ATV

Author: K.B.

  • Konjufca nga Forumi Ekonomik në Greqi i kërkon BE’së që t’ia japë shpejt Kosovës statusin e kandidatit

    Konjufca nga Forumi Ekonomik në Greqi i kërkon BE’së që t’ia japë shpejt Kosovës statusin e kandidatit

    Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, mori pjesë në panelin “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian: Drejt integrimit të plotë” në Forumin Ekonomik të Delfit në Greqi.

    Në njoftimin e ministrisë thuhet se Konjufca “theksoi nivelin e lartë të përvetësimit për vlerat e BE-së që ka populli i Kosovës dhe progresin që e kemi bërë në rrugën drejt anëtarësimit”.

    “Ai kërkoi veprim më të shpejtë për sigurimin e statusit të kandidatit për Kosovën dhe theksoi se integrimi i rajonit është një investim strategjik për Evropën”, vijon njoftimi.

    Në fjalimin e tij tha se “Kosova është gati për hapa të mëtejshëm dhe Bashkimi Europian duhet të mbështesë këtë angazhim për të forcuar jo vetëm stabilitetin rajonal, por edhe të Evropës në përgjithësi”.

    “Lënia pas e Kosovës do të rrezikonte të kthente Ballkanin Perëndimor nga WB6 në WB5, duke dobësuar momentumin e rajonit drejt integrimit në BE”, thuhet në njoftim.

  • Pacolli përkrah vendimin e Qeverisë Kurti për Gardën e Natyrës

    Pacolli përkrah vendimin e Qeverisë Kurti për Gardën e Natyrës

    Biznesmeni Behgjet Pacolli, ka përkrahur vendimin e qeverisë për themelimin e Gardës për Mbrojtjen e Natyrës, duke thënë se, Kosova ka shumë nevojë për mbrojtjen e natyrës.

    Pacolli ka thënë edhe se, vendit i duhet më shumë pastërti, si dhe, ruajtje e maleve dhe vegjetacionit.

    Postimi:

    Një nga vendimet më të nevojshme dhe më të mira që ka marrë Qeveria Kurti është themelimi i Gardës për Mbrojtjen e Natyrës, si një aleancë me qytetarët për mbrojtjen e mjedisit tonë.

    Kosova ka shumë nevojë për mbrojtjen e natyrës, për më shumë pastërti, për pastrimin e lumenjve, si dhe për ruajtjen e maleve dhe vegjetacionit.

    Ne jemi vërtet të denjë vetëm atëherë kur sillemi me dinjitet edhe ndaj natyrës, këtij thesari që na e ka dhuruar Perëndia. Prandaj, duhet ta mirëpresim dhe ta mbështesim këtë nismë!

  • Kusari-Lila pret homologun turk, diskutohet zgjerimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë mes Kosovës dhe Turqisë

    Kusari-Lila pret homologun turk, diskutohet zgjerimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë mes Kosovës dhe Turqisë

    Ministrja e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka pritur në takim ministrin e Tregtisë së Turqisë, Omer Bolat, në vizitën e tij të parë zyrtare gjatë këtij mandati.

    Gjatë takimit, palët vlerësuan marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve dhe theksuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit strategjik.

    “Kosova dhe Turqia janë dy vende mike dhe bashkëpunimi ynë strategjik në fushën e sigurisë, diplomacisë, ekonomisë dhe shumë fusha tjera, po zgjerohet dhe forcohet me bashkëpunime të reja”, ka deklaruar ministrja.

    Ajo theksoi se shkëmbimet tregtare kanë shënuar rritje, sidomos në eksportet nga Kosova, por mbetet sfidë niveli më i lartë i importeve nga Turqia.

    “Kemi ende punë për të bërë pasi importet vazhdojnë të jenë në masë më të larta. Ky deficit nga ana e Kosovës kërkon qasje të re dhe më shumë fokus në zhvillimin e prodhimit dhe tërheqjen e investimeve turke në sektorin e prodhimit”, thuhet në njoftim.

    Një ndër temat kryesore ishte edhe zgjerimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, për të përfshirë sektorin e shërbimeve.

    “Duke e marrë parasysh se shkëmbimi tregtar në shërbime ka rritje eksponenciale për Kosovën, u dakorduam që kjo marrëveshje të zgjerohet duke përfshirë edhe tregtinë e lirë në shërbime”, ka theksuar ajo.

    Po ashtu, u diskutua për avancimin e bashkëpunimit përmes komisionit të përbashkët ekonomik JETCO dhe për mundësitë në teknologji dhe parqe industriale.

    “Kosova ka potencial të madh, sidomos në kapitalin njerëzor. Prandaj, bashkëpunimi ynë duhet të zgjerohet edhe në shërbime, inovacion dhe investime strategjike”, ka përfunduar Kusari-Lila.

  • Rama: Mbjellja e rreth 100 kurorave në rrugën “Tirana” hap drejt gjelbërimit urban në Prishtinë

    Rama: Mbjellja e rreth 100 kurorave në rrugën “Tirana” hap drejt gjelbërimit urban në Prishtinë

    Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka bërë të ditur se në Ditën e Tokës është realizuar mbjellja e rreth 100 kurorave të reja në rrugën “Tirana”, si pjesë e përpjekjeve për zgjerimin e hapësirave të gjelbra në qytet.

    “Mbjellja e rreth 100 kurorave të reja në rrugën ‘Tirana’, në Ditën e Tokës, shënon një hap konkret drejt gjelbërimit të hapësirave urbane”, ka shkruar Rama.

    Sipas tij, kjo ndërhyrje synon të përmirësojë cilësinë e ajrit dhe të kontribuojë në transformimin gradual të zonës në një hapësirë më të jetueshme për qytetarët.

    “Kjo ndërhyrje synon përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe transformimin gradual të zonës në një hapësirë më të jetueshme për qytetarët”, thotë tutje ai.

  • Abdixhiku pret në takim Palatovën, theksohet nevoja urgjente për stabilitet institucional

    Abdixhiku pret në takim Palatovën, theksohet nevoja urgjente për stabilitet institucional

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim shefen në detyrë të Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova.

    Sipas njoftimit të LDK-së, gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë në proceset negociuese dhe situatën aktuale institucional.

    Abdixhiku theksoi se, përkundër angazhimit maksimal dhe qëndrimeve të qarta të LDK-së në mbrojtje të parimeve demokratike, këto procese nuk kanë prodhuar rezultat.

    “Në këtë kontekst kryetari Abdixhiku nënvizoi nevojën urgjente për stabilitet institucional, përgjegjësi politike dhe ndërtimin e një alternative të qëndrueshme, që i përgjigjet pritjeve të qytetarëve për zhvillim dhe mirëqenie. Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Bashkimi Evropian i ka dhënë Kosovës, duke vlerësuar rolin e BE-së si të rëndësishëm në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe avancimin e agjendës evropiane të vendit”, thuhet në njoftim.

  • Mesazh pa fjalë, Endriti publikon foton e Thaçit krah Adem Jasharit

    Mesazh pa fjalë, Endriti publikon foton e Thaçit krah Adem Jasharit

    Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka publikuar një fotografi të babait të tij.

    Në këtë fotografi, Thaçi shihet krah komandantit legjendar Adem Jashari.

    Ky mesazh i Endritit erdhi pas deklarimit të djeshëm të deputetit të VV-së, Fatos Geci.

  • Nol Nushi: “Lista Guxo është vegël politike e Kurtit, aty strehohen të gjithë ata që kanë qëndrime kundër UÇK-së”

    Nol Nushi: “Lista Guxo është vegël politike e Kurtit, aty strehohen të gjithë ata që kanë qëndrime kundër UÇK-së”

    Anëtari i PSD-së Nol Nushi ka komentuar deklaratat politike dhe mënyrën e reagimit të kryeministrit Albin Kurti lidhur me deklaratën e deputetit Fatos Geci në Kuvendin e Kosovës.

    Geci në seancë kishte krahasuar gjykimin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në Gjykata Speciale me rastin e Naim Murseli, duke lënë të kuptohet se mund të ketë të njëjtin rezultat me dënim të përjetshëm.

    Në një paraqitje në emisionin Kosova Live në T7, Nushi kritikoi mënyrën se si kryeministri Kurti është distancuar nga deklarata, duke theksuar se deputeti Geci është pjesë e Lista Guxo dhe jo e Lëvizja Vetëvendosje.

    Ai u shpreh:

    “Ai po don me mbajt gjallë këtë urrejtje dhe e ka gjetë një vegël që është Lista Guxo, ku krejt ata që kanë qëndrime të ashpra ndaj UÇK-së, ndaj komandantëve dhe ndaj luftës në përgjithësi, regjistrohen dhe anëtarësohen në Guxo dhe bëhen deputetë përmes kësaj partie. Pastaj Kurti del lehtë dhe thotë: ‘këta s’janë në partinë time’.”

    Nushi shtoi se, sipas tij, kryeministri Kurti po tenton të mbajë gjallë një narrativë të tillë përmes bashkëpunimeve politike, përfshirë edhe me Lidhja Demokratike e Kosovës.

    “Mundet nesër, masnesër me u themelu një parti anti-UÇK, le të regjistrohen këta njerëz në atë parti dhe e dimë të gjithë. Mirëpo Kurti po don me mbajt gjallë këtë urrejtje ndaj krahut të luftës. Sepse siç po shihet, Kurti është zgjeruar duke u lidhë me LDK-në, që është, si të them, pjesa përballë krahut të luftës”, tha ai.

  • Musliu i reagon Fatos Gecit pas gjuhës seksiste ndaj Vlora Çitakut: Nuk heshtim e nuk frikësohemi

    Musliu i reagon Fatos Gecit pas gjuhës seksiste ndaj Vlora Çitakut: Nuk heshtim e nuk frikësohemi

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar ndaj deputeti të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Fatos Geci, pasi përdori gjuhë seksiste ndaj Vlora Çitakut.

    Musliu tha se Çitaku nuk ofendohet e as nuk frikësohet, duke thënë se zëri i tyre do të jetë gjithmonë më i fortë sesa çdo tentativë për ta shuar atë.

    “Sa herë më kanë ofenduar, më kanë paragjykuar, bullizuar e më kanë kërcënuar, asnjëherë nuk jam viktimizuar dhe nuk kam kërkuar mbështetje apo mbrojtje nga askush. Ama kam reaguar fuqishëm dhe me zë të lartë kundër tendencës që sharjet, fyerjet e kërcënimet të bëhen normë, të bëhen standard në vendin tonë”.

    “Edhe sot e dënoj ashpër gjuhën që u përdor ndaj Nënkryetares së Kuvendit, Vlora Çitaku. Jo pse Vlora ndjehet e ofenduar as që ja ka frikën dikujt por për t’i treguar secilit që merr guximin të ofendojë, linçojë apo kërcënojë një grua, se rruga jonë është rrugë e trasuar nga gra që kanë sfiduar mentalitete kanë thyer barriera kanë mposhtur aqrmiq dhe nuk janë zmbrapsur asnjëherë para padrejtësisë nga kushdo që ka ardhë. Prandaj, kushdo që mendon se mund të na heshtë me fyerje apo kërcënime, gabon rëndë. Ne nuk tërhiqemi, nuk frikësohemi dhe nuk ndalemi. Zëri ynë do të jetë gjithmonë më i fortë se çdo tentativë për ta shuar atë”, ka shkruar Musliu në Facebook.

  • Në raportin e Këshillit të Evropës kërkohet “depolitizimi i plotë” i KQZ-së

    Në raportin e Këshillit të Evropës kërkohet “depolitizimi i plotë” i KQZ-së

    Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka vlerësuar në raportin e saj për zgjedhjet e 28 dhjetorit se ato janë zhvilluar në mënyrë të qetë dhe profesionale.

    Në raport, mes tjerash theksohet se procesi ishte teknikisht i përgatitur mirë pavarësisht afateve të shkurtra dhe në përgjithësi u konsiderua gjithëpërfshirës.

    “Zhvillimet pozitive përfshinin një ton më të butë fushate, mungesën e ankesave zyrtare në lidhje me gjuhën e urrejtjes dhe incidenteve serioze”, u tha më tej në raport..

    Në të, janë ngritur shqetësime për siç u tha politizimin e KQZ-së.

    “Natyra publike e këtyre debateve, e kombinuar me përbërjen e KQZ-së bazuar në parti, përforcoi shqetësimet se konsideratat politike mund të kenë ndikuar në atë që është në thelb një vendim administrative”.

    “Në përputhje me standardet e Komisionit të Venedikut mbi administrimin zgjedhor – të cilat theksojnë se organet e menaxhimit të zgjedhjeve “jo vetëm që duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme, por edhe të perceptohen sikur veprojnë kështu” – ky episod nënvizoi një dobësi strukturore në modelin aktual: kur vendimet në lidhje me certifikimin në raste politikisht të ndjeshme merren nga “organe të përbëra nga të emëruar partiakë”, ekziston një rrezik në rritje që si siguria ligjore ashtu edhe besimi publik “të mund të minohen, edhe nëse nuk ka ndonjë konstatim formal të paligjshmërisë”, u potencua në raport, transmeton Klankosova.tv.

    Më tej, Asambleja bën thirrje për reforma si dhe depolitizim të KQZ-së.

    “Prandaj, delegacioni inkurajon autoritetet e Kosovës që të adresojnë disa çështje kyçe për të forcuar më tej integritetin dhe përfshirjen e procesit zgjedhor, duke përfshirë: sigurimin e depolitizimit të plotë të KQZ-së, në mënyrë që organet e menaxhimit të zgjedhjeve jo vetëm të veprojnë në mënyrë të paanshme, por edhe të perceptohen si të paanshme”.

  • Mjekëve ukrainas që veprojnë në frontin e luftës Dua Lipa ua çon dhuratë një veturë

    Mjekëve ukrainas që veprojnë në frontin e luftës Dua Lipa ua çon dhuratë një veturë

    Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka dërguar një makinë për mjekët ukrainas të cilët gjenden në vijën e parë të frontit.

    Siç shkruan “The Telegraph”, dorëzimin e automjetit tek mjekët e ka bërë nëna e këngëtares.

    Lidhur me këtë veprim të këngëtares me origjinë nga Kosova ka pasur reagime edhe nga zyrtarë ukrainas.

    Anton Garashchenko ka thënë se vetura do të përdoret për evakuime dhe detyra operative në zonën e luftimeve.

    “Fondet u mblodhën në një aktivitet bamirësie të organizuar nga Service95, një platformë e themeluar nga Dua Lipa. Paratë u transferuan në Driving Ukraine, e cila pajis automjete për mjekët dhe personelin ushtarak”, ka shkruar ai.