ATV

Author: K.B.

  • Peci për konferencën e Kurtit me Feride Rushitin te Presidenca: Keqpërdorim flagrant

    Peci për konferencën e Kurtit me Feride Rushitin te Presidenca: Keqpërdorim flagrant

    Ish-ambasadori i Kosovës, Lulzim Peci, ka reaguar në rrjetet sociale pas paraqitjes së ish-kryeministrit Albin Kurti në zyrat e Presidenca e Republikës së Kosovës së bashku me kandidaten e Lëvizja Vetëvendosje për presidente, Feride Rushiti, vetëm pak minuat pas shpërndarjes së Kuvendit

    Përmes një postimi në Facebook, Peci e cilësoi këtë veprim si “keqpërdorim flagrant” të Zyrës së Presidentit për qëllime politike.

    Sipas tij, pamjet e publikuara flasin vetë dhe tregojnë mënyrën se si, sipas tij, po tentohet të arrihen objektivat politike.

    “Keqpërdorimi flagrant i Zyrës së Presidentit të Kosovës nga Kryeministri i Kosovës dhe një kandidate e VV për presidente të vendit, nuk do fare koment. Mjafton vetëm të shikosh dhe i kupton të gjitha, prej mendësisë deri te mënyra e përpjekjeve për arritjen e qëllimeve politike. Pamje më kuptimplote moti nuk kemi pa,” ka shkruar Peci.

  • Arrin në Kosovë Mit’hat Llozhani, ndodhej në paraburgim në Serbi

    Arrin në Kosovë Mit’hat Llozhani, ndodhej në paraburgim në Serbi

    Ka arritur në Kosovë Mit’hat Llozhani, i cili nga shkurti ishte në paraburgim në Serbi.

    Lajmin për arritjen e tij në vendlindje e ka bërë të ditur avokati i tij, Arianit Koci.

    “Mit’hat Llozhani, i arrestuar në Serbi, sot është liruar dhe posa ka hy në Kosovë.

    Ka kaluar nëpër një periudhë jo të lehtë.

    Më shumë informata do t’i japim bashkë me Mit’hatin, ditëve në vijim” ka deklaruar Koci.

    Sipas avokatit, lirimi i Llozhanit ka qenë një proces aspak i lehtë

    Llozhani ishte arrestuar në kufirin Serbi-Kroaci, pasi gjatë kontrollit trupor iu gjet në xhep kartela e anëtarësisë së veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

  • Nazarko: Osmani e ka shpëtuar Kurtin nga ‘non grata’ në SHBA

    Nazarko: Osmani e ka shpëtuar Kurtin nga ‘non grata’ në SHBA

    Gazetari Mentor Nazarko deklaroi se Vjosa Osmani është personi “që e ka ruajtur boshtin euroatlantik të Kosovës” dhe që “ka shpëtuar edhe zotin Albin Kurti nga shpallja “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

    Duke folur për situatën politike në Kosovë, Nazarko u shpreh: “Në gjykimin tim, afirmimi i Osmanit ishte një bllof minimalisht, por shah real efektivisht që t’i thoshte zotit Kurti, “pse ti nuk e do Osmanin”? Çfarë është Osmani? Pse ai e refuzon Osmanin? Osmani është dikushi që e ka ruajtur boshtin euroatlantik të Kosovës. Bosht të cilin kryeministri ndoshta ka tentuar ta zhvendosë ndonjëherë. E ka shpëtuar edhe zotin Kurti nga shpallja “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka një thashethem të tillë. I ka ofruar mundësinë që të ketë zgjedhje 28 dhjetor. Pra, i ka bërë shumë shërbime, ka funksionuar si një tandem i shkëlqyer, por ndërkohë edhe e ka penguar që ai në Gjykatë Kushtetuese, në diplomaci, në drejtësi, të vendosë vetëm njerëzit që vijnë nga një rrymë politike”.

    Nazarko kritikoi edhe opozitën: “Në gjykimin tim, opozita nuk ka luajtur mirë. Përgjegjësinë më të madhe e ka ai që ka shumicën dhe ai është duke shfrytëzuar jomoralisht avantazhet që ka për shkak të shumicës. Çka është më e rëndë është se imazhi i Kosovës është i një vendi që nuk arrin dot të bëjë kompromis së brendshmi, lëre pastaj të bëjë kompromis së jashtmi. Është imazhi i shtetit të papjekur dhe kjo ndodh kur bota s’e ka mendjen fare çfarë është duke ndodhur në Kosovë apo Ballkan. Kështu që, unë mendoj që në këtë situatë përgjegjësia është tek të dy palët. Opozita duhet t’i thërrasë mendjes se përndryshe do qajë ashtu siç bëri vitin që shkoi. Rrezikojmë që edhe në këtë situatë, kurdo që të votohet, në maj, në qershor, në korrik, prapë populli i Kosovës të jetë i bindur që opozita e ka fajin dhe që Kurti ka të drejtë”. / a2cnn

  • Krimet e luftës: Seanca ndaj Grujica Veljoviq mbahet në mungesë

    Krimet e luftës: Seanca ndaj Grujica Veljoviq mbahet në mungesë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar caktimin e seancës gjyqësore në rastin penal ndaj të akuzuarit për krime lufte, Grujica Veljoviq, një proces që pritet të zhvillohet në mungesë, për shkak se ky ende nuk është kapur nga drejtësia.

    Seanca pritet të nis nga ora 09:30.

    Sipas njoftimit zyrtar, Veljoviq përballet me akuzën për “krime të luftës kundër popullsisë civile”, vepër që fillimisht ka qenë e paraparë me ligjin penal të ish RSFJ-së, ndërsa në legjislacionin aktual të Kosovës klasifikohet si “krime kundër njerëzimit”.

    Vendimi për mbajtjen e gjykimit në mungesë është marrë pas propozimit të Prokuroria Speciale e Kosovës, duke u bazuar në faktin se i pandehuri vazhdon të jetë i paarritshëm për institucionet e rendit dhe drejtësisë.

    Në të njëjtën kohë, gjykata i ka bërë thirrje publike Grujica Veljoviq që të paraqitet dhe të dorëzohet pranë autoriteteve kompetente në Kosovë, në mënyrë që procesi gjyqësor të zhvillohet me praninë e tij.

  • Deda: Lojë e papërgjegjshme që rriti temperaturën politike, Rushiti nuk duhej të përfshihej

    Deda: Lojë e papërgjegjshme që rriti temperaturën politike, Rushiti nuk duhej të përfshihej

    Komentatori politik Ilir Deda në Politiko kritikoi zhvillimet e fundit politike, duke thënë se ajo që ndodhi mbrëmë ka kontribuar në rritjen e temperaturës politike dhe thellimin e polarizimit në vend.

    Sipas Dedës, situata e krijuar nuk ishte e domosdoshme dhe ka prodhuar efekte negative në skenën politike.

    “Mbrëmë ka dalë një lojë e cila çfarëdo që ka qenë, ka qenë e papërgjegjshme, e ka rrit temperaturën politike edhe e ka thellu polarizimin tek ne. Kjo është lojë, menaxhim i perceptimit politik,” ka deklaruar ai.

    Deda ka shprehur keqardhje edhe për përfshirjen e zonjës Rushiti në këtë situatë, duke theksuar se nuk ka pasur nevojë që ajo të bëhej pjesë e këtij polarizimi politik.

    “Mua më vjen keq që zonja Rushiti u bë pjesë e këtij polarizimi, se nuk ka pasë nevojë hiq me qenë pjesë e kësaj,” u shpreh ai.

  • Tirana kryeqyteti i 4-t më i shtrenjtë në Europë, ja ku ndodhet Prishtina

    Tirana kryeqyteti i 4-t më i shtrenjtë në Europë, ja ku ndodhet Prishtina

    Me çmimet mesatare të apartamenteve në kryeqytet që e kanë kaluar 2 mijë euro për metër katror dhe pagat që janë rritur me ritme shumë më të ngadalta, Tirana ka arritur Milanon për çmimet e shtëpive të matura sipas fuqisë blerëse, ndërsa është bërë ndër kryeqytetet më të shtrenjta të Europës. Prishtina ndodhet në vendin e nëntë.

    Sipas të dhënave më të fundit nga Numbeo, një njësi globale e të dhënave, që mat indeksin e përballueshmërisë së blerjes së pasurive të paluajtshme, raporti çmim ndaj të ardhura në vitin 2026 ka arritur në 17.6 vjet. Ky tregues llogaritet si raport mes çmimit mesatar të apartamentit dhe të ardhurave të disponueshme të një familjeje, i shprehur në vite të ardhurash.

    Raporti çmim/të ardhura mat sa vite të ardhura familjare duhen për të blerë një apartament mesatar. Sa më i ulët raporti, aq më e përballueshme është blerja e banesës. Llogaritja bazohet në të ardhurat neto familjare, madhësinë mesatare të apartamentit prej 90 m² dhe çmimin mesatar për metër katror në qendër dhe jashtë qendrës së qytetit.

    Shqipëria renditet si kryeqyteti i katërt më i shtrenjtë në Europë, pas Moskës në Rusi, që kryeson me 22 vite, Lisbonës në Portugali me 19.2 vite dhe Pragës në Republikën Çeke me 18.6 vite. Në Romë, kryeqytetin Italian, duhen mesatarisht 14.5 vite punë, po kaq dhe në Vjenë, në Paris 15.4 vite. Tirana ia ka kaluar dhe Beogradit, që deri tani mbante fronin si kryeqyteti më i shtrenjtë në rajon, sipas fuqisë blerëse, i cili ka zbritur pas kryeqytetit shqiptar, me 16.4 vite.

    Interesant është fakti, që Tirana është bërë po aq e shtrenjtë sa dhe Milano, banorëve të së cilës u duhen 17.7 vite për të blerë një apartament. Po arsyet që po nxisin rritjen e çmimeve në Milano janë krejt të ndryshme.

    Vitet e fundit, Milano është shndërruar në një nga qendrat kryesore të biznesit dhe financës në Europë, duke tërhequr kompani shumëkombëshe, fonde investimi dhe zyra rajonale të korporatave të mëdha. Pas Brexit, shumë institucione financiare dhe shërbime profesionale zhvendosën aktivitetin drejt qyteteve si Milano, duke rritur kërkesën për zyra dhe banesa.

    Kjo është shoqëruar edhe me zhvillimin e zonave të reja urbane, si Porta Nuova apo CityLife, që kanë tërhequr një segment të ri blerësish me të ardhura të larta. Pavarësisht se banorët e Milanos ankohen se jetesa është bërë më e shtrenjtë për ta, rritja e çmimeve në Milano, në fund të fundit ka reflektuar një ekonomi që po zgjeron bazën e saj produktive dhe që po tërheq punonjës të kualifikuar dhe investime afatgjata.

    Kërkesa për banesa në këtë rast mbështetet nga paga më të larta, prania e bizneseve të mëdha dhe një treg më i zhvilluar qirash, ku pronat shfrytëzohen në mënyrë më efikase, elemente që kanë nxitur dhe rritjen e punësimit dhe mundësive për vendasit.

    Në Tiranë, panorama është ndryshe. Shtrenjtimi i çmimeve të apartamenteve nuk është shoqëruar me një rritje të ngjashme të të ardhurave apo me hyrjen e investimeve të mëdha të huaja që do të mbështesnin kërkesën. Ndryshe nga Milano, ku tregu i pasurive të paluajtshme ushqehet nga një ekonomi e zgjeruar dhe ndërkombëtarizuar, në Tiranë kërkesa mbetet më e kufizuar dhe më e brishtë.

    Të huajt, të cilët kanë shtuar praninë në tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme, në pjesën më të madhe preferojnë zonat bregdetare, ku investimi lidhet më shumë me turizmin dhe përdorimin sezonal të pronave. Në kryeqytet, interesi i tyre mbetet më i kufizuar.

    Nga ana tjetër, blerësit vendas përballen me një hendek të madh mes çmimeve dhe të ardhurave. Një pjesë e madhe e familjeve e kanë gjithnjë e më të vështirë të hyjnë në tregun e blerjes së banesave, duke e zhvendosur kërkesën drejt qirave ose duke e shtyrë blerjen për një kohë të papërcaktuar.

    Hyrjet e bizneseve të mëdha të huaja mungojnë. Më shumë se një e treta e investimeve të huaja direkte është për blerjeve të pasurive të paluajtshme, kryesisht në bregdet, jo ardhje të kompanive reale, që do të rrisnin kërkesën për ambiente për zyra apo për punonjës në kryeqytet.

    Edhe bizneset shqiptare, në përgjithësi të vogla dhe me kapacitete të kufizuara, nuk krijojnë një kërkesë të qëndrueshme për tregun e zyrave. Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, në vend ka vetëm rreth dy mijë sipërmarrje që kanë më shumë se 50 të punësuar, nga 132 mijë ndërmarrje që ka në vend.

    Në këto kushte, rritja e shpejtë e çmimeve në Tiranë rrezikon të mos mbështetet nga kërkesa reale, por nga e ashtuquajtura dukuri e “parkimit të parave”, apo investimit të parave të fituara nga aktivitete të jashtëligjshme, apo korrupsioni. Një pjesë e apartamenteve të reja, sidomos në segmentin e lartë, mund të rrezikojnë të mbeten të pashfrytëzuara, pavarësisht se mund të jenë shitur.

    Ndërkohë, ndërtimi pritet të marrë përmasa edhe më të mëdha, nisur nga të ardhurat rekord që u gjeneruan nga dhënia e lejeve të reja të ndërtimit në dy muajt e parë të këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave të ardhurat nga taksat lokale, që përfaqësohen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë (TNI) për periudhën janar- shkurt 2026 arritën një rekord historik duke kapur shifrën prej 11,2 miliardë lekë, me katërfishim nga viti paraardhës.

    Duke u bazuar në shumën e arkëtuar prej 11.2 miliardë lekë, dhe faktin që taksa e ndikimit në infrastrukturë është 4-8% e vlerës në shitje të ndërtimeve, në vend janë dhënë leje për ndërtime të tjera me vlerë të paktën 1.4 miliardë euro.

  • S’ka president, Kosova për herë të pestë në zgjedhje

    S’ka president, Kosova për herë të pestë në zgjedhje

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës edhe këtë të martë dështuan ta zgjedhin presidentin, duke thelluar kështu krizën institucionale dhe duke hapur rrugën për zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat parashihen të mbahen brenda 45 ditësh, bazuar në vendimin e Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

    Në seancë morën pjesë vetëm deputetët e mazhorancës, duke pamundësuar kështu krijimin e kuorumit për votimin e presidentit të ri.

    Seanca nisi të hënën, ku Lëvizja Vetëvendosje propozoi Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën si kandidate, në mungesë të një konsensusi politik.

    Në raundin e parë, Rushiti siguroi 63 vota, ndërsa një votë u shpall e pavlefshme, duke mbetur larg kuorumit të nevojshëm prej 80 votash.

    Gjatë ditës së djeshme, seanca u shty disa herë. Nga ora 10:00 në 14:00, më pas në 19:00 dhe përfundimisht në 23:00, por nuk u arrit ndonjë rezultat konkret.

    Dështimi i procesit u pasua edhe me reagime të shumta, ku palët (pozita dhe opozita), fajësuan njëra-tjetrën për bllokadën.

    Kryeministri Albin Kurti kritikoi ashpër opozitën, duke e cilësuar sjelljen e saj si antiinstitucionale dhe penguese të proceseve kushtetuese.

    Derisa opozita, veprimet e Vetëvendosjes i konsideroi si shkelje të rendit kushtetues.

    Kosova vazhdon të jetë në krizë politike, pasi zgjedhjet e ardhshme pritet të jenë të pestat brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohore.

  • Çka nëse Albulena Haxhiu nuk e shpall datën e zgjedhjeve?

    Çka nëse Albulena Haxhiu nuk e shpall datën e zgjedhjeve?

    Kosova shkon për herën e pestë në zgjedhje brenda një periudhe të shkurtër kohore, pasi mbrëmë nuk u arrit të zgjedhej presidenti i ri.

    Kjo temë mjaft me rëndësi u diskutua në emisionin Rubikon në Klan Kosova.

    Në studio panelistët folën edhe rreth asaj se çka nëse ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, nuk e shpall datën e zgjedhjeve.

    Juristi Bardhyl Hasanpapaj, deklaroi se kjo do të përbente vepër penale.

    “Është i qartë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Nëse nuk ka president brenda 34 ditësh, nuk ka nevojë kësaj radhe me nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendi, por direkt dekret për shpalljen e datës së zgjedhjeve”, deklaroi ai.

    Sipas Kushtetutës, zgjedhjet duhet të mbahen më së largu 45 ditë nga shpërbërja e Kuvendit.

  • “Shihemi”, vjen reagimi i parë nga ekipi i Vjosa Osmanit pas shpërndarjes së Kuvendit

    “Shihemi”, vjen reagimi i parë nga ekipi i Vjosa Osmanit pas shpërndarjes së Kuvendit

    Pas shpërndarjes së Kuvendit, ekipi i ish-Presidentes Vjosa Osmani ka bërë një reagim.

    Këshilltarja e Osmanit, Egnesa Vitija, ka publikuar një foto të Osmanit, teksa ka shkurar “Shihemi”.

    Në fjalimin që mbajti sot, Kryeministri Albin Kurti e goditi Osmanin, ku tha se tentoi shpërndarjen e Kuvendit me dekret jokushtetues.

  • Mot me diell dhe vranësira, mundësi reshjesh të dobëta

    Mot me diell dhe vranësira, mundësi reshjesh të dobëta

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se vendi do të ndikohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike gjatë ditës së sotme.

    Parashikohet mot kryesisht me diell, i shoqëruar me vranësira të shpërndara, ndërsa në disa zona nuk përjashtohet mundësia për reshje të dobëta.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4 dhe 8 gradë Celsius, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë nga 15 deri në 18 gradë Celsius.

    Era do të fryjë nga drejtimi veriperëndimor me shpejtësi prej 1 deri në 5 metra në sekondë.