ATV

Author: K.B.

  • Detaje të reja nga aksioni në Ferizaj ku u sekuestrua heroinë, shkon në katër numri i të arrestuarve

    Detaje të reja nga aksioni në Ferizaj ku u sekuestrua heroinë, shkon në katër numri i të arrestuarve

    Një operacion i gjerë antidrogë është realizuar dje në Ferizaj nga Departamenti i Hetimeve, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Në raportin 24 orësh policia ka dhënë detaje tjera shtesë rreth këtij operacioni, ku fillimisht mbrëmë u tha se janë arrestuar dy persona dhe janë sekuestruar rreth 15 kilogramë heroinë.

    Policia ka njoftuar se lidhur me këtë rast janë arrestuar katër persona të dyshuar dhe heroina e sekuestruar është 17 kilogramë.

    Sipas njoftimit zyrtar, pas një pune hetimore, autoritetet kanë zbatuar një plan taktik, gjatë të cilit janë kontrolluar katër shtëpi banimi së bashku me objektet përcjellëse të tyre.

    Gjatë kontrollit, në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar 34 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë, me peshë të përgjithshme prej 17 kilogramë e 910 gramë.

    Po ashtu, janë konfiskuar edhe dy vetura, nëntë telefona mobilë, dy iPad dhe dy pajisje DVR.

    Me vendim të prokurorit kompetent, katër të dyshuarit meshkuj shtetas të Kosovës janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.

  • KFOR zhvilloi patrulla këmbësorie me mbështetjen e njësive K9.

    KFOR zhvilloi patrulla këmbësorie me mbështetjen e njësive K9.

    Ekipet e inxhinierisë të KFOR-it nga Komanda Rajonale Perëndim, sot zhvilluan patrulla këmbësorie në zonën e përgjegjësisë së kësaj komande rajonale.

    Për këto aktivitete ka njoftuar KFOR-i në Facebook.

    Ato janë zhvilluar me mbështetjen e qenve posaçërisht të trajnuar (njësitë K9).

    Këto patrulla të rregullta, theksojnë ata, u mundësojnë pjesëtarëve të KFOR-it të vlerësojnë dhe të kontrollojnë rrugët, duke identifikuar rreziqe të mundshme, ndërsa integrimi i njësive K9 përmirëson aftësinë e tyre për zbulimin e kërcënimeve.

    “Nëpërmjet aktiviteteve të tilla, pjesëtarët e KFOR-it ruajnë ndërgjegjësimin situacional dhe kontribuojnë në stabilitetin në të gjithë rajonin, gjë që pasqyron përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

    “Me qëllim që të kontribuojë në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si forca të sigurisë”, kanë bërë të ditur nga KFOR-i.

  • Arratiset një person nga stacioni policor në Prishtinë

    Arratiset një person nga stacioni policor në Prishtinë

    Një person i privuar nga liria ka arritur të arratiset nga Stacioni Policor në Prishtinë.

    Sipas raportit zyrtar, bëhet fjalë për një të dyshuar mashkull shtetas i Kosovës, i cili është larguar nga ambientet e stacionit policor rreth orës 16:10, në rrethana që ende nuk janë bërë të ditura.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e arratisjes dhe për të siguruar kapjen e personit në fjalë.

    Policia pritet të ndërmarrë masa shtesë për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, ndërkohë që rasti mbetet në procedurë hetimore.

  • Lorik Cana e mori titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

    Lorik Cana e mori titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

    Mbrëmë në Tiranë u zhvillua Samiti i Diasporës.

    Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i dha titullin “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut”, ish kapitenit të Kombëtares, Lorik Cana.

    Në fjalën e tij, Cana u shfaq i emocionuar, teksa u shpreh se gjatë jetës së tij ka bërë gjithçka për të bërë krenarë shqiptarët anembanë botës, shkruan Balkanweb.

    “Kur jemi përballë një paneli dhe kemi të mbledhur njerëzit tanë, që kanë spikatur dhe kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për ne. Kemi luajtur me stadiume plot me qindra milionë njerëz që na kanë parë. Unë sot nuk e pranoj vetëm në emrin tim, por në emrin e familjes sime. Babit, Agimit, gjyshërve të mi, Ganiut, xhaxhait tim, deri tek i gjithë. Ky brumë na ka shfrytëzuar.”

    “Ne kosovarët jemi detyruar të emigrojmë. Në këtë Samit të Diasporës, rikthehem si një shqiptar i Kosovës. Kemi emigruar dhe jemi munduar të bëjmë mirë, jo vetëm për familjarët tanë, por jemi munduar të ngremë sa më shumë nderin dhe emrin e shqiptarëve.”

    “Kjo besoj se ka qenë krenaria më e madhe që unë kam përjetuar dhe familjarët e mi. Duke pasur një mjet si futbolli, aty kupton se përgjegjësia është e madhe. Unë kam 10 vite që jam në pension. Kur ia them këtë njerëzve, ata qeshin. Është një jetë e tërë, ku dashuria dhe kontributi për atdheun nuk mungon asnjëherë. Jemi munduar ta ngrejmë komunitetin tonë”, u shpreh Cana.

  • S’ka kuorum, dështon sërish zgjedhja e kryesuesit të ri të KGJK-së

    S’ka kuorum, dështon sërish zgjedhja e kryesuesit të ri të KGJK-së

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka dështuar sërish të zgjedhë kryesuesin e ri, për shkak të mungesës së kuorumit.

    Anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaqi, i cili është edhe njëri prej kandidatëve për kryesues, ka ngritur shqetësime lidhur me mungesën e kuorumit.

    “Siç jeni në dijeni, unë jam një nga kandidatët për kryesues të KGJK-së dhe për mua nuk është fare e rëndësishme se a do të zgjidhem unë apo dikush tjetër për kryesues të KGJK-së, por është shumë e rëndësishme dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që të zgjidhet kryesuesi i KGJK-së. Nëse e shikojmë në retrospektivë mënyrën e veprimit të KGJK-së, rezulton se në këtë institucion nuk ka qenë e zakonshme dështimi i takimeve në mungesë kuorumi. Dhe besoj thellë që ne, të gjithë anëtarët e KGJK-së, mbajmë përgjegjësi për dështimin e takimeve dhe komplet procesin për emërimin e kryesuesit të KGJK-së. Unë besoj që zgjedhja e kryesuesit duhet të jetë një aspekt krejtësisht meritokratik, sepse KGJK-ja është një organ kolegjial ku puna dhe proceset duhet të jenë transparente, votimi duhet të jetë i lirë dhe demokratik, ndërsa të zgjedhurit duhet të jenë të legjitimuar nga shumica e anëtarëve të KGJK-së, të cilët sipas bindjes dhe vullnetit të lirë e të papandikuar votojnë për një kandidat”, tha Thaqi.

    Sipas tij, sinkronizimi i veprimeve me struktura politike, me grupe të interesit dhe persona të tjerë nënkupton saktësisht dështimin e procesit të zgjedhjes së kryesuesit të KGJK-së.

    “Kjo nënkupton se procesi i zgjedhjes së kryesuesit para së gjithash varet nga vota jonë, e cila duhet të jetë e rregullt, e lirë dhe e pakushtëzuar në frymën e procesit për avancimin e sistemit gjyqësor dhe njëkohësisht për të drejtuar çështjet e rëndësishme që janë në pritje në këtë institucion. Sot nuk po them asgjë të panjohur nëse zgjedhja e kryesuesit është një proces që i intereson jashtëzakonisht politikës dhe grupeve të caktuara të interesit. Por kjo nuk është çudi dhe kjo nuk është pengesë. Mirëpo është dhe do të jetë krejtësisht e panjohur, e paparë deri më tani dhe e papranueshme nëse ne, anëtarët e KGJK-së, sinkronizojmë veprimet me struktura politike apo grupe të interesit për të ndikuar jo vetëm në procesin e zgjedhjes së kryesuesit, por edhe në sigurimin dhe promovimin e pavarësisë së KGJK-së dhe gjyqësorit në përgjithësi. Për të qenë edhe më i qartë, sinkronizimi i veprimeve me struktura politike, me grupe të interesit dhe persona të tjerë nënkupton saktësisht dështimin e procesit të zgjedhjes së kryesuesit të KGJK-së; çdo tendencë për të influencuar anëtarët aktualë të KGJK-së, çdo tendencë për të favorizuar disa anëtarë të KGJK-së dhe njëkohësisht çdo tendencë e presionit nga brenda apo jashtë sistemit mbi anëtarët e KGJK-së”, u shpreh ai.

    Anëtari Artan Abazi pati kritika ndaj mungesave të gjyqtarëve në takim.

    “Secili anëtar i Këshillit Gjyqësor duhet të mbajë përgjegjësi, duhet ta dijë çfarë detyre ka marrë, duhet ta respektojë këtë detyrë, sepse nëse nuk e respekton, nënkuptohet se çka nënkupton mosrespektimi i detyrës zyrtare. Dhe çka më shtyn të mendoj kështu siç po them, është fakti që e-mail-i për mbledhjen e sotme është dërguar me 8 prill. Domethënë pesë ditë para se anëtari, gjyqtari Fahret Velija, të mungojë në mbledhjen e sotme, me 8 prill është bërë kërkesa për me u mbajt kjo mbledhje. Gjyqtari konkret, Fahret Velija, ka pritur pesë ditë për të na treguar neve 12 orë para takimit që: ‘unë nuk do të mund të marr pjesë sepse kam gjendje shëndetësore dhe jam jashtë vendit, në Shqipëri’. Ne, po e ceku edhe njëherë, i dëshirojmë sukses, jemi për t’i ndihmuar për gjendjen e tij shëndetësore, mirëpo çështja është ne duhet të bindemi me fakte. Ai ka pasur mundësi që pesë ditë, nëse e ka pasur gjendjen e tillë, të na njoftojë me kohë, jo 12 orë para”, Abazi.

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) më 12 mars shpalli konkurs për kryesues të ri, i cili ishte i hapur deri më 26 mars 2026.
Dy gjyqtarët që po kandidojnë për pozitën e të parit të Këshillit Gjyqësor janë anëtarë të këtij institucioni. Thaqi është gjyqtar në Gjykatën Supreme, kurse Bislimaj gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

    Sipas Rregullores mbi Organizimin dhe Veprimtarinë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në pikën 6 përcaktohet se “Pozita e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit duhet të plotësohet brenda tridhjetë (30) ditëve, prej ditës që këto pozita mbeten të lira“./EO/

  • ‘Ora e Kiametit’ po afrohet/ Superkompjuteri i NASA-s parashikon se kur do të mbarojë jeta në Tokë

    ‘Ora e Kiametit’ po afrohet/ Superkompjuteri i NASA-s parashikon se kur do të mbarojë jeta në Tokë

    “Ora e Kiametit” po i afrohet mesnatës si kurrë më parë, një tregues simbolik që Buletini i Shkencëtarëve Atomikë e përdor prej dekadash për të matur rrezikun e një katastrofe globale. Tensionet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës, kërcënimet e konfliktit bërthamor, kriza klimatike dhe zhvillimet e pakontrolluara në inteligjencën artificiale krijojnë një sfond të rrezikshëm. Megjithatë, edhe nëse njerëzimi arrin t’i shmangë këto skenarë, jeta në Tokë ka një fund të pashmangshëm.

    Sipas një studimi të ri të botuar në Nature Geoscience, qëndrueshmëria e Tokës është më e kufizuar nga sa mendohej më parë.

    Studiuesit Kazumi Ozaki dhe Christopher T. Reinhard vlerësojnë se atmosfera e planetit do të pushojë së qeni miqësore për jetën shumë më herët nga sa parashikohej.

    Deri vonë, shkencëtarët besonin se Toka do të mbetej e banueshme për rreth dy miliardë vjet, për shkak të rritjes graduale të shkëlqimit të Diellit.

    Megjithatë, të dhënat e reja e zvogëlojnë këtë afat në rreth një miliard vjet. Një rol kyç në këtë proces luan oksigjeni dhe historia e tij në planet.

    Rreth 2.5 miliardë vjet më parë ndodhi Ngjarja e Madhe e Oksidimit, kur mikroorganizmat që prodhonin oksigjen ndryshuan rrënjësisht atmosferën, duke zhdukur shumë forma jete, por duke krijuar kushtet për organizmat kompleksë.

    Sot, biosfera mbështetet në një ekuilibër ku atmosfera përmban rreth 20% oksigjen. Por shkencëtarët paralajmërojnë se ky ekuilibër nuk është i përhershëm. Me kalimin e kohës, Dielli do të bëhet më i nxehtë dhe më i ndritshëm.

    Kjo do të shkaktojë avullimin e ujit dhe ndryshime në atmosferë, duke çuar në një rënie drastike të oksigjenit dhe duke e bërë Tokën të papërshtatshme për jetën.

    Megjithatë, studiuesit theksojnë se nuk ka arsye për shqetësim të menjëhershëm, pasi bëhet fjalë për një periudhë prej një miliard vjetësh.

    Nëse njerëzimi arrin të kapërcejë sfidat aktuale, nuk përjashtohet mundësia që qytetërimet e ardhshme të zhvillojnë teknologji për t’u përshtatur ose për t’u zhvendosur në planetë të tjerë.

    Ndërkohë, programe kërkimore të NASA-s, si projekti LUVOIR, synojnë të studiojnë botë të largëta, duke ndihmuar në kuptimin e proceseve që lidhen me lindjen dhe fundin e jetës në univers.

  • Më 16 prill premiera e filmit  “Karma”, do të shfaqet në Prishtinë e Prizren

    Më 16 prill premiera e filmit “Karma”, do të shfaqet në Prishtinë e Prizren

    Industria filmike në Kosovë po pasurohet me një tjetër projekt ambicioz. Filmi i metrazhit të gjatë KARMA, me regji dhe skenar nga Esat Fejza dhe me producente Edona Kecmezin, pritet të vijë para publikut me një rrëfim të fuqishëm që ndërthur dramën, humorin dhe reflektimin social. Premiera e filmit do të mbahet më 16 prill 2026 në Cineplexx – Prishtinë dhe Prizren, duke shënuar një nga ngjarjet më të pritura kulturore të sezonit pranveror në vend.

    Një histori për zgjedhjet dhe pasojat

    KARMA është një dramedy që trajton një nga konceptet më të lashta dhe universale – ligjin e shkakut dhe pasojës. Filmi ndjek historinë e tre miqve që ribashkohen pas disa vitesh dhe vendosin të ndërmarrin një plan të pazakontë për të ndryshuar fatin e tyre. Por vendimet e nxituara i çojnë ata në një spirale ngjarjesh ku realiteti, absurdi dhe ironia përplasen vazhdimisht. Përmes një rrëfimi dinamik dhe shpeshherë provokues, filmi sjell në vëmendje idenë se askush nuk mund t’i shmanget pasojave të veprimeve të veta.

    Kastë e pasur dhe prodhim ambicioz

    Filmi përfshin një numër të madh aktorësh të njohur të skenës dhe ekranit kosovar, ndër ta: Agron Shala, Labinot Lajçi, Xhemi Agaj, Agron Krasniqi, Ilir Prapashtica, Vedat Haxhiislami, Kumrije Hoxha, Bislim Muçaj, Melihate Qena, etj. duke krijuar një ansambël të fuqishëm artistik.

    Projekti është realizuar nga Prolog Film L.L.C., në bashkëprodhim me G-On Film Production, dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Me një kohëzgjatje prej 87 minutash dhe realizim në format 4K me audio True Surround 5.1, KARMA synon të ofrojë një përvojë të plotë kinematografike për publikun.

    Një film që kërkon reflektim

    Sipas regjisorit Esat Fejza, filmi nuk është vetëm një histori për t’u parë, por një përvojë për t’u ndjerë dhe reflektuar. Ai thekson se KARMA trajton tema si lakmia, tradhtia dhe kriza morale në shoqërinë bashkëkohore, duke i ftuar shikuesit të përballen me ndërgjegjen e tyre dhe të mendojnë për pasojat e zgjedhjeve që bëjnë në jetë.

    Një ftesë për publikun

    KARMA vjen si një përzierje e veçantë e dramës dhe komedisë, duke synuar të jetë njëkohësisht argëtuese dhe thellësisht reflektuese. Filmi pritet të rezonojë me publikun për shkak të temave universale dhe qasjes së tij emocionale. Në një kohë kur kinemaja gjithnjë e më shumë kërkon të ketë ndikim përtej ekranit, KARMA synon të mbetet në mendjen e shikuesit edhe pas përfundimit të tij.

  • Çfarë nuk duhet të porosisni asnjëherë në restorant

    Çfarë nuk duhet të porosisni asnjëherë në restorant

    Ndonjëherë kur shohin se si përgatitet sallami, ne duam të shmangim çdo nënprodukt të tij.

    Në një pyetje të bërë së fundmi në AskReddit, një përdorues tha: “Cilën pjatë nuk e porosisni asnjëherë në restorant dhe pse?”

    Përdoruesit, të cilët pohojnë se kanë punuar në restorante, u treguan menjëherë të gatshëm të përgjigjen.

    Këto janë 11 llojet e ushqimeve që njerëzit e brendshëm të restoranteve, thonë se nuk do t’i porosisnin kurrë:

    Unë gjithmonë shmang pjatat që nuk lidhen me eksperiencën e restorantit. Nëse jam në një restorant peshku, nuk kam si të porosis mish. Apo nëse jam në një zgarë, të porosisë makarona. Porosit diçka që ata e kanë specialitet.

    Peshku Shpatë. Kam parë një shef që e priste dhe e qëronte, dhe nuk ishte aspak bukur.

    Pula është e mërzitshme dhe e mbivlerësuar. Përpiqem të mos porosisë asgjë që përmban pulë, të cilën mund ta bëj dhe vetë.
    Specialitetet e ditës zakonisht bëhen me përbërësit më të vjetër në kuzhinë.

    Unë nuk guxoj të ha sallatë. Kam parë shumë kamarierë që kanë zhytur dorën në koshin e mbeturinave, dhe asnjëri nuk i ka larë duart mjaftueshëm që të shërbejë një sallatë.

    Çdo specialitet i sushit duhet të shmanget.

    Krahët e pulës. Qindra krahë zhyten në fritezat e thella, dhe aroma e pamja e yndyrës është thjesht një makth që nuk duhet provuar.

    Supa, vetëm nëse jeni në një vend ku kjo pjatë është prioritet. Ka shumë ndryshim midis një supe “të lodhur” dhe një supe me të gjitha vitaminat. Nuk është gjithmonë një ide e mirë të porosisësh supë, pasi shumë restorante e shohin thjesht si një pjatë anësore apo një ushqim të lirë.

    Pula. Shpesh kam parë që nuk gatuhen mjaftueshëm, thjesht sepse kërkon shumë kohë dhe kuzhinieri është një dembel.

    Supa e ditës. Është bërë me ato që kanë mbetur nga dje.

    Gjithmonë tregohem i kujdesshëm me gjoksin e pulës. Në restorant, i përgatisnim gjokset e pulës në enë të mëdha dhe i linim aty për më shumë se një javë, ndoshta dhe një javë e gjysmë nëse s’kishim shumë porosi.

  • Higjiena e ushqimit: A duhen larë pula, sallata në qese dhe shalqiri?

    Higjiena e ushqimit: A duhen larë pula, sallata në qese dhe shalqiri?

    Ta shpëlash apo jo sallatën e paketuar në qese? Duhet larë apo jo gjoksi i pulës? Dhe a duhet të shpëlahet shalqiri me ujë para se të pritet? Ja një udhëzues i shpejtë që do të hedhë poshtë disa keqkuptime të zakonshme.

    Mish dhe peshk

    Shpëlarja e biftekëve të viçit ose filetove të peshkut nën ujë para gatimit nuk eliminon mikrobet e rrezikshme, të tilla si salmonela dhe kampilobakteri, dy nga bakteret më të zakonshme që shkaktojnë sëmundje të transmetuara nga ushqimi në vendet e industrializuara.

    Për më tepër, spërkatjet ndotin lavamanin, enët e kuzhinës dhe duart. E vetmja mënyrë për të shkatërruar mikroorganizmat patogjenë është përmes gatimit.

    Perimet

    Nuk është e nevojshme ta shpëlani sallatën e paketuar në qese, të paktën në Itali. “Nëse paketimi i sallatës ose spinaqit thotë ‘i larë dhe gati për t’u ngrënë’, prodhuesi garanton higjienën dhe sigurinë shëndetësore deri në datën e skadimit dhe për këtë arsye nuk është e nevojshme të lani perimet përsëri”, sigurojnë ekspertët në Istituto Zooprofilattico Sperimentale delle Venezie, një agjenci e shëndetit publik. Situata, sigurisht, është e ndryshme për frutat dhe perimet e blera nga shitësi i perimeve.

    Bio

    Dhe duke folur për keqkuptimet: nuk është e vërtetë që mund të mos lani perimet organike. “Organike” nuk do të thotë sterile.

    Frutat dhe perimet e rritura pa përdorimin e pesticideve ende rriten dhe mund të kontaminohen nga kafshët, plehu dhe mikroorganizmat si listeria. Prandaj, ato duhet të shpëlahen me ujë të rrjedhshëm, njësoj si ato të rritura në mënyrë konvencionale.

    Frutat

    Shalqiri ose pjepri duhet të pastrohet para prerjes. Lëkura mund të kontaminohet nga mikrobet që thika i mbart në tul.

    Frutat pa lëkurë duhen larë para se t’i prisni, edhe nëse padyshim nuk e hani lëkurën e jashtme. Megjithatë, dezinfektimi është i panevojshëm; nuk ka prova të forta shkencore që në fakt përmirësojnë sigurinë ushqimore.

    Uji i rrjedhshëm dhe fërkimi i butë i frutave dhe perimeve me duar largojnë papastërtinë dhe shumicën e mbetjeve të pesticideve.

  • Administrata Trump komenton humbjen e Orbanit në zgjedhje, Vance: Nuk jemi të befasuar

    Administrata Trump komenton humbjen e Orbanit në zgjedhje, Vance: Nuk jemi të befasuar

    Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance tha të hënën në mbrëmje se ishte “i trishtuar”, por jo shumë i befasuar që kryeministri hungarez Viktor Orban humbi garën për rizgjedhje, duke theksuar se vendimi i tij për të bërë fushatë së bashku me të në Budapest javën e kaluar kishte më shumë të bënte me mbështetjen ndaj një aleati besnik sesa me ndihmën për ta çuar drejt fitores.

    “Ne nuk shkuam sepse prisnim që Viktor Orban të fitonte lehtësisht zgjedhjet,” tha Vance gjatë një interviste në Fox News. “Shkuam sepse ishte gjëja e duhur për të qëndruar pas një personi që ka qëndruar pranë nesh për një kohë shumë të gjatë”, u shpreh ai, transmeton në shqip gazeta online Reporteri.net.

    Këto komente shënuan komentimin e parë nga Shtëpia e Bardhë për humbjen e Orbanit në zgjedhjet në Hungari.

    “Trashëgimia e tij në Hungari është transformuese — 16 vite, duke e ndryshuar thelbësisht atë vend,” tha Vance, duke shpjeguar se vendimi i tij për të bërë fushatë me Orbán javën e kaluar “nuk ishte sepse nuk dimë të lexojmë sondazhet. Ne e dinim se kishte një mundësi shumë të madhe që Viktor të humbte zgjedhjet. E bëmë sepse ai është një nga të paktët liderë evropianë që kemi parë që ka qenë i gatshëm t’i kundërvihet burokracisë në Bruksel”, u shpreh ai.