ATV

Author: K.B.

  • Vjosa Osmani në Sllovi nderon Zejnepe Gashin dhe sakrificën e familjes së saj gjatë luftës

    Vjosa Osmani në Sllovi nderon Zejnepe Gashin dhe sakrificën e familjes së saj gjatë luftës

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qëndruar në familjen e Zejnepe Gashit në Sllovi të Lipjanit.

    Ajo tha se qëndrooi atë për të nderuar një histori, pasi Qëndrestarja e ndjerë Zejnepe Gashi jetoi me humbjen më të rëndë që mund të përjetojë një nënë dhe një grua.

    “Sot qëndruam në familjen e Zejnepe Gashit në Sllovi të Lipjanit, për të nderuar një histori të thellë dhimbjeje dhe qëndrese. Qëndrestarja e ndjerë Zejnepe Gashi jetoi me humbjen më të rëndë që mund të përjetojë një nënë dhe një grua. Gjatë luftës, ajo humbi bashkëshortin, dy djemtë dhe dy nipërit e saj. Në pranverën e vitit 1999, në këtë fshat u vranë edhe dhjetëra civilë të pafajshëm. Këto plagë nuk i përkasin vetëm një familjeje, por janë pjesë e kujtesës sonë kolektive”.

    “Muajin e kaluar, me përulësi dhe respekt të thellë, dekorova qëndrestaren e ndjerë Zejnepe Gashi me Medaljen Presidenciale të Meritave (post mortem), për sakrificën e jashtëzakonshme në betejën për drejtësi dhe për kontributin e saj të pashoq në dokumentimin e krimeve të kryera gjatë masakrës së Sllovisë në vitin 1999. Qëndruam pranë familjes së saj për të nderuar të kaluarën, por edhe për të forcuar përgjegjësinë tonë për të ardhmen. Sakrifica e familjes Gashi mbetet amanet për një shtet ku jeta, dinjiteti dhe e drejta mbrohen gjithmonë. Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë tonë”, ka thënë ai.

  • Dyshime për falsifikim dokumenti nga kompania turke dhe biznesmeni i afërt me VV’në për tenderin milionësh në Komunën e Prishtinës

    Dyshime për falsifikim dokumenti nga kompania turke dhe biznesmeni i afërt me VV’në për tenderin milionësh në Komunën e Prishtinës

    Komuna e Prishtinës vitin që shkoi kishte shpallur një tender për pastrimin dhe mirëmbajtjen e lumenjve dhe kanalizimeve me qëllim që kryeqyteti të mbrohet nga vërshimet. Vlera e parashikuar e tenderit ishte dy milionë euro. Për kontratë fillimisht u rekomandua kompania me vlerën më të lartë prej 1,9 milionë eurosh. Megjithatë, pas një ankese të bërë nga kompania e Eljesah Podvoricës, të afërmit me Lëvizjen Vetëvendosje, EING COM SHPK, tenderi u rikthye në rivlerësim. Për të njëjtën kompani ekzistojnë dyshime se, në konsercium me një kompani turke, ofruan një dokument të falsifikuar.

    Gazeta Insajderi iu drejtua Komunës së Prishtinës përmes qasjes në dokumente publike, duke kërkuar certifikatën e tatimit mbi të ardhurat dhe të dalat e MAVI Deniz, si dhe komunikimet me të. Kjo kompani e garoi në konsercium me EING COM SHPK. Megjithatë, nga komuna refuzuan kërkesën, duke thënë se procedura tenderuese është ende në fazën e rishqyrtimit.

    “Sektori i Prokurimit ju njofton se deri ne Vendimin (B08, B09 dhe B10), kur edhe konsiderohet i mbyllur aktiviteti i prokurimit atëherë mund të ofrohet qasja për palët e interesuara“, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

    Megjithatë, Gazeta Insajderi ka arritur ta sigurojë këtë dokument, saktësia dhe vërtetësia e të cilit ngelet e dyshimtë. Në dokumentin e certifikatës tatimore të lëshuar nga autoritetet turke që konserciumi “MAVI Deniz & EING COM SHPK” kanë prezantuar në ofertim të tenderit, data e dokumentit figuron 22/04/2025.

    “Që nga data 22/04/2025, tatimpaguesi, informacioni i të cilit jepet më poshtë, është i detyruar të paguajë brenda fushëveprimit të Nenit 22/A të Ligjit Nr. 6183. Nga shqyrtimi i të dhënave tona është kuptuar se nuk ka borxhe të kaluara“, thuhet në dokumentin që konserciumi ka prezantuar pranë Komunës së Prishtinës, të cilin e ka siguruar Insajderi.

    Përmes një verifikimi që Gazeta Insajderi ia ka bërë këtij dokumenti në platformën zyrtare të Republikës së Turqisë, ka marrë vesh se ky dokument është lëshuar më 18/01/2024.

    “Që nga data 22/04/2025, tatimpaguesi, informacioni i të cilit jepet më poshtë, është i detyruar të paguajë brenda fushëveprimit të Nenit 22/A të Ligjit Nr. 6183. Nga shqyrtimi i të dhënave tona është kuptuar se nuk ka borxhe të kaluara“, thuhet në sistemin elektronik të Turqisë.

    Gazeta Insajderi iu është drejtuar me pyetje kompanisë MAVI Deniz për një sqarim të këtij dokumenti, megjithatë deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë ndonjë përgjigje.

    Eljesah Podvorica dhe drejtori i kompanisë turke, Ali Altuntor, në dosjen e tenderit kanë siguruar deklaratën nën betim, e cila specifikon edhe mundësinë e sanksioneve penale.

    Kenan Gashi, ekspert i prokurimit publik, në një prononcim për Gazetën Insajderi ka bërë të ditur se kanë përpiluar një raport për këtë tender, përmes të cilit konsiderojnë se ky grup i operatorëve ekonomikë mund të kenë mashtruar Komunën e Prishtinës.

    “AVONET konsideron se Grupi i Operatorëve Ekonomikë EING COM SH.P.K.; MAVI DENIZ ÇEVRE HIZMETLERI A.Ş., dhe përfaqësuesit e tyre, përmes veprimeve të sipërpërmendura, mund të kenë mashtruar Autoritetin Kontraktues, duke nënshkruar deklarata nën betim dhe duke dorëzuar dokumentacion që nuk përputhet me gjendjen faktike, duke shkelur kështu dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik dhe Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thotë Gashi nga organizata jo-qeveritare AVONET.

    “Kërkojmë nga Komuna e Prishtinës që të verifikojë në mënyrë të plotë dhe të paanshme gjetjet e këtij hulumtimi dhe të ndërmarrë masa konkrete në përputhje me legjislacionin në fuqi, përfshirë referimin e rastit tek organet kompetente të ndjekjes penale, në mënyrë që të sigurohet zbatimi i ligjit dhe mbrojtja e interesit publik”, shtoi më tej ai.

    Fillimisht, Komuna e Prishtinës me kontratë prej 1,9 milion eurove e kishte shpërblyer grupin e operatorëve ekonomikë “Diga Solutions L.L.C, Construction SHPK dhe Industria Metalike e Kosovës“, duke e vlerësuar si ofertën e vetme të përgjegjshme.

    Lidhur me këtë konsercium, ankesë fillimisht në Komunën e Prishtinës kishte parashtruar kompania e biznesmenit Eljesah Podvorica. Megjithatë, ankesa ishte refuzuar nga Zyra e Prokurimit të kësaj komune.

    Të njëjtat ankesa EING COM SHPK i kishte adresuar në Gjykatën e Tenderëve. Organi Shqyrtues i Prokurimit i dha të drejtë kompanisë së biznesmenit Podvorica, duke obliguar Komunën e Prishtinës që ta pezullojë aktivitetin e prokurimit.

    Statusi aktual i këtij aktiviteti prokurimi është i pezulluar.

    Gazeta Insajderi ka raportuar disa herë lidhur me tenderët që kompania e Podvoricës fitoi nga komunat e udhëhequra nga VV’ja.

    Eljesah Podvorica jo rrallë herë është parë në shoqërinë e njerëzve të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Në vitin 2021, deputeti i LVV-së, Sali Zyba dhe pronari, Eljesah Podvorica ishin së bashku në një vizitë në Therandë.

    Dyshja shihen në një fotografi në shoqëri edhe të disa personave për rreth.

    Gazeta Insajderi së fundmi raportoi edhe për një telashe në një tender të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilin e kishte fituar kompania e biznesmenit Podvorica. Bëhet fjalë për tenderin për ri-adaptim të hapësirave në ndërtesat qeveritare.

    Dy kompani deponuan ankesë në Gjykatën e Tenderëve ndaj vendimit të MPB-së për të shpërblyer me kontratë kompanitë “Hexagon Construction sh.p.k.” dhe “Eing sh.p.k.”.

    Sipas një ankese, oferta fituese përmbante çmime dukshëm më të larta se çmimet reale të tregut në Kosovë, duke rrezikuar buxhetin. Aty pretendohet se dëmi i mundshëm financiar mund të kalojë mbi 500 mijë euro.

    “Në shumë pozicione çmimet janë të dhjetëfishuara krahasuar me çmimet reale të tregut në Kosovë”, thuhet në ankesë, ku theksohet se një praktikë e tillë bie ndesh me parimin e ekonomicitetit dhe vlerësimit të ofertës më të favorshme“.

    Ankesa rendit një sërë shembujsh konkretë të dallimeve drastike të çmimeve.

    Për shembull, demolimi i laminatit është ofertuar me 10 euro për metër, ndërkohë që çmimi real në treg është rreth 1 euro.

    Po ashtu, demolimi i dyerve është ofertuar me 50 euro për njësi, ndërsa në treg kushton vetëm 10 deri në 15 euro. Dallime të mëdha vërehen edhe në punimet e brendshme.

    Demolimi i tepisonit është ofertuar me 12.25 euro për metër, krahasuar me 1.5 deri në 2 euro në treg, ndërsa furnizimi dhe montimi i tepihut është ofruar me 40 euro për metër, ndonëse çmimi real sillet rreth 15 deri në 20 euro.

    Një tjetër shembull është montimi i plafonit të lëshuar, i cili është ofertuar me 40 euro për metër, ndërsa kostoja reale totale në treg nuk e kalon 10 euro. Edhe suvatimi është ofertuar me 20 euro për metër, krahasuar me rreth 5 euro në treg.

    Në ankesë përmenden edhe çmime të fryra për pajisje dhe instalime elektrike.

    Po ashtu, një rast i theksuar është ai i montimit dhe demontimit të kondicionerëve, ku për një njësi janë ofertuar gjithsej 400 euro, ndërsa çmimi real në treg është rreth 80 deri në 90 euro.

    Përveç çmimeve të larta, dokumenti ngre dyshime edhe për mospërputhje logjike në ofertë, si në rastin e dyerve, ku dimensionet më të vogla janë ofertuar më shtrenjtë se ato më të mëdha.

    Kjo kompani ka fituar miliona nga tenderët që ka marrë vazhdimisht në Komunën e Podujevës që udhëhiqet nga LVV. /Insajderi.org/

  • Deputeti i VV-së tallet pak me LDK-në: Rrini bre…

    Deputeti i VV-së tallet pak me LDK-në: Rrini bre…

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli është tallur me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pasi nuk u arrit marrëveshje për çështjen e Presidentit.

    Ai ka ironizuar me frazën që Kurti e kishte thënë për bashkëpartiakët e tij që u larguan dhe u angazhuan politikisht në PSD më pas.

    “Rrini bre merrni katër ministri, jo po shkojmë zgjedhje, ani shkojmë pra”, ironizoi Kërçeli.

    Kanë mbetur edhe tetë ditë kohë kushtetuese për t’u votuar Presidenti, nëse procesi dështon vendi automatikisht shkon në zgjedhje.

  • Të enjten dhe të premten mblidhet Kuvendi në nga 10:00

    Të enjten dhe të premten mblidhet Kuvendi në nga 10:00

    Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës mbajti sot mbledhjen e rregullt, ku u vendos që Kuvendi të mblidhet të enjten, në orën 10:00, për trajtimin e pikave të miratuara me shmangie nga afatet procedurale.

    Gjithashtu, të premten, po në orën 10:00, Kuvendi do mbajë një seancë në nderim të ish-kongresistit amerikan, mikut të madh të Kosovës, Eliot Engel, për të vijuar në orën 11:00 me seancën plenare të radhës, thuhet në njoftim.

    “Në mbledhjen e sotme Kryesia miratoi Rregulloren për procedurat, masat teknike dhe organizative për sigurinë e të dhënave personale në Kuvendin e Republikës së Kosovës, rekomandimin e Komisionit për Buxhet lidhur me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për periudhën 2027-2029, si dhe shqyrtoi çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj”, përfundon njoftimi.

  • Deda thotë se Kurti ka qëllime për kontroll absolut: Bisedat për qeverisje të përbashkët mund të bëheshin në janar

    Deda thotë se Kurti ka qëllime për kontroll absolut: Bisedat për qeverisje të përbashkët mund të bëheshin në janar

    Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka reaguar pasi nuk pati marrëveshje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.

    Ai ka pyetur retorikisht se a pati konsultime për zgjedhje të Presidentit apo për koalicion qeverisës.

    Tutje Deda tha se Kurti ka qëllime për kontroll absolut.

    “A patëm konsultime për zgjedhje të presidentit apo për koalicion qeverisës? Bisedat për qeverisje të përbashkët VV-LDK mund të bëheshin në janar e shkurt. Atëherë mund të mbaheshin edhe bisedat për president/e e të përfundonte kjo temë”.

    “Por ja që ai që thërret që gjeopolitika të udhëhiqet nga të majtët, ndërsa në shtëpi të vetën ja ofron politikën e jashtme të djathtës, nuk do as proces politik për figurën e presidentin/es, as nuk do president konsensual e as nuk do qeverisje të suksesshme. Krizat e vetëgjeneruara e permanente kanë vetëm një qëllim – kontrollin absolut. E qëllimet e tilla politke ndëshkohen në shoqëri me kapacitet demokratik”, ka shkruar Deda në Facebook.

    Kanë mbetur edhe tetë ditë kohë kushtetuese për t’u votuar Presidenti, nëse procesi dështon vendi automatikisht shkon në zgjedhje.

  • Haxhiu autorizon dërgimin e FSK’së në Gaza në kuadër të Forcës Ndërkombëtare atje

    Haxhiu autorizon dërgimin e FSK’së në Gaza në kuadër të Forcës Ndërkombëtare atje

    U.D Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu ka njoftuar se ka autorizuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion ndërkombëtar paqeruajtës, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.

    Ajo ka thënë se ky Kosova kishte nevojë për mbështetje, ndërsa sot merr përgjegjësi që të jep kontribut në skenën ndërkombëtare.

    “Pas miratimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, sot autorizova dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion ndërkombëtar paqeruajtës, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza. Ky vendim pasqyron një Kosovë që e kupton sigurinë si detyrim ndaj qytetarëve të saj dhe si përgjegjësi ndaj paqes dhe rendit ndërkombëtar”.

    “Nga një vend që dikur kishte nevojë për mbështetjen e të tjerëve, Kosova sot merr përgjegjësi dhe jep kontribut në skenën ndërkombëtare. Forca e Sigurisë së Kosovës është një institucion i ndërtuar me profesionalizëm dhe standarde të larta, e gatshme të shërbejë krah partnerëve tanë strategjikë. Pjesëmarrja në misione të tilla dëshmon pjekurinë shtetërore të Republikës sonë dhe vendin që Kosova po e forcon çdo ditë në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Haxhiu.

    Vjosa Osmani si presidente e kishte nënshkruar marrëveshjen e Bordit të Paqes të udhëhequr nga presidenti amerikan, Donald Trump, ku përfshine dhe këtë çështje.

  • Oferta e Kurtit për LDK-në, Hykmete Bajrami: Shantazh i paketuar si zgjidhje

    Oferta e Kurtit për LDK-në, Hykmete Bajrami: Shantazh i paketuar si zgjidhje

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas takimit të kryeministrit Albin Kurti dhe krytarit të LDK-së Lumir Abdixhiku.

    Bajrami përmes një postimi në facebook është shprehur se ajo se çfarë sot LDK-së nuk ishte kompromis ishte shantazh i paketuar si zgjidhje.

    Ndërsa ka shtuar se kjo nuk është qeverisje por është mënyrë për të sunduar.

    Postimi i plotë:

    Kosova nuk është në krizë vetëm tani për presidentin, Kosova është në krizë që gjatë vjet për shkak të keqqeverisjes së Albin Kurtit.

    Albin Kurti nuk dëshiron të jetë Kryeministër, ai dëshiron të jetë UD.Kyeminister, ai dëshiron të sundoj jo të udhëheqë, të jetë i pari i shtetit por jo të marrë përgjegjësi për këtë vend e për qytetarët që jetojnë nga kriza në kirzë.

    Sot, ai tentoi një tjetër lojë politike: katër ministri dhe një zëvendëskryeministër për LDK-në, por me një kusht që presidenti të mbetet në duart e tij.

    Kjo nuk është ofertë – është është presion.

    Kjo nuk është zgjidhje – është një tjetër përpjekje për të imponuar vullnetin e një njeriu mbi vullnetin e qytetarëve.

    Ajo që ju ofrua sot LDK-së nuk ishte kompromis – ishte shantazh i paketuar si zgjidhje.

    Ta themi qartë: oferta e Albinit nuk ishtë për të dalë nga nga kriza, por për ta kontrolluar atë.

    Sot është presidenti; dje ishte nafta; para tyre ishin energjia, çmimet, inflacioni, bizneset që po mbyllen dhe të rinjtë që po largohen çdo ditë. Ndërkohë, qytetarët në Dragash, Pejë, Prishtinë, Podujevë, Gjilan, Kaçanik e gjetiu nuk po jetojnë me ‘opsione politike’, qytetarët po jetojnë me fatura më të shtrenjta, me pasiguri dhe me mungesë shprese se në këtë vend do të bëhet mirë.

    Dhe derirsa ata përballen me këtë realitet, qeveria merret me skenarë dhe pazare, me gjetjen e fajtorit, por fajtor tjetër s’ka pos atij që i është dhënë besimi për të gjetur zgjidhje për problemet e qytetarëve.

    Mos u befasoni, nëse në minutat e fundit të afatit kushtetues të na paraqitet një tjetër ‘zgjidhje’, e ashtuquajtur ‘konsensuale’, sepse modeli është i njëjtë: krijo krizën, pastaj ofro zgjidhjen që të shërben ty.

    Kjo nuk është qeverisje – kjo është mënyrë për të sunduar, por nuk duhet të jetë befasi sepse Albin Kurti, që nga dita e parë, ka funksionuar përmes mashtrimit, gënjeshtrës dhe manipulimit që nga xhipat e zinj e të bardhë, te flamuri lara-lara, te bashkimi kombëtar që nuk ndodhi kurrë, e deri te premtimet për heqjen e TVSH-së për miell, sheqer e vaj.

    Qytetarët duhet përfundimisht të kërkojnë llogari për këtë që po ndodhë.

  • Rasti “Banjska”, me 24 prill shpallet aktgjykimi

    Rasti “Banjska”, me 24 prill shpallet aktgjykimi

    Ka përfunduar seanca në Gjykatën Themelore në Prishtinë për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.

    Në këtë seancë mbrojtja paraqiti gënjeshtra dhe trillime për të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

    Provat dhe faktet e Prokurorise kanë treguaë qart impikimin e tre serbeve në sulmin terrorist.

    Kujtojmë se është përmbyllur shqyrtimi gjyqësor dhe seanca për shpallje të aktgjykimit do të mbahet më 24 prill në ora 15:00.

  • Deputeti i PDK’së: Kurti është në politikë vetëm për të marrë sa më shumë pushtet, nuk ia dhame kënaqësinë të bëjë filma

    Deputeti i PDK’së: Kurti është në politikë vetëm për të marrë sa më shumë pushtet, nuk ia dhame kënaqësinë të bëjë filma

    Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, ka thënë se kjo parti politike me kohë e ka kuptuar lojën e Albin Kurtit.

    Mustafa tha se Kurti nuk njeh tjetër logjikë përpos kapjes së të gjitha pushteteve.

    “PDK e ka kuptuar me kohë lojën e Albin Kurtit. Ky njeri nuk njeh tjetër logjikë, përveç kapjes së të gjitha pushteteve. Ai nuk është në politikë për të ndërtuar, por vetëm për të marrë sa më tepër pushtet dhe për të sunduar. Prandaj, nuk i dhamë kënaqësinë që të luajë me emra për president dhe të bëjë filma”, ka shkruar Mustafa.

    Më 28 prill skadon afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, dështimi i të cilit proces çon vendin automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

    Të hënën, Albin Kurti u takua me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, por takimi përfundoi pa marrëveshje për çështjen e Presidentit.

  • Ekstradohet nga Gjermania në Kosovë i dyshuari për grabitje, kërkohej nga INTERPOL-i

    Ekstradohet nga Gjermania në Kosovë i dyshuari për grabitje, kërkohej nga INTERPOL-i

    Një shtetas i Kosovës i kërkuar me letër-rreshtim ndërkombëtar është ekstraduar nga Gjermania në Kosovë më 20 prill 2026, ka njoftuar Policia e Kosovës.

    Sipas autoriteteve, i dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet gjermane pas kërkesës përmes INTERPOL-it, ndërsa ndaj tij rëndon dyshimi për veprën penale “grabitje”, për të cilën kishte shmangur drejtësinë.

    Ekstradimi është realizuar në bashkëpunim mes institucioneve të Kosovës dhe atyre gjermane, në përputhje me ligjet në fuqi. Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë koordinimin ndërkombëtar për shkëmbim informacionesh dhe ndjekjen e personave të kërkuar, me qëllim parandalimin dhe luftimin e aktiviteteve kriminale brenda dhe jashtë vendit.

    Njoftimi i plotë:

    Ekstradohet nga Gjermania për në Kosovë i kërkuari me letër rreshtim ndërkombëtar

    Prishtinë, 20 prill 2026

    Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe në bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, me datën 20 prill 2026 ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Gjermania për në Kosovë.

    I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet gjermane, pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar, lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale ‘grabitje’ dhe se i njëjti i ishte shmangur drejtësisë.

    Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre gjermane.

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.