ATV

Author: K.B.

  • Caktohet masa e paraburgimit ndaj 19 ‘bixhozlinjëve’ në Mitrovicë

    Caktohet masa e paraburgimit ndaj 19 ‘bixhozlinjëve’ në Mitrovicë

    Gjykata Themelore në Mitrovicë përmes gjyqtares së procedurës paraprake, Marigona Lajqi, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 19 të pandehurve, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

    Sipas njoftimit të Gjykatës, masa e paraburgimit iu është caktuar të pandehurve me inicialet: A.B., D.S., N.M., B.M., R.S., A.I., B.I., B.S., F.M., M.S., B.B., A.R., A.M., N.H., D.M., A.M., Sh.A., Xh.S., F.D.

    Paraburgimi sipas aktvendimit, të pandehurve u llogaritet nga data 18.04.2026, е do të zgjasë deri me datën 18.05.2026.

  • Pastrohet zona te liqeni i Badocit, ‘Pastrimi’: Mos hidhni mbeturina, nga aty pimë ujë!

    Pastrohet zona te liqeni i Badocit, ‘Pastrimi’: Mos hidhni mbeturina, nga aty pimë ujë!

    Gjatë ditës së mërkurë, Kompania Regjionale ‘Pastrimi’ në bashkëpunim me organizatën “Let’s Do it Kosova”, pastruan zonën te liqeni i Badovcit.

    Përmes njoftimit zyrtar, qytetarëve iu bë thirrje që të tregojnë kujdes dhe të mos hedhin mbeturina kur e vizitojnë liqenin.

    “Bashkë me organizatën “Let’s Do it Kosova” pastruam zonën te liqeni i Badovcit. Përfunduam një punë të mrekullueshme. Por, kërkojmë nga ju qytetarë që të tregoni kujdes, MOS HEDHNI MBETURINA sa herë e vizitoni, sepse nga aty pimë ujë”, thuhet në njoftim.

  • Izraeli vret militantin e Hamasit që ishte përfshirë në sulmet e vitit 2023

    Izraeli vret militantin e Hamasit që ishte përfshirë në sulmet e vitit 2023

    Një palestinez që mori pjesë në sulmin e udhëhequr nga Hamas më 7 tetor 2023 është vrarë pasi iu afrua forcave izraelite në jug të Rripit të Gazës dje, njoftojnë ushtria izraelite dhe shërbimi i sigurisë Shin Bet

    Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), ai u identifikua duke vepruar pranë të ashtuquajturës “Vija e Verdhë” dhe duke iu afruar njësive të Divizionit të Gazës “në një mënyrë që përbënte kërcënim të menjëhershëm”, pas së cilës u shënjestrua dhe u vra në një sulm ajror.

    Pas një rishikimi të inteligjencës, IDF dhe Shin Bet e identifikuan personin si Khamis Muhammad Khamis Qassas, i cili sipas tyre kishte marrë pjesë në inkursionin e 7 tetorit dhe kishte hyrë në Kibucin Nir Oz gjatë atij sulmi.

    Sulmi i 7 tetorit 2023 konsiderohet si një nga ngjarjet më të rënda në historinë e fundit të konfliktit izraelito-palestinez.

    Atë ditë, militantë të udhëhequr nga Hamas ndërmorën një sulm të koordinuar nga Rripi i Gazës drejt territorit të Izraelit, duke depërtuar në komunitete kufitare, baza ushtarake dhe zona civile në jug të vendit. Gjatë sulmit u përdorën armë zjarri, raketa dhe mjete të tjera luftarake, ndërsa pati edhe rrëmbime të civilëve dhe ushtarëve izraelitë.

    Sipas autoriteteve izraelite, qindra civilë u vranë në atë ditë dhe dhjetëra persona u morën peng dhe u dërguan në Gaza, duke shkaktuar një përshkallëzim të madh të luftës në rajon.

    Ushtria izraelite thotë se Qassas më vonë kishte “udhëhequr militantë të tjerë drejt zonës së Vijës së Verdhë për të avancuar plane për sulme ndaj trupave të IDF-së”. Gjithashtu, gjatë konfliktit, ai dyshohet se ka marrë pjesë dhe ka udhëhequr sulme të tjera ndaj ushtarëve dhe civilëve izraelitë, sipas deklaratës së ushtrisë.

    Ngjarja e fundit, sipas IDF-së dhe Shin Bet, ndodhi gjatë një operacioni në jug të Gazës, ku forcat izraelite vepruan ndaj një personi që e konsideruan si kërcënim të drejtpërdrejtë në terren.

  • Detaje të reja për vrasjen e trefishtë në Podgoricë

    Detaje të reja për vrasjen e trefishtë në Podgoricë

    25-vjeçari Vehid Muriç është i dyshuari për vrasjen e vëllezërve Denis (28) dhe Nezir Hoti (35) nga Rozhaja dhe Kenan Miraljemoviqit nga Novi Pazari, të martën në Podgoricë.

    Krimi që ndodhi në një banesë me qira në Podgoricë, ku katër punëtorë ndërtimi jetonin së bashku, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Malit të Zi, është paraprirë nga “mosmarrëveshje personale mes personave të privuar nga jeta dhe të dyshuarit”.

    Pas rastit, 25-vjeçari dyshohet se më pas ka shkuar në vendlindjen e tij në Rozhajë tek familja e tij.

    Pak pas orës 20:00 mbrëmë, Policia e Malit të Zi njoftoi se Muriç ishte arrestuar.

    “Vijesti” raporton se katër punëtorët e ndërtimit ishin përfshirë në një debat për borxh.

    Policia ka bërë të ditur zyrtarisht se vrasjes, në të cilën është përdorur armë e ftohtë, i kanë paraprirë “mosmarrëveshje personale mes personave të vrarë dhe të dyshuarit”.

  • Vdekja e Auron Thaqit, vazhdon gjykimi ndaj dy të akuzuarve

    Vdekja e Auron Thaqit, vazhdon gjykimi ndaj dy të akuzuarve

    Seanca gjyqësore për rastin e vdekjes tragjike të Auron Thaqit në Prizren pritet të vazhdojë nesër në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

    Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj Enes Ay dhe Hajrullah Brcanit, të cilët në seancën fillestare janë deklaruar të pafajshëm.

    Seanca e radhës është caktuar të mbahet të enjten, më 23 prill 2026, duke filluar nga ora 13:15.

  • Rama takohet me Mitsotakis në Athinë: Do kapërcejmë çështjet e mbartura Shqipëri-Greqi

    Rama takohet me Mitsotakis në Athinë: Do kapërcejmë çështjet e mbartura Shqipëri-Greqi

    Kryeministri Edi Rama ndodhet në Greqi, ku do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Delfit.

    Rama ka zhvilluar një takim me homologun e tij Kyriakos Mitsotakis, me të cilin ka diskutuar një sërë çështjesh, mes të cilash edhe kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes Shqipërisë dhe Greqisë.

    “Me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, na lidh një miqësi e posaçme e farkëtuar në rrugën e përbashkët të ambicies për të modernizuar vendet tona dhe për t’i ngritur marrëdhëniet shqiptaro-greke në një nivel të ri. Përgjatë kësaj rruge jo vetëm momentet më të mira, po edhe ato më të vështirat janë karakterizuar gjithnjë nga komunikimi plot respekt e pa dorashka, ndërkohë që po punojmë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik”, shkruan Rama.

  • “Mbi 500,000 kg materiale të riciklueshme të grumbulluara nga Fondacioni Golden Eagle & Frutex

    “Mbi 500,000 kg materiale të riciklueshme të grumbulluara nga Fondacioni Golden Eagle & Frutex

    Brenda vetëm 12 muajve, njësia “Golden Eco”, në kuadër të Fondacionit Frutex & Golden Eagle, ka arritur të grumbullojë 521,215 kg materiale të riciklueshme, duke gjeneruar një vlerë prej 64,654 euro.

    Një pjesë e këtij buxheti është investuar në:
    60 kontejnerë (240L)
    20 kontejnerë (1000L)
    27,000 fletore për nxënësit

    Se shpejti do të fillojn edhe projekte te reja

    Kjo nuk është vetëm një shifër — është një ndikim i vërtetë dhe i prekshëm në komunitet.”

  • Kuvendi i KMSHK-së mori vendim për tetë ankesa

    Kuvendi i KMSHK-së mori vendim për tetë ankesa

    Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej 8 ankesa. Anëtarët e Kuvendit të KMShK-së kanë vendosur që të miratohen tri nga to, një të miratohet pjesërisht, dy të refuzohen dhe dy ankesa të shpallen të patrajtueshme.

    Ankesat kishin të bënin me pretendimet për shkeljen e kapitujve të caktuar të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, përkatësisht Kapitullit II – Raportimi i së vërtetës, Kapitullit IV – E drejta për t’u përgjigjur, Kapitullit V – Personat e përfshirë në incidente, aksidente, të arrestuar apo të akuzuar për vepra penale, Kapitullit VI – Trajtimi i tragjedive personale, mbrojtja e fëmijëve dhe të miturve dhe Kapitullit VII – Privatësia dhe mbrojtja e burimeve.

    KMShK ka miratuar ankesën e Nasuf Hasanit kundër Insajderi.org shkrimi me titull “’Tragjedia’ e Avokatit të Kryeparlamentares: Kur Oda e Avokatëve të lë pa ‘Kënaqësi Jete’”, duke konstatuar se janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur.

    KMShK ka miratuar ankesën e Kushtrim Reshitajt kundër Rahoveci24.com për publikimin e fotografisë së një mituri dhe cilësimeve ndaj tij, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli VI i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjnë me raportimin për të miturit.

    KMShK ka miratuar ankesën e Fatjon Bytyqit kundër Sinjali.com për publikimin e fotografisë së një qytetari, bashkë me pretendimet se ai është kryes i veprave penale, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli V i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjnë me prezumimin e pafajësisë,

    KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën Ministrisë së Sportit dhe Rinisë kundër Nacionale.com, lidhur me pretendimet për largimin e një fotografie nga zyra e ministrit, duke konstatuar se është shkelur pjesërisht Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës.

    KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Granit Gojanit kundër Nacionale.com lidhur me publikimin e disa shkrimeve, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe VII të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht mbrojtjen e burimeve dhe privatësinë, ashtu siç pretendon pala ankuese.

    KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Ardian Berishës kundër Buletiniekonomik.com për shkrimin me titull “Konsulencat për ZRrE përfunduan te kompania e ish-drejtorit të tarifave”, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, ashtu siç pretendon pala ankuese.

    KMShK e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Limi Project Sh.P.K dhe Rinesa Sh.P.K
    kundër Berat Buzhalës, pasi që KMShK nuk ka kompetencë të merret me ankesat ndaj individëve, në këtë rast ndaj një gazetari.

    KMShK e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Adriana Hoxhiqit, përfaqësuar nga avokati Arbër Shala, kundër faqes në Facebook “Veriu i Kosovës”, pasi që nuk ka kompetencë të trajtojë përmbajtjet e publikuara në rrjetet sociale.

  • Shpërthimi i deputetit Geci, iu drejtua me fjalë të rënda edhe Vlora Çitakut

    Shpërthimi i deputetit Geci, iu drejtua me fjalë të rënda edhe Vlora Çitakut

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, përdori gjuhë denigruese ndaj deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, përgjatë seancës për energjinë elektrike.

    Teksa kritikohej për deklaratën që dha, duke uruar që ish-presidenti Hashim Thaçi të dënohet në Hagë sikurse Naim Murseli me burgim të përjetshëm, iu drejtua me gjuhë denigruese deputetes Çitaku.

    “I ke bë 100 vjet, ke mbetë pa martu. Gru e keqe”, dëgjohet duke i thënë Çitakut, derisa kjo e fundit dëgjohet tek i thotë: “Mos ashtu”.

    I njëjti deputet dje, përdori fjale te renda drejtuar ish-presidentit të Kosovës Hashi Thaçi i cili ndodhet në Hagë.

    Ai ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për ish-presidentin Hashim Thaçi, gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës.Geci tha se Thaçin do ta ndjek fati i Naim Murselit, i cili u dënua sot me burgim të përjetshëm.

    “Sot, dua të përshëndes vendimin e gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murseli. Dhe ju (duke iu drejtuar deputetëve të PDK-së) që shpresoni se lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat. Por, edhe nëse lirohet ai nuk ka kurrfarë kredibiliteti përball Albin Kurtit”, deklaroi Geci mes të tjerash.

  • Kryeministri i ri hungarez, Magyar pritet të betohet më 9 maj

    Kryeministri i ri hungarez, Magyar pritet të betohet më 9 maj

    Lideri i ardhshëm i Hungarisë, Péter Magyar pritet të betohet si kryeministër më 9 maj, pasi presidenti Tamas Sulyok njoftoi se parlamenti i ri do të mblidhet për seancën e tij inauguruese në atë datë.

    Sulyok e bëri të ditur dje vendimin përmes një postimi në “Facebook”.

    Partia “Tisza”e Magyar, siguroi 52% të votave në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në fillim të këtij muaji, duke i dhënë fund 16 viteve në pushtet të kryeministrit Viktor Orbán.

    Sipas sistemit zgjedhor hungarez, ky rezultat përkthehet në një shumicë prej dy të tretash në parlament, e mjaftueshme për të ndryshuar kushtetutën.

    Pas propozimit nga presidenti, parlamenti mund të zgjedhë kryeministrin me mbështetjen e të paktën 50% të deputetëve.

    Zgjedhja e Magyar në postin e kryeministrit konsiderohet një formalitet.

    Sulyok u zgjodh president nga parlamenti në vitin 2024 me mbështetjen e partisë populiste “Fidesz” të Orbán.

    Magyar ka deklaruar se e konsideron Sulyok “jo legjitim” dhe ka kërkuar dorëheqjen e tij pas formimit të qeverisë së re.

    Ai ka paralajmëruar se nëse kjo nuk ndodh, grupi parlamentar i “Tisza-s” do të paraqesë ndryshime kushtetuese që do të mundësonin shkarkimin e tij nga detyra.