dhe fëmijët jetim.

    Apeli për donacione, i cili përfshinë të dhënat bankare, është shkruar në emër të kryetarit të bashkisë së Sooß-it, Hermann Rauch

    Hier kann geholfen werden!

    Spendenkonto:

    Marktgemeinde Sooß
    IBAN: AT19 3204 5000 0509 5120
    BIC: RLNWATWWBAD
    Unterstützung Femizid Sooß

  • Emisari i BE’së në Beograd, Vuçiq ia kërkon themelimin e Asociacionit

    Emisari i BE’së në Beograd, Vuçiq ia kërkon themelimin e Asociacionit

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar për një takim që pati me emisarin e BE-së, Peter Sorensen, në zyrën e tij në Beograd.

    Ai tha se me të pati një “bisedë të thelluar” për “çështjet kyçe që rëndojnë marrëdhëniet në rajon”.

    Vuçiq tha se ia ka shprehur “shqetësimet” e tij për për situatën aktuale në Kosovë “me fokus të veçantë te siguria e popullit serb, si dhe te pasiguria e madhe në të cilën ata jetojnë, duke pasur parasysh zbatimin selektiv të rregullave të ndryshme dhe diskriminimin e dukshëm në pothuajse të gjitha sferat e jetës”.

    Presidenti serb akuzoi Kosovën për “masa të njënashme” dhe tha se “zbatimi i rregullave pa marrë parasysh rrethanat reale në terren dhe pa marrëveshje në Bruksel, krijojnë presion serioz ndaj popullit serb dhe institucioneve jetike serbe në Kosovë”.

    Vuçiq i kërkoi edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një temë që duket se u zbeh së fundi nga ana e BE’së, e cila më parë kishte këmbëngulur vazhdimisht në themelimin e tij, raporton Gazeta Express.

    “Nënvizova se Serbia mbetet e përkushtuar fort ndaj dialogut si e vetmja rrugë e qëndrueshme për zgjidhjen e çështjeve të hapura, por gjithashtu presim angazhim konkret nga aktorët në Prishtinë për zbatimin e marrëveshjeve tashmë të arritura. Veçanërisht theksova rëndësinë e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si një element kyç për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së popullit tonë, një obligim që duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshme”.

    Vuçiq gjithashtu pretendoi se “veprimet e njëanshme të Prishtinës vazhdojnë të rrisin më tej tensionet dhe të rrezikojnë stabilitetin e brishtë në terren, duke minuar drejtpërdrejt procesin e dialogut”.

    “Përsërita se një angazhim i fortë dhe i qëndrueshëm i Bashkimit Europian është thelbësor për të parandaluar aktivitete të tilla dhe për të siguruar që asnjë veprim të mos jetë i drejtuar drejt pengimit të dialogut, por drejt krijimit të kushteve për zhvillimin e tij të qetë dhe konstruktiv”.

    Në fund, ai pretendoi se vendi i tij është “i përkushtuar” ndaj dialogut dhe tha se do të veprojë me përgjegjësi e konstruktivitet, “duke ruajtur interesat e saj kombëtare, por edhe duke kontribuar në stabilitetin e të gjithë rajonit”.

    “Shpreha bindjen se komunikimi i hapur dhe i vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë është thelbësor për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata në interes të paqes, sigurisë dhe të ardhmes së të gjithë qytetarëve”.

  • Nexhi nga Kosova prapë s’bindet nga NASA: S’ka mundësi me qenë ajo foto prej mbrapa Hënës

    Nexhi nga Kosova prapë s’bindet nga NASA: S’ka mundësi me qenë ajo foto prej mbrapa Hënës

    Nexhi Krasniqi, shqiptari nga Kosova që tërhoqi edhe vëmendjen e NASA-s pasi e vuri në pikëpyetje autenticitetin e një fotografie të publikuar nga misioni Artemis II, të realizuar gjatë fluturimit rreth anës së largët të Hënës, nuk është ende i bindur nga shpjegimi i vetë NASA-s për të.

    Ai thotë se ka bërë “një analizë me vetveten”, duke e përsëritur pyetjen që ia bëri NASA-s: “Ku janë yjet?”.

    “Në momentin kur e pashë postimin e fotos që e kish postu NASA, duke e bërë analizë me vetveten unë, tu e pa se një fotografi që bëhet prej një distance pas një planeti si Hëna edhe shihet Toka prapa saj edhe shihet pjesa dërrmuese e horizontit, e hapësirës, tu e këqyre, tu bo analizë, tu thënë ku janë yjet? S’shifen yjet fare. Pse Toka kaq e madhe po doket në krahasim më Hënën nëse ata janë afër Hënës qysh po ka mundësi Toka me u duk kaq e madhe. Edhe retë e bardha u shihshin aty. Edhe mu duk absurde me thënë të drejtën edhe thash hajt ta lëshoj këtë koment”, tha ai për Tëvë1.

    Ai e vuri në pikëpyetje autenticitetin e disa pamjeve të hënës të publikuara nga NASA dhe të realizuara në misionin Artemis II. Në postimin e NASA-s ku paraqiteshin pamje të realizuara nga anija kozmike Orion gjatë fluturimit rreth anës së fshehtë të Hënës, qytetari nga Kosova pyeti pse nuk duken yjet në fotografi dhe sugjeroi se pamjet mund të ishin krijuar nga inteligjenca artificiale.

    “Pse nuk janë të dukshme yjet nga kjo pozicion? Dyshoj se është krijuar nga inteligjenca artificiale!”, shkroi ai në koment.

    Reagimi nga NASA nuk vonoi. Pas vetëm pesë minutash, NASA iu përgjigj drejtpërdrejt, duke shpjeguar arsyen shkencore pas mungesës së yjeve në pamje.

    “Ne s’mund t’i shohim yjet në këto imazhe sepse yjet duken relativisht shumë të zbehtë në krahasim me Hënën, e cila është shumë më afër dhe reflekton shumë më tepër dritë. Kamerat mund të kapin vetëm një interval të caktuar midis pjesëve më të ndritshme dhe më të errëta të një skene”.

    Por Nexhi Krasniqi s’është i bindur.

    “I kam lexu komentet e njerëzve shumë mirëpo përgjigje prej NASA nuk kam lexu kurrë edhe mu duk si e veçantë. Po unë prapë e kam atë mendim se foto si foto mua vetë po ma jep përshtypjen me u bind se nuk ka mundësi me qenë e fotografueme prej mbrapa Hënës, duke e pa edhe Tokën. Jo se jam ekspert i kësaj lëmie, as s’kam të bëj fare me këtë, mirëpo, me të thënë të drejtën, e kam shiku shumë shpesh e kam vizitu Google Earth, planetët tjera…”, shprehet ai.

  • Kurti përkujton 27-vjetorin e Betejës së Koshares: Sakrificë për liri dhe shembje të kufirit

    Kurti përkujton 27-vjetorin e Betejës së Koshares: Sakrificë për liri dhe shembje të kufirit

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përkujtuar 27-vjetorin e fillimit të Betejës së Koshares, një prej përballjeve më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës.

    Përmes një postimi në Facebook, ai ka nderuar luftëtarët e rënë dhe pjesëmarrësit e kësaj beteje, duke e cilësuar atë si një përpjekje për shembjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe për çlirimin e vendit.

    “Më 9 prill 1999, në mëngjes herët, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mësyen mbi pozicionet ushtarake të Serbisë në brezin kufitar mes Republikës së Shqipërisë dhe Jugosllavisë, duke sulmuar mbi bazën “7 korriku”, Rrasën e Koshares dhe majen Gllava. Nga ajo ditë, deri më 10 qershor, për dy muaj të plotë rresht, mijëra pjesëtarë të UÇK-së do të përfshiheshin në luftimet e Betejës së Koshares, në një territor të shtrirë prej disa kilometrash dhe në një reliev të thyer malor e kodrinor”, ka shkruar kryeminstri.

    Kurti ka theksuar se më 9 prill 1999 filluan luftimet në zonën kufitare, ku forcat e UÇK-së u përballën me ushtrinë jugosllave në një terren malor dhe të vështirë, ndërsa beteja vazhdoi deri në përfundimin e fushatës ajrore të NATO-s.

    “Beteja e Koshares nisi dy javë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi dhe vazhdoi deri në ditën e fundit të kësaj fushate. Gjatë atyre ditëve, një ushtri çlirimtare dhe gjithëkombëtare vullnetarësh siç ishte UÇK-ja, u kthye në një aleate të aleancës më të madhe ushtarake të botës, NATO-s, që së bashku i ndaluan fushatat e spastrimit etnik dhe të gjenocidit që Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit po i kryente ndaj shqiptarëve të Kosovës”, shkruhet tutje në postimin e tij.

    Njëherësh, i pari i ekzekutivit ka kujtuar se në këtë betejë ranë dëshmorë 114 luftëtarë të UÇK-së dhe mbi 400 të tjerë u plagosën, duke e cilësuar sakrificën e tyre si të rëndësishme për lirinë e Kosovës.

    “Në anën kundërshtare, pala serbe asnjëherë nuk do t’i publikonte të plota të dhënat e humbjeve të turpshme prej kësaj beteje, por mbi 100 pjesëtarë të ushtrisë jugosllave mbetën të vrarë kurse shumëfishi i numrit të tyre u plagosën. Çdo pranverë, i kujtojmë me mirënjohje dhe nderime të gjithë luftëtarët e UÇK-së që morën pjesë me guxim në Betejën e Koshares, duke dhënë djersë, mund dhe gjak për atdheun tonë dhe lirinë e popullit. Lavdi u qoftë dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares, sot e përmot!”, shkroi Kurti.

  • Dita e Kushtetutës, Haxhiu: 9 prilli shënon ditën kur shteti mori formën e plotë juridike dhe politike

    Dita e Kushtetutës, Haxhiu: 9 prilli shënon ditën kur shteti mori formën e plotë juridike dhe politike

    Sot bëhen 18 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ajo u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të po atij viti.

    Kryetarja e Kuvendit, njëherit u.d. e presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka uruar këtë ditë duke thënë se 9 prilli i vitit 2008 shënoi ditën kur shteti mori formën e tij të plotë juridike dhe politike.

    “Përkushtimi ndaj Kushtetutës mbetet parakusht për stabilitet, zhvillim dhe konsolidim demokratik”, shkruhet në postimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës në Facebook.

  • Osmani: Beteja e Koshares – flakadani që nuk shuhet kurrë!

    Osmani: Beteja e Koshares – flakadani që nuk shuhet kurrë!

    Sot shënohen 27 vjet nga Beteja e Koshares, një nga përballjet më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës për liri.

    Këtë ditë e ka përkujtuar ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një fotografi të postuar në Facebook.

    “Beteja e Koshares – flakadani që nuk shuhet kurrë”, ka shkruar ajo.

    Kjo betejë, e cila zgjati deri më 10 qershor 1999, u zhvillua në kushte të vështira, por me një vendosmëri të jashtëzakonshme nga luftëtarët shqiptarë.

  • Haradinaj i pikëlluar për vdekjen e bashkëluftëtarit: Hasanmetaj do të mbahet mend si luftëtar i dalluar

    Haradinaj i pikëlluar për vdekjen e bashkëluftëtarit: Hasanmetaj do të mbahet mend si luftëtar i dalluar

    Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Xhevat Hasanmetajt, që vdiq dje në Deçan.

    Haradinaj ka thënë se Hasanmetaj do mbahet mend si luftëtar i dalluar, dhe, me përkushtim të jashtëzakonshëm.

    Postimi:

    Me pikëllim mora lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të bashkëluftëtarit, Xhevat Hasanmetaj.

    Xhevati do të mbahet mend si luftëtar i dalluar dhe me përkushtim të jashtëzakonshëm.

    Sot ndajmë dhembjen me familjarët dhe bashkëluftëtarët, të cilët duhet të ndihen krenarë për jetën, veprën dhe sakrificën e tij në shërbim të lirisë.

    U prehtë në paqe!

  • Hamza me rastin e Ditës së Kushtetutës: PDK mbetet e përkushtuar në respektimin dhe mbrojtjen e aktit më të lartë juridik

    Hamza me rastin e Ditës së Kushtetutës: PDK mbetet e përkushtuar në respektimin dhe mbrojtjen e aktit më të lartë juridik

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka uruar qytetarët me rastin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

    Hamza theksoi se Kushtetuta përbën aktin më të lartë juridik të shtetit, mbi të cilin mbështetet rendi demokratik dhe garantohet mbrojtja e të drejtave të çdo qytetari.

    “Kushtetuta mbetet udhërrëfyesi ynë për ndërtimin e një shteti ligjor, të drejtë dhe të barabartë”, është shprehur Hamza.

    Ai, po ashtu, theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të plotë të Kushtetutës në çdo rrethanë.

    “Në këtë ditë të rëndësishme, riafirmojmë përkushtimin e Partisë Demokratike të Kosovës për respektimin dhe mbrojtjen e këtij akti në çdo kohë dhe rrethanë. Gëzuar Dita e Kushtetutës!”, ka përfunduar Kryetari Hamza.

  • Kurti udhëton për në Londër, Dejona Mihali njofton për një diskutim atje për “shtetformimin ekonomik dhe stabilitetin global”

    Kurti udhëton për në Londër, Dejona Mihali njofton për një diskutim atje për “shtetformimin ekonomik dhe stabilitetin global”

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet të marrë pjesë sonte në një diskutim të organizuar në Londër nga ODI Global, një institut për kërkime dhe politika zhvillimore.

    Lajmi u bë i ditur nga koordinatorja e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, e cila njoftoi përmes një postimi se tema e diskutimit do të jetë “Shtetformimi ekonomik dhe stabiliteti global”.

    “Sonte në Londër. “Shtetformimi ekonomik dhe stabiliteti global”, diskutim në ODI Global në Londër. Pjesëmarrës në diskutim Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, shkroi Mihali në një postim në Facebook.

    Diskutimi në Londër do të jetë i hapur për pjesëmarrje fizike dhe online për publikun e interesuar, për të cilën gjë njoftoi edhe Mihali.

  • Nafta sërish ngritet në Kosovë, ministria publikon çmimet për sot

    Nafta sërish ngritet në Kosovë, ministria publikon çmimet për sot

    Çmimi maksimal i naftës (dizelit) në Kosovë është rritur për dy cent krahasuar me ditën e djeshme.

    Sipas njoftimit nga Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, çmimet e derivateve për sot 9 prill janë si vijon: Nafta (dizel): 1.91 euro/litër, Benzina: 1.46 euro/litër dhe Gas: 0.82 euro/litër.

    Kjo rritje vjen në një periudhë ku çmimet e derivateve të naftës po shfaqin luhatje, duke ndikuar drejtpërdrejt në koston e transportit dhe jetesës në vend.

    Ndërkaq çmimet globale të naftës kanë rënë ndjeshëm dhe tregjet e aksioneve janë rritur, pasi SHBA-të dhe Irani ranë dakord për një marrëveshje armëpushimi me kusht dyjavor.